Si dëshmi më e fortë se demokracia e mirëfilltë aktualisht nuk mund të zë vend në ndonjë nga shtetet e Lindjes së Mesme, është rasti i fundit në Egjipt. Dikush thotë se ishin pikërisht gabimet e lëvizjes “Vëllezërit Myslimanë” dhe të Muhamed Mursi, që çuan në rrëzimin e këtij të fundit përmes grusht-shtetit të ushtrisë egjiptiane.
Tani mund të thuhet se rrëzimi i Hosni Mubarakut dhe krijimi i kushteve për zhvillimin e zgjedhjeve të lira në Egjipt, ishin vetëm dy teste, për të parë implusivitetin e popullit egjiptian, se sa është në gjendje t’i rezistojë një procesi politik demokratik dhe cilat janë pasojat negative ndaj interesave të disa shteteve perëndimore që dominojë në Lindjen e Mesme.
Rasti i Egjiptit dëshmon qartë për një prezencë të gjerë të shërbimeve të ndryshme të huaja, jo vetëm në këtë vend, por në tërë Lindjen e Mesme. Sipas reagimeve të shteteve me ndikim në botë, mund shumë lehtë të vërejmë se në çfarë mase ushtrojnë ndikimin e tyre dhe cili është interesi i tyre në këtë pjesë të botës.
Përderisa Unioni afrikan kundërshtoi grusht shtetin në Egjipt, BE, si një bashkësi e cila gjithmonë pretendon për promovimin e demokracisë, në këtë rast zgjodhi heshtjen. Turqia dhe Tunizia kundërshtuan këtë veprim të ushtrisë egjiptiane, ndërsa SHBA, Gjermania dhe Arabia Saudite, mbështetën haptazi grusht shtetin në Egjipt.
Republika Islamike e Iranit në fillim ishte pro, kurse më vonë përmes disa deklaratave të zyrtarëve të këtij vendi, mundohet të ketë një qasje më të përmbajtur, duke thënë se është populli egjiptian ai që duhet të vendosë për të ardhmen e tij. Në të vërtetë, qeveritë e shumë shteteve të Lindjes së Mesme, nuk kanë qasje të drejtë ndaj demokracisë dhe veprimet e tyre politike më shumë i shërbejnë interesave të disa shteteve perëndimore, se sa vetë popullit të tyre. Në këtë kuadër vlen të theksohet edhe veprimi i fundit i disa shteteve të Gjirit Persik, të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ndihmuar financiarisht Egjiptin dhe një gjë e tillë ndodh pas rrëzimit nga presidenca të Muhamed Mursit.
Një gjë të tillë e kanë bërë Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe etj. Një veprim i tillë më shumë i shërben vazhdimit të ruajtjes së status quo-së në regjimet e tyre jodemokratike dhe frikës nga një tranzicion i mundshëm demokratik. Revolucionet e ndodhura në vendet arabe, në fillim krijuan përshtypjen e një veprimtarie të vërtetë të popujve, të cilët për dekada të tëra kishin grumbulluar një mllef ndaj qeverive autokratike, mirëpo me kalimin e kohës, një gjë e tillë filloi të zbehej. Një gjë duhet kuptuar se revolucioni dhe demokracia janë dy nocione të ndryshme por që kanë një emërues të përbashkët dhe ai është populli.
Pra revolucioni bëhet nga populli dhe demokracia është qeverisje nga populli. Shikuar realisht, revolucionet e vendeve arabe dhe krijimi i qeverive demokratike nëpër ato vende, nuk është bërë në një koordinim aq profesional. Ndërrimi i regjimeve në Egjipt, Jordani, Marok, Jemen dhe Algjeri më tepër ka pasur pamjen e një “reforme” se sa të një “revolucioni”. Nuk do të thotë se arabët apo shtetet e Lindjes së Mesme, nuk kanë aq njohuri për demokracinë, por problemi qëndron se edhe shtresat neo-konservatore, të cilët në masë të madhe kanë përkrahur lëvizjet revolucionare në vendet e tyre, tani pranojnë faktin se periudha post-revolucionare ka qenë e shtruar në mënyrë të gabuar.
Sipas tyre, më tepër bëhet fjalë për një luftë gjeneratash dhe një mungesë e krijimit të një klase të mesme laike, e cila mund të kishte qenë si një fazë tranzicioni, deri sa të krijohej një nivel i caktuar i stabilizimit apo edhe i rritjes ekonomike dhe në këtë mënyrë, një gjë e këtillë do të ndikonte në arritjen e një kulture të mirëfilltë të demokracisë. SHBA dhe disa shtete tjera perëndimore, përmes financimit të OJQ, në shumicën e shteteve të Lindjes së Mesme, mundohen të arsyetojnë qëllimet e tyre reale, duke thënë se dëshirojnë vendosjen e demokracisë dhe këshillimin e reformave në këto vende. Duke pasur parasysh se Demokracia nënkupton ‘altrenim të pushtetit’, shumica e këtyre OJQ-ve, edhe pse kanë pranuar ndihma nga perëndimi, asnjëherë nuk janë ndeshur direkt apo indirekt me regjimet e vendeve të tyre.
Pra në të vërtetë, SHBA dhe fuqitë tjera perëndimore nuk kanë tentuar asnjëherë përmbysjen e regjimeve arabe, por duke arritur marrëveshje të fshehta strategjike me to, ata kanë ruajtur interesat e tyre, duke përfshirë këtu ruajtjen e pranisë ushtarake të tyre në Gjirin Persik, qasjen direkte në burimet e energjisë dhe ruajtjen e sigurisë së Izraelit. Realisht thënë, revolucionet në Egjipt dhe Tunizi, për vendet perëndimore krijuan një frikë dhe shqetësim tejet serioz, duke kujtuar revolucionin e vitit 1979 në Iran.
Megjithatë, në disa vende ku ndodhën ndryshime të pushteteve, popujt e këtyre vendeve vërejtën se posedojnë fuqi të ndryshimeve politike dhe mund të ndikojnë në ndryshimin e kahjes së interesave të vendeve të fuqishme të cilët eksplorojnë dhe shfrytëzojnë vendet e tyre. Një gjë e tillë vërehet tani në Egjipt, ku simpatizantët e lëvizjes “Vëllezërit Myslimanë”, janë të vendosur në arritjen e synimeve të tyre.
Ata duhet bërë të qartë se ndryshimet politike nëpër vendet e tyre nuk bëhen përmes OJQ-ve, qofshin ato vendore apo ndërkombëtare, të cilat kanë pranuar miliarda dollarë. Pra, nëse me të vërtetë dikush dëshiron që të ndihmojë popujt e Lindjes së Mesme, që të arrijnë deri tek demokracia e vërtetë, atëherë një gjë e tillë më së miri do të bëhej duke iu ofruar atyre së pari përkrahje financiare pa ndonjë interes, monitorim të procesit zgjedhor dhe këshillim të drejtë në krijimin e institucioneve të pavarura shtetërore të dala nga vota e lirë e popullit.
Për t’u sqaruar më qartë përzierja jo e drejtë e SHBA dhe e disa aleatëve të saj në rajonin e Lindjes së mesme, si shembull më i mirë do të ishte Egjipti dhe Tunizia vs Jemenit dhe Bahrejnit. Në Jemen dhe Bahrejn SHBA përkrahin regjimet e këtyre vendeve, ku çdo ditë ndodhin protesta, kurse në Egjipt qeveria dhe presidenti i dalë nga një proces zgjedhor demokratik, që i kishte munguar këtij vendi me dekada, këta nuk përkrahen nga fuqitë botërore.