2013-07-21

Haki Morina-Shteti dhe eksodi

Është e vërtetë se ekonomia e tregut ka kufizimet e veta, përtej të cilave nuk mund të kapërcesh! Është e vërtetë se ky sistem lejon rrugën joligjore të pasurimit, veçanërisht në fazën e parë të ngritjes së tij, është e vërtetë se "domosdoshmëria" e keqpërdorimeve është pjesë e pandashme ligjit të mbivlerës, është e vërtetë se lufta kundër korrupsionit është jashtëzakonisht e vështirë në një ambient ku shkathtësia për të mashtruar quhet aftësi për t'u pasuruar e virtyt njerëzor, është e vërtetë që faktorët e shumtë kanë ndikuar në kompleksitetin dhe vështirësinë e rrugëtimit të realizimit të sovranitetit të Kosovës! Por, ndryshe është kur këto fenomene nuk mund t’i ndalësh dhe vepron mbi kushtet që lejon ky sistem, e ndryshe është kur stimulon elementët brutalë të shfrytëzimit te pasurisë së popullit dhe nëse jo i pari, gjendesh në krye të listës së frymëzimit të mosluftimit të formës ekstremiste të "ndërtimit" të shtetit demokratik.
Imoraliteti ekonomik është forma më e shpejtë e zhvillimit të shtetit, që për bazë ka ekonominë e tregut por jo edhe imoraliteti ekstrem dhe krejt i shfrenuar. Kjo formë e deritanishme, siç po e tregon koha, e pengon dhe nuk lejon zgjidhjen e problemeve themelore që do të ndikonte automatikisht në stabilizimin më të shpejtë të krejt godinës shtetërore e si rrjedhim edhe të rritjes së fuqisë për zgjidhjen e problemeve tjera, duke përfshirë edhe kontestet historike me fqinjët tanë grabitqar, sidomos me nacional-shovinizmin serb!
Thaqi thotë: "Nuk jemi të përkryer por jemi më të mirët"! Asnjë vrojtues i matur politik nuk bën e as nuk duhet të bëjë krahasime mes kryeministrit aktual, Thaçit me liderët tjerë! Krahasimi real bëhet mes asaj që bën dhe me asaj që mund dhe duhet të bëjë një kryeministër, i cili u bë lider në sajë të sakrificës së shumë brezave dhe të rënëve për liri! Qeverisja, sistematikisht e keqe, që nga përfundimi i luftës, që erdhi edhe si rezultat i një trashëgimie të gjatë e injorancës, ka ndikuar dhe po ndikon në mosarritjen e standardeve reale të jetesës, të cilat do të mjaftonin në pengimin e largimit masiv nga Kosova!
Kontakti intensiv i shoqërisë sonë me botën e zhvilluar ishte dhe vazhdon të jetë një mundësi e madhe e zhvillimit të shpejtë. Një qeveri e vërtetë do të duhej të shfrytëzonte maksimalisht këtë përparësi duke "imponuar" stilin perëndimor, të arritur me përpjekje e luftëra qindravjeçare të atyre popujve. Një nga ajetet e rëndësishme të Kuranit është edhe "yrneku".
Atëherë pse shoqëria jonë myslimane dhe qeveria jonë e dalë nga ky popull nuk merr parasysh këtë "rekomandim" të vyer të librit të shenjtë për të kapur me shpejtësi nivelet e larta të zhvillimit perëndimor? Por jo vetëm që nuk u bë kjo, por që nga fillimi, duke përfshirë edhe kryeministrin Thaçi, i cili jetoi në një vend perëndimor, në vend të sakrificave për të forcuar "thesin" e shtetit, bën të kundërtën, lejuan që kush e kush më shumë të grabisë pasurinë kombëtare! Natyrisht që kjo demotivoi dhe pamundësoi energjitë pozitive, brenda popullit, të shpërthenin me tempon e saj maksimale, duke e ndërprerë mundësinë e shumëfishimit të pasurisë kombëtare.
Kjo vijë politike u mbajt në kontinuitet gjatë tërë qeverisjes së vendit, duke e mbajtur njeriun e Kosovës në gjendje gjysmë paralizuese! Ndryshimet e ndodhura pas luftës në Kosovë, ishin rezultat i faktorëve të tjerë spontan e jo i mirëqeverisjes. Gati gjithçka ishte jashtë angazhimit të lidershipit politik. Justifikimi i vetvetes, me të arriturat "spontane" përmes politikës mashtruese se gjoja qeveria (të gjitha një pas një) po bëjnë përpjekje të mëdha, duke shkaktuar përparime të "ndjeshme" në zhvillimin e vendit, janë vetëm farsë! Është e vërtetë që në këtë mashtrim kontribuoi edhe protektorati i ndërlikuar ndërkombëtar.
Mosshpallja e shpejtë e pavarësisë së Kosovës e më vonë edhe sovraniteti i cunguar, për shkak të rastit të "veriut të Kosovës", u shfrytëzua për të fshehur mungesën e përkushtimit për realizimin e idealeve për të cilën heronjtë tanë ranë. Rezultatet e vonuara në politikën e jashtme erdhën si rezultat i politikave të fuqive të mëdha në raport me Kosovën. Ato ishin jashtë kreativitetit të faktorit të brendshëm politik, të cilat u prezantuan si gjoja meritë e tyre, e në anën tjetër, duke shfrytëzuar patriotizmin folklorik shqiptar, tipik për patriotizmat e pasluftës, që kanë të bëjnë me "llafe pas kuvendit", nga ana e opozitës, e mbajtën vetëdijen e elektoratit në gjumë të thellë, duke mos bërë asnjë përpjekje për të neutralizuar pengesat e natyrave të ndryshme, që do të mundësonin një përparim efektiv, drejtpërdrejt në të gjitha sferat e shoqërisë dhe të shtetit.
Pra, duke vepruar në mënyrën siç nuk duhej vepruar, ekonomia, si baza e zhvillimit të shtetit e kombit, mbeti larg fuqisë së saj për të prodhuar vende pune. Duke kthyer mbrapsht konceptin e profitit dhe të krejt konceptit të ekonomisë së tregut, u krijua një gjendje absurde, ku elementet bazë u injoruan në mënyrë të paparë. Një nga shtyllat më të rëndësishme të hyrjeve financiare, që vjen nga potenciali gjigant i diasporës, u injorua, thuajse nuk ishte për të mirën e popullit.
Shfrytëzimi racional i këtij elementi të prurjeve materiale, në fillimin e ndërtimit të shtetit të ri e pahulumtuar e qeverisjes sonë duke manifestuar një sjellje dekurajuese që reduktoi në maksimum interesimin e bashkatdhetarëve, jo vetëm për investime por edhe për prurje të thjeshta e tradicionale financiare. Infrastruktura, duke filluar nga rrugët, kanalizimet e ujësjellësit, një kohë u lanë fare mënjanë! Kur u vunë "në qendër të vëmendjes", u punua me mentalitet të një shekulli me parë, duke mos marrë fare parasysh metodat e reja dhe standardet evropiane. Me këto politika shkuan sa destimuluan bashkatdhetarët edhe për të vizituar atdheun.
Në anën tjetër, vështrimi i biznesit, dhe i ndërmarrjeve private, jo si mekanizëm për të rritur kapacitet prodhuese në ekonominë e saponisur të "tregut të lirë" por, si një mundësi për të kapur pushtet politik dhe ekonomik sa më të madh, ishte dhe vazhdon të jetë një ndër faktorët e rëndësishëm të ritmit tepër të ngadalshëm të hapjes së vendeve të reja të punës. Duke menduar për xhepin e vet, e duke mos dhënë shtytje dinamizuese zhvillimit të vendit, mosasistenca në zhvillimin e industrisë, është tipari dallues i qeverisjes në Kosovës. Indiferentizmi total në drejtim të mbështetjes për ngritje të cilësisë së produkteve vendore po i kushton shumë këtij vendi.
Qasja tërësisht antiekonomike në bujqësi, e sidomos në blegtori, shkaktoi barriera të rënda në zhvillimin e këtij sektori. Me grykësi të pafund, në kurriz të interesit të përgjithshëm, u pamundësua rritja e shpejtë e rendimenteve bujqësore e blegtorale.

Këto dhe shumë të tjerë faktorë politiko-ekonomik, embrioni i së cilës qëndron te mosrespektimi i parimeve themelore të zhvillimit, që nga mënyra e organizimit partiak ku kryetarët e nëndegës zgjidhen nga Dega e kryetarët e Degës zgjidhen nga Qendra, e deri tek organizimit institucional-shtetëror, quan në situata dëshpëruese, duke mbytur shpresën dhe besimin, të cilat po manifestohen me fenomene të rënda, siç janë përpjekjet e fundit të qytetarëve të thjeshtë, për të gjetur shpëtim në një botë tjetër, jashtë vendit të tyre e larg ku kanë lindur. Nga vendi ku qytetarët e saj, fjalën e parë e kanë: "s'ka kurrgjë këtu"!

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...