Nebih Bunjaku është nga Poliçka e Dardanës. Ciklin e ulët të fillores e kreu në vendlindje, tetëvjeçaren në Malishevë, të mesmen në Gjilan, kurse studimet në Prishtinë. Si student ka filluar karrierën e tij pedagogjike. Fillimisht punoi në shkollën fillore në Banjën e Sjarinës, pastaj në gjimnazin e Dardanës, në shkollën teknike të Gjilanit, në shkollën fillore të Banullës - Gllogofcit, në gjimnazin e Lypjanit, në shkollën teknike të Kastriotit.
Që nga viti 1993 punon në gjimnazin “Eqrem Çabej” në Prishtinë. Një mandat ishte drejtor i këtij gjimnazi.
Ka botuar këto vëllime me poezi: Dalje nga balada 1994, Gramatikë zemre 2004, Terapia e dashurisë 2005, Një samit për një simit (poemë satirike) 2007 dhe Prushimë buzësh 2008. Ky është libri i gjashtë.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i “Pegasit” të Gjirokastrës, Dega në Kosovë.
Jeton në Prishtinë.
BALSAMOSMANI ËNDRRËN
Kur t’i mbylli sytë
ju lutëm me përgjërim
balsamosmani ëndrrën
në sarkofag për kujtim
hapur lenia një dritare
të hyjë drita e lirisë
aroma e luleve të njoma
kalendarëve të dashurisë
as kulmin mos i mbuloni
ëndrrës sime shumë fatprerë
nuk e dua copë mermeri
që ma zë diellin përherë
edhe ëndrra ka një ëndërr
kurrë në jetë nuk e harron
dashurinë nektar shpirti
në fund të botës e kërkon
M’I VISHNI MENDIMET
M’i vishni mendimet natën
vetëm me ndjenja dashurie
lakuriq mos të bredhin botës
pa ngjyrë arti e bukurie
nëse ndjenjat u janë shqyer
zbukuroni me arën poezie
mos të mbesin dot pa ajër
dhe pa jetë pa art magjie
m’i vishni mendimet e mia
si natyrën me shumë ngjyra
me blerim e me diell
të lulëzojnë vargjet e lira
HISTORI
Prej beteje në betejë
nëpër mite e balada
me enigma e mistere
nëpër zjarr e barrikada
MATEMATIKË
Gjithë jetën mbledhim humbje
pastaj humbjet i shumëzojmë
jetë nga jeta përditë zbresim
që me skamje t’i pjesëtojmë
matematikë shumë e thjeshtë
ngatërrojmë veten n’avlëmend
në këtë botë sikur gjeni
në botën tjetër asgjë n’mend
MENDIM I DEHUR
Xurxull qenka bërë bota
një gotë uiski kush s’ta qet
për ide e iluzione të kota
askush mendjen nuk e vret
kot përpiqem të jem esëll
tetëshet udhën s’e gabojnë
kur mbahem për unin e dehur
trupi e truri s’bashkëveprojnë
HIJA IME
Ti nuk je më rreze dielli
ti je vetëm hija ime
një robot i ëndrrave t’mia
që zbaton vetëm vendime
GLOBI
Me një gisht sillet vërdallë
globi me shpejtësi të dritës
ligjet e natyrës i bën përrallë
me atë kokë kungull të rrallë
NË KURDHËR JETE
Përtej dhembjes përtej mallit
edhe lodhja m’u ka plakur
midis kudhrës e çekanit
udhëkryqeve e përflakur
RRUDHA JETE
Midis rrudhash fshihet jeta
plot me brenga palë-palë
s’i zbulojnë as arkeologët
se ç’mistere fshihen vallë
me pasqyrën ballë për ballë
e shpalos rrudhën e vjetër
me brisk rroje e rruaj moshën
e maskuar nga një rrudhe tjetër
brisku i mprehtë le një plagë
e shëroj me pështymë e letër
thellë në zemër le një vragë
kur më del një rrudhë tjetër
e rruaj shpirtin nën lëkurë
midis balte më la jetim
nuk të le më thoshte kurrë
binjakë jemi shpirti im
KUR ËNDRRA KA HALLE
Kur ëndrra ka halle
dhe dhembje lehonie
ia lidh me fashë zemre
me dorën e një mamie
I FSHEHUR PAS MJEKRËS
Nëpër tym e nëpër çagjë
një monstrum nga bota tjetër
i zi si futa një Karaxhë
bërë tebdil drakulla i vjetër
dobiç bushtre zemërzi
shpalli veten president
n’orgji krimesh ogurzi
me top rrah në parlament
dhunoi gra e theri fëmijë
çfarë nuk bëri ky xhelat
vrau e dogji qindra mijë
shkretoi shtete ky lugat
skutë më skutë mi gjirizi
fshehur pas mjekrës së vet
çerdhe side dhe sifilizi
krimin në ballë identitet
shpirtin ndryshk zemrën çagjë
lozë pas loze psikopat
i rrafshon krimet me rraxhë
mal e fushë shpat më shpat
duarlidhur në gjyq të Hagës
dritën e diellit e mallkon
thellësia e plagës së shpirtit
drejtësinë natën e trishton
BËRLLOKU
Me lirinë bërlloku i huaj
kudo shtriu mbretërinë e vet
me bërllokun tonë të pistë
mbuloi fsha mbuloi qytet
ndoti fusha ndoti male
që nga jugu në veri
me pasion puthi këtë vend
me plot afsh e dashuri
i pa racë komb as fe
në shpirt vulën e urëmikut
përleu rrotën e historisë
nën maskë f’tyrën e mikut
deri në Këshill të Sigurimit
rrënjët e tij janë të thella
midis plehu të maskuara
s’i nxjerr derri s’i ha pela
meqë nuk na ndahet dot
na përleu edhe ne
ti mor pis more bërllok
asgjë pastër s’le mbi dhe
me shumë ngjyra e fytyra
në zemër kodin 1 2 4 4
nuk na shqitesh dot nga vatra
me ne luan arushë në teatër
SI GJARPRI LËKURËN
Nga dehja me raki
dhe dehja iluzore
jeton në degë bindjesh
me origjinën hyjnore
hyri vetë në SHPK-ë
ta pushtojë nga brenda
sharra i hasi n’gozhdë
dhe i plasi zemra
e braktisi uniformën
si gjarpri lëkurën
dehja i ra dyfish në tru
i shpartalloi shpurrën
ditën djeg doganat
dhe botën mallkon
vetes i pret degën
pikërisht ku qëndron
trupin në Kosovë
shpirtin korb n’Lubi
ditë e natë minon
kopshtin tonë të ri
njërin xhep me euro
tjetrin plot dinarë
n’krimin e organizuar
gjithë natën kumbar
me lot krokodili
nëpër botë vajton
se kjo bote jallane
kodian s’ia kupton
NË SHTËPINË E SËMURË
Në shtëpinë e sëmurë
plot me psikopatë
maskat e maskuara
kurrë s’na lanë rehat
kur fliten shumë gjuhë
askush gjë s’kupton
gjuha e nepërkës
deri në asht të shpon
këshillat e saj helmuese
në shpirt na ngacmojnë
edhe pse të maskuara
kobrat t’i hetojmë
mendimet në rengen
na i regjistronjë
edhe ëndrrat n’gjumë
na i spiunojnë
psikologët e sëmurë
vuajnë nga psikofobia
më shëndosh pacientët
se sa vetë mjekësia
SIGURESAT E SHPIRTIT
Të gjitha siguresat e shpirtit
do t’i aktivizoj
netëve pa mjegull
të gjitha ekranet e zemrës
do t’i ndezi
netëve të dimrit
të gjithë altoparlantët
do t’i shurdhoj
netëve pa hënë
të gjitha lehjet e qenve
do t’ua kthej mbrapshtë
autorëve zagarë rrugësh
të gjitha rrudhat e shpirtit
do t’ia shpalos
pavarësisë sonë
ROBËRIA NË LIRI
Me gjithë shpirtin lakuriq
në çdo zgjedhje del pa emër
në liri humbi shumë miq
se robëria i fle në zemër
i ka humbur udha në oborr
gjithmonë atë e pati shemër
sytë në ballë e mendjen qorr
se robëria i fle në zemër
shpirt e zemër n’udhëkryq
kallp emër fals mbiemër
në kulltuk këmbëkryq
se robëria i fle në zemër
maskë flamurin e lirisë
pa gjini mashkull femër
n’ballë krimesh t’barbarisë
se robëria i fle në zemër
asgjë s’paska më çudi
se shpirtrobi i lirë n’liri
secilin martir e akuzon
veç vetveten e vlerëson
thotë e munda çdo armik
se pas luftës i thashë ik
mbarë atdheun e çlirova
ndaj vetveten e dekorova
SEMINARET
Në klasën e seminareve
me mësues e profesorë
teknikat e reformave
i përvetësojmë me zor
në klasën heterogjene
me të rinj dhe pleq
ushtrimet e shkathtësive
po na shkojnë pak keq
këto reformat tona
joshëse plot magji
rrota e pa lyer
sillet veç në teori
DEMAGOG
Në një shkollë një bërllok
e luan lojën biolog
trup e shpirt demagog
fjala e tij s’shitet n’log
gjithmonë shtiret psikolog
punën hiç – mendjen gjok
trurin fyçkë rradaken shtog
të gjitha punët i bën bërllok
një racë me qenin analog
kot të huajt s’i thonë dog
tok me bushtrën log m’log
nga bërlloku në bërllok
midis pazarit hingëllin
si mushkë kalin imiton
vetëm samarin e hostenin
natën zgjuar i ëndërron
VESHUR LAKURIQ
Në petale shpirti
rritet dashuria
veshur lakuriq
në ëndrrat e mia
SHPIRTI KLANDESTIN
Shpirti im në botën tjetër
pa pasaportë klandestin
më la vetëm midis balte
kurrë nuk ishte filistin
16 VJEÇARJA
Jam prilli i femrës e bukur si zjarri,
Jam çafkë e dehur nga të piret e qiejve.
Tek beli i hollë kam rrymë elektrike
Të ruhet prej meje grigja e djemve.
S’jam më prej mishi, jam fije drite,
Jam borë e bardhë e stërpikur me gjak,
Atje ku kaloj nxeh ajrin e rrugës,
Tre vise në trup më digjen flakë.
Petrit Ruka
KRYEFJALA
Në gramatikën e shpirtit
vetëm ti je kryefjala
nuk na duhet kallëzuesi
as në përqafime të rralla
emri më i dashur
në morfologjinë time
t’i dua buzëqeshjet
në rasa në zgjedhime
në sintaksën e syrit tim
je periudhë me degëzime
edhe në analiza zemre
ëndrra më intime
PORT DASHURIE
Unë jam port i çdo dashurie
ku mund të ndalet çdo anije
e ngarkuar me intimitete
n’ujëra t’ëmbla e në dete
për ty jam shumë kureshtar
mezi pres të ankorohesh
midis shpirti lësho spirancën
të pushosh të relaksohesh
valët e zemrës m’i trazon
në çdo stinë unë ty të pres
nëse s’ndalesh më kalon
për një puthje do të vdes
mos ngrit flamurin e bardhë
oqeaneve me shumë stuhi
ditë e natë jam sogjetar
të shpëtoj me dashuri
PARALELISHT
Mua e ty si binarë treni
paralelisht jeta na shkon
a ka stacion zemra ime
në këtë botë që na bashkon
zemrat tona binjake
i ka bashkuar dashuria
po i ndave zemër
të ndëshkon perëndia
DASHURIA LOJË
Dashuria thonë është lojë
në këtë lojë dua të vdes
nuk jam borë por jam vesë
në zemër bie çdo mëngjes
KODI I SHPIRTIT
Ti je kodi i shpirtit tim
edhe n’ëndërr të kërkoj
pa ty jeta s’ka kuptim
vetëm ty të dashuroj
DOSJA E SYRIT
Në gjithë dosjen e syrit tënd
vetë një lot të ka tradhtuar
nëpër mistere buzëqeshjesh
puthjet tona janë përvëluar
por ato gjithmonë besnike
gjuha e syve s’i mashtron
në sprova zemre ti moj mike
dashurinë ma përfocon
MA ZBUKURON
ËNDRRËN
Ditën më mungon ditën
natën m’shfaqesh n’gjumë
s’mund t’jetoj pa ty
se të dua shumë
midis gjumit të thellë
ti ma zbukuron ëndrrën
parajsë ma bën jetën
më hyjnore zhgjëndrrën
TAGRA E SHPIRTIT
Të gjitha tagrat e shpirtit
i paguaj me gjithë dëshirë
nuk i mbetem askujt borxh
dashurisë i kërkoj mëshirë
dashuria është qiellore
vetëm lind e s’perëndon
me hiret e saj hyjnore
të bekon a të mallkon
NË HIJEN TËNDE
Në hijen tënde kur pushoj
muzën time s’e merr gjumi
në prehër ëndrre të kërkoj
ëndrrat tona valë t’një lumi
hija jote freskon diellin
midis vape buzët shkrumb
me buzëqeshje i bën hije
n’freski zemre rron një pëllumb
LULJA E SHPIRTIT
Lulja e shpirtit tim
rrënjët në zemrën time
pa ty nuk lind dielli
as nëpër vegime
lulëkuqja e prillit
çel vetëm n’blerim
lulëzo pa pushuar
fresku i vargut tim
zemra e kurorës
pengu i zemrës sime
vesa e mëngjesit
fresku i jetës sime
t’i ujis petalet
veç me ledhatime
ti je vesë mëngjesi
flladi i zemrës sime
me ngjyra ylberi
ato gonxhet tua
nektar dashurie
që me dehin mua
PRANVERA IME
Midis flakës së zjarrit tënd
piqem digjem në tundime
në zemrën time të zhuritur
të kam mbjell pranvera ime
vetëm ti moj stina ime
midis shpirti më lulëzon
edhe ndjenjat më intime
me buzëqeshje ti m’i zgjon
zemrat tona nuk kanë dimër
rreze jete kanë gjithmonë
çelin në stinë të dashurisë
për asgjë s’u bëhet vonë
NË PORTËN E ZEMRËS
Në portë zemre kur trokita
në blerim prilli në pranverë
s’çave kokën për trokitjen
mbylle dritare mbylle derë
shpresën time e plagose
tani dergjem në spital
s’ka ilaç që ma shëron
shpirtin tim sentimental
kështjella jote prej çeliku
e mistershme krejt kallkan
si jeton në atë manastir
pa pikë dielli ti moj xhan
dil nga kështjella e Mesjetës
vetë buzëqeshjet do të çelin
në dashurinë tonë të zjarrtë
shpirtin n’shpirt do ta mbjellim
portën tënde me shtatë dryna
e ka ndryshkur koha vetë
gjysmën e shpirtit të burgosur
falja gjysmës së shpirtit të vet
VJERSHA ME ETHE
Vjersha ime me ethe
vrujon temperaturë
buzët shkrumb të thara
si lumi pa ujë nën urë
njëqind vjet në pritje
lagur në borë e në shi
me ëndrra lirie
për dritë e pavarësi
e përgjakur në luftë
në shpirt e plagosur
strofat shkrumb e hi
vuajtja s’kish të sosur
vargjet shpërndarë botës
të burgosura rimat
të ngatërruara rrokjet
shpirtit hapur vrimat
tash ëndërron në diell
ngopur nga varfëria
me shpresa të lodhura
ende e ndrydh vetmia
E NGUSHËLLON MALI
Gjenerali pa një këmbë
që ia fali luftës në mal
mediton i dëshpëruar
pa bukë goje si hamall
miku im mos u dëshpëro
miqësisht e ngushëllon mali
meqë mortja nuk të mori
këmbë e duar unë t’i fali
E VETMUAR NË MESNATË
E vetmuar në mesnatë
i thur ëndrra jetës sime
si të dal nga kjo lëngatë
mos të mbytem n’vajtime
fillikat unë jam jetime
porsi bimë n’dritë të hënës
pa ngushëllim e ledhatime
ëndrra fle n’prehër t’nënës
derë më derë për një kafshatë
më këndon mideja buzët çarë
në zemër shpirti kam acar
në burim loti im i tharë
nga vetvetja e braktisur
edhe koha më ka harruar
midis balte – e zalisur
nga trishtimi e trishtuar
prindërve të mi të rivarrosur
për ngushëllim nga një kurorë
jeta e tyre paska aq vlerë
sa dordoleci në shi e në borë
nga një lule në cep të varrit
qiriun ndezur në cepin tjetër
ua vë ditëve të pazarit
kur m’i falin miqtë e vjetër
se liria qenka akull
ëndrrën ende s’e ka shkrirë
me dëshmorët bën biznes
ëndrrën n’ëndërr ma ka ngrirë
MOS IA PRISH ËNDRRËS GJUMIN
Mos ia prish ëndrrës gjumin
se qan natën me inat
nuk ka det as oqean
që ta lajë gjithë këtë mëkat
më ka mbetur ëndrra zbathur
dhe pa rroba lakuriq
vetëm shpresa ka nën krye
në kujtesë i rri një kryq
po i doli ëndrrës gjumi
nëpër botë kërkon azil
n’bebëz syri të një vashe
ndërton çerdhe një bilbil
ëndrra ime është rebele
nuk çan kokën për askënd
as nga unë s’pranon këshilla
i thur planet në avlëmend
kurrë nuk ishte qaramane
sy mbyllë gjen rrugën e vet
për asgjë s’i bëhet vonë
as për princ as për mbret
BREGUT TË ËNDRRËS
Si Sizifi i stërmunduar
ngjitem bregut t’ëndrrës
pak i lodhur i vonuar
nëpër ankthe i trishtuar
labirintet plot zigzage
me gjakun tim të shënuar
si në tunel midis errësire
s’e njoh shpirtin e trazuar
midis shpresës e premtimit
ta ndërpres ëndrrën s’guxoj
as buzëqeshjen engjëllore
në lojë fëmijëve t’ua trishtoj
mendimet më janë lodhur
kësaj rruge të pashtruar
kur takohen nata e dita
hëna diellin ka mashtruar
që një shekull udhëtoj natën
s’dua të mbetem në udhëkryq
në prag agimi shoh vetveten
ëndrrën time gozhduar n’kryq
PA SHKOLLË POR ME XHAMI
Në ag të shekullit XXI
rrëzë mali në Gërmi
me pallate e shtëpi
shtrihet fshati Sevdali
vend i bukur si në përrallë
me shumë mësues profesorë
shumë i pasur shumë i rrallë
me haxhilerë edhe doktorë
në Sevdalinë përparimtare
shkohet këmbë e me makinë
kur bën vapë temperaturë
lakuriq lahet në pishinë
vendbanim afër pishinës
i ka vënë syrin Gërmisë
i bren mushkëritë Prishtinës
me vila të reja të mafisë
këtu ku çallmja sillet rrotë
pleqtë lajnë shpirtin në xhami
t’shkojnë t’pastër në atë botë
mirë të maskuar si haxhi
fëmijët deri në Prishtinë
për pak dritë dhe dituri
udhëtojnë këmbë pa makinë
nëpër borë dhe nëpër shi
ÇKA BËN NATA DITËN...
Frymëzim nga poezia
Çka bën dita natën...
e Agim Devës
Dikush mendon çdo mëngjes
dita natës s’i bën dritë
ai i gjori s’di se nata
rron më së miri në mesditë
hyn diku në kafeteri
tok me ne dëgjon muzikë
posa dehet me raki
prej askujt nuk ka frikë
atëherë nata kur feston
në jermi ajo argëtohet
në mesdite dikë shiton
që vetë dita të trishtohet
kur rihapen kafenetë
e marrëzia nuk ka fund
plot me gëzim e marifet
dollinë tonë e pi me fund
në pikë të ditës bën pazar
me tenderë prapë vazhdon
nata s’matet me kandar
dita s’lind veç perëndon
DREJTËSIA
Miqësisht e vëllazërisht
midis vëllezërish barabar
me litar dhe pa litar
skamjen duhet ndarë
DIELLI PRAPA GRILAVE
Që një shekull dielli në burg
na pat lënë në dritë të hënës
lot e gjak na shkuan çurg
nën këmbë njerke pa gji t’nënës
vonë nga retë kur doli dielli
n’shpirt buzëqeshja na lulëzoi
ëndrrës së jetës iu zgjidh filli
kroi i lotëve n’burim shteroi
RRUGËS SË DIELLIT
Shaban Palluzhës
Dardania kur digjej flakë
nga piromanët e tërbuar
asnjë i ri plak as plakë
s’donte vatrën për ta lëshuar
nëpër krisma dhe acar
dielli shahej veç sllavisht
zemra eshkë ndizej zjarr
gjoksi hapej martirisht
e me armë rrugës së diellit
nuk e braktisi Dardaninë
meteor Shaban Palluzha
shumë e deshi Ilirinë
të lajthiturve nga drit’e hënës
përbetuar në yll të kuq
mos lejoni u tha në Besianë
lot e gjak t’na shkojnë huq
me agimin në rrugën e diellit
si në legjendë dikur Anteu
maja e Lisit Shaban Palluzha
shtriu rrënjët n’thellësi dheu
PROMETEU
Adem Demaçit
Kur liria ishte ngrirë
në acar dimri rrezengrirë
Prometeu ynë n’zinxhirë
nisi akullin për ta shkrirë
prej të voglit në burg të madh
këmbë e duar lidhur n’pranga
vetëm shpirtin e kishte të lirë
nga qelia i jehonte kënga
Rrap’i kombit n’zemrat tona
me lirinë i kurorëzuar
Lulja në ballë të kurorës
në Pranverën e vonuar
Baca Adem simbol lirie
vepra Jote rreze dielli
e zgjon ëndrrën e përgjumur
Yll Mëngjesi ndrin nga qielli
REÇAKU
Liria fshihet në një pikë gjaku
të një fëmije a të një plaku.1
Riza Beqir Reçeku
Fundi i shekullit plot acar
dyfish dimër në Reçak
ditë e zezë pesëmbëdhjetë janar
Reçaku i trimave u bë me gjak
ekraneve të shpirtit nëpër botë
komunikon vetëm trishtimi
zemra tona grimë dhe copë
veç nga ankthi e pikëllimi
n’gjuhën e dhembjes njerëzore
lajtmotiv vetëm mizoria
mbeti bota e nemitur
vallë u kthyeka barbaria
tok me engjëj Riza Beqiri
ra dëshmor n’prag shtëpie
mu pranë tij ra edhe i biri
ku u fshehka ai gjak lirie
n’zemrën time kam një shpellë
plaga e shpirtit më kullon gjak
midis dhembjes një hon i thellë
loti më rrjedh për Ty Reçak
a ka fashë që ma lidh dhembjen
përveç Vokerit – Mikut Plak
a ilaç që shëron brengën
krimit të hienës t’i vë kapak
1) Martirin Riza Beqiri e njoha në Banjën e Kllokotit në fund të vitit 1998. Një javë banuam në të njëjtën dhomë. Për lotin tim ndaj masakrimeve barbare, Riza më qortoi me profecinë e tij që e shënova në fillim të kësaj poezie. Dy javë më vonë, më 15 janar 1999, tok me të birin dhe martirët e tjerë i masakruan në Reçak.
FUNDI I KRYEKORBIT
Një korb sillet mbi humnerë
në ëndërr sheh veten skifter
me krra-krra u ngrit n’pushtet
korbëri bëri në Korbëri të vet
kukuvajka i këndoi mbi krye
ogurin e zi lidhur nyje
i tha dielli rreth tij sillet
dhe pa të farë nuk mbillet
nga Ballkani në Japoni
shtriheshka Korbëria e tij
alfabetin e gjithë Korbërisë
kukuvajka me krim e ngjiz
sa herë vetveten e shikon
edhe pasqyrën e shëmton
e lëshoi shpirti mu në Hagë
vendit të vet ia la një vragë
PAVARËSIA
Gjatë të pritëm rreze dielli
me shumë shekuj e dekada
kurorë lulesh midis prilli
të sfiduan në barrikada
akulli shesheve të Dardanisë
i 17 Shkurtit me borë acar
tretej në zemër të shqiptarisë
lavë vullkani magmë e zjarr
për Ty seç na dogji malli
nuk të lejonin të vije dot
kurrë s’të lëshojmë për së gjalli
për Ty derdhëm gjak e lot
me gjithë shpirt na buzëqeshe
Nusja jonë në Kuvend
ballëlartë rrugëve e në sheshe
në zemrat tona zure vend
në ballë të valles Nusja e jetës
dasmë të tillë s’ka parë bota
që nga shekujt e Mesjetës
në Dardani si luhet shota
DIL NGA LOTI
Rifat Kukajt
Ajme në Ulqinin me diell e det
u varfëruam për një poet
në shtator Karvani u ndal
dale vëllezër kam një hall
atje ku toka puthet me detin
nimfa e mashtroi poetin
në vaj ylberi pa një ngjyrë
gazi i fëmijëve në buzë ngrirë
spirancë pikëllimi lëshuam në det
në gjysmështizë zemrat për ty poet
në pikëllim fëmijësh fshihesh kot
të gjejmë në vepra për jetë e mot
burrë i dheut dil nga loti
nga ikja jote u lag moti
fjala jote gaz hare
kurorë ylberi përmbi re
në çdo orë letrare edhe sot
për ty dhembjën ngjyej në lot
në kujtimet tona kudo për besë
sharmi yt me notën – Pesë
DANTJA
Marin Soreskut
Dantja e krijoi Ferrin për shtatë ditë.
Të parën ditë bëri Tokën, Hadin dhe
Cerberin.
Të dytën ditë bëri nëntë rrathët sipas
përmasave të mëkatit si dhe lumin
Akeron, Greminën, liqenin e Koçinit
dhe pusin e Viganëve.
Të tretën ditë, pasi ua kumtoi dënimet,
i sistemoi paq nëpër rrathë të gjithë ata
që s’kanë bërë as mirë, as keq. Fillimisht
vendosi fëmijët e papagëzuar, paganët
e virtytshëm, mëkatarët e epshit, grykësit,
koprracët dhe dorëlirët, idhnakët e të
zymtit dhe në fund – eretikët.
Pasi ia behën edhe të vonuarit e fundit,
Krijuesi u ledhatoi sedrën me shikim
dhe u tha se s’u mbetej veçse të bëhe-
shin kritikë fetarë dhe veprën t’ia merr-
nin nëpër këmbë, ta mallkonin si satana.
Të katërtën dhe të pestën ditë ia kushtoi
vrasësve, vetëvrasësve dhe dhunuesve
kundër Dantes, Krijuesit të Ferrit: i lë-
shoi lolot në kollotumba dhe Virgjilin
me gjithë fatzinjtë e tjerë i la të dëfrehen.
Të gjashtën ditë i kalli në greminë
mashtruesit e femrave, lajkatarët,
simoniakët, fallxhorët, batakçinjtë,
hipokritët, hajdutët, këshilltarët
dinakë, përçarësit dhe falsifikatorët.
Të shtatën ditë pa në i kishte mbetur diç
për të bërë: sakaq iu kujtuan tradhtarët
që për pak sa s’e mashtruan të mbeteshin
në këtë botë.Vrik e vrik i lëshoi në pusin
e Viganëve me kokë teposhtë nëpër Kainë,
Anteronë e Tolome për ta shuar etjen në
liqenin e Koçitit. Por një ëndërr e trishtë
i kalli datën: Virgjili, para se të bënte vetë-
vrasje, i bëri një pyetje shokante: Ku e ke
Beatriçen, Maestro? Me cilin filtron ajo,
herë në Purgator, herë në Parajsë! Pushtet
të plotfuqishëm i la Radamanit e vëllezërve
të tij. Dhe Dantja mendoi se, pas gjithë asaj
pune kolosale, e kishte hak që pikë për pikë
të krijonte Komedinë Hyjnore dhe pastaj
rehat-rehat ta bënte një sy gjumë të amshuar.
LULJA E KOMBIT
Pas fitores drejt në Hagë
shpirtin e lirë duart n’zinxhirë
Lulja e kombit n’zemër plagë
se Ilirinë e donte të lirë
dorë e djathtë e UÇK-së
tok me NATO-n ka luftuar
pse i këputi shpirtit prangat
në bankë të zezë i akuzuar
kryelartë shkon në Hagë
historinë për ta lartësuar
n’shpirt i vishen ca akuza
nga Drejtësia i trishtuar
i pandehur përbetohu
sa ushtarë paramilitarë
kur ta dogjën shpirtin n’djep
pa mëshirë m’i paske vrarë
u betohem n’diell e n’hënë
në Luftën tonë Çlirimtare
vrava veç bisha Karpatevesh
shumë të zeza e barbare
TETA GJYSH
Ezës së vogël
Lulja e zemrës është hyjnore
ambrazianë mjaltë e ftua
me buzëqeshjen engjëllore
Teta Gjysh më quan mua
midis zemre lule shpirti
dhuratë e Zotit engjëlli im
mëngjes shpirti mbesa ime
dritë e dritës në amshim
lozonjare yll mëngjesi
bukuria jote hyjnore
territ të natës i bën dritë
engjëllushe madhështore
në lojën tënde bëhem fëmijë
me ty zemra më bëhet mal
më kthen n’moshën që ke ti
kur më kalëron si kalë