2011-08-30

Nga Kujtim Dashi : Plasa e derës


Me një copë letër në dorë, të cilën ua zgjaste pa teklif kalimtarëve që i ndeshte dhe denjonin t’i ndaleshin për t’i hedhur një sy adresës dhe iu lutej atyre ta ndihmonin, për ta orientuar, më në fund, mbërriti poshtë pallatit pesëkatësh në qendër të kryeqytetit. Të gjithë ato që e begenisën dhe iu ndaluan për ta lexuar adresën, i kishin thënë afërsisht të njëjtën gjë “Në rast se adresën e ke të saktë, vëllai, zotëri, duhet të banojë në njërin prej apartamenteve të shumtë të këtij pallati të madh“. Ishte koha epidemike e  “humbjeve të përditshme”. Televizioni shtetëror, në fund të çdo edicioni lajmesh, thuajse çdo ditë, jepte njoftime se “ka humbur ky apo ajo” duke fokusuar fotot e tyre. Dhe, në fund të njoftimit thuhej se është me të meta mendore, vuan nga skleroza etj. Njerëzit fatmirësisht kishin ndjeshmëri të lartë për të ndihmuar si humbësit e radhës, po edhe kërkuesit e tyre të pakujdeshëm që i kishin lënë të afërmit e tyre të dilnin në rrugë të madhe. Qe lodhur paq. Këpucët, nëse mund t’i quaje ende kështu ato gjysma këpucësh, si t’ia kishin ngrënë qentë e shumtë të rrugës, i tërhiqte zvarrë. Po ta ndeshte pikërisht në atë çast të vëllanë që po kërkonte qyshse kishte zbritur nga treni, ta shihte me ato këpucë, me ato rroba të vjetra, si të ishte veshur turravrap në ndonjë cep pallati nga firma e njohur “Gabi“, ai ironik si përherë, do t’i drejtohej, duke ia dekonspiruar planin e asaj dite “Xhejms sot paske veshur rekuizitën e lypjes! Paske dalë për kismet! Fat të mbarë!“
Në të vërtetë atë e quanin Xhemal, po prej kohësh që s’mbahej mend, emri i tij qe oksidentuar, ndoshta, nga vetë i vëllai që po kërkonte, një snob i hershëm, dhe, i tërë qyteti i vogël, kështu e thërriste, Xhejmsi. Kështu si jam katandisur, të më zinte rruga në ndonjë parcelë të mbjellë dhe, po të hapja krahët, do ta bëja shumë mirë dordolecin,-mendoi e nënqeshi djallëzisht, pasi plani deri në atë çast i kishte shkuar mbarë. Po unë s’kam kapele,-tha me vete,-pasi e mikloi dhe ia nxiti fantazinë ideja se mund të bënte dordolecin. U kujtua se edhe këtë defekt, po ta lypte puna, do ta ndreqte atypëraty. Nga xhepi nxori një shuk me gazeta të ditës. Ato ia kishte falur një bashkudhëtar teksa zbrisnin me të nga treni dhe bënë një copë rrugë bashkë nëpër peronin e gjatë, thuajse të shkretë. Sa t’i hedh në kosh të plehrave, më mirë po t’i fal ty, Xhejmsi. Shihi mirë se ke edhe tët vëlla në një foto të madhe sa të një anëtari të byrosë politike, duke ligjëruar në parlament!
Xhejmsi e ndieu se dhuruesi i atij shuku me gazeta s’ia kishte fare me të keq, ndonëse i la një shije jo të mirë përtallja e tjetrit. Interesant, s’ma duan më Jetmirin si më parë!-tha me vete i trishtuar. Me këtë mënyrë të foluri ai qe mësuar tashmë. Dikush kësaj mënyre të foluri i thoshte “qit e prit“, po Xhejmsit, sidoqoftë, kjo i pëlqente. Kështu mund të përzihej e të zinte një vend mes njerëzve. Ajo e barazinte disi me të tjerët dhe kësisoj zbehej deri në shpërfillje ceni i sëmundjes së hershme që e kishte lënë gang nga fëmijëria dhe ceni tjetër, siç ia kishte vënë vetë emrin. Ceni tjetër e kishte shtrënguar të punonte në…stacionin e fundit.
Ishin të paktë ata që mund ta deshifronin menjëherë këtë veshje të figurshme profesionale, domethënë se çdo të thoshte të punoje në …stacionin e fundit. Natyrisht që s’kishte të bënte as me rrugë automobilistike, as me stacione hekurudhore e termale. Xhejmsit i kishte rënë për hise, të pastronte kanalet dhe pusetat e ujërave të zeza të qytetit. Mirëpo, ndryshe nga më parë, në dekadën e fundit ishte bërë shumë më i njohur dhe më i kërkuar nga të gjithë. Nuk e kërkonin më Dustin Hofmanin,  siç kishin zënë ta thërrisnin të rinjtë e qytetit, kur panë për herë të parë “Njeriun e shiut” të qytetit të tyre, për ta pyetur e ia vënë në provë kujtesën e tij fenomenale, si dikur në fëmijërinë e rininë e hershme  të tij se kush është, bie fjala, presidenti i Pakistanit, sekretari i parë i partisë në Gjirokastër, Gramsh apo në Hungari…Mjaft nga kolegët e tij e kishin braktisur këtë “punë të ndyer“ dhe i qenë turrur firmave private të ndërtimit, në të cilat, natyrisht, fitonin më shumë dhe kishin shpëtuar njëherë e mirë prej damkës së ”stacionit të fundit”. Pastaj rrjeti i kanaleve të ujërave të zeza qe amortizuar tejet dhe fondet për t’i ndrequr silleshin me pikatore. Një arsye tjetër që kërkohej gjithandej Xhejmsi ishte se, për shkak të ndërhyrjeve të shumta dhe vend e pa vend nga ndërtimet e paligjshme, thuajse çdo ditë  bllokoheshin dhe shpërthenin kanalet dhe pusetat e ujërave të zeza. Të gjithë fajtorë e të pafajshëm ankoheshin për njëri-tjetrin për këtë kaos, që ortekohej dita-ditës, duke i dhënë sekush nga një dorë për ta rrënuar më tej. Dy urgjenca ka në qytet,-qahej Xhejmsi, me shpresë se ndokush do t’i vinte vesh,-spitali dhe unë. Ndërsa spitali ka plot makina, mjekë e infermierë të panumërt, ilaçe e çka po don ti, unë i ziu kam mbetur vetëm me këtë tel të gjatë dhe këtë lopatë. Këto janë pajisjet e urgjencës së Xhejmsit tuaj që e kërkoni me drita të ndezura nga mëngjesi deri në darkë! Kështu ishte shprehur i zemëruar një natë në njërin prej kanaleve televizive të qytetit.
Stacionin e fundit, si një mallkim, askush më shumë se e shoqja s’ia përmendte. Sidomos kur shpërblimin për punën e vështirë e, kohë pa kohë që bënte, bashkëqytetarët bujarisht ia jepnin ose e gënjenin, sipas saj, “në natyrë“, domethënë ia dizenfektonin fytin me ndonjë gotë raki a birrë dhe i vinin përpara ndonjë pjatë me meze. Është e vështirë të të duan në një qytet të gjithë, po këtë privilegj, si pak kush, e gëzonte njeriu i pa të keq, Xhejmsi.
“Po ç’ke, moj, që të lënça Zotin që s’më lë të qetë njëherë në hallet e mia. Tërë ditën e ditës në stacionin e fundit, duke pastruar e thithur erë gjirizesh dhe nuk paskam të drejtë që të pikam një gotë raki, qoftë edhe për ta dizinfektuar fytin?! “
“Pi, pi ti, po shiko si kemi mbetur drangull në shtëpi! Fëmijët janë duke u rritur, a kështu me i lanë?! Ti në stacionin e fundit dhe unë gati njëlloj si ti, duke u larë bythën përditë kalamanjve të çerdhes dhe fëmijët tanë në stacionin e fundit të fukarallëkut do të mbesin!? Tani, të paktën, çalltis që ke edhe tët vëlla deputet!” “Pash nderin, pse flet qesim?! E, çfarë ka me më ba mua vëllai deputet? A me më marrë në Tiranë? Sa ka në Tiranë si unë?! Apo me ma kthye telin e gjatë në laps e kompjuter e me më fut në ndonjë ministri, a? Flet si me punue ti në stacion të fundit tërë ditën e jo unë!?”
“Mundesh, me ba ndonjë gjë ti, mundesh, po nuk do, e di unë. Edhe në stacion të fundit edhe hundën përpjetë! Mos m’u nevrikos, s’ke përse shfryn e bërtet se e di unë se çfarë heq duke t’i larë rrobat tuaja përditë. Pesëmbëdhjetë familje jemi në pallatin tonë dhe, vetëm unë e gjora jam pa lavatriçe. Tërë ditën në “studio“ me ujë e sapun.  Mos qesh se je i vetmi me trillu fjalë!Tamam si yt vëlla, ai i Tiranës! Banjos shkon e m’i thotë burri studio, me të thënë mendja se jam piktore a ndonjë këngëtare e famshme! S’po të thotë kush që të fillosh punë në ministri, po do rroba, ndonjë palë këpucë a diçka tjetër mund të t’i japë yt vëlla, deputeti. Shih si je bërë, o i gjorë?! Pa lë të shkojmë për ndonjë vizitë, unë nuk e di se çfarë të nxjerrë të veshësh? Ti nuk di gjë se tërë ditën e ditës je në punë, nga njëri kanal te tjetra pusetë e bllokuar, po më thonë përditë që Jetmiri paska marrë një shtëpi të re, mu në qendër të kryeqytetit. Veç ai, gruaja dhe vajza, thonë se janë shqiptarë në atë shtëpi. Të tëra i ka të huaja: me tesha, me mobilje, me lugë e pirunj. S’po të kërkoj ndonjë gjë të madhe, të paktën, ata që i ka ndërruar të na i falë e mos t’i hedhë në rrugë të madhe. Këtu e kam llafin, Xhejmsi!-i thoshte e shoqja, me një ton më të zbutur, për të mos ia çuar “kacabunjtë” të shoqit. Aq shpesh ia këndonte këtë refren saqë një ditë Xhejmsi, i la mbarë punët që të mos ia zinin në fyt vajtjen në Tiranë dhe vendosi t’ia plotësonte dëshirën së shoqes. Do të bënte edhe një provë tjetër. Nga e para kishin kaluar disa vjet, kur ishte martuar Jetmiri dhe Xhejmsi, i vetmi nga tërë vëllezërit e motrat, qe ndarë prej tyre e s’e patën thirrur në kryeqytet, ku qe bërë banketi. Gradat deri në fund të këmbëve t’ia vënë, unë s’i shkel më në shtëpi Jetmirit!-qe betuar Xhejmsi. Dhe, ai e kish mbajtur fjalën si burrat.
S’i binte ndërmend se qyshkur kishte qenë për herë të fundit në kryeqytet. Me adresën e të vëllait në një copë letër si të ishte shkruar mbi të sinjali S.0.S, arriti, siç tregova deri në këtë çast, të gjente pallatin e të vëllait. I gëzuar dhe i qetë se s’do t’i duhej më të bridhte nëpër Tiranë, në atë mesditë fillimpranvere, u ul të çlodhej në një bordurë përballë pallatit. Një hop i vuri duart si hinkë dhe u mat t’i thërriste të vëllait që nga poshtë, po u pendua shpejt. A thua do të më dëgjojë? Ai e ka qejf muzikën e, ndoshta s’më dëgjon. Kushedi s’ka ardhur akoma nga puna a nga parlamenti. Fundja, edhe nuk shkon me i fol deputetit në mes të rrugës si me qenë në pyll apo si me i fol Gjikës, shokut tim, që e mbaj kudo nga pas të shkretin për të fituar ndonjë lekë “Luaje more, shejtan, luaje fort telin se na zuri nata te puseta!” Mëdyshjet ia prishën mendjen dhe e ngritën vrik nga bordura. U ngrit edhe se  nuk mund të duronte më gjatë një erë të qelbur që vinte nga diku rreth tij, me siguri, nga  ndonjë pusetë e shpërthyer. Hyri nën një si urë, e cila dukej se lidhte dy pallatet njërin me tjetrin. Qenkan si tren i gjatë këto pallate,-tha me vete, pasi s’arriti t’i kapte as fillimin dhe as fundin e pallateve të lidhura me njëri-tjetrin. Po adresën tanimë, mendonte, se e kishte të saktë. U çapit deri në katin e tretë. Ndieu një lehtësim të madh sikur të kishte bërë ndonjë zbulim, kur pa emrin e të vëllait të shkruar mbi një pllakë metalike, të vogël e të ndritshme dhe harroi gjithçka, edhe betimin për të mos i shkelur më në shtëpi, i cili qe lëkundur përgjersa qe shtrënguar të  merrte atë rrugë të gjatë, megjithëse orë e çast i dilte përpara. I ra ziles. Priti disa çaste me zemër të ngrirë. Ndieu një si frikë, kur pa se porta e kafenjtë dhe me shkëlqim kishte edhe një dorezë metalike, në brendësi të cilës sikur qe fshehur syri magjik. Nuk i thoshte sy magjik, po  spiunsyu. I ra sërish ziles. Në këtë përsëdytje ishte më i sigurt se në apartamentin e të vëllait kishte njerëz e dikush do t’I vinte vesh. Dhe, ndërkohë që, nga brenda mëdyshjet kishin nisur “T’ia hapim apo mos t’ia hapim derën?“ Xhejmsi vendosi që aty do ta kalonte tërë ditën, derisa ajo portë të hapej dhe në të të shfaqej vëllai deputet.
Befas porta u hap pakëz, sa një plasë, me sa duket, në kohën kur atyre që ishin brenda, u ishte sosur durimi nga xërxëri i pandërprerë i ziles elektrike. Në portë Xhejmsin e priti kunata. Me trupin e saj ende të hajthshëm e kishte zënë portën dhe as e ftonte të hynte brenda, po as ishte ajo që e largonte. Xhejmsi kishte shtangur. Iu duk se po i bënin një nder duke hapur ngadalë e fare pak portën për të mos e çmeritur menjëherë për atë çfarë po i shihnin sytë. U ngrit në majë të gishtrinjve për ta parë e shijuar me mirë përrallën që iu shpalos para syve, po që kunata s’po ia linte ta shihte mirë tej e tej. I vëllai kishte qenë ndër të parët në anën e atyre që thoshnin se “Nuk çahej Blloku”, po kish pa rënë kokë e këmbë shumë shpejt brenda tij. Qe bërë Bllokist! Në brendësi të një dhome që s’arriti ta kuptonte nëse ishte dhoma e pritjes a kuzhina, që mund të shërbente edhe si dhomë pritjeje, Xhejmsi dalloi qartë të vëllanë dhe një tjetër, i cili iu duk fytyrë e parë shpesh herë në TV “pritje-përcjellje delegacionesh”, siç i thoshin me humor televizorit shtetëror.
- O Jetmiri…o Miri!-thërriti sa i gëzuar dhe i hutuar.
-Shëëët, Xhejmsi,-e qortoi kunata duke i vënë vrikthi dorën para gojës së tij, si të kishte harruar atë çast çdo fjalë mirëseardhjeje të shqipes dhe, pa e hequr këmbkën nga pasporta e rëndë e gjithë shkëlqim llakues, tha me një ton qortues të papritur: “Nuk e sheh se po punon me ministrin, zotin…?!
- O Jetmir, o Miri!-thërriti akoma më fort pa ia vënë veshin këshillës së kunatës si për inat të kësaj pritjeje të ftohtë e fyese. Ajo dukej e kishte vendosur që të mos e lejonte të hynte brenda. Edhe të vdekurin do ta çonte nga varri kjo thirrje dëshpëruese.-Jam Xhejmsi, more Xhejmsi, yt vëlla, ai…i stacionit të fundit. Ç’është kjo grua, bre, kunata ime, oficere e ndërhyrjes së shpejtë a bodyguardja jote?!
- Xhejmsi, të lutem, mos bërtit, të thashë pra, që po punon me zotin ministër…Po i përgatit, domethënë, po ia shkruan nga e para diskutimin për parlament…Seanca plenare është pasdite dhe ai i ka punët keq, thotë Miri,- nisi t’i shpjegojë me hollësi kunata, e cila s’e kishte shtyrë as dhe një centimetër më tej portën. Në atë plasë dere as mund të hynte e as të dilte ndokush.
Jetmiri la në vetmi për disa çaste ministrin dhe shkoi të takonte të vëllanë te dera, aty ku e kishte ngujuar e shoqja. Ajo vendosmërisht gjallë s’e linte të bënte as dhe një çap përpara. Në fytyrën e tij ishte endur një bezdisje shqetësuese. I ziu Xhejms pandehu se i përkiste e tërë bezdisja vetëm atij!
- Ç’kemi?-iu drejtua Xhejmsit dhe i zgjati dorën, e cila u nder si një dru i tharë në mes tij dhe supit të brishtë të kunatës që s’e linte të hynte kurrësesi brenda.
- Keq, si mos më keq…-shfreu Xhejmsi.-Shih si jam bërë!…
- Paske veshur petkat e lypjes, ë?-ia bëri atypëraty deputetvëllai si të ishte mësuar me këtë marifet të tijin dhe nënqeshi sikur do t’i thoshte “Mua do të ma hedhësh ti?!”.
Xhejmsi vuri buzën në gaz. E dija, për nder, se kështu do të më thoshte Miri! E dija për sy të ballit! Eshtë i zgjuar, edhe ironik, mendoi si njeriu të cilit ia bëjnë të pavlefshme stërmundimin e planin për të fituar ndonjë gjë në rrugë të tërthortë.
- Për besë jam shumë i zënë. Më ke ardhur në një kohë, kur shiko vetë, jam i mbytur deri në fyt…Do ta ndihmoj ministrin, zotin…Kështu janë këto punë, e di vetë ti, unë atë sot, nesër ai mua,-tha dhe i shkeli syrin gjithë nënkuptime. Miri ishte shllikur keq. Nga fytyra shllikja i zbriste në qafë, e cila kishte zënë t’i trashej e vazhdonte në gjoksin e zbuluar, ndoshta nga zagushia. S’e kishte më atë zeshkëtësinë e mëparshme dhe, me sa duket,  nga ky shkak, i dilnin më në pah gotat me uiski që dukej se kishte rrëkëllyer me ministrin. Xhejmsi u mat disa herë të lëshonte ndonjë sharje nga ata që përdornin rëndom në stacionin e fundit, por për dreq, tamam në atë çast iu kujtua refreni i së shoqes, pasi të soste në shtëpi dhe u tërhoq, gëlltiti gjithçka. “Ji më praktik. Ule, ule ca hundën, se i stacionit të fundit je!-do t’i këndonte refrenin sat ë hynte brenda në shtëpi. Ja, dhe prova e dytë,-tha me vete i pikëlluar thellë. Vetëm medet nuk tha. Të paktën të mos ndahej krejt pa gjë, pas atij udhëtimi të mundimshëm, pas atij kalvari për t’ia mësuar shtëpinë e re përrallë deputetvëllait. I kishte mbetur në mendje dhe u bë merak vërtet se vëlladeputeti ishte shllikur në fytyrë, sikur t’i kishin hequr ca dacka të mira para se të mbërrinte ai. Po ndoshta e ka nga pija,-tha me vete,-pasi kishte dalluar shishet e pijeve mbi tryezën e dhomës a të kuzhinës, që mund të shërbente edhe si kuzhinë. Edhe kur ishte pa vajtur në Tiranë, kështu bënte Jetmiri. Vetëm tabela i mungon tani për tani shtëpisë time. Jam “agjensia e pranimit dhe e përpilimit të diskutimeve të shefave, të krijimit të hartimeve për fëmijët e shefave”-solli ndërmend Xhejmsi, një thënie të tij. Ai s’merrte vesh nga modifikimet që iu bëheshin apartamenteve, por e dinte se i vëllai kishte tri dhoma e një kuzhinë. Ministri, të cilit s’i shqitej kurrë nga fytyra një shprehje e përhershme përvujtnie që thuhej se kjo nuk i vinte nga punët e mëdha e të vështira të dikasterit që drejtonte se sa të një sëmundje të vjetër e të parrëfyeshme, qe shtrirë në kanape dhe dukej sikur e kishte zënë gjumi. Madje Xhejmsit kështu i qe fiksuar  në kujtesë më shumë si i përgjumshëm se sa i përvujtun.
- Shih si jam bërë…-përsëdyti Xhejmsi dhe u mundua ta shtynte ca derën për ta parë të gjithin.                                                                           – Jepi dy-tre palë këpucë! Jepi edhe atë kostumin që s’e veshi më! Ta provojnë edhe atë grinë që solla nga Arabia Saudite herën e fundit. Jam shëndoshur shumë e s’më bie më dreqi! Po e deshi, le ta marrë edhe atë që kam pasur, kur erdha në Tiranë, në parlament.                                                  – Miri, po m’i jep që po m’i jep, po Xhejmsi yt, ti e di mirë, i do nga perëndimi, mos më ngatërro me lindjen, me Lindjen e Mesme…A na keni thënë vetë me shkue drejt Europës?…
- Rri, pash besën, se nuk ta kam ngenë! Ku e gjete me ardhë sot?!…
Nusja, me shtatin ende të hajthshëm, hyri brenda në apartament dhe, vetëm pasi u sigurua se derën e hapur sa një plasë e zuri Jetmiri në të njëjtin pozicion emënyrë, duke i vënë këmbën nga pas, shkonte e vinte nga brendësia e apartamentit, duke  sjellë një grumbull  me rroba e këpucë dhe i hidhte mbi kokë të dy vëllezërve në korridor.
- Unë s’ta prish qejfin, i marrë të gjitha, po desha edhe me ndejt pak, mor burrë, me u çmall, me ta pa vajzën…E paç me jetë! Kushedi kur më bie rruga këndej…
- Xhejmsi, për besë, nuk kam kohë, besoj se më kupton, është ministër, burri i huaj. -Xhuli,-urdhëroi të shoqen,-jepi ç’të dojë e takohemi njëherë tjetër, këtu jemi…E, ndoshta vij edhe vetë ndonjë ditë…
- Më lajmëro mua, se dal e të pres vetë, se zor që të njohin më…Kanë nisë me thënë se ia kemi harruar fytyrën Jetmirit, mbeti pas bythës së Njeriut të shpresës…
          - Pashë nderin, Xhejmsi lëri fjalët se s’ia kam ngenë. Po pret burri i huaj!…
- Jetmiri, harrova me të thënë: për sy të ballit nuk kam asnjë kacidhe me u kthye!-tha Xhejmsi, të cilit i qe shkërmoqur ëndrra për të kaluar një natë të vetme në shtëpinë përrallë të deputetvëllait pas atij betimi të gjatë.
- Na edhe këto dhjetëmijë lekë të reja e mos ma mësyj më, se mjaft të dhashë për sot!-i tha vëlladeputeti me një nervozizëm gjithsesi të përmbajtur,  duke u kthyer turravrap te ministri me fytyrë gjithmonë të përvujtur dhe duke e lënë në shërbimin te plasa e portës së shtëpisë të shoqen, për ta përcjellë me duar plot vëllanë e…stacionit të fundit.

Nga Gjekë MARINAJ : Evolucioni poetik spanjoll: ndikimet pozitive të poetëve


-Ajo që pasqyrohet haptazi në jetën dhe veprën e poetëve të Spanjës dhe për lexuesit është dëshira e madhe për t’u dëgjuar, pavarësisht rangut social. Mënyra se si poetët, qytetarët dhe dëshmitarët e të vërtetave poetike kthehen në forcë sunduese brenda kontekstit të revolucioneve të ndryshme politike, sociale, letrare dhe kulturore.




Dels que hi venien, alli bevien,
alguns mataven; com capolaven
feien pastells e dels budells,
feien salsisses 0 longanisses
del mon pus Jines…

Ata që erdhën të pinë atje
i vranë dhe i prenë, disa,
i bënë petë dhe plënc,
ua grin mishin copa – copa
si gjëja më e mirë në botë…. (Hughes, 124)

Është e rëndësishme të vëmë re faktin dhe rolin e poetëve, që e interpretojnë terrorin psikologjik të shkaktuar nga këto ngjarje me metafora të mprehta, me të cilat pasqyrojnë masakrat e neveritshme me trupat njerëzorë. Lexuesit e ardhshëm i përkasin çdo brezi që mund të jetë ndikuar, apo të ketë dijeni për mizori të tilla terrori, me përjashtim ndoshta, vetë therësit e njerëzve. Strofat e këtyre poetëve pasqyrojnë terrorin e ndërgjegjes dhe Barcelonës së asaj kohe ku “lëkura” është metafora në poezinë e parë ndërsa, “mishi copa – copa” është metafora tjetër, që lidhen respektivisht me botëkuptimin e vetës së dytë dhe të tretë, e cila paraqet mjeshtërisht analogjinë e tragjedisë për fatin njerëzor.
Poetët spanjollë luajtën rol të rëndësishëm edhe tek muzika dhe muzikantët. Nga ana tjetër sipas kuptimit të gjerë, përfshirja e madhe e tyre në botën muzikore nuk kufizohet nga veprat e artit të poezisë lirike që mbështesin tekstet e lirikave të këngëve. Sigurisht, që Çmimi Nobel në letërsi u dha pesë herë për autorët spanjollë, si; Kamilo Jose Çela, në vitin 1989, Vicente Aleixandre në vitin 1977, Juan Ramon Jimenez në vitin 1956, Jacinto Benavente në vitin 1922 dhe Jose Echagary në vitin 1904 dhe veprat e tyre u përshtatën me kompozimet, ndërsa bota muzikore e Spanjës kishte përfituar gjithashtu nga poetët e saj në fusha të tjera. Shumica e poetëve u përfshinë drejtpërsëdrejti me prodhimin muzikor, duke iu gëzuar më shumë botës krijuese dhe performuese, që e ndihmuan muzikën spanjolle të ruante reputacionin më të lartë ndërkombëtar. E gjitha kjo filloi me “Poetët mesjetarë spanjollë që u quajtën Mester de Juglaria, rrymë letrare e shkruar nga poetët muzikantë, e krijuar prej vargjeve të shumëllojshme dhe përdorimit të asonancës në vend të rimës. Këto poezi, këndoheshin nga dëgjuesit e pashkolluar, fisnikët dhe fshatarët” (Trend 45). Mbi të gjitha, disa prej kompozimeve e kishin përmbajtjen prej poetit botëror, Federico Garcia Lorca. Figura poetike e portretizuar e brezit të vitit 1927 frymëzoi disa nga kompozitorët më të mirë botërorë, si kompozitorin meksikan Silvestre Revueltas, kompozitorin amerikan George Crumb, kompozitorin modernist finlandez, Einojuhani Rautavara, kompozitorin francez Maurice Ohana dhe kompozitorin italian Corrado Margutti për t’i dhënë larminë kompozimeve muzikore që përbënin një shërbim të jashtëzakonshëm ndaj racës njerëzore sipas perceptimeve të edukimit, argëtimit dhe mbrojtjes së të drejtave njerëzore. Megjithatë, vlerësimi i kompozitorëve të porsa përmendur, lidhej me miratimin, respektimin dhe veprat e tyre. Ndoshta, prova më e mirë e respektimit reciprok u kuptua më 14 dhjetor 1935, kur një grup i adhuruesve të Albeniz-it u mblodhën tek varri i tij për t’i kushtuar një përmendore nga Florencio Cuarian, i lirë: Marshalli qe i pranishëm së bashku me shumë njerëz të njohur si: Rafael Moragas dhe Jaime Pahissa. Por, atje murgu më i dëgjuar ishte poeti Federico Garda Lorca (1898-1936), i cili shkroi rreth kësaj ngjarje një epitaf mjaft prekës për Albeniz-in (Clark, 291). Ja dhe vargjet e kësaj poezie:


O vdekje e ëmbël me duar të vogla!
O muzikë dhe mirësi përzier bashkë!
O sy skifteri, zemër bardhë!

Fjetur në harresën e jetës së mplakur!
Qiell i fjetur pa fund, strukur bora.
Ëndrra në zjarrin dimëror, gri në stinë vere.
Fjetur në harresën e jetës  së mplakur!

Dikush nuk i reziston dot, por pa mendoni pak fjalën “epitaf” dhe sesi i njëjti mesazh, disa muaj më vonë, do të ishte i përshtatshëm në varrin e Lorkas, të cilin sikurse e dimë të gjithë, u vra nga fashistët më 18 gusht 1936 në Granadë. Megjithatë, Lorka bën që çdo fjalë të ketë vlerë, duke qenë plotësisht i ndërgjegjshëm se, poezia është formë arti e kondensuar. Kjo tregon qartë përkushtimin e poetit ndaj përdorimit të saktë të elementeve dhe mjeteve poetike. Zgjedhja e fjalës dhe tingëllimës përshtaten dhe lidhen me poezinë. Prania e elementeve të rëndësishme si, asonanca, konsonanca dhe aliteracioni e bëjnë poezinë të përshtatshme nga ana poetike për t’u lexuar, pavarësisht trishtimit të thellë të brendshëm. Poezia me sa duket është shkruar spontanisht për të shmangur disa shqetësime me të cilat mund të jenë përballur poetët, ndërsa përpiqen të shkruajnë poezi sipas “nevojave”. Ai u kërkon dëgjuesve në të ardhmen të hyjnë në këtë botë të veçantë, e cila i ndan poetët e zakonshëm, nga poetët e vërtetë. Me përdorimin e një oksimore interesante “vdekje e ëmbël” dhe disa fjalë të tjera të rëndësishme si: e pastër, zemër, vdekje, fjetur, harresë dhe muzikë, Lorka tregohet bindës se, qëllimi i poezisë si formë arti, jo vetëm që nuk i shërben njerëzimit, por atyre që sipas kuptimit, përdorin fjalët më të mira të mundshme të kombinuara me renditjen më të mirë të mundshme, siç përcaktohet edhe nga shpirti poetik i poetit. Sipas mendimit tim, forca poetike është vlerë letrare dhe vlerat letrare natyrisht që interpretohen nga e vërteta poetike. Poetët katalanas luftuan të tregojnë të vërtetën në çdo fjalë të çdo poezie që shkruanin.
Si përfundim, ajo që pasqyrohet haptazi në jetën dhe veprën e poetëve të Spanjës dhe për lexuesit është dëshira e madhe për t’u dëgjuar, pavarësisht rangut social. Mënyra se si poetët, qytetarët dhe dëshmitarët e të vërtetave poetike kthehen në forcë sunduese brenda kontekstit të revolucioneve të ndryshme politike, sociale, letrare dhe kulturore. Ndihmesa në shpalosjen dhe ndarjen e së vërtetës, dëshmon rolin e tyre në shoqëri si forcë e jashtëzakonshme në luftën për të drejtat e njeriut dhe të drejtat sociale. Kjo përfshinte të gjithë njerëzit dhe të gjitha kulturat e botës. Identiteti njerëzor zbuloi një domethënie të fuqishme në poezitë e tyre, ku u përpoqën të theksojnë, jo vetëm larminë dhe esencën e kulturave, por edhe vlerësimin e asaj që është thellësisht frymëzuese për secilin prej tyre. Ata nuk këmbëngulën vetëm në unikalitetin e kulturave, por në funksionin njohës poetik që të ishte vendi ku hipotezat e hershme për të ardhmen reale të njerëzve të përfytyrohen dhe vërtetohen me koherencë dhe tërheqje krijuese. Orbita me të cilën perceptuan forcën e tyre poetike, përmban një hyrje epigrafike që sjell një të ardhme krijuese, si në rastin e shqetësimeve dhe vështirësive në jetën e popullit. Ndërkohë, ata nuk qenë ekstremistë që të gjykonin realitetin në të cilin jetonin. Ata kurrë nuk pretenduan të ishin heronj, por aktivistë për një Spanjë më të mirë, për një botë më të mirë. Megjithatë, ata luftuan të krijojnë botën e shijeve, ngjyrave dhe mendimeve që të gjithë së bashku përbënin një arkeologji poetike të rindërtuar nga dashuria për poezinë dhe popullin për të cilin shkruanin. Ata bënë gjithçka mundën që të tregonin se vepra e tyre poetike përfaqëson në thellësi sinqeritetin intelektual dhe emocional në lidhje me Spanjën dhe spanjollët. Studiuesit ndoshta nuk do të mundin kurrë t’u japin fjalëve vlerën që dhanë poetët spanjollë për popullin dhe mbarë racën njerëzore, por ata duhet të synojnë në mënyrë kritike të ulin detyrimet ndaj tyre sa më shumë të jetë e mundur.

Përktheu nga anglishtja: Irena Papingji

Nga Dr. Fatmir Terziu : Logjika e riprezantimit artistik në romanin e Vilhelme Vranari,”Vonë…tejet vonë”, botim i “Nacional”


Sociologjia e njohurisë dhe komunikimit nga korniza letrare në një aspekt tërësisht shoqëror dhe shkencor, ka marrë pamjen dyfish të rëndësishme, përpos aestetikës dhe asaj të paraqitjes në romanin më të ri të shkrimtares Vilhelme Vranari. Duazimi që në titull “Vonë… tejet vonë” me këtë roman na shpie në një skutë ende të errët për protagonistë me një risk, me riskun e përcaktuar nga vetë autorja “Këtë roman ua kushtoj gjithë atyre të rinjve dhe të rejave që janë bërë dhe bëhen preh e virusit vdekjeprurës të AIDS!”


Riprezantimi artistik i kësaj enematike, rikonfigurimi i kësaj plage të fshehtë, por jetëmarrëse, na shpie tek logjika e ‘riprezantimit letrar’ (Woolgar, 1988; Potter 1988) dhe po ashtu tek roli i luajtur nga retorika në konstituimin me anë të fiktives së njohurive të ndërlidhura shkencore (Prelli 1988; Gross 1996; Grogson dhe Selzer 1993; Berkenhotter dhe Huckin 1995; Montgomery 1996; Myers 1990; Swale 1990). Argumentet për retorikën e praktikën sociale janë prezantuar dhe detajuar nëpërmjet këtij romani jo në nivelin e pastër shkencor-ndikues, por sipas normave letrare të avancuara e kontemporane dhe mendimit të pjekur femëror për të krijuar jo thesht një vëmendje, por për të ndërtuar e argumentuar një ndërhyrje konkrete e të mirëfilltë, për të udhërrëfyer një tematikë që kërkon njohuri dhe mbrojtje.

Nocioni filozofik i Derridës

Argumenti i parë është ky: çfarë duhet të pasqyrohet që të jetë më shumë se strategji e argumentimit aktual të debatit që Vranari parashtron në roman luan një rol konstituitiv me respektin tek njohuritë kryesore rreth natyrës së infektuesit, që nënkupton transmetuesin dhe rolin e tij dëmtues në shoqëri. Në vetë hyrjen e Vranarit në roman, filozofia e Derridës, ndeshet me nocionin e ekzistencës dhe të mosekzistencës. Një koncept ky logjik që hyn mes logjikës dhe perceptimit të jetës.Vranari ndërhyn:“Njeriu shpesh herë mendon se njëkohësh u përket dy botëve; asaj të ekzistencës dhe asaj të mosekzistencës. Kjo varet nga rrethanat në të cilat ndodhet secili në çaste të ndryshme. Nga njëherë kjo ndikon nga realizimi apo mosrealizimi i vetvetes, faktorë që ndikojnë shumë në jetën e individit. Gjithashtu mendoj se ka lidhje me hapësirën dhe kohën që përshkon jeta e secilit. Ndaj çmimi për ta përshkuar këtë rrugë të vështirë, është më i lartë se vet jeta.”
Në këtë aspekt natyrshëm pyetja e vlerës së fiktives në lidhje me jetën formëson konceptin filozofik të kahershëm me të cilin trillimet fiktive mbesin dobia e rëndësishme për pyetjen në lidhjen me realitetin. Ky problem në gjuhën e Rusell, është një rrugëdalje për kuptimin që merr formë në lidhje me vetë kuptimin që mbartin emrat, tematika rreth tyre dhe përshkrimet. Sipas Rusell, fakti i argumentuar në fiktive se ‘Mbreti i Francës është tullac’, duket se merr një vlerë në lidhjen me të vërtetën, ndërsa skenat që përshkon tullacëria e tij, janë disi elokuente në vlera. Në këtë rrugë ecën edhe romani i Vranarit, pasi ai kap një temë sa delikate aq edhe të ndjeshme e delikate në trajtimin logjik.

Diskurset në roman

Vranari nuk përdor logjikën konfrontuese me përdorimin e modeleve filozofike, apo edhe të atyre nga shkenca, kur ne lexojmë këtë roman, ai funksion si një model, nëpër vragat e të gjejmë vlerat e një fiktive, që na dikton, sqaron dhe udhëzon të mësojmë prej saj. Ashtu siç ndodh në modelet më të avancuara të kësaj kategorie, edhe në këtë roman, nuk vihet në dyshin vlera e trillimit: pasi siç e qartësuam ne mësojmë në lidhje me situatën, rrethnajën dhe krijojmë një prag ndarës me atë që duam ta ndëshkojmë në një roman të mirë, apo të prurë ndjeshëm tek ne, tek lexuesi. Në këtë pikë diskursi serioz ndihmon të konceptojmë tërë derivatin që na depërton tek e vërteta. E vërteta që vjen mes ngjyrimesh dhe ngjyrash të zeza,  të dala nga ky realitet i romanit nën peshën diskursive të dhimbjes së nënës: “Gjithsesi, ndjenja e nënës, e një nëne të plagosur, më mbante ngërthyer aty mes korijes dhe muzgut të hirtë gati, gati në të errët. Edhe pse nuk isha e sigurt, prapë nuk hoqa dorë. Bëra përpara e vendosur. Terreni ishte kënetor. Mes kallamave, zhukave, gëmushave dhe barishteve të shumta që rriten në baltina të tilla, ishte e vështirë të gjeje diçka. Barishtet e pleksura me njëra-tjetrën, balta dhe mjegulla e dendur e buzëmbrëmjes nuk më lejonin të kontrolloja mirë. Tashmë e qara kishte pushuar. Në çast ndjeva shumë afër meje një lemzë që kap foshnjat kur janë lagur apo kur kanë uri. Kjo shoqërohej me ngashërime. Dukej se vogëlushi ishte lodhur. Kushedi sa kohë kishte aty në mes të territ, lagështisë dhe të ftohtit mbrëmjesor. Papritur ia nisi përsëri vajit me klithma e piskama të forta ankuese. Ishte një jetë që luftonte në pamundësi mes jetës dhe vdekjes. U rrëqetha trup e shpirt. M’u dhimbs kur mendova se ai mund të jetonte çastet e fundit të jetës, ende pa e nisur lirinë. Sepse kjo e drejtë legjitime për njeriun nis qysh kur dëgjohet e qara e parë foshnjarake e cilitdo. Dhe unë, unë… një femër, një nënë e sfilitur, ndodhesha aty pranë dhe nuk mund t’ia jepja dot ndihmën e duhur në kohën e duhur. U inatosa me veten dhe nisa të shaja paaftësinë time…”.

Figuracioni elastik dhe ndërlidhja letrare

Në sipërfaqe, përgjigja duket e fshehtë, e strukur thellë mes një gjuhe të pushtuar nga kornizat mornicëlënëse, nga simbiozat rrëqethëse. Karakteri strumbullohet në këtë gjuhë dhe bota e imagjinuar e Vranarit kalon në një përditësi të latuar nga problemi, si për të lejuar përkthimin e saj që ndodh atje në faqet e romanit, mund të ndodh edhe aty ku lexohet, ku logjikohet. (Mendoni për moralin në përralla!) Por nëse në përralla, kjo paraqet një problem, me statusin e këtyre botëve imagjinare, në romanin e Vranarin pragu është eleminativ. Kjo lidhet me rrugën metafizike dhe kontradiktat që ngjeshen mes një figuracioni elastik. Në roman vjen si një motiv që ndërlidhet me legjendën, rrëfimin në të shkuarën e largët: “Edhe pse ai kurrë nuk u bë dhëndër, hija e fantazmës së tij ende jeton. Thonë se e kanë parë të hipur mbi kalin me shalë, i cili në breg të lumit pret të fejuarën që të vijë dhe të nisë jetën me të. Dhe kënga e shekujve ka arritur deri në ditët tona dhe këndohet trishtueshëm, tejet rrëqethshëm:
“Vinte lumi trubullo,
trubull lumi,
lumi, lumi… trubollooo…
Sjellë një djalë të mbyturo…
Kërkon e ëma bregut ooo…
I bën rixha dallgëso…
Aman moj valë pusho,
nxirrma djalin anëso,
se e kam të vetëm –ooo,
si sot i marrë nusen-ooo”- “kjo këngë folklorike sa e dhembshme dhe e trishtueshme, edhe pse vazhdoi të këndohej ndër vite, askush nuk e mori mundimin të ndërtonte një urë për të lidhur të
dy brigjet e lumit që të mos rrezikohej më jeta e kalimtarëve”, -mendoja sa herë gjendesha para pasarelës, me vështrimin tretur tej lumit.?!”
Këtu shihet diçka që kërkon vërtet një urë lidhëse. Është Vranari që i vë ‘trarë’ të fuqishëm, por është struktura fiktive dhe logjika e riprezantimit artistik që kërkon më shumë. Një fakt mund të sillet nga ‘Sherlock Holmes’. Fakti që thuhet se ‘Sherlock Holmes’ ishte një agjent është i saktë, por kur thuhet se ‘Sherlock Holmes’ ishte një mjek nuk qëndron. Të paktën sipas logjikës që duhet të ndjekë radhën në procedurën dhe logjikën fiktive. Pra nuk duhet të ngatërrohet ‘realja’ edhe kur mendohet se ekziston, me fiktiven-reale që vjen nga larg, shumë larg, edhe kur transmetohet si rrëfenjë. Tek shembulli ynë ‘Sherlock Holmes’ në fakt të dy nocionet si ‘të qenit agjent’ ashtu edhe ‘mjek’ nuk kanë saktësi të qëndrueshme, sepse ‘Sherlock Holmes’ nuk është një person real dhe ka keqkuptime me kontekstin dhe pohimet. ‘Sherlock Holmes’ është një personazh imagjinar, apo dikush tjetër me të njëjtin emër në një profesion tjetër.

Shkurt për romanin:

Pas disa vitesh Yllka, personazhi kryesor, rikthehet në veri të vendit. Ndërkohë i ka vdekur i biri  shtatëmbëdhjetëvjeçar. Mes dhembjes, në retrospektivë, aty lidhet pas fijeve të së shkuarës. Kujton se i fejuari nuk ishte i gatshëm për t’u bërë baba. Por ajo e do frytin e dashurisë së saj, e dashurisë së tyre. Ndaj braktis qytetin e lindjes dhe nis jetën në veri. Drejtori i qendrës termale, ku nisi punë, një i ri, i virtytshëm, Genti, dashurohet me të. Edhe ajo ndjen për të, por është e pavendosur, për shkak të asaj qenieje të pafajshme që rritet brenda trupit të saj. Dalja në skenë e të fejuarit, ia prish ëndrrën… Edhe pse bashkëjetojnë, ai përsëri nuk e do fëmijën e tij. I biri katërvjeçar bije preh e rrëmbimit nga trafikantët, të cilët i vrasin babanë.
Pas kërkimesh e dhembjesh pa shpresë, përmes emisionit “Njerëz të humbur”,Yllka mëson se djali është gjallë dhe gjendet në Athinë. Gëzimi i rikthyer pas më se 12 vjetësh, shndërrohet në zhgënjim dhe vuajtje.
Në vend të huaj përballet me një botë tjetër. Aty njihet me probleme që i ngjallën neveri, si: perversiteti, prostitucioni, pedofilia. Shkak i sëmundjes pa shpresë të të birit, ishte përdhunimi nga një pedofil, AIDS-i  po i merrte jetën. Por nga sa mësoi më vonë, mallkoi çastin që kishte lindur. Për atë nënë ishte i tmerrshëm, akti kriminal i bashkëshortit, i një babai paskrupuj.
Pas vdekjes së tmerrshme të të birit, Yllka kthehet në atdhe, në qytetin e lindjes. Përsëri, si tek libri “Dritëhijet e medaljes enigmë”, edhe në këtë roman, autorja kërkon të vendoset drejtësia aty ku  mungon. Një nënë, e cila di të falë është pikërisht ajo, që ia dorëzon gjykimit të drejtësisë të birin pas vdekjes.
Një vit dhembje…Yllka rikthehet në veri dhe rikujton tragjedinë e jetës dhe familjes së saj inekzistente. Çuditërisht jeta i merr një kthesë të admirueshme.
Rastësisht gjen fatin e saj të hedhur në kënetë, që u bë burim jete për të, rikthim në realitet. Aty ritakon dashurinë e saj që ia mohoi vetes dhe atij, gjë që u dha shpresë të dyve. Me besim në ndjenjat e tyre shpresojnë në të ardhmen. Kjo tregon se jeta nuk mbaron. Përherë ka një mundësi të dytë. Epilogu është një mesazh për rininë, një dashuri e pavdekshme, por e pamundur, sepse AIDS-i  është kronika e një vdekjeje të paralajmëruar. Kjo është e tëra…

   Duke përfunduar…

Kështu duket qartë se ne kemi nevojë për një logjikë të riprezantimit artistik në mënyrë që të përshkruajmë se si trillimet mund të jenë të rëndësishme dhe të dobishme në pyetjen tonë me botën tonë, një logjikë e cila na lejon të shohim ndryshimin mes fiktives kuptimplote dhe tingujve të thjeshtë, dhe asaj që përshkruan marrëdhëniet për përkthimin në mes të dyve. Kështu ndodh me romanin e Vranarit.
Vranari rikthehet në udhën e saj të pasur letrare me këtë roman duke dhënë kështu hapësirë të mjaftueshme mes temës dhe riprezantimit logjik, një arsye më shumë në tematikën e saj globale. Rruga që e lidh prozën e Vranarit në mjedisin kontemporan kërkon gjeografi më të gjerë. Kërkon njohje edhe në mjedisin anglishtfolës. Ajo ka dhënë një sprovë, transmetimi dhe përkthimi në gjuhën angleze e bën atë më të shëndoshë, më të afërt me vlerën që mbart riprezantimi logjik.



Nje urim shqiptari nga Amerika

Për Elisa Bruqin nga Zef Përgega


Bije e genit kosovar
lule mbjelle me fjale
do te kthehen ne ujvare
brenda syrit te lirise
nje qiell me shtojzovalle

Nje urim shqiptari nga Amerika
kenge bilbili e Kosove e lire
tu befte udha...
tu befte dita!

Zef Pergega

NEPER VEGIMET E KROJEVE POETIKE TE MARK KRASNIQIT



ZEF PERGEGA



Qëllon shpesh që në vorbullën e vetmisë dhe preses së saj të fortë hidraulike, me zë të brëndshëm flas me vete. Vetë i formuloj pytjet dhe vetë u përgjigjem. Pytja e parë që më bëhet si një re e mbarsur me korba, të cilët ndjekin coftinën e hedhur buzë kanalit, me vjen si një pllakë e bronxtë mbi rrudhat e ballit dhe me vobektëson shikimin se: përse ndjehemi të friguar të flasim për të gjallët!
E bash kjo vjen prej mediokreve që shtërzojnë nga kapslleku intelektual, duke e valvisin flamurin e tyre të shpërlarë me beze të huaj për të krijuar murrlane në dritën e udhës së shënjtë të të gjallit. Lumturia me e madhe e këtyre  soi sorollopi që kasollën me kashtë e kanë gritur mbi maje brrylash dhe e shkelin frymën e tjetrit si bërsi rrushi, për t’i mbushur kovat jo me musht por me uthull që të tërbon në thartësirë.
Pse pra ka ngurrime për të folur për njeriun që bën të mira, për njeriun që brënda botës së tij ushqehet një botë e madhe ajo e prosperitetit të kombit vet?! Mundohemi ta zhveshim nga trungu nga lekura, pikërisht nga ajo mbulesë që mban brenda lëngun e rritjës. Pse pra ky përçmim i madh për të gjallët dhe një hiprokrizi në të vdekur?! E keni vene re se fjaleët e mira ruhen të thuhen para arkivolit dhe kur të sigurohemi se ai nuk mund të ngihet më mblidhëmi dhe i çojmë letër presidentit për ta dekoruar pas vdekjës! Dhe dekoraten për të mos e marrë familja, por ata që i hodhën baltë gjithë jetën!
Përsonalisht nuk i përkas sferës akademike, sepse nuk quhet botë shkencore ajo të lash kazanat e Amerikës, për të ngrënë një copë bukë me shije artificiale, duke preferuar të ulem rrafsh në qylimin e blertë të djersës time e të thur ndonjë poezi apo të bëj ndonjë gërmim historik e jetësor që kulmon në zemër në shpirt të dheut të humanizmit në diasporë e me tej, se sa t’i ndërroj kostumet apo mimikën e fytyrës sa herë u ngordhet suflerëve!
Bash ato që na hedhin baltë sa jemi gjallë nuk duhet lejuar të nga hedhin një grusht Dhe që sado i shkrifet të jetë do ta ndjejmë si një heshtë që të vret për të fundit herë…!

Këto po mendoja me 5 gusht të vitit 2011, kur Rush Dragu me vuri në tavolinë kafen ekspres dhe një gotë ujë me akull. Pastaj ai çeli kapakët e një libri dhe na lexoi një poezi për fshatin, për vendlindjen dhe për të gjithë atë yllësi visarësh që i sillen qiellit të saj. Nuk fola dhe e lashë mikun t’i dilte në krye të fshatit dhe të lëshonte zërin për poezi të tjera.
Kështu me ra në dorë libri poetik i Mark Krasniqit “Jehona e Kohës”, të cilin autori me autograf ia kishte dhuruar historianit të diasporës Mark P. Gjokaj.
Ky ishte motivi që unë e lexova këtë libër edhe për kreshërinë që më ngjall tema kosovare, si një olimp me salvime. Vargjet e autorit kanë lindur pikërisht aty ku gjaku i martirëve ka çelur faren e lirisë, aty ku autori klithi për dashuri dhe jetë pa zaptues, në atë lëndinë, ku roje i bëhet ylberi e ku duan të mbijnë edhe ferrat e hithrat të zgjaten drejt qiellit për t’u vyshkur prej diellit. Vargu i Krasniqit mbërthehej me motive zanash, fortësi guri e luspa gruri, me kthjelltësi loti që maja majës u lëshon zë për punë të mëdha, për plugun që lëron e frymon, për trimin që lufton e mbron përvujtërinë e farës se vet nën zhgun…
Duke lëxuar poezinë e Krasniqit “Mulliri i fshatit” m’u kujtua fëmijeria e hershme. Ishim kthyer nga qyteti i vogël në fshat. Kishim marrë me vete dy bukë gruri. Sapo erdhi mbremja morem lajmin se kulla jonë kishte radhën të bluanim në mullirin e fshatit. Trimat nuk ishin në kullë. As sot nuk e di pse kalin e bardhë e thirrnim “muzak” Kështu nana me vuri mbi thasët e misrit të verdhë me një copë bukë me djathë u nisem të bluanim gjithë naten… Mulliri i fshatit të Mark Krasniqit nuk ka ndryshim me mullirin e fshatit tim me mullirin e fshatit tend!

Ndërsa mullisi i vjetër
I vinte thasët në kandar
Unë vetëm këtu pashë një botë tjetër
Që kurrë së pashë më parë

Nje gur sa lemshi i diellit
Vetë sillej pa e prekur me dorë
Nën shtëllungat e miellit
Hidheshin si floktha me borë…!

Simbolin e lëvizjes dhe të jetës që në të rallë i mbyll ciklet me vjeshtë, Mark Krasniqi na i përcjellë më një konfiguracion dhe rregullësi të imtë që njeriu i shkon tehut të natyrës si koncept dhe si veprim, të ngritur në norma zakonore të pacenueshme. Një energji e madhe djerse për të prodhur bukën, që mund të krahasohet me energjinë e rrjedhjës së ujit, për t’a lidhur me forcen e zjarit e brumit të pjekur nën kaki. Sa sy vorfanjakësh janë njomur në pritje të afshit të saj që ta ëmbëltonte shpirtin ende pa e provuar buzët dhe këtë ndjenjë e ka provuar poeti Krasniqi që na sjellë perlën e jetës së fshatit.
Nuk mund të këtë poet shqiptar që të mos këtë një vjershë për vendlindjen të përshkuar me mallin e zhuritur për te. Se atdheu për shqiptarin është mish e gjak, në çdo dasem është krushk i parë, është toka e Atit, Birit Shpirtit të Shënjtë. Në të gjitha meshat apostolike atdheu është kryemeshtari. Atdheu është si një nimfë që kurrë nuk i shuhet zani dhe shënjtërimi, as nuk plaket dhe as nuk vdes, si një margaritar që peshon sa një det! Vendlindja e Krasniqit është e njëjtë me vendlindjen time. Toka është shqiptare, vetëm pagëzimi i një trualli nuk përbën ndonjë ndryshim.

Po burrë i  forte, kush po pyet sot për atdheun?! Pa larë mire mykun e orjentit që i është ngjitur mjekrrës fallso të diplomacisë dhe pushtetit, siç i ngjitëshin dikur jeniçerët kalave tona, jemi turrur sllaganit “Drejt Europës”, siç i’u versulem depove të armëve me 1997, kur shkatërruam çdo gjë, duke vrarë vetveten, e për këtë bësë të Zotit, si e vetmja kryevlerë që na e la në kullen e karakterit s’ka më qenë e largët dita e shyqer syshë për defrime, të gdhihemi nëpër kazanat e botës me sklepa në retinë, duke mbledhur therrime dhe do të bertasim më të madhe: “Po kush ma mori tokën time?!” Amanet na lanë të parët Rilindasit dhe shkrimtarët, të renë e progreset e jetes perendimore, te mirat e saj, t’i shartojmë ne trungun e moçëm të Dheut tonë! Kohën e maskarenjëve dhe të shiturve e kanë mallkuar poetët.

Ai komb që nuk dëgjon zanin e vërtetë të shpirtit të poetit e ka pak të shqyhet prej egërsirave në fund të detit!

Po poeti legjëndë e tokës tonë Mark Krasniqi shkruan për traullin e të parëve…

Vendlindja ime nuk është veçe një fshat

Ajo është vatër e gjërë dhe e gjatë

Që nga Preveza deri në Tivar

Gjithkund motra e vëllezër shqiptar!


Krasniqi ndalet para jazit të fshatit me ujët e kthjellët që pasi ka bërë gjarperime rrjedhjësh, duke prekur e njomur çdo rrënjë kopshtësh e arash, i ka dhënë jetë e bereqet kullave e natës së zjarrëve në vatra, e poeti shikon kotjen e yjeve që ulen pezull mbi shpresën, për pak shi që vada të mos thahet e mulliri të mos e ndalë rrotullimin e gurit që gjysma e mbetur e misrit të bluhet, e rriti i rradhës së familjeve të vazhdojë…

Një natë ëndërr kështu unë kam parë
Disi tërë qielli kishte rënë në jaz brënda
Dhe ishte mbushur me ar
Lahëshin natën yjet edhe hena!


Pasi poti i njëmijë ëndërrave rinore, mbërthyer në kuriozitetin e të panjohurës që botën kërkon t’a këtë nën vete, rrukullis kush e di sa gurë nën rërë të jazit përgjatë shtratit të tij të ngushtë, duke kërkuar ndonjë yll të praruar. Ndoshta është fshehur nën shallin e valëve, ndalet në fund të ëndërrës së mëngjesit, tek kroj i katundit, për ta frekuar me faculeten e beqarit ëndërrën me ëndërrën gurgulluese, aty ku vasha me boljerë dhe bariu i tufës shkëmbejnë miklime dashurie.
Dhe në këtë gurgullimë fjalësh në besë të krojit, zemrat rriten e bëhen si malet. Nanat që e kanë provuar në rini së ç’është dashuria e krojeve, shpërthejnë pa shkak në qortime për vonesën e vashës…

…Prita sa të dalë
Nga reja hana
Të ma ndriçonte rrugën
Kështu kje lum nana!

Krojët janë shënjtër të tokës që e ushqejnë me proteina muzën e të riut e të plakut. Muza shpërthen në vargje siç gulfon kroj në gjoks të tokës. E kënga zbret si flutur mbi telat e çiftelisë, në odat e miqve, nën vrojtimet e gëzueshme të tufës me fëmijë. Në mur, bri saj, varur një lahutë dhe një kavall. Poshtë në dollapin e drunjtë, takemet e kafës e rakisë, kutia e duhanit dhe unuri me ëshkë, të cilat  përcjellin deri në traun e kulmit ritin  e traditës. Këto përjetime nuk ishin ora e muzikës, si mënyrë argëtimi, po brënda këngës lartësohej heroizmi, trimëria, dashuria për tokën dhe flamurin, respekti për mikun dhe urrejtja për armikun, një informacion dhe një formim me tharmin e krenarisë, diturisë dhe edukatës në fletët ligjeve zkonore dhe dokeve të thella, sa rrënjët e Lisit te Zjarrit dhe Krasniqi ia dridh vetë telat çiftelisë!

Kjo çifteli me tela të hollë
Dhe këngët e trimërisë në kullë të vjetër
Për mua ishin e para shkollë
Për nga kujtimi nuk zbeh tjetër!

Mark Krasniqit edhe pse i ra rasa t’i shkelë këmba në disa vende të Europës, të mësojë për modernen në perëndim, të shohë opera e teater, film dhe koncerte, edhe pse dëgjoi muzikën hyjnore të shtyllave historike, kujtimi i tij i fëmijërisë u rrit në ato dy tela të çiftelisë dhe mbresa e tij është e pashlyer në një zemër të madhe, e në një gropë të kraharorit edhe sot në moshë te epërme i bën prore.
Para syve të tij, si në një album fotografik me ikona vallëzojnë plot ngjyra hovesh që të kujtojnë themelet, bahçet e gjëra të Rrafshit të Dukagjinit me jehonën e këngës me tekst të poetit të mallëngjimit.

Madheshtore ngrihen kullat
Mbi themele të gur-çelikut
Në to është murosur
Besa e Verrave të Llukës
Koka e Mazhar Pashës
Vendimet e Junikut
Bujaria e sofrës së bukës
Zemra e Azem Bejtes
Dhe tmerri i armikut!

Ashtu siç furia e jazit e rrotullonte gurin e mulirit ashtu dashuria e ka ngroh dhe ndez mendjen e njeriut. Në çdo kohë e në çdo rrethane, dashuria mbetet ndjenja me thelbësore e shpirtit të njeriut. Seç ka një lidhje të mistershme midis dashurisë dhe krojëve.

 S’ka patur as besoj nuk do të këtë gjë me hyjnore që shpikësi i ndjenjave të dashurisë, lidhësi i tyre të jetë kroj!

Ndoshta nga se krojët burojnë nga syri i malit. Dhe poeti i këndon krojëve kur takohen me krojët.

Me kujtohen vajzat tona
Flokët e lëmuara të mbuluara me shami
Faqet si mollë lalçe
Dy ftoj të paprekur në gji

Nën këmishë të qëndisur me lara
Këmbësorës së ngushtë
Duke u kthyer nga ara
Rrugëtarit udhën kokëulur ia lëshojnë!

Kujtimet si kujtimet! Fluturojnë pa pasaporte e biletë avioni. Ndalen këtu e ndalen atje, nektarin, si bleta në zgjua ta kthejnë. Duke lëxuar poezinë “Djepi” të Krasniqit m’u kujtua fëmijëria ime. Me saktë motra e pa fat që shumë vite të shkuara ndërroi jetë pa mbushur nje vit. Xhaxhai im e prishi djepin dhe ia vuri mbi varr. Ishte një rit që e mësova pak vite më parë që fëmijët që lindnin pas një vdekje të rritëshin në djep të ri. Dhe ky fakt u bë shkak që librin tim për vendlindjen ta titulloi “Djepi i Thyer”
Po ku janë djepat tanë?! A janë thyer e braktisur apo janë hedhur nëpër hatlla të tavanëve të zeza, si folezë për marimanga?! Fëmijet nuk rritën më në djepa. Me duket mua se trupin e drejtë si pishë shqiptari e ka prej djepit. Dhe Krasniqit i rrjedhin vargjet për këtë emër që ka dalë nga përdorimi i përditshëm, për të mbetur i pa vdekshëm në vargje poetike, nga se koha nuk mbështillet më në shpërganj, por thane epshet me letër higjenike!

Si lundër e çarë e lënë në harresë
Në limanin e fshatit në prehër të vetmisë
Pushon nën tra nën pullaz të vjetër
Djepi i fëmijerisë!

Krasniqi me dorën e tij ëngjëllore dhe mendjen në kufinjt e një lëgjënde nuk e djerrë shpresën dhe hov i jep kumtit shqiptar…

Ndërsa pranë vatrës në djepin e ri
Në rreze të diellit çel buzëqeshjen një fëmijë!

Në qiellin shqip të fjalës, krijimtaria poetike e Mark Krasniqit është një yllësi me mesazhe e metafora që zbresin në lëndinen e lirisë së Kosovës me një tufë krojësh me krahasime, për t’i dhënë kohës së sotme jehonen e munguar.

libri57@hotmail.com


Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...