2011-03-13

Skender Zogaj: Libër që meriton epitetin e librit të dalluar

LIBËR QË MERITON EPITETIN E LIBRIT TË DALLUAR

(Çerkin Bytyçi: Monografia “PRIM. DR. DAUT MUSTAFA”,botoi SHKK ”ANTON PASHKU” Prishtinë, 2009)


Nga Skender Zogaj, shkrimtar nga Prishtina

Dhe vetëm dritë e diturisë përpara do na shpie, ishte motoja e rilindësve tanë, të cilët këmbëngulshëm thërrisnin: Libri, libri dhe vetëm libri! të vetëdijshëm se libri, ishte mburoja më e sigurt e ruajtjes së frymës së shenjtë të shpirtit kombëtar dhe i të gjitha vlerave kulturore historike e atdhetare. Thirrja e rilindësve tanë është aktuale sot, më shumë se kurdoherë tjetër sepse, ende na mungon libri i dëshiruar, na mungon libri cilësor i përmasës përkatëse me identitetin e qenies kombëtare, dhe të veçantisë karakteristike kulturore - historike. Kjo ndodh sepse, Libri shqip vazhdon të jetë i ballafaquar me zbrazëti të mëdha që me të drejtë e bëjnë të ndjeshme mungesën e librit cilësor.
Mirëpo, sot jemi të nderuar që jemi në këtë takim dhe që para vetes kemi monografinë e autorit Çerkin Bytyçi me titull “Primarius Doktor Daut Mustafa”, që është një botim për të cilin themi se i përket fondit të librave të veçantë dhe që e meriton epitetin e librit të dalluar.


Vlera e kësaj vepre vjen në shprehje nga mënyra e qasjes dhe forma e shkrimit, që autori e quan monografi, e të cilën lexuesi do ta përjetojë si një rrëfim artistik, roman, dramë dokumentare apo edhe si një ditar kujtimesh shumë domethënëse për jetën dhe veprën e kryepersonazhit të librit – Doktor Daut Mustafës.
Le të më lejohet të them se, kjo monografi me përmbajtjen e pasur, lexohet me një frymë dhe e mbush me ndjenja të freskëta lexuesin e të gjitha kategorive dhe moshave. Libri të rrëmben me formën e shkrimit por edhe me narracionin rrëfimtar, evokim-kujtimet që përhapen si rrathë dhe reflektojnë mesazhe të shumta, të thukta dhe emocionuese, që vijnë në shprehje përmes fakteve: detaje të shumta jetësore, të thjeshta por shumë sugjestive, domethënëse dhe kuptimplota nga këndvështrime të ndryshme. Për ata që e njohin nga afër personazhin e monografisë, ngazëllimi është i dyfishtë, nga ngrohtësia që reflekton libri dhe nga përmasa e njeriut të adhuruar, që ridimensionohet tashti si “dalje nga magjia e librit”. Kjo është madhështia e librit, që i kushtohet Doktor Daut Mustafës, së cilës autori Çerkin Bytyçi i përkushtohet me pasion dhe arrin që ta realizojë me sukses qëllimin e shkrimit të tij, që shquhet me ndjeshmërinë e çiltër dhe adhurimin krijues, që e zotëron mirë faturën monografike të personazhit përmes tiparesh më karakteristike të Daut Mustafës. Skicimin e portretit monografik autori e jep përmes shënimeve biografike, ndërsa e zgjeron përmes kujtimesh të shokëve dhe miqve, nga kujtimet e të cilëve pasqyrohet karakteri multidimensional, i doktor Dautit, - mjekut lavdiplotë e pedagogut të shquar, humanistit e patriotit të madh që brezave sot e nesër do t’u shërbejë si model i njeriut të madhërishëm, i cili me tërë fuqinë e qenies e të mendjes i ka shërbyer mbrojtjes së shëndetit të njerëzve të atdheut të tij, në kohë e rrethana tejet të vështira.
Kjo është korniza monografike brenda së cilës vendoset portreti i Doktor Daut Mustafës, me bagazhin e veprës 90-vjeçare, e cila vazhdon të reflektojë dashuri e admirim, si rrallë dikush tjetër, sepse ky personalitet i jashtëzakonshëm reflekton adhurim kulmor duke qenë një përmendore e gjallë.
Monografia e Çerkin Bytyçit i shërben namit të Doktor Dautit, por njëkohësisht na e përqendron vëmendjen të figurat e mëdha që janë nderi dhe krenaria jonë kombëtare, ku, e inkuadron edhe mjekun dhe njeriun e madh, që lashtësinë e trashëgon me flakadanin plot dritë që e mbanë lartë e me shumë dinjitet.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...