2012-02-24

Luaje macë kryt e buallit!!!!


Nëse arrihet kompromisi për përfaqësimin  me fusnotë dhe me Rezolutën 1244, Kosova e ka të sigurt se do të fitojë vetëm të drejtën që Komisioni Evropian t`i bëjë një studim fizibiliteti, studim sipas shembujve në rajon. Ratifikimi i SAA-së zgjat nga dy vjet deri në pesë. Prej arritjes së SAA-së deri në anëtarësim, Kroacisë, që është njohur nga të gjitha vendet e BE-së, i janë dashur 14 vjet. Sipas kësaj, Kosova mund të anëtarësohet në BE në vitin 2036, shkruan sot “Koha Ditore”.    

Baronesha Catherine Ashton dhe komisionari Stefan Fule nuk kanë mundur që të enjten t`ua jepnin kosovarëve një lajm që do të përdorej si ngushëllim pas kompromisit për heqjen e Republikës dhe përdorimin e fusnotës që i referohet Rezolutës 1244. Arsyeja se pse nuk është lëshuar komunikata e përbashkët është mosarritja e marrëveshjes për denominimin në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që po vazhdon në Bruksel.

Gjithsesi, në momentin që do të arrihet marrëveshja për denominimin, lajmi do të bëhet publik. 

Në këtë mënyrë, Kosova do të marrë një shpërblim të vogël për kompromisin e madh. 

Në komunikatë do të thuhet se “Komisioni Evropian ka për qëllim lansimin e studimit të fizibilitetit”. “Koha Ditore” ka parë ekskluzivisht konkluzionet e Këshillit të Evropës, për të cilat ende nuk janë pajtuar të gjitha shtetet anëtare, por të cilat janë drafti i qëndrimeve që pritet të dalë nga samiti i një dhe dy marsit. 

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ka për qëllim që BE-ja t`u mundësojë vendeve me të cilat arrihet marrëveshja të stabilizohen fillimisht e pastaj edhe të asociohen me vendet anëtare, por nuk është veprim për anëtarësim. Procesi i anëtarësimit në BE përbëhet të paktën nga nëntë veprime të ndryshme dhe fillon me aplikimin për t`u anëtarësuar. Asnjë nga veprimet e anëtarësimit nuk ka të bëjë me marrëveshjen për të cilën Kosova ka marrë të drejtën të studiohet nëse e meriton. 

Çka është SAA-ja 

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (shkurtesa SAA anglisht) është kontratë në mes të komuniteteve evropiane dhe shteteve të saja anëtare në njërën anë dhe një shteti të Ballkanit Perëndimor në anën tjetër. Kjo marrëveshje është qëllim i procesit të Stabilizim-Asocimit, që ishte lansuar vetëm për shtetet e Ballkanit Perëndimor (shtetet e ish-Jugosllavisë pa Slloveninë, por me Shqipërinë). Marrëveshja SAA rregullon raportet tregtare, politike dhe institucionale

Emri?

Kjo marrëveshje është e ngjashme me marrëveshjet e asociimit, të cilat BE-ja i ka lidhur më parë me shtetet e Evropës Lindore dhe ato Qendrore. Kësaj i është shtuar fjala „Stabilizim“, për të futur elementin e kushtëzimit për vendet e Ballkanit. Porosia ka qenë se ato vende duhet së pari të stabilizohen, pastaj të asociohen dhe më vonë edhe të shkojnë drejt anëtarësimit në BE. Elementet e kushtëzimit në Procesin e Stabilizim-Asociimit janë përmbushja e obligimeve ndërkombëtare (bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës) dhe bashkëpunimi rajonal. Përmbushja e obligimeve nga Marrëveshja SAA bëhet edhe kriter në procesin e anëtarësimit në BE.

Kush nënshkruan?

Marrëveshja SAA arrihet në mes të shteteve të BE-së dhe një shteti të rajonit të Ballkanit. Të gjitha shtetet në Marrëveshjen SAA në faqen e saj të parë shkruhen me emrin e tyre kushtetues (për shembull: Republika e Shqipërisë, Republika Federale e Gjermanisë, Mbretëria e Belgjikës). Marrëveshja duhet të nënshkruhet nga të gjitha shtetet kontraktuese (në rastin e Kosovës kjo do të thoshte 27 shtetet e sotme të BE-së në njërën anë dhe Republika e Kosovës në anën tjetër). Pas nënshkrimit Marrëveshjen do të duhej ta mbështeste edhe Parlamenti Evropian dhe ajo do të duhej të ratifikohej nga parlamentet e të gjitha shteteve anëtare. Pas kësaj ratifikimi do të përmbyllej dhe Marrëveshja do të botohej në Fletën Zyrtare të BE-së dhe do të hynte në fuqi.

Procedura?

Hapi i parë në procesin e Stabilizim- Asociimit është që Komisioni Evropian, me kërkesë të shteteve anëtare, të bëjë një „studim fizibiliteti për SAA“,  me të cilin do të vlerësohej se a është i gatshëm apo jo një shtet për të nisur negociatat për marrëveshje SAA.

Duhet pasur kujdes tek fjala „negociata“, sepse marrëveshja nuk arrihet përmes „dialogut“. Mund të bëjë dialog gjithkush dhe dialogu nuk duhet doemos të shpjerë deri tek ndonjë raport kontraktual. Negociatat mund të zhvillohen vetëm në mesin e palëve të barabarta, që në rastin konkret do të thoshte në mesin e shteteve të BE-së dhe një shteti tjetër. Në bazë të kornizave ligjore të BE-së, një marrëveshje e tillë nuk mund të arrihet në mes të BE-së dhe një “territori“ tjetër nëse ai territor nuk është i njohur si subjekt shtetëror nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Çka po bëhet me Kosovën në Procesin e Stabilizim-Asociimit?

Kosova joformalisht është përfshirë në Procesin e Stabilizim-Asociimit. Por formalisht Kosova nuk ka bërë as hapin e parë në këtë proces. Për arsye se me Kosovën BE-ja nuk mund të ketë raporte të mirëfillta kontraktuale, që nënkupton fuqinë e arritjes së traktateve, janë zbuluar „hibride juridike“ dhe Kosova, për të mos humbur kohë, është përfshirë në proces së pari përmes „mekanizmave përcjellës SAA“ dhe tash përmes „dialogut SAA“. Kjo i ndihmon Kosovës që të përgatitet, të përafrojë ligjet e saja me standardet e BE-së, por nuk mund të jetë zëvendësim për negociatat për Marrëveshjen SAA. 

Kohëzgjatja?

Negocimi i Marrëveshjes SAA  ka zgjatur prej 5 muaj në rastin e Kroacisë e deri në 3 vjet në rastin e Shqipërisë. Shpejtësia e arritjes së marrëveshjes së tillë varet nga kapacitetet e shtetit që asociohet me BE-në për të përmbushur detyrimet që dalin nga një marrëveshje e tillë.

Marrëveshjet si kompetencë evropiane?

Kosova mund të arrijë disa lloj marrëveshjesh me Komisionin Evropian edhe nëse nuk njihet si shtet. Kjo edhe ka qenë ideja e Marrëveshjes tregtare. Komisioni nga vendet anëtare merr të ashtuquajturat „kompetencat evropiane“ dhe negocion me Kosovën Marrëveshje tregtare. Më pas atë do ta nënshkruanin vetëm Komisioni dhe Kosova. Por kjo nuk do të mund të quhej edhe vendosje e raporteve kontraktuale e subjekteve ndërkombëtare.

Marrëveshja SAA me Serbinë nuk e përfshin Kosovën?

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit mes Republikës së Serbisë në njërën anë dhe komuniteteve evropiane dhe shteteve të saja anëtare në anën tjetër nuk e përfshin Kosovën. Kjo për shkak se Kosova që nga viti 2000 nga BE-ja trajtohet si një zonë e veçantë tregtare dhe doganore.

Procedura e anëtarësimit në BE 

Aplikacioni: Procedura formale e anëtarësimit të një shteti në BE është përmes dorëzimit formal të aplikacionit. Shteti që aspiron të anëtarësohet ia dorëzon këtë aplikacion vendit të BË-së, i cili e ka kryesimin e radhës. 

Kush ka të drejtë të aplikojë: Sipas nenit  të famshëm 49 të Traktatit të BE-së “secili shtet evropian i cili i respekton parimet nga artikulli 6 (liria, demokracia, respekti për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, sundimin e ligjit) mund të aplikojë për t’u anëtarësuar në Union. 

Pas aplikimit Këshilli, duke vepruar me unanimitet të të gjitha shteteve anëtare, kërkon nga Komisioni të nxjerrë një opinion rreth asaj se a i përmbush apo jo aplikuesi kushtet për t’u bërë me status kandidati dhe për të nisur negociatat e anëtarësimit. 

Komisioni Evropian e dorëzon pyetësorin dhe merr përgjigje nga shteti aplikues. Pastaj nxjerr një opinion. Kjo procedurë zgjat një vit. Në këtë fazë janë Shqipëria (për të cilën Komisioni Evropian ka nxjerrë mendim negativ dhe nuk ka sugjeruar dhënien e statusit të kandidatit) dhe Serbia (për të cilën Komisioni ka dhënë mendimin pozitiv dhe ka sugjeruar dhënien e statusit të kandidatit). Zbatimi i Marrëveshjes SAA është një ndër kriteret po ashtu. 

Në bazë të mendimit të Komisionit, por në mënyrë të pavarur, vendet anëtare të BE-së me unanimitet vendosin  t’ia japin apo jo statusin e kandidatit. Në rastin e Serbisë një vendim i tillë pritet javën që vjen. 

Pas dhënies së statusit të kandidatit, Këshilli, sipas propozimit të Komisionit, vendos për të caktuar datën për nisjen e negociatave të anëtarësimit me vendin kandidat. Në këtë fazë është Mali i Zi, të cilit i është caktuar muaji qershor, por me kusht që të nisë negociatat e anëtarësimit. 

Negociatat e anëtarësimit nisin me procesin e screeningut, ku Komisioni Evropian, në secilin prej 35 kapitujve, bën një studim të tërthortë të gjendjes në resorë të ndryshëm të vendit kandidat dhe për secilin kapitull nxjerr një raport. 

Një nga një secili kapitull hapet për negociata vetëm pasi të konstatohet se vendi anëtar i ka përmbushur të gjitha kushtet për hapjen, dhe me këtë pajtohen të gjitha shtetet anëtare. Kur të hapen negociatat, për ndonjërin kapitull caktohen kriteret për mbylljen e tyre. Kur të përmbushen kriteret, kapitujt mbyllen një nga një. Secili shtet anëtar ka së paku 72 raste të bllokojë secilin hap në procesin e negociatave të zgjerimit me një vend kandidat.   

Kur të mbyllen të gjithë 35 kapitujt, atëherë përmbyllet formalisht edhe procesi i negociatave të anëtarësimit. Edhe me këtë duhet të pajtohet Parlamenti Evropian dhe të japë mendimin Komisioni Evropian. Pas kësaj shkruhet Traktati i Anëtarësimit. Pastaj ai përkthehet në të gjitha gjuhët zyrtare të BE-së dhe në gjuhën e shtetit, i cili ka negociuar anëtarësimin. Ai tekst më pas nënshkruhet. Kroacia është tash në këtë fazë. 

Pas nënshkrimit, Traktati duhet të ratifikohet nga parlamentet e të gjitha vendeve anëtare të BE-së dhe nga parlamenti i vendit i cili hyn në BE. Instrumentet e ratifikimit i dorëzohen Qeverisë së Italisë në Romë si ruajtëse të traktateve evropiane. Pas kësaj një vend hyn në BE. 


Agron Bajrami: Me fusnotën, Thaçi e Tahiri ranë në gropën që e hapën vetë

Publiku në Kosovë është pothuajse i bashkuar kundër fusnotës që parashihet krahas emrit të Kosovës në takimet rajonale, e posaçërisht kundër përmendjes së Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kështu ka deklaruar për gazetën beogradase ‘Danas” Agron Bajrami, kryeredaktor i “Kohës Ditore”.

“Kjo është pasojë edhe e faktit që Qeveria e Kosovës, kryeministri Thaçi dhe Edita tahiri, fillimisht ishin ‘vendosmërisht’ kundër përmendjes së Rezolutës 1244, ndërsa tani ranë në gropën që e hapën vetë”, ka thënë Bajrami për “Danas”.

Sipas tij, Bashkimi Evropian bën presion që të arrihet marrëveshja, “por nuk jam i sigurt se sa është ai presion që të arrihet pajtim për ndonjë formulim të caktuar të fusnotës”.

“Për BE-në tani është shumë më e rëndësishme që Serbisë t’i sigurohet statusi i kandidatit, dhe kjo është arsyeja pse kjo marrëveshje është e nevojshme. Por, kjo nuk është e tëra, sepse duhet parë se çka do të ndodhë me kushtet tjera nga dhjetori. Presioni bëhet edhe ndaj Beogradit, sepse nuk qëndron gjithçka vetëm në pajtimin rreth përfaqësimit rajonal të Kosovës dhe nuk është i tërë problemi vetëm në fusnotë”, ka theksuar Bajrami për “Danas”.

Sipas tij, Washingtoni përpiqet t’i ndihmojë BE-së, duke mos e prishur atë që është arritur në Kosovë. “Llogaritet se pajtimi i Beogradit me një formulë të paraqitjes së Kosovës në takimet rajonale do të ishte i mjaftueshëm që edhe pesë anëtarët e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën të pranojnë që ajo formulë të përdoret edhe në raportet e Kosovës me BE-në”, ka thënë Bajrami.

Ai konsideron se një zhvillim i tillë i ngjarjeve është diç që edhe SHBA-ja e sheh si hap përpara për Kosovën, sepse konsideron se do të zhbllokoheshin disa procese të Prishtinës në raport me rajonin dhe BE-në.

“Por, personalisht mendoj se kjo është shumë pak për Kosovën dhe se, nëse do të duhej të pranojmë ndonjë fusnotë, atëherë ose ajo fusnotë do të duhej të qëndrojë nën emrat e të dy vendeve, edhe Kosovës edhe Serbisë, pse që me atë fusnotë të sigurohet pajtimi i Serbisë që të zhbllokojë rrugën e Kosovës në drejtim të të gjitha organizatave ndërkombëtare”, ka thënë Bajrami për “Danas”. 

Do të shkoj në Kullën e Jasharajve, thotë Hashim Thaçi



Në emisionin “Rubikon” kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se çdo kush ka të drejtë të kritikojë situatën në Kosovë dhe në plan i ka dhënë të drejtë edhe Murat Jasharit i cili kohë më parë kishte theksuar se “kjo nuk është Kosova për të cilën është sakrifikuar” duke shtuar se kulla e Jasharajve është e mbyllur për Hashim Thaçin dhe për Sami Lushtakun
Pasi e ka cilësuar familjen e Jasharajve si familje jopartiake por të të gjithëve në Kosovë, ai ka thënë është rritur me familjen Jasharaj dhe se ka shkuar dh do të shkojë në Kullën Jasharajve në Prekaz.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell: Edhe LDK antiamerikane dhe antievropiane


Ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se pajtimi më mënyrën e përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale është në favor të Kosovës, ndërsa kritikoi ashpër kundërshtarët e saj. Ai madje ka akuzuar partinë më të madhe opozitare në vend, Lidhjen Demokratike të Kosovës, se është radhitur në krahun e partive “antievropiane dhe antiamerikane”, për kundërshtimin që i ka bërë kjo parti marrëveshjes për mënyrën e përfaqësimit të Kosovës...
Ambasadori Dell ripërsëriti Shtetet e Bashkuara nuk do të kërkojnë kurrë nga Kosova që të bëjë diçka që do të dëmtojë sovranitetin e saj, pavarësinë apo tërësinë e saj tokësore.
Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, Kosova po hyn në një periudhe të re të përfaqësimit rajonal me një shënim të veçantë gjë që ka nxitur shumë reagime. Si e shihni ju këtë proces?
Dell: Mendoj se në pikëpamje afatgjate, shënimi (fusnota) do të jetë e tillë në histori. Me fjalë të tjera, nuk është çështja kryesore, është e parëndësishme. Çështja e rëndësishme është se Kosova do të jetë anëtare e organizatave, do ta përfaqësojë vetveten me të drejtën e saj dhe përfaqësuesit e popullit të Kosovës, do të jenë të pranishëm në të gjitha forumet rajonale duke u përkujdesur për interesat e vendit. Rruga nëpër të cilën vendi krijon dhe ndërton sovranitetin nuk është nëpërmjet simboleve.
Sigurisht, flamujt janë të mirë, janë të rëndësishëm, na identifikojnë, por sovraniteti i vërtetë bëhet nëpërmjet ushtrimit të tij. Kjo është ajo që Kosova ka përfituar nëpërmjet kësaj marrëveshjeje. Për më shumë, natyrisht, kjo vendosë themelet për një marrëdhënie më të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. E di se shume skeptikë, shumë të ashtuquajtur intelektualë dhe analistë mendojnë se kjo e kurthon Kosovën në njëfarë getoje në të ardhmen. Ata e kanë shumë gabim.
Ajo që do të ndodhë është se kjo do të hap rrugën e ardhmërisë evropiane të Kosovës, për liberalizimin e vizave, për marrëdhëniet tregtare dhe mbase edhe për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Ju e filluat duke thënë se kjo është marrëveshje historike dhe unë pajtohem. Mendoj se është historike dhe mendoj se i gjithë debati mbi simbolet dhe fusnotat do të shihen në afat më të gjatë si fusnota në rrëfimin kryesor.
Zëri i Amerikës: Por, ambasador, liberalizimi i vizave dhe marrëdhëniet tregtare me BE-në janë përmendur edhe para këtij kompromisi. Çfarë fiton konkretisht Kosova në shkëmbim të këtij kompromisi?
Dell: Pikëpamja ime është se nëse Bashkimi Evropian, unë nuk i përfaqësojë vendet e BE-së dhe nuk pretendojë të flas në emër të tyre, por nëse Kosovës i është ofruar studimi i fizibilitetit që çon drejt marrëveshjes për stabilizim – asociim, mendoj se keni lëvizur konkretisht në rrugën evropiane për të paktën pesë vjet më shpejt nga sa do të ishit në rrugë të tjera.
Nëse e marrim udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave brenda disa javësh, jam i sigurt se do të ecni përpara për të paktën 12 deri në 18 muaj me shpejt sesa që do të përparonit në të kundërtën. Mendoj se këto janë arritje të vërteta.
Plus, ju keni fituar të drejtën ta lini UNMIK-un jashtë kur shkoni në takimet rajonale ku flisni për veten duke mbrojtur interesin tuaj dhe duke u përkujdesur për interesin tuaj. Nuk vareni më nga ndonjë burokrat i errët rus, i cili do të mund të ishte atje duke përfaqësuar vendin tuaj.
Zëri i Amerikës: Por, kritikët thonë se Kosova do të vihet në kurth, do të ngecë duke marrë si shembull Maqedoninë e cila ka ngecur për shkak të shënimit me Greqinë, ndonëse ato nuk kanë telashe territoriale siç ka Kosova me Serbinë?
Dell: Dhe për shkak se Maqedonia i ka kushtuar më shumë rëndësi simboleve sesa aspektit praktik, ka ngecur. Kritikët kanë të drejtë, por për arsye të gabuara, sepse ata e kanë bërë simbolizmin çështje para se ta vënë thelbin. Maqedonia e ka vënë veten në një qoshe prej nga nuk di si të dalë. Nëse Maqedonia nuk do të varej pas çështjes së emrit, sot do të ishte anëtare e NATO-s dhe këtë e dimë të gjithë nga periudha e takimit të NATO-s në Bukuresht disa vjet me parë.
Ky është mësim që duhet të merret parasysh nga kritikët. Ju duhet të ecni thelbësisht përpara dhe jo të lini vetveten të rrëmbeheni nga simbolet. Kjo është ajo që mendoj se Lidhja Demokratike e Kosovës po bën gabim historik si parti.
Kjo është parti, që në kohën kur drejtohej nga dr. Rugova, ishte pjesë e plotë e të gjitha proceseve që ndihmuan Kosovën të fitojë pavarësinë, përfshirë negociatat në Vjenë dhe pranimin e planit të Ahtisaarit. Ajo çka shohim sot është një prapakthim, ku Lidhja Demokratike po e radhitë, për fat të keq, vetveten me partitë që janë antiamerikane dhe antievropiane.
Nuk di si ta shpjegoj këtë, përveç që kryetari Mustafa është këshilluar shumë keq nga ish ministri i jashtëm, i cili duket se mendon që duke lënë çështjen e simboleve të ngadhënjejë..., ai di më mirë, ai e di se kjo është një lojë politike për t’i shërbyer partisë si parti në opozitë, sesa të bëhen përpjekje serioze për të punuar për interesat e vendit në tërësi.
Zëri i Amerikës: Por, zoti ambasador, zoti Mustafa, LDK-ja dhe kundërshtarët tjerë janë të shqetësuar se ky kompromis do të dëmtojë shtetësinë e Kosovës?
Dell: Sërish po e them, mendoj se e kanë gabim. Thjeshtë dhe qartazi e kanë gabim. Shtetësia e Kosovës forcohet nëpërmjet ushtrimit të shtetësisë. Ai nuk ushtrohet duke u mbështjellë me flamur e duke thënë unë jam Kosova, jam i lirë. Jo. Ju e fitoni shtetësinë duke punuar për të. Ju e fitoni shtetin duke e ndërtuar atë. Ju e fitoni vendin në komunitetin ndërkombëtarë duke punuar për të dhe duke punuar me të tjerët. Jo duke qëndruar ulur në shtëpi, duke pirë kafe në ndërtesën e Parlamentit dhe duke folur për simbole dhe formula të pakuptimta.
Kemi parë komente të mira nga analistë ndërkombëtarë të cilët vërejnë se për arsye krejt praktike, Rezoluta 1244 është e vdekur. Ajo është në libra, sepse vende të caktuara që kanë të drejtë vetoje në Kombet e Bashkuara, nuk duan të lejojnë largimin e saj nga librat. Por, në pikëpamje praktike, nuk ka kuptim. Dhe këtu qëndron rëndësia e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të para një viti e gjysmë, se pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me rezolutën 1244, që nuk ka asgjë të paligjshme në pavarësinë e Kosovës.
Kuptimi i saj është se, rezoluta 1244 nuk ka më vlerë. Kjo është në pikëpamjen e të gjitha vendeve që e kanë njohur Kosovën, të cilat përfaqësojnë nëse jo shumicën e vendeve në botë, atëherë shumicën e demokracive liberale me të cilat Kosova dëshiron të identifikohet.
Zëri i Amerikës: Thatë se LDK po tingëllon si parti antiamerikane dhe antievropiane. Për kë e keni fjalën...?
Dell: Të gjithë i dimë partitë që kanë ngrirë qëndrimet kundër rrugës evropiane të Kosovës. Kundër marrëdhënieve më të mira me Serbinë, kundër përmirësimit të mundësive për bujqit dhe afaristët e Kosovës. Kush shikon prapa në të kaluarën e mitizuar për dominimin shqiptarë të ardhmërisë, që është më shumë ardhmëri e izolimit sesa e integrimit evropian.
Mendoj se e dimë se për kë po flasim dhe gabimi më i madh i LDK-së është që të identifikohet me sentimente të tilla duke mbështetur, për shembull rezoluta në Parlament apo duke kritikuar qeverinë, që po bënë gjithë çfarë mundet për të çuar Kosovën përpara në rrugën evropiane.
Zëri i Amerikës: A është ky kompromis hap për të ndihmuar Serbinë që të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe për të ndihmuar presidentin serb Boris Tadic, që të fitojë zgjedhjet? A është kjo fatura që po e paguan Kosova?
Dell: Nuk shoh se si paguan Kosova ndonjë faturë. Ju e dini më mirë se kushdo, se duke pasur një Serbi antidemokratike e nacionaliste nuk është e shëndetshme për Kosovën, nuk është e shëndetshme për rajonin. Ne të gjithë e kuptojmë se integrimi i Serbisë në strukturat evropiane është gjë e mirë, jo vetëm Serbinë, por për të gjithë që jetojnë në këtë fqinjësi. Për më tepër, jam i bindur se shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, tashmë e kanë ndarë mendjen që Serbisë t’i jepet statusi i kandidatit. Kosova nuk po paguan faturë.
Ajo po përfiton diçka shumë të rëndësishme nga kjo. Nëse Serbia është e kënaqur me rezolutën 1244, që disi paska rëndësi të madhe, në rregull. Le t’i lëmë që të besojnë në këtë. E rëndësishme është se do të përfaqësoni veten, statusi juaj si partner i barabartë është njohur dhe siç thashë më herët, mendoj se kjo e ka çuar jashtëzakonisht përpara rrugën tuaj evropiane. Kjo madje as që ishte diskutuar dhjetë ditë më parë.
Fakti se mundtë ecni përpara me stabilizim asocimin, me marrëdhëniet tregtare e kontraktuale, me liberalizimin e vizave, duke u bërë anëtar i BERZH-it. Këto janë arritje të mëdha në diç më shumë se një javë. Tani po shohim një ndryshim të vërtetë të qasjes së vendeve të Bashkimit Evropian. Ju nuk po paguani faturë. Ju po merrni diçka në shkëmbim të demonstrimit të përkushtimit ndaj vlerave dhe standardeve evropiane dhe vullnetit për të qenë anëtar konstruktiv i familjes evropiane.
Zëri i Amerikës: A do të qëndrojnë SHBA-të në mbështetje të Kosovës në këto zhvillime?
Dell: Natyrisht. Nuk duhet të më intervistoni që të jeni të sigurt për këtë. Hiq më pak, por vet sekretarja Clinton, i tha kryeministrit në një bisedë telefonike dhe këtë e lexova sot në mëngjes në telegramin nga Washingtoni, se Shtetet e Bashkuara nuk do të kërkojnë kurrë nga Kosova që të bëjë diçka që do të dëmtojë sovranitetin e saj, pavarësinë apo tërësinë e saj tokësore.
Ne kemi qenë miqtë tuaj, kemi qenë më ju para luftës, gjatë luftës dhe gjatë pavarësimit. Nuk duhet të shpenzoj shumë kohë për të bindur popullin e Kosovës se Amerika është miku i tyre dhe që gjithmonë do të jemi në anën tuaj, do të jemi në krah duke u përkujdesur për interesin tuaj. Nuk ka asnjë arsye për të dyshuar në këtë apo se kjo do të ndryshojë.

Glauk Konjufca: Dell nuk është më ambasador


Konjufca: Dell nuk është më ambasador

Glauk  Konjufca: Dell ka fyer 250 mijë qytetarë
Lëvizja Vetëvendosje ka pranuar dështimin e iniciativën e saj për mocion në Kuvendin e Kosovës, por jo me fajin e saj. Glauk Konjufca ka konfirmuar se LDK dhe AAK nuk kanë shprehur vullnet dhe gatishmëri të bashkëpunojnë në këtë fazë.
"Nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesës tonë. Kemi dëgjuar se faktori ndërkombëtar ua ka ngre veshët këtyre partive. Tek ne kjo nuk funksionon" ka thënë Konjufca për emisionin Interaktiv.
Megjithatë seanca e jashtëzakonshme ende mbetet në tavolinë. Ai është marrë edhe me deklaratat e ambasadorit Dell përkitazi me kritikat se ka parti antiamerikane dhe antievropiane.
"Christopher Dell e ka bratiksur moti rolin e ambasadorit. Ai është bërë kritikues i kundërshtarëve të kryeministrit Hashim Thaçi. kjo është e dëmshme për demokraci. Me këtë logjikë tani nuk bën të kritikohet qeveria për papunësinë se jemi antiamerikanë. Me këtë Dell ka fyer rreth 250 mijë qytetarëve që i votojnë këto parti" ka thënë Konjufca

Arrihet marrëveshja, Kosova do të paraqitet me Rezolutën 1244


Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, njoftohet nga Brukseli, kanë arritur marrëveshje për përfaqësimin rajonal të Kosovës si dhe rreth menaxhimit të integruar të kufijve. Agjencia serbe e lajmeve Tanjug përmend vetëm Rezolutën 1244 dhe Mendimin e GJND-së, si elemente të marrëveshjes.
Nuk është pranuar kërkesa në fusnotë nën emrin e Kosovës të jetë shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri i Kosovës një natë më parë deklaroi se nuk do të ketë marrëveshje pa përmendjen edhe të Deklaratës Kushtetuese.


Arrihet marrëveshja në Bruksel
Burime të mediave thonë se pak çaste më parë, Prishtina dhe Beogradi janë pajtuar për formulën me të cilën do të përfaqësohet Kosova në nismat rajonale, por ende nuk janë bërë publike hollësitë, se si është bërë renditja e shënimeve në fusnotë dhe a është përfshirë aty edhe Deklarata e Pavarësisë. Shumë shpejt pritet edhe konfirmimi i saj nga zyrtarët qeveritarë dhe ata të BE-së.
S’ ka marrëveshje, bisedimet vazhdojnë nesër?
Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit kanë vazhduar edhe në orët e vona të së enjtes. Burimet e Bashkimit Evropian thonë se ka shumë gjasa që ato të vazhdojnë edhe të premten, kur do të shënohej dita e tretë e këtij raundi.
Ndonëse flitet për atmosferë të mirë në tryezë, nuk ka njoftim zyrtar se palët janë në prag të marrëveshjeve.
Siç është raportuar edhe më herët, Prishtina dhe Beogradi po diskutojnë për bashkëpunimin rajonal dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash.
Ky raund i dialogut vjen pas disa muajsh ndërprerje, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale. Autoritetet kosovare kanë këmbëngulur në përfaqësimin e tyre si shtet, përderisa ato serbe kanë insistuar në Rezolutën 1244 të OKB-së.
Ditë më parë, Qeveria e Kosovës është pajtuar që poshtë emrit të Kosovës në forumet rajonale të figurojë fusnota që përfshin edhe 1244-shin.
Marrëveshja e fundit në mes të palëve është ajo për menaxhimin e integruar të kufirit, e arritur në fund të vitit të kaluar, përkatësisht në raundin e tetë të bisedimeve.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...