2011-07-21

Editorial nga Paul Tedeschini: Perëndimi dhe shqetësimet e ballkanasve


Lexova shkrimin “Politika rumune si “alter ego” e politikës anti-shqiptare serbe” . Simbas  mendimit tim në këtë shkrim qendrimi i Rumanisë ndaj shqiptarëve,veçanërisht ndaj Kosovës,analizohet në mënyrë të njianëshme nën kandvështrimin Perëndimor,por nuk shqyrtohen shqetësimet e vendeve ballkanike dhe arsyet e “…qendrimit zyrtar të Rumanisë ndaj shqiptarëve dhe pavarësisë së Kosovës,që në thelb është në kundërshtim me vendet kryesore të Përendimit …” . Këto arsye nuk mund të kuptohen pa pasë parasyshë  historinë e Ballkanit.
Nji nga ngjarjet historike,që ka lanë deri në ditët e sotme gjurmë dhe plagë shumë të thella në situatën e Ballkanit,asht pa dyshim pushtimi pesëshekullor i mongolëve turq-osman,të cilët,mbasi kaluen nëpër Arabi,u dynden në Ballkan,tue imponue me dhunën e shpatës mentalitetin arab. Vetëm kur turqit osmanë me 11 shtator të vitit 1683 rrethuen Vjenën,vetëm atëherë Përendimi u zgjue nga gjumi dhe i mblodhi të gjitha forcat e veta për zmbrapsjen e turqëve nga Vjena e tyne. Por amà Europa nuk u bashkue krah për krah me popujt europianë të Ballkanit për të vazhdue luftën ma tej deri në çlirimin e plotë të popujve të Sllovenisë,të Kroacisë,të Bosnje-Hercegovinës,të Malit të Zi,të Shqipnisë,të Greqisë,të Maqedonisë,të  Serbisë,të Rumanisë,të Bullgarisë dhe krahinave të tjera të Ballkanit.  Barra e madhe e rezistencës ndaj pushtuesit aziatik turk rà kështu krejtësisht mbi të gjithë popujt sllavë të Ballkanit të mbështetun nga Rusia,mbi popullin grek,si dhe mbi popullin e vogël shqiptar.
Shqiptarët janë nji popull në vedi dhe nuk  kan asnji lidhje me sllavët dhe me grekët. Tue përfitue nga kjo situatë e veshtirë vetmije të tyne,turqit mujten ta dhunonin,ta masakronin dhe ta deformonin popullin e vogël shqiptar në krahasim me qenjen e tij paraprake të kohës së Heroit Kombtar Gjergj Kastriotit. Gjatë pushtimit pesëshekullor,që nga pushtimi definitiv në vitin 1479,turqit sollën në trojet shqiptare shumë kolonë (muhaxhirë) turq e të tjerë nga vendet afro-aziatike,tue i perzì këto  me gjakun e vendasve shqiptarë (lexò “Hamdi Bushati:Familjet shkodrane me prejardhje të huej”). Shumë krenë shqiptarë per të ruejt privilegjet e veta ekonomike dhe komanduese u njisuen qysh në fillim në mentalitet dhe në botëkuptim me pushtuesin e mbrapambetun aziatik turk dhe mjerisht u banë “nji” me  pushtuesin turk tue u ba renegatë ose siç quhen sot Kuislingë,bashkëpuntorë të pushtuesit (shih studimin “Prof.  Georg Stadtmüller:Islamizimi tek shqiptarët”). Shumë nga këta renegatë shqiptarë që në fillim u banë pashallarë,vezirë dhe komandantë të ushtrisë  turke pushtuese ndaj vendeve të tjera. Kështu në vitin 1480 ushtritë turke të  komandueme nga renegati shqiptar nga Vlona veziri i madh Xhedik Ahmet  Pasha,kaluen me flotën e vet detin Adriatik dhe zbarkuen në qytetin Otranto të Italisë ku  masakruen popullsinë vendase (lexò  “Masakra e turq-osmanëve në Otranto në vitin 1480”).
Gjatë pesë shekujve të  pushtimit turk renegatët shqiptarë,pashallarë,vezirë dhe komandantë të ushtrisë turke,banë  masakra kudo që ushtria turke luftonte në Ballkan dhe jashtë tij. Kjo asht arsyeja e vërtetë,që kur Perandoria Osmane u dobësue dhe për pasojë u dobësue edhe forca e krenve renegatë shqiptarë aleatë të Turqisë,popujt e Ballkanit,gjatë luftës kundër Perandorisë turke për çlirimin  e vendeve të tyne nga robnia,banë masakra kundër shqiptarëve. Asht njilloj sikur të vijnë disa kusarë në lagjen tuej,të dhunojnë  të  gjitha shtëpitë e lagjes,dhe nji nga shtëpitë e dhunueme të bashkëpunojë me dhunusit e saj për të dhunue shtëpitë e kojshive.
Pikrisht këto renegatë shqiptarë,që gëzojshin pozita komanduese në kohen e pushtuesit turk,së bashku me pasëardhësit e muhaxhirëve,kundërshtuen në vitin 1912 shpalljen e pavarësisë së popullit shqiptar nga Turqia dhe në vazhdim. Këto mbeturina renagate dhe muhaxhire antishqiptare,sidomos në Kosovë,u banë vegla qorre të nazizmit gjerman gjatë luftës së dytë botënore. Organizimin e tyne në Kosovë si dhe në Bosnje e bani ish kapiteni i ushtrisë turke në luften parë botnore,bashkëpunëtori i ngushtë i Hitlerit me zyrë në Ministrinë e Mbrendëshme naziste në Berlin,kryemyftiu palestinez Haxhi Amin al-Hysjen,i cili krijoi divizionin famëkeq SS kosovar “Skanderbeu”,si dhe divizionin SS boshnjak “Hanxhari”. Nji mbështetje të madhe kryemyftiu palestinez Haxhi Amin al-Hysejn e gjeti tek kleri musliman kosovar dhe boshnjak (shih “Hitler’s Mufti”).
Ja se si shprehen tre intelektualë patriotë shqiptarë në lidhje me pasojat e pushtimit turk:
1- Faik bej Konica:“E thashë edhe tjatër herë:për mua,fara më e ndyrë e Shqiperisë janë muhaxhirët”. ….. Ata “Edhe bukën tonë hanë,edhe na lëshojnë….baltën e tyre përmbi mësallë! Të kishin pakë ment Shqipëtarët,nukë këmbejnë as një fjalë me këta zgjebët. Të mos ish kombi shqipëtarë një komb i poshtër e i ndyrë,i dërgojin muhaxhirët n’Anadoll,me një shkelm prapa!”
2- Mit’hat bèj Frashëri:“E urrejtur qoftë për jetë ajo administratë,e mallëkuarë qoftë ajo orë që solli këmbën e Asiatikut në Shqipëri,që na bëri të rrimë pesë shekuj më pas nga shokët. Pesë shekuj shkuan mbi neve si një hije e zezë,një gur i rëndë mbi mëndjen dhe vetëdijën tonë,një kohë errësire që ment ndryshoi në ç’do ndjenjë njerëzije,ç’do cilësi njeriu të ndershëm.”
3- Profesor Sami Repishti:“….Mbas vdekjes së Skenderbeut traktati i 1479-s në mes Venedikut dhe Sulltanit njohu pushtimin otoman të Shqiprisë. Dritarja e Botës Perëndimore iu mbyll Shqiprisë pikërisht në nji kohë kur era frymëdhanse e Renaissances (Rilindjes europiane) dhe idete fisnike të Humanizmit po krijojshin nji Europë të Rè me nji etje gargantuese (jashtëzakonisht e madhe) per njohuni të reja,për hapsina dhe nji botë të rè me nji zhvillim të lirë,të pakufizueme të shpirtit kërkues  e thellësisht njerzor. Pamvarsisht nga faktori fetar –që mbetet gjithherë nji çeshtje krejtësisht intime per çdo ndergjegje personale –okupacioni otoman ka nxjerrë Shqiperinë nga historia e kontinentit europian dhe e ka denuar atè të jetë nji krahinë e harrueme mbrenda nji perandorie të mbyllun,me kulturë të kundert nga ajo e Europës,që po rilindte në Perëndim….“.
Sot popujt e Ballkanit nuk mund të lejojnë të përsëritën të njëjtat histori. Nuk mund të lejojnë që për nji grusht shqipfolësish renegato-muhaxhirsh filoturq,filoaziatikë,islamterrorista në Shqipni dhe Kosovë,të rrezikojnë sigurinë e tyne. Këto elementa antishqiptarë,antiballkanikë,të mbeshtetun edhe nga disa drejtues të klerit musliman sidomos në Kosovë,edhe sot me paftyrsinë ma të madhe bajnë publikisht thirrje evokuese të kohës së perandorisë osmane dhe festojnë 600 e sa vjetorin e krijimit të perandorisë turke dhe të sulltanit Mehmet Fetihut-Pushtuesit. Prej gjiut të Kosovës kanë dalë sa e sa të rij,të cilët kanë krye akte terroriste edhe kundër vetë ushtrisë amerikanë,e cila i çliroi nga kthetrat gjakatare të kriminelit serb Slobodan Millosheviq. Këto akte terroriste të disa të rijve kosovarë nuk i preokupojnë aq fort amerikanët,sepse këto islam-terroristë nuk arrijnë ta cënojnë sigurinë e tyne.
Kur mbas 318 vjetëve të rrethimit te Vjenes,po me 11 shtator,por të vitit 2001,po ato forca aziatike antiperëndimore cenuen New Yorkun,amerikanët  organizuen ndërhymjen në Irak. Sot,mbas 10 vjetësh,amerikanët po tërhiqen nga Iraku dhe Afganistani. Të njejtën tërheqje mund ta bajnë neser amerikanët edhe nga Kosova. Po çka do të lanë ato mbrapa në Kosovën e pasigurtë nga islam-terrorizmi ?!? Pikërisht për këto arsye shtetet ballkanike,ndër ta edhe Rumania,të cilat për pesë shekuj rresht i kanë pasë në shpinë turqit dhe veglat e tyne,kanë plotësisht të drejtë  të merakosen për sigurinë e ardhshme të vet. Në qoftë se dikur i sëmueti i Bosforit ka qenë Turqia,sot pasardhësit e të smuetit të Bosforit janë mbrendë në gjiun e popullit shqiptar.
Prandej pa i pasë parasyshë të gjithë këto fakte historike të së kaluemes së Ballkanit,të cilat po persëriten edhe sot, nuk mund të ndërtohet e ardhmja paqësore dhe e qendrueshme e Europës Jug-lindore dhe integrimi i saj në Bashkimin Europian.
Paul Tedeschini,19.07.2011

Rizgjim shqiptar(Libri testament i Ismail Kadaresë “Mosmarrëveshja…”)


Libri testament i Ismail Kadaresë “Mosmarrëveshja…” i botuar pothuajse një vit më parë nga shtëpia botuese “Onufri” dhe që del së shpejti në një version të ri, falë mijëra kopjeve të shitura jo vetëm në viset shqiptare, ka nxitur vetvetiu një rizgjim të vetëdijes shqiptare.
Pos publikimit të tij vijuan një sërë ndodhish të mëdha dhe të vogla që trazuan ndërgjegjen shqiptare në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup dhe në kryeqendra të rëndësishme perëndimore ku jetojnë gjithashtu bashkëkombës tanë. Fill pas librit dukuria më domethënëse ishte krijimi i “Aleancës kuq e zi” që s’ka ndonjë doktrinë të sofistikuar, por që i ka rënë kryq e tërthor qyteteve tona duke finalizuar një peticion njëzetmijë firmash që kundërshton regjistrimin e popullsisë në bazë të dy neneve antikushtetuese dhe antikartave ndërkombëtare. (Peticioni pati një epilog simbolik me firmën përmbyllëse të pretendentit të fronit mbretëror, Leka Zogu I, por ajo që bie në sy në mijërat e nënshkruesve është shkrirja e të gjithë gjeneratave të popullsisë, sidomos të rinjtë dhe të rejat, përfshi edhe tre-katër besimet).
Njëherësh me këtë aleancë, herë brenda saj dhe herë në staturën e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, nën bekimin e nënkuptuar edhe të Presidenti Topi, ndërmori një kontroll në rrethet gjyqësore të disa niveleve në Korçë, Gjirokastër, Shkodër e Vlorë dhe denoncoi shifrat alarmante të tjetërsimit të kombësisë, falë një ligji të miratuar disa vjet më parë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe nga papërgjegjësia e disa gjyqtarëve dhe nëpunësve të vegjël të zyrave të gjendjes civile.
Po aq sa puna e bujshme dhe e pabujshme e kësaj aleance, një dukuri tjetër domethënëse ishte angazhimi i mediave më serioze vizive e të shkruara në këtë hapësirë me kufij në shkrirje e sipër, që rimorën ide nga eseja brilante e Kadaresë dhe nga problematika e sotme shqiptare. Në këto cikle emisionesh apo speciale të gazetave u thirrën të jepnin opinionet e tyre intelektualë, akademikë dhe historianë të spikatur. Nën këtë përgjegjësi ishte edhe një veprimtari e dy PEN Qendrave të Kosovës dhe Shqipërisë në sallën e bibliotekës së Prishtinës ku diskutimi letrar i “Mosmarrëveshjes…” u bë shtysë për trajtimin e problemit të identitetit shqiptar përballë prirjeve globalizuese të shoqërisë së sotme.
Dhe në këtë atmosferë të zgjimit shqiptar, nuk mund të mos emocionojnë lëvizja e flamurit të tifozëve në ndeshjet ndërkombëtare të përfaqësueses shqiptare, valëvitja e tij e përhershme në shtëpinë e ikonës poetike Lefter Çipa në Himarë, risku që merr diplomati i karrierës Dritan Hila, shpërndarja e flamurit në ditë feste të të rinjve të partisë çame të bashkuar dhe qindra episode të tjera kur shqiptarët shtrëngojnë radhët rreth vetes për të mos u cenuar prej askujt dhe nga askush.

Xhenc Bezhi: Ne të tre



Xhenc Bezhi
Edhe pse kemi
një dhé,
     një gur,
          një flamur;
Një qiell kemi,
     një gjuhë
          e një Zot,
lutjet
na shkojnë kot.
Kur lutemi,
kurriz për kurriz,
në tjetër gjuhë,
lutje tjetër,
e në tjetër drejtim
shkojmë,
as Zoti
në fije s’na bie
e s’di si t’na ndihmojë.

Ndue Ukaj: Identiteti i injorantit(Romani “Injoranti”i Milan Kundera-s)


 
Ndue Ukaj

Një referencë e njohur letrare, thotë se çdo tekst duhet menduar si një lloj makine dhe për këtë arsye, kërkohet të mos bëhet ndërhyrje në ventilatorët e tij, apo në funksionet e tij vepruese ((I. A. Richards). Duke qenë një lloj makine, tekstet letrare kanë shumë funksione të ndervarëshme dhe këndej pari, krijojnë mundësi të pafundme për interpretime letrare. Në këtë kontekst, sidomos proza, si zhanër specifik, është i hapur për interpretime dhe analiza infinite që lexuesin empirik e cytin drejt shqyrtimeve të shumëfishta. Duke u nisur nga kjo premisë, synoj të interpretoj romanin, “Injoranti” të autorit të mirënjohur, Milan Kundera dhe shenjat tipologjizuese të tij, në planin semantik dhe estetikë.
Ky shkrimtar, është njëri nga autorët më të mëdhenj të letërsisë çeke, një novator i shkathtë, i cili, ka influencuar dukshëm në letërsinë e përbotshme dhe ka krijuar një letërsi të admirueshme dhe të bazuar në tema universale.
Humbja e identitetit dhe sfida e kthimit 
Narracioni i këtij romani, motivohet rreth asaj që formulohet si kthimi i madh, apo rruga vështirë deri te kthimi në identitet, deri të njohja dhe rinjohja e njeriut me vetën e tij, me rrënjët e tij, me traditën e tij, me atë që e bëjnë të jetë një qenie unike, integrale dhe e shenjueme, si e tillë.
Të gjithë njerëzit, në gjitha kohët, kanë kërkuar dhe vuajtur për ta njohur vetveten dhe identitetin e tyre. Në fakt, kjo është njëra nga peripecitë më të dhimbshme, e cila, shpeshherë ka përfunduar me pasoja fatale për bashkësinë njerëzore. Nuk është e tepërt të thuhet, se shumica e problemeve me të cilat ballafaqohet shoqëria njerëzore, janë rrjedhojë e identitetit, ballafaqimit të një identiteti me një tjetër dhe krizave që shfaqën nga këto divergjenca. Pikërisht këta faktorë, bëhen esencë e këtij romani, nga konteksti narrativ i të cilit shqiptohen një sërë pyetjesh dhe dilemash, si është të emigrosh dhe si zhvillohet jeta e një emigranti? Dhe për më tepër, çka ndodh atëherë kur njeriu kërkon kthimin në identitet, tek rrënjët e tij? Kjo kahe semantike e tekstit, mund të jetë e interpretueshme dhe e shpjegueshme në shumë kontekste, ngase emigranti mund të jetë vetëm një shëmbëllim për njeriun e çfarëdoshëm, për njeriun e përhumbur dhe tuhajsuar në botën e kapitalizmit, kur shpirti, i është tretur nga zhvillimet marramendëse globale. Kjo çon deri tek pyetja e dilema e makthshme, çfarë ndodh me atë, kur ai vendos kthimin ne atdhe, thënë simbolikisht, tek rrënjët e tij? Prandaj, autori kërkon që memoria duhet ushtruar vazhdimisht që të mund të funksionoj siç duhet. Ndryshe, ndodh e kundërta, njeriu e  humb kujtesën. Humbja e kujtesës rezulton në pasoja të thella, të dhimbshme, mbase fatale. Gjithçka në këtë roman zhvillohet ne relacion me jetën e Irenës, heroinës së romanit, një jetë kjo që ka dy jetë, një të kaluar dhe një të ardhme. E, në mes qëndron ajo. Me një kujtesë të rënduar. Me një nostalgji që e çmend. Me një të kaluar që e shtang. Asaj i duhet kthimi, mirëpo nuk është e vetëdijshme për konsekuencat që i sjell një vendim i tillë. Në pavetëdijen e saj, zhvillohet drama e thellë e këtij narracioni psikologjik, ku shqiptohen pyetje e dilema të thella. Irena është një person dhe në personalen e saj qëndron një e kaluar dhe një e ardhme e errët, që përplasën furishëm. Kësisoj, jeta e saj bëhet shumë shqetësuese. Me përplot dilema dhe pasiguri. Këto dy kohë, konfrontohen ashpër në roman dhe këto dy kohë krijojnë një relacion kompleks, mes asaj çfarë ishte Irena, përpara se të lëshonte atdheun e saj dhe të emigronte në Francë, dhe për më tepër, kush u bë ajo ndër kohë, veçmas pas rënies se komunizmit, atëherë kur shoqja e afërt e saj, Silvia, e pyet habitshëm, pse je ende këtu?
Ajo ka ndryshuar, mirëpo është e pavetëdijshme për këtë ndryshim. Dhe pikërisht në pavetëdijen e saj, luhet loja narrative, të cilën Kundera e realizon nëpërmjet ndërthurjes se elementeve psikologjike që luhen në ndërdjijen e saj, ku bluan nostalgjia, malli dhe dhembja për Itakën e munguar.
Shkrimtari Milan Kundera luan në mënyrë fantastike me pavetëdijen e heroinës së tij, përpara një të ardhme që i shfaqet me shumë pikëpyetje. Duke evokuar momente të së kaluarës, autori krijon faqe të tëra interesante, që lexuesin e mbajnë në tension të vazhdueshëm dhe nxjerrin në pah momente të jetës së hershme të Irenës, sidomos marrëdhëniet me Jozefin, i cili, gjithashtu ka një histori identike të emigrimit dhe përpjekjeve për kthim në identitet.
Ndërdija letrare dhe funksionet narrative
Romani “Injoranti”, i cili qysh në titull motivueshëm e orienton lexuesin ka konteksti narrativ, bart në vete tendosjet e një heroine, brenda së cilës luhet një dramë e panjohur, drama e ndërdijes. Në këtë roman, lexuesi nuk e njeh jetën e Irenës, madje ky nuk është as synim i autorit. Ai e fut lexuesin menjëherë në kahet e pavetëdijshëm që merr jeta e saj, papritur e kujtuar. Është kjo pavetëdije, e cila bëhet pjesë e fabulës letrar të autorit dhe intencës letrare, ndërsa shëmbëllimin e gjen tek jeta e Odiseut homerian.
A është e vërtetë se Irenën e ka kapluar humbja e kujtesës? A është ky fati i keq i emigrantit? Shkrimtari nuk jep ndonjë përgjigje eksplicite, ose thënë me qartë, nuk jep asnjë përgjigje. Për ta thelluar filozofinë e tij letrare, Kundera bënë një udhëtim të gjatë në antiken e vjetër dhe atje qëndron Odiseu, i cili, si emigranti i madh dhe nostalgjiku i madh i kthimit në atdhe, e ndihmon ta zhvillojë dramën e Irenës.  Këtu, Kundera përdor si referencën letrare dhe kulturore, Odiseun, i cili bëhet prototipi filozofik në kuptimin dhe shpjegimin e fatit të heroinës së tij. Duke e shfrytëzuar këtë referencë të njohur kulturore dhe letrare dhe përpjekjet e tij të gjata, peripecitë e pafundme, në rrugën e vështirë të kthimit në atdhe, shkrimtari bënë krahasim me peripecitë për kthim të Irenës. Odiseu ishte ”aventurieri më madhe dhe nostalgjiku më i madhi i gjitha kohërave”, prandaj autori duke analizuar njëzet vitet e tij jashtë Itakës, e shpjegon kontekstin e ndryshimeve në vendin e tij dhe në botën e tij, pas këtyre viteve larg. Odiseu ka vuajtur për Itakën dhe Penelopen, por kur”është kthyer në vendin e tij, kupton se përkundër pritjes së tij, jeta e tij ka ndryshuar, interesat e tij të jetës janë tjera, në të vërtetë, ato qëndrojnë larg Itakës, në ato njëzetë vitet e tij larg saj. Dhe këtë faturë ai nuk mund ta harroi, ndryshe, përveç se të rrëfej. Ngjashëm do të ndodh me personazhen e autorit, Irenën. Çdo gjë që ndodh në jetën e saj është të tregoi dhe të shfletoi nëpër faqet e jetës së saj. Ajo nuk mund të bëjë më shumë se Odiseu.  Në të vërtetë, ashtu sikurse Odiseu, edhe Irena do të bëjë një kthim, por ajo të befasohet, sepse Itaka e saj, alias Praga e saj ka ndryshuar krejtësisht. Dhe në atë vend, nuk ka njerëz që interesohem më për historitë e saj, për të kaluarën e saj, për empiritë e saj. Kështu ajo përfundimisht e ndjen se Praga nuk është më vendlindja e saj.
Kush je ti? Nga vjen ti?  Janë këto pyetje të cilat e përcjellin atë si hija. Ashtu si Odiseu, edhe ajo s’e njohu Itakën e saj, mirëpo, aty  nuk ishte e huaj, aty ishte njëra nga ata. Nëpërmjet këtij rrëfimi, autori do të theksojë sa i rëndësishëm është identiteti personal, në një botë globale, kur njeriu lehtë depersonalizohet dhe kur mund të atakohet nga humbja e memories, si rezultat i nostalgjisë dhe mallëngjimit.  Ku qëndron identiteti i Irenës? A është në njëzetët vitet e saj në Francë?
Domethëniet letrare 
Në rrefshin e domethënieve letrare, ky roman ka një nëntekst të ngjeshur me ide letrare, ndërsa filozofia e tekstit ndërthuret esencialisht rreth peripecive për kthimi në identitet. Në rrafshin semantik, ky është një roman  për nostalgjinë e madhe, për kujtesën e tjetërsuar, për harresën dhe konsekuencat që sjellin këto në jetën e njeriut.  Prandaj, autori kërkon fuqishëm e në mënyrë eksplicite, që “kujtesa duhet ushtruar vazhdimisht që të funksionojë siç duhet”. Në këtë thënie konsiston filozofia letrare e autorit dhe rreth këtij strumbullari thuren idetë letrare në këtë roman.
Autor i shume teksteve eseistike, i njohur mbi të gjitha si romansier, Kundera ka një sens të veçantë letrar, të trajtoi subjekte letrare që ndërlidhen me vetminë njerëzore, me përhumbjen dhe tuajsimin e tij në një botë, ku ai është një Odise në kërkim të Itakës së humbur, Itakës së munguar apo Itakës së imagjinuar. Romanin ”Injoranti”  i Milan Kundera-s konstruktohet rreth temës së madhe të letërsisë, emigrimit, rrënjët e së cilës, autori i kërkon në antikën greke, në empirinë letrare e filozofike. Ky roman, është një tekst i thellë letrar, i cili, duke vënë në epiqendër të subjektit të romanit, temën e emigrimit dhe konsekuencat që sjell kjo jetë, njëherësh trajton edhe konsekuencat që sjellin në psikologjinë e njeriut nostalgjia, malli dhe ëndrrat. Është kjo një jetë e cila zhvillohet në përplasje të thella, në kontraste të thella mes ëndrrave dhe realitetit, kontraste këto që krijojnë sekuenca dramatike përgjatë rrëfimit dhe e mbajnë lexuesin pezull deri në epilogun e rrëfimit.  Autori trajton një jetë që ka mungesë identitetin, identifikimit dhe vetëpasqyrimi. Kjo është jeta e Irenës, personazhes së autorit, e cila, sikurse Odiseu, realizon kthimin e madh në vendin e origjinës, mirëpo aty sfidohet me transformimet në jetën e saj dhe të njerëzve që ajo ka njohur. Në të vërtetë, kjo temë komplekse, shtjellohet brenda veprës letrare në fjalë, me një stil të kultivuar dhe nëpërmjet një frymë universale, ku, një funksion të posaçëm intertekstual luajnë evokimet empirike e kulturore. Autori, duke qenë një shkrimtar i ditur, e mbi të gjitha një artist i rryer, ai rrëfen me një ndjeshmëri të theksuar, mirëpo duke e mbajt çdo herë nën “kontroll” estetikë emocionin dhe ndjenjën. Ai rrëfen lirshëm, por gjithmonë duke i pasuruar fabulat e tij me ngjarje dhe sekuenca të njohura nga kultura e shkrimit. Kështu, romani i tij mund të lexohet si roman i çdo kohe dhe çdo kombësi. Në këtë mënyrë, ai ka zënë vend dinjitetshëm në panteonin e vlerave të përbotshme.
Influenca tekstuale 
Romani “Injoranti” është një rrëfim thellësisht tronditës, i cili në epiqendër të vëmendjes ka problemin me jetën e njeriut dhe identitetin e tij dhe shquhet për një tekstualitet dinamik, ku fuqia e rrëfimit është e ndërlidhur me gjetjen e elementeve atraktive letrare, që lexuesit i japin një kënaqësi estetike dhe një kënaqësi intelektuale. Teksti letrar i autorit, krijon lidhshmëri funksionale me njeriun dhe e cyt drejt përsiatjeve të thella, sepse teksti i tij letrar, është një arenë e pafundme e dilemave të mëdha njerëzore. Autori krijon një letërsi të bazuar te dashuria, te nderi, te dhembshuria, krenaria, mëshira, sakrifica, të vuajta, te dramat dhe sfilitjet njerëzore. Janë këto tipare që enden në këtë prozë, sidomos nëpërmjet personazhit kryesor, Irenës dhe drithërimave të saj shpirtërore, brenda një sfilitje të brendshme me përplot tendosje dramatike. Këtë raport interletrar, autori e pranon si një domosdo për ta sforcuar substancën e romanit dhe intencën e tij. Autori, kështu e pranon influencën eksplicite, duke bërë paralelizma dhe shpjegime për Odiseun dhe rrugëtimet e tij, një kontekst ky që i jep romanit karakter polisemantik. Kësisoj, teksti i Kundera-s takon dhe komunikon me botën e madhe të letërsisë, prej së cilës, merr sekuenca të rëndësishme narrative, të cilat, si autorë i shkathtë, di t’ i vë në funksion të intencës së tij letrare. Në këtë tekst letrar, kemi përplot referenca letrare që shfaqin hapur karakterin dhe dimensionin intertesktual të kësaj proze. Në këtë vepër letrare, kemi motive të veçanta dhe figura letrare që shfaqin tiparet e një proze që njeh dhe pranon influencën, ndërsa në eksperiencën e lexuesit parakonceptojnë dimensionet semantike të tekstit. Autori e njeh dhe pranon vetëdijshëm influencën nga letërsia antike dhe rrëfimi për Odiseun, me të cilin e krahason personazhen e tij, Irenën.
Milan Kundera është një autori i thellë, me një përvojë të konsoliduar në botën e letërsisë, i cili shquhet për aftësi kreative, sidomos në aftësinë për t’i zotëruar në plotëni rrëfimet  e tij, në të cilën, ai luan rolin e gjithëpushtetshëm, të një narratori që e end lexuesin nëpër labirnthe të çuditshme e të papritura. Te vepra e Kunderës, asgjë nuk i shpëton rastësisë. Në prozën e tij, deri në detaje, përshkrimet dhe sekuencat vihen në funksion të ideve letrar edhe mesazheve që përcjell teksti. Ai, ndërton romane të mëdha, me sekuenca dhe ngjarje të vogla, të cilat i ndërthur funksionalisht. Është me rëndësi të përmendim faktin se prozën e Kundera-s, e karakterizon një intelektualizëm i hollë, i cili, nuk e rëndon asnjëherë tekstin letrare, por e pasuron, sidomos në ndërfutjen e teksteve letrare që shprehin ambiguitete letrare dhe kulturore.
Përfundim
Romani “Injoranti” është një rrëfim plot gjallëri, një rrëfim emocionues, i cili, trajton jetën e emigrantit, asaj qeni që çdo natë ëndërron të njëjtën ëndërr, ëndrrën e kthimit. Për ta sforcuar tematikën e romanit, siç pamë, autori mjeshtërisht e funksionalizon Odiseun dhe peripecitë e tij. Në këtë roman, Odiseu nuk është vetëm një figurë që shpjegon kontekstin e jetës dhe veprimeve të Irenës. Për më tepër, ai është një figurë e motivueshme letrare. Kështu që Itaka ka shumë më tepër kuptim se shenja historike. Ajo është një shënjues i intencës së autorit, i cili, bënë një udhëtim të gjatë e tragjik, nëpër labirintet e jetës se emigrantit. Në këtë mënyrë, Itaka bëhet determinues për jetën e Irenës, nga e cila del intenca filozofike dhe letrare e autorit.
Çka ndodh kur një emigrant ëndërron çdo natë të njëjtën ëndërr, ëndrrën e madhe të kthimit. Kjo është dilema më e madhe e cila e trondit heroinën e romanit. Mirëpo kjo pyetje shumë komplekse, sjell një pyetje dhe dilemë edhe më të madhe, çfarë ndodh kur emigranti e ndjek ëndrrën e tij dhe bënë kthimin e madhe në atdhe. Duke analizuar këtë rrëfim dhe çdo që ndodh në jetën e brendshme të Irenës, pas një shkëputje prej njëzetë vite jashtë atdheut, Kundera e shëtit lexuesin nëpër kohë, ndërkaq nëpërmjet përshkrimeve dhe depërtimeve në psikologjinë e saj, autori i jep romanit karakter të tejkohshëm.
Ky roman përshkruan me ndjenja të thella dhe nëpërmjet një stili brilant, çka ndodh kur një emigrant harron atdheun e tij, çfarë ndodh me emigrantin pas një jetë të gjatë jashtë vendit të tij, pas një jetë të gjatë pa kujtesë?
Milan Kundera është njëri nga autorët më të mirë europian, i cili vetë ka përjetuar emigrimin, pas invazionit rus në vendlindjen e tij, Çeki në vitin 1968. Pikërisht nga ky fakt ai është motivuar me këto tema karakteristike të romaneve të tij që trajtojnë vetminë, humbjen e memories, nostalgjinë, tema që shfaqen në variante të ndryshme në një pjesë të konsiderueshme të krijimtarisë së tij.
Proza e Milan Kunderës trajton njeriun, vuajtjet e tij, nostalgjinë e tij dhe dashurinë e tij. Në prozën e tij, Kundera krijon një rrafsh universal të ideve për këto çështje kaq të thella të njeriut të gjitha kohërave dhe çdo vendi. Njeriu që nuk është në gjendje të kultivoj vazhdimisht kujtesën, memorien, do të atakohet nga harresa. Kjo është porosia letrare e një romani të madh, siç është Injoranti, një roman që lexohet me një frymë

Cikël poetik nga Gjon Neçaj


 

1.ÇBURRËRIM I VONË

Termopile në jetën me standarte absurde,
Miklojmë vitet e sotme moderne;
Ne,bijtë e Jezusit të murosur në kryq
Tash  dymijë vjet.

Edhe sa mijëvjeçarë
Na duhen për t’u çburrëruar.


2.MORFOLOGJIA E FJALËS…

Ngarendje përditë n’vitrinat ndjesore,
Prej antikitetit deri në palcën e gurit;
Gjymtyrët kockorë të endjeve rrugëtare,
vallëzojnë trishtueshëm në token e nemun…
Ndërsa morfologjia e fjalës mat kutin galaktik,
Në rrugët e fjetura të vendlindjes sime…
Mbaruan fjalët,
e tashmë flasin vetëm egërsirat…


3.SINUS

Nuk është ndonjë formulë shkencore,
As prirje për të vazhduar studimet im bir;
Me sinuse ka rrjedhur shekujve galaktika e jetës,
Derisa një ditë u zhduk shkrimi hënor…


4.POTPURI DHE LËMSHI I MACEVE


Dikur motit macet ishin zonjat e shtëpisë,
Plakat tallaziteshin n’prushin e zjarrit vjeshtor;
Duke rikujtuar se prekja me lëmsh e kokës së maceve,
qetësojnë  mendjen e tyre të trazuar,
Për t’u larguar nga punët e shumta në kullat çatibrejtur.
Vetën kur ndihej potpuria e minjve në trarët e moçëm,
Macet kërkonin lëmshin e plakave…
Sot ndodh fenomeni i dyzimit.

KUR ZOTI KRIJOI NJERIUN


Mbasi Zoti krijoi Tokën dhe Qiellin; lumej, liqej dhe dete; kafshë dhe bimë, ma në fund iu përkushtue krijimit të Njeriut. Këto të mira që krijova, nuk më duhen mue, tha me vete, prandaj tashti duhet të krijoj edhe zotnuesin e tyne, që të kujdeset për to, ashtu edhe t’i gëzojë ato.
Me këte ide, dhe tue shpresue në fuqinë e tij të mrekullisë krijuese, iu ças sendertimit të Njeriut. I sprovuem me krijimin e gjanave modeste, si pjella të mundimit të përnjëhershëm, për të cilat nuk kishte ma pse të kthente kokën, kësaj herë përvoja dhe besimi i tepruem e kishin mashtrue. Qenja që ende ishte vetëm një ide, qysh aty nguli kambë ta kushtëzonte Krijuesin e saj, tue kërkue një varg parakushtesh si: ndjesi të gjithëfarëshme, gjuhë të veçantë, emën të veçantë, pasuni, dashuni, grue, fëmijë, dorë të lirë, tradita, virtyte, vese dhe shumë e shumë kushte të tjera. Për disa prej tyne as Zoti vetë nuk kishte dëgjue, jo ma t’i kishte përjetue. Mirëpo krijesa-ide pat pafytyrësinë të ishte edhe provokuese, tue iu drejtue Krijuesit: Ç’t’u shkrep kot të më krijosh, nëse nuk je i zoti të më plotësosh ato që të kërkova? Krijuesi, i prekun në sedër dhe gati i frikësuem për ato që po i kërkonte parapraksiht krijesa e tij, i tha: Gëzo dashuninë time dhe jeta do të të falë gjithçka dëshiron!
Të nesërmen e kësaj bisede Zoti shpërvoli mangët dhe nisi punën për t`ba kryeveprën e tij, Njeriun.
Që në çastet e para, ma saktësisht, qysh me njeriun e dytë, iu shfaq problemi i pamjes, mbasi qenja e dytë njerëzore po vinte e ndryshme prej të parës. Edhe prova tjetër rezultoi krejt e ndryshme. Ndryshimi ishte edhe ma i madh në mes krijesave të një ditë me krijesat e ditës tjetër.
Nga të gjitha kërkesat që ata i parashtronin, ende pa ardhë në këte botë, vetëm një Zoti kambënguli të mos e pranonte: dhanjen e një gjuhe për sejcilin, prandaj vendosi t`u jepte gjuhë të njëjtë të gjitha krijesave të një dite. Mbasi edhe pamja ishte ma e përafërt dhe falë gjuhës, ata filluan lidhjet e ndërsjellta dhe ndjenin afrì në mes tyne, tue i thanë edhe vëlla njeni tjetrit. E kundërta po ndodhte në marëdhanjet me të tjerët.
Sendertimi i njeriut vazhdoi 365 ditë dhe ditën kur Zoti kishte mbarue veprën e tij, mbasi fshani njëherë thellë, ashtu i gëzuem, tha: I lumtun jam që bana këte krijesë, por edhe ma i lumtun jam që përfundova këte punë të stërmundimëshme: kurrë ma parë, gjatë krijimit të sendeve, nuk ishte lodhë ashtu.
Por mundi për sendertimin e kësaj krijese ishte një pikë ujë në detin e mundimeve të pa fundme, që e prisnin Krijuesin në bashkëjetesën me krijesën e tij, tue shtrue gjithësecili edhe me dhjetëra kërkesa të tjera ditë për ditë, e sidomos iu desht të duronte sa e sa veprime të liga të krijesës së tij, tue harrue kështu vetë Krijuesin.
Qysh të nesërmen e ditës që kishte përfundue kryeveprën Njeri, Zoti vendosi t’u përkushtohej edhe plotësimit të një dëshire të secilit, në mënyrë që e ardhmja e kësaj qënje të mos varej vetëm nga dhuntitë e Zotit, por edhe nga mençuria e përzgjedhjes së dëshirës së fundit.
Porsa Zoti sqaroi për mundësinë dhe randësinë e zgjedhjes, i pari që ngriti dorën ishte sllavi. Urdhno, i tha Zoti, cila asht dëshira jote që kërkon të ta plotësoj unë? Sllavi, pa u mendue gjatë, ia ktheu: Unë due të më japish gjysmën e rruzullit tokësor. Jo, i tha Zoti, asht shumë! Të jap një të katërten e tij. Dhe ashtu u ba. Koprracia e Zotit nuk i kënaqi, prandaj ata vazhdojnë të andërrojnë edhe një të katërten tjetër.
U erdhi radha për të zgjedhë kinezët. Ata, të ndërgjegjëshëm për pretendimet ruse, thanë: Na duem të ndërtojmë një mur të madh, prandaj kemi nevojë për shumë argatë. Dhe zoti ua përmbushi dëshirën. Mbas tyne në përzgjedhje u erdhi radha indianëve. Këta i thanë Zotit: Na duem vetëm vorfni dhe asgja tjetër (nuk e thanë, por edhe këta në kokë kishin atë vizionin kinez të mbrojtjes nga fqinjët, tue kujtue vorfninë për armën ma të mirë mbrojtëse). Si kështu, u tha Zoti, vorfnia asht mjerim, asht vetë gjysma e vdekjes? Kaq duem na, ia kthyen ata. Si ua miratoj dëshirën, Zoti, i prekun për fatin e tyre, i luti të shpreheshin edhe për një dëshirë tjetër. Herën e dytë ata i thanë Zotit: Na jap një shkallë të madhe, që të ngjitemi tek ti, sa herë të duem t`ju nderojmë. E Zoti u dhuroi Himalajet.
Mbas tyne ishte radha për të shprehë shkrumbin e zemres arabët: Ata, thanë, na duem vetëm shkretëtinë, dhe Zoti, plot bujari, u dhuroi të gjitha shkretëtinat që kishte sendertue ma parë në tokë.
Eskimezët lypen akull të pafund dhe, në mundësinë e dytë për të zgjedhë, kërkuan edhe qenë.
Francezët, kërkuen kulturë. Zviceranët thanë, na duem të marrim nën kujdes pasunitë e botës. Kur Zoti i pyeti për garancitë që mund të jepnin, ata, të gjithë njëzani, u betuen për ujënat e vendit të tyne .
Ma në fund radha u erdhi edhe stërgjyshëve tanë, Ilirëve. Na, i thanë ata Zotit, duem përçamje. I befasuem që si kërkesën ma të shtrenjte lypen përçamjen, Zoti u tha: A e dini se kjo asht dëshirë e kobshme? Ata iu përgjegjën: Pikërisht këtë kërkojmë edhe na. E doni ta keni të përkohëshme, apo si e doni, i pyeti Zoti përsëri. Jo jo, thanë ata me një gojë, përçamjen duem ta kemi në gjak, se po ta kërkojmë aq shpesh sa do të kemi nevojë, mund të ndodhë që ti mërzitesh dhe nuk na përgjigjesh.
Zoti, me keqardhje të thellë për këte kërkesë rrënimtare, nxitoi t’u drejtohej për një kërkesë të dytë, me shpresë që të zbuste sadopak damin e së parës. Ata, përsëri të gjithë njëzani, iu drejtuen me nxitim: Duem urrejtje!
Zoti shtangu dhe i shikoi me dhimbje. Këta do të vuejnë kalvarin tim në jetë të jetëve, tha me vete, i shtërnguem t’ua plotësonte dëshirën siç u kishte premtue.

Nga: Çlirim Uça

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...