Gazetari i njohur i “Boston Herald” Peter Lukas, rrëfen në një intervistë kërkimet e tij mbi OSS, misionin e fshehtë amerikan që ka punuar gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Cili ishte qëllimi i OSS në vendin tonë? Lidhja e ngushtë e Enver Hoxhës me kreun e këtij shërbimi, Tom Stefan, dhe fati i tij pas mbarimit të luftës. Tashmë, kjo histori që ka nxjerrë në pah informacione sekrete si për palën amerikane ashtu dhe atë shqiptare pritet të konkretizohet në një film me regji të Sten Dragotit
Shkruan: ALDA BARDHYLI
Historia nuk e lë të qetë dhe kur vendos të bëjë shëtitje mbrëmjeve në bulevardin kryesor të Tiranës. Peter e di se në bulevardin ku përkrah tij kalojnë të qetë njerëzit dikur janë varrosur ushtarë gjermanë të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në udhëtimet e fundit që ka bërë në Shqipëri e ka pasur të pamundur të mos ndihet mes dy kohërave. Asaj që i shfaqet nëpërmjet përfytyrimit që i vjen nga arkivat e Nju Jorkut dhe asaj të sotmes. Duket se koha e parë kushtëzon ende veprimet e tij. Një gazetar nuk duhet t‘u besojë shumë përfytyrimeve, por Peter ndihet i pafuqishëm për të lënë pas gjithë atë histori të cilën e gjeti përmes një fotografie.
Ai është gazetari i dytë amerikan i "Boston Herald" që mbërriti në Shqipëri në vitin 1986. Që nga ajo kohë e deri sot teksa Peter pi ngadalë çaj në një nga baret e kryeqytetit shumë gjëra kanë ndryshuar në lidhjen e tij me Shqipërinë. Tashmë ai nuk është thjesht gazetari i parë që mundi t‘i raportonte Perëndimit mbi atë çfarë ndodhte me komunizmin në zemër të Ballkanit, por dhe gazetari i parë që ka hedhur dritë mbi OSS (organizata e shërbimeve strategjike më e fuqishmja në botë, ose ashtu siç njihet sot CIA). Nisur nga një foto e një amerikani përkrah Enver Hoxhës, të cilën e gjeti teksa rrëmonte për të bërë një libër për rininë e diktatorit shqiptar, Peter u njoh me historinë e Tom Stefan, kreut të OSS në Shqipëri, një njeri që kishte pasur një miqësi të ngushtë me Enver Hoxhën, për të zbuluar më pas gjithë jetën e këtij shërbimi në vendin tonë. Libri i tij "OSS në Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri", i botuar vetëm pak kohë më parë, është kthyer në qendër të vëmendjes në SHBA. Kjo pasi shumë njerëz nuk e dinin se ky mision kishte operuar dhe në një vend si Shqipëria, aq më tepër të ndihmonte Enver Hoxhën ish-liderin komunist të merrte pushtetin. Më poshtë, Peter rrëfen në një intervistë punën e tij për këtë libër dhe cili ishte Tom Stefan ky njeri jeta e të cilit tashmë do të ekranizohet në një film nga regjisori Sten Dragoti.
Gazeta “SHQIP”: Z.Lukas, ju jeni gazetari i dytë amerikan pas Harrison që keni mbërritur në Shqipëri në vitin 1986. Mund të na tregoni diçka më tepër mbi këtë vizitë?
PETER LUKAS: Sigurisht që është një vizitë e cila më kujtohet mirë. Po udhëtoja drejt një vendi që ishte shkelur vetëm një vit para meje nga një tjetër gazetar amerikan, i cili ndenji këtu vetëm tri ditë. Ndërsa unë isha i dyti që më jepej një mundësi e tillë. Shqipëria e atëhershme ishte një shtet policor. Të dukej sikur po futeshe me këmbët e tua në një burg. Sapo zbrisje nga avioni që te kontrollet e imtësishme që te gazetat, librat çdo gjë sado e rëndomtë që ti mund të kishe me vete. Njerëzit që të shoqëronin, etj. Kur pashë aeroplanin që u ngrit nga Aeroporti i Rinasit sot, duke më lënë mua këtu, në një moment mendova "po unë çdo të bëj tani këtu?". Por dalëngadalë u mësova. Për një amerikan që shkelte në Shqipëri, vendi ishte në një ndryshim të madh. Ne ishim rritur ndryshe pavarësisht gjakut shqiptar. Askush nuk mund të afrohej të bisedonte me ty, studentët të largoheshin, kështu që duhet të ishe i aftë ta perceptoje vetë situatën dhe t‘i kuptoje dhe ato sjellje në pamje të parë të çuditshme të njerëzve. Ishte një eksperiencë e re. Por në të njëjtën kohë kishte gjëra që më pëlqenin, këtu. P.sh. kur shikoje që vendi ishte i pastër dhe familja ishte e fortë. Kuptohet se prostitucioni, droga nuk njiheshin, pasi atëherë nuk kishte liri. Ndërsa me ardhjen e lirisë tashmë këto gjëra janë të pranishme këtu si në çdo vend tjetër të botës. Sigurisht që e tashmja është më e mirë. Por është gjithnjë problem liria, nëse ti nuk di ta menaxhosh atë. Kjo është ajo që sjell kriza të ndryshme në vendet që sapo e marrin lirinë, pasi liri do të thotë më shumë përgjegjësi, që shumë gjëra të mos i anashkalosh, por t‘i marrësh në konsideratë.
Gazeta “SHQIP”: Keni botuar një libër mbi shërbimet e fshehta amerikane në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Si ranë në gjurmët e OSS?
PETER LUKAS: Gjithnjë më ka pëlqyer të bëja një libër për rininë e Enver Hoxhës. Por për shumë arsye, kjo ide e imja nuk u realizua. Por midis atyre kërkimeve që bëra në Shqipëri për atë periudhë ndesha me një fotografi të bërë gjatë një parade më 28-29 nëntor. Në fotografi ishte Myslim Peza, Baba Faja, Mehmet Shehu dhe në radhën e dytë të fotografisë shikoj një amerikan. Në fakt, kjo foto më habiti, pasi unë nuk e dija që kishin qenë amerikanët pranë Shtabit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe mendova se ç‘bën një amerikan me uniformë shumë pranë Enver Hoxhës. Emri i tij ishte Tom Stefan. Kështu, nisa të hulumtoja se kush është ky Tom Stefan. Dija vetëm se ai kishte vdekur. Kështu nisa një kërkim për të gjetur veprimtarinë e tij në Shqipëri, për të shpjeguar të gjitha detajet që do të lidhnin prezencën e tij në atë foto. Ishte e çuditshme, pasi dhe të tjerë amerikanë që kishin qenë me atë me mision të fshehtë në Shqipëri nuk e dinin se ai kishte vdekur. Unë shkova i takova këta njerëz dhe ata filluan të më flasin për të, për punën që ai kishte bërë në Shqipëri dhe për marrëdhëniet e veçanta që ai kishte pasur me Enver Hoxhën. Atëherë u drejtova në Arkivin Qendror në Uashington për të bërë kërkime. Dhe sa më tepër bëja kërkime, aq më interesante më bëhej historia e këtij njeriu. Dhe subjekti u rrit më shumë sesa Tomi. Në këto kërkime kishte gjëra që dhe vetë amerikanët nuk i dinin, bile as shqiptarët, pasi ishin dokumente tepër sekrete të një periudhe raportuar nga një njeri që ishte në krye të misionit. Në këto dokumente del se amerikanët dhe anglezët e ndihmuan Enver Hoxhën që të vinte në pushtet. Askush nuk dinte gjë se si kishte ardhur kjo ndihmë dhe këto lidhje. Mbasi bëra një kërkim dhe pashë këto materiale arkivore takova katër njerëz që kishin qenë me shërbim në Shqipëri dhe ishin ende gjallë. Ata kishin bredhur të gjithë Shqipërinë si nga Karaburuni në veri kudo. Dhe kur flasim për Karaburunin në të dyja anët, nga ana e detit ku ishin shpellat dhe nga ana e Dukatit. Zbulova ku kishte vdekur Tom Stefan, ku ishte varrosur ai dhe u bë një histori shumë interesante që më nxiti ta shkruaja.
Gazeta “SHQIP”: Sipas jush, cili ishte interesi i këtij misioni amerikan në Shqipëri?
PETER LUKAS: Interesi ishte në mënyrë direkte, pasi amerikanët ishin vendosur në atë periudhë në jug të Italisë.Amerikanët ishin të interesuar që divizionet gjermane në Shqipëri të mbaheshin nën presion dhe të sulmoheshin herë pas here në mënyrë që këto forca të mos shkonin më tutje Shqipërisë.
Dhe për të realizuar këtë, këto misione zgjodhën forcat partizane dhe Enver Hoxhën për t‘u hapur telashe gjermanëve dhe këto divizione të mos dilnin jashtë kufijve të Shqipërisë, por të mbeteshin këtu. Puna e misionit amerikan këtu sigurisht që nuk ishte e lehtë. Ata duhet të nxisnin mendimin se mos amerikanët do të sulmojnë bregdetin shqiptar, në mënyrë që t‘i mbanin gjermanët nën presion. Një interes tjetër, sipas meje, që këto forca qëndronin në Shqipëri ishte për të krijuar një bazë në Shqipëri. Nëse pilotët amerikanë që niseshin me shërbime ushtarake në Rumani apo në ndonjë vend tjetër mund të kapeshin apo të diku në ndonjë cep të Shqipërisë, ky mision kishte për detyrë t‘i gjente këto vende ku mund të kishte ndodhur rrëzimi i avionit dhe të organizonin në mënyrë të fshehtë rikthimin e tyre në bazë. Shqipëria ishte një pikë nga ku amerikanëve u duhej të kalonin për në vende të tjera ku ata kishin interes, ndaj baza këtu ishte e domosdoshme...
Gazeta “SHQIP”: Le të flasim për Tom Stefan dhe miqësinë e tij me Enver Hoxhën. Si ishte kjo miqësi dhe ç‘ndodhi me dy miqtë pasi Hoxha erdhi në krye të shtetit shqiptar?
PETER LUKAS: Dihet që në këtë periudhë që ne po flasim Enver Hoxha ishte 35 vjeç, ndërsa Tom Stefan ishte 25 vjeç. Mendoj se në miqësinë mes tyre ishte Hoxha ai që dominonte. Kjo për faktin se Hoxha ishte udhëheqës, i arsimuar, kurse Tomi një djalë i ri tepër i thjeshtë. Tomit i duhet të punonte ditën dhe natën të arsimohej. Nuk merrte shumë vesh nga politika. Ai erdhi me mision në Shqipëri menjëherë pasi u fut në ushtri, pasi kjo kohë përkoi dhe me nisjen e luftës. Tomi ishte një djalë që dinte të fliste shqip për shkak të origjinës së tij të largët dhe kështu u vendos në krye të misionit. Ai ishte shefi i të gjithë zbuluesve të tjerë amerikanë që ndodheshin në Shqipëri. Teksa kam shfletuar kaq shumë materiale për të, pasi kam lexuar të gjitha raportet e tij sekrete mendoj se Tomi ishte tepër i vogël për detyrën që i kishin besuar. Por është disi e vështirë të flas për marrëdhëniet mes tyre, pasi ky është një intimitet privat, por nëpërmjet fotografive dhe materialeve të gjetura mund të argumentoj, se ç‘ka ekzistuar mes tyre. Fotografitë tregojnë shumë ndonjëherë.
P.sh kemi fotografi ku Tom Stefan ka dalë me Enver Hoxhën, Omer Nishanin. Në qoftë se ndjekim fotografitë e luftës do të shohim se Enver Hoxha nuk ka dalë asnjëherë me britanikët. Dhe ky fakt tregon një lidhje mes tij dhe Tom Stefan.
Enver Hoxha, Tom Stefan dhe Omer Nishani
Po pyetja juaj është se ç‘ndodhi me këtë miqësi pas luftës? Natyrisht që kjo miqësi nuk mbeti pas luftës. Ashtu si çdo gjë tjetër Enver Hoxha e prishi këtë miqësi.
Lidhja e Tom Stefan me Shqipërinë do të vendosej edhe në sferën sentimentale. Pasi kur u kthye në Tiranë pas lufte, ai u njoh me një vajzë, Lulu Vrioni, me të cilën bie në dashuri. Kuptohet që familja Vrioni nuk ishte në shijet e Enver Hoxhës dhe kështu do të nisnin persekutimet ndaj kësaj familjeje. Shumë anëtarë të saj u ekzekutuan. Hoxhës nuk i pëlqente që Stefan të kishte një lidhje të tillë dhe pikërisht me një njeri të kësaj familjeje. Por fakt është që Tomi ka bërë martesë fshehurazi me Lulu Vrionin dhe ju e kuptoni se sa i shqetësuar ka qenë Enver Hoxha për këtë ngjarje. Pas këtyre kontradiktave, Tomi do ta marrë Lulunë me vete në Uashington për të jetuar bashkë.
Është një fakt shumë i trishtë nëse sheh dokumentet e asaj periudhe.
Të gjitha vajzat e arsimuara shqiptare që dinin të flisnin anglisht dhe që u shoqëruan me këta misionarë të fshehtë amerikanë në Shqipëri, pas mbarimit të luftës u arrestuan dhe u internuan nga Enver Hoxha. Por Lulu nuk e pati këtë fat, pasi Stefan e mori me vete në SHBA. Lulu ka punuar te "Zëri i Amerikës" dhe vdiq vetëm tre vjet më parë. Ndërsa Tom Stefan ka vdekur më 1959.
Gazeta “SHQIP”: Çfarë mund të na thoni për vdekjen e tij?
PETER LUKAS: Jeta e Tom Stefan nuk qe shumë e bukur, pasi ai u kthye nga shërbimi në Shqipëri në SHBA. Ka qenë një periudhë gati-gati tragjike për të. Ai u kthye nga lufta ndoshta me iluzionin që këtë eksperiencë që fitoi nga ky mision mund ta vinte në shërbim të Departamentit të Shtetit apo gjetkë. Por në atë periudhë kur Shqipëria u kthye në një sistem diktatorial askush nuk kishte më interes për të. Ishin vitet 1945-1947 dhe Tom ngeli jashtë interesit. Dihet kthesa e Shqipërisë. Enver Hoxha u kthye nga Stalini në 1948. Tom shkoi në Los Anxhelos. Aty ai takoi një mikun e tij të vjetër që kishte qenë me OSS në Shqipëri dhe ishte bërë një aktor shumë i famshëm. Në bazë të rrëfimeve të miqve, Tom Stefan, dhe miku i tij, OSS kërkonin të bënin një film mbi luftën. Por Tom pati një krizë zemre dhe vdiq në moshën 42 vjeçe. Ai nuk e shkroi dot asnjëherë historinë dhe nuk e bëri dot filmin...
Gazeta “SHQIP”: Sa e lehtë apo e vështirë ka qenë të bëjë një histori për OSS?
PETER LUKAS: Mendoj se të shkruash është gjëja më e lehtë. Por rënia në gjurmët e problemit, kërkimi në arkiva është gjëja më e vështirë. Sa herë nis të bësh një kërkim të duket jashtëzakonisht i vështirë. Unë nuk jam profesionist në këtë fushë ndaj dhe detyra ime bëhej akoma më e vështirë. Duke qenë në këtë pozicion, si gazetar jam munduar të jem i vërtetë në çdo detaj të vendosur në libër. Kur fillova kërkimet e mia, takova një njeri puna e së cilit ishte OSS. Ishte ky njeri që më orientoi se ku mund të gjeja shënime apo të dhëna për OSS. Aty kam gjetur raporte sekrete që Tom ia dërgonte bazës në Bari në Itali nga shtabi ku ndodhej me Enver Hoxhën. Ishte një material jashtëzakonisht i madh për OSS-të që kishin operuar në Shqipëri dhe unë duhet të zgjidhja. Mund të them se gjatë kërkimeve gjatë leximeve të këtyre raporteve ndonjëherë ndihesha i rrëmbyer nga to, aq sa më dukej vetja një prej tyre. Njeriu që më ndihmoi në arkivat amerikane bëri një punë të shkëlqyeshme. Ai i seleksiononte materialet që më duheshin në mënyrë që unë të mos merresha me kërkimin e tyre, por thjesht t‘i analizoja, t‘i kisha gati kur shkoja aty. Po të vish në shtëpinë time në Boston janë mijëra materiale të fotokopjuara që rrëfejnë atë kohë. Por faza më interesante dhe më ndihmuese për të realizuar këtë libër ishte gjetja e atyre njerëzve që ishin ende gjallë që kishin qenë me shërbim në Shqipëri. Ata ishin një dëshmi e gjallë që e bënte më të plotë këtë libër.