2013-07-22

Shkrimtarja, nuk e ka fshehur aspak simpatinë e saj për Presidentin Barak Obama





Toni Morrison





“Toni Morrison ishte e para grua me ngjyrë që e fitonte këtë çmim. Ajo u cilësua si një nga shkrimtaret me një forcë vizionare dhe poetike shumë të fuqishme, e cila paraqet esencën e realitetit amerikan.”



1-Jeta & karriera



Lindi si Chloe Antoni Uoford , më 18 shkurt të vitit 1931, në Lorain, të Ohaios. Ajo ishte fëmija i dytë, ndër katër fëmijët e një familjeje punëtore. Që kur ishte fëmijë, Morrison lexonte libra në mënyrë konstante. Autorët më të preferuar të Morrison ishin: Jane Austen dhe Lev Tolstoi. Babai i saj, Xhorxh Uoford, saldues në profesion, kur ajo ishte e vogël shpeshherë i ka treguar shumë tregime popullore me tema afro-amerikane, gjë që Morrison do ta reflektonte edhe në punët e saj më vonë. Në vitin 1949, Morrison hyri në universitetin e Howardit, për letërsi angleze, për shkak se emri i saj Chloe theksohej me vështirësi, ajo e ndërroi emrin në Toni. Morrison morri në vitin 1953 nga universiteti çmimin B.A. në degën e letërsisë, më pas ajo do të fitonte titullin “Master of Arts”, po në degën e letërsisë, nga universiteti Kornell në vitin 1955. Po në këtë vit Morrison shkroi disa teza rreth vetvrasjes, duke u mbështetur shumë në punët e shkrimtarëve si Uilliam Faulkner dhe Virxhinia Ullf. Pas dipllomimit, Morrison u bë mësuese e letërsisë angleze në universitetin e Teksasit të jugut, në qytetin e Hustonit, në shtetin e Teksasit, nga viti 1955 deri në vitin 1957, dhe më pas ajo do të rikthehej në Howard, por tashmë si mësuese e letërsisë angleze. Ajo do të bëhej anëtare e një shoqërie studentore (vajzash), të titulluar “Alfa Kapa Alfa.” Në vitin 1958, Morrison u martua me një arkitekt xhamajkan, Harold Morrison, i cili ishte shoku i saj në fakultet. Ata patën dy fëmijë, Harold dhe Slade, në vitin 1964, ata do të divorcoheshin nga njëri-tjetri. Pas divorcit Morrison u shpërngul në Siraguza, në Nju Jork, ku ajo do të punonte si redaktore e një shtëpie botuese të librit shkollor. Një vit e gjysëm më pas ajo do të punonte si redaktore në zyrat qëndrore të Random House në Nju Jork. Si redaktore, Morrison luajti një rrol të rëndësishëm në vënien në evidencë të literaturës të komunitetit afro-amerikan, duke promovuar autorë si: Toni Cade Bambara, Angela Davis dhe Gayl Jones. Ajo gjthashtu do të punonte si redaktore e një reviste prestigjoze letrare, ku edhe do të shquhej edhe si kritike letrare duke mbajtur shumë konferenca publike që trajtonin kulturën afro-amerikane. Në vitin 2005, universiteti i Oxfordit i jep asaj titullin e doktorit të nderit.





2-Karriera si shkrimtare



Morrison filloi që të shkruaj proza letrare, duke qenë pjesë e një grupi poetësh dhe shkrimtarësh informalë në universitetin e Howardit, ku takoheshin dhe diskutonin rreth punëve të tyre. Një herë ajo diskutoi me ta për një tregim të shkruar prej saj, që bënte fjalë për një vajzë me ngjyrë, e cila dëshironte shumë që të kishte sytë blu. Kjo histori më vonë do të bëhej romani më i mirë i saj, e titulluar “Syri blu”, e publikuar në vitin 1970, të cilën e publikoi gjatë kohës kur ajo kryente punën si mësuese letërsie dhe njëkohësisht edhe atë të nënës. Në vitin 2000 ajo u bë anëtare e klubit të Oprahs. Në vitin 1975, romani i saj i titulluar “Sula”, u nominua për të marrë çmimin si libri më i mirë. Në vitin 1976, Morrison do të emërohej si pedagoge në universitetin e Yale. Romani i saj i tretë, i titulluar “Kënga e Solomonit”, e publikuar në vitin 1977, e bëri atë të njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Aty përshkruhet jeta e një djali zezak që gjatë viteve 70-të niset për në Detroit, ku të drejtat civile ishin akoma në pikpyetje, ai do të shkonte drejt veriut për të gjetur të shkuarën e tij. Romani u përzgjodh si libri më i mirë i muajit, romani i parë ky, i cili ishte shkruar nga një shkrimtare me ngjyrë. Para saj ishte zgjedhur romani “Djali vendas”, i shkruar nga Riçard Rajt në vitin 1940. Ai në këtë vit mori dhe çmimin e kritikës. Në vitin 1981, Morrison do të publikonte një tjetër roman të titulluar “Ishulli i iluzioneve”, aty ajo përshkruan shumë mirë rrezikun e tjetërsimit të kulturës afro-amerikane në vitet 80-të. Në këtë kohë ajo do të bëhej anëtare me të drejta të plota në Akademinë amerikane të arteve, duke marrë shumë çmime letrare. Në vitin 1984, ajo do ta linte Random House dhe do të fillonte që të punonte si pedagoge në universitetin e shtetit të Nju Jorkut në Albany, po në këtë vit ajo do të ushtronte gjithashtu profesionin e pedagoges edhe në kolegjin Bard, këtu ajo do të vinte në skenë Dreaming Emmett me regji të Gilbert Moses. Në vitin 1987, romani i saj i titulluar “E dashur”, pati një sukses të padiskutueshëm, sidomos nga kritika. Këtu përshkruhet jeta e një skllaveje që ishte e arratisur që preferon më mirë që të vrasi vajzën e saj, që ajo të mos përjetojë ato caste makthi që ajo kishte vuajtur përpara si skllave. Kur ajo dështoi që të merrte çmimin si romani më i mirë dhe më pas atë të kritikës, një numër i madh shkrimtarësh protestuan shumë për këtë padrejtësi. Por pak kohë më vonë ajo do të nderohej me çmimin prestigjoz, Pulizer. Romani “E dashur” u bë film në vitin 1998, po me të njëjtin emër, ky film u interpretua nga Oprah Uinfred dhe Danny Glover. Morrison më vonë do të përshkruante jetën e Margaret Garner në një opera. Opera kjo me muzikë nga Richard Danielpour. Në vitin 1989, ajo do të jepte mësim në univeritetin Princeton. Një vit më vonë, në vitin 1990, ajo do të nderohej me çmimin Ndërkombëtar Chianti Ruffino. Dy vite më vonë, ajo do të publikonte “Jazz”, një volum që përfshin të gjitha tekstet e fjalimeve të saja të mbajtura nëpër konferenca në universitetin e Harvardit. Në maj të 2006, ajo me romanin “E dashur”, mori çmimin prestigjoz,si romani më i mirë amerikan në 25 vjetët e fundit nga Nju Jork Times. Në vitin 1993, Toni Morrison u nderua me çmimin Nobel për letërsi, ajo ishte e para grua me ngjyrë që e fitonte këtë çmim. Ajo u cilësua si një nga shkrimtaret me një forcë vizionare dhe poetike shumë të fuqishme, e cila paraqet esencën e realitetit amerikan. Në vitin 1996, Morrison do të nderohej me çmimin Jefferson në letërsi, qeveria federale do ta nderonte gjithashtu atë duke i dhënë asaj çmimin për arritjet e saja në fushën humanitare. Megjithëse romanet e saja kanë në plan të parë femrat, Morrison nuk nguron të thotë se ajo nuk është feministe, ndonëse shton ajo,- “shumë veta e mendojnë këtë”. Unë nuk pajtohem kurrsesi si me patriarkalizmin ashtu edhe me matriarkalizmin, unë mendoj se kjo është një mënyrë shumë e mirë që t’ia hapim dyert të gjitha gjërave, shtoi Morrison. Morrison gjatë karrierës së saj artistike ka shkruar gjithashtu romane për fëmijë në bashkëpunim me djalin e saj, Slade Morrison, i cili punon aktualisht si piktor dhe muzikant njëkohësisht.





Jeta e mëvonshme



Morrison ushtroi profesionin e pedagoges së gjuhës angleze në universitetin e shtetit të Nju Jorkut. Në vitin 1984, ajo u zgjodh si drejtoreshë në universitetin në Albany. Nga 1989 deri në vitin 2006, Morrison mbajti detyrën e drejtoreshës Robert F Goheen për ndihma humanitare në universitetin e Prinstonit. Ndonëse në programin që kishte universiteti për punën e lirë dhe kreative, Morrison nuk e zbatoi atë rregullisht, duke mos zhvilluar në klasë mbledhje për një debat të lirë me studentët në fund të 90-tës, një fakt ky që pati shumë kritika në adresë të saj. Morrison mbahet mend edhe për një program të ri që ajo adoptoi në universitet, që ishte Princeton Atelier, një program ku bënte të mundur që të takoheshin nxënësit më të mirë të shkollës me njerëz të njohur, ata bashkëpunonin bashkë për punë të ndryshme artistike, ku më vonë ata do t’i paraqisnin në fund të semestrit. Me anë të këtij programi Morrison dëshironte që jo vetëm të promovonte të rinjtë e talentuar, por edhe që t’iu jepte kurajo atyre që ishin pak të ndrojtur, duke iu dhënë shansin që të punonin në grup me të tjerët. Në vitin 1979, kolegji Bernard e nderoi atë duke i dhënë një medalje nderi. Universiteti i Oxfordit në qershor të vitit 2005 e nderoi atë duke i dhënë titullin doktor honorifik. Në nëntor të vitit 2006, Morrison vizitoi Luvrin në Paris sipas një programi të drejtuar prej saj ku konsistonte që për një muaj të shfaqeshin evenimente kulturore e cila u quajt “Shtëpia e të huajve”. Më vonë në vitin 2008, Morrison rikthehet në Prinston për të dirigjuar një seminar, që gjithashtu u titullua “Shtëpia e të huajve”. Aktualisht, Morrison është anëtare e bordit drejtues në revistën The Nation. Përsa i përket pikpamjeve të saj politike, Morrison mbështet partinë demokratike, shkrimtarja e njohur nuk e ka fshehur aspak simpatinë e saj për Presidentin Barak Obama. Ajo e mbështeti atë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2008.







Përktheu nga anglishtja

ENDRIT SHTYLLA

Albert Kamy Çmimi Nobel për letërsi (1957)




Vitet e rinisë:

Albert Kamy lindi më 7 nëntor të vitit 1913 në Mondovi të Algjerisë (koloni e Francës). Nëna e tij ishte me origjinë spanjolle dhe gjysëm e shurdhuar. Babai i tij Lucien, një punëtor i varfër agrikulture me origjinë nga Alsatia. Ai vdiq në betejën e Marnës në vitin 1914, gjatë luftës së I botërore, gjatë kohës kur ai bënte pjesë në regjimentin e këmbësorisë së Zouave. Albert Kamy jetoi në një gjëndje të vështirë ekonomike gjatë fëmijërisë së tij në Belcourt, lagje kjo e algjerianëve. Në vitin 1923, ai u pranua, të ndiqte mësimet e para në një lice në Algjeri, më pas do të vazhdonte studimet e larta pranë universitetit të Algjerianëve. Sidoqoftë, ai u sëmur rëndë nga tuberkulozi në vitin 1930, gjë kjo që bëri të mundur që Kamy të hiqte dorë nga futbolli i luajtur (ai ka qenë portier në skuadrën e universitetit të tij) dhe e detyroi atë që të vazhdonte mësimet part-time. Ai bënte punë të vogla, përfshirë këtu punë si: tutor privat, si dhe si punëtor në institutin e Meteorollogjisë. Kamy mori dipllomën si filozof në vitin 1935. Në maj të vitit 1936 Kamy pati shumë sukses në prezantimin e tezës së tij “Plotinus”, gjatë marrjes së dipllomës. Gjatë vitit 1936, Kamy u bë anëtar i partisë popullore algjeriane, gjë e cila i solli atij shumë telashe që erdhën nga ana e partisë komuniste franceze, në të cilë ai bënte pjesë, pas kësaj ai do të quhej si Trockian dhe do të përjashtohej nga partia në vitin 1937. Por Kamy më vonë do të bashkohej me lëvizjen e anarshistëve francezë. Në vitin 1934, Kamy, do të martohej me Simone Hie, një e droguar, por martesa e tyre nuk përfundoi për shkak të kësaj, por për shkak të tradhëtisë bashkëshortore nga të dyja palët. Në vitin 1935, Kamy themeloi teatrin e punëtorëve, e cila zgjati e hapur deri në vitin 1939. Nga viti 1937 deri në vitin 1939 ai punoi si gazetar për një gazetë socialiste Alger-republicain. Punët e tij përfshinin jetën e fshatarëve të Kabiliesë, të cilët jetonin në kushte shumë të këqija ekonomike, shkrime këto që bën të mundur që Kamy të pushohej nga puna. Nga viti 1939 deri në vitin 1940 ai punoi për një periudhë të shkurtër kohore për një tjetër gazetë të ngjashme. Më vonë ai do të refuzohej për t’u bërë pjesëtar i saj, për arsyen e vetme se qe i sëmur me tuberkuloz. Në vitin 1940, Kamy do të martohej me Francine Faure, një pianiste dhe mësuese matematike. Ndërkohë që ai dashuronte Francinën, ai pati deklaruar më parë në mënyrë shumë pasionante se ishte kundër martesës, duke e quajtur si jo natyrale. Edhe mbasi e shoqja e tij Francine i dhuroi atij dy binjake Katerinën dhe Zhanën, më 5 shtator të vitit 1945, ai përsëri vazhdonte t’iu tregonte shokëve të tij se ai nuk qe i prerë për martesë. Kamy do të përfshihej në shumë lidhje jashtë martesore, në veçanti qe lidhja e tij me aktoren me origjinë spanjolle Maria Casares. Në të njëjtin vit Kamy filloi që të punojë për gazetën Paris-soir. Gjatë fillimit të luftës së II botërore, Kamy qe një pacifist. Gjithsesi, ai u thirr dëshmitar në Paris, për të dëshmuar se si Wehmacht mori pushtetin. Më 15 dhjetor të vitit 1941, Kamy qe dëshmitar gjatë ekzekutimit të Gabriel Peri, një eveniment që do të bënte të mundur që Kamy të kristalizonte revoltën e tij kundra gjermanëve. Më vonë Kamy do të lëvizte drejt Bordosë, duke iu bashkuar stafit të gazetës Paris-soir. Po në të njëjtin vit ai mbaroi së shkruari romanet e tij të parë të titulluar “I huaji”dhe “Miti i Sizifit”. Ai do të rikthehej për pak kohë në Oran të Algjerisë në vitin 1942.



Karriera letrare:



Gjatë luftës Kamy iu bashkua rezistencës franceze në luftën kundër nazistëve. Po në këtë kohë ai botonte fshehurazi nëpër gazeta artikuj të ndryshëm. Në vitin 1943, kur qe ngritur në këmbë një frymë anti-naziste, në të cilën qe përfshirë edhe Kamy, ai do të zgjidhej si kryeredaktor i një gazete, dhe kur aleatët çliruan Parisin, ai do të bënte reporterin deri në fund të luftës. Ai ishte, sidoqoftë, njëri prej reporterëve francezë, të cilët u shprehën kundër përdorimit të bombës atomike në Hiroshimë, e cila do të ndodhte më 8 gusht të vitit 1945. Ai u tërhoq nga ushtria në vitin 1947, kur gazeta e tij u bë komerçale. Qe kjo koha kur Kamy u njoh me Zhan-Pol Sartër. Pas lufte, Kamy filloi që të frekuentonte shpesh kafe Flore në bulevardin Saint-Germain në Paris në shoqërinë e Zhan-Pol Sartër e disa miqve të tjerë. Kamy, gjithashtu bëri një udhëtim drejt Amerikës për të dhënë leksione rreth filozofisë franceze. Në vitin 1949, sëmundja e tuberkulozit, që e kishte kapluar tashmë, e bëri që të izolohej nga bota për rreth dy vjet rresht. Në vitin 1951, ai do të publikonte librin e tij “Rebelët”, që ishte një analizë filozofike e rebelimit dhe revolucionit, e cila vuri në evidencë kundërshtimin e tij ndaj komunizmit. Pas publikimit të këtij libri, pati një reagim mjaft të ashpër nga ana e intelektualëve dhe gjithashtu edhe nga ana e kolegëve të tij, ku arriti kulmin e saj me krisjen e marrdhënies me Sartrin. Ky moment e shokoi atë, dhe papritmas do të fillonte të përkthente pjesë të ndryshme. Kontributi i tij më sinjifikativ në fushën e filozofisë ishte teza e tij e absurditetit, rezultati i dëshirave tona për qartësi dhe për të kuptuar kuptimin e botës dhe gjendjes së të tjerëve, të gjitha këto ai i shfaqi tek libri i tij “Miti i Sizifit”, e përfshirë kjo edhe në shumë studime të tjera, sikurse ishte “I huaji” dhe “Murtaja”. Pavarësisht “krisjes” me Sartrin, disa argumentojnë se Kamy u përqëndrua në kampin e ekzistencializmit. Sidoqoftë, ai e refuzoi kategorikisht etiketimin e tij në esenë e tij “Enigma”. Rryma konfuzionale mund të lind akoma, ashtu si edhe disa aplikime ekzistencialiste kanë të përbashkët me shumë me idetë praktike të Kamysë. Gjithsesi, mendimi personal që ai kishte rreth botës që e rrethonte, si dhe vizioni që ai kishte rreth progresit të saj, bën të mundur padyshim që ai të vendosej mënjanë. Në vitet 50’ Kamy do të mbështeste të drejtat e njeriut. Në vitin 1952 ai dha dorëheqjen e tij nga puna e tij në UNESCO kur OKB-ja pranoi Spanjën si anëtare, kur ajo në atë kohë ishte nën regjimin diktatorial e gjeneral Frankos. Në vitin 1953, ai do të kritikonte metodat sovjetike, për të shtypur grevën e punëtorëve në Berlinin lindor. Në vitin 1956, ai për të njëjtën gjë do të protestonte edhe kundër metodave të polakëve kundrejt shtetasve të saj. Po në këtë vit ai do të ngrihej kundër metodave çnjerëzore gjatë revolucionit hungarez të kryera nga sovjetikët. Ai iu qëndroi besnik ideve të tij pacifiste, duke iu bërë një rezistencë të admirushme këtyre metodave çnjerëzore anembanë botës. Një ndër kontributet e tija më sinjifikative në kuadër të kësaj lëvizje ishte eseja që ai e bëri në bashkëpunim me Arthur Koestler, që ishte shkrimtari, intelektuali dhe drejtuesi i këtij unioni kundër dënimit politik. Kur filloi lufta e Algjerisë në vitin 1954, për të ky fakt, ishte një dilemë e vërtetë. Kamy doli përkrah qeverisë franceze, duke e cilësuar këtë lëvizje nga algjeriantë nga njëra anë si një pjesë integrale të imperializmit arab të drejtuar nga Egjipti dhe nga ana tjetër si një lëvizje të inskenuar nga Rusia kundër Evropës perëndimore dhe kundër sipas tij izolimit amerikan. Ndërkohë Kamy nga ana tjetër, ishte partizan i idesë për një Algjeri autonome dhe federative. Prapa skene, Kamy, filloi që të punonte dhe të indagonte rreth të burgosurve algjerianë, të cilët u përballën me dënimin me vdekje. Nga viti 1955 deri në vitin 1956 Kamy do të shkruante për L’Express. Një vit më vonë, 1957, Kamy do të nderohej me çmimin Nobel për letërsi, dhe kjo në saj të “prodhimtarisë së tij letrare, në shërbim të zgjidhjes së problemeve të shumta që shqetësojnë ndërgjegjen njerëzore në ditët tona”. Kamy nuk e fitoi çmim me romanin e tij “Gremisje”, të cilin ai e publikoi një vit më parë, por në saj të shkrimeve të tij kundër dënimeve me karakter politik në esenë e tij të titulluar “Reflektim mbi Gijotinën”. Në një ndër pyetjet që i bënë studentët e universitetit të Stokholmit në lidhje me inaktivitetin e tij në çështjen algjeriane, ai iu përgjigj se në fakt ai ishte shumë i shqetësuar për atë çka mund t’i ndodhte së ëmës, e cila jetonte akoma në Algjeri. Pas kësaj deklarate intelektualët francezë do ta izolonin akoma më shumë atë.





Vdekja:



Alber Kamy vdiq më 4 janar të vitit 1960 në një aksident rrugor me makinë, afër Senës, në një vend të quajtur “Le Grand Fossard” në një qytet të vogël të Villeblevin. Në xhepin e tij të xhaketës ishte një biletë e pa përdorur. Është e mundur që ai të kishte planifikuar që të udhëtonte me tren, porn ë fund kishte vendosur që të udhëtonte me makinë. Edhe shoferi i makinës Facel Vega, Michel Gallimard- që ishte publicisti dhe shoku më i mirë i tij, kishte vdekur në një aksident rrugor më parë. Kamy u varros në varrezat e Lourmarin në Francë.

Binjaket Katerina dhe Zhana, dy vajzat e tij më vonë pas vdekjes së të atit do të botonin disa nga punimet e tij.

Dy ishin punimet e Kamys që u botuan pas vdekjes së tij, e para e titulluar “Një vdekje e lumtur”, e publikuar në vitin 1970, që kishte në qendër personazhin me emrin Meursault, si tek “I Huaji”, por përsëri ka një debat të hapur në lidhje me pikat e përbashkëta midis këtyre dy historive. Romani i tij i dytë që u publikua pas vdekjes së tij, që ishte edhe një roman i papërfunduar, ishte ai me titull “Njeriu i parë”. Ky ishte një roman, të cilin Kamy po e shkruante para se të vdiste. Romani bënte fjalë rreth biografisë së tij, ku përfshihej puna dhe fëmijëria e tij në Algjeri, ky roman do të publikohej në vitin 1995.



Kamy & futbolli:



Një herë Kamyn e pyet një shok se kë pëlqente ai më shumë futbollin apo teatrin, Kamy iu përgjigj pa hezituar për asnjë çast, “futbolli”.

Kamy luajti si portier për universitetin Racing të Algjerisë, ku fitoi kampionatin e Afrikës veriore dhe kupën e Afrikës veriore, të dyja këto në vitet 1930’ me skuadrën e të rinjve nga viti 1928 deri në vitin 1930. Shpirti i skuadrës, shoqëria dhe qëllimi i përbashkët e tërhiqte shumë Alberin e ri. Shpesh në shumë prej rubrikave sportive, Kamy shfaqet si një ndër lojtarët më të mirë në fushë. Por gjithçka do të venitej në moshën 17 vjeçare, kur Kamy u përball me një sëmundje të pa shërueshme, siç ishte tuberkulozi, dhe për këtë shkak ai do të dergjej për një kohë të gjatë në shtrat. Gjithçka rreth moralit dhe detyrave e kam mësuar nga sporti dhe nga ekipi im RUA thonte Kamy. Kamy i referohet një moraliteti të thjeshtë, në të cilat ai i përmend në esetë e tij të para, ku spikat afrimiteti i tij për shokët, duke shfaqur trimëri dhe lojë të pastër. Për Kamyn autoritetet qeveritare dhe ato spirituale, përpiqen shumë që ti bëjnë njerëzit konfuz me mendimet e tyre rreth moralit, duke i bërë gjërat të duken më komplekse seç janë në të vërtetë, sipas tij ato janë bërë që të shërbejnë për nevojat e tyre në vetvete.











Përktheu nga anglishtja

ENDRIT SHTYLLA

E. Xhani-Franz Kafka, një mister letrar


Një buburreci të pështirë, i cili mbrëmjen e kaluar ishte ende njeri. "Shndërrimi" quhet historia e Kafkës e vitit 1912, rrëfimi ndoshta më i famshëm i tij.

Franz Kafka, një mister letrar

Kafka shkruante në formë të veçantë, jo lehtë të kuptueshme. Lexuesit nuk ishin të gjithë të kënaqur me ambiguitetin e teksteve të tij. Por pikërisht ky stil specifik i Kafkës garanton aktualitetin e tij të pandërprerë.

Ja ku shtrihet ai, njeriu i pafuqishëm. Kurrizi i fortë si një zhguall. Kur ngre kokën sheh barkun e tij të fryrë, të murrmë dhe këmbët e tij të holla, mjerane i shfaqen para syve të pafuqishme. A është ky trupi i një njeriu? Jo. Është trupi i një insekti gjigant.

Një buburreci të pështirë, i cili mbrëmjen e kaluar ishte ende njeri. "Shndërrimi" quhet historia e Kafkës e vitit 1912, rrëfimi ndoshta më i famshëm i tij.

Një tekst i frikshëm, shqetësues, për cënueshmërinë e njeriut, pozitën e tij të pasigurt në botë, që brenda një nate mund ta kthejë në pozicion jashtë loje në shoqëri.
Atdheu i Kafkës, Praga, rreth vitit 1893 Atdheu i Kafkës, Praga, rreth vitit 1893

Por: përse e mbështjell Kafka historinë e tij me këtë tis misteri? A nuk mund të rrëfente edhe ndryshe? Në mënyrë "më realiste", "më të besueshme"? Disa nga lexuesit e tij i ka trazuar ky karakter misterioz. Kështu p.sh. edhe një farë Dr. Siegfried Wolff, i cili e lëxoi rrëfimin menjëherë pas publikimit, dhe iu drejtua autorit, Kafkës.

"Shumë i nderuar zotëri", i shkruante ai Kafkës, "Ju më keni bërë të palumtur. Unë bleva 'Shndërrimin' tuaj dhe ia dhurova kushërirës sime. Por ajo nuk arrin ta shpjegojë historinë. Kushërira ime ia dha mamasë së saj, por as ajo nuk diti ta shpjegojë. ... Vetëm Ju mund të më ndihmoni. Ju duhet ta bëni këtë pasi Ju jeni shkaktari i këtij shqetësimi. Pra Ju lutem më thoni se çfarë duhet të kuptojë kushërira ime nga 'Shndërrimi'."

Forca e tekstit

Pushteti i instancave - skenë nga filmi Procesi (1962), sipas romatit të Kafkës. Pushteti i instancave - skenë nga filmi "Procesi" (1962), sipas romatit të Kafkës.

Përse pra shkruan Kafka kaq errët, i vë personazhet e tij përballë situatash, të cilat në realitet nuk ekzistojnë, të paktën të marra fjalë për fjalë? Me këtë mënyrë të shkruari Kafka ia vështirësoi punën vetes, pasi ajo u bë pengesë që ai të pëlqehej si autor nga një publik i gjerë, gjatë kohës që jetonte.

Për gjuhëtarin Thomas Anz, pranë Universitetit të Marburgut, i cili ka shkruar një studim kompakt mbi veprën dhe jetën e Kafkës, nuk përjashtohet që shkrimtari me anë të ndërtimit misterioz të teksteve të tij, riprodhonte në mënyrë formale realitetin e jashtëm. Kjo vlen në mënyrë të veçantë për instancat shtetërore, të cilat i përshkruan në romane si "Procesi" apo në formë shumë më të fortë tek tregimi "Kolonia e ndëshkimit".

Sipas Anz mund të thuhet se Kafka në tekstet e tij, ndodhitë enigmatike që ia atribuon institucioneve si p.sh. gjykatave apo personave të respektit, i praktikon nga ana e vet tek lexuesit, duke ua bërë të vështirë të merren me tekstet e tij. "Ai pra u prezantohet lexuesve po aq i vështirë sa burokracia personazheve të tij. Ndoshta prapa kësaj qendron diçka e tillë si pretendimi i vetë Kafkës për pushtet."

Tmerri i modernes

Në tekstet e Kafkës thotë gjuhëtari Michael Braun, drejtor i shërbimit të letërsisë në fondacionin Kondrad Adenauer, shprehet nervozizmi i kohës së tij përballë fenomenit të modernizimit. Rritja e qyteteve, mjetet e reja të transportit si hekurudha e para së gjithash automobili, teknikat e reja të prodhimit dhe një aparat shtetëror në rritje - të gjitha këto ishin të reja dhe i trazonin njerëzit. Këtë trazim, thotë Braun, njerëzit e ndiejnë edhe sot.

"Për këtë arsye Kafka pranohet si profet, si dikush që i parapriu në 1900 realitetit të mesit të shekullit të kaluar e të mëvonshëm, si p.sh. njeriu i kontrolluar nga të gjitha anët apo njeriu i torturuar. Nga 'Kolonia e ndëshkimit' mund të kalosh direkt tek Guantanamo."
Manuskriptet e Kafkës në arkivin e letërsisë Marbach Manuskripti origjinal i "Procesit" të Kafkës në arkivin e letërsisë Marbach

Njeriu nuk është asgjë në botën moderne. Të paktën si person ai vlen pak. Në radhë të parë është e rëndësishme që e gjitha, pra shoqëria në përgjithësi të funksionojë. Ky besim gjeti shprehje ekstreme në lëvizjet totalitariste të shekullit të 20-të: nacionalsocializmi dhe komunizmi. Por edhe pse shtetet e organizuara në mënyrë demokratike e kanë zbutur disi këtë program të rreptë p.sh. me programe sociale apo kanë zbutur mjaft sistemin e tyre juridik, ndjenja e pafuqisë së individit, e përshkruar nga Kafka, vazhdon të ekzistojë ende sot.

Në mënyrë paradoksale edhe shoqëritë në të cilat njerëzit gëzojnë liri të mëdha, mbartin një lloj tmerri. Fenomeni me të cilin është marrë vazhdimisht Kafka, i trazon njerëzit ende sot. "Autoritetet pjesërisht shihen si kërcënuese, e pjesërisht vihen në lojë. E gjitha kjo shkakton mungesë orientimi. Këto janë përvoja të modernes, që vazhdojnë deri sot dhe të cilat një autor si Kafka i ka paraqitur në mënyrë të shkëlqyer dhe ekzemplare."

Forca tërheqëse e ambiguitetit

Për kuptimet e shumëfishta që vezullojnë në tekstet e Kafkës, ka edhe një arsye tjetër, shpjegon Michael Braun. Ajo gjendet në identitetin kompleks të Kafkës i cili është gjithashtu një fenomen i modernes. "Kafka ishte hebre, Kafka ishte avokat, Kafka ishte shkrimtar.

Kafka vinte nga Praga, ai ishte çek dhe gjerman. Dhe të gjesh në këtë kompleksitet identitetesh të ndryshme atë Kafkë që flet me fjalë të qarta, do të mbetet me sa duket gjithnjë problem." Megjithatë, shton Braun, pikërisht ky problem i bën tërheqëse tekstet e Kafkës: "Nëse ky problem nuk do të ekzistonte, çfarë do të na shtynte të lexonim Kafkën?"

"Koha e dhive" e Luan Starovës përkthet edhe në finlandisht


Para romanit të Luan Starovës, nga shkrimtarët me origjinë shqiptare, në Finlandë janë publikuar vetëm disa romane të Ismail Kadaresë si dhe një roman të Anilda Ibrahimit, me vendbanim në Itali.









Në Finlandë oferta e librave të autorëve shqiptarë u zgjerua me përkthim të një libri të Luan Starovës

Oferta e librave shqip të përkthyer në gjuhën finlandeze u zgjerua me një titull të ri në muajin maj kur u publikua romani "Koha e dhive" i shkrimtarit Luan Starova nga Maqedonia. Libri quhet "Vuohien aika" në gjuhën finlandeze dhe është botuar nga "Botimet Lumi Kustannus".

Libri "Koha e dhive" është libri më i pëlqyer dhe më i përkthyer nga "Saga Ballkanike" shumëvëllimeshe të autorit Starova. Para botimit finlandez, në vitin e kaluar, ai u botua edhe në gjuhën angleze. Vlerësimet e para të lexuesve finlandezë kanë qenë pozitive, duke e vlerësuar librin si "rrëfim tërheqës për njerëz dhe dhi nën thundrën e komunizmit".

Para romanit të Luan Starovës, nga shkrimtarët me origjinë shqiptare, në Finlandë janë publikuar vetëm disa romane të Ismail Kadaresë si dhe një roman të Anilda Ibrahimit, me vendbanim në Itali.

Përkthyesit e romanit "Koha e dhive", Eset Feka dhe Tuula Nevala, më herët i kanë përkthyer dy vepra të Ismail Kadaresë në gjuhën finlandeze si dhe dy libra në gjuhën shqipe lidhur me politikën ndërkombëtare në Ballkan.

Ndërmarrja "Botimet Lumi Kustannus", duke filluar me romanin e Luan Starovës, në të ardhmen dëshiron ta njoftojë publikun finlandez edhe me shkrimtarë të tjerë shqiptarë.


Botimi finlandez i librit "Koha e dhive" të shkrimtarit Luan Starova, me pikturën e akademikut Vasko Tashkovski në kopertinë.

Popi shpartallon “UÇK- në terroriste” në serialin rus


Një intro të tillë ka miniseria gjashtëminutëshe e serialit rus “Spetsnaz”, i cili transmetohet në kanalin shtetëror të Rusisë. Premiera është kohë më parë por është rikthyer me shpërndarje nga portalet serbe.


Popi shpartallon “UÇK- në terroriste” në serialin rus (Video)
Popi shpartallon “UÇK- në terroriste” në serialin rus (Video)Disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një ditë të ftohtë dimri ia mësyjnë një kishe serbe. Që në hyrje vrasin tre popë serbë. Shpëton vetëm njëri. E ai është rus. Bile më i zoti sesa Rambo (Silvester Stalone).

Një intro të tillë ka miniseria gjashtëminutëshe e serialit rus “Spetsnaz”, i cili transmetohet në kanalin shtetëror të Rusisë. Premiera është kohë më parë por është rikthyer me shpërndarje nga portalet serbe.

Si qëllim kryesor ka paraqitjen e UÇK-së si organizatë terroriste, e popi ngadhënjen. Por në fakt ai del se është pjesëtar i forcave speciale të Rusisë, siç është edhe emri i serialit që transmetohet prej vitit 2002.

Me “Spetsnaz” njihen Forcat e Sigurimit Federal të Rusisë. Miniseria shpërfaq heroin rus të kësaj force i cili në këtë miniseri del të jetë si një pop që ka mision të ruajë popullatën serbe të ngujuar në një kishë diku në Kosovë.

Me një realizim të dobët e me dialogë që përfshijnë gjuhën serbe, ruse e frënge, miniseria me regji të Andrei Malyukov e me aktorët Aleksandër Baluev, Igor Botvin e Valentin Bukin, është shkruar nga Aleksei Poyarkov e Nikolay Suslov.





Kjo seri vazhdon me tregimin e historisë që shpërfaq një pjesëtar të UÇK-së, i cili pasi vret disa serbë i thotë popit rus se “do të vrasë dhe do ta shkatërrojë kishën”.

Dialogu patetik vazhdon me lutjet dhe fjalët e popit rus që thotë se “nëse Zoti i tij ka vendosur që ai të vdesë, atëherë ashtu do të bëhet”. Por nuk janë vetëm forcat e UÇK-së të përfshira në këtë miniseri. Aty paraqiten edhe forcat e KFOR-it që vijnë nga kontingjenti francez.

Ata paraqiten pozitivë, duke u munduar t’i shpëtojnë serbët. Por janë ushtarët e UÇK-së ata që i vrasin të gjithë pjesëtarët e KFOR-it. Por mendja terroriste e UÇK-së, sipas serialit, është edhe më e fortë. Ata detyrojnë popin rus që të qëllojë mbi fëmijët dhe gratë serbe. Por Rambo rus nuk e lejon këtë.

Në këtë pjesë popi fillon t’i lutet Zotit që t’i japë forcë. E krejt papritur forca i vjen si prej qiellit. Rrëmben një mitraloz dhe shpartallon të gjithë ushtarët e UÇK-së. Në ndihmë i del edhe komandanti i KFOR-it francez. Miniseria përfundon me plumbin përfundimtar që popi rus ia jep terroristit të UÇK-së. Popi del fitimtar.

Mediat ruse i kanë dhënë një konotacion kësaj miniserie. Ato e kanë quajtur si një përgjigje ndaj filmit të yllit Angelina Jolie, “In the Land of Honey and Blood” që rrëfen një histori dashurie mes një ushtari serb dhe një grua boshnjake në kohën e luftës në Bosnjë. Filmi i Joliet është kundërshtuar nga disa media në Serbi me pretendimin se është antiserb.

Javën e kaluar ato kanë raportuar se jo më shumë se 12 veta kanë shkuar në premierën e këtij filmi në Beograd. Jolie para dy javësh udhëtoi për në Sarajevë në premierën e filmit të saj atje ku deklaroi se nuk do ta vizitojë kryeqytetin serb për shkak të propagandës negative që i është bërë filmit të saj.

Por komentet në portale të ndryshme serbe ku është postuar mini seria “Spetsnaz” janë të ndryshme. Shumica bëjnë shaka me transformimin e klerikut të kishës në një ushtar të rreptë.

NJË POPULL MERITON ATË LETËRSI QË KA


A po dëmtohet apo rrezikohet sistemi letrar në vendin tonë



NJË POPULL MERITON ATË LETËRSI QË KA



“Për të kuptuar rëndësinë e panairi të librit Tirana 2011, le të bëjmë pyetjen e thjeshtë: me ç’vlera të reja estetike e pasuroi ai letërsinë tonë? Kësaj pyetjeje le t’i shtojmë edhe pyetjen tjetër: po ta vizitonte këtë panair ndonjë agjent letrar i huaj, cilët libra do të zgjidhte për t’u përkthyer në vendin e tij? Jam i bindur se ata nuk do të ishin librat, të cilët u stërpropaganduan, u stërlëvduan dhe “thyen rekordin e shitjeve”,siç trumbetuan masmediat. Kjo nuk do të thotë aspak se këta libra nuk mund të botohen në Europë e në Amerikë me eurot apo me dollarët e autorëve!…






Si shumë të tjerë, edhe unë vajta në panairin e 14-të të librit Tirana 2011.Qysh në fillim, më bëri përshtypje se në “presidiumin” e ceremonisë së hapjes nuk ishte i pranishëm fizikisht asnjë shkrimtar i mirëfilltë. Aty qenë dhe folën vetëm zyrtarë dhe biznsmenë. Së paku në një veprimtari të tillë, kryet e vendit nuk u takonte zyrtarëve dhe biznesmenëve, sepse në fushën e letërsisë roli i tyre nuk shkon më larg sesa ai i administratorit.

Pas ceremonisë së hapjes, kalova nëpër pavijonet e panairit ku të zinte syri kaq shumë emërtime shtëpish botuese në gjuhë të huaj dhe fotografi të zmadhuara të shkrimtarëve të huaj, sa të dukej sikur ndodheshe në ndonjë panair ndërkombëtar të librit. Këtë bindje ta përforconin edhe stendat apo tezgat ku kishte vetëm libra të përkthyer nga autorët e huaj.E keqja ishte se në vend të librave të rëndësishëm si ai i Ç. Miloshit, i U. Ekos apo i ndonjë tjetri, të cilët kanë pasuruar letërsinë europiane dhe atë botërore, në këtë panair mbizotëronin përkthime me karakter komercial.



Kishte stenda apo tezga ku nuk ishte ekspozuar asnjë libër i autorëve shqiptarë. Dikush mund të thotë se botuesi është biznesmen, se qëllimi i tij kryesor është fitimi, prandaj ai ka të drejtë të botojë çfarë të dojë. Unë mendoj se nuk duhet të ndodhë kështu. Si një nga bashkëpërkthyesit e librit “Politikat kulturore në Europë”, e di se në vendet e Bashkimit Europian ka kuota të përcaktuara me ligj se sa duhet të jetë edhe përqindja e filmave amerikanë apo europianë që duhet të shfaqen në ekran. Sigurisht një politikë e tillë kulturore zbatohet atje ku ka ligje dhe ku sundon ligji!

Mosrespektimi i raporteve të drejta midis botimit të librave të autorëve të huaj dhe botimit të librave të autorëve vendasmund të dëmtojë sistemin letrar, i cili sipas Daniel Anri Pazhosë ( Pageaux) përbëhet ngë krijimtaria letrare e sotme, nga tradita letrare dhe nga letërsia e importuar ose përkthimet ( S= P + T + I). Mendoj se nuk është në dobi të kurrkujt, as të Europës, as të Shqipërisë, që të dëmtohet ose të rrezikohet sistemi letrar në vendin tonë. Të kërkosh që të mos prishet sistemi ynë letrar, të ruhen raportet e drejta midis letërsisë origjinale dhe letësisë së importuar, nuk do të thotë aspak të jesh kundër përkthimit të veprave me vlera të larta, një praktikë që është e domosdoshme dhe për ato që quhen letërsi të mëdha.

Dukuria e dytë negative që më ra në sy, qe vënia në qendër të vëmendjes me të gjithë mjetet e mundshme, sidomos përmes një publiciteti të zhurmshëm, i disa librave memorialistikë, cilët ngado që ta marrësh, nuk janë majaja e letërsisë, madje nuk janë letërsi e mirëfilltë. Natyrisht libra të tillë janë shkruar e do të shkruhen,sepse kanë vlerën e tyre, por letërsia memorialistike nuk ka pse të zërë kryet e vendit, nuk ka pse të propagandohet me zell të tepruar nga botuesit dhe nga masmediat.

Për të mos e shtjelluar gjatë problemin e natyrës dhe të rëndësisë së librave memorialistikë, po përmend vetëm thënien e njohur të Malarmesë: „Poezia nuk bëhet me ide, por me fjalë.“ Thënien e mësipërme mund ta perifrazojmë kështu: „Letërsia nuk bëhet me ide,por me fjalë.“ Kjo do të thotë se në letërsinë e mirëfilltë ka rëndësi të dorës së parë puna me fjalën, mjeshtëria e të shkruarit, alkimia e fjalës, të cilat nuk janë as elementi themelor, as atributi kryesor i librave memorialistikë, sepse libra të tillë nuk bëjnë pjesë as te lirika, as tek epika, as te dramatika. Në ndonjë rast, në librat memorialistikë që ky panair i serviri publikut pellazgo-iliro-shqiptar nuk mbizotëronte magjia e fjalës, por magjia e lapërdhive ose e palavirave që lidheshin me jetën private të individëve…

Ashtu si çdo tempull, edhe “tempulli” i letërsisë ka kujdestarët e tij që e ruajnë dhe e mirëmbajnë. Kujdestarë të tillë dukej të ishin kritikët letrarë, të cilët, siç e dinë dhe e pranojnë të gjithë, kanë munguar, mungojnë dhe do të vazhdojnë të mungojnë, për sa kohë që në vendin e shqiponjave (!) nuk do të ketë njerëz të ditur e guximtarë, për të cilët kritika letrare nuk do të jetë një veprimtari fitimprurëse, por një pasion që kërkon edhe të sakrifikosh për të. Në mungesë të kritikëve të vërtetë, këtë rol e marrin përsipër ca gazetarë të paditur e të papërgjegjshëm,të cilët shpallin “shkrimtar të madh”, “poet europian” ose “poet botëror” cilindo që u shkrepet në mendje.

Kujdestarë të tempullit të letërsisë duhej të ishin qarqet universitare,profesorët.Për fat të keq, edhe sot e kësaj dite „profesorët“ janë njerëz të punësuar nga partia në pushet, janë të politizuar, kurse një pjesë jo e vogël e tyre nuk kanë as dije, as përvojë.

Për tempullin e letërsisë duhej të kujdeseshin edhe botuesit. Mjerisht shumica prej tyre e konsiderojnë librin vetëm si një mall, si një mjet fitimi. Ata gëzohen më shumë kur botojnë një libër që shitet në mijëra kopje, pavarësisht se ç’vlera mund të ketë ai, sesa po të kishin botuar një libër si „Ferri“ i Dantes, si „Makbethi“ i Shekspirit apo si „Njëqind vjet vetmi“ i Markezit, por që nuk do të ishte shumë i shitshëm. Në intervistat që dhanë edhe gjatë këtij panairi, ata mburreshin vetëm me sasinë e librave të shitur, si të qe fjala për shitje patatesh, shalqinjsh apo derrash…Asnjë prej tyre nuk zuri ngoje vlerën estetike të librave që u quajtën të suksesshëm.

Një dukuri negative ishte edhe dyndja e publikut letërsidashës drejt librave me vlera të diskutueshme. Në ndonjë rast, pashë skena që të kujtonin kohën e dikurshme kur merreshin pakot e mishit për Vitin e RI ose kur dilnin në shtije kontingjentet e para me këpucë atletike dhe me xhinse! Në vend që t’u kundërvihej spekulantëve, qofshin autorë apo botues, të cilët kanë si qëllim të vetëm të grumbullojnë sa më shumë kartëmonedha, dashur pa dashur publiku u bë mbështetës i tyre. Besoj se kjo gjë nuk do të ndodhte me popuj të tjerë, më të emancipuar,të cilëve nuk u mungon dhuntia e reagimit qytetar dhe e indinjatës.

Për të argumentuar pikëpamjen time, po përmend vetëm një shembull: pas Luftës së Dytë Botërore, norvegjezët shkuan te shtëpia e shkrimtarit nobelist Knut Hamsun, i cili kishte flirtuar me nazistët. Ata ia flakën mbi kangjella librat e tij që i kishin blerë më parë dhe ia mbushën me ta oborrin e shtëpisë. Ata vepruan kështu, sepse ishin norvegjezë, nuk ishin shqiptarë, populli më i vjetër në Europë, që ka gjuhën më të vjetër dhe flamurin më të vjetër në Europë! Panairi i sivjetëm i librit tregoi se publiku shqiptar është i gatshëm ta hajë sapunin për djathë dhe madje me gojën plot shkumë nga sapuni i mbllaçitur të deklarojë se po ha djathin më të shijshëm në botë!…

Le të kthehemi përsëri te panairi i librit Tirana 2011. Për të kuptuar rëndësinë e tij, le të bëjmë pyetjen e thjeshtë: me ç’vlera të reja estetike e pasuroi ai letërsinë tonë? Kësaj pyetjeje le t’i shtojmë edhe pyetjen tjetër: po ta vizitonte këtë panair ndonjë agjent letrar i huaj, cilët libra do të zgjidhte për t’u përkthyer në vendin e tij? Jam i bindur se ata nuk do të ishin librat, të cilët u stërpropaganduan, u stërlëvduan dhe “thyen rekordin e shitjeve”,siç trumbetuan masmediat. Kjo nuk do të thotë aspak se këta libra nuk mund të botohen në Europë e në Amerikë me eurot apo me dollarët e autorëve!…

Në qoftë se rastësisht e lexojnë këtë shkrim, disa botues do të thonë: „Dale,mor lanet, si guxon të mohosh punën tonë heroike dhe titanike për të mbushur plot hambarët e letërsisë shqipe dhe të kulturës shqiptare, për të cilat nuk na zë gjumi ditën as natën?!“ Këtyre botuesve po u them: me këto praktika botimi, me të cilat ju nuk përkrahni letërsinë e mirëfilltë, por letërsinë spekulative, komerciale, ju bëni një punë heroike dhe titanike vetëm për të mbushur xhepat tuaj.



Prof. As. Dr. Anton Papleka

POEZI NGA BRAZILI

EDUKIMI PËRMES GURIT







Osvaldo De Andrade, 1880 – 1954



DASHURIA – POEMË FUTURISTE





Zonjës Branca Clara



Merrni dy duzina puthje të forta

Shtoni një copë gjalpë Dëshire

Hidhni tre gramë Xhelozi të shtypur

Përziejini me katër lugë sheqer Melankolie

Vini dhe dy ullinj

Tundini në tundës me krahun e Fatalitetit

Dhe zhytni në të një biskotë

çdo dy orë që i tregon

Akrepi i vetëm i orës suaj!







Joao Cabral De Melo, 1920



EDUKIMI PËRMES GURIT



Një edukim përmes gurit: mësimet e tij.

Për të mësuar, duhet të rrish shpesh me gurin,

Të kapësh zërin e tij pa emfazë, pavetor,

(kursin e tij, ai e fillon me diksionin).

Mësim morali: qëndresa e tij gjakftohtë

Ndaj çdo rrjedhjeje, ndaj çdo squlljeje;

Mësime poetike: mishi i tij i ashpër, konkret;

Mësim ekonomie: përpjekja e tij për dendësi.

Mësimet e gurit (nga jashtësia në brendësi,

abetare memece për atë që do ta germëzojë.)



Një edukim tjetër përmes gurit, në Sertao.

( Nga brendësia në jashtësi, një edukim paradidaktik).

Në Sertao, guri nuk di të japë mësim,

po të jepte mësim, nuk do të mësoje gjë prej tij.

Atje guri nuk mësohet, meqenëse guri,

Një gur trashëgimtar, është rrënjosur në shpirt.















Francisco Alvin, 1938



NË KUZHINË



Nga çatia gjithë blozë e kuzhinës

Varej një lianë e vjetër

Ç’është kjo lianë, o ungj?

Aty lidheshin susakë plot dhjamë

Para se të shkonin në ara

Zezakët

E lyenin trupin me yndyrë



Kështu shmangnin plasaritjet e lëkurës

Reumatizmat







Orides Fontela, 1940



KËRMILL



Syprina e mysët

Që syrin ta kënaq

Nuk e zbulon brendësinë e tij:

Ajo ndrit, vetëm kaq.



Hyrja

Një kubé e ngushtë

Është një guvë e përkorë

E mugët.



Më tej

Një rampë e palosur

Mblidhet me një habi

Labirintike.



Fundi

Caku i tij intim

Nuk është asgjë përtej vetvetes –

Pika e harrimit.



Dalja

Është kthim.



Marcus Accioly, 1943



SIZIF



Sytë i kam të gjelbër ngaqë i vështrova gjatë drurët

Këmbët e mia janë në tokë si rrënjë të mëdha

Dhe flokët në erë frushullijnë si gjethe

Ngaqë unë e desha me gjithë shpirt natyrën

Jam shndërruar në pemë ose në zog

Derisa jam shndërruar në gur përgjithmonë

Por duke mos mundur ta mbaja në vete jofjalën

Desha të flisja dhe të dëgjoja zërin tim

Dhe desha të vuaja të ndieja si njerëzit

Dhe të mos e shihja ngjyrën por ngjyrën e tingullit

Dhe të mos flisja për veten time por për sendet pa zë

Dhe të mos e ndieja botën por vetë misterin e saj

Të mos i dëgjoja tingujt por zërin e heshtjes







Paulo Leminski, 1945 – 1989



PËRKUFIZIME TË RASTIT



POEZIA: „words set to music“ (Dante via Pound),

“një udhëtim drejt të panjohurës” (Majakovski),

“rrathë dhe palcë” (Ezra Pound), “e rrëfyeshmja

e të parrëfyeshmes” (Goethe), “ligjërim i kthyer

në materialitetin e vet” (Jakobson), “mëdyshje e zgjatur

midis kumbimit e kuptimit“ (Paul Valéry), „krijimi i qenies

me anë të fjalës“ (Heidegger), „religjioni zanafillor i njerëzimit“

(Novalis), “fjalët më të mira në renditjen më të mirë”

(Coleridge), “emocion që përmendet në qetësi”

Wordsworth), “shkencë dhe passion” (Alferd de Vigny),

“nuk bëhet me ide, por me fjalë” (Mallarmé),

“muzikë që bëhet me ide” (Ricardo Reis/Fernando

Pessoa), “një shtirje e vërtetë“ (Fernando Pessoa),

„criticism of life“ (Mathew Arnold), „fjalë – send“ (Sartre),

“ligjërim në gjendje pastërtie të egër” (Octavio Paz),

“poetry is to inspire” (Bob Dylan), “design de langage”

(Décio Pignatori), “lo impossible hecho possible” (Garcia

Lorca), “ajo që humbet gjatë përkthimit” (Robert Frost),

“liria e ligjërimit tim” (Paolo Leminski)…





Cesar Leal



Imazhe mesnate



Fabio Lukasit



Midis gjumit dhe hijeve

Ligjërimi i ëndrrës

Çekanët e zjarrit që shpërthejnë në errësirë

Fjala e djegur në ankthin onirik

Poema e harruar e takuar në ëndërr

Yjtë e akullt në pol që mbyten

Hëna të kuqe të ndezura në kornenë e liqeneve

Gjapërinj kripe të mbledhur në sy

Det ku shkuma lëshon rrënjë

Valët që hedhin korale në plazh

Zambakë shkume që pikojnë gjak në rërë

Midis gjumit dhe hijeve



Në limbe kalërimi i uritur i orëve

Fruta që pulson në brendësi të lules

Dhimbje si një lotus që del nga trupi

Drita e algave

E hutuar në lym

Dielli që lodron me qengja drite

Mbi retë e ngritura kas nga hemisfera tjetër

Mistere të vdekjes të zbuluara në ëndërr

Mure ere ku vallëzojnë flakët

Bota në kërkim

Plazhe agsholi.



Përktheu: Anton PAPLEKA

Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut

  Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve...