2012-02-23

Kriza universitare dhe doktoraturat politike


Afrim Krasniqi



Shkruar nga : AFRIM KRASNIQI  



Lajmi se kryetarja e Parlamentit, kryetarja e Gjykatës së Lartë, ministri i Drejtësisë, Prokurorja e Përgjithshme, disa deputetë dhe një numër i madh zyrtarësh të lartë në sistemin gjyqësor, ekzekutiv apo administratën shtetërore kanë aplikuar për mbrojtje doktorature pranë Universitetit të Tiranës, i parë në aspektin formal, është një lajm pozitiv.

Secili prej tyre duhet vlerësuar për këtë akt, sepse formalisht, është gjest pozitiv kur politika dhe vendimmarrja kërkon më shumë dije. Në fund të fundit ne gjithnjë kemi dëshiruar që vendimmarrësit tanë, sidomos ata në krye të institucioneve kushtetuese, të kenë formimin e duhur profesional dhe kualifikimin e përvojave shkencore e akademike.

Ndaj formalisht, ku politikanët merren me librat, kemi më shumë shanse që minimalisht vendimet e tyre të mos vijnë nga padija, por nga mendimi alternativ. Për më tepër, Shqipëria ka vuajtur shumë nga udhëheqjet politike të pakualifikuara, breza politike dhe ekzekutive që erdhën në poste për shkak të meritave luftarake, njohjeve personale apo besnikërisë ndaj partisë. Në dekadën e fundit të sistemit komunist, më shume se një e treta e Byrosë Politike ishte pa arsim të lartë, dy të tretat pa njohuri të një gjuhe të huaj perëndimore dhe 90% e tyre pa formim minimal në konceptet shkencore te politikes, funksionimit dhe administrimit të shtetit modern.

Parë më në brendësinë e këtij akti, trajtesa rezulton problematike në disa aspekte. E para, në traditën e marrëdhënieve politikanë-zyrtarë të lartë me botën akademike ka një rregull logjik: çdo politikan e zyrtar fillimisht merret me studime akademike dhe pasi plotëson njohuritë dhe CV e tij, synon të hyjë në politike për të zbatuar konkretisht edhe njohuritë e marra. P.sh , presidenti amerikan Obama, kryeministri Braun apo kancelarja Merkel ishin pedagogë universiteti dhe kryen studime të avancuara profesionale përpara se të hynin në politiken aktive. Tek ne po ndodh procesi i kundërt, drejtues politike dhe të institucioneve kushtetuese në kulmin e karrierës së tyre politike e institucionale kërkojnë të fitojnë edhe status akademik, përmes studimeve të avancuara master apo Doktor i Shkencave.

Aspekti i dyte është pasojë e logjikes së mësipërme. Një politikan vendimmarrës dhe drejtues i institucioneve kushtetuese supozohet se emërohet ose zgjidhet ne detyre jo vetëm për shkak të vlerave partiake, por edhe për shkak të vlerave të cilësuara profesionale në raport me konkurrentët e tjerë. Rasti i fundit pranon automatikisht gjendjen e kundërt; ata nuk janë më të aftët për detyrat që kanë, dhe se merita kryesore e zgjedhjes së tyre në këto poste të rëndësishme kushtetuese nuk lidhet me anën profesionale, por me faktorë të tjerë, siç janë mbështetja partiake apo mbështetjet personale të liderëve kryesorë politikë. Imagjinoni të gjendet një vend tjetër europian ku drejtuesit kryesore të institucioneve kushtetuese të jenë njëherësh studentë në auditore, në kërkim të një identiteti akademik. Në historinë e Shqipërisë kemi një rast "të tillë", Fan Noli hyri në universitet në moshën 56-vjeçare, por me dallimin se ky moment shënoi ikjen përfundimtare të tij nga politika dhe investimin e tij 100% drejt aktiviteteve shkencore dhe kishtare.

Aspekti i tretë lidhet me simboliken e gradave shkencore. Në politikë përbën aksident pozitiv historik një rast kur një akademik është njëherësh edhe një burrë shteti me merita të theksuara politike. E kundërta ka ndodhur e ndodh kudo. Liderët politikë kryesisht janë profesionistë politikë, njerëz me një projekt dhe vizion të qartë, me merita në administrimin e pushtetit dhe vendimmarrjen politike. Konkretisht, Xhorxh W. Bush apo Roland Regan në SHBA, Margaret Thacer ne Britani apo Konrad Adenaruer e Helmut Kohl në Gjermani, Les Valesa në Poloni apo Nelson Mandela në Afrikën e Jugut, janë politikanë dhe shtetarë që kanë bërë epoka në vendin e tyre dhe në botë, por asnjë prej tyre nuk kishte një titull të rëndësishëm akademik. Shumica e titujve iu dhanë në formë nderimi gjatë kryerjes së funksionit, siç ndodh rëndom edhe sot me Klinton, Bler, Shirak apo Shreder. Grada akademike nuk janë as Sarkozi dhe as Berluskoni, por të dy janë lider të padiskutueshëm të vendeve përkatëse dhe politikës europiane. Në Shqipëri kemi një situatë tjetër; dy liderit historik të tranzicionit, ishin njëherësh të vetmit lider rivale në Europën Lindore me gradat më të larta akademike (prof.dr), megjithatë kjo nuk pati asnjë rol në faktin se modeli shqiptar tranzicionit ishte shumë larg modelit të suksesshëm të këtyre vendeve. Ne sot kemi me titull akademik "prof.dr" dy krerët më të lartë të shtetit, megjithatë prej muajsh Shqipëria është i vetmi vend anëtar i NATO-s ne krizë politike.

Aspekti i katët lidhet me raportet e konfliktit të interesit midis botës akademike dhe institucioneve politike vendimmarrëse. Imagjinoni nivelin e pavarësisë dhe gjykimit profesional të një kolegji profesorësh mbi dosjet dhe punimet konkurruese të drejtuesve të parlamentit, qeverisë, prokurorisë dhe gjykatave, kur vete këta pedagogë kanë qenë e janë kontigjenti kryesor konkurrues për poste drejtuese në gjykatën kushtetuese dhe gjykatën e lartë, vende që kërkojnë patjetër votën dhe pëlqimin e atyre që sot janë në garë për tu ribërë "studentë" të tyre. Ne kemi rreth 25 deputetë që vijojnë studime të avancuara, ndërkohë që ata do të kenë rastin të jenë edhe përcaktues në votimet nominale parlamentare për borde, komitete, autoritete e struktura të tjera të zgjedhura nga parlamenti, ku natyrisht kryesojnë listat vetë pedagogët, dekanët apo rektorët e institucioneve ku ata studiojnë. Edhe në listat e fundit elektorale ishin pjesë e saj dekanë e rektorë, të cilët në çdo rast janë të interesuar të kenë marrëdhënie të mira me politikën vendimmarrëse, në shkëmbim të vendeve më të avancuara në listën elektorale partiake në zgjedhjet e radhës.

Aspekti i pestë lidhet me mbajtjen më këmbë të reminishencave të vjetra të njeriut universal, "njeriut të ri", të aftë të bëjë njëherësh detyrën e bariut dhe deputetit, të mekanikut dhe rektorit, të ministrit dhe brigadierit. Ky model i njeriut universal, i aftë të bëjë gjithçka nëse merr besimin e partisë, ka hapur një garë midis politikanëve aktivë, ku të gjithë shfaqen si politikanë e shtetarë, si kampion sporti e noti, si shkrimtarë e pikturë të talentuar, si analistë e shoqëri civile, si frekuentues të modës së fundit dhe të traditës. Nëse do ti kishim të tillë ky do të ishte lajm i mirë, por frika është se duke u shfaqur të aftë për të gjitha, nuk arrijnë të bëjnë mirë qoftë edhe një gjë të vetme. Sepse, ne nuk presim që ata të jenë universalë dhe të gjithanshëm, por i kemi votuar dhe presim që ata të kryejnë detyrën për të cilën janë zgjedhur, të miratojnë ligje të mira e profesionale, të administrojnë taksat dhe shtetin, të krijojnë hapësirat e nevojshme për zhvillimin real të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Së gjashti, kemi të bëjmë me një keqkuptim të pozitave zyrtare dhe në rastin më të mirë, në probleme në ndarjen midis aktivitetit profesional e politik. Për shembull, për shkak të pozitës së lartë dhe aktivitetit të dendur, një numër i madh zyrtarësh drejtues të institucioneve kushtetuese dhe partive politike paguajnë stafe ekspertësh për përgatitje të fjalimeve, deklaratave, njoftimeve dhe memove të takimeve. Kjo praktikë normale hera herës keqkuptohet dhe politikanët përfitues fillojnë të besojnë se janë krijimtaria e tyre, ndaj edhe 12 deputetë aktual, drejtues të maxhorancës apo ish- maxhorancës kanë botuar libra me fjalimet e tyre, të cilat me siguri janë produkte jo personale, por te stafeve të tyre në parlament dhe ministritë përkatëse. Nga ana tjetër, ne nuk kemi ende një politikan mendimtar, i cili të ketë arritur të botojë një koment, artikull apo studim në një revistë shkencore europiane, në një gazetë të madhe perëndimore dhe as të jetë i ftuar nominalisht, jashtë funksionit zyrtar, si referues dhe lektor në universitetet e njohura perëndimore. Ne kemi politikanë e kryetarë partish që mbajnë titullin "akademik", por që paradoksalisht, në jetën publike janë simbole të retorikës së ashpër ose se as publiku dhe as ata vetë nuk mbajnë mend kohën kur për herë të fundit kanë botuar një artikull apo dhënë një mendim shkencor që lidhet me fushën e tyre të studimit për të cilën janë zgjedhur edhe akademikë.

Pa dashur të zgjatem më tej me kalimin nga epidemia e fajdeve tek epidemia e universiteteve dhe tani, tek epidemia e gradave shkencore, marr kurajën të propozoj një praktikë administrative për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi. Qeveria, Ministria e Arsimit ose vetë universitetet le të shpallin publikisht një kriter për posedimin e çdo grade shkencore, detyrimin që autorët të botojnë në një faqe interneti të gjitha temat e diplomës, të studimeve master, të doktoraturës dhe të titujve profesor, të marra ne vite. Kjo do të ishte një ndihmë e madhe për publikun, për bibliotekën universitare, për brezin e ri dhe për vlerësimin racional dhe objektiv të vlerave që mbartin këto punime.

Nëse kjo ndodh, jam i sigurt se gati gjysma e atyre që sot kane tituj dhe kapërdihen në ekranet televizive, auditore mësimore apo në zyrat e shtetit, do të preferonin më mirë të hiqnin dorë nga titulli shkencor sesa të publikonin punimet e tyre thellësisht politike dhe doktrinare, shumica e tyre mbi vlerat e luftës së klasave, diktatorin, realizmin socialist, mendimin marksist, vlerat e tufëzimit, kooperativave apo fletërrufe kundër BE, KSBE, NATO dhe shteteve imperialiste perëndimore. Një pjesë tjetër e madhe e poseduesve të titujve shkencorë do të refuzonin publikimin e punës së tyre sepse studimet janë plagjiaturë, të marra të gatshme nga autorë dhe libra të tjerë në vende të ndryshme të botës. Ironikisht, sot ne kemi emëruar në krye të institucionit vlerësues të kërkimit shkencor një person, i cili është ndër të vetmit e akuzuar publikisht nga një autor amerikan, për vjedhjen e punimit te tij shkencor. Ndërkohë ajo pjesë që do të pranonte botimin online të studimeve, do të ishte jo vetëm edhe më e vlerësuar për shkak të dijeve dhe jo lidhjeve politike e nepotike, por edhe më dobiprurëse për studimet e tjera në fusha të tilla.

Kryerja e këtij katarsisi akademik e universitar do ti jepte fund praktikave monopol, që politika ka pasur e ka mbi arsimin dhe kërkimin shkencor, që një brez i vjetër ose i mesëm profesorësh kanë pasur e kanë mbi institucionet universitare dhe së fundi, do të ndihmonte në nxitjen e një sistemi të ri vlerash, të bazuara në aftësi dhe konkurrencë profesionale. Për Shqipërinë duhet të marrë sistemi aktual antivlerë, ku p.sh , shkrimtari ynë më i madh dhe më i studiuar Ismail Kadare nuk ka asnjë nderim thelbësor nga qarqet universitare, ndërkohë që ne kemi profesorë nderi në universitete, politikanët e radhës, apo kemi të paktën pesë deputetë listash, të cilët kanë në xhep 2-3 diploma e tituj shkencore të "fituar" brenda pak muajve në universitetet private këtu, në Tetovë ose në Prishtinë.

“GJYRMË KOHE”



Poezi nga Rrok Berisha
Poezi nga Rrok Berisha

ATDHE
Kurora me shtatë milionë lule gjaku
Përkujton pranverat tuaja të gjakosura
Në rrugëtimin e gjatë
As dy pika loti
Gjaku
Atdhe
Për ty
Derdhet lumë
të jesh i lirë nga prangat e robërisë
as dy pika loti në rrugëtimin e gjatë
vetëm Lulëkuqe të gjakut
shumë dashuri atdhe me emrin tënd në buzë
Janë përjetësuar në altarin e shenjtë
Prishtinë, mars 1979
ZEMËR NË GUACË
Atë zemër të vogël
Që e ke mbyllur në guacë
Ruaje nga acari
I kësaj stine shkatërrimtare
Të është ngrirë bukuria
Në atë gëzhojë të guacës
Dhe ajo lule vashërie
Ka filluar të vyshket
Mos lejo veten
Të tretesh në kob të zi
Liroje zemrën
Dhe falma mua
Ta ndezim zjarrin e dashurisë
Prishtinë,dhjetor 1993
GJAKU NUK NGRINË
atdheun e ka zënë acar i sertë
Ata kërkojnë të japim çka nuk jepet
të heqim dorë nga lashtësia
T’i mbyllim dëshirat në guacë
Ashtu si i mbyllin fëmijët tanë nëpër biruca
nuk do t’i falim
Atdheun
E ka përfshirë acar i sertë
por gjaku nuk ngrihet
ditët ikin në arkivole
Deri në lirinë tënde atdhe
Prishtinë janar 1983
NGA SHPEJTON KOHA
Shpejt po rrjedhin vitet
Dhe këto dite dëshpërimi
Ne këtë kohe të pakohë
si të ishte pjellë mallkimi
nga shpejton kështu ka kohë Koha
e ne nuk jetojmë pa kërcënim tytash
pa erën e gazit lotsjellës
pa vdekje
si zogj pa krahë
duke kërkuar në mjegull
udhën
Prishtinë, dhjetor 1983
SI
Si Mund t’i shmangem
Në këtë stinë akulli
Luftës me unin tim
si ta përballi
Këtë zymtësi që sjell hija e rëndë
Plumb…
A mund të veprojmë
pa gjymtyrë
Nëna hesht
Si të përballojmë
Këtë skëterrë
Që është vërsulur
Të na i shkulë degë e rrënjë
Etnia ime jetime
e Nëna ende hesht, hesht, hesht…
e Çdo gjë bëhet më e rëndë
Prishtinë, maj 1989
ZGJOHEM
Ëndrrat shoshit
Në rrjetin e gërshetave të tu
Sa herë mëkatënova
Sa herë u gjunjëzova
Para rrëfenjtoreve
Diçka
Ngacmon
Tiktakun e zemrës
Dhe telin e shpirtit
Jam në aferë
Ndarjeje
Ti sonte mos fli
Po rri e më bë shoqëri
Nesër do të jemi krejt të huaj
Koha jonë kaloi.
E FTOHTË
Askush s’mund të më ngroh
Këtë natë të zymtë
e dashur
S’ më ndihmojnë
As puthjet e tua të zjarrta
Ngase shpirti do të jetë i lirë
zot i vetvetes
Prishtinë, mars 1991
NË NDËRRIM MOTESH
Zbraz pikat e fundit
Të verës në gotë
Në këtë ndërrim motesh
Gëzimi im ku u trete
Pse u mbyte në këto pika verë të kuqe
E rëndë është kjo kohë
E tmerrshme është kjo natë
Nën “petkun festiv”
Në këtë natë
Akrepat e orës
Marshojnë krenarë
Në përjetësim të kohës
Në këtë natë Kush do të kuptojë
Ngjyrën e brengave të mia
dhembjen që sjell
Ngjyra e syve të saj
zot sa ëndërrimtarë jemi
SI DY ZJARRE TE FIKURA
Të kërkova sonte
U përmallova për ty
Mu bë se për ty qava
Ngase për ty qajnë edhe lulet
Për ty qan edhe shishja
e mbetur e zbrazët
Gëzimi për ty
Mbeti pemë
që nuk lulëzoi kurrë
një dashuri që Nuk do të mbajë fryte
As në këtë ndërrim motesh
Ne mbetëm si zjarre të shuara
S’e di Sa shekuj jetuam
NJËZET E KATËR
Akrepat takohen
Në komunikim të kalimit të kohës
Në njëzet e katër
Kalon edhe një ditë
Në shikim të lëvizjes së akrepave
Qetësi
Vetëm tiktaku i sekondave
shqetëson Lapsin që mban këtë
Kronikë të shurdhësisë
Drejt njëzetë e katërshit
Akrepat marshojnë
Drejt përjetësisë së shekujve
Duke sjellë edhe një ditë të re
Gjumi është tretur
Ne përcjellje të lëvizjes së akrepave
Dhe të tiktakut të tyre
PA GJUMË
gjumi ka tretur
vetmia shkakton dhembje
kurse vyshkem në mall
dera e kyçur
vetëm Lapsi këtë natë është i shenjtë
Shënon historinë mbi letër
Shkruan gjakun dhe ëndrrat
Për një Kosovë më të lumtur
Një Kosovë më të bukur
Për një Kosovë të lirë
Për një Kosovë në Evropë
Prishtinë, prill 1989

CIKËL POETIK NGA MENTOR THAQI


CIKËL POETIK NGA MENTOR THAQ

Pergatiti Haxhi Muhaxheri
www.sofrapoetike.blogspot.com


Mentor Thaqi


LABES SIME!
Këmbëzbathur, bregut t´detit,
Shtatëhedhura lozonjare,
dridhet Joni prej sikletit,
don t´përgëdhelë me valë tinzare!
Jo, nuk ka faj Joni shkretë,
vapë e verës, përcëllon,
kur t´sheh gjoksin, ah medet,
nga meraku, ujin e vlon!
Këmbëgjatë moj, si sorkadhe,
lëkurëhollë si mazë e qepës,
ah medet, bela e madhe,
si ti gjejë unë derman vetes?!
Buza jote si qershitë,
kur më piqen në Gjirokastër,
dhëmbtë e bardhë, natën bëjnë dritë,
si ingji, bilur të pastër!
Në Sarandë, në Orikum,
t´kam zënë pritë, vendit nuk luaj,
si Hyjneshë moj në Butrothum,
qesh një herë, sa t´duash t´paguaj!
N´Kala t´Borshit o në Fterrë,
t´lë takim, aty më ke,
o më vrit moj, o më merr,
n´gjirin tënd një natë të fle!
Shkrumb u dogja prej sevdasë,
Labja ime, shpirtë o xhan,
jo as Flladi i Llogarasë,
s´më flladitë, ti m´bën derman!
Jo qebesa, as Syri i Kaltër,
Syrit tënd s´i del përballë,
t´puthë një herë moj, marrsha malet,
seç më shkoi koka vërdallë!!!
15.04.2011
AI VET!
(Dëshmorit të Kombit – Tahir Sinani)
Përtej Çafë Prushit,
tej-përtej Korabit,
në Konçull
a në Kallavaja t´Junikut,
i Madh në Hapa,
fjala zjarr,
shkreptëtimë plumbi,
AI vet, i Madhi
e hija pas tij
Tahir Sinan Shqipnia!
Po cili s´ía dëgjoi fjalën
e kush s´i dha brkimin,
Malsorit Kreshnik?!
Ah, Shqipnia ime
në ballë prej veri,
si flakë vetëtime,
nxjerrë dy fjalë nderi:
- E rrita për Tokën,
për Tokën e të parëve,
po, ai më nderoi Votrën,
Ai vet, Legjenda Shqiptare!
03.05.2011 (19,15 h)
VËLLAUT TIM LUFTËTAR
Rrugët, itinerar përditshmërie,
ti Ushtar i Lirisë
dhe helm ushqim-shpirti,
në emër të sedrës krenare!
Në fjalëkryqin tënd,
e panjohura enigmë:
Çështë Liria?!
Përgjegja e shkurtër të del,
zhgënjimi yt sot,
shpresojmë, jo dhe nesër!
Të dashurit të ranë,
cytësit dhe nxitësit
i sheh vetëm në TV
e strofullat-pallatet, çdo ditë,
me mure e kangjela
për qetësinë e tyre në relaks,
larg teje e lypsave!
E ti, cili je?!
Ai që zjarrin nga goja nxirrte,
para se ti villte pushka,
e që për emrin e Lirisë,
as dy fjalë s´i bëje
e drejt në gjoks shkelësit!
Sot, kokëulur, i zhgënjyer,
me shpirtë të gërryer, jo i thyer,
pëllëmbët, akoma të forta
qoftë edhe për një fytrrokje,
se Liria në zhgënjim
(s)guxon të kthehet!
Po, mate mirë veten,
për edhe një hap,
në shpëtim sedre,
kthim Identiteti!
25.03.2011
MOLLAT E RAMËSEFËVE
Në fund të bahçes sonë,
bahçja e Ramësefëve,
Nune, vet mezhda në mes,
hije më hije
ndejat bekoi!
Molla Gjyle nga Nëna Gjylë,
pshtjellakun plot
nga dorëlirësia,
se “gjymerte e madhe është”,
thoshte Nëna ime.
Eh, syri i uritur
në shpoti përtej tarabave shelgjeje,
Kopshti i Kaçorrëve
pikësynim i fshehtë,
për një trangull
të “hajnisë” fëmijërore,
e që pas shamate
rrypi nga dorë e nënës,
vija-rrugë të skuqura
n´prapanicë na linte, qebesa!
Ev, Dynja e rrejshme!
Plakat në mes bahçeve,
me nga tri orë bisedash
pas përshëndetjeve në largim
për tematikat Shkup e Shkodër,
pa qenë kurr në to,
se p´veç Lamës së Grave në Pejë,
sheher tjetër rrallë panë!
Ah, i Madhi Zot,
të falem për mallin e pashuar,
dy pika loti, shpirtit shpëtim!
Po po, malli në ëndërr,
e ëndërra në mallëngjim,
një rrotacion dhëmbshurie
për kohën që në teh pret
e nuk na pret
në ikje pa ne!
Eh, Lluka ime
me atë fëmijëri të humbur,
diku pas 7 Palë skamjesh,
që me mallë dynjaje
shpirti s´e ndrron,
se skamja p´veç trishtimit
ka dhe bukurinë e vobeksisë
që vulë jetës i japë!
Fundja, “shyhreti i Jabllanit”, thoshte Jevgu.
“Koliba jeme, por… jeme, shlirë!”.
25.04.2011
VOJSA E POETIT
(përgjigje poetike poetit – s. rr.)
Poet,
mos dil në atë koder,
të lutem,
po nuk ia more njëherë
majekrahçe,
po nuk i kërkove
falje e ndjesë
Plepit të tharë
nga malli për njerëzit,
e ai me shushurimë heshtjeje
ndoshta, do na falë mëkatet,
se qebesa
as Dora e as Ora
nuk i dhanë kujdesin!
Eh,
njeriu i penës,
sa ke Vojsa e sa ke Çepuri,
Unit e Muzës
respekt borxhi
nga ai që din e mundet
se tevona
Jeta grumbullon
Koren e vet të Bereqetit
e Tymirëmbetç
veç Përjetësisë i thuhet!
Gjallë sa të jemi,
gjallëri, vetes i falim
me dorën dhe mendjen tonë!
Nderim vetes që të ta mbajnë ison
brezat
shpatieve mbi lugina!
23.04.2011
FATI
Nuk i dihet fatit,
ësht një fjalë e vjeter,
e kem nisur mirë
dhe mbaron shumë keq,
dhe mua të ngratit
më doli diq tjetër,
jeta pa dëshirë
na ndau veç e veç.
Tash, jemi të vuajtur,
jemi të përhitur,
ishim kapriqioz,
plot inatë ndaj vetes,
me ndjenja kem luajtur,
ah, se paskem ditur,
si lojë në bixhoz
ësht dhe fati i jetës.
S´pari duhet pri,
ai pastaj të ndjekë,
të jesh stoik
ndaj tallaseve t´kohës,
ngritesh përsëri,
barren e tepërt hjekë,
shpesh tragjikomik
në vallen e botës.
01.06.2006
URIMLUTJE E DREJTË
Na udhëzo o Zot,
n´Rrugën tënde t´drejtë,
siç na ke udhëzuar,
shekujve me radhë,
kemi Pashkët sot,
k´të Ringjallje t´shenjtë,
Kombi im, Gëzuar,
në Paqë k´të Ditë t´bardhë!
Kemi Festë YnëZot,
jemi të gëzuar,
kemi hapur zemrat,
kemi shtruar sofrat,
t´lutem, na e falë sot,
Buken e Bekuar,
ti fisnikërojmë ndjenjat,
ti rigjallërojmë Votrat!
Na beko o Zot,
jemi t´gjithë bijtë tu,
t´krishterë, muslimanë,
budistë e hindu,
dhe të lutem sot,
n´çdo vend e çdo ku,
Ty që Boten mbanë,
t´përulem nga këtu!
Jo, me vëllaun tim,
s´kam fare dallim,
ai të beson Ty
njësoj sikur unë,
mund të kem ndryshim,
veç n´interpretim,
t´bëj be n´kta dy sy,
është gjë e bukur shumë!
Me Bekimin tënd o Zot,
unë do bëj Urimin,
për motra e vëllëzër,
të mi të Krishterë,
jam si ata unë sot,
njësoj ndjej gëzimin,
i dua me zemër
dhe sot si gjithëherë!
Dhe, më ndje o Zot,
po ta thëm me shpirtë,
pasha Nënën Terezë
dhe katër Librat e Shenjtë,
sa jam i Krishterë sot,
aq dhe musliman i mirë,
se zemrën, mbanë ndezë,
Rruga Jote e Drejtë!
Ju uroj nga zemra,
ju uroj nga shpirti:
Urime dhe Gëzuar,
për gjithëjetë e mot,
mos iu ndaltë kurr kënga,
mirëqënia e gëzimi,
qofshi të Bekuar,
nga i Madhi Zot!!!
19.04.2011
ULQINI
Në një mbrëmje të ngrohtë Gushti,
rreth e rreth Kalasë i rashë,
nuk ka n´Botë si (Ulqini) Dulcinumi,
vetmevete t´madhe thashë.
Kulla e Balshajve mbi atë koder,
qindra vjet rrin karshi,
i bën hije Plazhit t´vogël,
ballë-përballë me qesëndi.
Valdanozi si n´përrallë
me nëmijë trupa ulliri,
në breg t´Detit zbret shkallë-shkallë,
zalli tijë në botë më i miri.
Prej Gryk´s t´Bunës, në Tivar,
Anamal, Shas e Shestan,
vend më t´bukur për beqarë,
në tërë botën gjetur s´kam.
29.11.2005
MËSUESIT MESHTAR
(mbi t´gjitha, Shqiptar)
- At Shtjefën Gjeçovit -
Imzot,
Madhështinë Njerëzore,
pash, kut as hapa,
të masin nuk munden.
Bëmave, sfidat e pengesat,
pritën s´ua zënë dot,
e pusitë e pabesa
në bumerang iu kthehen.
Ka diçka njerëzore
dhe mbinjerëzore,
gjykimit, rrugë i japë!
Po, a ka tingëllimë më të këndshme
se cicërima shqipe?!
Shqip mes vete,
shqip, zë jete,
shqip në kishë, në shkollë,
me njeriun si me Zotin,
meshë, kuvend, rregull, rend,
gjuha jote, gjuhë e Kombit!
Bud, Bogdan, Tahir Bej, Tarabolluz, …
At, një Rrugë, një Shkollë, Mësues,
o në Stubëll, o në Zym,
gjuhë për lutje, për shenjtërim,
si me shkrim e me këndim,
për pesë vaktet, gjuhë për meshë,
mbanë gjallë zemrat, Shpirtin peshë!
Po, pusia, ah, t´pa besët,
prapa shpine na qëllojnë,
as errësira, as mëngjeset,
nuk ta ndalën atë Mision!
As aty e as atje,
as këtu ashtu si dje,
Njeri i Zotit, Burrë i Kombit,
Djal i Lokes, Mësues i Popullit,
Martir Shkolle, Dëshmor Lirie,
n´sakrificë për dritë e dije,
n´Rrugë sublime, Shkolla ime,
n´Dardaninë e plagosur,
plaga ime, plaga jote,
n´teh ndërgjegjeje të k´saj Bote.
Në therror o Shenjtor,
fyt për fyt me terror,
ishim n´hall e ishim n´zor,
se erdh dreqi Revizor!
Rënia jote n´Fushë të Nderit,
pritave t´pista në pusi.
- Po kush vret Njeriun e Klerit?!
Ai gjak prishur e derëzi!
N´sakrificë, ashtu si Krishti,
në shërbim të Dritës s´Diellit,
pabesinë, shkjaut ia grishi,
At Gjeçov, Rrugës drejt Qiellit!!!

Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut

  Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve...