2013-10-08

Portreti i gruas që shihej nga të tjerët si shtrigë





Një shërbëtore islandeze, e quajtur Agnes Magnusdotir, ishte dënuar më 1828 për vrasjen e punëdhënësit të saj dhe të një njeriu tjetër, si dhe për djegien më pas të kufomave të tyre. Duke pritur miratimin e dënimit të saj me vdekje nga Danimarka, e cila asokohe e kontrollonte Islandën, ajo internohet në një fermë të izoluar. Shkrimtarja Hana Kent ka treguar më vonë se, me këtë personazh, kishte për qëllim që ta ofronte portretin e një gruaje, e cila shihej nga të tjerët si shtrigë


Në vitin 1828, një shërbëtore islandeze, e quajtur Agnes Magnusdotir, ishte dënuar për vrasjen e punëdhënësit të saj dhe të një njeriu tjetër, si dhe për djegien më pas të kufomave të tyre. Duke pritur miratimin e dënimit të saj me vdekje nga Danimarka, e cila asokohe e kontrollonte Islandën, ajo internohet në një fermë të izoluar.

description

Muaji i fundit i jetës

Shkrimtarja Hana Kent ka treguar më vonë se, me këtë personazh, kishte për qëllim që ta ofronte portretin e një gruaje e cila shihej nga të tjerët si shtrigë.
Familja e fermës në fillim është tepër hezituese dhe refuzuese që ta pranojë Agnesin në muajt e fundit të jetës së saj: oficeri i qarkut, Xhon Xhonson, gruaja e tij e sëmurë, Margret dhe dy vajzat e tyre. Një klerik i ri po aq hezitues, po ashtu i bazuar në figurë reale, së shpejti hyn në roman, pasi që dërgohet në fermë për ta luajtur rolin e liderit shpirtëror të Agnesës.
Derisa tensionet dhe zhvillimi i marrëdhënieve midis Agnesit dhe familjes së saj mikpritëse janë të realizuara mirë, prifti Toti mbetet një stereotip: i butë, i papërvojë, i pavendosur. Shkrimtarja mundohet që ta paraqesë atë si një figurë më komplekse, por kjo është një detyrë e vështirë.

Agnes tregon ngjarjen përmes Totit

Me vazhdimin e romanit, Kent thjesht ndryshon karakteristikat e Totit, ai bëhet më pak i butë, më i vendosur, por këto ndryshime janë tepër skematike, që të mund të ndikojnë në personalitetin e tij.
Por, Toti megjithatë mësohet të dëgjojë më mirë, meqë gruaja e ndëshkuar, pas 34 viteve të varfërisë, ka nevojë për një vesh që e dëgjon, e jo për dërdëllitje moralizuese. Dhe kështu, ai bëhet një medium përmes të cilit Agnes na tregon ngjarjen e saj. Përpos pjesëve të cilat janë të shikuara nga pikëpamjet e Totit dhe të të tjerëve, Kent sjell edhe monologë të vetës së parë nga Agnes, bashkë me dokumentet historike, të përkthyera dhe të përshtatura nga origjinalet islandeze.
Por, ky libër ka shumë probleme stilistike. Disa dialogë që duhej të dukeshin të "ngritur", thjesht duken joidiomatikë, duke ngjarë më shumë në klishe. Frazat tjera janë më me vend, por jo edhe më të mira, sikur p.sh. kur Agnes e përshkruan vetveten. Ndjenjat e brendshme, të cilat mund të rezultojnë me veprime, nuk janë të përshkruara mirë. Herë pas here, këto gafa duken sikur një iskemi kalimtare e të folurit, për shkak se, menjëherë më pas, paraqiten gjëra më të mira, sikur p.sh kur Agnes evokon kosat duke vringëlluar në një arë, duke prerë barin, apo kur i kujtohet se, derisa ishte fëmijë dhe kishte uri, i dukej sikur eshtrat e trupit i zgjateshin edhe më shumë. Po ashtu edhe ambienti i Islandës është paraqitur me një bukuri të rrallë.

Elementet e tregimit

Ajo që është më e mira, Kent ofron një pasuri detajesh - nga ajo se si të përgatitet suxhuku në gjak, e deri te shpjegimi pse duhet lëkundur një qengj të sapolindur, pa e shtrembëruar tregimin e saj, me qëllim të akomodimit të këtyre elementeve shtesë. Në vend të kësaj, ato elemente përfshihen mirë në tregimin kryesor, gjë që gjithmonë dëshmon se shkrimtari ka një njohuri të thellë rreth asaj që është duke shkruar.

Rivendosja e figurave historike në rolin e heroinave proto-feministe, ndonjëherë me dëshmi mbështetëse, e herëve të tjera pa to. Kjo është një strategji standarde, prandaj edhe shkrimtarja Kent me gjasë është ndier e detyruar ta përdorte atë. Por, në fund të fundit, Agnes del si një krijesë njerëzore me telashe, e jo e idealizuar. Edhe pse ajo ka pikëpamje që përputhen me hipokrizinë klasore, ajo po ashtu është edhe e lidhur nga to, duke tentuar që të përqendrohej te dashuria dhe te mbrojtja e zotëriut të saj shpikës, njeriu i cili preferon që t'i thotë asaj "mos harro ku e ke vendin". Dhe, afër fundit të librit, përkundër kurajës së saj, ajo dobësohet shumë nga një frikë e madhe. Ky është veprimi më i mençur i romanit, por ajo keqinterpreton një detaj kyç derisa përshkruan krimin. Një monolog më i vonshëm do të zbulojë se çka kishte ndodhur me të vërtetë edhe pse edhe ky mund të ishte një mashtrim magjepsës. Kështu, Agnes mbetet një enigmë, që iu reziston supozimeve dhe projektimeve tona, sikur që kishte thënë edhe vet më parë: "Ata nuk do të më shohin. Unë nuk do të jem aty."

Drejt pakuptimeve!

Këtu në mesin e shumë ngjyrave, mbi të cilat ngrihet arti, sepse qëndron mbi çdo gjë, është i pakuptim brenda mundësive të kuptimit, brenda jetës së kënaqësisë, e cila, nëse vdes, vdes edhe njeriu

Nuk e di, jo veç unë, por të gjithë se kah duhet të shkojmë. Filloj çdo ditë të hulumtoj ekzistencën, përpiqem ta dëgjoj, në formë mistike ajo tingëllon, asnjë kuptim nuk shfaqet përpara. Në pasqyrë, shoh veten, por jo si është, ashtu si dua unë. Kjo si imazh konstatimi të shpërfaqjes. Çfarë ndodh me lindjen, me hijen, dhe rrugën? Mirë është se tash ndodhem, tash lëviz, marr frymë, shoh ngjyra, rrokullis mendime, por këto mendime, nga erdhën, derisa për formën e di prejardhjen, edhe pse e di nuk ka ndonjë kuptim të mëshirshëm, të përjetësisë.
description
Interesi i ekzistimit

Mendimet, burojnë nga logjika, imagjinata, egoja, e gjykuara dhe e pagjykuara, konflikt për t'u përballur, lojë, por edhe kjo lojë duhet të jetë, komedi e ekzagjerimit, nënshtrim i kohës dhe momentit. Nuk më kujtohet tash e tërë fëmijëria, pafajësia ime, aty nga fillova, pas qarjes, pas zhgënjimit, përtej pyetjeve, përgjigjeve që kërkojnë t'i hulumtoj, të humbura, të përziera brenda së vërtetës nga e cila lind çdo gjë. Kjo çdo gjë prapë duhet të vdesë, duke mos ditur pse ishte, kryesorja ishte, jam i lumtur me këtë, vetëm sepse isha dhe ende jam. Nesër zgjohem, vazhdoj sikurse çdo ditë tjetër, prapë kthehem, i dorëzohem ëndrrave, që të mund ta shoh dritën sërish. A nuk është kjo lojë serioze? Lojë që kërkon vëmendje për ta ditur kuptimin të cilin askush nuk do ta dijë. Do të dergjem në vetmi si një vetmitar që asnjëherë nuk e njohu zemrën, por vetëm e dëgjoj. Marr frymë si çdo gjallesë pa interes, ndoshta në interes të ekzistimit, por arsyetohet kjo ngaqë jam, sepse sikur të mos isha, ku do të isha më mirë që jam në mes larmisë, luftës, pushtimit, virtytit, ndërgjegjes dhe vrasjes.

Liria është egoiste

Këtu gjithçka lind, vazhdon drejt pikëpyetjes. I përballur me veten, i gjykuar me të, ndoshta pa arsye, kjo lodhje, kjo mjegull ateron mbi atë që nuk e njoh. Rruga mbetet rrugë takimesh ku kërkojmë ndihmë, dashuri, komedi për t'u lehtësuar, por asnjë liri, sepse liria është egoiste, ajo e do vetminë e cila vjen e servuar brenda egoizmit. Nuk jam i lumtur me këtë, por pse duhet ta kërkoj lumturinë për të qenë? Mjafton të vazhdoj kështu, çdo ditë të plakem, të shoh të njëjtën dritë, të marr frymë njëjtë, t'i kryej nevojat e njëjta. Vetëm për të vazhduar pas një përjetësie së cilës nuk ia njoh as titrat, as ngjyrat, e së paku përvojën. Unë nuk jetoj, por çdo ditë vdes diçka tek unë. Diçka, që është në shërbim timin, nën origjinën e gjenetikës, pa kërkesën ekzakte timen, kjo kërkesë sikur të ishte edhe më herët cilën rrugë do ta zgjidhja? Lehtësisht duhet të qëndroj, me vetëdije ta pres vdekjen, momentet e fundit t'i lavdëroj, t'i komentoj ashtu si vërtet janë pa trillime, nëse do të kthehem, do të përpiqem të jem sa më i saktë, por kjo saktësi prapë është egoiste, s'ka saktësi globale, egoizmi është edhe mbi vdekjen. Kjo është e vërtetë. Egoizmi forcohet me veten, pastaj në formë artistike është pushtues. Qëndroj i nënshtruar ndaj momentit, i cili është i zgjatur, që shpik çdo ditë ngjyra të reja, krijon nga e pavërteta të vërtetën, por edhe e pavërteta është farefis në të vërtetën, sepse mendohet, por nëse nuk realizohet nuk kemi aftësi për ta realizuar. Nuk është fajtore. Ku ecën unë, pse vrapoj, sikur të mos të doja nuk do isha këtu ku jam. Në fakt, asgjë nuk ka. Vetëm një moment ekzistimi që arsyetohet mbi frymëmarrjen, që mban të gjitha organet e mashtruara. Le të mashtrohen, sepse ne vetë e krijuam mashtrimin, vetëm për të vazhduar, ndihemi më të lehtësuar kur frymëmarrja është më e mirë.

Frymëmarrja dhe logjika nuk përshtaten mirë

Pa frymëmarrje jemi të përjetshëm, frymëmarrja dhe logjika nuk përshtaten mirë, sepse logjika korrigjon çdo parregullsi të saj. Në vepra mund të gjejmë vetëm atë derisa frymëmarrja ekziston. Asnjë zot të vërtetë, asnjë shpirt të vërtetë, vetëm një materie të dukshme duke u ndihmuar nga shkenca. Korrigjohemi përmes veprave të cilat kanë një mori kritikash dhe mund t'ju heqësh shumë rreshta. Piktorët ngjajnë me veten. Letrarët të distancuar, të mbështjellë, por prapë rreth vetes. Shkencëtarët nga vetja për të tjerët, sikurse të gjitha që i përmenda. Në fakt, asnjë përgjigje logjike e saktë për një rrugë të dukshme, të vizatuar, të projektuar përjetësisht, që përshtatet për të gjithë. Kundërshtime, luftë fjalësh, estetikë, ndjenjë, vetëm kënaqësi momentale për shpresën e gjatë. Nuk mjafton kjo. Me plot bindje e them. Nuk mjafton ky art i të kënaqurit, sepse kënaqësia është shumë e shkurtër, por e gjatë në të kujtuarit. Le të jetojmë mbi kujtime, mbi instinktin, a është kjo e kuptimtë. A ka kuptim absurdi? Me siguri se jo. Por, është i lozur, i krijuar për të kundërshtuar, momentalisht kontradiktor, i pamundur kështu ngrihet dhe proteston. Frymëmarrja përcakton çdo mendim, lëvizje, frikë, pretendim dhe shuarje. Frymëmarrja shpik dhe vret absurdin, frymëmarrja lëviz dhe zhduk njeriun. Logjika kërkon kuptimin e ekzistimit të cilin nuk do ta dijë, sepse sikur ta dijë nuk do të jetojë kështu si jeton, prandaj është enigmë. Këtu në mesin e shumë ngjyrave, mbi të cilat ngrihet arti, sepse qëndron mbi çdo gjë, është i pakuptim brenda mundësive të kuptimit, brenda jetës së kënaqësisë, e cila nëse vdes, vdes edhe njeriu. Përgjigjja mbi pyetjen kah do të shkoj nuk ekziston. Ajo ekziston, por jo brenda mundësive të kësaj jete reale, e quaj reale, sepse e jetoj, por sikur të mos ta jetoja nuk do ishte reale, jeta do ishte sikurse vdekja e pakuptimtë, pa përgjigje, enigmë. Tërë bota drejt panjohurive, bëhen të njohura kur i takojmë, kur i nënshtrohen pyetjeve.

Libri më i vjetër i lutjeve të hebrenjve?





Teksti në gjuhë hebraike është kopja më e hershme e njohur e Toras me katër shekuj

Një tekst i rrallë hebraik, që daton nga shekulli i nëntë, është zbuluar nga një koleksionues i artefakteve biblike dhe besohet të jetë libri më i vjetër në botë i lutjeve të hebrenjve. Dosja me 50 faqe u gjet në Jerusalem dhe në bazë të testeve me karbon të ekspertëve dhe studiuesve, besohet se libri mund të jetë shtypur diku rreth vitit 840. Koleksioni i Gjelbër, që lajmëroi këtë zbulim, deklaron se libri është Tora më i hershëm që është gjetur në 400 vitet e fundit dhe mund të jetë një lidhje e rëndësishme mes kohës së Testamentit të Vjetër dhe judaizmit mesjetar. Dr Xheri Petengejl, drejtori ekzekutiv i Iniciatives ‘Studiuesit e Gjelbër’, që është degë hulumtuese e Koleksionit të Gjelbër, tha: ‘Ky zbulim është një dëshmi historike që mbështet boshtin e jetës religjioze hebraike. Ai ndihmon në mbulimin e një zbrazëtie mes Testamentit të Vjetër dhe zbulimeve të tjera të teksteve të hebrenjve nga shekulli i nëntë dhe i dhjetë’.

description
Shkrime hebraike arkaike

Pergamena e plotë përmban shkrime hebraike aq arkaike, sa zbuluesit e saj thonë se ‘ajo përfshin zanore babilonase’ të ngjashme me anglishten e vjetër ose të mesme, krahasuar me gjuhën e sotme angleze. Ishin pikërisht këto zanore që i bënë hulumtuesit të dyshojnë se ky libër lutjesh daton nga koha e udhëheqësve geonimë, babilonianë dhe talmudikë, që ekzistonin gjatë kohës së Mesjetës. Libri është me ngjyrë bezhë, me madhësi 10 cm i gjerë dhe 11 cm i gjatë. Dorëshkrimet më të vjetra të njohura të Toras të studiuara nga studiuesit italianë, kanë origjinën diku mes shekullit të 12-të dhe të 13-të, që është 300 përkatësisht 400 vite pas këtij libri të zbuluar së fundi. Hulumtimet për këtë libër lutjesh, për të cilin Koleksioni i Gjelbër beson se mund të jetë ekuivalenti i botimit të parë të Librit të Përbashkët të Krishterë të Lutjeve, do të zbulojnë rezultatet në fillim të vitit 2015. Lëshimi në treg i këtij libri do të jetë si pjesë e serisë së teksteve dhe dorëshkrimeve të hershme hebraike të redaktuara nga Petingejl dhe Dr. Emanuel Tov. Kjo seri do të përfshijë një ekzaminim të plotë të disa prej teksteve më të vjetra dhe më të rralla të teksteve biblike, duke përfshirë edhe pjesë nga Libri i Gjenezës, Eksodit, Nehemias, Libri i ‘Jeremiah’-s, ‘Jonah’-s, ‘Ezekiel’-it, ‘Micah’-s, ‘Daniel’-it dhe libri i psalmeve.

Dorëshkrimi antik

Sipas Petingejlit, në intervistën e tij për ‘Huffington Post Religion’, dorëshkrimi antik duhet të jetë krijuar së pari, duke vazhduar më pas edhe me tekstin e brendshëm. Brendësia e librit është e ndarë në gjashtë sektorë, që diskutojnë çështjet e ndryshme duke përfshirë Fundin e Kohës dhe Ritualin e Pashkëve. Sektori i parë përfshinë rreth 100 bekime hebraike. Dr. Stiven Pfan, një studiues me Koleksionin e Gjelbër dhe president i Universitetit të Tokës së Shenjtë në Jerusalem, bëri zbulimin fillestar mes objekteve të tjera që zbuloi nga Koleksioni i Gjelbër. Hulumtimi i bërë nga studiuesit e këtij instituti do të sjellin dritë mbi përmbajtjen e teksteve të hershme hebraike nga Dorëshkrimet e Detit të Vdekur, të cilat janë ende duke u studiuar’, tha Petingejl.

Drama shqipe për fëmijë e lënë anash

Shkrimtarët pak shkruajnë për fëmijë, edhe ata që shkruajnë, dramat e tyre vështirë që inskenohen. Regjisorët dhe ata që merren me dramën për fëmijë bëjnë thirrje që gjërat të ndryshojnë në të mirë të fëmijëve. Regjisorja dhe aktorja e njohur për fëmijë Melihate Qena mendon se ka pak tekste dramatike për fëmijë. “Mendoj se është e vërtetë që qëndron pohimi se pak kemi tekste dramatike për fëmijë. Unë në punën time kryesisht i kam adaptuar vetë tekstet e shkrimtarëve të njohur. “Drama të gatshme nuk kam gjetur, ose ato pak tekste që shkruhen për fëmijë kam përshtypje se autorët pak e njohin skenën dhe botën e teatrit”, tha ajo. Melihate Qena thotë ka pasur raste kur një tekst ka qenë i dramatizuar, por nuk është paraqitur nevoja për ta përpunuar atë. “Është vështirë të inskenosh një tekst dramatik për skenën e teatrit të kukullave, sepse shfaqje që bëj unë janë për një moshë më të vogël, dhe që duhet përshtatur shijes dhe moshës së tyre”, u shpreh ajo.

description

Tekstet duhet përpunuar

Valdet Rama, aktor në teatrin e kukullave “Dodona”, thotë se nuk është fjala që nuk ka tekste dramatike për fëmijë, pasi të tilla ka mjaft, por problemi qëndron se sa mund të inskenohen ato tekste. “Pothuajse secili tekst dramatik i shkruar për fëmijë është dashur t’i nënshtrohet një rishikimi të madh, për t’u bërë gati për inskenim për fëmijë, sidomos për shfaqjet me kukulla. Tekste ka mjaft, por problemi është se sa janë të përdorshme ato, sepse dramë mund ta quash, por problemi është se a mund të përdoren ato për qëllimin që janë shkruar”, ka thënë Rama, duke shtuar se shumë drama për fëmijë para se të inskenohen duhet t’u bëhen adaptime të shumta për t’u përgatitur për skenë. “Mendoj se autorëve u mungon njohuria e teknologjisë se si duhet shkruar një dramë për fëmijë. Ka shumë drama që janë shkruar dhe po shkruhen për fëmijë, por që kërkojnë një përpunim rrënjësor. Përjashtuar raste të veçanta, shkrimtarët për fëmijë rrallë vijnë në teatër për të parë se si duket një shfaqje e inskenuar”, tha Rama.

Shkrimtarët e pastimuluar

Shkrimtari Ragip Sylaj pranon se drama për fëmijë është lënë anash. “Meqë drama në krahasim me gjinitë dhe llojet e tjera letrare ka funksion, të themi më praktik, ndër ne fatkeqësisht shkruhet dhe botohet më pak. Pohimet se drama shqipe për fëmijë në Kosovë, sidomos për moshat më të vogla mungon ndër ne, janë të sakta. Ky lloj i letërsisë që i dedikohet skenës së fëmijëve s’do mend se ka vlera të pakontestueshme. Kjo, sepse edukimi, respektivisht argëtimi dhe mësimi jetësor nëpërmjet skenës konsideroj se është i llojit të vet dhe i pazëvendësueshëm”, theksoi ai. Sylaj thotë se shkrimtarët për fëmijë kanë shumë tema dhe ata do të duhej që këtë gjë ta bëjnë. “Krijuesit e sotëm të dramës shqipe për fëmijë në Kosovë kanë çka të trajtojnë dhe besoj se do të mirëpriteshin nga të vegjlit, sepse magjinë e skenës nuk besoj se mund t’ua zëvendësojë magjia e filmit (e ekranit të madh), e televizionit (e ekranit të vogël) a e internetit. Mungesa e stimulimit të shkrimtarëve të këtij lloji, të them letrar e teatror, bën gjithmonë e më tepër që autorët të merren me punë të tjera krijuese, efekti i të cilave në jetën e tyre dhe në jetën shoqërore është sado-kudo më i madh. Kjo gjendje varet edhe nga planet, orientimet, vizionet dhe mundësitë e teatrove tona për ta dhënë kontributin e tyre në këtë lëmë. Sidoqoftë, krejt atë (s’)e bëjmë sot do të na kthehet në të ardhmen”, pohoi Sylaj. Dramaturgu Naser Shatrolli thotë se nuk ka interesim për të shkruar drama për fëmijë. “Drama shqipe e këtij formati nuk ma do mendja se do të gjejë strehë banimi te ndonjëra kupolë skenike. Më duket se teatrot nuk duan të kultivojnë këtë gjini arsyet dhe argumentet janë të shumta. Mirëqenia e përgjithshme shoqërore do të ndikojë te të gjitha kategoritë, mbase edhe te drama, e cila aspak nuk gjen respekt inskenimi ose lejueshmërie”, tha ai, duke shtuar se “në Prishtinë fëmijët janë më mirë në raport me teatrin. Teatri i kukullave funksion, publik ka, shfaqje ka, ndërsa në qytetet e tjera fëmijët teatrin e vizitojnë ndoshta kur të bëhen të zotët e vetvetes për të marrë rrugën drejt teatrit. Në këtë sens, ma do mendja se nuk ka interesim për të shkruar dramë”, mendon ai.

Mbijetesa e poezisë dhe poetëve

Zhvlerësimi dhe degradimi i poezisë në trojet shqiptare

Mbijetesa e poezisë dhe poetëve

Duket se sikur qëllimisht botohen libra pa vlerë

description

Shkruan: Reshat Sahitaj


Në ditët e sotme, poetët duke e parë që poezia është në zhdukje e sipër, kanë themeluar shoqata të ndryshme për mbijetimin e poezisë dhe të poetëve. Secila shoqatë ka grumbulluar rreth tyre nostalgjikët e poezisë dhe organizojnë mbrëmje letrare duke i lexuar vargjet e tyre për një rreth tepër të ngushtë miqsh, shokësh, dhe aty këtu ndonjë dashamirë të poezisë. Qe poezia të mos zhduket kurrë, këto shoqata, organizojnë takime letrare kombëtare dhe internacionale, sepse kudo në botë ende gjendën poetë nostalgjikë. Nga kjo, poetët tanë nuk duhet të nënkuptojnë se poezia ka vdekur dhe se nuk duhet të shkruajnë, sepse ka gjasa që pas një shekulli, apo më shumë poezisë dhe poetëve t’i rikthehet fama e dikurshme.

Shqiptarët dhe poezia

Nëse kudo në botë është duke u zhdukur poezia dhe poetët, në viset shqiptare ky zhanër letrar është në lulëzim më shumë se kurrë më parë. Në asnjë vend të botës nuk ka më shumë poetë dhe libra poetikë, se sa ka Kosova dhe Shqipëria. Të gjitha libraritë e Francës bashkë, nuk kanë libra me poezi sa ka në libraritë shqiptare.

Kam bindje të thellë, se shqiptarët në sistemin monist nuk kanë pasur mundësi t’i publikojnë krijimet e tyre, sepse në krye të çdo reviste, gazete etj shteti monist kishte vë njerëzit e tij për të censuruar ideologjikisht çdo shkrim letrar. Pavarësisht masave shtetërore komuniste, krijuesit e kuptuan dobësinë e sistemit dhe një poezi ia kushtonin kryetarit e tjerat përmbanin mesazhe kombëtare, te dashurisë etj. Kemi shumë raste në Kosovë ku poeti ka pritur me vite të tëra që t’i botohet një libër, ose poezia e tij t’i botohej në ndonjë revistë letrare apo në gazeta të përditshme javore. Ky akumulim i energjisë artistike i ndrydhur me dekada dhe hapja e mundësive të reja për të publikuar pa asnjë censurë, ka ndikuar që tani të kemi shumë poetë. Ky katarzis ka bërë që në Kosovë dhe kudo në trevat shqiptare të prodhojmë poetë të mirë dhe poetë që nuk vlejnë asgjë. Botimi i librave pa asnjë censurë, e ka devalvuar dhe degjeneruar skajshmërisht jo vetëm poezinë, por edhe dinjitetin e krijuesve shqiptarë. Kur flitet për censurë nuk është fjala të censura politike, por të vlerësimi i krijimeve të cilat lëshohen për botim pa asnjë kriter.

Në Kosovë dhe viset shqiptare , kriteret për të botuar një libër janë:

 a ) të jesh femër e bukur
 b) të kesh para
 c) të ke post që tjerët kanë interesa.

a) Pika e parë është më e përhapura, sepse numri i vajzave që shkruajnë poezi është në rritje. Është krejt e natyrshme që adoleshentet dëshirojnë t’i shprehin sentimentet e tyre përmes vargjeve, mirëpo këto/këta nuk mund të depërtojnë nga disa çuna të plakur që i hulumtojnë “talentet” e reja. Këta çuna të plakur, nëse viktima është djalë i pasur i kërkojnë pare të mira që t’ia botojnë një fletushkë që nuk i përngjan as librit e as librezave partiake. Kur viktima është vajzë, natyrisht që asaj i kërkohet tjetër gjë, e nëse ajo është e lehtë i botohet libri me një vonesë. b) Pika e dytë është pak më lehtësuese. Krijuesit e rinj që i kanë prindërit e pasur, nuk e kanë vështirë t’i botojnë shkrimet e tyre. Prindi i djalit apo vajzës vetë shoqërohet me çunat e plakur në krijimtarinë artistike. Prindi e hap bisedën se djali ose vajza e tij kanë talent dhe tërë natën rrinë pa fjetur duke shkruar poezi. Çuni i plakur ne krijimtarinë artistike i rrëfen se është mëkat që ato poezi te mos botohen e t’i lexojë bota. Është edhe një kategori e viktimave që vinë nga diaspora. Posa të vijnë në Kosovë, këta takohen me krijuesit e Kosovës dhe u tregojnë se kanë shkruar poezi në Facebouk ku kanë pasur shumë “Like-a”, çunat e plakur ne poezi që janë në kërkim të viktimave ua mbushin mendjen atyre se vërtet janë poetë shumë te talentuar dhe se duhet t’i botojnë poezitë. c) Pika e tretë është pak më e komplikuar, sepse kemi të bëjmë me njerëz intelektual të rangut të lartë dhe të “lartë”. Shumë poetë e poetesha të dështuara në rininë e tyre tani kanë arritur që të emërohen në poste të ndryshme dhe të rëndësishme. Disa të tjerë janë bërë profesorë, disa drejtorë në fusha të ndryshme, disa zyrtarë ku prej tyre varën subvencionet për botimin apo organizimin e manifestimeve kulturore. Kjo shtresë nuk japin asnjë cent për botimin e librave te tyre, e madje kritiket tanë u thurin lëvdata më të pameritueshme për librat që ata kanë shkruar. Në fakt këta nuk japin asnjë cent nga xhepi i tyre , por gjejnë mundësitë që t’i keqpërdorin postet e tyre dhe fondin e qeverisë në favor te atyre që shkruajnë apo ua botojnë librat . Këta janë shtresa më e ulët dhe kriminelët e shoqërisë sonë si ne aspektin e keqpërdorimit te fondeve qeveritare edhe ne aspektin e rritjes se rrejshme te famës së tyre. Në këtë kategori kemi edhe pseudo luftëtarë të cilët dëshirojnë të jenë përfaqësues të letrave shqipe më dhunë intelektuale. Këtyre pseudo luftëtarëve askush nuk guxon t’ia thotë realitetin edhe pse të gjithë e dinë se disa prej tyre nuk janë në gjendje të shkruajnë pa gabime emrin Kosovë. Siç kanë hyrë disa ditë në luftë për të spiunuar, tani dëshirojnë të hyn në letërsi për ta zhvlerësuar. Mos të harrojmë se në Kosovë kemi edhe luftëtarë që luftuan denjësisht dhe e meritojnë të jenë në antologjinë e poezisë shqipe. Në mesin e poetëve luftëtarë e kemi Dibran Fyllin i cili edhe gjatë luftës kontribuonte në kulturë. Fjala është vetëm për pseudo luftëtarët.

Degjenerimi i poezisë në Kosovë

Dikur krijuesit ishin të respektuar, sepse krijonin art të mirëfilltë si: Adem Demaçi, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Din Mehmeti, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Fahredin Gunga, Sabri Hamiti, Flora Brovina, Gani Xhafolli, Agim Vinca e shumë të tjerë. Krijuesit e asaj kohe ishin idole të rinisë shqiptare, që secili i ri kishte dëshirë t’ua lexonte veprat e tyre e për t’u takuar as ëndërr nuk kanë parë. Kur ndonjë të riu i botohej një poezi apo tregim ishte kënaqësia më e madhe në jetë. Më kujtohet kur në vitin 1973 u botua një tregim im, “Rilindjen” ua tregoja të gjithë nxënësve të normales dhe disa net faqen e gazetës e mbaja afër jastëkut deri sa u shkatërrua nga lagështia dhe shpalosja e shpeshtë. Kënaqësia ishte e trefishtë: së pari botimi konfirmonte se ke talent, së dyti të gjithë shokët gëzoheshin bashkë me ty, së treti u pëlqeje vajzave më shumë. Ky ishte një realitet i secilit të ri të asaj kohe.

Vetëshkatërrimi i krijuesve

Kudo në viset shqiptare letërsia zhvillohet me parametrat e cekura më lartë. Askujt nuk i intereson zbulimi i talenteve të reja, por sikur qëllimisht lëshojnë botime pa vlerë. Mendoj se zbulimi i talenteve i frikëson disa pseudo letrar , të cilët dëshirojnë ta ruajnë tërë jetën famën dhe emrin, që vetës t’ia sigurojnë përjetësinë. Për t’ia siguruar vetës më mirë përjetësinë në letërsi, këta në mesin e të rinjve krijojnë kritikët personal, apo të rrethit te ngushtë të tyre. Në këto vitet e pasluftës, në orët letrare paraqitën poetë e më shumë “poetesha”, që nuk kanë lidhje me poezinë dhe kurrë ne jetën e tyre nuk e kanë lexuar një libër. Çuditërisht këto farë “poetesha” arrijnë të përbirohen dhe të fotografohen me personalitete të larta politike dhe letrare, e të marrin poza sikur te ishin yje pa të cilat nuk lind dielli. Madje në Kosovë janë krijuar edhe organizime speciale letrare të poeteshave. Në asnjë vend të botës nuk bëhet dallimi në mes gjinisë. Me themelimin e klubit të poeteshave, vetë femrat krijuese po tregojnë dobësinë, se ato janë të dobëta dhe nuk mund të matën me meshkujt krijues. Hapja e shoqatave të tilla ku promovohen vetëm femrat është gjest provokativ për meshkuj. Dikur shumë dekada më herët për ditën e Shën Gjergjit të gjitha vajzat visheshin dhe promovoheshin duke vallëzuar rrugëve të fshatrave e të qyteteve, e ne si të rinj mezi prisnim Shën Gjergjin, sepse ato ditë krijoheshin lidhjet e dashurisë. Në këto ditë, meshkujt mezi presin ditën e orëve letrare të poeteshave, nga se dikujt i del nafaka. Një pjesë tjetër e poetëve, reklamohen në televizione dhe gazeta si poetët më të përkthyer dhe më të çmuar në botë duke e mashtruar opinionin tonë pa i treguar se ata u përkthyen vetëm në Rumani nga një shoqatë kulturore, dhe atë me para të tyre personale, ose me përkrahje të Ministrisë sonë të Kulturës apo fonde tjera që vetëm ata e dinë se si dhe ku i marrin ato pare.
Pas eliminimit të këtyre vetive dhe tanimë shprehive që janë shndërruar ne fenomen, mund të krijojmë poezi dhe t’i kthehet dinjiteti i poetit dhe poezisë, në të kundërtën jemi duke shkuar drejt një degjenerimi dhe degradimi të poetit dhe poezisë.

Bajrush Mjaku, "Armiku i popullit"


description

Mbase eksperimenti që na solli Dino Mustafiqi nga aspekti regjisorial ideor dhe estetik për qarkun e zhvillimeve teatrore këtu e në rajon qe njëri nga modelet më interesante të sjella nga ai në këto vitet e fundit. Rrathët e ringut erdhën kurrë më të përafërt me rrjedhën politike ballkanike. Politika shqiptare ka zgjedhur rrugën e denigrimit të gjithë kapitalit historik të mbledhur në arkën e hartës së vlerave kombëtare. Bajrush Mjaku dhe Teatri Oda me këtë shfaqje trasuan rrugë të reja teatrore mes këngës dhe veprimit fizik, të mbështjellë me djersë psikologjike, të cilat, shfaqjen do ta lartësojnë në një piedestal të ri, si qasje, si gjetje, si mbresë, si vrull, si kulturë shikueshmërie, mbase, rrallë atakohemi me këtë nivel ringu, kështu, duke fol me vetveten, djersët e dyshimeve në raport me shterpësinë dhe identitetin e regjisë kohore të çojnë kah mulliri me erë. Formati i ringut nuk ishte zbulim porse vendosja e një teksti kaq përmbajtjesor e filozofik në një rrafsh bizariteti siç është arena e boksit, ku do të luhej loja për të thyer hundë e eshtra, për të thyer kurrizin mendor e fizik të shtresave intelektuale, për ti bërë invalid njëherë pastaj për të shpallë heronj para kamerave, droja se do të bie e gjithë elita intelektuale në kokërr shpine do të reflektohej si mesazh real, mbase me vetëdije është instaluar kjo logjikë kutërbimi edhe te kokat e skalitura. Gjendja momentale dhe ndërhyrjet kirurgjikale të politikës te një pjesë e kopertinave mediale, depërtimet e ujërave të zeza në secilën rrugë e shesh me emra heronjsh, denigrimi i forcës familjare dhe duartrokitja që do ti bëhet asaj filozofie denigruese, duke instaluar e promovuar poshtërsinë miqësore para objektivit të kamerës si miqësi ideale, pastaj, dhuna, gënjeshtra, korrupsioni të cilat do të shndërroheshin në përfitime televizive duke i thyer dhëmbët forcës mendore për ti hyrë në palcën e kurrizit familjes shkencore, ky doli të ishte koncepti ideofilozofik i Mustafiqit. Shfaqje qe teatër i shtrenjtë përderisa peshon nga aspekti aktoresk, nga regjia, skenografia, kostumografia, muzika, ajo peshon si dekor i përgjithshëm përderisa secila hallkë ecën natyrshëm me rrjedhën e platformës regjisoriale. Shfaqja nga aspekti analogjik do të provokojë mendje, do të reflektojë njëherësh do të mishërojë para syrit magjik gjendje të tipit të orës policore, mbush kupën me mllef proteste, shkakton drithërima në adresë të audiencës dhe mbaron me fjalë shprese të ndërthurura me mjaltë ti hidhur.

Zhveshja

Nga perspektiva mizanskenike një tekst filozofik ku mendimi bashkë me fjalën kanë peshën e verdiktit popullor, regjisori nëpërmes platformës së tij do ta zhveshë "cipricullak" euforinë klasike duke verifikuar edhe një herë mentalitetin e tij prej një projektuesi, ose arkitekti të arenave spektakulare.
Ringu teatror, mikrofonat, kamerat, televizorët, janë realitet i arenave spektakulare botërore, publiku bashkë me aktorët janë lojtar të përbashkët, këto detaje teatrin do ta kualifikonin në një arenë televizive të përafërt me formulën e shiritit filmik.

Aktrimi

Aktrimi i Bajrush Mjakut ishte në shkallë përsosmërie. Ai tashmë ka përpiluar çelësin e kulturës skenike në raport me kërkesat e ringut të teatrit modern. Alban Ukaj, Adrian Morina një dyshe e mishëruar me gjestin, fjalën, interpretimin, të cilët administronin fuqishëm situatat dhe gjendjen e përgjithshme brenda dhe përtej ringut. Atraktiviteti i shfaqjes ishte dhe Arta Selimi e Fisnik Zeqiri në të kënduar, moderuar, dhe interpretuar. Po ashtu, Bislim Muçaj dhe Salaudin Bilalli ishin të mbërthyer ndjeshëm brenda kostumeve të tyre. Ndërsa, Ilire Vinca qe balanca e shfaqjes përderisa nxori në ring potencën e një gruaje dhe një nëne të fort, e cila, me interpretimin e saj qoftë edhe në të kënduar, do të përpij dhunën për ta mbajtur në këmbë kultin familjar. Ishte një nënë tipike boksere përderisa transmetonte forcë shprese në të kundërt mllefin, dhembjen, fëlliqësirat, me ujë do t'i laj, do ta shuaj zjarrin e saj të brendshëm, do të lajë amoralitetin çnjerëzor të bërë ndaj çikës dhe bashkëshortit të saj. Ringu njëherësh kënga qenë dy element bazë që e determinojnë shfaqjen të duket ndryshe në raport me gjithë rrjedhat teatrore. Kori përgjatë gjithë rrjedhës i dha dimension të jashtëzakonshëm shfaqjes, ndërsa monologët e inkorporuar nëpërmes ekranit në shfaqje me gjithë tendencën e mirë ngadalësonin procesin dhe dolën nga binarët e tiktakeve të shfaqjes. Marrë në tërësi, shfaqja "Armiku i popullit" e punuar nga dy shtëpi teatrore private, do të ngelet njëra nga shfaqjet më unike në raport me rrjedhat e teatrit modern.

(Autori është dramaturg, skenarist dhe kritik)

Letërsia e papërkthyer qëndron larg çmimit prestigjioz

description

Letërsia bashkëkohore ka prodhuar shkrimtarë shumë të mirë, të cilët pa ndonjë hezitim do të mund të propozoheshin për çmimin “Nobel”. Letërsia shqipe sot, edhe kjo e krijuar në Kosovë, ka shkrimtarë të cilët me cilësinë e tyre letrare nuk qëndrojnë larg shumë nobelistëve të viteve të fundit. Por, letërsia shqipe ka një hendikep ta madh në këtë drejtim, sidomos kjo e krijuar në Kosovë. Pothuajse nuk përkthehet fare. Ndërsa, për të qenë pjesë e nominimeve, krijuesit e propozuar duhet të jenë të përkthyer, sidomos në gjuhën angleze. Kështu pohojnë se shkrimtarët dhe drejtuesit e shoqatave që mbledhin shkrimtarët. Edhe pse tani ekziston mundësia që edhe shoqatat kulturore apo ato që mbledhin krijuesit apo merren me letërsinë t’i dërgojnë propozimet për “Nobel”, ende asnjë nga to nuk ka dërguar ndonjë propozim për këtë çmim.

Puna nuk kryhet vetëm me propozime

Ardian Haxhaj, shkrimtar, kryetar i Klubit të Shkrimtarëve të Kosovës,  është shprehur se duke e parë përvojën e mëhershme të nobelistëve, edhe letërsia bashkëkohore shqipe ka personalitete letrare reprezentative, të cilët mund të jenë natyrisht kandidatë për çmimin “Nobel”. “Natyrisht se edhe letërsia shqipe ka personalitete letrare, të cilat lirisht mund të jenë kandidatë për çmimin “Nobel”. Gjatë përvojave dhe leximeve bibliografike të nobelistëve që kanë fituar, shohim se natyrisht e kanë një nivel në letërsinë e përbotshme dhe nacionale të tyre, që nuk kanë diç më shumë se shkrimtarët tanë të njohur”, ka thënë Haxhaj.

Në një prononcim z. Reshat Sahitaj, shkrimtar dhe kryetar i Unionit të shkrimtarëve dhe kritikëve shqiptarë, ka thënë se Kosova ka shkrimtarë potencialë, të cilët do të mund ta fitonin çmimin “Nobel”. Por, sipas tij, fatkeqësia qëndron se shkrimtarët tanë nga Kosova nuk janë të përkthyer në ndonjë nga gjuhët kryesore. “Një kusht që një libër të vlerësohet nga Komiteti i “Nobelit” është që ai libër të jetë i përkthyer në ndonjë nga gjuhët kryesore evropiane, kryesisht në anglisht. Juria nuk mund ta vlerësojë deri sa nuk është i përkthyer libri në gjuhë të huaj dhe këtu qëndron problemi kryesor”, ka thënë ai, duke shtuar se, përveç propozimit, duhet edhe një lobin mjaft i madh për ta mbështetur kandidatin e propozuar në të gjitha drejtimet. “Puna nuk kryhet vetëm me propozim. Pas propozimit vjen një makineri e tërë krijuesish, diplomatësh biznesmenësh, të cilët duhet të qëndrojnë prapa propozimit. Duhet një lobim edhe në mesin e krijuesve botërorë”, ka thënë Sahitaj. Duhet këmbëngulur në përkthimin e letërsisë shqipe të Kosovës, sidomos të romaneve në gjuhë të huaj, pasi në këtë aspekt, sipas tij, gjendja është e mjerueshme.

Një pritshmëri sikurse në metaforën duke pritur Godon

Studiuesi i problemeve socio-kulturore, Avni Rudaku, në një prononcim për “Kosova Sot”, ka thënë se një nga arsyet që institucione dhe shoqata kulturore kosovare nuk kanë dërguar në drejtim të Komitetit të “Nobelit” ndonjë propozim është shpresa gjithëshqiptare për Kadarenë. Por, ai ka përmendur edhe arsye të tjera. Sipas tij, ka një kohë të gjatë kur shqiptarët kanë pritur se Ismail Kadare mund ta marrë çmimin “Nobel” dhe, siç është shprehur ai, nuk duhet të krijojnë kandidat tjetër të mundshëm, për shkak se Kadare do të jetë më së afërmi. “Prandaj, është një periudhë e gjatë që shpresohet dhe kjo ka krijuar një pritshmëri sikurse në metaforën duke pritur Godon, pasi është një shpresë në ndërdijen kolektive të të gjithëve se Kadare mund të jetë një fitues potencial”, ka potencuar Rudaku, duke shtuar se ekziston edhe një kompleks inferioriteti nga institucionet tona kulturore se letërsia në Kosovë nuk i ka arritur ato kualitete që duhet dhe nuk mund ta sfidojë Kadarenë, Kongolin, apo ndonjë tjetër. “Po ashtu, ende nuk besohet në kualitetet letrare që prodhohen në Kosovë karshi atyre në Shqipëri dhe nuk besohet se ka dalë një ikonë tjetër për ta sfiduar Kadarenë”, ka pohuar Rudaku.

 I.Vatovci

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...