"Ju rrëfej si mendon një ksenofob"


Intervistë me sociologun francez Alain Touraine

Jetojmë në një shoqëri ku ndihemi shpesh të kërcënuar. Globalizimi, katastrofat natyrore, kriza ekonomike, vështirësitë e jetës së përditshme. Kemi përshtypjen se nuk ia dalim më t'u bëjmë ballë kërcënimeve që shpesh janë të papërcaktuara dhe të papritura. Ndihemi pa mbrojtje dhe të paaftë për të reaguar., për rrjedhojë, kemi frikë. Një frikë të paqartë që transferojmë mbi të tjerët, kryesisht mbi të huajt". Alain Touraine nuk ka asnjë dyshim , ksenofobia është një reagim që nxjerr në dukje kontradiktat e një shoqërie gjithnjë e më të shpërbërë dhe të paqartë. "Përmes ksenofobisë manifestohet frika prej atij që, pavarësisht pasaportës që mban, është i ndryshëm nga ne fizikisht, por edhe në rrafshin kulturor, fetar apo të stilit të jetës. Por karakteristikat e tjetrit janë vetëm një pretekst për të projektuar mbi të ankthet tona" shpjegon sociologu francez. "Duke refuzuar tjetrin duke u nisur nga kjo apo ajo karakteristikë, ksenofobia vë në lëvizje një dinamikë që arrin deri aty sa të mohojë humanitetin e tjetrit, duke e deklaruar johuman vetëm pse është krejtësisht ndryshe nga ne. Çhumanizimi i tjetrit është një nga pasojat më të rënda të ksenofobisë".

Kjo do të thotë që ksenofobi ngurtëson dhe absolutizon nocionin e tjetrit?

"Për ksenofobin bëhet e pamundur të jetojë bashkë me të tjerë, ndaj të cilëve vepron një tabu e mirëfilltë. Të tjerët perceptohen si qenie jo të pastra, prania e të cilëve rrezikon një komunitet të idealizuar si të pastër dhe duhet ruajtur nga ndotje të mundshme. Në këtë mënyrë, lind i huaji absolut, që bëhet kërcënim global nga i cili duhesh mbrojtur. I çuar deri në konsekuenca ekstreme, një arsyetim i tillë pjell racizmin, me fjalë të tjera formën më radikale të ksenofobisë. Natyrisht, kush është ksenofob lëviz gjithnjë në plan të përgjithshëm, duke stigmatizuar një shoqëri të tërë, edhe se, në planin personal, do të ketë gjithnjë një mik arab, senegalez apo rumun për ta sjellë si shembull për të hedhur poshtë çdo akuzë ksenofobie".

Ju duket se sot ksenofobia është në rritje?

"Po dhe natyrisht që kjo më shqetëson pa masë, sepse është një shenjë alarmuese për shoqërinë tonë. Natyrisht po të vendoset në një perspektivë historike, duhet të marrim parasysh që historia e botës ka qenë shpesh e mbizotëruar nga refuzimi i të tjerëve, i barbarëve, i të ndryshmëve. Në të shkuarën, kemi pasur situata shumë më të rënda se këto të sotmet, si ato që lindën me tregtimin e skllevërve dhe nga kolonializmi. Por sot, pas një periudhe të gjatë kur dukej se ksenofobia po sprapsej në mënyrë progresive, më duket se po kthehemi mbrapsht. Po kthehemi në kohën e barbarizmit. Dhe ksenofobia është një nga manifestimet e saj".

Cilat janë shkaqet e një evolucioni të tillë?

"Jetojmë në një shoqëri shumë të hapur dhe të lëvizshme, në të cilën kontaktet mes popullatave të ndryshme janë më të lehta dhe në rritje konstante, është një situatë që prodhon konsekuenca kontradiktore. Krahas hapjes dhe disponueshmëri, shfaqet edhe acarimi i shqetësimit që ushqen refuzimin e të tjerëve. Por kur një komunitet i tërë pengohet dhe refuzohet, ai thyhet mbi veten e vet, duke u fundosur në mllef. Tërheqja si komunitet dhe ksenofobia janë të gërshetuara ngushtë me njëra-tjetrën. Ushqehen reciprokisht".

Mos lind vallë nga një krizë identiteti, ksenofobia?

"Natyrisht, por nuk mund të përforcojmë identitetin tonë duke luftuar atë që është ndryshe nga ne. Përkundrazi, vetëdija e identitetit personal përforcohet në dialogun me tjetrin. Sidoqoftë, është e vërtetë që ksenofobia lind kur një identitet ndihet i dobësuar nga kërcënime që nuk dallohen menjëherë. Veç të tjerash, globalizimi, jo vetëm vë në diskutim identitetin tonë, por vë në rrezik edhe aftësinë për të reaguar. Gjithnjë e më shpesh ndihemi të dobët dhe të pafuqishëm. Në disa situata, siç e thekson edhe sociologu Alain Ehrenberg, jemi dëshmitarë të një shembjeje të mirëfilltë të unit. Atëherë bëhet e lehtë të shkarkosh përgjegjësitë e kësaj situate mbi dikë tjetër që dallohet nga kjo apo ajo karakteristikë specifike. Kërcënimi i paqartë dhe i pakapshëm bëhet menjëherë i identifikueshëm dhe i lehtë për të mos u pranuar. Është dinamika e qengjit të kurbanit".

Përballë këtyre problemeve e majta akuzohet shpesh për mendjelehtësi dhe mirëkuptim të tepruar për të huajt. Ç'mendoni për këtë?

"Në të shkuarën, në emër të Iluminizmit, e majta ka justifikuar kolonializmin. Pra nuk është e vërtetë që ajo ka mbajtur gjithnjë anën e të tjerëve. Megjithatë, është e vërtetë që sot e majta akuzohet shpesh se është shumë përfillëse ndaj emigrantëve. Personalisht nuk besoj se është kështu. Thjesht përpiqet t'i bëjë rezistencë një diskutimi mbizotërues që përdor temën e sigurisë për të justifikuar një diskutim ksenofob. Natyrisht, siguria është e drejtë e të gjithëve e duhet garantuar, sidomos popujve më të dobët e dhe me qëndrueshmëri më të brishtë. Por nuk duhet rënë në demagogji, duke ngarkuar me përgjegjësi për vështirësitë tona grupe të tëra popullatash. Sot të gjitha statistikat na thonë që kriminaliteti është kryesisht i të rinjve jo emigrantë. Pra kërcënimi kriminal vjen nga brenda vendit, jo nga jashtë. Nuk janë emigrantët ata që jetojnë në pasiguri ata që kërcënojnë sigurinë tonë. Duhet vazhduar të përsëritet një gjë e tillë dhe të kërkohet të përpunohen politika të afta për të mbrojtur njëherazi mirëpritjen e të tjerëve dhe të drejtën për siguri. Dhe padyshim nuk është aspak e lehtë".

Ç'mund të bëhet konkretisht për të sprapsur ksenofobinë?

"Përveç diskutimit klasik që përpiqet të ndërhyjë në shkaqet shoqërore dhe ekonomike që ushqejnë frikën, më duket e udhës të favorizohet debati dhe vendimet politike në nivel vendor. Është e rëndësishme që të ketë dialog të drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe administratorëve politikë, sepse vetëm kështu bëhet e mundur të përpunohen politika efikase që të mos jenë ksenofobe. Diskutimi është i pazëvendësueshëm, sepse mundëson çmontimin dhe shkatërrimin e ksenofobisë, duke u treguar qytetarëve që emigrantët nuk përbëjnë kërcënim. Reflektimi dhe diskutimi mundësojnë shmangien e reagimeve irracionale. Vetëm kështu mund t'i shpëtohet frikës".

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)