2011-05-05

Kështu e shihte Shtëpia e Bardhë aksionin për vrasjen e Bin Ladenit



  •  Njerëzit më të fuqishëm të botës – Presidenti Obama, nënpresidenti Biden e sekretarja e Shtetit Clinton ishin mbledhur në atë që njihet si “Situation Room” në Shtëpinë e Bardhë - duke pritur në ankth sinjalet nga Pakistani. Forcat e njësitit special amerikan SEAL ishin dërguar në Abbotabad, për ta kapur ose vrarë njeriun më të kërkuar në botë. Fjalët e para të inkurajimit erdhën në fillim të aksionit, kur forcat amerikane e njohën njeriun që po e kërkonin për 10 vjet. Ata e dërguan mesazhin ‘Gernonimo”, që ishte emri i aksionit, transmeton Indeksonline. Pas një kërkimi 40 minutash dhe pritjesh të tensionuara në Shtëpinë e Bardhë, aty mbërriti mesazhi i koduar “Geronimo – E KIA”. E KIA nënkuptonte Enemy Killed in Action, ose në shqip Armiku i Vrarë në Aksion. “E zumë” ishte reagimi i parë i Presidentit Obama.
    Bin Laden nuk jetonte në shpella, por në shtëpi!
    • Njësia elitë e kundër-terrorizmit e SHBA-ve ishte ajo që kreu operacionin e vrasjes së kryeterroristit Osama bin Laden. Sulmi i forcave amerikane ishte drejtuar ndaj një vile në qytetin Abotabad, rreth 100 km larg Islamabadit. Vila ishte shumë e madhe dhe besohet se është ndërtuar ekskluzivisht për bin Ladenin. Brenda shtëpisë nuk kishte as telefon e as internet. Sulmi u shoqërua me luftime në vendin e ngjarjes, derisa Osama është vrarë me plumb në kokë. Trupi i Osama bin Ladenit u mor nga forcat amerikane dhe raportohet se trupat speciale respektuan rregullat e fesë islame gjatë marrjes së kufomës. Tre burra u vranë bashkë me bin Ladenin, një nga të cilët raportohet të jetë i biri, Hamzai - edhe ai një drejtues i lartë i Al Kaidës. Zyrtarët amerikanë thanë për AP-në se është vrarë dhe një femër, e cila u përdor si peng nga bashkëpunëtorët e bin Ladenit. Burimet zyrtare thanë se ka qenë CIA që ka rënë në gjurmët e bin Ladenit dhe më pas në operacion janë përfshirë trupat nga Navy SEAL Team Six, një njësi elite e kundër-terrorizmit. Pjesëtarët në operacion fluturuan drejt bazës së bin Ladenit me katër helikopterë dhe e kanë qëlluar kryeterroristin në kokë. Identifikimi i tij është bërë përmes ngjashmerisë së fytyrës, por nuk ka informacione nëse do të bëhen dhe analizat e ADN-së. Kufoma e bin Ladenit u hodh në det, pasi feja islame kërkon varrosjen e shpejtë të të vdekurit, por edhe për atë se asnjë vend nuk ka qenë i gatshëm të ishte streha e fundit e kreut të Al Kaidës.
       
      A u vra vërtet Bin Ladeni?
      • Ende askush nuk e ka konfirmuar vërtetësinë e fotos së publikuar pas vrasjes së Bin Ladenit. Fotografia në të cilën shihet Osama Bin Laden i vrarë, shumë shpejt është përhapur anembanë botës, por duket se ajo është një fotomontazhë. Shumë media botërore e kanë publikuar këtë foto, mirëpo as zyrtarët amerikan e as ata pakistanez nuk e kanë konfirmuar vërtetësinë e saj. NBC ka njoftuar se kanë marrë paralajmërime nga zyrtarët amerikan se fotografia është e rreme. Në shikim të parë, fytyra dhe mjekra duken se janë identike me fotot e Osamas nga arkivi. Por, gazetarët e NBC kanë krahasuar këtë fotografi me një tjetër, dhe sipas tyre foto e Bin Ladenit është e manipuluar. Edhe agjencia AFP gjithashtu ka publikuar të dy fotografitë duke sqaruar se pjesa e poshtme e fotografisë është ndërruar. Ndërsa, disa media kanë pohuar se kjo fotomontazhë është krijuar para gjysmë viti.
      Forcat amerikane që morën pjesë në operacionin e vrasjes së bin Ladenit nuk pësuan asnjë humbje.