2013-03-12

"Eposi i Kreshnikeve" gati per UNESCO, kulture ne rrezik


Izaura Ndoj

Dosja "Eposi i Kreshnikeve", me ne fund ka gjetur mbeshtetjen e specialisteve qe kane bere te mundur perfundimin e saj. Dosja e cila do te kandidoje ne UNESCO si kulture ne rrezik zhdukjeje ka gjetur miratimin e planeve te aktiviteteve. Eposi legjendar i Kreshnikeve, i perbere nga kenge te ndryshme epike, ku kenget kryesisht shoqerohen me lahute, eshte nje nga kryeveprat e trashegimise shpirterore qe eshte nominuar ne rrezik nga Komiteti i Trashegimise Shpirterore, ka theksuar Drejtori i Trashegimise Kulturore ne MTKRS, Olsi Lafe. Keshtu qe, pas mjaft diskutimesh dhe nje kohe te gjate pritjeje, plani i aktiviteteve qe do te mbahen per te mbajtur gjalle traditen e Eposit te Kreshnikeve, si nje trashegimi kulturore kombetare, qe tenton te futet edhe ne listen e trashegimive kulturore te UNESCO-s ka gjetur rrugen e duhur. Grupi i shqyrtimit te dosjes se Eposit te Kreshnikeve ka miratuar pas mbledhjes se fundit ne Ministrine e Kultures strategjine qe do te ndiqet per aktivitetet dhe plotesimin e dokumentacionit perkates te dosjes se Eposit. Nderkohe, grupi i shqyrtimit te dosjes se Eposit te Kreshnikeve, sipas drejtorit te Trashegimise Kulturore Olsi Lafe, ka shperndare punet ne institucionet qe do te merren me kompletimin e dosjeve. Ky grup pune ka vendosur dhe disa afate kohore, ku brenda nentorit cdo gje te jete gati per UNESCO, dhe ka bere nje marreveshje me Arkivin Qendror te Filmit per te bere te mundur realizimin e nje dokumentari ku ne fokus te jene traditat e Eposit te Kreshnikeve. Sipas grupit te punes dosja do te plotesohet brenda afatit te percaktuar, qe eshte shkurti i vitit 2012. Per te mbajtur gjalle Eposin i gjithe grupi i punes ka hedhur ide dhe eshte fokusuar edhe ne programet shtese qe do te futen ne tekstet shkollore, ne menyre qe nxenesit shqiptare te njihen me kete trashegimi kulturore shpirterore, qe duhet mbajtur gjalle sic eshte Eposi i Kreshnikeve por edhe dialekti gegerisht.

Grupi i punes

Prej disa muajsh ne MTKRS eshte ngritur grupi i punes qe do te pergatis perfundimisht dosjen mbi "Eposin e Kreshnikeve" ne UNESCO. Pas disa pezullimesh gjate muajve te kaluar grupi i punes perfundimisht po punon per te perfunduar kete dosje ne rrezik. Grupi i punes perbehet nga specialistet me te mire te kesaj fushe: studiuesi Zymer Neziri nga Kosova, studiuesi Shaban Sinani, Agron Xhangolli dhe Gjovalin Shkurtaj si perfaqesues te Qendres se Studimeve Albanologjike, Olsi Lafe si drejtor i Drejtorise se Trashegimise Kulturore ne MTKRS dhe Esat Ruka, si drejtori i Qendres Kombetare te Veprimtarive Folklorike.

Eposi i Kreshnikeve

Eposi i Kreshnikeve (ose Cikli i kreshnikeve) eshte nje epos legjendar i perbere nga kenge te ndryshme epike, ku kenget kryesisht shoqerohen me lahute. Zonat ku eposi kendohet jane te shumta ne Shqiperine e sotme. Mendohet se ai eshte i pranishem ne zonat si Malesia e Madhe, Dukagjin, Has e shume rrethe te tjera. Pervec territorit te Shqiperise, cikli kendohet edhe ne zonat e Kosoves, si Peje, Gjakove, Prizren, Decan, Rahovec e te tjere. Ne qender te ketij eposi, qendrojne dy vellezerit Muji dhe Halili. Ne epos tregohen historite e te dy vellezerve, si edhe ka edhe nje kenge ku perfshihet vajtimi i Ajkunes per birin e saj Omerin (aktualisht kenga "Ajkuna qan Omerin" ose e njohur ndryshe edhe si "Vaji i Ajkunes").

Zymer Neziri, «Këngë të kreshnikëve», Shtëpia botuese “Libri Shkollor”, Prishtinë, 2010 (ribotim), 272 f.


Zymer Neziri, «Këngë të kreshnikëve», Shtëpia botuese “Libri Shkollor”, Prishtinë, 2010 (ribotim), 272 f.

Shkruan: Begzad Baliu
Ndonëse poezia epike gojore është njëra prej gjinive më të moçme dhe më të pasura të letërsisë gojore shqiptare në përgjithësi, lloji epik i këngëve të kreshnikëve nuk mund të thuhet se ka pasur pasqyrim të dendur në studimet shqiptare. Kjo mund të thuhet për shumë arsye. Në kulturën shqiptare kënga kreshnike paraqet njërën prej shtresave të rëndësishme etnokulturore të popullit shqiptar. Këtij fondi të pasur, i cili vazhdon të pasurohet edhe më tej, falë gjallërisë së tij të mëtejshme në shumë zona, të Shqipërisë dhe Kosovës veriperëndimore, ende nuk i është dhënë vendi i merituar në studimet tona, ndryshe nga përkushtimi që kanë për epikën e tyre gjermanët, francezët, finlandezët dhe më në fund sllavët, pavarësisht prej dyshimit që kanë këta të fundit për shtratin e epikës së tyre. Njëri prej fondeve tona, i njohur si «Visaret e kombit» të këngëve kreshnike ndërmjet dy luftërave botërore, i cili bashkëjeton edhe më tej brenda një fondi të madh, sikur thuhet, të epikës sllave në Universitetin e Harvardit, vetëm vitin e fundit është vlerësuar me një hulumtim fillestar të autorit të këtij libri që po e paraqesim, i cili kohë më parë ka bërë edhe pasqyrën e plotë të epikës shqiptare brenda të këtij fondi, shpesh të përfolur deri në shkallë të letërsisë artistike. Fondi tjetër i gjysmës së parë të shekullit XX, i njohur si “Visaret e Kombit” ende nuk ka përjetuar një ribotim të plotë, ndërsa fondet e mëdha të mbledhura në gjysmën e dytë të shekullit XX (Fondi i epikës, i mbledhur nga brezi i Zihni Sakos; Fondi i epikës, i mbledhur dhe i studiuar nga Qemal Haxhihasani; si dhe Fondi i epikës, i mbledhur dhe i studiuar nga Zymer Neziri) ende nuk e kanë parë dritën as për së afërmi. Ndonëse e sulmuar, e vënë në dyshim dhe madje e përvetësuar nga shkenca sllave, epika shqiptare ende nuk është bërë objekt shterues i një monografie të plotë vendëse, pavarësisht se një numër studimesh të botuara sidomos në serinë Çështje të folklorit shqiptar (në shtatë vëllime) kanë bërë shumë sprova për të dhënë përgjigje për fenomene dhe dukuri të rëndësishme të kësaj gjinie, si në plan të brendshëm ashtu edhe në aspektin krahasimtar etj. 

Përtej gjithë kësaj, për epikën legjendare të ciklit të kreshnikëve, më shumë se 100 vjet pas fillimit të botimit(fragment) të saj nga themeluesi i albanologjisë shkencore Gustav Majeri(1897) dhe pak më pak se njëqind vjet pas botimit të saj nga një shqiptar – Gaspër Jakova –Merturi (1904), ende nuk kishim një antologji, e cila në përmasa më të gjera apo më të rrudhura do të jepte një pasqyrë të plotë të zhvillimit historik të saj, të shtrirjes së saj gjeografike në trojet etnike shqiptare, të gjurmimit, të vjeljes dhe të studimit të saj, të pasurisë gjuhësore (leksikore, onomastike, gramatikore etj.) të pasurisë letrare artistike, të trashëgimisë etnografike e historike etj. 

Në Shqipëri, pavarësisht prej disa blejve të botuar pjesërisht edhe me lëndë epike, kjo nuk bëhej, sigurisht për shkak se ende nuk ishte arritur të kryhej projekti i madh i botimit të letërsisë popullore shqiptare (prej epikës e deri tek lojërat për fëmijë). Në Kosovë, ndërkaq, ndonëse e pandaluar me vendime të veçanta shtetërore, kjo gjini letrare nga institucionet shtetërore shikohej me dyshim dhe vlerësohej si lëndë e rrezikshme për shumë shkaqe kulturore, historike dhe sidomos politike, prandaj këngëtarët, hulumtuesit, mbledhësit dhe sidomos studiuesit e saj, mund të kishin pasoja nga administrata shtetërore. Më në fund, këto pasoja i ka bartur edhe autori i këtij vëllimi, i një vëllimi nga Epika legjendare e Rugovës (V) dhe i një numri të konsiderueshëm studimesh për epikën legjendare e historike dhe për etnografinë e zonave që ishin dhe janë bartëse të kësaj gjinie letrare, me përkushtim të veçantë krahinën e Rugovës. 

Vetëm në vitin 1999, njërit prej epikologëve më të përkushtuar në studimet shqiptare, dr. Zymer Nezirit (bashkëpunëtor i lartë shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës), i shkoi për dorë të përgatisë një antologji të këngës kreshnike, e cila e plotësuar u ribotua edhe njëherë më 2001. Zgjedhja e autorit për përgatitjen e kësaj antologjie do të mund të lavdërohej jo vetëm për përgatitjen profesionale të tij, por edhe për përkushtimin material e shpirtëror të tij ndaj lëndës. Nuk ka dyshim se autori i saj është ndër njohësit e mirë të botës materiale dhe shpirtërore të bartësve të epikës shqiptare, prej gjirit të së cilës rrjedh edhe vetë. 

Ndonëse është një antologji e përgatitur për nevoja të gjimnazistëve, ajo në një masë të mirë sjell dhe ndriçon disa nga elementet historike, gjeografike, letrare artistike dhe gjuhësore të këngëve kreshnike. 

Antologjinë e përbëjnë tri tërësi: parathënia e autorit, një hyrje, e shkruar nga Zihni Sako dhe Qemal Haxhihasani, pjesa qendrore e antologjisë, ku janë botuar tridhjetë këngë dhe një antologji e zgjedhur mendimesh të studiuesve dhe njohësve të shquar të kësaj fushe. Ajo hapet me një parathënie të autorit, në të cilën shënon jo vetëm konceptet, parimet dhe modelin, që i ka shërbyer për përgatitjen e kësaj antologjie, por sikur ka sjellë edhe një sintezë të përgjithshme të dijes së sotme për përbërësit e epikës legjendare në përgjithësi. 

Prej parathënies së kësaj antologjie të parë të këngës kreshnike kuptojmë jo vetëm parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar ajo, por edhe për ndikimin e përbërësve historikë, gjeografikë e artistikë të këngës kreshnike në modelin e ndërtimit të saj. Ndryshe, nuk ka se si të shpjegohet fakti se antologjia është ndërtuar nga tridhjetë këngët më të bukura nga rreth gjysmë milioni vargjesh sa besohet se janë mbledhur nga ky lloj i epikës. Ndonëse është bërë një përpjekje serioze dhe e përkushtuar, e dhëna se nga epika shqiptare janë të vjela rreth gjysmë milioni vargjesh, na jep të kuptojmë se para autorit të saj shtrohet kërkesa e përgatitjes së një antologjie më të gjerë, e kjo dmth. më të plotë, për përfshirjen e vlerave më të veçanta të kësaj gjinie në letërsinë tonë. Sikur thekson edhe autori, në përgatitjen e antologjisë është nisur nga parimi i vazhdimësisë historike dhe asaj të shtrirjes gjeografike. Është e kuptueshme prandaj pse në këtë antologji gjenden tridhjetë këngë, të mbledhura apo të botuara nga viti 1897 e deri në vitin 1997 nga: Donat Kurti, Barnardin Palaj, Rrustem Berisha, Qemal Haxhihasani, Anton Çetta, Zymer Neziri, Nimon Alimusaj, Ismail Doda, Adem Boroci, Jahir Ahmeti, Halil Mujaj, Tefik Buzoku, Shazim Adili e Fazli Hajrizi; dhe nga albanologë të huajë, si: Gustav Majeri e Maksimilian Lamberci; dhe është po kaq e kuptueshme pse brenda kësaj antologjie kanë gjetur vend tridhjetë këngë të tridhjetë krahinave e krahinëzave të ndryshme, ku historikisht është kënduar dhe këndohet kënga kreshnike: Nikaj, Shalë, Rugovë, Mërtur, Llapushë, Grudë, Llap, Krajë, Pukë, Tropojë, Shosh, Kelmend, Kastrat, Dibër, Gallap, Kërçovë, Drenicë, Bregu i Matës etj., ndërsa në këngë këndohen tridhjetë kreshnikë: Muja, Sokole Halili, Gjergj Elez Alia, Musa Qesexhi, Mehmet Bajraktari, Ali Bajraktari, Arapi i Zi, Arnaut Osmani, Bardhja e Bardhë, Bani Zadrilia, Tale Budalina, Çika e Kreshte Kapidanit, Dezdar Osman Aga, Dylberja e Bardhë, Fatimja, Gjure Kapedani, Kraleviq Marku, Milloshi i Grebenit, Motra e Gjergj Elez Alisë, Pasha i Vidimit, Zana Zullumçare etj., dhe një varg heronjsh legjendarë, si të krahinave ku këndohen ato këngë ashtu edhe të krahinave fqinje apo edhe të vendeve e të etnive të largëta, nga tridhjetë këngëtarë, përkatësisht lahutarë të dy shekujve të fundit XIX-XX: Mhill Prêka, Shaban Groshi, Haxhi Meta-Nilaj, Sefë Gashi, Zef Tisha, Hysen Alimusaj, Riza Bllaca, Mirash Gjoni, Sokol Avdiaj-Bruçaj, Sadik Mehmeti, Lan Nure Bardhi, Gjon Pali, Osman Arifi, Rexhep Ukshini, Mirash Ndou, Tomë Sokoli, Dedë Nikollë Loshi, Palok Ujka, Cenë Jahë Latifi, Ejup Gërbeshi, Merteza Bajrami, Halim Dauti, Ndue Lulashi, Nezir Keqa dhe katër anonimë. 

Sikur mund të shihet, nga fjala hyrëse e autorit dhe nga këngët e zgjedhura për antologji, në zgjedhjen e tyre autori është nisur edhe nga përbërësit më antologjikë të këtyre këngëve. Fala është për motivet kryesore të tyre, sikur janë: “fuqia fizike e kreshnikut dhe zanave, martesat dhe pengesat, mbrojtja e nderit të familjes, mbrojtja e nderit të krahinës etj.”(5) Përtej një modeli thjesht historiko-letrar, që gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, ka qenë i zakonshëm në përpilimin e antologjive letrare, autori ka shtuar edhe elemente të strukturës së brendshme të vetë këngëve, prandaj edhe antologjia si e tillë del mjaft origjinale. 

Ndonëse i shkruar shumë vjet më parë dhe për nevoja të tjera, studimi i Zihni Sakos dhe Qemal Haxhihasanit, i botuar këtu si hyrje del me shumë interes dhe plotëson në shumë aspekte parathënien e autorit të antologjisë. Ky teksti, i dy prej epikologëve tanë të mëdhenj të të gjitha kohëve, është botuar mbase jo vetëm për shkak të respektit ndaj bardëve të letërsisë popullore, por edhe për shkak se ky tekst, sikur të ishte porositur pikërisht për këtë antologji, paraqet sintezën më të plotë të vlerave historike, letrare dhe artistike të epikës legjendare. 

Autorët kanë trajtuar këtu zhvillimin historik të këngëve kreshnike dhe vendin e tyre në ndërtimin e botës materiale e shpirtërore të malësorit shqiptar; lahutarët si bartës të përkushtuar të këtyre epeve nga njëri brez tek tjetri; veçoritë muzikore të këtyre këngëve; botën e madhe të personazheve të ndërtuar sipas një rendi shumë të veçantë historik, gjeografik dhe mitik, për t’u ndalur në dy nga figurat qendrore dhe më karakteristike të këngëve kreshnike jo vetëm tek lahutarët shqiptarë; në një nga vlerat më të rëndësishme të kulturës kanunore shqiptare –besën; ambientet e banimit të kreshnikëve, në këtë rast kullën, të njohur edhe sot si banesë tipike të zonave veriore shqiptare; mjetet stilistike-artistike dhe vlerat themelore letrare që i përbëjnë këngët kreshnike; mënyrën e përpunimit të këngëve kreshnike gjatë shekujve dhe mbajtjen gjallë të saj nëpër shekuj. 

Pjesën qendrore të antologjisë e përbëjnë tridhjetë këngë. Autori i kësaj antologjie, me të drejtë, brenda këtyre tridhjetë këngëve ka botuar një fragment, sigurisht për të dhënë një pasqyrë të gjendjes së saj një shekull më parë dhe dy motërzime, për të parë një pasqyrë të vlerave shpesh të papërsëritshme letrare, artistike dhe gjuhësore. Brenda një teme, të këtyre këngëve ndërtohen dhe ndërlidhen motive të shumta, dialogje e monologje të fuqishme dramatike, figura, vende e vendbanime historike e mitike, luftëra heroike e beteja morale, dyluftime heronjsh madje edhe të gjinive të ndryshme, betime në vlera universale dhe autoktone, në objekte materiale e shpirtërore, në vlera tokësore e qiellore, por më së shumti betime në besë – vlerën më të pakontestueshme të kulturës shpirtërore e materiale shqiptare. 

Në vazhdim botohen tridhjetë këngë, të emërtuara kryesisht në mbështetje të personazheve që kanë, në veprimet e tyre apo sipas vargut të parë, që në të vërtetë është veçori e emërtimit të këngëve lirike: Fuqia e Mujit, Fuqia e Halilit, Gjergj Elez Alia, Të lumtë na për të lumin zot (që më shumë se një titull kënge është një varg antologjik i këngës kreshnike), Martesa e Halilit, Muji e Zana Zullumçare, Kur e ka nxan Muja nusen, Muji dhe Halili, Halili prêt Filipe Maxharrin, Muja vret Milloshin e Grebenit, Muja e pret bajlozin e Detit të Zi, Muja lidhet me kusht, Grebeni djeg kullat e Mujit e i grabit gruen, Çetobashe Muji dhe Krajleviçe Marki, Krajli i Miskovit rrëmben gjogun e Mujit, Musa Qesexhia, Gjergj Elez Alia (tash një këngë tjetër nga më shumë se pesëdhjetë këngë sa njeh folklori shqiptar, por jo motërzim) Bani Zadrili, Halili merr gjakun e Mujit, Ager Isvano, Gjogu i Mujit, Tha, dritë ka dal e dielli nuk ka ra, (fragment i parë i një kënge kreshnike, botuar nga themeluesi i albanologjisë shkencore Gustav Majer, më 1897, i cili veç tjerash kujtoj se dëshmon edhe për një strukturë gjuhësore (morfologjike e sintaksore të këngës kreshnike, në gjysmën e dytë të shekullit XIX), Vdekja e Mehmet Bajraktarit (motërzim), Ali Bajraktari merr Fatimen e Pashës së Vidimit, Beno Bajraktari i shpëton motrat, Çika e Hermi Mustafë Agës i del në mejdan kralit të Sejës, Zymeri dhe Ganiqe Galani, Mujën e thrret mbreti në Stamboll (motërzim) dhe përsëri një këngë për Gergj Elez Alinë etj. 

Brenda tridhjetë këngëve të botuara në këtë antologji, autori ia ka arritur që të sjellë vlerat më të larta letrare-artistike të epikës shqiptare. Më shumë se një këngë ato së bashku paraqesin universin historik, gjeografik dhe artistik të këngës kreshnike. Letërsia shqipe më shumë se cilën do prej gjinive letrare, epikën, ndonëse gjallon edhe më tej, e ka gjininë letrare më të konsoliduar brenda një universi të mbyllur stilistik, prandaj edhe zgjedhja e këngëve, me të drejtë është bërë në atë mënyrë që të mbulohen të gjitha veçoritë e saj veç e veç: kreshnikët, zanat, nderi, mejdanet etj. 

Antologjia e këngës kreshnike e dr. Zymer Nezirit, është një vëllim dhe model i veçantë edhe për një arsye, të cilën nuk e gjejmë ndër antologji tonat letrare. Në fund të saj autori ka zgjedhur dhe botuar disa fragmente mendimesh po kaq antologjike për këngën kreshnike, të cilat i kanë shkruar autorë shqiptarë dhe të huaj. 

Ato janë mendime të shkruara nga studiuesit dhe njohësit më të mirë të epikës shqiptare, prandaj mendimet e tyre ndonëse të nxjerra nga sinteza të mëdha shkencore, studime të veçanta, vepra të cilat jo krejtësisht janë shkruar për probleme të epikës, dhe më në fund të nxjerra nga vepra persiatjesh letrare dhe shkencore, përbëjnë tërësi mendimesh që e pasurojnë mendimin e sotëm dhe hapin rrugë të reja për hulumtimin, vjeljen dhe studimin e këngës kreshnike mbi baza shkencore dhe intelektuale. 

Ato janë fragmente mendimesh që flasin për aspekte të jashtme dhe të brendshme të këngës kreshnike, për vlerat universale të saj, por me theks të veçantë në veçoritë kombëtare të tyre: për figurat e simbolet mitologjike-përrallore, vetëdijen etnike, bërthamën e lindjes së saj, “konfliktin etnik iliro-arbëror me krajlët shkje”, kohën e konfliktit në Ballkan dhe vendin e tij në arealin e epikës botërore etj. (Alfred Uçi); për himnizimet fizike e shpirtërore të heronjve dhe himnizimin e tyre, konfliktet etnike dhe mitizimin e tyre etj (Andromaqi Gjergji); për moshën antike iliro-thrakase të këngëve kreshnike dhe bartjen e tyre në mesjetë, për pasqyrimin e luftërave të tyre, himnizimin e heronjve etj (Demush Shala); për bashkëjetesën e heronjve të ciklit të kreshnikëve me figurat e besimeve popullore: zanën, shtojzovallet, orët, djajtë etj., për mitizimin e tyre, dhe vendosjen e veprimit të tyre në kohën e matriarkatit, prejardhjen historiko-shoqërore të heronjve dhe ndjenjën njerëzore të tyre (Enver Mehmeti); për vargun e këngëve kreshnike, i cili “na paraqitet kështu, në thelb, si një varg tonik, që ndodhet në një fazë kalimtare drejt formave më të reja të sistemit silabotonik”, për lidhjet e tij me eposet popullore të Evropës dhe mëvetësinë e tij origjinale, për bashkëjetesën e tij me tiparet e lashta gjuhësore dhe ngurtësimin e tij në një fazë të caktuar kalimtare etj.(Gjergj Zheji); për përdorimin e kohës dhe të hapësirës, për lashtësinë e saj dhe ruajtjen e vazhdimësisë së veprimit dramatik etj.(Ismail Kadare); për këngën kreshnike si gjininë më të lashtë dhe më konservative të folklorit tonë; për veçantinë e sintaksës së saj, për interesin e krahasimit të saj me gjuhën e shkrimtarëve të vjetër, me pasurinë e veçantë të gjuhës së tyre etj.(Mahir Domi); për ngjashmëritë dhe dallimet midis epikës homerike dhe asaj shqiptare, për përbërësit historikë dhe artistikë midis këtyre dy epeve, për përbërësit mitikë e fetarë të tyre etj. (Mina Skafte Jensen); për trembëdhjetë premisat e pakontestueshme për trajtimin e çështjeve themelore të Ciklit të këngëve të kreshnikëve: dyndjen e sllavëve, dobësimin e organizimit politik të ilirëve; vendosjen e sllavëve në trojet ilire për një kohë të gjatë dhe lindjen e këngëve kreshnike, asimilimin e një pjese të etnisë ilire, vendosjen e një pjese të tyre në zona malore, asimilimin e iliro-shqiptarëve me supremaci të faktorit sllav, krijimin e një komuniteti të përbashkët në kufijtë veriorë, krijimi i zonës malore me emrin Berda (pjesë e sotme plotësuese e Malit të Zi), luftërat politike e jo klasore sikur synohet të paraqiten betejat e heronjve të këngës kreshnike, përmbajtjen qendrore që është ndërtuar në zonën veriore ilire dhe jo shtresëzimet anësore të tyre që janë të ndikimit sllav të mesjetës së vonë etj.(Injac Zamputi). 

Libri mbyllet me shënimet për literaturën, burimet e lëndës, lahutarët, fjalorthin dhe indeksin, të cilat e lehtësojnë përdorimin e saj nga lexues moshash dhe dijesh të ndryshme. Duke qenë një antologji e parë e këtij lloji, kujtojmë se një rezyme në fund të librit apo përkthimi në gjuhën angleze i tekstit hyrës, këtë antologji do ta bënte më të përdorshme për një rreth më të zgjeruar lexuesish. 

Hakmarrja e legjendës

Në telin e Lahutës, ata edhe më tutje shkulin lisa dhe peshojnë shkëmbinj. Muji dhe Halili kanë qenë dy malësorë që kanë pasur fuqi mbinatyrore. Ata, sipas legjendës, ishin shtatgjatë, muskulorë dhe me mustaqe të gjata.
Madje, fshati Marinë i Drenicës ka një lidhje shumë të veçantë me këta dy malësorë. Këtë lidhje e bëjnë më të fortë dhe të prekshme tre gurë të mëdhenj, të cilët qëndrojnë afër shkollës së fshatit.

Brez pas brezi në Marinë me rrethinë tregohen legjenda se si këta gurë janë peshuar nga duart e Mujës dhe Halilit.
Ndërsa profesorët e shkollës fillore nuk kanë nevojë t’ua vizatojnë nxënësve madhësinë e gurëve në dërrasë të zezë. Ata i kanë vetëm pak metra larg shkollës dhe fëmijët kanë mundësi edhe t’i shohin nga afër.

“Së pari kur i kanë gjuajtur gurët Muji dhe Halili, si ka ra këtu njerëzit kanë menduar që është tërmet, por kur ka ra ka shpërthye uji”, rrëfen Kushtrimi i cili është në klasën e tretë.
Marinasit këta tre gurë i ruajnë si sytë e ballit. Ata besojnë se kush i prek gurët, mund t’i ndodhë ndonjë fatkeqësi në familje. Në këtë mënyrë, gurët janë ruajtur nga dëmtimi.

“Nuk kanë guxu, kush e ka prek atë janë domtu të gjithë. Kush e ka prek iu ka kajt nana”, thonë një banor i fshatit Marinë.
Vërtetësinë e tyre nuk e konteston askush në Kosovë. Madje as të rriturit.

Ata besojnë se këta tre gurë janë hedhur nga duart e Mujës dhe Halilit nga fshati Gradicë, i cili gjendet tri kilometra larg Marinës. “Para 150 vjetëve këta gurë janë këtu, dy këtu e një qatje. Thonë që i kanë gjuajt prej Qyqavice, Tali e Muja këta e Halili atë”, rrëfen Metush Hoti nga fshati Marinë, duke treguar me gisht gurët e mëdhenj.

Madje edhe mësuesit besojnë fort në legjendën e kreshnikëve. Kamber Hoti këtë bindje çdo ditë ia transmetohen edhe fëmijëve në shkollën fillore në Marinë. Ai tregon se si kanë ardhur këta gurë në fshatin e tyre. “Është kap guri me dy duart, edhe është hulat edhe është hedh sa ka pas fuqi në lartësi shumë të madhe. Kësaj loje i kanë thënë gurapeshë”, tregon ai.

Ndryshe nga banorët, sociologu Shemsi Krasniqi thotë se legjenda që është thurur për kreshnikët Mujin dhe Halilin ka një mesazh tjetër. “Mesazhi i vërtetë i saj është se fuqia njerëzore është shumë e madhe, dora e njeriut është shumë e fuqishme, mundet me bë çudi, mundet me bë mrekulli”, vlerëson Krasniqi.

Pavarësisht kësaj, mësuesit dhe banorët e fshatit Marinë e kanë ndërmend t’i ruajnë këta gurë, në mënyrë që legjenda për Mujin dhe Halilin të mos vdesë kurrë. “Si punëtor i arsimit kam propozuar që t'iu sigurohet një bazë, të ruhen, por ku me gjet njerëz që do ta kryejnë atë punë”, rrëfen Sejdi Mziu, mësues i vjetër në këtë fshat.
Këta tre gurë janë krenaria dhe njëkohësisht burimi i një frike të vjetër të fshatarëve. Ata që janë munduar të ndryshojnë vendin apo formën e gurëve të Mujes dhe Halilit, sot nuk jetojnë më.

“Një person e ka shpinë qatje, ia ka hek një copë për me zidu një bunar, qatë dit iu ka sëmur një djalë , i ka mbet sakat, tash ka vdek, por gjatë gjithë jetës u kanë sakat”, rrëfen Metush Hoti, banor i këtij fshati.

Ndërsa, mësuesi Kamber Hoti di edhe një rrëfim po kaq të errët për fuqinë mistike të gurëve. "Një shtëpi në lagjen time atje ka bë thyerjen e gurit të madh, por ajo shtëpi e atij personi që e ka thye gurin, është shuar, vetëm një djalë prej asaj familjeje ka mbijetuar”, tregon mësuesi.

Ndërsa sociologu Shemsi Krasniqi vlerëson se frika qindravjeçare e banorëve është e natyrës psikologjike. Sipas tij, mosrespektimin e kultit e lidhin me fatkeqësi. “Fatkeqësitë gjithmonë ndodhin, por bashkësia, popullata e projekton fatkeqësitë si pasojë e një veprimi që nuk e ka respektuar kultin apo vlerën që e ka krijuar bashkësia”, shton Krasniqi.

Ndërsa kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora, është më i drejtpërdrejt. Ai thotë se banorët e Marinës janë duke bashkëjetuar me një frikë të paarsyeshme, që nuk ekziston në realitet.

“Ky është një besim i kotë, një besëtytni, që nuk ka të bëjë absolutisht me të vërtetën. Këto janë vetëm trillime djallëzore që janë ngulitur nga imagjinata të sëmura të njerëzve se nëse lëvizet ky guri do t'i ndodhë dikujt diçka në familje”, thekson ai.

Edhe Don Shan Zefi nga Kisha Katolike e Kosovës mendon po ashtu se kjo është thjesht një legjendë.
“Është shumë e qartë se kemi të bëjmë me një mitologji. Fuqia e Zotit mund të bëjë mrekulli, por në këtë rast, në këtë fshat, mendoj se kjo është thjesht një legjendë dhe nuk ka të bëjë asgjë me të vërtetën”, thotë Zefi.

Por, mësuesi më i vjetër në fshat, Sejdi Mziu këmbëngul se ajo në të cilën besojnë fshatarët nuk është e trilluar. Ai thotë se vërtet kanë ndodhur raste kur njerëzit kanë vdekur, për shkak se janë mundur t’i dëmtojnë këta gurë. Ai tregon disa raste të punëtorëve që kanë punuar në ndërtimin e rrugës. Sipas tij, shumica e atyre që e kanë lëvizur njërin gurë nga vendi tashmë kanë vdekur.

“Nuk është besëtytni, është fakt se të gjithë ata që jo me qëllime të këqija, por edhe me qëllimin më të mirë, kanë pësuar. Prandaj kjo nuk është rezultat i besimit, krijimit të një bindjeje, por është e vërtetë”, rrëfen Mziu.

Rrëfimet për gurët çdo ditë ushqehen me frikë të re. Për ta tashmë janë thurur shumë rrëfime. Sipas banorëve, dikur afër këtyre gurëve janë shfaqur edhe krijesa të papara më herët. Sipas tyre, këto krijesa kanë shërbyer si mbrojtës të gurëve të Mujit dhe Halilit.

“Unë si unë, tash në moshën 65 vjeçare e mbaj mend gurin kur ka qenë sa grushti. Me i thanë dikujt që guri rritet ndoshta çuditet, por këta janë gurë të shenjtë”, thotë mësuesi tjetër Kamber Hoti.

Por, në këtë teori nuk beson sociologu Krasniqi. “Nuk besoj që gurët rriten, por rriten fjalët, shtohen besimet”, thotë ai, duke nënqeshur.
Baca Kamber ka edhe një rrëfim edhe më trishtues, që iu është thurur gurëve të Mujit dhe Halilit, që marinasit i ruajnë si sytë e ballit.

“Shumë njerëz e kanë pa një gjarpër të madh në zgavrën e gurit të madh dhe verës prej zhegut këndon. Ka qenë me një kaqurotë, pergj shumë të madhe dhe ka dalë në kohën kah 8:00...9:00 e mëngjesit”, rrëfen Kamber Hoti.

Por, a del dikush brenda dhe jashtë Marinës që ka guxim të dëmtojë këta gurë?
“Jo, kurrë, se kush i ka dëmtuar, ia ka pa sherrin”, thotë Metushi i bindur në fuqinë shkatërruese të gurëve.

Edhe mësuesi Kamber thotë se gurët e Mujit dhe Halilit nuk bën t’i prekë askush. Sipas tij, çdo njeri që i dëmton ata mund të vdesë nga mallkimi i gurëve.
Ndërsa sociologu Shemsi Krasniqi nuk beson në këto rrëfime të errëta të banorëve. Megjithëkëtë, ai thotë se as vetë nuk do të kishte guxim t’i dëmtojë këta gurë.

“Personalisht nuk iu besoj, por personalisht nuk do t'i dëmtoja në asnjë rast, as nuk do të provoja në asnjë rast t’i bindi popullatën që nuk ka nevoje t’i besojë kësaj... Lëri njerëzit le të mendojnë në mënyrën çfarë të duan”, shton ai.
Ndërkohë, në oborrin e shkollës së Marinës vazhdojnë të luajnë fëmijët, derisa rrëfimi për mallkimin e gurëve do të rritet bashkë me ta. Më fëmijët do të rritet edhe frika e hakmarrjes së legjendave.
Sociologu Shemsi Krasniqi vlerëson se mitet në këtë fshat vështirë se do të zhduken ndonjëherë.

“Për faktin që fshati është i populluar dhe nuk ka tendencë të braktiset fshati, mendoj se ky kult do të vazhdojë të mbijetojë edhe në gjeneratat e ardhshme”, thekson ai.
Në këtë janë të bindur edhe marinasit. “Miti për paprekshmërinë e tyre do të ekzistojë sa të ekzistojë njerëzimi”, thotë mësuesi Sejdi Mziu.

Historia e Mujit dhe Halilit

Nga malet e Çiçavicës, pasi kanë pirë qumështin e zanës, Muji dhe Halili kanë bërë garë se cili mund të gjuajë gurë më larg se tjetri. Natyrisht ata gurë kanë qenë të përmasave shumë të mëdha, por qumështi i zanës u ka dhënë atyre një fuqi mbinatyrore. Dhe gara kishte përfunduar pikërisht në fshatin Marinë, ngase gurët që janë gjuajtur prej tyre, janë përplasur në tokën që sot quhet Marinë. Përshkrimi i personazheve është i mbinatyrshëm; ata flasin me orët, luftojnë me mazdrake (topuz), gjaku i tyre derdhet si lumë, i kanë mustaqet nga një pash, e hedhin topuzin me aq forcë sa ngrihet pluhur nëntë pashë lart etj. Heronjtë e këtyre legjendave janë të shumtë, por kryesorët janë Muja e Halili.

Kryevepra të trashëgimisë kulturore shpirtërore shqiptare

Kryeveprave të trashëgimisë kulturore shpirtërore shqiptare janë :

Isopolifonia popullore shqiptare Isopolifonia është folklor vokal, instrumental dhe koreografik dhe tipologji e trashëgimisë shpirtë-rore kombëtare shqiptare, shpallur "Kryevepër e trashëgimisë gojore dhe shpirtërore të njerëzimit" nga UNESCO, më 25 nëntor 2005. Isopolifonia është dukuria bazë muzikore në Shqipërinë e Jugut, e cila ndërtohet mbi parimin e këndimit të një apo disa zërave të ndryshëm solistikë, mbi një shtrat isoje të kënduar nga grup këngëtarësh. Tipet kryesore janë isopolifonia labe, isopolifonia toske dhe isopolifonia çame. Isopolifonia është 2-3 dhe 4-zërëshe, vokale, instrumentale dhe koreografike.
Eposi i Kreshnikëve Është tipologji e trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare dhe është një cikël këngësh legjendare i shoqëruar me lahutë, ku në qendër ka dy vëllezërit, Muji dhe Halili. Eposi konstatohet të këndohet në Malësinë e Madhe, Rranzat, Postribë, Shllak e Dukagjin, Nikaj Mërtur, Krasniqeja e Gashi, Bytyçi, Berishë, Has si dhe në Kosovë në Rrafshin e Dukagjinit me qendrat: Pejë, Gjakovë, Prizren, Rahovec, Deçan, Istog e Suharekë. Koha e formimit të tij lokalizohet të jetë përpara dyndjes sllave në Ballkan, pra parasllav dhe paraturk. Për shumë studiues, vlera e tij krahasohet me eposin homerik, sagat e Skandinavisë, Kalevalën, Nilinat ruse etj. Ai është kënduar vetëm në odat e miqve, kuvendet e burrave si dhe në festa të ndryshme, pa stimuj materialë për rapsodët. Ndër këngët e veçanta të ciklit përmendim: "Martesa e Mujit", "Fuqia e Mujit", "Orët e Mujit", "Vaji i Ajkunës", "Martesa e Halilit", "Muji e tri zanat e malit", "Halili pret Pajo Harambashin", "Orët e Bjeshkës" etj. Nga shumë studiues janë vënë re ngjashmëritë e eposit tonë me poemat homerike.
Dialektet gjuhësore Këtu hyjnë dialekti geg dhe ai tosk. Tipologji e trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare. Mbështetur Ligjit 9048, dt. 07.04.2003 "Për trashëgiminë kulturore", folklori gojor është teksti i krijimit popullor, i pashoqëruar me muzikë, i cili lexohet ose tregohet.
Muzika popullore Muzika popullore qytetare homofonike e Shqipërisë së Mesme - Folklor vokal, instrumental dhe koreografik. Tipologji të trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare.
Ahengu qytetar shkodran Folklor vokal, instrumental dhe koreografik. Tipologji të trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare. Ahengu shkodran është pjesë e rëndësishme e repertorit të muzikës popullore të qyteteve shqiptare të Gegërisë. Ahengu organizohet në "perde"-shkallë muzikore specifike, të cilat janë gjithsej dymbëdhjetë. Në çdo perde gjejmë një repertor muzikor, kryesisht këngë, melodi me vegla apo dhe valle, të cilat ndërtohen mbi këto shkallë muzikore. Ahengu fillon të kristalizohet aty nga fillimi i shek të XVIII-të. Ahengu në Shkodër ka pasur një rregull të veçantë: këngëtari duhet të këndonte këngët e ahengut njëra pas tjetrës. Ahengu bëhej natën e dasmës, ditën e martesës, mbrëmjen e kurorës, deri në mëngjesin e ditës së nesërme. Ahengu shoqërohet nga formacioni i përbërë nga vegla popullore, si dhe ato të importuara.
Veglat muzikore Mjeshtëria e punimit të veglave muzikore popullore përbën një zeje të veçantë në pamjen e përgjithshme të zejtarisë shqiptare. Deri në momentin kur filluan të hapen dyqanet e para të punimit të veglave (gjysma e dytë e shek. XIX, fillimi i shek. XX), veglat muzikore popullore punoheshin vetë prej çdo familjeje dhe në veçanti prej bartësve të folklorit. Në rrugë artizanale në Shqipëri kanë qenë prodhuar dhe ende prodhohen vegla si gajde, fyelli, culë dyjare, çifteli, sharki, lahutë, dajre, daulle, lauri, buzuk, bakllama, lahutë etj. Në shumicën e rasteve, mjeshtrat që prodhonin veglat, punonin njëkohësisht edhe për prodhime të tjera të artizanatit popullor. Profilizimi i ngushtë i mjeshtërve të prodhimit të veglave u formua rreth fillimit të shek. XX.
Vallja e vajzave dropullite Është folklor instrumental dhe koreografik. Tipologji e trashëgimisë shpirtërore të minoritetit etnik grek, pjesë e diversitetit kulturor në Shqipëri.

Krijimtaria gojore e shqiptarëve në shekujt e mesjetës





Deri në fillim të periudhës së pushtimit osman tradita kulturore shqiptare ishte kryesisht e karakterit parashkrimor. Forma më e rëndësishme e saj ishte krijimtaria gojore, eposi shqiptar. Në eposin shqiptar ka edhe zëra të periudhës osmane, që shfaqen sidomos në ligjërim dhe në emërtime, por në thelbin e vet ai është një përmendore kulturore shekuj më e hershme.
Në këtë krijimtari njihen rapsoditë historike e tregimet legjendare, që përbëjnë epikën heroike, si dhe proverbat, të cilat u fiksuan të shkruara vetëm në shek. XVII. Vendin kryesor në epikën heroike e zënë rapsoditë kushtuar kreshnikëve si Muji e Halili, Gjergj Elez Alia etj. Me gjithë numrin e shumtë të motiveve e varianteve ekzistuese, këto rapsodi kanë një farë përbashkësie që u jep atyre karakterin e një cikli unitar epik. Në qendër të këtij cikli qëndrojnë bëmat e çetës së kreshnikëve, si edhe kundërshtarët e tyre, “kralë” e “kapedanë” veçanërisht nga viset bregdetare.
Lufta e kreshnikëve është vendosur në një kohë e në një ambient që s’njeh ende armët e zjarrit. Nga brendia e tyre dhe botëkuptimi shoqëror, nga elementët artistikë që përmbajnë, këngët e kreshnikëve të çojnë në një periudhë më të hershme se shekujt e invazionit osman.
Sikurse shumica e popujve evropianë, në këtë kohë (në shek. XV) shqiptarët e kishin kaluar “shekullin e epopesë legjendare”, e cila me kohë ishte formuar si gojëdhënë letrare kombëtare, që qarkullonte gojë më gojë e brez pas brezi, duke marrë nga koha në kohë gjurmë, dëshmi e jehona të tyre.
Hershmëri të thellë historike dëshmojnë veçmas dy tipare të rëndësishme të figurave mitologjike të ciklit verior: karakteri i tyre matriarkal, nga njëra anë, dhe ktonik, nga ana tjetër. Kjo është një anë tjetër e çështjes së autoktonisë së popullit që i ka krijuar. Në eposin helenik hyjnitë janë matriarkale e patriarkale. Heronjtë e eposit shqiptar janë bij të Ajkunës. Për herë të parë në epos babai shfaqet me figurën e Mujit në raport me Omerin (ose “shtatë Omerat”). Figurë qendrore është Ajkuna që ka një autoritet të madh. Muji dhe Halili formalisht nuk kanë babë, ata janë bij të një nëne që urdhëron shtëpinë dhe e marrin fuqinë prej zanave.
Tipari matriarkal i figurave mitologjike të epikës legjendare theksohet nga fryma e përgjithshme e rapsodisë së njohur të Gjergj Elez Alisë. Janë gjurmuar e janë gjetur gjurmë të kulturës bizantine, si kërkimi i haraçit nga bajlozi “tim për tim” (oxhak për oxhak). Por, në thelbin e vet, burimi tragjik i rapsodisë së Gjergj Elez Alisë është mbarimi i epokës së flijimit të njeriut (gruas) për një vepër, për një fushatë apo për haraç. Gjergj Elez Alia amniston përgjithnjë gruan nga flijimi.
Karakteri ktonik (tokësor) i hyjnive të eposit shqiptar thekson karakterin autoktonik të popullit. Ndryshe prej poemave homerike, ku hyjnitë kanë një hierarki shumëshkallëshe (nëntokësore), në eposin shqiptar figurat mitologjike të botës shqiptare janë tokësore. Në folklorin rrëfimtar, duke përfshirë eposin dhe përrallat, nuk ekziston “e bukura e qiellit”. Krahas me “të bukurën e dheut” (të kësaj toke) në traditën etnofolklorike të vendit dalin e bëhen bashkë figura të tilla si shtojzovallet (aglutinim i “shtojua zot vallet”), shtojzorreshtat (“shtojua zot rreshtat”), “ato të lumet”, shita.
Cikli shqiptar i kreshnikëve përmban një ndërthurje tiparesh të eposeve antike dhe atyre evropianë të periudhës mesjetare. Por ka më shumë tipare të eposeve antike se të atyre mesjetare. Një varg argumentesh folklorike janë në të mirë të një përcaktimi kronologjik relativ të burimit të eposit në periudhën e kalimit prej ilirëve te shqiptarët, prej ilirishtes te shqipja, prej periudhës së fundme të romanizimit në përballjen me dyndjet sllave.
Eposi shqiptar sundohet fund e krye nga konflikti i bartësve të tij me popullsinë e ardhur në Ballkan, ai mban vulën e dyndjeve sllave. Eposi shqiptar nuk u krijua qysh në kontaktet e para me popullsinë e ardhur. Vetë rapsoditë e këtij cikli bëjnë të njohur se të tjera gjëra ndodhnin “kur kem’ pas’ besë me krajli”. Këto fakte e arsyetime lejojnë të mbrohet mendimi se në epos, pavarësisht nga karakteri i tij shumështresor, megjithatë, ekziston një “kohë e parë”. Ajo përkon me shek.VII-VIII, kur ndodhin proceset më të rëndësishme divergjente të brendshme në kulturën etnike, kur vërtetohen shndërrimet cilësore kulturore, si kalimi nga ilirishtja te shqipja. Pikërisht në këtë periudhë vendësit përballen me dyndjet sllave në Ballkan dhe njohin pak nga pak karakterin ekspansiv të tyre.
Faktet folklorike të eposit çojnë në kultin e dheut të të parëve, në mitin e vendlindjes, në shenjtërimin e bjeshkës, në hyjnizimin e dheut, në atë kuptim që gjermanët e përdorin këtë fjalë kur thonë “land”. Ndonëse të kufizuara, në epos ka të dhëna me karakter etnoveçues, që gjenden të trashëguara në botën shpirtërore shqiptare. Këto fillojnë me dallimin “të vetët - të tjerët”, që është nga shenjat më të hershme të ndërgjegjes së bashkësisë. Ndonëse më shumë mund të flitet për një nocion landi, vendlindjeje, sesa për një hapësirë të përcaktuar qartë, prapë vetëdija e një atdheu që i bën bartësit e eposit të ndihen mes tyre “të vetët” del aty-këtu.
Eposi shqiptar në mesjetë kishte formën e vet artistike të kryer. Prej shekujve të sundimit osman ai mori me vete një shtresë të re ndikimi, që preku pjesën më të dukshme të tij: emrat e heronjve dhe, deri diku, dekorin e ngjarjeve. Kjo shtresë, më në sipërfaqe të eposit, ngjan më e pranishme sa është në të vërtetë. Pjesa më e madhe e emrave të heronjve mendohet të mos jenë huazime të drejtpërdrejta prej osmanishtes, por kalime kuptimore të emrave të mëhershëm, përkthime strukturore të tyre. Emri i Halilit, që i kthyer në shqip do të thotë “i bukur”, i përgjigjet thelbit të personazhit, që trashëgohet prej kohësh shumë më të hershme. Në emrin e Gjergj Elez Alisë gjymtyra e tij e tretë do të thotë “i lartë, fisnik”, që gjithashtu vlen për të theksuar një tipar që personazhi e kishte para kontakteve me botën e Perandorisë Osmane.
Me frymëzimin e tyre poetik, me mjetet e trajtimit artistik, me vargun e tyre të rrjedhshëm e me gjuhën e pastër, rapsoditë e kreshnikëve përbëjnë një thesar të poezisë sonë popullore.
Bashkë me eposin, deri në kohën e kontakteve të para me rrezikun e ri që po shfaqej nga Orienti, me invazionin osman, shqiptarët kishin krijuar gjithashtu fondin e baladave, të cilat vinin si kujtime tronditëse të epokave të shkuara. Njëra prej tyre është ajo që njihet në jug me emrin e Konstandinit dhe Doruntinës, kurse në veri me emrin “Kënga e Halil Garrisë”. Koha e lindjes së baladës së ringjalljes përkon me ata shekuj, kur dija biblike e quante të papranueshëm rikthimin nga bota tjetër, qysh prej ringjalljes së Krishtit. Balada e Kostandinit dhe Doruntinës shpesh është trajtuar si kryevepër që ngre lart kultin e besës, shenjtërinë e fjalës së dhënë, për hir të së cilës mallkimi mund të të ndjekë në këtë jetë dhe në tjetrën. Mesazhi i besës është i pranishëm në frymën e baladës, por para këtij mesazhi është fryma e fuqisë së njeriut për të riardhur në këtë jetë.
Në mesjetë e para saj funksiononin edhe gjini e zhanre të tjera të folklorit, duke filluar prej atyre më të shkurtrave, si proverbat, deri te rrëfimi popullor.
Me pushtimin e Shqipërisë nga dyndjet osmane u krijua mjedisi kulturor për shfaqjen e epikës historike. Kësaj periudhe i përket cikli i Skënderbeut, i cili përmban 10-15 këngë, të ruajtura kryesisht tek arbëreshët e Italisë. Këngë historike të periudhës së qëndresës së arbërve madje para Skënderbeut janë ruajtur edhe në Shqipëri. Në një prej këtyre këngëve i këndohet trimërisë së Milosh Kopiliqit, i cili vrau sulltanin në betejën e ballkanasve të Fushë-Dardanisë. Ai paraqitet duke udhëtuar me kokën e vet të prerë nën sqetull dhe motivi i kokës së prerë që merr e jep mesazhe nga bota tjetër, është ballkanizuar në një shkallë relativisht të gjerë.
Cikli i Skënderbeut në poezinë popullore të arbëreshëve bashkon historicitetin e figurave dhe ngjarjeve reale me legjendarizimin e trashëguar prej epikës heroike. Skënderbeu në këto këngë bën të njëjtat mrekulli si Shën Gjergji në letërsinë biblike dhe vdekja e tij përshkruhet me të njëjtin vajtim të botës, natyrës, qiellit, tokës dhe njerëzve si kryqëzimi i Krishtit. Me këtë cikël ka studiues që bashkojnë edhe këngën e Gjorg Golemit (Gjergj Arianitit), bashkëkohës i Skënderbeut, mbledhur e botuar për herë të parë në vitet 30 të shek. XX.
Këngët epike dhe legjendat që i ruajnë arbëreshët e Italisë, të larguar nga Shqipëria qysh në shek. XV, të cilat me pak ndryshime i gjejmë edhe te fshatarët e malësorët e vendit tonë, dëshmojnë se ato kanë qenë thurrur nga rapsodët shqiptarë para shek. XV.
Tradita e arbëreshëve të Greqisë dhe të Italisë, e cila përputhet me atë të mëmëdheut, tregon se poezitë epike dhe lirike rituale këndoheshin, përcilleshin me muzikë dhe shoqëroheshin me lëvizje ritmike. Këto valle bashkë me kostumet e mrekullueshme të valltarëve, përbënin së bashku një shprehje të lartë artistike që mishëronte gëzimin e jetës dhe shijen estetike të shqiptarëve.
Kultura popullore shqiptare e mesjetës nuk u zhvillua e shkëputur nga kontaktet me popujt fqinjë ballkanas. Ajo ndikoi me një varg elementesh të saj, veçanërisht në veshje, me muzikën, vallet dhe me tiparet e saj shpirtërore, në kulturën e popujve fqinjë në Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbinë Jugore dhe në Greqi. Nga ana e tyre, shqiptarët e pasuruan gjithashtu kulturën e vet me ndikime të marra prej fqinjëve të tyre që i shkrinë në tërësinë e trashëgimit të vet kulturor.

“RINGJALLJA NË EPOSIN SHQIPTAR SI TRASHËGIMI UNGJILLORE”


- Për konferencën shkencore ndërkombëtare “Eposi i kreshnikëve - monument i trashëgimisë kulturore shqiptare” -

- Organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë -- Prishtinë 28-29 gusht 2010 -

Ermira Ymeraj , Universiteti i Shkodrës

Përmbledhje: Ringjallja është një prej motiveve me karakter parabiblik dhe biblik në eposin shqiptar dhe fondin e baladave. Në epos shfaqet në formën e vdekjes së përkohshme apo të pajetës së përkohshme. Heronjtë kulturorë të eposit ngrihen nga varri pas 100 vjetësh dhe u duket se kanë marrë një sy gjumë. Në fondin e baladave paraqitet një formë tjetër e ringjalljes, ajo e frymës humaniste. Në epos ka një formë të amshimit: heronjtë kulturorë, kur mbaron epoka e tyre, ndryshe prej eposit boshnjak, nuk vdesin e nuk varrosen, nuk kanë vende pelegrinazhi, por mbyllen në zgafellë. Kjo është koha e mbarimit të epokës së kalorësisë dhe e shfaqjes së armës vrastare në largësi. Ky problem shihet në rrafsh krahasues me motivin biblik, me ëndrrën e njeriut për përjetësi, me konceptin e përjetësisë si mallkim, me konceptin ungjillor të amshimit, me ringjalljen laike në letërsitë humaniste dhe me konceptin mitologjik për pavdekshmërinë e heroit, duke specifikuar konceptin e vdekjes së përkohshme, apo të ndërprerjes së përkohshme të jetës, në formën e vdekjes fiction, në epet “Muji mas deket“ dhe “Halili mas deket“.
Fjalë çelësa: ëndrra e njeriut për përjetësi, përjetësia si dënim, ringjallja parabiblike dhe biblike, ringjallja ungjillore, amshimi, ringjallja laike e letërsive europiane, vdekja e përkohshme në epos apo jeta e ndërprerë përkohësisht, mbyllja e kreshnikëve në zgafellë, përjetësia artistike e heronjve, eposi i shqiptarëve, baladat.

Ringjallja është një dilemë tronditëse e gjithë shekujve. Besimi ne ringjallje si mitologji me fuqi shprehëse të lartë ka qenë njëkohësisht një përpjekje filozofike për të tronditur idhujtarinë në çfarëdo forme, qoftë duke përfshirë dhe vetë mitologjinë biblike, duke qenë se në bazë të Shkrimeve kanonike biblike nuk mund të kishte ringjallje tjetër pas Mësisë dhe ringjalljes së përgjithshme. Njeriu me vetëdije besimi monoteist ishte lindur për të bërë jetë të zakonshme tokësore, për të shkuar pastaj në botën e të shumtëve pa emra, pa histori, bujë e lavdi. Mirëpo ajo që i takon si ekskluzivitet botës hyjnore, përmes artit laik, përmes epikës legjendare dhe baladave, u bë dhe atribut i njeriut tokësor. Me ringjalljen bota shqiptare dhe ajo botërore lartësohen deri tek e vërteta ungjillore, si thelb i të vërtetave universale. Ngritja e të vdekurit nga varri dhe kthimi në botën e të gjalleve për të përmbushur një mision të përkryer, për të hyjnizuar një virtyt tradicional etnoveçues, që madhështon nderin fisnik të shqiptarit “mostrandjen e varrit“, shpreh cilësi të larta të etnotipit shqiptar. “Ndëshkimi pas vdekjes“ është një motiv i lashtë në shumë letërsi: Hektori tërhiqet zvarrë te Iliada dhe dënohet nga Akili të qendrojë mbi dhe, rrahja e varrit të Halilit nga Harambashi dhe e Mujit nga bajlozi i detit në ciklin shqiptar sjell kultin e varrit, shenjtërimin e “tokës vakëf“. Këto janë dëshmi të pranisë së mitit të ringjalljes, si dëshmi e fuqisë së njeriut për të ruajtur shpërbërjen morale. Bota shqiptare dhe mendësia e gjithëhershme kryengritëse e Njeriut në raport me vdekjen, kishte kohë që nxirrte Mesi, si thirrje të fuqishme kundër erozioneve dhe shpërbërjes. Para se të ishte ringjallja ishte të kuptuarit e ndërmjetëm jetë -vdekje. Kur njeriu kuptoi se ishte i përkohshëm në tokë, filloi të mendonte për botën tjetër dhe rikthimin. Epi i Gilgameshit i kushtohet tmerrit të vdekjes dhe fatit tragjik të njeriut. Vdekja përmbyll fatin e çdo qenie të gjallë, por njeriu e përjeton në mënyra të ndryshme. Gilgameshi nuk kishte kuptuar sa duhet për kuptimsinë e jetës dhe vdekjes, vdekja e Enkidujit e vetëdijëson e bën të ndërrojë qëndrim ndaj jetës dhe të vihet në kërkim të jetës së amshuar, por dhe pse vdekjen e përjetojnë si ëndërr Gilgameshin e gjen fati tragjik i njeriut. Por kur njeriu nisi ta shohë veten të ndarë prej hyjve dhe tentoi të kishte përjetësi, përjetësia iu kthye në një mallkim: “Mos vdeksh kurrë!“ është mallkimi i Torah-ut eposin hebraik, ku njeriu i ankohet hyut që e bëri jetën të përkohshme, duke e bërë atë të endet si çifuti në shkretëtirë, motiv i cili gjendet dhe në vepren e M. Kutelit “E madhe është gjëma e mëkatit“. Rapsoditë “Muji mbas deket“, “Muji nën dhe“, “Halili mbas deket“, kanë një bërthamë poetike, prej së ciles merr jetë epika legjendare dhe një peshë ideoemocionale, fuqi rrëmbyese që të trondit në gjithë ciklin e saj të lindjes - vetërritjes - shuarjes. Në fillesën e vet gjenetike dhe bërthamën poetike, qendron në potencë natyra e karakteri i papërsëritshëm etnopsikologjik i popullit që e krijoi, si shprehje e jetës dhe e ndërgjegjes së tij. Pavarësisht se ku është marrë motivi që i dha jetë këtyre figurave legjendare, e rendësishme është vërtetësia artistike e fjalës së krijuar nga mendësia autoktone, si produkt i vlimeve të mëdha në jetën e ketij populli, ku vula shqiptare nuk është instiktive, por pasqyrë e një shoqërie etnike me lëndën e vet poetike-etnografike-psikologjike. Epoka e kreshnikëve përcjell një lloj simbiozë mitologjike të formuar nga ndikime të ndërsjella të mitologjisë së lashtë primitive, që mbijetuan në formën e besimeve pagane te çdo popull. Heroi nis e jeton në këtë botë gjysmëfantastike edhe pse shpirtërisht ai është i kthjellët ,i ekuilibruar ,sepse ndërmjet tij dhe gjithçkaje që e rrethon nuk ka asgjë të pazgjidhshme, sepse ëndrra e njeriut për përjetësi është në gjellën e çdo epopeje. Koha pagane hyri në mënyrë alegorike në epos dhe u shfrytëzua për të dhënë konceptin e ringjalljes, jo si realitet besimi, por si realitet estetik, që ndodhi në klimën e Shën Njeriut, që e krijoi Resenanca, e cila në fakt e çliroi njeriun prej asketizmit dhe refuzimit të jetës. Tre kulmet e ringjalljes: si triumf i krishterimit, si premtim i amshimit, dhe ringjallja në epokën e humanizmit, kanë ngjashmëri me ringjalljen në epos, ku kreshnikët përjetojnë vdekje të përkohshme, ngrihen nga varri për të marrë hak. Kreshnikët vendosin vetë të ndërrojnë jetë: “Tash un po due jetë me ndrrue“; vriten dhe vdesin, dhe kur ngrihen mbas 100 vjetesh, e sheh barin kah rritet, i duket sikur ka ba nji sy gjumë, përjetësia nuk është një ënderr. Pavarësisht se nga ç’faktorë kushtëzohet e nxitet kjo ringjallje, ajo realizohet dhe tenton ekzistencën e jetës së përtejme, si pasqyrë e besimit popullor te bota tjetër: I mrekulli zoti ka ba /Prej vorrit Halili ka dalë /Edhe Mujes vorrin ia ka zblue/ kambëkryq Mujin ma ka gjetë! /Doren Mujit Halili ia ka dhanë /e prej vorrit Mujin ma ka qite /e n’gjog t’vet Mujin m’a ka hip /shnosh e mirë n’Jutbinë me te ka ra /shumë trimni bashkë prap qi i kan ba. Gjithçka përthyhet nëpërmjet prizmit epik, e ruan përmasat epike edhe kur koha e tyre mbaron dhe malësitë shqiptare “nuk i nxenë ma“ ata futen në zgafella dhe që andej bëjnë jetë tjetër, duke e parë këtë botë si të huaj, kjo është një prej epërsive më të rëndësishme artistike të figurave të eposit tonë ndaj homonimeve të epit boshnjak, ku dy heronjtë kanë varr, përkundër mbylljes së heronjëve tanë në shpellë, si mohim i vdekjes. Tragjikja e ardhjes së njeriut nga bota tjetër merr ngjyrime pikëlluese të një kohe të largët, ku motivi i “dhunimit të varrit“ të heroit të vdekur prej një armiku të egër të cilët kërkojnë ndeshjen në pozita të pabarabarta: “i gjalli i kërkon mejdan të vdekurit“ bën që të zgjohet vigjilja kanunore e mendësisë së lashtë, të nderohet dhe të respektohet vdekja. Halili hap varrin e të vëllait të vdekur , me këtë akt ai shkon përtej vdekjes: si një dukuri që ka paralelet e veta dhe në eposet e tjera. Kalimi i njeriut në botën tjetër, është një ëndërr kryengritëse e përhershme e njeriut: Udhëtimi i Odiseut në Hadin homerik për të zbuluar të ardhmen e vet, udhëtimi i Eneut ne ferrin Virgjilian, udhëtimi i Dantes në ferr, nën udhëheqjen e dijes virgjiliane, për të dënuar pa dallim të gjithë mëkatarët, udhëtimi i Gilgameshit për të zbuluar përjetësinë janë shembuj të mëndësisë botërore, por veprimi i Halilit, i cili merr të vëllanë e vdekur dhe e sjell në botën e të gjallëve, i realizuar me një fuqi poetike të rrallë, mveshur me elemente imagjinativë, sjell një mesazh të fuqishëm të kësaj ringjallje: përballimi i tragjizmit të jetës, duke njehsuar në mënyrë autoktone kufinjtë e reales me irealen, të jetës me vdekjen. Vdekja e Mujit si cikël natyror dhe ringjallja e tij përmes zanave ndodh për shkak të dëshirës së përhershme të njeriut për t’u matur me misterin e botes së përtejme. Mendësia estetike e artistike e eposit bën që me ngjalljen e Mujit dhe të Halilit të sintetizohet brenda vetes e vërteta e ringjalljes laike pa mistifikuar realitetin jetësor, e ngjashme me atë ungjillore. Ajo vjen në emër të jetës, mbrojtjes sakrale të së drejtës të mos dhunimi të varrit. Është pikërisht kjo njohje e këtij fondi mitologjik e parabiblik si formë klasike e modelimit të hershëm, që krijon lidhje ngjashmërie të eposit me letërsitë biblike dhe ato antike. Këto bashkëpërkime motivesh ndërtojnë marrëdhëniet e këtyre botëve në hapësirë dhe kohë dhe na japin mundësi për ta parë zhvillimin e kulturës shqiptare si kulturë e mëvetësishme në këtë zhvillim enciklopedik të kulturave në hapësira të ndryshme territoriale. Te Homeri konceptimi antropomorf i hyjnive arriti pjekurinë e vet, perënditë u ngjasojnë njerëzve me një superioritet për nga fuqia, rinia e përjetesia. Duke krijuar heroin me pikë të dobët, si shprehje e shpresës së njeriut për të qenë i mbrojtur nga vdekja, mitologjia antike krijoi qenie gjysmë-hyj gjysmë-njerëz. Thembra e Akilit është shëmbëllyer dhe në epose e figura si Samsoni, që pikën e dobët e kishtë tek flokët në Torah-un e hebrenjve, kreshniku serb Ilia në krifën e gjogut, Muji që e merr fuqinë prej zanave shqiptare përbën motivin burimor të dyfishtë, mitologjik dhe biblik, se kryqëzon fuqinë e madhe me dobësinë e vogël, duke bërë që heronjtë si të mbinatyrshëm të qëndrojnë në këtë botë. Falë kultit të heronjëve të tillë të cilët u ngritën pas vdekjes në rangun e gjysmëperëndive, mendësia antike nisi të besonte te një jetë pastokësore ,duke hedhur pas krahëve konceptin e Hadit Homerik, ku të vdekurit nuk ishin veçse hije të pikëlluara . Ringjallja jeta pas vdekjes shprehet në forma të ndryshme. Heroi shqiptar Milosh Kobiliq paraqitet duke udhëtuar me kokën e prerë nën sqetull. Pamja e njeriut të vrarë që bisedon me vetveten, nga përtejjeta, është mahnitëse, sa verbon udhëtarët që e shohin, edhe pse vetë është ndarë prej kësaj bote. Motivi i kokës së prerë që jep e merr mesazhe nga bota tjetër është ballkanizuar në një shkallë të gjërë, ai bredh me kokën e prerë nën sqetull dhe nuk është shenjtor. Kjo rendje tragjike e dramatike është në emër të shpëtimit të luftës së nisur. Ky hero as i gjallë e as i vdekur nuk ka asgjë më pak se Hamleti, që gjykon fatin e botës me kafkën e të atit në duar. Ne epikën historike kufiri midis jetës dhe vdekjes është i përcaktuar rreptë, kurse në epos jo. Ritmi i lëvizjes së kohës është dëshmi e legjendariteti të mitit dhe shprehje e një mendësie autoktone. Veprimet e kreshnikëve kryhen në një vetë të së shkuarës së largët dhe të papërcaktuar; eposi evokon nje realitet tjetër sipëror. Sipas këtij përfytyrimi koha e kreshnikëve s’i bindet kohës njerëzore: Muji mban inatin 700 vjet, si Danhaku që sundon 1000 vjet, duke bërë që gjithçka të përthyhet sipas një prizmi epik dhe duke ruajtur përmasat epike të një kalendari hyjnor. Ringjallja në eposin e kreshnikeve është jokishtare, është e ngjashme me ungjilloren, por edhe nje blasfemi, një herezi, sepse njeriu u barazua me atë që e kishte përjashtimisht atribut ringjalljen, me Krishtin. Pikërisht ky është heroizmi kulturor i humanizmit europian, në radhë të parë i luterianizmit dhe i kalvinizmit, pastaj dhe i krishtërimit kanonik vete. ,kthehet të ringjallet ,të trondisë botën me kurajon të bëjë diçka që vetëm zoti mund ta bënte dhe vetëm njëherë me ngjalljen e Birit të vet,Konstandini si një i rilindur e njeriu i parë i Renesancës shqiptare, është termet i vërtetë për botën e mesjetës dhe shpërthim humanist i shkëlqyer.Prania e gjithë këtyre fakteve të ringjalljes në epos janë dëshmi hershmërie dhe një fakt i padiskutueshëm i karakterit paraosman ,sepse në këtë motiv rrjedh bota psikologjike e popullit shqiptar ,vetitë e tij morale ,doket ,zakonet me elemente integrale, sipas modeleve antike ,mbështetur në dijen e një kohe të largët ,lejon të kuptosh burimin dhe autenticitetin etnik ,kjo dhe në sajë të seriozitetit të studimeve shkencore që mëndjet e albanologëvë të huaj dhe vendas ,provuan për këtë epope të madhe orale .me një të kaluar etnike ku ruhet ndërgjegjja dhe kujtesa e nje bashkësie ,ngërthen kultin e të parëve të fisit ,ku himnizon bëmat e heronjëve të vet duke i legjendarizuar si MITE.

BIBLIOGRAFI
1. FIRDEUSIU, SHAH NAME, përkthim i Vexhi Buhara Tiranë , 2010 ,fq 47 2. Sinani Shaban , Mitologji në eposin e kreshnikëve , Studim monografik , fq 213 3. Po aty, fq 224 -225 4. Po aty, fq 230 5. “Visarët e kombit“ ,vëllimi i dytë , kënga „Muji mbas deket“ ,Botime franceskane Shkodër 2001, fq 234. 6. Po aty “Halili mbas deket“ , fq 237 7. Homeri “Odisea“ përkthim i Spiro Çomora, kenga XI 8. Homeri,“Iliada“ përkthim i Gjon Sllakut , kënga e XXIII. 9. „Epi i Gilgameshit“, përkthim i Anton Berishës , kënga e III,VI,VIII . 10. Balada popullore shqiptare, “Kënga e Dhoqinës“, Tirane , 1982 ,fq32 11. Po aty “Kostandini i vogël“, fq 35 12. Po aty “Kostandini e Garentina“,fq 27 13. Fjalor i mitologjisë klasike , përkthim i Ardian Dokes

Eposi i Kreshnikëve


Është tipologji e trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare dhe është një cikël këngësh legjendare i shoqëruar me lahutë, ku në qendër ka dy vëllezërit, Muji dhe Halili. Eposi konstatohet të këndohet në Malësinë e Madhe, Rranzat, Postribë, Shllak e Dukagjin, Nikaj Mërtur, Krasniqeja e Gashi, Bytyçi, Berishë, Has si dhe në Kosovë në Rrafshin e Dukagjinit me qendrat: Pejë, Gjakovë, Prizren, Rahovec, Deçan, Istog e Suharekë. Koha e formimit të tij lokalizohet të jetë përpara dyndjes sllave në Ballkan, pra parasllav dhe paraturk. Për shumë studiues, vlera e tij krahasohet me eposin homerik, sagat e Skandinavisë, Kalevalën, Nilinat ruse etj. Ai është kënduar vetëm në odat e miqve, kuvendet e burrave si dhe në festa të ndryshme, pa stimuj materialë për rapsodët. Ndër këngët e veçanta të ciklit përmendim: “Martesa e Mujit”, “Fuqia e Mujit”, “Orët e Mujit”, “Vaji i Ajkunës”, “Martesa e Halilit”, “Muji e tri zanat e malit”, “Halili pret Pajo Harambashin”, “Orët e Bjeshkës” etj. Nga shumë studiues janë vënë re ngjashmëritë e eposit tonë me poemat homerike. Ndër ta përmendim Lambertz, Shmaus, Minna Skafte Jensen etj.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...