2013-12-27

- “Artisti i Popullit” së fundi mori titullin e lartë “Nderi i Kombit”

NDUE DEDAJ


Ndue shyti2
Ndodh që shihesh shumë vonë me njerëz që je nisur për t’u takuar qysh herët. Kështu na ka ndodhur me “Artistin e Popullit” Ndue Shyti, dekoruar së fundi me titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Mund të ishte ky rast shtysa për të udhëtuar drejt tij, por dhe mosha rreth të 80-ave e artistit, apo “pengu” i mbetur prej vitesh. Nëse për Moxartin është thënë se ai ishte vetë muzika, për Ndue Shytin mund të thuhet se ai simfoninë e tij muzikore e krijoi vetëm me çiftelinë me dy tela prej drurit të manit dhe bilbilin prej gështenje. Dy tela aq të thjeshtë mjaftuan për të ndezur “llambën” e tij melodike përjetësisht të pashuar. I trokitëm në portën e shtëpisë së bashku me studiuesin nga treva e tij Mark Mesuli, shkrimtarin Salvador Gjeçi, publicistin Gjon Marku, që do t’i merrte dhe një intervistë mjeshtrit për një libër në proces. Nuk udhëtuam drejt Gojanit, aty ku është kulla e vjetër e Ndue Shytit, por drejt qytetit të Durrësit, ku ai banon në një vilë private, larg flladit të pishave të Munellës, Suçelit e Terbunit, por pranë valëve të detit. Flasim për rreth tre orë me Nduen, buzagaz e mirësjellshëm dhe në fund ai ngrihet për të bërë disa fotografi me ne, dhe se ka mbi dhjetë vite me paralizë në këmbë. Vërtet që këtë fillim nëntori jemi ne miq në shtëpinë e tij, por më parë kanë qenë dhe muzikologia e njohur Sabrie Nushi, Esat Ruka, Sulejman Sula, Fran Vukaj, që pak kohë më parë realizuan një emision kushtuar atij në TVSH, apo Riza Tafilaku që ka botuar një libër kushtuar tij. Ndue Shyti, ky bard i papërsëritshëm i maleve tona, e ka bërë epokën e vet si rrallë artistë në këtë vend, falë talentit të tij të jashtëzakonshëm. “Në 32 vite, nga 1960-a deri në vitin 2002, kam dhënë 450 koncerte brenda vendit dhe plot të tjerë jashtë, në 18 shtete, 4 kontinente, thotë ai, duke saktësuar se nuk ka qenë në kontinentin e pestë, Australi, por një emigrant i ardhur prej andej i ka thënë se çiftelinë tande e kam pas kërkue me radiopostë qysh atëherë kur vendi ishte i mbyllur. Çiftelia e tij ka rënë në Francë, Itali, Norvegji, Austri, Jugosllavi, Turqi, Zvicër, Amerikë, Kinë, Kamboxhia etj. “Në Itali trioja me ajkën e artistëve të kombit, Gaqo Çako (muzikë klasike), Vaçe Zela (muzikë e lehtë) dhe Ndue Shyti (muzikë popullore) u vlerësua maksimalisht, si interpretues kulmorë shqiptarë”, shkruan Sulejman Sula.
Ndue shyti1

Ndue Shyti ka 60 vjet në Radio dhe Televizion me pjesët e tij instrumentale. Në koleksionin e tij ka 17 çmime, urdhra e medalje kombëtare e ndërkombëtare dhe 4 çmime lokale, teksa ai vetë tashmë është një çmim, pasi për instrumentistët popullorë ka disa vite që jepet çmimi “Ndue Shyti”. Alfabeti i çiftelisë ishte prej kohësh, si dhe “fjalët” e saj, nëse mund t’i quajmë kështu në mënyrë të figurshme meloditë, por ai me talentin e pashoq krijoi gjuhën e kësaj vegle, i dha dyzenit pasaportën ndërkombëtare perëndimore. Ai e përfshiu çiftelinë e trojeve mirditore në një familje të tërë veglash muzikore moderne, që deri atëherë nuk e kishin përfillur, madje duke e vënë atë në krye të herës e duke krijuar njëlloj polifonie orkestrale të Veriut. Atëbotë e mbrapa çiftelia do të ishte dhe ajo e para, parakja e traditës, që do të binte e vetme në oda dasmash, por dhe kryesuesja e një formacioni orkestral prej një duzine veglash. Dhe e gjitha kjo ndodhte në shekullin e shkëlqimit të folklorit, po dhe të rënies së tij. Biseda me Nduen nuk ka protokoll, madje ai nuk “bindet” kollaj hullisë nga duan ta çojnë pyetjet e gazetarit, do që t’i marrë gjërat shtruar e me rend si në kuvendet e Mirditës. Nga njerëzit e politikës, si demokrat i thekur që është, përmend Sali Berishën, jo vetëm si mjek që i ka shëruar zemrën, por dhe si politikan, Azem Hajdarin, por dhe Rexhep Mejdanin, që e ka takuar në Pukë në një veprimtari kulturore. Lavdëron fort Mark Mesulin, me të cilin ai thotë se njihemi pa qenë partitë, si të thuash përtej politikës. “Ka qenë kryetar i komunës së Gjegjanit në vitet 2000, kur erdhi në shtëpinë time, nuk e këqyri që unë isha demokrat. Marku më ka ardhur dhe në fatkeqësi, prandaj në anën njerëzore më asht tregue vëlla e shkue vëllaut. Ndihem i nderuar se gjithnjë vlerësimin e kam marrë vetëm prej artit…”

Mrekullia e “simfonisë me dy tela”

Ndue shyti3






Ndue Shyti ka lindur më 10 shtator 1934 dhe qysh fëmijë ai i binte çiftelisë në vendlindjen e tij në 
Gojan, buzë Fanit të Madh, pa e shkuar nëpër mend se vegla me dy tela do ta bënte një nga artistët më të mëdhenj të kombit të vet. Po dhe fyelli që i kishte rënë gjyshstërgjyshi i tij mes atyre maleve ku Munella është përherë një prekrenare vigane. Ai do të ishte jo vetëm instrumentisti numër një i çiftelisë, kësaj vegle magjike, në krejt botën shqiptare, por dhe krijuesi i një orkestrine me 100 instrumentistë popullorë në ansamblin “Puka”. Çiftelia do ta shndërronte atë në një mit, por dhe ai do t’i jepte një tjetër peshë instrumentale kësaj vegle kaq të brishtë në dukje. Çiftelia do ta ngjiste Nduen në skenat më prestigjioze të botës, do ta ngrinte në lartësinë e “Artistit të Popullit” (1979) dhe së fundi dhe të “Nderit të Kombit”. Ai ishte sa çiftelirënësi i luginës së tij të Fandamadhit dhe i formacioneve folklorike të Pukës, aq dhe një artist i sprovuar i Ansamblit të Shtetit në Tiranë. Gjirokastra nuk kishte kuptim pa këtë mjeshtër unik në festivalet e saj. Gjithçka e tij ishte çiftelia dhe se një tjetër ansambël verior mbante emrin “Çiftelia”, ai i “Lezhës, teksa ky instrument ishte kryesori dhe i Mirditës etj. Në vitet ‘70, ky virtuoz i lindur i thoshte muzikantes së re të muzikës moderne, Sabrie Nushi, e sapoemëruar në Pukë, lërë moj cucë pianon e mëso çiftelinë, duke e befasuar për një çast, por në të vërtetë duke e tërhequr atë drejt një bote muzikologjike të traditës që nuk kishte të shterur. Ai ishte nga ata virtuozë brilantë që dinte të bënte muzikë dhe me gjethen, gurin, shtogun, bririn, drurin, çdo send që natyra e atyre maleve ta dhuronte bujarisht. Mjafton të shohësh sot një nxënës të tijin, Gjovalin Ndrecën, si luan melodi origjinale me pipëz, zumare, fyell etj. Dhe ngado që të vejë fjala, Ndue Shyti do ta sjellë atë herë pas here te fillimi, me një nderim të posaçëm për mësuesin i tij vadejas të çiftelisë, mirditasin Gjin Shkoza (1900-1980), instrumentist i shquar paraardhës i kësaj vegle dhe gdhendës i saj. Shyti vinte nga trevat e Prendush Gegës e Mat Dod Pepës, Gjin Shkozës e Tom Nikollës, Frrok Haxhisë e Fran Palit, Preng Koticës e Simon Beleshit, Fran Vorfit e Mark Nikollës, Nikoll Preçit e Gjergj Pacanit. Prej atyre trevave do të ligjëronin Dava Gjergji e Vitore Rusha, Zojë Pali e Vitore Matoshi. Rapsodia po shuhej, duke ia lënë vendin një kënge të re me mbrujtje qytetare. Ishin të huajt, që kur kishin parë në skenë vërshimin e 104 vetëve me çifteli në duar dhe me një laryshi veglash të tjera, e kishin quajt atë “simfonia me dy tela”. Mrekullia kishte ndodhur tashmë. Druri i manit kishte sfiduar për një çast drurin e ullirit, nëse mund të ishte ai një dru i shenjtëruar, apo të tjerë drurë kulte të njerëzimit.

“Paganini shqiptar i çiftelisë”

Çiftelia e tij e nisi udhën në vitet ‘50, kur ai për herë të parë, pas fshatit të tij, i ra asaj në Durrës për vullnetarët e njërës nga hekurudhat që po ndërtohej. Ishte viti 1958 kur u ngjit në skenën folklorike të Pukës, ku dita-ditës aftësohej si interpretues dhe në pesë vegla të tjera muzikore, si sharkia, dy lloje bilbili, zumarja, fyelli, për të qenë një ditë krijuesi dhe dirigjuesi i orkestrës më të madhe të muzikës popullore në vend. Ai nuk përdorte partiturë, notat e tij ishin të shkruara në mendje, njëlloj si doket e maleve. Ishte me fat pasi bota ende nuk kishte dalë nga muza e folklorit. Në vitin 1957, në Moskë, Tom Nikolla mori “Medaljen e Artë” me një këngë, Gjin Shkoza “Medaljen e Argjendtë”, kurse shkëlqimi meteorik i çiftelisë, nën një emër të përveçëm, do të priste Francën e 15 viteve më pas. Vitet ‘60 institucionalizuan punën me folklorin dhe ai ka shumë mbresa nga ajo kohë. “Ishim në Shkodër në një koncert, flinim në hotel ‘Sporti’, unë i bija çiftelisë në sallon dhe aty mblidheshin qytetarë të shumtë shkodranë dhe mbanin vesh”. Ai shihte se çiftelia e tij binte për së mbari dhe aty ku kishte qenë qysh herët toka e bekuar e pianos. Ndoi i ka rënë bilbilit dhe në bjeshkët e vendlindjes dhe në Shan Elize të Parisit në ‘80-n. Ambasadori ynë asokohe ishte Misto Treska. “Me arrit me një tub me çudit Francën, kjo nuk ishte pa deri atëherë”, thotë mjeshtri, një bilbil i punuar nga vetë ai me dru gështenje. “Ky instrument nuk njihej atje, prandaj them se nuk asht me e lanë mbrapa as sot folklorin, që asht njëni nga elementet dallues të kombit, ashtu si dhe gjuha.” Dhe vazhdon të kujtojë episode: “Prej atij bilbili më thirrën me gjithë djalë, Markun, me shkue në një ansambël në Zvicër. Ishte viti 1996. Mbasi i ramë bilbilit atje, u ngrit një profesoreshë 90 vjeçe e më tha: “Unë kam qenë në të gjitha skutat e botës, po askund nuk ka ndigjue një melodi të tillë”. Në atë pjesë melodike unë imitoja bariun, kurse Marku zogjtë e pyllit. Dhe kjo e mahniti mizikologen e moshuar dhe publikun zviceran”. Një vit më vonë ambasadori zviceran, gjatë një veprimtarie në Pukë më tha: “Nuk ka flaut japonez që ia kalon këtij bilbili, duke më kërkuar t’i bëja dhe atij një bilbil, si dhe më ftoi në vendlindjen e tij, ku përfituan dhe kryetarët vendorë që erdhën me grupin artistik. Ai beson se në Luvër gjendet një portret i tij, i bërë mbase nga ndonjë piktor… në Dizhonin e ‘70-s. Pse jo? A nuk janë atje dhe të tjetër “mbretër” të artit botëror si ai?
“Gjerdani i Artë” në Dizhon të Francës, kulmi i shkëlqimit të folkut shqiptar

Ai e rrëfen pa pushim atë ngjarje madhore si të ketë ndodhur dje, një javë e paharruar, 30 gusht-4 shtator 1970 në Dizhon të Francës. “Prej asaj dite kujtoj shumë gjëra. Ka qenë dita ma e lumtun për mue, po dhe për kombin tim. Unë kisha pjekurinë artistike të instrumentistit dhe isha në kulmin e rinisë sime. Shqiptari e ka të veçantë krenarinë artistike, o me ba ma të mirën, o, në rastin tim, me e thye çiftelinë. Dhe ia arrita. Kisha ambicien artistike, po dhe dëshirën me e nderue Shqipninë. Programi na u shkurtue në 15 minuta, vetëm katër numra, dy valle popullore të Besim Zeksthit, një kangë e Ibrahim Tukiçit dhe melodia ime me çifteli. Mbasi u shkurtue programi kam hy në skenë me një inat të madh, se më thanë me e shkurtue dhe unë pjesën time. Unë e luajta shpejt dhe kështu e shkurtova!…” Ishte i mrekulluar kur shihte që gjithë ajo skenë ishte nën pushtetin e tingujve të tij. E kishte fituar betejën artistike në metropolin botëror të kulturës. Sa herë kishte thënë me modesti e nderim se ai nuk do ta kishte arritur atë sukses po të mos kishte qenë në duart e tij çiftelia e punuar nga Gjin Shkoza. “Nuk do ta arrija pa çiftelinë e Gjinit. Nuk kishte çifteli ma të mirë se ajo. U ngrit kryetari i jurisë së festivalit nga vendi ku ishte dhe tha: “Ju zini vend të parë në botë”. E megjithatë ai kujton se francezët e këqyrën çiftelinë me shumë interes, po dhe me vërejtje, a thua kishte përbrenda ndonjë zemrek, që i kurdiste ato meloditë e tij magjike. Por nuk gjetën asnjë mekanizëm në trupin e saj, ajo ishte e lehtë pupël, pa asgjë të huajin përbrenda. U grumbulluan rreth tij instrumentistë të njohur, laureatë nga më të mirët e botës, të buzukut grek, bilbilit egjiptian, veglave popullore spanjolle etj. Nuk ishte shaka, virtuozi shqiptar kishte marrë “Gjerdanin e Artë” të festivalit të Dizhonit, që për kureshtjen e lexuesit peshonte 3 kg e 860 gram. Ia sillte vendit të tij si një trofe artistike të rrallë. Ishte ende herët, por nuk do të vononin të tjera lajme shqiptare nga Franca. Po bëhej gati të trokiste me letërsinë e tij shkrimtari Ismail Kadare vetëm dy vite më vonë. Francezët me siguri do të mahniteshin se si kishte kapërcyer aq shpejt ky popull nga folku tradicional te romanet moderne të një autori të nominuar prej më se 20 vitesh për çminin “Nobel”.

Krijuesi i orkestrinës popullore me 104 instrumentistë

Ndue Shyti nuk e mbajti çiftelinë për vete. Ishte një hop i paparë, që nga një rënës monofonik tradicional i çiftelisë, qysh se kjo vegël ishte shpikur, te një “kompani” çiftelirënësish, sa mezi i zinte skena. Kjo tregonte fuqinë që mund të kishte ky instrument në dirigjimin e një mjeshtri si ai, që dikush e quan jo vetëm të përmasave shqiptare, por dhe botërore. Dhe vërtet nuk dimë të këtë pasur një instrumentist të çiftelisë si ai, askund ku ajo bie në Ballkan. Kulmin si orkestër e kemi arritur në një koncert në vitin 1979, ku numri i instrumentistëve shënoi rekordin 104 vetë, 6 prej tyre femra. “Më pyeti Enver Hoxha si ke mujt me e ba një orkestër të tillë? Ndërhyni ministri i Arsimit, Thoma Deliana e i tha: “E ka ba Ndoi vetë, me iniciativën e tij, pa asnjë përkrahje”. Ai thotë se Mirdita artin e veglave muzikore e ka pas të varfër, mezi baheshin një fyll e një çifteli bashkë, jo ma një orkestër me 13 vegla popullore. Në orkestrinën e tij janë përdorur: çiftelia, fyelli, bilbili, sharkia, lahuta, zumarja me dy pipa, gajdja, gjethja, daullja, fisarmonika, kitara, çiftelitë e temperuara etj. Nuk ka qenë e çelur rruga e këtij artisti, ai nga statusi social ishte thjesht një punëtor sharrash në fillimet, pastaj instrumentist në Pallatin e Kulturës në Pukë për 28 vjet. Ai thotë se nuk kishte ndonjë preferencë nga drejtuesit e Ansamblit të Shtetit për ta marrë me vete, por si mjeshtër i çiftelisë që ishte, bënte vetë vend në shfaqjet jashtë shtetit. Ka dhënë koncert e ka luajtur pjesë instrumentale jo vetëm para publikut e udhëheqjes së vendit në Tiranë, duke marrë disa herë përgëzimet e vetë të kreut të vendit, por dhe para Mao Ce Dunit në Pekin në vitin 1966. Në fund të koncertit, kryetari Mao ka shtrënguar duart me artistët shqiptarë, por rapsodi ynë s’e ka dalluar përnjëherësh mes atyre pesë-gjashtë burrave udhëheqës në llozhë, të gjithë të veshur me kostumet e popullit punonjës kinez.
Artisti, në njërin nga festivalet e Gjirokastrës
Folku shqiptar është autentik në melodi,vegla, interpretim

Ndoi u bë zoti i çiftelisë. Thotë se ka qëndruar 6 muaj pranë punishtes së mjeshtrit të njohur të punimit të çiftelive Marka Zef Përshefa në Bisakë (Fani Vogël) të Mirditës, si me thënë për t’iu vënë “notat” muzikore atyre. Gjithë “fisi” Përshqefa ishte çiftelibërës, traditë që e vazhdojnë dhe sot. Çiftelia ka kupën dhe kunjat prej drurit të manit, kapakun prej bredhi, bishtin prej ahu dhe “shkamin” ku mbështetën telat prej bronzi. Sigla “M. Z. Përshefa” mbi çiftelitë e gdhendura mjeshtërisht nga ustai i tyre, jo vetëm qe ngjitur në skenat shqiptare të folkut në Gjirokastër e kudo, por pati shtegtuar dhe jashtë shtetit si dhuratë. Në vitet ‘80 në Shkodër, studentët kosovarë që kishin mundur të vinin për vizitë në ILP, të parën gjë që kërkonin në “Pazar” ishte çiftelia e këngëve patriotike.
Ndoi ngulmon në mrekullinë e çiftelisë, bilbilit, zumareve, duke sjellë gjithnjë shembuj. “Ja, ansambli “Puka” pas ‘90-s zuri vend të parë në Europë, me vegla të bamë nga duart tona, me melodi të trevave tona, me interpretimin tonë autentik shqiptar.” Nuk është për t’u habitur që ai gjatë gjithë bisedës ka aq shumë stacione në Europë, ku ka shkelur folku shqiptar dhe ai si një zë i shkëlqyer i tij. I ka qëlluar t’i këputet njëri tel i çiftelisë me 1974 në Turqi, por melodia nuk është këputur. “U këput teli kryesor, po e çova melodinë në fund me telin tjetër”. Atij i krijonin tinguj jo telat dhe druri i manit, por gishtat, “telat” e shpirtit. Dritan Haxhia, biri i mikut dhe kolegut të tij, rapsodit të mirënjohur Frrok Haxhia, shkruan: “Kjo trashëgimi interpretimi dhe tingulli e ka ngritur Ndue Shytin, ka mote, në lartësitë ku vetëm shqiponjat ngjiten. E, pra, ai është një ‘shqiponjë’ që gjithçka e shikon nga lart. Vetë tingulli i instrumenteve të tij është hyjnor, origjinal, i shkrirë me natyrën, që të sjell një frymëmarrje prej bjeshkëve të Mirditës ku ky artist i madh burimor, ‘autodidakt’, na sillte sa herë prekte telat e çiftelisë, apo fyellin dhe bilbilin, zumaren dhe gjethen.” E pyesim Nduen rreth konceptit që ai ka për rapsodin. Rapsod i mirëfilltë, thotë ai, është ai që e krijon, e shoqëron me vegël muzikore dhe e këndon këngën. Por dhe ai që kryen vetëm njërin nga funksionet, ose e krijon këngën (tekst e melodi), ose vetëm e këndon atë. Unë quhem instrumentist, por mund të quhem dhe rapsod, pasi unë krijoj meloditë folklorike me çifteli, bilbil etj. Kam krijue 13 pjesë instrumentale dhe disa këngë. E pyesim dhe për krahinën nga rrjedh e ai thotë: “Për mue gjaja ma e madhe që ka pas Mirdita ishte se kur fliste njani, të gjithë të tjerët mbanin vesh. Jo veç Mirdita, po krejt Shqipnia kështu e ka pas zakon. Por tani gjërat nuk janë më si dikur, habitesh kur djali ia pret fjalën babës, vëllai i vogël vëllait të madh, shoqi mikut e kështu me radhë”. Rri e dëgjon këtë mjeshtër, në shtëpinë e tij, tash që është në kohën e tij të kujtimeve, dhe thua me vete: mbase Festivali i Gjirokastrës do të kishte qenë e udhës të ishte zhvilluar jo me konkurrim në bazë rrethesh, por të ansambleve të trevave, se po të marrim për shembull kulturën muzikore mirditore, ajo ishte e ndarë në disa ansamble muzikore, të Mirditës, Pukës, Shkodrës, Lezhës, Burrelit, Kurbinit etj. Ajo duhej të ishte e përfaqësuar vetëm nga njësi të mirëfillta folklorike, ashtu dhe Luma, Malësia e Madhe, Rrafshi i Dukagjinit, Elbasani, Korça, Dibra, Myzeqeja, Labëria, Çamëria, Dropulli e çdo krahinë tjetër etnologjike, le të ishin më shumë a më pak se 26 rrethet administrative të asaj kohe.

Sadopak lumturi, Kundera, një dedikim në tryezat e bukinistëve

TO GO WITH AFP STORY (FILES) - Czech wrNjë libër me dedikimin e Milan Kunderës/ Historia e “Valsit të lamtumirës”, librit që flet për Çekinë e viteve 1970, i blerë në tryezën e një bukinisti…
Alda Bardhyli
“Duke shpresuar se këtu do të gjesh sadopak lumturi…” Ky është dedikimi në frëngjisht që Milan Kundera i ka lënë më 13 maj të vitit 1981 një lexuesi të panjohur, në faqen e parë të romanit “Valsi i lamtumirës”. Libri, fletët e të cilit janë zverdhur nga koha, ndodhet prej kohësh në bibliotekën prej tre mijë librash të profesor Ferdinant Lekës, i cili e ka blerë atë te bukinistët në Itali. I tërhequr nga letërsia e Kunderës, linguisti dhe përkthyesi i njohur i italishtes, e bleu atë pa i vënë rëndësi dedikimit që ndodhej në faqen e parë. Muaj më vonë, teksa nisi të lexonte romanin në botimin frëngjisht, do të ndalej te dedikimi i faqes së parë, në fund të së cilit ishte firma e Milan Kunderës. Çdo libër ka brenda tij jo vetëm historinë që tregon, por dhe historitë e njerëzve që kanë dashur ta blejnë atë, të takimeve apo ngjarjeve që i kanë çuar drejt asaj zgjedhjeje. Kundera i uron lexuesit pa emër të gjejë sadopak lumturi, në atë kohë që përkon dhe me shpërnguljen e tij përfundimtare në Francë bashkë me të shoqen Vera, nga Çekia. Profesor Leka, e tërheq ngadalë nga biblioteka librin që e ruan si një thesar bri mijëra librave që ndodhen në çdo cep të kësaj hapësire të vogël. Si një lexues i vjetër, ai ka mbajtur shënime për çdo kapitull a faqe, gjë e cila duket në fund të librit, ku ka shënuar me laps dhe karakteristikat që ka gjetur pas çdo faqeje. Në faqen 143, ai shënon: “ndihet humanizmi i autorit”. Ashtu si ky libër me dedikimin e Kunderës, ashtu dhe këto shënime të lëna nga profesor Leka, janë shenja që i japin një tjetër vlerë këtij botimi. Romani është botuar nga “Gallimard” dhe është përkthyer në frëngjisht nga François Kerel dhe shoqërohet me një parathënie nga Elisabeth Pochoda. “Valsi i lumturisë” është botuar për herë të parë në gjuhën çeke në vitin 1972. Versioni frëngjisht i tij doli në vitin 1976 dhe më pas ai anglisht. Ky roman është një rrëfim për dashurinë dhe urrejtjen, dhënë përmes jetës së tetë personazheve që jetojnë së bashku në një qytet të vogël në Çekosllovakinë e vitit 1970. Për kritikët, ky është një libër që u drejtohet shumë shtresave. Dhe pse i ngjason një komedie, ndihen tone dramatike të situatës në të cilën shtrihet ngjarja. Kundera di të japë përmes humorit elegant, tema të ndjeshme për shoqërinë. 32 vjet nga koha e këtij dedikimi, ky roman është botuar në më shumë se 40 gjuhë të botës, dhe vazhdon të jetë një ndër librat më të botuar në SHBA. Libri vazhdon të quhet si tepër bashkëkohor, i ngjashëm me dedikimin e Kunderës, që nuk është zbehur nga koha.
Me Verën
Vitet nuk kanë ndryshuar shumë gjëra në jetën e Vera Hrabankovës. Dëgjon të njëjtën muzikë dhe të njëjtat piktura surrealiste ndodhen në muret e shtëpisë së saj në Montparnasse. Disa piktura janë të artistëve çekosllovakë, të cilat ajo dhe i ka pasur miq, disa të tjera të piktorëve të preferuar blerë në Galeritë e Parisit. Flokët e saj janë të shkurtër, ndërsa sytë vazhdojnë të ruajnë shkëlqimin e vajzës së dikurshme, që la gjithçka për t’i shkuar pas burrit që deshi. Ai ishte Milan Kundera. Kur mbërritën bashkë në Paris në vitin 1975, ajo nuk mund ta mendonte se nuk do të shpërnguleshin më asnjëherë prej tij. Ajo do ta linte disi pas dore karrierën e saj si kompozitore dhe do t’u përkushtohej shkrimeve të të shoqit. “Ai nuk mund të jetojë pa Verën”, thonë sot gazetarët që kanë mundur të futen në apartamentin e tyre në Paris. Ajo vazhdon të jetë pika e tij e lidhjes me botën, në një kohë kur ka hequr dorë nga çdo komunikim me median. Që pas marrjes së çmimit “Nobel”, Milan Kundera ka zgjedhur të heshtë dhe të flasë përmes librave që shkruan. Është Vera ajo që përmes gjesteve apo shprehjeje të lë të kuptosh se çfarë po ndodh tani, me burrin e rrallë të letërsisë, i cili i ka kaluar të 80-at. Pasditeve ai ulet në poltronin e tij dhe bashkë me të shoqen shijojnë çajin me filxhanët e blerë në Pragë. Shpeshherë në shtëpi i vijnë vizita nga miqtë e kohës së rinisë në Pragë, por edhe shkrimtarë të rinj çekosllovakë që duan të marrin bekimin nga Kundera. Kur ata lexojnë poezi në gjuhën çeke, atëherë Vera dhe ai zhyten në vitet e trazuara të rinisë. Kundera nuk është larguar asnjëherë nga atdheu i tij, pavarësisht se jeton në Francë. Në librat që ka shkruar dhe vitet e fundit mund ta gjesh shumë lehtë ndikimin nga vendi i tij i lindjes. “Unë nuk jam një pesimist dhe nuk dua të jetoj si i tillë”, i shkruante ai Philip Roth në një bashkëbisedim të gjatë për jetën dhe vdekjen. I lindur më 1 prill 1929 në Brno në Çeki, Kundera jeton në Francë që prej vitit 1975. Në vitin 1981 ai ka fituar nënshtetësinë franceze. Ai lindi në një familje të klasës së mesme shumë të kulturuar. Babai i tij, muzikologu dhe pianisti Ludvík Kundera (1891-1971), ishte nxënës i kompozitorit të famshëmLeoš Janáček. Babai i mësoi Kunderës të luante në piano që në moshë të re. Më vonë ai studioi muzikë për njëfarë periudhe. Influenca e muzikës, ashtu si referenca të shpeshta mbi të, mund të gjenden në shumë vepra të tij. Kundera e përfundoi shkollën e mesme në Brno më 1948. Më pas, ai vazhdoi studimet e larta për letërsi dhe estetikë pranë Fakultetit të Arteve në Universitetin Charles. Pas dy vitesh studime u transferua në Fakultetin e Filmit të Akademisë së Arteve të Bukura ne Pragë, ku u përqendrua në regjizurë dhe skenografi. Më 1950-n, Kundera u detyrua t’i ndërpriste studimet për arsye politike. Pas diplomimit më 1952 u caktua si profesor i letërsisë botërore pranë Akademisë së Filmit. Kundera i përkiste brezit të të rinjve çekë që nuk e kishin provuar Republikën Demokratike Çekosllovake të paraluftës. Rritja e këtij brezi u karakterizua prej eksperiencës së fituar nga Lufta e Dytë Botërore dhe pushtimi gjerman. Përvoja e totalitarizmit gjerman krijoi një imazh bardhezi të botës te ky brez (komunizëm dhe fashizëm) dhe, për rrjedhojë, shtyu një pjesë të madhe të tyre të aktivizoheshin pranë rretheve marksiste dhe të anëtarësoheshin në Partinë Komuniste. Milan Kundera u anëtarësua në Partinë Komuniste Çekosllovake, e cila ishte në pushtet në vitin 1948, kur ishte ende një adoleshent. Më 1950, bashkë me një tjetër shkrimtar çek, Jan Trefulka, Kundera u përjashtua nga partia për “aktivitete kundër partisë”. Trefulka e përshkruan incidentin në novelën e tij “Pršelo jim štěstí” (Lumturia ra mbi ta) ndërsa Kundera u frymëzua nga kjo ngjarje për të shkruar novelën e tij të parë “Žert” (Loja, 1967). Milan Kundera u ripranua në Partinë Komuniste më 1956-n. Më 1970, ai u përjashtua nga partia për herë të dytë. Kundera, së bashku me artistë dhe shkrimtarë të tjerë si Václav Havel, ishte i përfshirë në Pranverën e Pragës së vitit 1968. Gjatë kësaj periudhe reformizmi dhe optimizmi i pakët u shtypën nga pushtimi i Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik në gusht të 1968. Kjo e ndau nga kultura dhe jeta çeke, ndaloi përkthimin e librave të tij të shkruar në frëngjisht në çekisht (publikimi ose ripublikimi i librave të tij të vjetër në Republikën Çeke u lejua vetëm pas 1989-s).

Kundera në shqip

“Shakaja” është një prej romaneve të njohur të Kunderës i cili është botuar në gjuhën shqipe nën përkthimin e Mirela Kumbaros dhe shtëpia botuese “Dituria”. Libri është një radiografi e sistemit komunist në Çekosllovaki. Një tjetër botim në shqip, Kundera e ka pasur në vitin 2004 nga “Vatra” me librin “Fati i Irenës” nën përkthimin e Gani Lekës. “Testamentet e tradhtuara” është një tjetër libër me ese i tij, i përkthyer nga Balil Gjini dhe i botuar nga “Pika pa sipërfaqe” më 2011. “Arti i romanit”, një libër ku Kundera flet mbi artin e të shkruarit është botuar më 2001, nën përkthimin e Adem Jakllarit, nga “Toena”. “Bota e teorive nuk është imja. Dua të nënvizoj se nuk kam as më të voglën ambicie teorike, dhe se ky libër nuk është veçse rrëfimi i një krijuesi të mirëfilltë. Vepra e çdo romancieri përmban një vizion të qartë të historisë së romanit, një ide që rreket të shpjegojë se ç’është romani. Është kjo ide mbi romanin, e qenësishme në romanet e mi, që më ka nxitur mua të provoj të flas”, shkruan ai në këtë libër. “Nostalgjia” është një tjetër roman i shqipëruar nga Jani Guxi, botim i “Albin”. Në libër flitet për Irenën dhe Jozefin të njohur dikur në Pragë, pa arritur të dashurohen, pas njëzet vjet emigrimi, pavarësisht nga njëri-tjetri, ndërmarrin një udhëtim për në atdheun e tyre, në Republikën Çeke. E vërteta e hidhur është se jo vetëm historia e tyre e dashurisë nuk rilind, por kthimi i tyre, në tërësinë e tij, për shkak të harresës, mungesës së kujtimeve, plakjes, brishtësisë të së tashmes, mbetet një zhgënjim.

Dashuria e pamundur me gazetarin anglez

Elizabeth Gowing/ Një angleze në kërkim të gjurmëve të Edith Durham. Ballkani një shekull më pas, në vështrimin e një tjetër britanikeje
Alda Bardhyli
DurhamEdith1.young (2)“A mos je ti Edith Durham?”. Rreth shtatë vjet më parë, Elizabeth Gowing do ta dëgjonte shpesh këtë pyetje, teksa takonte njerëz të ndryshëm në Kosovë. Poetja dhe publicistja angleze, kishte lënë papritur Londrën, për të ndjekur të shoqin drejt një misioni në Kosovë (si këshilltar i ish-kryeministrit Agim Çeku). Ishte 37 vjeçe, në të njëjtën moshë që kishte dhe Edith Durham kur e këshilluar nga doktori mori udhëtimin drejt Ballkanit, udhëtim që do t’i ndryshonte jetën. Nuk ishte vetëm kjo pyetje, por dhe dhjetëra histori që dëgjonte nga biseda me shqiptarët, që e shtynë Elizabeth, që një ditë të niste të kërkonte mbi jetën e kësaj anglezeje jo të zakonshme. Historitë që nisi të lexonte për Durham do ta mahnitnin, dhe do ta bënin të kërkonte më tej mbi historinë e kësaj gruaje për të cilët shqiptarët, flisnin me aq pasion. Udhëtimi i saj i parë në gjurmët e Durham nisi nga Rugova në Pejë, e më pas në Deçan, për ta vazhduar pas pesë vitesh nga Shqipëria, duke nisur nga Tropoja, Gjakova, Prizreni e deri në Gradanicë. Ajo shkeli në të njëjtat vende që Durham kishte përshkruar në kujtimet e saj, u përpoq të gjente të njëjtat gjurmë të së shkuarës, edhe pse kishte kaluar gati një shekull. Të gjithë hulumtimin e saj në jetën e kësaj gruaje, Elizabeth e përshkroi në librin “Edithi dhe unë”, një libër i cili sjell letra dhe dokumente të pabotuara më parë, që ajo i ka gjetur gjatë këtij hulumtimi. Në 150-vjetorin e lindjes së Durham, Biblioteka Kombëtare organizoi një konferencë ku Gowing prezantoi dhe këtë botim. E veshur me një pelerinë që të kujton një foto që Marubi i ka bërë Durham, Elizabeth thotë se kjo grua ka ndryshuar jetën e saj. Tashmë di të shohë më mirë detajet dhe të mësojë prej tyre. Teksa pi çaj, në një bar të Tiranës ajo mund të flasë pafund për Durham, këtë angleze që e bëri ta donte më shumë Shqipërinë. Para se të udhëtonte drejt Shqipërisë, Durham ishte thjesht një angleze që i pëlqente të pikturonte dhe kohën e kalonte në shtëpi duke u kujdesur për nënën e sëmurë. Gjithçka ndryshoi pas një sëmundjeje të papritur, kur mjeku i këshilloi të merrte një pushim të gjatë dhe të udhëtonte jashtë vendit. Deri në ato momente ajo s’mund ta mendonte se do të kthehej në një ambasadore për shqiptarët në botë. Përmes shkrimeve që do të shkruante ajo do të kthehej në një lotuese për çështjen shqiptare. Ajo u nis nga Anglia në bregun e Dalmacisë duke udhëtuar nga Trieste në Kotor, më në fund zbarkoi në Cetinjë. Kjo pjesë e vogël e harruar e botës do t’i linte asaj mbresa të thella për të gjithë jetën. Për 20 vjet ajo udhëtoi dendur nëpër Ballkan, duke u fokusuar më shumë në çështjen shqiptare, që atë kohë ishte një nga zonat më të izoluara e të prapambetura të Europës. Ajo punoi gjerësisht duke pikturuar, shkruar dhe duke mbledhur artin dhe folklorin e zonave nga kaloi. Pavarësisht nga kjo, vetëm shkrimet e saj do t’i jepnin famë të madhe. Ajo shkroi 7 libra rreth çështjeve të Ballkanit, nga të cilët High Albania (Shqipëria e Epërme) e shkruar në vitin 1909 është më e njohura. Ky libër akoma edhe sot e kësaj dite është një udhërrëfyes i mirë i kulturës dhe traditave të malësorëve të Shqipërisë Veriore. Është për t’u theksuar që artikujt e saj për revistën Njeriu e bënë atë një pjesëtare të njohur të Institutit Mbretëror të Antropologjisë (The Royal Anthropological Institute). Pas kaq vitesh në Kosovë e tashmë në Shqipëri, Elizabeth duket se e ka zbuluar çfarë e bëri Durham të mos largohej nga ky vend. Ndoshta natyra dhe ngrohtësia që gjen te  shqiptarët ishin një arsye që ajo ndenji gjatë këtu. Por kanë dhe nga ata që besojnë se ka qenë një burrë ai që e bëri Durham të vendoste të rrinte në Kosovë. Në biseda të ndryshme thuhet se në Gjakovë ajo u dashurua me një burrë që quhej Mark Krasniqi dhe prej tij ajo vendosi të mos udhëtonte më në pjesën serbe apo boshnjake siç kishte bërë deri para se të njihte atë. Por, për Gowing njerëzve u pëlqejnë t’i lidhin gjërat me dashurinë, megjithëse arsyet mund të kenë qenë të tjera. Ndër letrat më të ndjera të Durham që ajo ka gjetur janë ato drejtuar shokut të saj anglez, gazetarit Henry Nevinson. Sipas Gowing në letrat që Durham i shkruante atij kishte dhe ndjenja dashurore, që nuk u pranuan asnjëherë nga Nevinson, i cili në atë kohë ishte i martuar. Ai është i njohur për raportimet mbi Luftën e Dytë Botërore dhe skllavërinë në Angola në vitet 1904-1905. Ai ka qenë bashkë me Durham në Shkodër, dhe kanë jetuar bashkë në të njëjtën dhomë. Në kujtimet e tij, tregohet se ata nuk kanë qenë asnjëherë të dashur. Por pavarësisht refuzimit të Nevinson, duket se ky anglez ka qenë një dashuri që ka dhembur për Durham, këtë grua që përshkroi si një pikturë viset dhe karakterin e shqiptarëve. Por Durham nuk ka folur shumë për ndjenjat e saj. Ata pak rreshta që mund të gjejmë mbi mendimet e saj si grua, janë në letra që kanë mbetur rastësisht, si ato drejtuar Nevinsonit. E tërhequr nga natyra e veriut të Shqipërisë, Durham kaloi shumë kohë në këto krahina. Ajo ishte e vetmja femër në atë kohë e cila mund të rrinte e të bisedonte lirshëm në një dhomë burrash. Gowing tregon me humor se në veri e kishin të vështirë të vendosnin pas një darke se ku ajo do të flinte në dhomën e burrave apo të grave. Durham u tërhoq shumë nga historia e burrneshave shqiptare, gjë të cilën e tregon dhe në shkrimet e saj. Në biografinë e shkruar për të në anglisht thuhet se asaj iu ofrua të bëhej shtetase shqiptare e të jetonte në Shqipëri, por ajo e refuzoi, pasi donte të mbetej një angleze e lirë. Libri i Gowing është një rrëfim ndryshe për Durham, përmes një udhëtimi tjetër të cilën ajo e bëri me aq dashuri sa dhe Durham vite më parë. Për të kjo grua është një personazh i jashtëzakonshëm i historisë, që jetën e saj ia kushtoi një kauze të rëndësishme siç është çështja shqiptare.
 “Edith dhe unë”, çfarë është ky libër?
Libri është një lloj biografie për Edith Durham, por edhe një autobiografi për jetën time. Është një përshkrim i Kosovës dhe i Shqipërisë, duke u nisur nga rrugëtimi që ajo bëri vite më parë. Edith ishte 37 vjeçe kur nisi udhëtimin e saj nëpër Ballkan. Deri në atë moshë, ajo ishte një vajzë angleze e zakonshme, e cila kujdesej për nënën e sëmurë dhe që i pëlqente të pikturonte. Prirja e saj për pikturë është shumë e hershme dhe Edith ka realizuar një sërë punësh. Por pas një sëmundjeje, mjeku e këshillon të udhëtojë. Ajo niset drejt Ballkanit, pa e ditur se me këtë udhëtim do të niste një jetë tjetër për të. Unë isha në të njëjtën moshë me të, kur u zhvendosa bashkë me tim shoq në Kosovë. Ky libër ka shumë informacione për të gjithë ata që duan të lexojnë më tepër mbi jetën e kësaj anglezeje të famshme, por dhe për ata që duan të dinë më shumë për Shqipërinë dhe Kosovën.

Kur dëgjuat për herë të parë për Durham?
Në vitin 2006 unë u shpërngula nga Londra në Kosovë, për shkak të punës së bashkëshortit, i cili nisi të punojë si këshilltar i kryeministrit të asaj kohe. Kur njerëzit mësonin se jam angleze, gjithnjë më përmendnin emrin e Edith Durham, më flisnin rreth saj, kështu nisa të bëhem kureshtare dhe të hulumtoj mbi jetën e saj. Mendova se kjo angleze që i ka dashur shumë shqiptarët, mund të më mësojë mua për jetën time me shqiptarët sot. Përmes saj, mund të njihja më mirë historinë e këtij populli dhe jetën e një anglezeje jo të zakonshme.
Si do ta vlerësonit sot udhëtimin e saj nëpër Shqipëri e Kosovë dhe atë çfarë ajo ka bërë për shqiptarët?
Edith Durham meriton dashuri dhe mirënjohje jo vetëm prej Shqipërisë por edhe Anglisë, pasi ajo i ka njohur ata me shqiptarët dhe kulturën e një popullit të lashtë. Durham duhet të njihet edhe si piktore edhe si shkrimtare apo antropologe, si një lobuese e madhe për çështjet shqiptare, gjithashtu edhe si një humanitare e madhe për punët që ka bërë për shqiptarët.
Sipas jush, çfarë e bëri një angleze si ajo të dashurohej me Shqipërinë?
Nga përvoja ime kuptova që mikpritja është një vlerë që ende mbretëron tek shqiptarët, ndaj besoj që shumë vizitorë këtu dashurohen menjëherë me vendin, prej virtyteve tuaja. Peizazhi juaj është i bukur po kështu dhe traditat tuaja të lashta. Për këto arsye, jo vetëm Edith, por shumë të huaj dashurohen me Shqipërinë.
Sa ka ndryshuar Ballkani nga ai çfarë Durham përshkruan në librat e saj?
Kuptohet që shumë gjëra kanë ndryshuar. Koha kur Edith ka udhëtuar në Ballkan ishte koha e luftërave, e tashmë nuk jetojmë më në një epokë të tillë. Megjithatë më duket se ende në Shqipëri ka njerëz që janë të pastrehë, ose kanë nevojë për ilaçe, ose ushqim, siç ka gjetur Edith mes refugjatëve të asaj kohe, dhe është mirë të mos harrojmë të shkuarën.

A ka dokumente, letra apo shkrime të Durham të pabotuara?
Një pjesë e librit tim është bazuar në letrat dhe fletoret që ka shkruar Edith gjatë udhëtimeve të saj në Ballkan. Janë pronë e Royal Anthropological Institute në Londër dhe nuk janë të botuara më parë, edhe pse janë interesante.

A i ngjan udhëtimi juaj në Kosovë udhëtimit të saj?
Kam udhëtuar në çdo vend në Kosovë që ka udhëtuar Durham, dhe libri flet për ngjashmëritë dhe dallimet midis udhëtimeve tona. Por ajo nuk ka jetuar në Kosovë, por në Shqipëri, ndërsa unë kam jetuar në Kosovë për shtatë vite. Prej Majit jam zhvendosur në Tiranë bashkë me tim shoq. Ndoshta kjo do të më shërbejë që përvojat e udhëtimit nëpër Shqipëri t’i shkruaj në një vëllim të dytë.

Një grua, çfarë mund të gjejë te një grua si Durham?
Njerëz si ajo që kanë një të shkuar, mund të na frymëzojnë dhe të mësojmë prej tyre. Unë kam mësuar shumë prej Edith Durham prej guximit të saj, për kujdesin që ajo kishte ndaj detajeve të vogla, për të mos i shpërfillur njerëzit që duken të rëndomtë, pasi çdo njeri ka një histori. Për të vlerësuar çdo artefakt, qoftë kjo diçka e thjeshtë prej kuzhinës, qoftë stolia më e pasur, mund të na tregojë diçka për një popull apo një vend, apo për të kaluarën tonë. Edith Durham nuk u dorëzua kurrë. Edhe në ditëlindjen e saj të 80 ajo ka dalë në protestë në rrugë. Kjo është diçka shumë frymëzuese.

Henry Nevinson, burri që deshi Edith
I tërhequr nga përshkrimet e mikeshës së tij, Edith për Shqipërinë, Henry Nevinson, publicist dhe gazetar i njohur, pranoi ftesën e saj për ta vizituar. Në kujtimet e tij, ai flet për Shkodrën. Brun dhe i gjatë, Henry ishte një djalosh që i kujtonte Edith, dashnorët e bukur në poemat angleze. Ajo u dashurua me të, një dashuri që nuk iu kthye kurrë, por që ishte për të ëndrra më e bukur gjatë udhëtimeve nëpër Shqipëri. Janë disa letra dashurie që ajo ia shkroi atij pas kthimit në Londër. Letra që pasi i rrëfen për shqiptarët dhe udhëtimet që ka bërë, tregon dhe për ndjenjat e saj për të. Por Henry ishte një burrë i martuar i cili kishte një lidhje të fshehtë dashurie. Vetëm pas vdekjes së të shoqes Margaret Jones më 1933, me të cilën kishte një djalë, ai mundi të bashkëjetonte me të dashurën e tij prej vitesh Evelyn Sharp, për të cilën refuzoi dhe Durham. Ai kujtohet dhe sot si gazetari që investigoi për Harper Monthly Magazine tregtinë e skllevërve nga Angola drejt plantacioneve të kakaos në Sao Tome. Këtë hulumtim ai e botoi në librin “Skllavëria moderne” më 1906.

Dhjetori i Nobelit

Gazmend Krasniqi

alice munro     Muaji dhjetor është muaji i Nobel-it, si çmim, por edhe si përkujtim i njeriut që e bëri të mundur këtë ngjarje të rëndësisë botërore, sepse ai vdiq më datën dhjetë të këtij muaji. Në këtë kuadër futet edhe ligjërata e fituesit të vitit, të cilat priten me kureshtje të justifikuar. Impresionon përkufizimi i dhënies së çmimitNobel për prozatoren kanadeze Alice Munro, sepse thuhet: “Mjeshtre e tregimit modern”. Kriter më të pastër letrar nuk gjen, kur dihet se historikisht ky çmim ka pasur ngarkesa të ndryshme. Njohësit e historikut të Çmimit (nga brenda dhe jashtë) thonë se kemi ardhur gradualisht te çmimi si i tillë, pra letrar. Ky proces i gjatë ka njohur shumë diskutime, kundërshtime, çka është normale për atë që prej mbi 100 vjetësh qëndron si çmimi kryesor i botës. Për më tepër, gjatë kësaj kohe, as qasja ndaj letërsisë nuk ka mbetur në vend, por ka evoluar në mënyrë graduale, nga dekada në dekadë.    Një akuzë e fortë për çmimin ka ardhur nga një studiuese franceze që thotë: një çmim francez që jepet nga suedezët. Kjo ironi përkthehet me mbrojtjen që i bën studiuesja konceptit të letërsisë mbi të cilin jepet dhënia e çmimit, pra diçka që suedezët e kanë importuar nga Franca. Një akuzë tjetër është ajo e “imperializmit kulturor”. Duke dalë nga eurocentrizmi (një tjetër akuzë) Akademia ka laureuar shkrimtarë të tillë si Orhan Pambuk apo Gao Zingjian. Turqit ankohen se ky shkrimtar nuk është zgjedhja e tyre, çka nënkupton se kanë të tjera koncepte për zgjedhjen. Kinezët nuk e pranojnë laureatin si të tyrin, duke shkuar deri aty sa t’i çojnë përgëzime Francës. Ideja është se mund të ndryshojë kuptimi i kanonit në vend dhe jashtë tij. Për shembull, Çehovi dhe Pushkini nuk gëzojnë të njëjtin kanon si brenda vendit ashtu dhe jashtë vendit, sepse i pari peshon më shumë në Perëndim, ndërsa i dyti në vendin e vet, një ide që ngre diskutime edhe mbi veprën e njohur “Kanoni perëndimor” e kritikut Harold Bloom.

Munro-Alice
Një akuzë tjetër është ajo e përzgjedhjeve të dobëta. Me hapjen e dokumentacionit, që shkon deri në pesëdhjetë vitet e fundit, Akademia edhe është justifikuar për raste të veçanta. Një i tillë është ai i laureatit John Steinbeck, për të cilin amerikanët qenë ankuar, duke e parë si autor jo të rëndësishëm, nga ata që e ndikojnë një letërsi, apo dhe me oscilacione në krijimtarinë e tij letrare. Hapja e dokumentacionit vërtetoi se ai kishte qenë “më i miri midis të këqijve”, pasi katër konkurruesit e tjerë (nga maji deri në dhënien e çmimit shqyrtohen vetëm pesë autorë të përzgjedhur), qenë edhe më të parëndësishëm.
Vetëm një panoramë e gjerë e historikut të çmimit do të ndihmonte për të kuptuar se si kanë funksionuar gjërat. Në fillimet e veta çmimi është bazuar në konceptin gëtean të Weltliteratu (letërsi e përbotshme), koncept që i kishte bazat te filozofë gjermanë para tij, por drejtimet që merrte çmimi janë përcaktuar nga njerëzit në krye të Akademisë. Faza 1901-1012 e shihte çmimin Nobel me optikën e idealizmit konservator ala hegelian, që i kishte të shenjta kishën, shtetin dhe familjen. Kjo prirje, që lidhet me qenien e sekretarit në krye të Akademisë, e çoi vlerësimin te shkrimtarë si Bjorstierne Bjornson, Rudyard Kipling dhe Paul Heyse, duke mbajtur larg shkrimtarë si Tolstoi (i konsideruar si shkrimtar i rëndësishëm, por “antikulturë”), Henrik Ibsen (i konsideruar negativ dhe shpirttrazues), Emile Zola (i konsideruar “cinik”), Henry James (i akuzuar si i turbulluar me motive të papastra – ajo që në fakt na tërheq sot) apo Thomas Hardy (heroina e të cilit konsiderohej imorale), sepse nuk i plotësonin kushtet e mësipërme.   Politika e neutralitetit (e lidhur me Luftën I Botërore) që ndoqi Akademia në këtë periudhë, u dha shans shkrimtarëve nga vende të vogla: si Suedia (Verner von Heidenstam), Danimarka (Karl Gjallerup) dhe Norvegjia (Henrik Pontoppidan). Në vitet ‘20 ndodh kthesa tek ideja e parë, por këtë herë duke i hapur rrugë shkrimtarëve të tillë, të parë si humanistë, si Romain Rolland dhe George Bernard Show, të cilët nuk mund të përfitonin në faza të tjera.    Në vitet ‘30 Akademia përcaktoi kriterin e “dobisë universale”, ku përfituan shkrimtarë si Sinclair Lewis apo Pearl Buck, por mbetën jashtë Paul Valery e Paul Claudel. (Një ide që qarkullon për këtë kohë është edhe: pse Buck e jo Virginia Woolf?!) Në mesin e viteve ‘40 (mbase edhe nga vënia në dyshim e disa vlerave morale mbi të cilat bota mendonte perëndimore se mbështetej deri në Luftën II Botërore) sekretari i ri i Akademisë orientoi evidentimin e “pionierëve”, diçka që po ndodhte në fushën e shkencave. Teoria e dobisë universale u interpretua ndryshe: u kërkua kandidati që e pajiste letërsinë botërore me mundësi të reja në pikëvështrim dhe në gjuhë. Paul Valery nuk e kishte fatin të laureohej, sepse nuk ishte gjallë.
Lista e re fillon me Hermann Hesse, që një dekadë më parë kishte mbetur jashtë me etiketa të llojit “anarki etike” dhe vazhdon me Zhide, Eliot dhe Faulkner. Duhet theksuar se, ndryshe nga Gabriel Garsia Markes më vonë, i brohoritur ndërkombëtarisht si pionier i letërsisë së realizmit magjik, duke qenë një autor shumë i njohur, Faulkner-i u brohorit si një mjeshtër ekselent i prozës moderne kur ishte një autor thuajse i panjohur.
Zbulimi i mjeshtërve, pothuajse të panjohur për publikun ndërkombëtar lidhet edhe me epokën ku evidentohen emra si Isaac Bashevis Singer, Odiseas Elitis, Elias Canetti dhe Jaroslav Seifert.
Poezia shpërthen në periudhën 1990–1996 – Octavio Paz, Dereck Walkot, Seamus Heaney dhe Wislava Szymborska.
Shpërndarja e çmimit nëpër botë, pra ikja nga eurocentrizmi, lidhet me emra si Wole Soyinka, Nadine Gordimer, Kenzaburo Oe, Dereck Walcott, Tony Morrison apo Gao Xingjian.
Kthimi i çmimit si pastërtish letrar shihet viti 1999, kur ai shkoi te gjermani Gunther Grass. Që në vitin 1972, kur u laureua vetë, Heinrih Boell pat thënë: “Pse jo Grass-i?”. Po atëherë Grass-i qe një mjeshtër i vetmuar, qenë shpallur dishepuj të tij të paktën tre nobelistë: Gabriel Garcia Markes, Nadine Gordimer dhe Kenzaburo Oe. Pra, ndërkohë kishte zënë vend mes “pionierëve”.
Direktivën e re për anën letrare të çmimit e shpreh sekretari aktual i Akademisë duke folur për “agimin e një kanoni të ri”. Ai shprehet për dhënien e çmimit si një “ngjarje”, për tërheqjen e vëmendjes së botës për zgjedhjen, duke mbështetur idenë se një libër i madh, pavarësisht gjuhës dhe bekgraundit të tij, i përket lexuesve të të gjithë botës. Letërsia e përbotshme mund të marrë formën e një liste leximesh, duke përmbledhur krenarinë dhe identitetin e çdo vendi. Sidoqoftë, thotë ai, nuk është fjala për një hierarki veprash që japin konvencionin e së përkryerës, por më fort të një hapësire letrare: më fort një paraqitje sesa një traditë të veçantë apo kredo estetike. Diçka që ka ekzistuar në fakt, pavarësisht vërejtjeve të shumta, sepse ka më shumë utopi, sesa përmbushje të qëllimit.
Sidoqoftë, një qëllim ngrihet mbi të tjerët: çmimi Nobel shpalos pushtetin e letërsisë së madhe që thyen kufijtë kombëtarë dhe pushton largësitë në hapësirë, kohë dhe kulturë.
Çmimi që i ka shkuar një autoreje tregimesh si Alice Munro, tregon se ai është ndikuar nga evoluimi i konceptit të letërsisë, dhe se, gjithashtu, do t’ia kthejë forcën e vet ndikuese vetë konceptit të letërsisë, diçka që tregu i lirë e ka penguar me forcë, por, sigurisht, pa ia dalë të thyejë ligjet e zhvillimit të brendshëm të kësaj hapësire të krijimit njerëzor.
Ia vlen të kujtohet ky model edhe për ata shqiptarë që ngrenë në këmbë çmime, edhe për ata të rinj që sapo kanë nisur vrapin në tatëpjetat e letërsisë.

Besimi Lidhja mes inteligjencës dhe besimit fetar

Një studim i ri beson se i ka dhënë përgjigje përfundimisht çështjes së besimit, duke zbuluar se njerëzit e mençur besojnë më pak te Zoti.
Psikologu Miron Zuckerman dhe Jordan Silberman nga universiteti i “Rochester” dhe “Judith Hall of Northeastern” kanë publikuar përmbledhjen e tyre të 63 studimeve të kryera nga viti 1928 deri në vitin 2012.
Ndonëse se studiuesit e pranojnë se zbulimet e tyre nuk janë krejtësisht të reja, ata kërkuan mes të gjithë studimeve të kryera shekullin e fundit dhe vunë re lidhjen mes inteligjencës dhe të qenët fetar.
Ateizmi ishte më i përhapur mes njerëzve të zgjuar.
Duke e përshkruar inteligjencën si aftësinë për të arsyetuar, planifikuar, për të zgjidhur probleme, për mendimin abstrakt dhe idetë e ndërtuara mirë, mësimin e shpejtë dhe përdorimin e eksperiencës, shkencëtarët u shprehën se këto janë cilësitë analitike të inteligjencës që karakterizojnë edhe shumë ateistë.
Nga ana tjetër, besimi fetar përkufizohet si besim tek e mbinatyrshmja, dhurimi i sakrificave te kjo e mbinatyrshme dhe përforcimi i ritualeve që tregojnë më së miri besimin.
Zuckerman, Silberman dhe Hall ekzaminuan studimin e vitit 1921 të kryer nga Levis Terman, një psikolog në Universitetin e Stanfordit.
Në këtë studim, ai rekrutoi 1500 fëmijë me nivel inteligjence 135 kur ishin në moshën 10 vjeç. Këto të dhëna u morën dhe u riekzaminuan nga Robin Sears nga Universiteti i Kolumbisë në vitin 1995 dhe nga Michael Mcullough nga Universiteti i Majamit në vitin 2005.
Përfundimi i përgjithshëm ishte fakti se fëmijët ishin më pak fetarë krahasuar me njerëzit e tjerë në përgjithësi. Sipas studimit të Terman, pavarësisht ateizmit të tyre, 60 për qind e fëmijëve që nuk besojnë, janë rritur në shtëpi strikte fetare.
Studimi i dytë i madh që u analizua nga Zuckerman, Silberman dhe Hall u bazua në kërkimet e “New York College Elementary School” për fëmijët e bekuar me zgjuarsi të madhe.
Të diplomuarit e kësaj shkolle që e kishin nivelin e inteligjencës mbi 140 pikë, u kontaktuan shumë vite më pas kur ishin nga 38 deri në 50 vjeç dhe u zbulua se vetëm 16 për qind e tyre kishin gjetur kënaqësi shpirtërore te feja.
Edhe studimet e kryera nga vende të tjera, si për shembull studimi i Richard Lynn nga Universiteti i Ulster në vitin 2009, pohojnë pikërisht lidhjen e fortë mes ateizmit dhe inteligjencës.
Pavarësisht lidhjes së fortë që është provuar, shkencëtarët e studimit, u shqetësuan për një tjetër arsye: përse ekzistonte kjo lidhje?
Sipas kërkimeve, edhe në vitet e para të jetës, sa më inteligjent të jetë fëmija, aq më shumë mundësi ka të largohet nga përqafimi i fesë, mësimeve fetare dhe besimit tek Zoti.
Një shpjegim për këtë mund të jetë fakti se njerëzit inteligjentë janë më të prirur drejt përballjes dhe rezistencës ndaj dogmave fetare, që kanë si qëllim edukimin e frymës së besimit dhe nënshtrimit ndaj Zotit.
Për më tepër, gjatë studimit u vu re fakti se njerëzit me inteligjencë të lartë, bëheshin edhe më shumë ateistë kur jetonin në komunitete fetare, sepse ata nuk donin të pajtoheshin me shumicën.
Shpjegimi më i përhapur është se njerëzit me inteligjencë të lartë nuk preferojnë të pranojnë asnjë besim që nuk mund të provohet shkencërisht.
Arsyeja tjetër është se inteligjenca dhe merita u jep këtyre njerëzve që janë bekuar me aftësi mendore të lartë, të gjitha kënaqësitë që i jep feja një besimtari.
Studiuesit theksuan se shumica e kërkimeve të analizuara ishin në gjuhën angleze dhe se ishin kryer nga shoqëritë perëndimore.
Është e rëndësishme të përmendet se 87 për qind e njerëzve të përfshirë në studim ishin nga SHBA-ja dhe Kanadaja, duke e bërë kështu kërkimin më tepër të lidhur me fenë protestante dhe më pak me atë katolike ose judaike.
Histori
Njerëzit e parë që e përcaktuan veten si ateistë jetuan në shekullin e 18. Fjala ateist ose ateizëm e ka prejardhjen nga greqishtja dhe nënkupton “pa Zot”, pra një njeri që është skeptik dhe kritik ndaj besimit te Zoti.
Ateistët përbëjnë 2.3 për qind të së gjithë popullsisë së botës, ndërsa 11.9 për qind e njerëzve janë pa fe.
Sipas të dhënave, shumica e ateistëve jetojnë në shoqëritë perëndimore. Në SHBA, 4 për qind e shoqërisë është ateiste, në Spanjë 11 për qind, në Britaninë e Madhe 17 për qind, në Gjermani 20 për qind dhe në Francë 32 për qind.

Detaj
Disa nga ateistët më të njohur
Woody Allen, Ingmar Bergman, James Cameron, Bruce Lee, John Malkovich, Keanu Reeves, Julianne Moore, Daniel Radcliffe, Hugh Laurie (Dr. House), Jodie Foster, Javier Bardem, Fidel Castro, Bill Gates, Albert Einstein, Stephen Hawking, Ernest Hemingway, Vincent van Gogh, John Lennon, Arthur Miller, Claude Monet, Rafael Nadal, Jack Nicholson, Simone de Beauvoir, Johannes Brahms, André Breton, Mark Zuckerberg, Richard Strauss, Sigmund Freud, Epikuri dhe Demokriti

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...