2013-12-27

Kondomi për femra: Shpikja që po rikthehet në vëmendjen e të gjithëve

I nisur si një produkt pothuajse i dështuar, kondomi femëror apo femidomi po gjen përdorim të gjerë, duke u dhënë femrave avantazh në procesin e njohur si “negocimi për kondomin” dhe mbrojtje më të mirë nga sëmundjet
William Kremer, BBC
Kondomi për femra doli fiasko kur u hodh në treg fillimisht rreth 20 vjet më parë, por ai nuk u zhduk kurrë tërësisht dhe tashmë disa kompani po hyjnë në lojë me produkte të reja. A mundet që ai të fillojë të përdoret?
Emri formal i produktit qe FC1, megjithëse shumë prej nesh e njohën atë si Femidom, apo Reality, dhe shakaxhinjtë i vunë nofka nga më të ndryshmet, çanta plastike, çorapja e erës apo balona me ajër të nxehtë…
Dy dekada më vonë, Meri an Liper (Mary Ann Leeper) ende duhet të shohë pjesën gallatë të këtyre batutave. “Unë besoj në këtë produkt”, thotë ajo. “Unë besoj gjithashtu se gratë do të dëshironin të ishin në gjendje të kujdeseshin për veten. Ne ishim naive, ose së paku unë me siguri isha naive”.
Liper qe presidente e Chartex, kompania që prodhoi FC1. Para lëshimit, pati një atmosferë kurioziteti dhe pritshmërie, por ata të angazhuar e nënvlerësuan faktin sesa jofamiljare do të qe mjeti i rrëshqitshëm dhe i madh për konsumatorët në Europë dhe SHBA.
Liper mendon se reagimi negativ filloi me një artikull të vetëm kritik në një revistë të famshme grash në SHBA.
“Ai lajm qe lajmi kryesor që shkaktoi një efekt domino”, thotë ajo. “Qe tronditëse për mua, me thënë të vërtetën. Pse duhet të bësh shaka me një produkt që do t’i ndihmonte vajzat e reja të qëndrojnë të shëndetshme, që do t’i mbronte ato nga infeksionet e transmetuara në rrugë seksuale, si dhe nga shtatzënia e padëshiruar?”
Për të qenë të saktë, FC1 kishte një farë defekti në dizenjo. E krijuar me poliurethane, qe pak i zhurmshëm gjatë seksit, dhe qe e pashmangshme që nga kjo të lindnin ngjarje komike që nga krevati do të tregoheshin e ritregoheshin.
Në vitet e para, pasardhësja e kompanisë Chartex, Kompania Female Health, mendoi të mbyllej, por në vend të kësaj vendosi të zhvillonte një program edukativ. Pastaj një ditë më 1995, Liper mori një telefonatë nga një grua e quajtur Dejsi, përgjegjëse për programin e Zimbabvesë kundër përhapjes së HIV dhe AIDS.
“Ajo tha, ‘unë kam një peticion në tryezën time të firmosur nga 30 mijë gra që kërkojnë që ne t’u japim kondomin femëror’”, rikujton Liper.
Ky qe fillimi i një partneriteti që e dërgoi kondomin femëror në një pjesë të madhe të botës në zhvillim. Projekte në Nigeri, Kamerun dhe Mozambik për të shpërndarë kondomin femëror përmes parukerive të grave mundësoi shitjen e tyre dhe më e rëndësishmja, shpjegimin se si funksionojnë.
Pasardhësi i FC1, FC2 – i prodhuar me lateks sintetik që nuk bën zhurmë gjatë fërkimit – është shumë më i suksesshëm nga sa mendojnë shumë në Perëndim. Ai tashmë është i disponueshëm në 138 vende, shitjet janë dyfishuar që nga viti 2007 dhe Female Health po realizon fitime që prej tetë vitesh.
Shumica dërrmuese e shitjeve janë në katër vende – bën të ditur agjencia amerikane e ndihmave USAID, OKB-ja dhe ministritë e Shëndetësisë në Brazil dhe në Afrikën e Jugut. Donatorët dhe zyrtarët e shëndetit janë shumë të etur të zbulojnë çdo gjë që u jep grave mundësi më të mëdha në procesin e njohur si “negociata për kondomin” me burrat.
Kondomët femërorë kanë edhe avantazhe të tjera. Ato mund të vendosen shumë orë para seksit, gjë që do të thotë se nuk ka zhvendosje vëmendjeje në momentin vendimtar dhe as nuk është e nevojshme që të hiqen menjëherë pas seksit. Për gratë, ky është një mjet mbrojtës më i mirë ndaj infeksioneve, për shkak se vulva është pjesërisht e mbuluar nga unaza e jashtme që e mban pajisjen në vend.
Eksperienca e përdoruesve qe goxha e mirë.
Një vëzhgim i vitit 2011 zbuloi se 86 për qind e grave qenë të interesuara për të përdorur këtë metodë dhe 95 për qind thanë se do t’ua rekomandonin shoqeve.
“Shumë njerëz raportojnë se kondomët femërorë e forcojnë kënaqësinë seksuale”, thotë Saskia Haskin (Husken) nga një program për shpërndarjen e kondomit femëror nëpër botë. Për burrat, ato janë më të ngushtë sesa kondomët e tyre. Për gratë, unaza e madhe e kondomit, e cila mbetet jashtë vaginës, mund të jetë gjithashtu simuluese.
Në Afrikë, disponueshmëria falas e kondomëve femërorë në klinika ka sjellë që ato të bëhen modë. Gratë kanë filluar shpesh të heqin unazën fleksibël nga pajisja dhe ta përdorin atë si byzylyk. “Nëse je romantikisht e disponueshme atëherë ke një byzylyk të ri për të dhënë shenjën”, thotë Marion Stevens nga një organizatë aktiviste për shëndetin e grave. “Nëse je në një marrëdhënie afatgjatë, byzylyku yt është i vjetër dhe i rënë”.
Mejiva Ede, nga shoqëria për Shëndetin Familjar në Nigeri, thotë se ndërsa meshkujt janë shpesh të eksituar nga mundësia për seks pa kondomët e zakoneshëm, gratë ngurrojnë fillimisht kur e shohin për herë të parë kondomin femëror.
“Ata e shohin dhe thonë ‘pra – ju po thoni se unë duhet ta vendos atë brenda meje?’”, thotë ajo. Skuadra e Ede përdor një manekin për të treguar se si përdoret kondomi dhe e krahasojnë këtë punë me përdorimin e një telefoni të ri – duke habitur fillimisht, por duke bindur më pas.
Në shumicën e vendeve të zhvilluara është ende imazhi i 20 viteve më parë për t’u kapërcyer. “Mendoj se problemi është se kur e hap pakon, ato janë sakaq të hapura – nuk janë si kondomët mashkullorë që janë të paketuar thjesht dhe saktë dhe pastaj hapen”, thotë Maks Beksinska një pedagoge universiteti në Afrikën e Jugut. “Në fakt ato janë me të njëjtën gjatësi me kondomët e meshkujve kështu që nëse i krahason të dy të hapur, nuk ka dallim”.
Beksinska është autorja e një testi klinik, përfundimet e të cilit u publikuan te revista Lancet mbi krahasimin e tri modeleve të reja të kondomëve femërorë: Kondomi Femëror, sakaq i disponueshëm në Kinë dhe që së shpejti do të shpërndahet në Afrikën e Jugut, është produkt i një pune 17-vjeçare të Path një organizate të specializuar në novacione shëndetësore – e cila ka testuar më shumë se 50 versione. Jashtë ambalazhit, ai është më i vogël sesa FC2. Duket më shumë si tampon, ku shumica e kondomit është mbledhur përreth një kapsule polivinili, e cila tretet brenda vaginës.
Produkti Cupid është i disponueshëm në Indi, Afrikën e Jugut dhe Brazil. Është me aromë vaniljeje dhe me varietete ngjyrë rozë apo ngjyra natyrale. Aktualisht është modeli i vetëm përveç CF2 që është pranuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për blerje nga sektori publik. Një version më i vogël synon tregun aziatik për testime.
Produkti Va Wow, njësoj si Cupid, mban një kunj që i ndihmon përdoruesit ta vendosin më lehtë dhe për të shmangur rrëshqitjen. Studimi i Lancet, tregon se që të gjitha nuk janë më pak të qëndrueshme sesa FC2 dhe kjo i rrit shanset e tyre për t’u pranuar nëpër botë.
Kondomë femërorë të ridizenjuar janë sakaq të disponueshme apo do të hidhen në treg së shpejti.
Në Kolumbi, një produkt i njohur si Air Condom përdor një xhep të vogël ajri për të ndihmuar vendosjen.
Edhe në SHBA po bëhen përpjekje për të hedhur në treg një produkt të tillë.
Produkti po zhvillohet nga një njeri që filloi të punojë në këtë fushë, pasi mori HIV në vitin 1993 si pasojë e një kondomi mashkullor të çarë. Pas kësaj ai u kushtoi vëmendje të veçantë shakave mbi FC1. Ai po synon të heqë qafe shakanë e qeses plastike duke dizenjuar një kondom femëror që ka formën anatomike të femrës.
Synimi është që duke qenë një produkt intim për një eksperiencë të ndarë mes dy njerëzve duhet që të ketë një formë tërheqëse si për burrat, ashtu edhe për gratë. Produkti që pritet të hidhet në SHBA do të realizohet me silikon dhe rrjedhimisht mund të jetë i ripërdorshëm.
Saskia Haskin thotë se është e rëndësishme që çiftet të kenë mundësi të zgjedhin produktin në rast se dëshirojmë të shohim të ardhme për kondomin femëror.
“Ka nevojë për varietete”, thotë Haskin. “Disa gra parapëlqejnë një produkt, disa një tjetër dhe burrat gjithashtu. Ne nuk jemi të njëjtë dhe duam gjëra të ndryshme”.
Edhe një studim i vitit 2010 e nxjerr këtë në dukje. Studiuesit u kërkuan 170 grave në Afrikën e Jugut të provonin tri lloje të ndryshme kondomësh femërorë. Pas nëntë javësh, ata zgjidhnin të mos përdornin më dy nga tri llojet duke zgjedhur atë që i pëlqente më shumë. Pothuajse të gjitha kishin zgjedhur se njëri prej varianteve u pëlqente më shumë.
Gjithsesi fakti është se 20 vjet kanë kaluar dhe kondomi femëror nuk ka arritur ende suksesin e kondomit mashkullor – ai përdoret ende në vetëm 0.19 për qind të blerjeve botërore të kondomëve dhe kushton rreth 10 herë më shtrenjtë. Gjithsesi, këto fakte nuk e tronditin besimin e iniciatorëve të prodhimit të kondomit femëror.
Mari An Liper shpjegon se si ajo kuptoi se bëhej fjalë për një lojë që do të vijonte për shumë vite.
Disa javë pas nxjerrjes në shitje në mënyrë shumë negative të FC1, një burrë nga kompaniaTampax shkoi të flasë me të. Ai tha se kësaj kompanie nuk i qenë dashur vite, por dekada para se të bindnin mjekët të rekomandonin tamponin dhe gratë të bindeshin se nuk qenë të çuditshme si mjete.
“Ai më tregoi mua grafikun e të mësuarit”, rikujton Liper.
“Dhe unë thashë ‘o Zot, mos më thuaj! Unë duhet të pres për kaq shumë kohë? Nuk e di nëse do të mund të mbijetoj për kaq gjatë!’”
Por nismëtarët e kondomit femëror ende duhet të presin për të parë produktin e tyre të gjithëpranuar dhe të gjithëpërdorur.

Martin Camaj, telefonata e ndërprerë me Eqrem Çabejn

ALDA BARDHYLI
Teksa treni linte pas Lenggriesin për të vazhduar drejt Mynihut, Martin Camaj, vazhdonte të shfletonte gazetat që kishin ardhur nga Shqipëria. Një trishtim reflektohej në fytyrën e profesorit që ia përcillnin ato fletë të mbushura me fjalë, që vinin nga shumë larg…Propaganda që lexonte në ato rreshta, fjalimet mbi jetën e regjimit që ishte instaluar në Shqipëri, e bënin atë të mendonte se ndoshta asnjëherë nuk do të mund të shkelte më sërish atje, në vendin ku lindi. Ish-mësuesi i shkollës në Prekal, që i pëlqente që i vogël të lexonte vjersha, u arratis drejt Jugosllavisë pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri. Në Beograd studioi letërsi, ku nisi të punonte dhe një disertacion për Buzukun. Në verën e vitit 1956 largohet nga Jugosllavia dhe shkon për studime pasuniversitare në Itali ku përfundon dhe temën për Buzukun më 1960. Vitet në Romë kanë qenë të mbushura me pasione letrare për të riun, që në anën tjetër të detit kishte lënë një pjesë të familjes që vuanin burgjeve. Pas doktoraturës ai drejton revistën “Shejzat” si kryeredaktor nën kujdesjen e Ernest Koliqit. Këtu njihet më për së afërmi me botën arbëreshe dhe jep leksione shqipeje në katedrën e universitetit “La Sapienza” në Romë. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë balltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër. Në janar 1960 vendoset në Mynih të Gjermanisë falë një sistemi shkëmbimesh akademike. Bëhet lektor pranë universitetit “Ludwig Maximilian” të Münich-ut, më 1964 u bë Privatdozent. Më 1969 ai lidh kurorë me Erikën, gjermanen me flokë të verdha, e cila do të jetë deri në fund të jetës së tij përkrah tij. Më 1970 bëhet profesor, e deri më 1990 jepte Albanologji në të njëjtin universitet. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindur. Më 12 mars të vitit 1992, ai mbyll sytë përgjithmonë në Mynih me brengën e pashuar për Shqipërinë. Hans Joachim Lanksch, ishte thjesht një student kur e takoi për herë të parë Camajn. Nuk e dinte se profesori i albanologjisë do të kthehej në një personazh të rëndësishëm në jetën dhe karrierën e tij, që do ta shtynte të njihte më mirë letërsinë e një vendi si Shqipëria. Që nga koha e universitetit e derisa Camaj u nda nga jeta ata mbetën bashkëpunëtorë të ngushtë. Ai u bë zëri i Camajt në shqip. Botimi i veprës së plotë të tij vetëm pak kohë më parë në shqip, është një rizbulim i Camajt, i cili për vite me radhë kishte qenë vetëm pjesërisht i botuar. Më poshtë në një intervistë Lanksch sjell detaje nga jeta e Martin Camajt në Gjermani, dhe na beson foto të rralla nga arkivi i tij.

Si do ta kujtonit takimin e parë me Martin Camajn?
Martin Camajn e kam njohë si profesor të albanologjisë. Gjatë nji pauze mes dy orëve të mësimdhanies u shëtitëm korridorit të institutit tue bisedue për gjana të ndryshme. Profesori më bani pyetje si se çfarë landësh studioja, çfarë më interesonte në këto studime, çfarë më interesonte përveç studimeve dhe me çfarë merresha në kohën e lirë. I thashë se më interesonte muzika klasike dhe se merresha me përkthimin e poezisë. “Çfarë po përktheni?” u interesue profesori. “Nji poet ekspresionist, konstruktivistin slloven, Sreçko Kosovel.” “Interesante”, tha. Kaloi nji copë herë, pastaj tha se “ju përktheni poezi, unë shkruej poezi” dhe shtoi se ndonji ditë do të ma binte nji libër të tijin. Nji ditë prej ditëve ma solli vëllimin “Njeriu më vete e me tjerë”. Ky qe fillimi i nji bashkëpunimi dhe i nji miqësie të bukur.

Jeta e Camajt në Gjermani është pothuajse e panjohur. A mund të na e përshkruani pak jetën e tij, nga ajo çfarë keni parë nga kontaktet që keni pasur?
Jeta e Martin Camajt në Gjermani ka kenë shumë normale. Jeta e nji profesori në nji universitet gjerman. Nji jetë shumë e disiplinueme, nji jetë me plot punë profesionale. Punën e merrte shumë seriozisht. Jepte ma shumë leksione sesa paguhej, vetëm e vetëm për t’i plotësue nevojat e studentëve. Ditën punonte. Në mbramje, kur u kthye nga puna e shoqja Erika (me profesion mjeke), filloi jeta private. Mbas darkës e shikonte ditarin televiziv, mbasandej filloi koha e telefonatave me miqtë shqiptarë në Gjermani, Itali, SHBA dhe kudo në diasporë.
Me gjithë përkushtimin për punën shkencore dhe letrare, Martin Camaj nuk ka kenë nji intelektual i veçuem, por nji njeri “normal” dhe i përzemërt që shoqnohej me miqtë, kolegët dhe studentët. Familja e tij gjermane, e vjehrra, nji grue e mirë dhe e thjeshtë, dhe mbesat e vogla, e dashunonin ma së tepërmi Martinin.
Si vinte Shqipëria në bisedat e Camaj?
Për Shqipninë dhe shqiptarët kurrë nuk tha ndonji fjalë të keqe. Për diktaturën komuniste kurrë nuk tha ndonji fjalë të mirë. Për makthin e diktaturës staliniste të PPSH-së nuk lamentohej gjatë e gjanë, por e gjykoi shkurt e ashpër. Shkurt e prerë e gjykoi dhe masakrimin e letërsisë dhe kulturës, sidomos të trashigimisë letrare dhe kulturore, nga zhdanovizmi shqiptar dhe shërbëtorët e tij. E hodhi poshtë letërsinë e indoktrinueme, letërsinë e “Realizmit Socialist”.
Dita e punës e Martin Camajt filloi me leximin e gazetave dhe revistave nga Shqipnia në të cilat ka kenë i parapaguem nëpërmjet nji librarie të specializueme në importimin e botimeve nga Europa Lindore dhe Juglindore. Profesori lexonte, sidomos gjatë udhëtimit me tren nga Lenggriesi për në Mynih, “ZiP”-in, “Bashkimin”, “Nëntorin”, “Dritën”, “Rilindjen” e Kosovës dhe gazeta nga disa rrathë të Shqipnisë. I lexonte këto botime jo se entuziazmohej për propagandën e regjimit në to, por për tri motive: a) i interesonte se çfarë po ndodhej në vendlindjen e tij, b) e ndiqtë me kujdes gjendjen resp. zhvillimin e gjuhës shqipe dhe c) i interesonte gjendja resp. zhvillimi a moszhvillimi i letërsisë shqiptare të asaj kohe.

A ruante Camaj lidhje me Shqipërinë?
Martin Camaj nuk kishte mundësi të ruente lidhje me Shqipninë e Enver Hoxhës. I sëmbonte në zemër pamundësia e ruejtjes së lidhjes me familjen në Shqipni. Familjes nuk i shkruente letra për t’i mos vu në rrezik familjarët. Nji herë nisi në shtëpi nji pako me barna mbasi kishin ndëgjue se nji familjari i nevojiteshin urgjentisht ilaçe. Pakon nuk e dërgoi me dërgues Martin Camaj por e vuni emnin dhe adresën e së vjehrrës. Mbas disa mujsh pakoja u kthye i shqyem dhe i rrënuem.
Me kolegët e profesionit Martin Camaj gjithashtu nuk mund të mbante lidhje. Po flasim për Shqipninë nën sundimin e Partisë së Punës ku shkencëtarët nuk kishin leje as edhe me përmendë ndonji koleg amerikan, rus apo ekzilant resp. ku redaktorët (censorët) e botimeve shkencore thjesht tërhiqnin emna të tillë. Profesori nuk i merrte zyrtarisht botimet periodike shkencore nga institutet përkatëse por i parapaguente dhe paguente privatisht nëpërmjet librarisë së naltpërmendun.
Me rastin e nji kongresi shkencor në Innsbruck të Austrisë më 1972, ku ishin të ftuem si Eqrem Çabej ashtu dhe Martin Camaj, Tirana zyrtare dha sinjalin: o Çabej, o Camaj. Në favor të Çabejt, Martin Camaj hoqi dorë nga pjesëmarrja.Tjetër herë, në Palermo, ku organizatori Antonino Guzzetta nguli kambë për pjesëmarrjen e Martin Camajt, “kolegët” nga Tirana, Androklli Kostallari, Gjovalin Shkurtaj, Jorgji Gjinari plus dy të tjerë e fyen randë e thellë në shpirt Camajn tue ba rropamë dhe tue e braktisë sallën sapo filloi me referue kumtesën e vet Martin Camaj. Delegacioni shqiptar nën udhëheqjen e Androklli Kostallarit tanë kohën e kongresit rrinte ndaras pa kontakt me pjesëmarrës të tjerë. Lidhun me këtë kongres ka dhe nji detal interesant. Androklli Kostallari kumtesën do ta mbante italianisht. E luti profesorin arbëresh Francesco Solano me ia korrigjue tekstin italianisht. Solano nuk ka kenë gjuhëtar por specialist letërsiet dhe e luti kolegun dhe mikun Martin Camaj me korrigjue tekstin e Kostallarit. Mbramjen para se të referonte Kostallari, Camaj ia korrigjonte dhe redaktonte kumtesën italianisht.
Nji njeri me karakter ndryshe nga ata që ishin në Palermo asht Shaban Demiraj i cili përndryshe nuk ishte anëtar Partie. Ai mori pjesë në nji sesion shkencor në Cosenza (Kozencë) ku mori pjesë edhe Martin Camaj. Demiraj Demiraj i shtriu dorën Camajt. Camaj qe paksa dyshues, por miku i tij i ngushtë, albanologu Eric Hamp nga SHBA, që e njihte Demirajn i tha se Shaban Demiraj nuk i takonte kategorisë kostallariane. Shaban Demiraj zhvilloi nji bashkëbisedim kolegial me Martin Camajn dhe u takue ma vonë dhe me çiftin Camaj. Vetëkuptohet se ky kontakt nuk mund të vazhdonte në relacionin Mynih-Tiranë.
Eric Hamp kështu e kishte ndërmjetësue edhe nji takim të albanologes ruse Agnija V. Desnickaja me Eqrem Çabejn në Innsbruck. Martin Camajt i vinte shumë keq që nuk u takue kurrë me Çabejn. Para se me vdekë Çabej (1980) me anë të familjarëve në Amerikë të mjekes pulmonologe që e mjekonte profesorin në spital u ba nji kontakt me Camajn në mënyrë që në dhomën e Çabejt në spital u instalue nji telefon për telefonatën me Camajn. Mjekja e informoi Çabejn se atë do ta marrë në telefon Martin Camaj. Në momentin e fundit hyni në dhomë nji sigurims dhe e hoqi telefonin.

Personazhe të njohur të letrave si i kujtonte?
Kuptohet se Martin Camaj fliste për letrarë shqiptarë. Ma së shumti e përmendi Ndre Mjeden si mjeshtër të poezisë shqipe. Gjithkështu fliste për Lasgushin. Ai kishte konsideratë si për Konicën ashtu dhe për Koliqin. Për autorët bashkëkohorë të asaj kohe nuk fliste. Me dy përjashtime: më foli për romanin e Kolë Jakovës, “Fshati mes dy ujnave”, për shkak të nji dukunie të çuditshme në mos idioteske: bleu i parë u botue në origjinal dmth. gegnisht, ndërsa vëllimi i dytë u botue në – siç quhej atëbotë – gjuhën e njësuar. Përjashtimi i dytë ishte romani i Natasha Lakos, “Stinët e jetës”, për të cilën tha thjesht: “E kam lexue. Më pëlqen. Vërtetë, më pëlqen”. Romani u botue edhe në Kosovë dhe depërtoi këtu nga Kosova. Librat e Realizmit Socialist i interesonin Martin Camajt si objekte studimi shkencor.
Përndryshe, në atë kohë këtu mbërrinin vetëm librat që i pëlqenin censurës së Shqipnisë, letërsia zyrtare. Romanet për thamjen e kënetave etj. Martin Camaj e mori në dijeni valën e krijimtarisë së poezisë moderne para Plenumit të IV. Mirëpo, këtu nuk ishin librat e Moikom Zeqos, Sulejman Matos, Faslli Halitit, Faik Ballancës. Nuk ishin as veprat e Frederik Rreshpjes. Nuk dihej gja për krijimtarinë e autorëve klandestinë si Zef Zorba, Mihal Hanxhari etj. Kështu që interesimi i Martin Camajt përqëndrohej në letërsinë e trashigimisë letrare shqiptare.
Situata u ndryshue mbas rrëzimit zyrtar të diktaturës komuniste ku Martin Camaj fliste me sy vezullues se “po dalin burgjeve poetët e vërtetë”, ku i ndjeri Ardian Klosi na solli poezi nga Kasëm Trebeshina, ku në këtë anë për herë të parë u ndigjuen emna si Daut Gumeni, Fatos Lubonja etj.
Ju jeni përkthyes i veprës së tij, si do ta vlerësonit gjuhën e Camajt?
Gjuha e Martin Camajt asht pjesë konstituive e letërsisë së tij. Gjuha e poezisë së tij asht vetë poezi. Gjuha e tij ka nji fuqi magjike. Gjuha e tij nuk mund të “përkthehet” në të ashtuquejtunën gjuhë letrare pa e shkatërrue strukturën dhe specifiken e veprës së Martin Camajt. Gjuha e tij ka jo vetëm nji sharm të veçantë por edhe nji bukuri, muzikalitet dhe ekspresivitet të rrallë. Gjuha e tij ka dhe nji tingull specifik, tingulli për Camajn kishte nji peshë të madhe. Po të amputohej nga trupi i veprës së Martin Camajt gjuha specifike camajane, ky trup do të shembej në mënyrë të pamëkambshme.

A e ka sot vepra e Camajt vendin e duhur në letërsinë shqipe?
Zyrtarisht, po: vepra e tij letrare, ma në fund, u botue plotësisht, Martin Camajt iu dha Çmimi kombëtar “Penda e argjendtë” dhe titulli “Nder i Kombit”. Studiuesit e rinj merren me veprën camajane, shkruhen studime serioze për letërsinë e Camajt si monografia e Shaban Sinanit, “Camaj i paskajuar”, apo disertacioni i Albana Alias pranë Universitetit të Kozencës. Mirëpo, në mungesën e kritikës letrare shqiptare nuk ka recensione që lexuesit ia afrojnë opusin letrar të Martin Camajt. Shkrime të thata gjysmëshkencore që dalin herë mbas here në periodik nuk e plotësojnë funkcionin e kritikës së mirëfilltë letrare.
Vepra e Martin Camajt studiohet në universitetet, ama jo në shkollat e mesme d.m.th. në moshën kur formohet shija dhe shqisja për artin letrar. Ndër zullumet që i ka ba regjimi i Berishës figuron edhe heqja e Martin Camajt nga tekstet shkollore me arsyetimin që Camaj “është i vështirë për nxënësit”, gja që u tha dhe për heqjen e “Gjeneralit” të Kadaresë.
Vepra e Martin Camajt ende nuk e zë vendin e duhun në letrat shqipe edhe për nji arsye të tretë. Camaj ende shikohet si autor i diasporës shqiptare, gja që duket absurde mbasi vepra e tij kategorizohet simbas kriterit gjeografik të vendqëndrimit të autorit dhe jo simbas kritereve letrare apo historike të historisë së letërsisë. Kjo asht nji logjikë simbas së cilës do të duhej me e futë Fan Nolin gjithashtu në sirtarin e “letërsisë së diasporës”. Kështu, Camaj deri diku përjashtohet nga rrjedha e historisë së letërsisë shqiptare siç e theksoi edhe poeti Primo Shllaku. Nga pikëpamja historike Martin Camaj ka kenë bashkëkohës i periudhës së Realizmit Socialist, nga pikëpamja letrare Camaj ka kenë nonkonformist. Asht koha që Camajt i jepet vendi që i takon si pjesë përbamëse e letërsisë shqiptare, si nji prej autorëve që në periudhën e Realizmit Socialist ishin alternativa letrare e që shkruenin letërsi “ndryshe”.

Çfarë ka mbetur nga dorëshkrimet e tij të pabotuara?
Vepra e tij letrare asht botue në tanësi, e keni në botimin e shtëpisë botuese “Onufri”. Të pabotueme kanë mbetur epistolari i Martin Camajt si dhe disa shënime, ligjerata etj.

Poezia mbeti një dashuri e hershme e Camajt si e shihni Camajn mes prozës dhe poezisë?
Vetë pyetja asht pjesë e përgjigjes. Martin Camaj asht nji shkrimtar mes poezisë dhe prozës. Tek ai ndërthuren gjinitë. Romani i tij i parë, “Djella”, gërshëtohet me poezi, në vëllimin poetik “Njeriu më vete e me tjerë” gjejmë nji cikël prozash poetike, “Pleqnime më vete”. Prozat e tij shpesh shquhen nga nji gjuhë e dendësueme poetike. Gjithë vëllimi “Dranja” përbahet nga proza poetike. Te “Dranja” mund të bahet nji eksperiment interesant. Rreshtat e teksteve mund të ndërpriten diku para se me u përfundue fjalia dhe – dalin vargje. Camaj asht nji shtegtar mes gjinive, ni udhëtar “mes dy botnave”, mes botës së shkencës e të letërsisë, mes poezisë dhe prozës. Ai vetë thoshte se e shprehi në prozë seç nuk mund të shprehte në poezi dhe anasjelltas. Mirëpo, ai mbeti poet kur shkroi prozë ndërsa nuk mbeti prozator kur shkroi poezi. Kështu, mendoj se Martin Camaj me gjithë vlerat e noveleve dhe romaneve të tij, me gjithë kërcimin mes gjinive letrare, në fund të fundit dhe në thelb asht në radhë të parë poet. Nji poet i lindun. Edhe nga shumë bisedime rreth letërsisë së tij dilte se Martin Camaj veten e shikonte, në radhë të parë, poet.

TRAJTA

Petk i endun prej nji dore
fund e krye, trajta,
e kandshme për sy e veshë.

Trajtë e thjeshtë e lindun
ndër mundime prej guri,
e përshkueme shtigjesh të parrahuna
me kambë ose patkoj.

Pendël e lehtë në dukje
po e randë hekur në peshë,
tingull ose ngjyrë
e kthjellët deri në dritë.

Vëllezërit Myslimanë në Egjipt, në listën e organizatave terroriste


Sulmi mbi një godinë policore e vrasja e shumë personave u bënë shkak që organizata Vëllezërit Myslimanë të radhitet në listën e grupeve terroriste. Kjo thellon konfliktin me qeverinë dhe kërcënon me shtimin e dhunës.

Ish presidenti i Egjiptit Mohamed Mursi gjendet në burg. Ndërsa kryeministri i qeverisë së tij Haschim Kandil është arrestuar tani. Praktikisht e gjithë udhëheqësia e Vëllezërve Myslimane është në burg. Ata akuzohen për vrasje të demonstruesve, tradhti dhe terrorizëm. Disa procese gjyqësore kanë nisur e të tjerët po presin proceset. Organizata Vëllezërit Myslimanë është ndaluar de facto me vendim të gjykatës në shtator të këtij viti.
0,,17041499_303,00
Qeveria kalimtare e mbështetur nga ushtria tani ka shkuar një hap më larg, madje më larg se në kohën e Hosni Mubarakut dhe i ka shpalluar Vëllezërit Myslimanë organizatë terroriste.

Organizata e themeluar në vitin 1928 ka qenë deri para pak kohësh një prej forcave politike më të organizuara në vend. Me zgjedhjen e Mursit për president dukej se do të stabilizoheshin në pushtet pas një periudhe të gjatë të sundimit të Mubarakut.

Ndalimi si reagim ndaj terrorit

Sipas qeverisë vendimi për ndalimin e kësaj force politike është pasojë e sulmeve me bomba të martën (24.12.2013) ndaj një godine policore në qytetin Mansura, ku u vranë 16 dhe u plagosën mbi 100 vetë. Edhe pse për këtë sulm përgjegjësinë e ka marrë organizata me emrin “Ansar Bait al-Makdis”, zëvendëskryeministri Hossam Eissa i ka shpallur fajtor Vëllezërit Myslimanë. “Qeveria nuk do t’i nënshtrohet kurrë terrorit të Vëllezërve Myslimanë, të cilët i kanë kapërcyer të gjitha normat morale, fetare dhe njerëzore”, tha ai të mërkurën. Ai paralajmëroi se do të dënohet secili, që merr pjesë në aksionet e kësaj organizate, qoftë edhe anëtarët e rëndomtë.

Edhe “Liberal Constitution Party” e ish zëvendëspresidentit Mohamed El-Baradei i ka fajësuar Vëllezërit Myslimanë për këtë sulm. Ndërsa Lëvizja Tamarod e ka përshëndetur vendimin e qeverisë. Ajo mendon madje se vendimi është i vonuar.

Terror jo vetëm në Sinai

Sulmi në Mansura ishte goditja më e rëndë që prej puçit ushtarak dhe rrëzimit të Mohamed Mursiit nga pushteti me 3. 06. 2013. Deri tani terrori ishte i përqendruar kryesisht në Sinai. Ndërsa me këtë sulm, siç thotë eksperti Günter Meyer, ka filluar një periudhë e re e sulmeve edhe në vendet e tjera. Të enjten ka pasur një sulm tjetër në Nasr City, ku janë plagosur pesë persona. Grupi i afërt me Al-Kaidën, “Ansar Bait al-Makdis”, ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Mansura dhe ka kumtuar se “të vrarët janë viktimë e regjimit.

Qeveria deri tani nuk ka paraqitur dëshmi për afërsinë e grupit terrorist “Ansar Bait al-Makdis” me Vëllëzërit Myslimanë. Gazetari egjiptian Samy Magdy thotë se deri tani janë paraqitur vetëm supozime për afërsinë mes tyre. Ndërsa Günter Meyer thotë se pohimet e deritanishme janë vetëm edhe një justifikim për masat, që do të ndërmirren kundër Vëllezërve Myslimanë, gjë që shumë prej tyre i ka detyruar të kalojnë në veprim ilegal.Bëhet e ditur se në rajonin e shkretëtirës në afërsi të kufirit me Libinë janë krijuar pesë kampe për stërvitjen e Vëllezërve militantë Myslimanë dhe sallafistëve, për sulme terroriste. “Vlerësohet se atje janë rreth 1000 Vëllezër Myslimanë”, thotë Günter Meyer. Ndërkohë që kjo organizatë edhe më tej ka një mbështetje të madhe në shoqërinë egjiptiane. Por Vëllezërit Myslimanë i kanë hedhur poshtë pohimet për përzierje në terrorizëm dhe për lidhjet e tyre me grupet terroriste.

Shtimi i dhunës?

Futja prej qeverisë e Vëllezërve Myslimanë në radhën e organizatave terroriste ka hapur mundësinë e rritjes së dhunës në këtë vend. Paratë e organizatave të ndryshme joqeveritare, të cilat dyshohen për bashkëpunim me Vëllezërit Myslimanë, janë ngrirë. Qeveria synon që në këtë mënyrë të ndërpresë burimet financiare të organizatës. “Frontet janë ashpërsuar kaq shumë, saqë për momentin nuk ka shpresë për afrimin mes qeverisë dhe Vëllezërve Myslimanë”, thotë gazetari Samy Magdy.

Me 14 dhe 15 janar 2014 në Egjipt do të votohet për ndryshimet kushtetuese. Qeveria dhe ushtria janë të interesuara që votimi të kalojë pa incidente, por këtë nuk mund ta garantojë askush

- See more at: http://gazetadielli.com/vellezerit-myslimane-ne-egjipt-ne-listen-e-organizatave-terroriste/#sthash.UNh0jLvI.dpuf

DIAMANT LETRAR SI HOMAZH PËR KALORËSIN REBEL TË LIRISË-Petro Marko

1 eqerem Canaj




Nga Albert HABAZAJ*/ poet, studiues/

Profili letrar i shkrimtarit Eqerem Canaj ravijëzon një përmasë tjetër më të bukur, më të mirë, më të dobishme. Është përmasa humane, e cila shkëlqen nëpërmjet altruizmit burimor, faqe pas faqeve, në romanin më të ri të autorit, atë me titull “Rebeli” që sheh dritën e botimit këto ditë në nderim të 100 vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madhërishëm,Petro Marko, idhullit të tij, idhullit tonë, idhullit të banorëve të Labërisë së Jashtme, Labërisë së Brendshme, të mbarë shqiptarëve, të Nderit të Kombit të shqiptarëve në botë.

Nga autorë të njohur shqiptarë kam lexuar monografi të bukura për personalitete të ndryshme të vendit, por letërsi artistike në formën e prozës së gjatë, kushtuar figurave të shquara, nuk kam vënë re. Romani “Rebeli” i shkrimtarit Eqerem Canaj do të kujtohet në vijim, sepse mund të jetë i pari autor jo vetëm në Vlorë, por në mbarë letrat shqipe, që përdor daltën e shpirtit në faqet e një romani, kushtuar një shkrimtari, i pari në Shqipëri që shkruan për të madhin Petro Marko. Duke lexuar me dëshirë librin e autorit E. Canaj, më kaluan ndërmend, në fraksion të sekondës, tre autorë të huaj, që kanë botuar romane për idhujt e tyre të kalibrit botëror: Gledis Shmit, shkrimtare amerikane, që shkroi romanin “Rembrandti” e shkrimtari gjerman Lion Fojhtvanger me romanin “Rruga e mundimshme drejt njohjes”, kushtuar Francisko Gojës dhe shkrimtari tjetër amerikan Inving Stoun me romanin “Etja për jetë” rrëfim për Vinsent Van Gogun. Më duket a më pëlqen të shkruaj se, shkrimtari ynë E. Canaj, për realizimin e romanit “Rebeli” ka ngjyer shpirtin artistik në kosheren me mjaltë artistik të autorëve të njohur botërorë që përmenda, duke u zbukuruar më tepër estetikisht, si një rruazë drite me diamantë altruizmi.

Sprova romanore “Rebeli” i Canajt është një provë e kaluar me sukses, duke qenë romani i parë shqiptar kushtuar Petro Markos dhe, që rrjedh e lexohet me një frymë, ku ndërthuren ngjarje e personazhe interesante e të papritur. Penelatat, si në pikturë, në përshkrimin e mjediseve, dokeve, në portretizimin e personazheve dhe, mbi të gjitha, në zbërthimin e botës shpirtërore e psikologjike të atyre figurave, që lëvizin në roman, shtojnë avantazhet e vlerta që ka, në tërësi, proza e gjatë e autorit. Autori i “Rebelit”, na shpalos një mikrobotë kozmike, ku vertikalisht, me optikën letrare, operon në hapësirën Dhërmi-Tiranë (me aksesorët Shkodër, Spaç, Mesaplik, Lushnjë etj) në kohën, në dukje, segmentare, 1945-1991, por në thelb mbetet drejtëz, jo që nga lufta e lirisë së Spanjës e “Rebelit” tonë, por ndoshta, përtej stërgjyshit Gjin Bue Shpata, deri në kahun tjetër vijues, në përjetësinë e merituar të heroit P.M., të cilin, tjetërkush e tjetërkund e ka përjetuar. Fillimvitet, ku P.M dhe biondina elegante “Tirana”, rebelonin kombëtarisht për liri e dinjitet, jepen të ngjeshura, të qarta, me detaje imtësore, që vërtetojnë sigurinë e njohjes së jetës, pas fasadës shqiptare të importuar, si dhe saktësinë e paraqitjes dhe të interpretimit të saj nga skaneri special i shkrimtarit Eqerem Canaj. Romani është i ndërtuar me raporte: Dhimitri i Thoma Bregasit dhe Fotinisë me idhullin e tij, shkrimtarin e Bregut, P. M., si dhe praktikat, konceptet dhe realitetet kohore shqiptare me insuatat infektuese të asaj fare, që s’mund ta rriste kjo tokë. Dhimitri niset me trenin e kujtesës drejt idhullit të tij, me valixhen e vjetër. Këta janë dhe personazhet në qendër të romanit, që mbajnë të gjallë lëndën, lëvizin personazhe periferikë në roman, qofshin këta realë apo të trilluar, historikë apo artistikë. Metamorfoza dokesore e Hasan Lumit ishte rrënqethëse, gati e pabesueshme. Skalitja e personazheve, si: Evanthia (Eva), hetuesi, drejtori Kuqo, profesori i matematikës, Ballkameni, shok i P.M, situata e Qytetit të Nxënësve etj, janë produkt letrar i suksesshëm i përvojës së pasur artistike të autorit. Karpentieria e ndërtesës së bukur shkrimore “Rebeli” përbëhet nga tri buqeta me lule nderimi që quhen: “Parafjala”, “Kundërfjala”, “Plaku i detit”, rrëfim në trajtë poezie, të cilat autori i jep, si simbol homazhi, kur “Dora e padukshme” vendos lule mbi varrin e heroit të librit. Ngrihen katet strukturore me “shpëtimtarin”, ku me gjuhë të thjeshtë, me lakonizëm të admirueshëm, shpalos virtytet shqiptare të trashëguara brezash, me aktin e Dhimitrit jugor tek shpëtoi një djalë të panjohur nga Veriu, tek mbytej në liqen. Ngrihet “Koha” si trazim ndjesor e truror, simbolika e lartë e “Kostumit blu”, me gravatën e kuqe, që P.M. e Safo i dhurojnë labit të vogël nga Dhërmiu, Dhimitrit. “Krisa”, “Kurbani”, “Zvetnimi” (P. M. Në vendlindje), “Dosja me njolla të murrme” me sinjalet e përjashtimit nga shkolla, me shenjat paralajmëruese të burgimit, “Valixhja e vjetër” dhe vetë “Rebeli” janë një masë e pandashme, e fortë, që s’mund të funksionojë e shkëputur, janë forca që mban të bashkuara fort molekulat e trupit të romanit. Këtë kohezion ka arritur ta figurojë talenti, njohja, përvoja dhe mjeshtëria artistike e shkrimtarit të njohur Eqerem Canaj, i cili më duket se flet, në roman, dhe nëpërmjet Dhimitrit. I shkon Bregasit përgëzimi i P.M: “Ke nderuar Himarën, tërë Labërinë, bir!”.

Njihet kontributi fjalëformues i E. Canajt, ndër letrat shqipe, i cili, fatmirësisht buron natyrshëm, i pasforcueshëm. E folura lokale i jep një ngjyrim të veçantë trajtesës moderne, si një rrëke që derdhet në përroin psikologjik letrar të kohës. Pa mëdyshje, shprehemi se konturimit modern të prozës së Canajt po i jep trajtë të shëndetshme lëngu i traditës, që i zoti ia hedh në rrënjë pemës së tij letrare, jo vetëm me figurat stilistike në forma krahasimesh, metaforash, kontrastesh, similitudash, sinekdokash, antitezash, grotesku e paradoksesh etj. Përzierja jo pak herë, e narracionit të prozës së gjatë sociale me trajtesa filozofike, e bën më të pjekur, më të hapshëm dhe të përfillshëm, sidomos për grupmoshat e reja lëndën letrare të artistit.

Shkrimtari Eqerem Canaj është emancipues i fjalës trimërore artistike në rrafshin që, si zotërues i mjeshtërisë shkrimore letrare, guxon të shënojë mbi padrejtësitë sociale të kohës, në sy e ballazi: ai qëllon mbi ligësitë e fëlliqura të Hasanëve deri te Gert Alia dhe, me vërtetësi artistike, nderon njeriun e mirë, rebelin e lirisë njerëzore.(ne foto: Eqerem Canaj)

*) Master Shkencor për Etnologji dhe Folklor, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.

Drejtor i Bibliotekës Qendrore“Nermin Vlora Falaschi”,Universiteti i “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania.

- See more at: http://gazetadielli.com/diamant-letrar-si-homazh-per-kaloresin-rebel-te-lirise/#sthash.rL1G0LF0.dpuf

Eqerem Canaj, një poet-shkrimtar me një individualitet të befasishëm




Prof.Dr.sci. Eshref Ymeri



Kishte shumë të drejtë zoti Broz Simoni

Më 2 tetor 2013 unë pata botuar në faqen e internetit një artikull me titull “Rruga e mundimeve e ndërakademikëve të papunë”, në të cilin ndalesha në problemin e rishikimit të kodit drejtshkrimor të gjuhës shqipe, të cilit i paska hyrë një grup ndërakademikësh dhe merrja në analizë veprën shkencore të prof.dr. Rami Memushaj me titull “Gjuha shqipe në shtratin e Prokrustit”, të botuar në Tiranë në muajin shtator që lamë pas. Në atë artikull unë nënvizoja edhe faktin që, për faj të Akademisë së Shkencave, ne sot nuk kemi një fjalor të pasur të gjuhës shqipe, të paktën me 100 mijë fjalë.



             Rami Memushaj 

Ndaj artikullit tim kishte reaguar me të drejtë zoti Broz Simoni, i cili, në rubrikën “Komente” të gazetës internetike “Tribuna Shqiptare” të moderatorit dhe të publicistit të nderuar atdhetar të diasporës shqiptare, zotërisë Ajet Nuro, theksonte se mjaft fjalë të bukura të dialektit të gegërishtes mungojnë në fjalorin e gjuhës shqipe. Madje ai citonte edhe fjalë konkrete.





Pas këtij reagimi të zotit Broz Simoni, menjëherë më erdhën ndër mend ca rreshta të një kënge të bukur popullore të trevave të Labërisë, në të cilën figurojnë ca fjalë që nuk hasen në asnjë fjalor:
Në atë këngë bëhet fjalë për një debat të nënës me të bijën, e cila, në mbarim të ditës, kur sapo kishte rënë errësira, del nga shtëpia fshehurazi, pa lejen e nënës (se babai ishte me bagëti në mal), dhe shkon të takojë të dashurin e saj në një lëmë aty pari.

Kur kthehet, nëna e pyet se ku ishte dhe e bija i tregon të vërtetën. Dhe, në debat e sipër, sipas tekstit të këngës, nëna, e inatosur, i thotë:

Ç’më thua, moj bijë, moj nure,
Ç’është ky haber që më prure,
Ç’paske bërë kështu, moj thure,
Ç’paske bërë, moj sulë, moj natë,
Do të të qortojë yt atë.

Siç shihet, vetëm në një strofë me pesë vargje, gjenden tri fjalë që nuk figurojnë në asnjë fjalor: thure, sulë dhe natë. Që të tria këto fjalë kanë të njëjtin kuptim, janë sinonimike. Me fjalë të tjera, moj thure (moj sulë, moj natë) do të thotë: moj derëzezë, moj fatkeqe, moj korbë, moj e mjerë, moj qyqe, moj e shkretë, moj e zezë.

Për “zhvarrosjen” e pasurisë leksikore të gegërishtes, ka bërë një punë të përmasave akademike zoti Mehmet Elezi, duke botuar para disa vjetësh një fjalorë të pasur me 41 mijë fjalë. Po sa e sa fjalë të dialektit të toskërishtes vazhdojnë të mbeten “të varrosura”?!

Ndërhyrja e zotit Broz Simoni, më bëri të sjell në kujtesë veprën letrare të poet-shkrimtarit të talentuar vlonjat, zotërisë Eqerem Canaj, një krijues i thjeshtë ky si e vërteta, për të cilin kritika “e madhe” letrare e Tiranës, deri tani nuk e ka thënë fjalën e vet.

Që këtu e ca vite të shkuara pata lexuar romanin “Njeriu me nofulla të hekurta” të këtij poet-shkrimtari me një individualitet origjinal. Më pas pata lexuar përmbledhjen me tregime dhe novela me titull “Legjenda e Marsidës”, librin “Romani i një urtaku” dhe tani së fundi romanin “Metastazë në blu” dhe përmbledhjen poetike “Gjethi i kuq”.

Poet-shkrimtari Eqerem Canaj e ka lidhur vërtetësinë e realitetit që përcjell në veprën e vet me shtresëzimet e një stili të papërsëritshëm që e shpërfaq me një shpirt krijues të jashtëzakonshëm. Gjuha e tij vjen e përfton disa shtresëzime stilistikore që ndërkëmbehen herë me finesën e gjuhës së latuar letrare, herë me rrëfimtarinë e pasur të gjuhës dialektore. Kësisoj realiteti shqiptar i përcillet lexuesit përmes një mjedisi gjuhësor të kristalizuar.

Në të njëjtën kohë, në veprën e tij dalin në spikamë të gjitha ngjyrimet semantike dhe ekspresive të regjistrit gjuhësor.

Veç kësaj, duhet theksuar domosdoshmërisht frymëzimi tepër karakteristik që e dallon poet-shkrimtarin Eqerem Canaj tek endet në krahët e fantazisë së tij krijuese. Frymëzimi i tij nuk është gjë tjetër, veçse një ndjesi e gjallë, një dhuratë qiellore, një rreze drite e dërguar nga Hyjnia.

Si një krijues me një talent të veçantë, Eqerem Canaj mbetet poet edhe në prozë, e cila të mahnit me elegancën e saj. Frymëzimi i tij lind nga kontaktet me jetën që i nxit pasionin krijues, i cili, si prushi mes hirit, vjen e përflaket nga flladi i fantazisë.

Kjo është edhe arsyeja që në prozë-poezinë e tij çdo fjalë lind një mendim, çdo mendim na jep një tablo, çdo tablo na nxit një ndjenjë, çdo ndjenjë na përcjell një shprehje herë të hyjnishme, herë të përndezur, herë plot freski.

E reja ose e pazakonta e ndjenjave që shpreh ky autor në krijimtarinë e vet, qëndron në faktin se ai, me shprehjet, ngjasitë, ndjenjat apo tablotë që përcjell me penën e vet, i lë lexuesit gojëhapur deri në mahnitje.
Fjala ka një autoritet të jashtëzakonshëm në penën e këtij poet-shkrimtari. Sqima e tij është befasuese në përzgjedhjen e fjalëve. Fjala e tij është tërësisht e tabanit kombëtar.

Krijimi i fjalëve të reja me brumin e shqipes sonë hyjnore duhet të shërbejë si shkollë për të gjithë krijuesit tanë të rinj. Pasuria leksikore që sjell në gjuhën shqipe ky autor i talentuar, duhet të tërheqë vëmendjen e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë.

Sot, për fat të keq, nuk organizohen më ekspedita gjuhësore për skedimin e fjalës shqipe. Megjithatë, qëmtimi i fjalëve të reja nga veprat e këtij shkrimtari, nuk duhet të mbetet jashtë vëmendjes së sektorit të leksikografisë të Institutit të lartpërmendur.

Santa Barbara, Kaliforni
26 dhjetor 2013

Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut

  Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve...