2015-04-26

Homomofobia tek shqiptaret-frika ose urrejtja ndaj Homoseksualitetit


Homofobia është frika ose urrejtja ndaj homoseksualitetit dhe njerëzve homoseksualë. Ndryshe nga agorafobia (frika abnormale ndaj qëndrimit në vendet e hapura ose publike) dhe disa fobi të tjera, homofobia nuk është term psikiatrik, dmth. diçka si homofobia klinike nuk haset në terminologjinë psikiatrike.

Fjala homofobi nganjëherë përdoret për ta përshkruar dikënd që nuk e përfillë sjelljen homoseksuale. Përdorimi i këtillë i termi është konsideruar si jo i drejtë nga shumë njerëz që mendojnë se ekzistojnë aryset logjike për ta kundërshtuar homoseksualitetin.

Etimologjia

Fjala homofobi është neologjizëm të cilën për herë të parë e përdori psikologu George Weinberg në librin e tij, Shoqëria dhe homoseksuali i shëndoshë (Society and the Healthy Homosexual), të botuar në vitin 1972. Ky term përbëhet prej dy fjalëve me origjinë greke: homo që do të thotë "njëjtë" dhe fobia "frikë". Pararendëse e këtijj termi është homoerotofobia, të cilin për herë të parë e përdori në librin e tij, Sjellja homoseksuale në mesin e meshkujve (Homosexual Behavior Among Males), 1967, e përdori Dr. Wainëright.

Përdorimi i termit

Termi homofobia nënkupton urrejtjen dhe frikën joracionale ndaj njerëzve homoseksualë dhe ndaj vetë homoseksualiteti. Disa njerëz, posaçërisht promovuesit e të drejtave të gejëve, e përdorin këtë term për ta përshkruar cilindo lloj të mospranimit të homoseksualitetit, qoftë haptazi ose në mënyrë indirekte, me vëtëdije ose pa vetëdije, kryesisht në mënyra të paarsyeshme ose parimisht. Këta aktivistë dhe përkrahës nuk bëjnë kurrëfarë dallimi në mes të dy formave të përdorimit dhe çfarëdo kundërshtimi të homoseksualitetit e konsiderojnë si të paarsyeshëm dhe joracional. Për shembull, në esenë e tij, Scott Bidstrup shprehet:

"Frika evidente ndaj homoseksualëve e brinjon mënyrën sesi kultura jonë e trajton seksin, seksualitetin, relacionet me të huajt, bashkëpunëtorët dhe të tjerët, pastaj qëndrimet ndaj çështjeve publike shëndetësore dhe të mundësive të pathëna që religjionistët e paskrupulltë i ofrojnë përmes thirrjes për paragjykim e që në fund ta quajnë religjion" (1)

Të tjerët besojnë se ka mundësi të ketë arsye të logjikshme për mospranim, mirëpo arsyet e tyre janë të paqarta dhe të pazakonshme. Për shembull, Nicolas Berggren shprehet në një forum të pavarur homoseksual:

"Rëndomë, nuk është rasti që baza e qëndrimeve negative ndaj homoseksualitetit, te personat homofobë, të jetë spjegim racional ose argumentim intelektual. Orvatjet e tilla, në mënyrë të vazhdueshme, janë shtuar pastaj, për t’i dhënë homofobisë tingëllim më të bukur ose më të respektueshëm. Sido që të jetë, përpjekjet e tilla, për ta argumentuar intelektualisht homoseksualitetin, janë humbje absolute”. (2)

Në kuptimin e dytë, mund të thuhet se përdorimi i termit homofobia është i vetëkundërshtueshëm, pasiqë, një fobi nuk ka motive racionale.
Njerëzit që quhen homofobë po ashtu në kuptimin e dytë, pa përjashtim, nuk e pranojnë këtë emërtim. Ata besojnë se kanë arsye të forta morale dhe racionale për ta kundërshtuar homoseksualitetin.

Disa aktivistë e quajnë homofobinë edhe si straight supremacism (superioriteti heteroseksual ndaj njerëzve që preferojnë forma të tjera të seksit) duke e barazuar atë me supermacizmin e bardhë (superioriteti i të bardhëve kundrejt racave të tjera).
Grupet antigejë e shohin këtë si orvatje për t’i quajtur të parëndësishëm personat që e nuk e pranojnë homoseksualitetin.

Pasojat e homofobisë

Ndër pasojat e homofobisë numërohen: homofobia e internalizuar, dhuna dhe diskriminimi.

Homofobia e internalizuar

Homofobia e drejtuar ndaj vetvetes quhet homofobia e internalizuar ose homofobia egodistonike. Ajo mund të ketë për pasojë vuajtjen ose depresionin gjatë tërë jetës, vlerësimin e ulët të vevetes dhe zhvillimet e pakta të aktiviteteve të dashurisë dhe të atyre seksuale. Disa psikologë dhe psikiatra mendojnë se për shkaqe të tilla dukuria e vetëvrasjes në mesin e të rinjëve gejë është shumë më e lartë se te tinejxherët jo gejë. Të tjerët besojnë se incidenca e tillë është për shkak të akteve të ndryshme të dhunës ndaj homoseksualëve.

Homoseksualët me homofobi të internalizuar mund t’i diskriminojnë ose të jenë të dhunshëm ndaj vetë homoseksualëve të tjerë në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtën masë si të gjithë njerëzit tjetër homofobë jo homoseksualë.

Disa homoseksualë me homofobi të internalizuar mund ta ndrydhin homoseksualitetin e tyre dhe të mos jenë në tërësi të vetëdijshëm për këtë. Të tjerët, pretendojnë se shumica e homofobëve janë homoseksualë të vetëndrydhur.

Rastet më ekstreme të homofobisë raportohen kur personi homoseksual vritet për asnjë arsye tjetër përveç homofobisë. Në disa prej këtyre rasteve, të pandehurit pohojnë se veprimet e tyre kanë qenë për shkak të panikut momental sepse kanë besuar se viktima “ka dashur t’i sulmojë”. Në përgjithësi, kjo dukuri në komunitetin gej referohet si “mbrojtja panike ndaj gejit”.

Format më të shpeshta në të cilat manifestohet homofobia është diskriminimi i homoseksualëve i shprehur në forma të ndryshme.

Sot, si shembull i ndjenjave aktuale të shoqërive ndaj homoseksualitetit janë të ilustruara edhe me “daljen haptazi” të karakterit Tinky Winky si homoseksual në serinë për fëmijë Teletubbies.

Shkaqet e homofobisë

Shkaqet e homofobisë në shoqëri janë diskutuar gjerësisht. Besimet dhe qëndrimet homofobe mund të mbahen nga njerëzit, pavarësisht nga orientimi i tyre seksual. Teoria psikoanalitike e mbështet faktin përmes një eksperimenti gjatë të cilit meshkujt homofobë kanë shfaqur shenja të eksitimit seksual kur kanë shikuar skena të seksit homoseksual, gjersa grupi i meshkujve johomofobë nuk kanë shfaqur shenja të tilla.

Disa grupe ose individë nuk pajtohen me homoseksualitetin ose në mënyrë aktive e kundërshtojnë atë për shkak të parimeve religjiozë që i mbajnë. Këta mbrojtës parimorë, pa përjashtim, e dënojnë dhunën ndaj homoseksualëve, mirëpo, e ndryshojnë mendimin kur vehet në pyetje statusi legal i homoseksualëve. Disa njerëz besojnë se këto qasje e nxisin homofobinë.


Kundërshtimi i homofobisë

Për ta luftuar homofobinë, komunitetet lezbike, gejë, biseksuale dhe ato transgjinore (LGBT) zhvillojnë ngjarje të ndryshme siç janë paradat dhe aktivitetet e shumëllojshme politike. Shumë organizata dhe sekte religjioze i përkrahin të drejtat e gejëve dhe janë kundër homofobisë.
Shumë ligje janë krijuar për t’iu kundërvënë homofobisë.
Ndryshimet e ligjeve shpesh bëhen për shkak të reagimeve dhe aktiviteteve të lëvizjeve të gejëve.

Transfobia është e njëta formë e frikës dhe e urrejtjes sikurse edhe homofobia por e mbajtur dhe e shprehur ndaj njerëzve transgjinorë.

Ksenofobia është frika e madhe ose urrejtja ndaj çdo gjëje që nuk është e rëndomtë ose është e huaj.

Lediona Braho : A është shtuar ksenofobia në Gjermani?


Pas 9 vitesh në krye të shtetit, shumë analistë politikë në Berlin janë mërzitur dhe zemëruar me Angela Merkel. Ata e akuzojnë lideren e kombit më të madh të Europës, për triangulim të vazhdueshëm dhe për një mungesë të një lidershipi të fortë. “Angela Ngurruesja” është njëra nga nofkat më miqësore që përdoren për të. Ose të paktën, që janë përdorur.

Imagjinoni efektin-surprizë, kur kancelaria gjermane përdori fjalimin e saj vjetor në televizion, me rastin e Vitit të Ri, për të denoncuar rritjen e një vale demonstratash kundër të huajve në vend. Ajo nuk e përmendi lëvizjen “Pegida”, akronimin gjerman për “europianët patriotë kundër islamizimit të Perëndimit”, por kushdo e dinte se kujt i referohej zonja Merkel. Pas masakrës në Paris, ajo u bashkua me kauzën dhe ndoqi një protestë të organizuar nga grupi i myslimanëve gjermanë mbi Urën Brandenburg në Berlin. “Jam kancelaria e të gjithë gjermanëve. Islami është pjesë e Gjermanisë”, tha ajo.

Marrja e një risku

Sido që të tingëllojnë deklaratat e lideres konservatore, padyshim që zonja Merkel po ndërmerr një risk elektoral. Tradicionalisht, Unioni i saj Kristian-Demokrat (CDU) dhe veçanërisht, simotra bavareze, Unioni Kristian-Social (CSU), janë përpjekur fort që të mos lejojnë krijimin e një partie të djathtë. Ndaj, kur marshimet paqësore të “Pegida”-s nisën në fillim të vjeshtës që shkoi, shumë politikanë konservatorë e vunë theksin te rëndësia e dialogut dhe shprehën vullnetin e tyre për të kuptuar shkaqet e fshehura pas frikërave të protestuesve.



(Presidenti gjerman, Joachim Gauck dhe Kancelarja, Angela Merkel)

Para së gjithash, Alternativa Euroskeptike për Gjermaninë (Eurosceptic Alternative fur Deutschland - AfD), që ndodhet në grup me Konservatorët Britanikë në Parlamentin Europian, për inatin e zonjës Merkel, së fundimi, ka shënjestruar votuesit tradicionalisht konservatorë, jo vetëm në ish-lindjen komuniste në vend. Tashmë, kanë nisur bisedimet midis AfD dhe “Pegida”-s. Një sondazh nga “YouGov” para Krishtlindjeve, gjeti se një e treta e gjermanëve ishte dakord me disa nga pikat e “Pegida”-s, veçanërisht me skepticizmin ndaj emigrimit të myslimanvë. Disa vëzhgues ngrenë shqetësim se zonja Merkel mund mund ta ketë ngritur profilin e “Pegida”-s, duke nxitur pikëpamjet e tyre ksenofobike. Është e qartë se kancelarja, shumë e vetëdijshme se Gjermania po shihet me kujdes në të gjithë Europën, ka menduar ndryshe.



(Demonstrues anti-Pegida)

Çfarë saktësisht është “Pegida”?

Grupi u themelua në Dresden, aty ku një grupi i vogël prej disa qindra njerëzish është rritur me efektin e ortekut të dëborës, në një numër prej 25 mijë njerëzish. Përpjekja e gjermanëve për të imituar suksesin e lëvizjes, si Bargida (Berlin), Kogida (Kolonje) ose Legida (Lajpcig), mjerisht ka dështuar – pasi, këto të fundit, kurrë nuk kanë pasur më tepër se disa qindra njerëz. Më tepër se 100 mijë njerëz, në mjaft qytete, në Lindje e Perëndim, demonstruan për një Gjermani ndryshe, tolerante, me një qasje bujare ndaj refugjatëve (vitin e shkuar, vetëm nga Siria, erdhën 200 mijë refugjatë).

Strehimi i azilkërkuesve, shpesh, menaxhohet keq dhe përbën një pengesë të madhe për disa komunitete, pasi të parët priren të vendosen në pjesët më të varfra të një qyteti apo fshati. Sipas studimit nga Universiteti Teknik në Dresden, qëndrimi i marshuesve të “Pegida”-s, shkon përtej armiqësisë ndaj emigrantëve dhe problemeve të azilit. As një e katërta e 400 pjesëmarrësve të pyetur, për një nga tre demonstratat e fundit, nuk deklaroi se shqetësohej për islamin. Mirëpo, shumica e tyre, shprehën një zhgënjim të përgjithshëm me politikën dhe median.

Krenaria lokale 

Shumë gjermanë janë krenarë për vendlindjen e tyre, dialektet kultivohen nga të gjitha kategoritë e shoqërisë dhe shakatë për “vendin më të bukur në botë” duket thuajse e pashmangshme kur takohen dy njerëz nga rajone të ndryshme. Ashtu si banorët e Hamburgut, Kolonjës ose Mynihut, edhe ata të Drezdenit shprehin një krenari të jashtëzkaonishme lokale – askund tjetër nuk mund të jetohet më mirë sesa në qytetin e tyre. Shumë drezdenas janë të bindur për veçantësinë e qytetit të tyre – ka arsye historike për këtë. Qindra vjet më parë, krenaria në Dresden ishte simbolikë e vendosmërisë së qytetarëve për të ruajtur traditat dhe vlerat e tyre. Qyteti karakterizohej nga një garë mes dy palëve – protestantëve dhe katolikëve – se cila prej tyre do të ndërtonte godinën më të bukur në qytet.

Kisha protestante, e cila përfundoi në 1743-shin, jo vetëm që u bë një model i arkitekturës baroke, por edhe një simbol i autonomisë së Drezdenit. Ndaj, dy ditë pas bombardimeve britanike në 13 shkurt 1945, rrënojat e saj u bënë simbol për një lloj të veçantë krenarie dhe fokusi i demonstratave paqësore, që nuk ishin vënë nën kontrollin e udhëheqësve komunistë. Kjo kulmoi me rindëtimin e saj, me mbështjen e financuesve privatë, edhe nga Britania dhe ShBA-ja.



(Bombardimi i Drezdenit)

Rindërtimi i Drezdenit kërkoi përpjekje të mëdha. Në fakt, shumë britanikë iu kushtuan rindërtimit të qytetit pas luftës. Në muajt e fundit të luftës, propaganda e Hitlerit për të frymëzuar një mbrojtjeje edhe më të paepur ndaj forcave pushtuese, veçanërisht nga Rusia Sovjetike, u bë më e fortë. Sipas ekspertëve policorë në Drezden, numri i të vdekurve gjatë luftës ishte 25 mijë. Të rënët në luftë janë kthyer në një figurë totemike dhe asnjë mendim eksperti nuk mund ta nënvlerësojnë vendin unik të qytetit në historinë gjermane. Pak flitet për Drezdenin si një pjesë integrale e makinës së luftës naziste. Dhe çifutët e Drezdenit kanë vuajtur po aq sa ata në vende të tjera të Rajhut.

Racizmi dhe dhuna

Që prej ribashkimit, të huajt kanë rënë pre e gjuetisë dhe vrasjeve nga banditët neo-nazistë, huliganët e klubit lokal të futbollit janë famëkeqë për dhunën e tyre. Kur një racist gjerman goditi me thikë për vdekje një shkencëtare egjiptiane në gjykatën e Drezdenit në 20090n, policia, si fillim nuk u vu në ndjekje të tij. Në fakt, ata qëlluan dhe plagosën bashkëshortin me ngjyrë të viktimës, i cili ishte përpjekur ta shpëtonte. Nuk mund të përgjithsësohet nga krimet e tmerrshme të individëve tek qëndrimi i një qytetit të tërë. Por duhet thënë se ajo që ka rëndësi për shumë banor ë të Drezdenit, të paktën, për ata që marshojnë me “Pegida”-n, është statusi i “qytetit të tyre të bukur”, si një viktimë, jo si një dhunues.
Kur një komision me historianë të respektuar, bënë një paraqitje të viktimave të luftës, në 2007-n, dhe thanë se numri i tyre isthe 25 mijë plus ose minus 20%, shumë drezdenas refuzuan ta pranonin rezultatin. Mohimi i këtyre fakteve nuk është një ngjashmëri e rastësishme me mënyrën sesi përfaqësuesit e Pegida-s nënvlerësojnë statistikat e të huajve ose myslimanëve që jetojnë në Gjermani. Fill pas rënies së Murit, përkujtimi i ngjarjeve të tmerrshme të shkurtit të 1945-s u mor përsipër nga neo-nazistët. Me durim dhe pa u lëkundur, shoqëria civile e Drezdenit, rifitoi “datën” e tyre, si simbol për paqe dhe pajtim.  Për t’u përballur me “Pegida”-n dhe dëmin që ajo i shkakton reputacionit të qytetit të bukur, shumica duhet të menaxhojë një kthesë të ngjashme. Organizatat që ndihmojnë të huajt, tashmë raportojnë një rritje në numrin e vullnetarëve – njerëzve që duan ta ndjekin thirrjen e kancelares për ndihmë. 

"A është ksenofobia një sëmundje psikike?"



Në vitin 1901, Anatol Frans, në një nga romanet e tij përdori për herë të parë shprehjen "ksenofobi", nga greqishtja "frikë nga të huajt", që pasohet me frikën ndaj çdo njeriu, ndaj të afermit, ndaj vetes, një frikë jo nga ato me të cilat njeriu lind, si frika ndaj rënies apo frikë ndaj zhurmës, por frikë e mësuar apo e detyruar nga rrethanat a mjedisi shoqëror. Më 1906, "ksenofobi" u përfshi në fjalorin frengjisht, më 1912 në atë anglisht dhe pastaj në shumicën e gjuhëve të botës, përfshi edhe në fjalorin e mjekësisë kur ekspertët arritën në përfundimin se "ksenofobia" është një sëmundje psikike. Pra "ksenofobia" është një fjalë që gjuhetarët e quajnë ndërkombtarizëm, ose fjalë e pranuar nga shumica e gjuhëve, pavarësisht burimit. Për 50 vjet frika ndaj të huajve ishte si një virus që kishte prekur mendësinë e udhëheqjes komuniste, virus jo pa pasoja që vihen re edhe sot. Kundershtimi për të ndryshuar, mospranimi i ideve të reja, thuhet se janë vetëm disa nga pasojat e ksenofobisë. Si kundërvënënjë ndaj zakoneve më të mira të traditës, si mikpritja, respekti ndaj fqinjit, e ndaj tjetrit, qoftë ky mik apo i huaj a i panjohur,komunistët shqiptarë e përdorën ksenofobinë për të ruajtur pushtetin, duke e izoluar popullin dhe vendin nga bota. Kjo etje i verboi ata, duke i bëre të mos mendonin rreth një efekti tjetër të kësaj sjelljeje; dobësimit ose humbjes së kujtesës që shkakton mbyllja e izolimi, të asaj kujtese historike që tregon se shpëtimi në rastet më vendimtare shqiptarëve u ka ardhur nga jashtë, dhe e keqja a dëmi në shumë e rasteve, nga brenda.

****


Valentin Bruçaj: Mungesa e ksenofobisë një pasojë e rrizikshme e multikulturalizmit shqiptar




Valentin Bruçaj

Ksenofobia eshte reagimi kryesor dhe natyral tek ç’do grup human qe ndihet i kercenuar per identitetin dhe kulturen e tij. Tek nje komb rritet ksenofobia atehere kur fillojne te rriten kercenimet. Aty ku ksenofobia eshte ne nivele te ulta, njerzit jetojne ne nje shoqeri te paster etnike dhe mbi te gjitha kane te gjithe te njejten kulture. Ne Europe, jane zhvilluar disa luftera mes kombeve por ksenofobia mes popujve ka qene ne nivele te ulta, kjo ka ardhur fale te njejtes kulture. Ka qene kultura e perbashket qe ka triumfuar mbi diferencat etnike dhe pretendimet territoriale. Sepse popujt nuk jane produkt i races por jane produkt i kultures. Jane kulturat qe diferencojne nje popull nga nje popull tjeter dhe jo perkatesite etnike. Nese kjo eshte e vertete, siç eshte e vertete, ateher shqiptaret çfare jane? Fatkeqesisht shqiptaret jane produkt i shume kulturave, per kete arsye shqiptaret nuk ndihen te kercenuar pamvarsisht nga kambanat alarmuese qe vine nga shume drejtime, o ndihen te kercenuar vetem nje pjese e tyre.


Ne Europe nuk ekzistojne qeveri ksenofobe, por ekzistojne popuj qe detyrojne qeverite e tyre te jene ksenofobe. Nderkohe qe europjanet jane shnderruar ne ksenofob per te mbrojtur kulturen e tyre nga flukset e emigrateve islamik, shqiptaret kundrejt kercenimeve te hapura greke bejne sehir sikur nuk ka ndodhur asgje. Populli shqiptare nuk ben presion tek politika per pretendimet e hapura te Greqise ndaj territoreve shqiptare. Jo se shqiptaret nuk jane te shqetesuar nga keto kercenime, problemi eshte se edhe ata qe Greqine me te drejte e shikojne si nje kercenim real, jane me te shqetesuar qe ne vend te Greqise nuk eshte Turqia qe te perfitonte ndonje cope nga Shqiperia, se sa te prokupohen me te vertete per Shqiperine. Shume shqiptare do te ishin te gatshem qe t’ia falin vendin Turqise nese kjo gje do te demtonte Greqine. Fati ka dashur qe nuk kufizohemi me Turqine, ashtu siç ka dashur qe mos te jemi ne ata qe zgjedhim fqinjet dhe te afermit. Kjo teori shprehet me shume nga nje pjese e popullsise shqiptare qe jetojne ne Kosove dhe Maqedoni se sa nga ajo qe jeton ne Shqiperi. Rasti i Prizrenit pak kohe me pare ku shqiptaret viheshin ne gare per t’u deklaruar turq, eshte nje deshmi reale. Eshte ky motivi qe shqiptaret deri tani nuk kane ndier te nevojshme te protestojne kunder rreziqeve te mundeshme. Produkti shumekultural ka zene hapur vendin races shqiptare.

Per te bere me te qarte kete filozofi le te marrim nje shembull konkret, pretendimet e Turqise qe shqiptaret e Kosoves te rishikojne opinionet e tyre ndaj Perandorise Osmane. Natyrisht qe ndaj kesaj kerkese pati shume polemika dhe pjesa e shendoshe e opinionit publik u irritua. Por pati edhe shume shqiptare te tjere qe kete kerkese e priten me entuziazem. Bashkesia Islame e Kosoves kishte kohe qe e priste dhe doli publikisht ne favor te pretendimeve turke. Se bashku me BIK-un ne favor te kesaj kerkese dolen edhe te gjithe ata shqiptare qe jane praktikant te besimit islam, duke vene fene e perbashket me Turqine mbi intresat e rraces shqiptare. Eshte kjo prova se shqiptaret musliman jane produkt e besimit te tyre dhe jo produkt i races shqiptare.

Per t’u mbrojtur nga rreziku islamik, popujt europian politikisht jane spostuar te gjithe djathtas tek ato forca politike qe teorikisht u garantojne mbrojtje nga “invazoret”. Sepse hapesira europjane, qe eshte e vogel, e mbushur, e dendur, dhe e ngarkuar me histori, nuk duron dot me dyndje aq te medha njerzish, pamvarsisht nga kushtetutat e tyre demokratike dhe niveli i larte i jeteses, ku mes te tjerash nuk mund te qendroje i pakercenuar nga agresionet e mundeshme. Europa dhe qytetaret e saj qe jane aq delikat ne problemet kunder racizmit dhe ndaj disa idealeve, jene gjetur papritmas te bejne rolin e ksenofobit.

Ne Shqiperi, mungojne te gjitha kushtet per vetembrojtje. Askush nuk prokupohet nga kercenimet e ndryshme, as populli dhe as politika. Nese ne Europe kemi dy rryma te mirefillta politike qe per shume probleme ndajne te njejten politike dhe per shume te tjera jane ne kundrapozicion, ne vendin tone nuk ka asgje qe mund te identofikoje njerin krah politik nga tjeteri. Partia Socialiste qe nga emri do te duhej te ishte nje force politike me afer njerezve ne nevoj dhe klases puntore, ne ralitet eshte nje force ekstremisht e djathte. Gjate 20 viteve te fundit, qe nga shkeputja me te kaluaren e PPSH-se, ka mbrojtur vetem interesat e bisnesmeneve, bile gjate drejtimit te Fatos Nanos, ishin keta te fundit(bisnesmenet) qe moren ne dore drejtimin e partise. Ndersa nga ana tjeter Partia Demokratike qe nga emri perben nje perjashtim - kur kemi parasyshe se ne boten perendimore partite demokartike jane te spekrit te majte – si nje force e djathte duhej te ishte nje parti ekstremisht patriotike, ne ralitet eshte forca me antipatritioke e vendit dhe kete e dimostrojne faktet. Futja e Shqiperise ne Konferencen Islamike dhe marreveshja e fshehte me Greqine per rivendosjen e kufirit detar, nuk mund te konsiderohen veprime patriotike te nje force te djathte.

Mungesa e nje force te djathte patriotike vjen si rrjedhoje e mungeses se patriotizmit tek elektorati dhe anasjelltas. Fakti se ne Shqiperi nuk kemi nje force qe do t’i premtoje popullit ate qe i premtojne forcat e djathta europjane, do te thote se populli nuk ndien nevojen e ketyre premtive, populli nuk percepton asnje rrezik. Motivi qe populli nuk percepton asnje rrezik shpjegohet me ate qe permenda me lart, multikulturalizmin i shqiptareve. Ne te gjitha vendet europiane gjejme parti te spektrit te djathte ekstrem dhe ksenofob, qe me nje politike ekstremisht patriotike dalin ne mbrojtje te kultures dhe vlerave te vendeve te tyre duke identifikuar te gjitha kercenimet e mundeshme dhe duke detyruar forcat me progresiste qe te marrin masat e duhura. Edhe Shqiperia do te kishte nevoje per nje force analoge, qe te dalin ne mbrojtje te interesave te shqiptareve. Nje force qe te demaskonte te gjitha perpjekjet antishqiptare, pamvarsisht se nga cili vend vine ato. Nga ana tjeter do te ishte nje fakt pozitiv edhe per demokracine shqiptare qe eshte duke shkuar drejt nje bipartitizmi shume te ashper. Nje force politike qe do t’u ofronte shqiptareve diçka te ndryshme nga binomi PD-PS nga dyshja Berisha-Rama. Ndoshta nje parti mbare kombetare te tipi Vetevendosja ose Aleanca Kuq e Zi.

Mungesa e ksenofobise ne shoqerine shqiptare vjen si pasoje e ndikimeve te multikulturalizmit ne kete shoqeri. Kjo mungese nuk duhet konsideruar nje virtyt por nje fenomen i rrezikshem indiference ndaj kombit dhe interesave te tij. Deri kur tek shqiptaret do te vazhdoje te mbizotroje multikulturalizmi, interesat e shqiptareve nuk do te jene kombi dhe interesat e tij por kultura e imponuar nga pushtuesi i radhes.

Sa e përhapur është ksenofobia?


Arkiv
Amnesty International ka thënë se është tepër e alarmuar nga ajo që organizata e quajti "klimë diskriminimi " në Itali.
Organizata thotë se masat e reja të imigrimit ishin një rrymë shqetësuese.

Sipas masave të reja, imigrimi i paligjshëm do të jetë i dënueshëm me 4 vjet burgim, do të jetë më lehtë për të dëbuar imigrantët ilegalë dhe se do të ketë dënim me tre vjet burg kur fëmijët përdoren për të lypur para.

Kjo lëvizje vjen në kohën kur marrëdhëniet midis komunitetit vendas dhe imigrantëve, jo vetëm në Itali, por edhe në disa vende të tjera të botës janë shfaqur veprime të dhunshme.

Në Afrikën e Jugut psh po flitet për gjendje të jashtëzakonshme pasi dhjetra afrikanë të ardhur nga vende të tjera janë vrarë pas dhunës që shpërtheu në Johanesburg dhe përtej kryeqytetit.

Ne do të diskutojmë për këtë çështje në rubrikën Forum të BBC. Ne do të donim që edhe ju të ishit pjesë e emisonit.

A keni ndeshur raste të ksenofobisë dhe racizmit në vendet ku jetoni dhe punoni? Pse ndodhin këto gjëra sipas jush? Çfarë mund të bëhet? Si mund të përshkruani situatën në vendet ku jetoni?

Na shkruani !

Pjesë nga disa komente

Herolinda Murati nga Gjilani na shkruan: "Në rrethin ku jetoj, ne jemi një gjeneratë më e re, gjeneratë e trajnimeve e aksioneve e ligjëratave se të gjithë njerëzit janë të barabartë dhe është e vërtete kjo! Mendoj që shpëtimi nga kjo situatë është sikurse me ka ndodhur edhe mua - që prej fëmijërisë e kam mësuar se të gjithë jemi të barabartë dhe tani veprimet e mia që do të bëjë do të jenë gjithmonë të bazuara mbi parime të drejtësisë! Mbes me shpresë se ksenofobia do të vijë duke u ulur e kjo arrihet "duke mos vënë kufij!"

Leonart Nazarko nga Detroit në SHBA shkruan: "Ksenofobia ose racizmi është një nga fenomenet që po çon botën drejt degradimit global. Ksenofobia ndihet në çdo hap të jetës anembanë globit. Padrinot e ksenofobisë janë klasat e larta. Shkatërrimi i botës po vjen si rezultat i dallimeve midis klasave të shoqërisë, shtresave, bindjeve politike, fetaredhe të ardhurave ekonomike."

Një dëgjues nga Belgjika na shkruan: "Ksenofobia si fenomen i keq i shoqërisë takohet kudo, pavarësisht se ku më pak e ku më shumë. Mediat bëjnë një punë jo të kënaqshme e shpesh herë nxitëse ndaj kësaj të keqje. Grupet e partitë me prirje ksenofobie nuk duhet të jenë objekt i trajtimit mediatik, por vetëm i organeve të drejtësisë. "

PERSPEKTIVAT NDËRKULTURORE DHE ÇËSHTJET KONTRAVERSE


Dikur ksenofobia është përshkruar si frikë morbide nga të huajt dhe nga shtetet e jashtme, por ajo gjithashtu karakterizohet nga qëndrimet, paragjykimet dhe sjelljet, të cilat shpesh refuzojnë, përjashtojnë dhe nënçmojnë personat, duke u bazuar në pikëpamjen se ata janë të ardhur ose janë të huaj për komunitetin, shoqërinë dhe identitetin kombëtar. Me fjalë të tjera, ajo është një ndjenjë e bazuar në pikëpamje dhe ide joracionale, të cilat shpiejnë drejt skenareve thjesht të mira ose të këqija.



Edhe pse dallimi mes racizmit dhe ksenofobisë mund të jetë i rëndësishëm për fushën juridike dhe akademike, ndikimi i sjelljeve dhe veprimeve raciste dhe ksenofobike në viktima janë gjithëherë të njëjta. Ajo ua rrëmben njerëzve potencialin dhe mundësitë për plotësimin e planeve dhe ëndrrave të tyre, dëmton seriozisht vetëbesimin dhe vlerësimin e tyre për veten, kurse në miliona raste kjo u ka kushtuar njerëzve edhe me jetët e tyre. Në veçanti, një ndikim shkatërrues i racizmit dhe diskriminimit racor mund të vërehet te fëmijët, sepse duke qenë dëshmitarë të racizmit, në mesin e tyre shaktohen ndjenja të forta të frikës dhe konfuzionit.



Gjatë Panelit Diskutues të OKB në New York, ku u diskutua lidhur me ndikimin e racizmit te fëmijët, një grua nga Çikago i tha audiencës se ajo përjetoi racizmin për herë të parë qysh në momentin kur kishte lindur, pasi që një motër medicinale në spital refuzoi që në lindjen e saj të vështirë të asistojë nënën e saj, sepse ajo për dallim nga motra medicinale vinte nga pjesa tjetër e vendit. Kur ajo u rrit, shpejt mësoi se prejardhja e saj, pra fisi nga vinte, gjuha që fliste dhe regjioni ku jetonte, influencuan çdo ngjarje që i ka ndodhur në jetën e saj, gjë që e kanë bërë atë qysh nga fëmijëria dhe më pas të ndihet e pavlefshme, e pasigurt dhe e paaftë.

Jotoleranca dhe Paragjykimet e Ngjashme

Jotoleranca: Universiteti Penn State (The Penn State University) në rregulloren e tij deklaron se jotoleranca është “një qëndrim, ndjenjë ose besim përmes së cilit një individ tregon përbuzje për indivdët ose grupin tjetër, duke u bazuar në karakteristika siç janë, raca, ngjyra origjina kombëtare, gjinia, orinetimi seksual ose besimet politike dhe fetare”.



Paragjykimi: Definicioni klasik i paragjykimit, është ai të cilin e ka dhënë i famshmi psikolog, Gordon Allport, i cili thekson se “paragjykimi është një antipati e bazuar në përgjithësime të gabuara dhe jofleksibile; mund të ndihet dhe shprehet; mund të drejtohet ndaj një grupi ose ndaj një individi të atij grupi.”



Të dy këto shprehje mund të jenë shumë lehtë motivim për çfarëdo veprimtarie diskriminuese. Thënë në përgjithësi, jotoleranca dhe paragjykimi shpesh shihen si baza dhe pika fillestare të sjelljeve të tjera “specifike”, siç janë racizmi dhe ksenofobia.



Nocioni i paragjykimit etnik është zhvilluar vonë, duke përshkruar antipatinë e bazuar në pretendimin e supremacisë kulturore të një grupi ndaj grupit tjetër. Për shembull, në kontekstin evropian, kjo është e shprehur në paragjykimet antiturke, antipolake ose antiruse. Meqenëse zakonisht sulmohen tiparet kulturore/fetare (qoftë të vërteta ose të imagjinuara) të një grupi, mund të shihen disa ngjashmëri me të kuptuarit e vonshëm të racizmit si “racizëm kulturor”. Zakonisht këto dy fenomene, paragjykimi dhe jotoleranca janë më të vështirat për t’u trajtuar dhe luftuar.

Në njërën anë ato përshkruajnë karakteristikat personale, të cilat përbëjnë një qenie njerëzore dhe në këtë mënyrë depërtojnë thellë në sferën private. Edhe nëse opinionet personale janë të ndryshueshme (përmes arsimimit, ngritjes së vetëdijes dhe dialogut), njeriu duhet të jetë i kujdesshmë që ta kuptojë se ku përfundon edukimi dhe kur fillon indoktrinimi.

Në anën tjetër është me rëndësi të dihet se ku duhet të “tërhiqet kufiri” mes tolerancës dhe jotolerancës, duke menduar se kur dhe për çka jemi të “lejuar” me qenë jotolerant ose sa larg duhet shkuar me tolerancë? Nuk duhen harruar vështirësitë me shprehjen “tolerancë”, pasi që ajo tregon ndjenjën e gabueshme të superioritetit në tolerimin e ekzistimit të tjerëve, por në të vërtetë nuk tregon mirëseardhjen ose respektimin e tyre.

* Kush mund të vendosë për këtë?

* A është krijuar ende ndonjë normë ose standard, i cili bën dallimin mes tolerancës dhe jotolerancës dhe nëse jo, a është e mundur të krijohet?

* A ekzistojnë dallime rajonale ose kulturore në pikëpamjen e këtyre normave?



Kufizimet dhe standardet e zhvilluara në kuadër të së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut mund të përbëjnë një minimum të tillë, nën të cilin minimum ndodhen shoqëritë dhe pjesëtarët e tyre që i nënshtrohen jotolerancës dhe shkeljeve të të drejtave të tyre. Ekziston një pajtim i përgjithshëm lidhur me atë se racistët nuk lindin si të tillë, por zhvillohen, prandaj shkaku kryesor i racizmit është injorimi. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, më 21 mars 1999, në rastin e festimit të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Diskriminimit Racor, tha: “injoranca dhe paragjykimi janë krijuesit e propagandës . . . Prandaj, misioni ynë është që të konfrontojmë injorancën me dije, ngurtësinë me tolerancë dhe izolimin duke zgjatur dorën e zemërgjerësisë. Racizmi mund, duhet dhe do të shpartallohet.”

Standardet ndërkombëtare

Leksionet e mësuara nga skllavëria, kolonizimi dhe posaçërisht nga Lufta e Dytë Botërore, çuan drejt inkorporimit të parimeve të mosdiskriminimit në shumë kushtetuta kombëtare dhe konventa ndërkombëtare. Konventa më e rëndësishme ndërkombëtare për diskriminimin racor është “Konventa Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor”, që është ratifikuar në vitin 1965. Kjo konventë është e bazuar në parimin e dinjitetit dhe barazisë dhe dënon çdo formë të diskriminimit racor, si dhe udhëzon shtetet të implementojnë gjitha masat e nevojshme për eliminimin e diskriminimit racor.



Shkallë të ndryshme të obligimeve lidhur me zbatimin e parimit të mosdiskriminimit aplikohen si ndaj shteteve, sektorëve privat, ashtu edhe ndaj individëve.

· Obligimi për të respektuar: Në këtë kontekst, shteteve u ndalohet të veprojnë në kundërshtim me të drejtat dhe liritë e pranuara fundamentale. Me fjalë të tjera, përderisa nuk ekziston ndonjë rezervë eksplicite ligjore, kjo ka të bëjë me obligimet shtetërore për “të mos vepruar”.

· Obligimi për të mbrojtur: Ky element kërkon nga shtetet të mbrojnë individët nga shkelja e të drejtave të tyre. Kur flitet për diskriminimin, kjo gjithashtu i referohet racizmit ndërmjet personave privatë, kështu që shteti brenda shoqërisë duhet të “luftojë” në mënyrë aktive edhe diskriminimin racor mes individëve. Sidoqoftë, ky obligim është shumë kontravers, pasi që prek sferën private të individëve dhe ende nuk është arritur ndonjë koncensus për atë se sa larg shtrihet ky detyrim.

· Obligimi për të përmbushur: Ky obligim kërkon që shteti të ofrojë realizimin efektiv të të drejtave të garantuara përmes masave adekuate ligjore, administrative, gjyqësore dhe faktike. Neni 5 i Konventës Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor (CERD) kërkon nga shtetet-palë të ndërmarrin masa për ndalimin dhe eliminimin e diskriminimit racor dhe për t’ua garantuar të gjithëve të drejtat e njeriut.



Detyrimet e sektorit privat (OJQ-të, mediat, etj.): Përveç qeverisë, një rol madhor për lufitmin e diskriminimit dhe racizmit ka edhe sektori privat. Pjestarët e saj përbëjnë pjesën më të madhe të shoqërisë dhe zakonisht diskriminimi dhe qëndrimi racist më së miri mund të konfrontohet brenda shoqërisë përmes qasjes së njohur si “nga fundi e lart”. Praktikat e mira



Programet arsimuese dhe mësimi: Racizmi, ksenofobia dhe qëndrimet e ngjashme, shpesh paraqiten në forma të lehta dhe tinzake, të cilat shpesh është vërtetuar se janë të vështira për t’u trajtuar dhe identifikuar, por që megjithatë ndikojnë që individët dhe komunitetet të ndihen të viktimizuar. Kjo mund të çojë te një vështrim i gabuar, se racizmi kryhet vetëm nga të tjerët, prandaj edhe është përgjegjësi e të tjerëve. Me qëllim që mendimet dhe besimet e tilla të konforontohet në mënyrë të suksesshme, racizmi duhet parë si sfidë e cila duhet të trajtohet përmes forcimit të kulturës së të drejtave të njeriut në të gjitha shtresat e shoqërisë. Kjo përfshin inkuadrimin sistematik të vlerave ndërkulturore, respektit, kuptimit të dallimeve racore, etnike dhe kulturore në kuadër të arsimimit të rinisë.

Gjatë procesit përgatitor të Konferencës Botërore Kundër Racizmit, janë raportuar edhe shumë shembuj të tjerë dhe ide interesante. Për shembull, në një numër të shteteve afrikane tani janë duke u bërë përpjekje për luftimin e paragjykimeve racore përmes librave shkollore dhe planprogrameve, ose në kuadër të iniciativës evropiane të propozuar, ku rrjetet shkollore përmes hartimit të kodeve të sjelljes, në objektivat e tyre edukuese kanë inkorporuar parime të qarta të mosdiskriminimit. Në shumë shtete ekzistojnë programet e shkëmbimeve shkollore, të cilat përkrahin studentët nga shtetet e ndryshme që të shkëmbejnë kulturat e tyre dhe të mësojnë gjuhët e njëri-tjetrit. Shumë qeveri dhe OJQ kanë përfshirë programe për mësimin e dallimeve kulturore, ku përmes materialeve shkollore për të drejtat e njeriut, përkrahet kuptimi i kontributit të secilës kulturë dhe të secilit komb.



Roli vendimtar i mediave: Fatëkeqësisht shumë radio dhe programe televizive në gjithë botën propagojnë diskriminimin dhe urrejtjen racore e etnike. Duke mos e haruar rolin e rëndësishëm të internetit, i cili është mjet i lehtësimit të shpërndarjes së informatave dhe opinioneve, fuqia e mediave mund të shihet p.sh. në rastin e “Radio Mille Collines” në Ruandë, e cila ka nxitur hututë të masakrojnë tutsit gjatë luftës civile të vitit 1994.

Moduli për Trendet dhe Lirinë e Shprehjes.



3. PERSPEKTIVAT NDËRKULTURORE DHE ÇËSHTJET KONTRAVERSE

Racizmi dhe diskriminimi racor janë probleme globale që manifestohen në mënyra të ndryshme. Edhe pse fjala racizëm spontanisht kuptohet si diskriminim i të bardhëve ndaj jo të bardhëve, nuk ekziston ndonjë shoqëri e cila mund të deklarojë se është plotësisht e lirë nga çdo formë e racizmit. Antisemitizmi, diskriminimi racor ose superioriteti i keqkuptuar janë më tepër të manifestuara në hemisferën perëndimore, por kjo nuk përjashton ekzistimin e racizmit në Azi, Afrikë dhe në Amerikën Latine.



Për shembull, në Japoni, koreanët për shkak të prejardhjes së tyre koreane nuk kanë të drejtë të mbajnë pozita publike. Deri vonë, minoriteti kinez në Indonezi nuk ka mundur ta festojë në mënyrë të hapur Vitin e Ri Kinez, dhe sistemi kastor në Indi, i cili, edhe pse shpesh përshkruhet si “unik gjatë historisë”, duke organizuar dhunime masive dhe masakra nga kastat më të larta, diskrimininon në mënyrë të rëndë të paprekurit. Po ashtu, janë mirë të njohura pikëpamjet e shumicës së kinezëve Han për minoritetet tibetane ose mongole si “barbarë, të ndotur, primitivë dhe të mbrapshtë”.



Shtetet afrikane nuk janë më të mira në këtë drejtim; mijëra aziatikë janë ndjekur nga Afrika lindore dhe qendrore përmes politikave të ashpra raciste. Për shembull, “Akti i Licensimit Afarist të Kenisë, Ugandës dhe Zambisë”, rezervon aktivitetet e caktuara biznesore vetëm për qyterarët e tyre dhe i lejonte aziatikët të vepronin vetëm në bazë të liensimit, i cili duhej ripërtërirë për çdo vit. Përfundimisht, nuk duhet harruar diskriminimi që ekziston mes fiseve, ku anëtarët e fiseve minoritare që nuk u takojnë fiseve shumicë të cilat sundojnë, gjatë jetës së tyre të përditshme përballen me sulme racore, diskriminim dhe disavantazhe kërcënuese.



Në Evropë, diskriminimi i romëve (sipas llogarive të përafërta afër tetë milionë jetojnë në gjithë kontinentin evropian), i cili është lënë anash, paraqet një ndër problemet më serioze dhe më të fshehta të të drejtave të njeriut në Evropë. Duke qenë se gjatë pjesës më të madhe të historisë së tyre kanë qenë nomadë, romët në disa shtete zakonisht janë detyruar të asimilohen, në disa vende është ndaluar përdorimi i gjuhës së tyre dhe prindërve u janë marrë fëmijët nga përkujdesi. Sot, bashkësitë e romëve ende përjetojnë diskriminim në shumë sfera të jetës, përfshirë, punësimin, strehimin, arsimimin, qasjen në drejtësi ose në shërbimet shëndetësore.



Një tjetër aspekt interesant dhe i rëndësishëm, i cili ka dalë gjatë Konferencës së tretë Botërore Kundër Racizmit në Duran, në vitin 2001, ka të bëjë me kuptimin e fjalës “racizëm” në Afrikë në njërën anë dhe Evropë/Amerikë Veriore në anën tjetër. Përpjekja e shteteve evropiane për ta larguar fjalën “racë” nga protokoli, pasi që një gjë e tillë është vërtetuar shkencërisht si jo e saktë, është kritikuar fuqishëm nga delegacionet afrikane dhe karaibike, të cilat argumentuan se kjo provë e okupimit kolonial tentohet të çrrënjoset vetëm tani kur shtetet perëndimore nuk shohin më asnjë përparësi nga këto ‘kategori superiore’.

Një moment tjetër shumë emocional gjatë Konferencës Botërore ka qenë mospajtimi mes grupeve të ndryshme se varësisht nga definimi i komunitetit të hebrenjve si grup etnik ose religjioz, antisemitizmi a të definohet si formë e racizmit apo jo. Kjo dilemë (përverveç të tjerash) ka mbetur e pazgjidhur dhe ende është një çështje shumë e debatuar gjatë takimeve të ndryshme ndërkombëtare.



Antisemitizmi ka qenë shumë i përhapur në historinë bashkëkohore evropiane, deri në ditët e sotme. Kjo urrejtje, dhe ndonjëherë formë e dhunshme e armiqësisë së shfaqur ndaj hebrenjve, të cilët shihen si një grup i ndryshëm religjioz ose minoritar, sot është më e gjallë se kurdoherë ndoshta vetëm pse është e fshehur më mirë dhe shprehet në formë të mbuluar. Në fillim të shekullit XX, me paraqitjen e fashizmit, antisemitizmi u bë pjesë e ideologjisë së tij. Gjatë Holokaustit të kryer nga regjimi nazist, afër 6 milion hebrenj janë vrarë në mënyrë sistematike vetëm pse ishin hebrenj. Fatëkeqësisht, edhe sot sulmet kundër bashkësive dhe trashëgimisë hebreje nuk janë të rralla dhe një numër i grupeve neonaziste në mënyrë të hapur shfaq pikëpamjet e tyre antisemitike. Për më tepër, rritja e numrit të faqeve në internet dhe materialit të përhapur për glorifikimin e propagandës naziste, po u kontribuojnë këtyre zhvillimeve brengosëse për mbarë botën.

"Ju rrëfej si mendon një ksenofob"


Intervistë me sociologun francez Alain Touraine

Jetojmë në një shoqëri ku ndihemi shpesh të kërcënuar. Globalizimi, katastrofat natyrore, kriza ekonomike, vështirësitë e jetës së përditshme. Kemi përshtypjen se nuk ia dalim më t'u bëjmë ballë kërcënimeve që shpesh janë të papërcaktuara dhe të papritura. Ndihemi pa mbrojtje dhe të paaftë për të reaguar., për rrjedhojë, kemi frikë. Një frikë të paqartë që transferojmë mbi të tjerët, kryesisht mbi të huajt". Alain Touraine nuk ka asnjë dyshim , ksenofobia është një reagim që nxjerr në dukje kontradiktat e një shoqërie gjithnjë e më të shpërbërë dhe të paqartë. "Përmes ksenofobisë manifestohet frika prej atij që, pavarësisht pasaportës që mban, është i ndryshëm nga ne fizikisht, por edhe në rrafshin kulturor, fetar apo të stilit të jetës. Por karakteristikat e tjetrit janë vetëm një pretekst për të projektuar mbi të ankthet tona" shpjegon sociologu francez. "Duke refuzuar tjetrin duke u nisur nga kjo apo ajo karakteristikë, ksenofobia vë në lëvizje një dinamikë që arrin deri aty sa të mohojë humanitetin e tjetrit, duke e deklaruar johuman vetëm pse është krejtësisht ndryshe nga ne. Çhumanizimi i tjetrit është një nga pasojat më të rënda të ksenofobisë".

Kjo do të thotë që ksenofobi ngurtëson dhe absolutizon nocionin e tjetrit?

"Për ksenofobin bëhet e pamundur të jetojë bashkë me të tjerë, ndaj të cilëve vepron një tabu e mirëfilltë. Të tjerët perceptohen si qenie jo të pastra, prania e të cilëve rrezikon një komunitet të idealizuar si të pastër dhe duhet ruajtur nga ndotje të mundshme. Në këtë mënyrë, lind i huaji absolut, që bëhet kërcënim global nga i cili duhesh mbrojtur. I çuar deri në konsekuenca ekstreme, një arsyetim i tillë pjell racizmin, me fjalë të tjera formën më radikale të ksenofobisë. Natyrisht, kush është ksenofob lëviz gjithnjë në plan të përgjithshëm, duke stigmatizuar një shoqëri të tërë, edhe se, në planin personal, do të ketë gjithnjë një mik arab, senegalez apo rumun për ta sjellë si shembull për të hedhur poshtë çdo akuzë ksenofobie".

Ju duket se sot ksenofobia është në rritje?

"Po dhe natyrisht që kjo më shqetëson pa masë, sepse është një shenjë alarmuese për shoqërinë tonë. Natyrisht po të vendoset në një perspektivë historike, duhet të marrim parasysh që historia e botës ka qenë shpesh e mbizotëruar nga refuzimi i të tjerëve, i barbarëve, i të ndryshmëve. Në të shkuarën, kemi pasur situata shumë më të rënda se këto të sotmet, si ato që lindën me tregtimin e skllevërve dhe nga kolonializmi. Por sot, pas një periudhe të gjatë kur dukej se ksenofobia po sprapsej në mënyrë progresive, më duket se po kthehemi mbrapsht. Po kthehemi në kohën e barbarizmit. Dhe ksenofobia është një nga manifestimet e saj".

Cilat janë shkaqet e një evolucioni të tillë?

"Jetojmë në një shoqëri shumë të hapur dhe të lëvizshme, në të cilën kontaktet mes popullatave të ndryshme janë më të lehta dhe në rritje konstante, është një situatë që prodhon konsekuenca kontradiktore. Krahas hapjes dhe disponueshmëri, shfaqet edhe acarimi i shqetësimit që ushqen refuzimin e të tjerëve. Por kur një komunitet i tërë pengohet dhe refuzohet, ai thyhet mbi veten e vet, duke u fundosur në mllef. Tërheqja si komunitet dhe ksenofobia janë të gërshetuara ngushtë me njëra-tjetrën. Ushqehen reciprokisht".

Mos lind vallë nga një krizë identiteti, ksenofobia?

"Natyrisht, por nuk mund të përforcojmë identitetin tonë duke luftuar atë që është ndryshe nga ne. Përkundrazi, vetëdija e identitetit personal përforcohet në dialogun me tjetrin. Sidoqoftë, është e vërtetë që ksenofobia lind kur një identitet ndihet i dobësuar nga kërcënime që nuk dallohen menjëherë. Veç të tjerash, globalizimi, jo vetëm vë në diskutim identitetin tonë, por vë në rrezik edhe aftësinë për të reaguar. Gjithnjë e më shpesh ndihemi të dobët dhe të pafuqishëm. Në disa situata, siç e thekson edhe sociologu Alain Ehrenberg, jemi dëshmitarë të një shembjeje të mirëfilltë të unit. Atëherë bëhet e lehtë të shkarkosh përgjegjësitë e kësaj situate mbi dikë tjetër që dallohet nga kjo apo ajo karakteristikë specifike. Kërcënimi i paqartë dhe i pakapshëm bëhet menjëherë i identifikueshëm dhe i lehtë për të mos u pranuar. Është dinamika e qengjit të kurbanit".

Përballë këtyre problemeve e majta akuzohet shpesh për mendjelehtësi dhe mirëkuptim të tepruar për të huajt. Ç'mendoni për këtë?

"Në të shkuarën, në emër të Iluminizmit, e majta ka justifikuar kolonializmin. Pra nuk është e vërtetë që ajo ka mbajtur gjithnjë anën e të tjerëve. Megjithatë, është e vërtetë që sot e majta akuzohet shpesh se është shumë përfillëse ndaj emigrantëve. Personalisht nuk besoj se është kështu. Thjesht përpiqet t'i bëjë rezistencë një diskutimi mbizotërues që përdor temën e sigurisë për të justifikuar një diskutim ksenofob. Natyrisht, siguria është e drejtë e të gjithëve e duhet garantuar, sidomos popujve më të dobët e dhe me qëndrueshmëri më të brishtë. Por nuk duhet rënë në demagogji, duke ngarkuar me përgjegjësi për vështirësitë tona grupe të tëra popullatash. Sot të gjitha statistikat na thonë që kriminaliteti është kryesisht i të rinjve jo emigrantë. Pra kërcënimi kriminal vjen nga brenda vendit, jo nga jashtë. Nuk janë emigrantët ata që jetojnë në pasiguri ata që kërcënojnë sigurinë tonë. Duhet vazhduar të përsëritet një gjë e tillë dhe të kërkohet të përpunohen politika të afta për të mbrojtur njëherazi mirëpritjen e të tjerëve dhe të drejtën për siguri. Dhe padyshim nuk është aspak e lehtë".

Ç'mund të bëhet konkretisht për të sprapsur ksenofobinë?

"Përveç diskutimit klasik që përpiqet të ndërhyjë në shkaqet shoqërore dhe ekonomike që ushqejnë frikën, më duket e udhës të favorizohet debati dhe vendimet politike në nivel vendor. Është e rëndësishme që të ketë dialog të drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe administratorëve politikë, sepse vetëm kështu bëhet e mundur të përpunohen politika efikase që të mos jenë ksenofobe. Diskutimi është i pazëvendësueshëm, sepse mundëson çmontimin dhe shkatërrimin e ksenofobisë, duke u treguar qytetarëve që emigrantët nuk përbëjnë kërcënim. Reflektimi dhe diskutimi mundësojnë shmangien e reagimeve irracionale. Vetëm kështu mund t'i shpëtohet frikës".

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...