2013-07-21

Tre fytyrat e Radovan Karaxhiqit


Më 21 korrik 2008 në Beograd u arrestua mjeku Dragan David Dabiq. Prapa këtij emri fshihej një nga njerëzit më të kërkuar në gjithë botën - krimineli i luftës Radovan Karaxhiq.



Radovan Karaxhiq iu fsheh drejtësisë ndërkombëtare për 12 vite. Që prej korrikut të vitit 1996 Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve në Hagë kishte lëshuar një urdhër arresti.



Ai akuzohej për krime lufte, genocid dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnjë mes viteve 1992-1995, kur ai ishte lideri politik i serbëve të Bosnjës.


Mbi të gjitha ai duhet mbajë përgjegjësi për masakrën e Srebrenicës që u krye në korrik të vitit 1995. 8 mijë burra dhe të rinj myslimanë u vranë nga ushtarët serbo-boshnjakë.



Mes vitit 1992 dhe 1995 në luftën e Bosnjës u vranë më shumë se 100 mijë vetë.



 Më shumë se 2 milion banorë u larguan nga shtëpitë e tyre dhe një numër i madh fshatrash dhe qytetesh u dogjën dhe shkatërruan.


Nacionalist ekstremist
Që në fillim të viteteve '80 kur promovohej shteti multikombëtar jugosllav, Karaxhiq e kishte paraqitur veten si një nacionalist ekstremtist. Ai do të ishte kryetari i parë i partisë së sapoformuar Partia Demokrate Serbe në Bosnjë Hercegovinë.




Më pas në vitin 1992 ai ishte presidenti i parë i Republikës Serbe në Bosnjë Hercegovinë.



Në këtë moment ai shfaqi retorikën e tij agresive. Gjatë një kongresi të partisë së tij u tha serbëve se atja janë “rracë luftëtarësh” dhe më pas ai kërcënoi myslimanët e Bosnjës se do t'i ‘zhdukte'.


Tre fytyrat e Radovan Karaxhiqit
Me mbështetjen e Beogradit e drejtuesit të tij nga Beogradi, ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq, Karaxhiq filloi luftën në Bosnjë, të cilën e kishte paralajmëruar. Nën udhëheqjen e tij politike u kryen vrasje dhe përdhunime në zonat e kontrolluara nga serbët. Për jo-serbët u ngritën kampe përqëndrimi dhe pas një gjysëm viti u bombardua Sarajeva.


Ngritja dhe rënia e Karaxhiqit
Bosnja nuk ishte vendi i lindjes së Radovan Karaxhiqit. Ai lindi në Mal të Zi pak pasi kishte përfunduar Lufta e Dytë Botërore. Në moshën 15 vjeçare ai zhvendoset në Sarajevë së bashku me familjen e tij. Atje ai studoi mjekësi.



Më vonë ai fitoi një bursë një vjeçare studimi në Universitetin e Kolumbias në New York dhe më pas filloi punë si psikiatër në një klinikë në Sarajevë. Për një kohë ai madje ka punuar si psikolog pranë ekipit të futbollit të Barcelonës. Gjatë kësaj kohë ai ushtronte edhe pasionin e tij të të shkruajturit: deri para fillimit të luftës ai kishte botuar katër libra.


Karadziç dhe Mladiç në vitin 1993
Pak pasi ai nënshkroi marrveshjen e paqes me Bosnjë e Hercegovinën në vitin 1995 Karaxhiq hoqi dorë nga posti i presidentit për shkak të presionit ndërkombëtar dhe pak muaj më vonë kur Gjykata e Hagës lëshoi një urdhër-arresti u fsheh.



Për vite të tëra më pas ai ishte në kërkim. Për një kohë ai mendohej se fshihej në manastiret e Kishës Ortodokse Serbe dhe më pas në malet e larta në trekëndëshin mes Bosnjës, Serbisë dhe Malit të Zi.


Gjatë gjithë kohës qeveria serbe deklaronte se nuk kishte asnjë informacion se ku mund të gjendej Karaxhiq. Më 21 Korrik 2008 ndodhi surpriza. Policia serbe e arrestoi atë në Beograd, ku jetonte nën një emër të rremë, Dragan David Dabiq. Gjatë kësaj kohe ai kishte ushtruar profesionin e tij të mjekut, kishte dalë në publik dhe nën emrin e ri shkruante artikuj për një revistë. Menjëherë pas arrestimit ai u ekstradua për në gjykatën e Hagës.


Asnjë pendesë në proces
Gjatë procesit ku 68 vjeçari mbron veten, nuk ka treguar asnjë shenjë pendese apo pranim faji.



Sa i përket masakrës së Srebrenicës, ai nuk pranon asnjë përgjegjësi dhe ka deklaruar se kishtë dhënë urdhër ‘të mbroheshin civilët dhe ushtarët e kapur rob duhet të shkëmbehehsin'.




 Për rrjedhojë fajtori i vetëm për këtë masakër mbetet shoku i tij, Gjenerali Ratko Mladiq.


Sidoqoftë Radovan Karaxhiq e ka quajtur luftën në Bosnjë si ‘Luftë kundër formimit të një shteti mysliman në Europë'. Ai mendon se është ‘viktimë e drejtësisë' dhe e prezanton veten si ‘psikiatër, poet dhe njeri të paqes', prandaj ai nuk duhet të dënohet.



Por 5 vjet pas arrestimit të tij dhe 18 vjet pas masakrës së Srebrenicës, akuzat kundër tij janë shtuar.



 Ish lideri i serbëve të Bosnjës tani akuzohet jo vetëm për masakrën, por edhe për genocidin në kampet e të burgosurve në Luftën e Bosnjës gajtë viteve 1992 - 1995.

Dr. Mustafa Bajrami-Islamistët dhe projektet që po vazhdojnë!

Kurorëzimi i ngjarjeve në Lindje të Mesme me grushtshtetin në Egjipt paraqet një tabllo të re në marrëdhëniet ndërkombëtare, sidomos të qasjes së shteteve arabe ndaj lëvizjeve islame. Ishte e çuditshme por edhe tronditëse për botën islame deklarata e djeshme e shefit të policisë së Dubait, njeri me influencë në Emiratet e Bashkuara, se armiku kryesor i arabëve nuk është Izraeli e as Irani, por lëvizja Vëllazëria Myslimane.
Intervista e tij dhënë televizionit al-Arabija se “Shkretëtira arabe do të jetë varri i kësaj lëvizje” edhe më shumë qartësoi qëndrimet e pushtetarëve makutër të Gjirit Arab. Pak orë pas grusht-shtetit në Kajro, Arabia Saudite njohu presidentin e emëruar nga gjeneralët egjiptian ndërsa 5 ditë më vonë, së bashku me Kuvajtin dhe Emiratet ndanë 12 miliard dollarë si ndihmë për gjeneralët që rrëzuan Muhamed Mursin, presidentin e parë egjiptian të zgjeshur me vota të lira. SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian po premtojnë ndihma të tjera.
Raportet në dukje si dhe qartësimi i pozicioneve të vendeve islamike karshi lëvizjeve politike të rajonit po tregojnë se e vërteta nuk qenka ashtu siç dukej. Ekzistonte një mendim se qeveritë arabe po bëhen më të ndjeshme ndaj të kaluarës së tyre islame si dhe ndaj ardhmërisë së rajonit, por nuk doli ashtu. Vet Gjiri Persik është i shqetësuar nga fitoret e islamistëve.
Ganushi, lideri islam i Tunizisë nuk shikohet me sy të mirë nga monarkët e naftës, ndërsa Muhamed Mursi teksa kishte kërkuar mbështetje, nga shtetet e arabe të pasura me naftë u kthye duar thatë, përveç një ndihme simbolike të Katarit dhe disa metelikë nga Arabia Saudite. Vlen për tu ditur që Arabia Saudite kishte kontribuar grusht-shtetin në Egjipt, pasi partia Nur që ishte pjesë e koalicionit dhe e themeluar me ndihmën saudite, nga njëra anë kishte arrit të ndajë votat e Vëllazërisë Myslimane e nga ana tjetër i dha bekimin ushtrisë për të përmbysur Muhamed Mursin.
Titulli “Arabia Saudite njëjtë si Izraeli” i shkruar me shkronja të mëdha në Yeni Safak, gazetë prestigjioze e Turqisë tregon pozicionin e qeverisë së Erdoganit në raport me Egjiptin e Vëllazërisë Myslimane. Deklarimet e ashpra të Erdoganit në mbrojtje të Mursit se nëse këtij të fundit i ndodh diçka, Turqia nuk do të rrijë duarkryq, bëri që dy aktorët kryesorë të rajonit të përshpejtojnë deklarimet se janë të kërcënuara nga Egjipti islamik; Në fakt, për sauditët Mursi konsiderohet kërcënim për shkaqe të regjimit kurse për Izraelitët për shkaqe sigurie.
Në këtë amulli, sikur në mjegull, Siria u mundua të përfitoj diçka; Edhe pse Arabia Saudite nga fillimi kishte përkrahë ushtarët selefitë në luftë kundër regjimit sirian, Damasku zyrtarë mbështeti qëndrimin e Riadit karshi Kajros zyrtare. Asadi, nga njëra anë në stilin e dhelprës provoi të zbusë Arabinë Saudite e nga ana tjetër gjeti momentin për hakmarrje ndaj Muhamed Mursit. Kryetari egjiptian disa herë i kishte bërë thirrje regjimit sirian të dorëzojë pushtetin dhe të iku në Rusi, nëse donë të shpëtojë popullin dhe kokën e vet.
Kur Ahmet Davuoglu kishte thënë se nuk e sheh me sy të mirë rrëzimin me tanke të një qeverie që ka marrë 52% të votave, ai kishte lënë të kuptohej se Ankaraja është kategorike kundër grusht shteteve, kudo që ndodhin ato. Vet Turqia kishte hekë të zinjtë e ullirit nga puqet ushtarake. Ushtria turke disa herë kishte rrëzuar qeveritë e vendit, sidomos të krahut islamik. Nën llupën e gjeneralëve laik vëzhgohej çdo lëvizje islame, mbase, në këtë vend, deri para pak vitesh, ata që kryenin medresenë “Imam hatip” e kishin vështirë të vazhdonin shkollimin nëpër universitetet turke, ndërsa regjistrimi në akademitë ushtarake as që mund të merrej me mend. Medresantëve u mbetej të vazhdonin shkollimin nëpër universitetet arabe dhe kur ktheheshin nga atje ishin më të zëshmit kundër laicizmit sekularë të promovuar sidomos nga ushtria turke.
Shikuar nga prizmi i kallaballëkut të turmave, mes Taksimit dhe Tahririt nuk ka shumë dallime. Në të dy këto sheshe u kërkua rrëzimi i qeverive. I pari dështoi, ndërsa në të dytin fituan rebelët të cilët edhe më tutje mashtrojnë opinionin se kinse nuk u intereson kush vjen në pushtet e që janë të udhëhequr vetëm nga vullneti për demokraci dhe nevoja për shpëtimin e Egjiptit nga islamistët e Muhamed Mursit.
Kjo frazë, mbase shumë idealiste do të kishte pirë ujë nëse emrat në vijim nuk do të ishin njohur nga opinioni i gjerë. Një, Adli Mensur, ish kreu i Gjykatës Kushtetuese i përkëdheluri i diktatorit Husni Mubarak u emërua për president të Egjiptit ku u soll mbi tanke dhe i ruajtur me helikopterë. Po flitet se është nga sekti sebeijë, me prejardhje izraelite. Dy, Muhamed el-Baradei, drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore i kohës së ish diktatorit Mubarak u emërua për kryeministër.
Edhe pse u refuzua nga partia selefiste Nur, thuhet se ai do të emërohet për nënkryetar të shtetit dhe se do të kalojë në postin e kryetarit posa të tërhiqet Adli Mensuri i përkohshëm. Tre, Amr Musa, ish sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe i cili njihej për afërsinë e madhe me “trashëgimtarin e fronit të Egjiptit” Xhemal Mubarakut, u propozua sërish për ministër të jashtëm që i tillë kishte qenë edhe më parë. Amr Musa, nga pozita në Ligën Arabe ndihmoi Jeremiçin e Serbisë në parandalimin e njohjeve të reja për Kosovën. Së fundmi për kryeministër të vendit u emërua Hazem el-Beblavi, ish ministër i financave i cili saktësisht e di se ku gjenden 100 miliardët e familjes së Mubarakut të hedhura jashtë shteti “për rast nevoje”. Njëjtë me te, edhe Gadafi i Libisë kishte “siguruar” jashtë shtetit mbi 700 miliard, nga to vetëm në bankat e SHBA-ve mbi 300 miliard, si dhe Zejnul Abidini i Tunizisë që “me thes” kishte dërguar në Francë.
Ka kohë që për Lindjen e Mesme përgatiten projekte. Të njohur janë Projekti i Lindjes së Mesme të Re, Projekti i Lindje së Mesme të Madhe, Projekti Persian për Lindjen e Mesme, Projekti Izraelit për Lindje të Mesme e disa të tjerë. Edhe Iraku me naftë shumë është projekt në vete, sikur që ishte projekt edhe Mauritania që së bashku me Saharanë Perëndimore kanë bregdetin më të pasur në botë me peshq.
Pak muaj më parë Mauritania mezi u lejua nga Bashkimi Evropian për të nxjerrë nga ujërat e veta jo më shumë se 100 tonelata peshk në kompensim që anijet spanjolle të marrin sa të donë dhe “hiq pa pare!”. Së fundi projekti i ndërhyrjes së trupave franceze dhe mbetja e tyre “ilelebed” në Mali po reflekton një dëshirë të dyfishtë të Francës; shtypjen e rebelëve islamistë e më shumë të ndihmojnë në eksploatimin e xeheroreve të cilat po dalin të jenë më të pasurat në tokë me hekur dhe minerale tjera.
Nëse zhurma e madhe që po bëhet rreth Lindjes së Mesme nuk është vetëm Pranvera Arabe e që unë dyshoj në te, atëherë pasuritë e mëdha të rajonit janë shkaqe të mjaftueshme për shtetet e fuqishme që, nëse kërkon nevoja edhe forcat ushtarake të dërgohen atje. Siç po shihet, po ekzistuaka një rregull i pashkruar i cili në mënyrë cinike tregon se nëse nuk je në gjendje të projektosh për vetveten, atëherë duhet pranuar projektet e të huajve për ty. Rasti i dytë është i rëndë për qytetarët, por për pushtetarët e paskrupullt është më i miri i mundshëm.

Atullah Rexhepi-“Demokracia” sipas interesave të shteteve perëndimore në Lindjen e Mesme

Si dëshmi më e fortë se demokracia e mirëfilltë aktualisht nuk mund të zë vend në ndonjë nga shtetet e Lindjes së Mesme, është rasti i fundit në Egjipt. Dikush thotë se ishin pikërisht gabimet e lëvizjes “Vëllezërit Myslimanë” dhe të Muhamed Mursi, që çuan në rrëzimin e këtij të fundit përmes grusht-shtetit të ushtrisë egjiptiane.
Tani mund të thuhet se rrëzimi i Hosni Mubarakut dhe krijimi i kushteve për zhvillimin e zgjedhjeve të lira në Egjipt, ishin vetëm dy teste, për të parë implusivitetin e popullit egjiptian, se sa është në gjendje t’i rezistojë një procesi politik demokratik dhe cilat janë pasojat negative ndaj interesave të disa shteteve perëndimore që dominojë në Lindjen e Mesme.
Rasti i Egjiptit dëshmon qartë për një prezencë të gjerë të shërbimeve të ndryshme të huaja, jo vetëm në këtë vend, por në tërë Lindjen e Mesme. Sipas reagimeve të shteteve me ndikim në botë, mund shumë lehtë të vërejmë se në çfarë mase ushtrojnë ndikimin e tyre dhe cili është interesi i tyre në këtë pjesë të botës.
Përderisa Unioni afrikan kundërshtoi grusht shtetin në Egjipt, BE, si një bashkësi e cila gjithmonë pretendon për promovimin e demokracisë, në këtë rast zgjodhi heshtjen. Turqia dhe Tunizia kundërshtuan këtë veprim të ushtrisë egjiptiane, ndërsa SHBA, Gjermania dhe Arabia Saudite, mbështetën haptazi grusht shtetin në Egjipt.
Republika Islamike e Iranit në fillim ishte pro, kurse më vonë përmes disa deklaratave të zyrtarëve të këtij vendi, mundohet të ketë një qasje më të përmbajtur, duke thënë se është populli egjiptian ai që duhet të vendosë për të ardhmen e tij. Në të vërtetë, qeveritë e shumë shteteve të Lindjes së Mesme, nuk kanë qasje të drejtë ndaj demokracisë dhe veprimet e tyre politike më shumë i shërbejnë interesave të disa shteteve perëndimore, se sa vetë popullit të tyre. Në këtë kuadër vlen të theksohet edhe veprimi i fundit i disa shteteve të Gjirit Persik, të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ndihmuar financiarisht Egjiptin dhe një gjë e tillë ndodh pas rrëzimit nga presidenca të Muhamed Mursit.
Një gjë të tillë e kanë bërë Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe etj. Një veprim i tillë më shumë i shërben vazhdimit të ruajtjes së status quo-së në regjimet e tyre jodemokratike dhe frikës nga një tranzicion i mundshëm demokratik. Revolucionet e ndodhura në vendet arabe, në fillim krijuan përshtypjen e një veprimtarie të vërtetë të popujve, të cilët për dekada të tëra kishin grumbulluar një mllef ndaj qeverive autokratike, mirëpo me kalimin e kohës, një gjë e tillë filloi të zbehej. Një gjë duhet kuptuar se revolucioni dhe demokracia janë dy nocione të ndryshme por që kanë një emërues të përbashkët dhe ai është populli.
Pra revolucioni bëhet nga populli dhe demokracia është qeverisje nga populli. Shikuar realisht, revolucionet e vendeve arabe dhe krijimi i qeverive demokratike nëpër ato vende, nuk është bërë në një koordinim aq profesional. Ndërrimi i regjimeve në Egjipt, Jordani, Marok, Jemen dhe Algjeri më tepër ka pasur pamjen e një “reforme” se sa të një “revolucioni”. Nuk do të thotë se arabët apo shtetet e Lindjes së Mesme, nuk kanë aq njohuri për demokracinë, por problemi qëndron se edhe shtresat neo-konservatore, të cilët në masë të madhe kanë përkrahur lëvizjet revolucionare në vendet e tyre, tani pranojnë faktin se periudha post-revolucionare ka qenë e shtruar në mënyrë të gabuar.
Sipas tyre, më tepër bëhet fjalë për një luftë gjeneratash dhe një mungesë e krijimit të një klase të mesme laike, e cila mund të kishte qenë si një fazë tranzicioni, deri sa të krijohej një nivel i caktuar i stabilizimit apo edhe i rritjes ekonomike dhe në këtë mënyrë, një gjë e këtillë do të ndikonte në arritjen e një kulture të mirëfilltë të demokracisë. SHBA dhe disa shtete tjera perëndimore, përmes financimit të OJQ, në shumicën e shteteve të Lindjes së Mesme, mundohen të arsyetojnë qëllimet e tyre reale, duke thënë se dëshirojnë vendosjen e demokracisë dhe këshillimin e reformave në këto vende. Duke pasur parasysh se Demokracia nënkupton ‘altrenim të pushtetit’, shumica e këtyre OJQ-ve, edhe pse kanë pranuar ndihma nga perëndimi, asnjëherë nuk janë ndeshur direkt apo indirekt me regjimet e vendeve të tyre.
Pra në të vërtetë, SHBA dhe fuqitë tjera perëndimore nuk kanë tentuar asnjëherë përmbysjen e regjimeve arabe, por duke arritur marrëveshje të fshehta strategjike me to, ata kanë ruajtur interesat e tyre, duke përfshirë këtu ruajtjen e pranisë ushtarake të tyre në Gjirin Persik, qasjen direkte në burimet e energjisë dhe ruajtjen e sigurisë së Izraelit. Realisht thënë, revolucionet në Egjipt dhe Tunizi, për vendet perëndimore krijuan një frikë dhe shqetësim tejet serioz, duke kujtuar revolucionin e vitit 1979 në Iran.
Megjithatë, në disa vende ku ndodhën ndryshime të pushteteve, popujt e këtyre vendeve vërejtën se posedojnë fuqi të ndryshimeve politike dhe mund të ndikojnë në ndryshimin e kahjes së interesave të vendeve të fuqishme të cilët eksplorojnë dhe shfrytëzojnë vendet e tyre. Një gjë e tillë vërehet tani në Egjipt, ku simpatizantët e lëvizjes “Vëllezërit Myslimanë”, janë të vendosur në arritjen e synimeve të tyre.
Ata duhet bërë të qartë se ndryshimet politike nëpër vendet e tyre nuk bëhen përmes OJQ-ve, qofshin ato vendore apo ndërkombëtare, të cilat kanë pranuar miliarda dollarë. Pra, nëse me të vërtetë dikush dëshiron që të ndihmojë popujt e Lindjes së Mesme, që të arrijnë deri tek demokracia e vërtetë, atëherë një gjë e tillë më së miri do të bëhej duke iu ofruar atyre së pari përkrahje financiare pa ndonjë interes, monitorim të procesit zgjedhor dhe këshillim të drejtë në krijimin e institucioneve të pavarura shtetërore të dala nga vota e lirë e popullit.
Për t’u sqaruar më qartë përzierja jo e drejtë e SHBA dhe e disa aleatëve të saj në rajonin e Lindjes së mesme, si shembull më i mirë do të ishte Egjipti dhe Tunizia vs Jemenit dhe Bahrejnit. Në Jemen dhe Bahrejn SHBA përkrahin regjimet e këtyre vendeve, ku çdo ditë ndodhin protesta, kurse në Egjipt qeveria dhe presidenti i dalë nga një proces zgjedhor demokratik, që i kishte munguar këtij vendi me dekada, këta nuk përkrahen nga fuqitë botërore.


Dr. Mustafa Bajrami-“Pranvera Arabe”, gënjeshtër apo farsë?

Sipas sociologut të njohur islam el-Kevakibi, ajo që më së shumti i lidh myslimanët mes vete sot është prapambeturia.
Në 50 vjetët e fundit shtetet islame bënë disa hapa përpara por edhe më tutje mbeten më të prapambeturat e planetit. Të tendosur në kulturë, shkencë, sport, politikë e posaçërisht në fe, mbi një miliard e gjysmë myslimanë të ndarë dhe të përçarë, në dy shekujt e fundit luhaten poshtë e lart pa ndonjë program gjithëpërfshirës. Pasojat e kolonializmit ende reflektojnë filozofinë imperialiste të DIVIDE ET IMPERA. Lindja, burimi i të gjitha civilizimeve sot është një lodër në duart e Perëndimit.
Panta Rei, ligji mbi lëvizjen e pandërprerë të çdo gjëje në natyrë me sarkazëm thumbon myslimanët; Ata po lëvizin përpara sepse prapa nuk kanë ku të shkojnë më! Paqartësia e tundjeve në Lindje të Mesme janë tregues të kësaj gjendjeje, e megjithatë ngjarjet nuk kalojnë pa u vërejtur në Evropë. Perëndimi seriozisht po bën “llogaritjet e duhura”.
Shikuar nga kjo perspektivë nuk duhet çuditur nëse myslimanët devijojnë në këtë fazë të rizgjimit. Shërimi i një të sëmuri do kohë njësoj sikur i zgjuari nga gjumi i thellë që nuk këndellet shpejt, aq më shumë riparimi i shoqërive me anomali shpirtërore do përpjekje të mëdha. Konstatojmë se prapambeturia e shumanshme sidomos në fe dhe politikë shthuri myslimanët deri në atë masë sa është tepër rëndë më të drejtohet ajo që ishte shtrembëruar qëllimisht dhe për një kohë të gjatë.
Të nisemi nga feja! Myslimanët që moti lanë pas dore dy të tretat e islamit dhe pavetëdijshëm deroguan shumicën e Kuranit i cili me gjasë u interpretua sipas apetiteve dhe tekeve të individëve. Ata u përqendruan më shumë në ibadet të cilin edhe ashtu pjesërisht dhe vetëm formalisht e ushtrojnë. Islamit iu morën vlerat krijuese ku pushoi të jetë sistem jete.
Mësimet dhe parimet të cilat dikur “bishën e egër” e shndërruan në njeri i hedhën në muze. E drejta sheriatike sot është e strukur në inventarin e vjetruar të bibliotekave. Dijetarët islam të shekujve të fundit më shumë u kujdesen për ti kënaqur apetitet e politikës se sa të shpjegojnë islamin si duhet. Intelektualët, të nevojshëm për frymëzim që fakihët s’mundën t’ia ofrojnë, atë e gjetën tjetërkund.Koha moderne myslimanët i zuri në këtë gjendje.
Pasi humbën betejën me intelektualët sekularistë, dijetarët islam u strukën brenda xhamive të cilat i shndërruan në vende vetëm për ibadet por jo siç ishin më parë; tribuna, shkolla, universitete e akademi. Jeta në përgjithësi filloi të menaxhohej nga sekularistët të cilët kundërshtojnë parimet fetare me pretekstin se ato janë stërvjetruar, si rrjedhojë u hap beteja mes shkencës dhe fesë. Duke dyshuar në rolin udhëheqës të islamit, filloi dërgimi i të rinjve nëpër universitete të huaja të cilët kur ktheheshin, islamin e interpretonin sipas frymës të vendeve ku kishin studiuar. Si përfundim pushteti ra në duart e tyre. Pushtetarët e tanishëm që pushtetin e kishin peshqesh por jo të merituar, për të ruajtur pozitat e veta detyrimisht përhapën totalitarizmin.
Nga ana tjetër, dijetarët e përqendruar nëpër teqe e xhami, të “dehur” nga përrallat e 1001 netëve me gjithë shpjegimet dhe përshkrimet ekstravagante të miraxhit, xhenetit dhe xhehenemit, masave u prezantojnë një islam të shëmtuar. Rinia u gërdit me të veten dhe kënaqej me atë që ishte e huaj. E kaluara e ndritshme shekullore në sytë e rinisë mbeti pa vlerë andaj edhe lëvizi drejt gjetjes së vlerave të reja. Lindja e Mesme sikur edhe shoqëritë tjera myslimane u lëkundën seriozisht. Lindi nevoja për një pranverë të re.
Pranvera Arabe tregoi se të harrosh dhe poshtërosh thesarin dhe historinë tënde rrezikon të poshtërohesh dhe harrohesh për së gjalli. Zëvendësimi i shëmbëlltyrës së kolosëve të historisë si Ebu Bekri, Omeri dhe Aliu me diktatorë dhe korruptues është më se ofenduese. Drita e Zahaviut, babait të lirisë së mendimin politik në islam u shua nga qirinjtë pa dritë të politikanëve si Fejsali, Husejni, Naseri e Gadafi. Nacionalizmi i dha grushtin më të fortë unitetit dhe kontributit të myslimanëve. Nacionalizmi arab është shkaktari kryesor i kolonializimit të tokave islame.
Nga një popull unik u krijuan entitete armiqësore mes vete. Mbretërit dhe monarkët që për ironi disa i quajnë kryetarë nuk janë të zgjedhur por të ardhur me dhunë ose të emëruar nga jashtë.
Farsi i Farabit dhe Ibn Sinës dikur ishte djepi i arsimimit ndërsa pas ndarjes në kufi nacional, për nacionalizmin arab është armiku kryesor. Irani, pra, në vend të frymës së përbashkësisë islame ringjalli mitin e Kirit dhe Kambizit. Kultura persiane krejtësisht u tjetërsua. As në Turqi nacionalistët nuk ishin më pak. Një kohë, republika e Ataturkut luajti rol të rëndësishëm në parandalimin e depërtimit të komunizmit nëpër Anadoll dhe nga andej gjithkund ku flitej urtishtja. Më vonë, turqit u hasmuan me arabët më shumë se me cilin do popull tjetër.
Edhe Egjipti në vend të Amër Ibn Asit dhe Shafiut promovoi civilizimin faraonik në të cilin për ushqim, krokodilëve u hidheshin robërit e lodhur që ndërtonin piramidat. I diplomuar në universitetin e Kajros, aty ku Sead Zagluli përhapi idenë separatiste kombëtare egjiptiane, Sadam Husejni e shndërroi Irakun, djepin e dikurshëm të ushtarëve kundër tiranisë në fabrikë të nacionalizmit arab. Për këtë të fundit një historian i shquar tha:

“Është e ndershme dhe obligim yni që në zemër të Evropës ti ndërtojmë statujën, sepse ai shpëtoi Evropën nga Islami”. Edhe Siria, cepi i Bizantit të vjetër në Lindje të Mesme si dhe Shami i Omajadëve, dikur ishte akademi në vete nga ku dolën përkthyesit më të rryer të Platonit, Aristotelit dhe kulturës helene, ndërsa sot si një pronë private e familjes së Asadit është bërë varr masiv i qytetarëve, të gjallë dhe të vdekur.

Haki Morina-Shteti dhe eksodi

Është e vërtetë se ekonomia e tregut ka kufizimet e veta, përtej të cilave nuk mund të kapërcesh! Është e vërtetë se ky sistem lejon rrugën joligjore të pasurimit, veçanërisht në fazën e parë të ngritjes së tij, është e vërtetë se "domosdoshmëria" e keqpërdorimeve është pjesë e pandashme ligjit të mbivlerës, është e vërtetë se lufta kundër korrupsionit është jashtëzakonisht e vështirë në një ambient ku shkathtësia për të mashtruar quhet aftësi për t'u pasuruar e virtyt njerëzor, është e vërtetë që faktorët e shumtë kanë ndikuar në kompleksitetin dhe vështirësinë e rrugëtimit të realizimit të sovranitetit të Kosovës! Por, ndryshe është kur këto fenomene nuk mund t’i ndalësh dhe vepron mbi kushtet që lejon ky sistem, e ndryshe është kur stimulon elementët brutalë të shfrytëzimit te pasurisë së popullit dhe nëse jo i pari, gjendesh në krye të listës së frymëzimit të mosluftimit të formës ekstremiste të "ndërtimit" të shtetit demokratik.
Imoraliteti ekonomik është forma më e shpejtë e zhvillimit të shtetit, që për bazë ka ekonominë e tregut por jo edhe imoraliteti ekstrem dhe krejt i shfrenuar. Kjo formë e deritanishme, siç po e tregon koha, e pengon dhe nuk lejon zgjidhjen e problemeve themelore që do të ndikonte automatikisht në stabilizimin më të shpejtë të krejt godinës shtetërore e si rrjedhim edhe të rritjes së fuqisë për zgjidhjen e problemeve tjera, duke përfshirë edhe kontestet historike me fqinjët tanë grabitqar, sidomos me nacional-shovinizmin serb!
Thaqi thotë: "Nuk jemi të përkryer por jemi më të mirët"! Asnjë vrojtues i matur politik nuk bën e as nuk duhet të bëjë krahasime mes kryeministrit aktual, Thaçit me liderët tjerë! Krahasimi real bëhet mes asaj që bën dhe me asaj që mund dhe duhet të bëjë një kryeministër, i cili u bë lider në sajë të sakrificës së shumë brezave dhe të rënëve për liri! Qeverisja, sistematikisht e keqe, që nga përfundimi i luftës, që erdhi edhe si rezultat i një trashëgimie të gjatë e injorancës, ka ndikuar dhe po ndikon në mosarritjen e standardeve reale të jetesës, të cilat do të mjaftonin në pengimin e largimit masiv nga Kosova!
Kontakti intensiv i shoqërisë sonë me botën e zhvilluar ishte dhe vazhdon të jetë një mundësi e madhe e zhvillimit të shpejtë. Një qeveri e vërtetë do të duhej të shfrytëzonte maksimalisht këtë përparësi duke "imponuar" stilin perëndimor, të arritur me përpjekje e luftëra qindravjeçare të atyre popujve. Një nga ajetet e rëndësishme të Kuranit është edhe "yrneku".
Atëherë pse shoqëria jonë myslimane dhe qeveria jonë e dalë nga ky popull nuk merr parasysh këtë "rekomandim" të vyer të librit të shenjtë për të kapur me shpejtësi nivelet e larta të zhvillimit perëndimor? Por jo vetëm që nuk u bë kjo, por që nga fillimi, duke përfshirë edhe kryeministrin Thaçi, i cili jetoi në një vend perëndimor, në vend të sakrificave për të forcuar "thesin" e shtetit, bën të kundërtën, lejuan që kush e kush më shumë të grabisë pasurinë kombëtare! Natyrisht që kjo demotivoi dhe pamundësoi energjitë pozitive, brenda popullit, të shpërthenin me tempon e saj maksimale, duke e ndërprerë mundësinë e shumëfishimit të pasurisë kombëtare.
Kjo vijë politike u mbajt në kontinuitet gjatë tërë qeverisjes së vendit, duke e mbajtur njeriun e Kosovës në gjendje gjysmë paralizuese! Ndryshimet e ndodhura pas luftës në Kosovë, ishin rezultat i faktorëve të tjerë spontan e jo i mirëqeverisjes. Gati gjithçka ishte jashtë angazhimit të lidershipit politik. Justifikimi i vetvetes, me të arriturat "spontane" përmes politikës mashtruese se gjoja qeveria (të gjitha një pas një) po bëjnë përpjekje të mëdha, duke shkaktuar përparime të "ndjeshme" në zhvillimin e vendit, janë vetëm farsë! Është e vërtetë që në këtë mashtrim kontribuoi edhe protektorati i ndërlikuar ndërkombëtar.
Mosshpallja e shpejtë e pavarësisë së Kosovës e më vonë edhe sovraniteti i cunguar, për shkak të rastit të "veriut të Kosovës", u shfrytëzua për të fshehur mungesën e përkushtimit për realizimin e idealeve për të cilën heronjtë tanë ranë. Rezultatet e vonuara në politikën e jashtme erdhën si rezultat i politikave të fuqive të mëdha në raport me Kosovën. Ato ishin jashtë kreativitetit të faktorit të brendshëm politik, të cilat u prezantuan si gjoja meritë e tyre, e në anën tjetër, duke shfrytëzuar patriotizmin folklorik shqiptar, tipik për patriotizmat e pasluftës, që kanë të bëjnë me "llafe pas kuvendit", nga ana e opozitës, e mbajtën vetëdijen e elektoratit në gjumë të thellë, duke mos bërë asnjë përpjekje për të neutralizuar pengesat e natyrave të ndryshme, që do të mundësonin një përparim efektiv, drejtpërdrejt në të gjitha sferat e shoqërisë dhe të shtetit.
Pra, duke vepruar në mënyrën siç nuk duhej vepruar, ekonomia, si baza e zhvillimit të shtetit e kombit, mbeti larg fuqisë së saj për të prodhuar vende pune. Duke kthyer mbrapsht konceptin e profitit dhe të krejt konceptit të ekonomisë së tregut, u krijua një gjendje absurde, ku elementet bazë u injoruan në mënyrë të paparë. Një nga shtyllat më të rëndësishme të hyrjeve financiare, që vjen nga potenciali gjigant i diasporës, u injorua, thuajse nuk ishte për të mirën e popullit.
Shfrytëzimi racional i këtij elementi të prurjeve materiale, në fillimin e ndërtimit të shtetit të ri e pahulumtuar e qeverisjes sonë duke manifestuar një sjellje dekurajuese që reduktoi në maksimum interesimin e bashkatdhetarëve, jo vetëm për investime por edhe për prurje të thjeshta e tradicionale financiare. Infrastruktura, duke filluar nga rrugët, kanalizimet e ujësjellësit, një kohë u lanë fare mënjanë! Kur u vunë "në qendër të vëmendjes", u punua me mentalitet të një shekulli me parë, duke mos marrë fare parasysh metodat e reja dhe standardet evropiane. Me këto politika shkuan sa destimuluan bashkatdhetarët edhe për të vizituar atdheun.
Në anën tjetër, vështrimi i biznesit, dhe i ndërmarrjeve private, jo si mekanizëm për të rritur kapacitet prodhuese në ekonominë e saponisur të "tregut të lirë" por, si një mundësi për të kapur pushtet politik dhe ekonomik sa më të madh, ishte dhe vazhdon të jetë një ndër faktorët e rëndësishëm të ritmit tepër të ngadalshëm të hapjes së vendeve të reja të punës. Duke menduar për xhepin e vet, e duke mos dhënë shtytje dinamizuese zhvillimit të vendit, mosasistenca në zhvillimin e industrisë, është tipari dallues i qeverisjes në Kosovës. Indiferentizmi total në drejtim të mbështetjes për ngritje të cilësisë së produkteve vendore po i kushton shumë këtij vendi.
Qasja tërësisht antiekonomike në bujqësi, e sidomos në blegtori, shkaktoi barriera të rënda në zhvillimin e këtij sektori. Me grykësi të pafund, në kurriz të interesit të përgjithshëm, u pamundësua rritja e shpejtë e rendimenteve bujqësore e blegtorale.

Këto dhe shumë të tjerë faktorë politiko-ekonomik, embrioni i së cilës qëndron te mosrespektimi i parimeve themelore të zhvillimit, që nga mënyra e organizimit partiak ku kryetarët e nëndegës zgjidhen nga Dega e kryetarët e Degës zgjidhen nga Qendra, e deri tek organizimit institucional-shtetëror, quan në situata dëshpëruese, duke mbytur shpresën dhe besimin, të cilat po manifestohen me fenomene të rënda, siç janë përpjekjet e fundit të qytetarëve të thjeshtë, për të gjetur shpëtim në një botë tjetër, jashtë vendit të tyre e larg ku kanë lindur. Nga vendi ku qytetarët e saj, fjalën e parë e kanë: "s'ka kurrgjë këtu"!

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...