PERSPEKTIVAT NDËRKULTURORE DHE ÇËSHTJET KONTRAVERSE


Dikur ksenofobia është përshkruar si frikë morbide nga të huajt dhe nga shtetet e jashtme, por ajo gjithashtu karakterizohet nga qëndrimet, paragjykimet dhe sjelljet, të cilat shpesh refuzojnë, përjashtojnë dhe nënçmojnë personat, duke u bazuar në pikëpamjen se ata janë të ardhur ose janë të huaj për komunitetin, shoqërinë dhe identitetin kombëtar. Me fjalë të tjera, ajo është një ndjenjë e bazuar në pikëpamje dhe ide joracionale, të cilat shpiejnë drejt skenareve thjesht të mira ose të këqija.



Edhe pse dallimi mes racizmit dhe ksenofobisë mund të jetë i rëndësishëm për fushën juridike dhe akademike, ndikimi i sjelljeve dhe veprimeve raciste dhe ksenofobike në viktima janë gjithëherë të njëjta. Ajo ua rrëmben njerëzve potencialin dhe mundësitë për plotësimin e planeve dhe ëndrrave të tyre, dëmton seriozisht vetëbesimin dhe vlerësimin e tyre për veten, kurse në miliona raste kjo u ka kushtuar njerëzve edhe me jetët e tyre. Në veçanti, një ndikim shkatërrues i racizmit dhe diskriminimit racor mund të vërehet te fëmijët, sepse duke qenë dëshmitarë të racizmit, në mesin e tyre shaktohen ndjenja të forta të frikës dhe konfuzionit.



Gjatë Panelit Diskutues të OKB në New York, ku u diskutua lidhur me ndikimin e racizmit te fëmijët, një grua nga Çikago i tha audiencës se ajo përjetoi racizmin për herë të parë qysh në momentin kur kishte lindur, pasi që një motër medicinale në spital refuzoi që në lindjen e saj të vështirë të asistojë nënën e saj, sepse ajo për dallim nga motra medicinale vinte nga pjesa tjetër e vendit. Kur ajo u rrit, shpejt mësoi se prejardhja e saj, pra fisi nga vinte, gjuha që fliste dhe regjioni ku jetonte, influencuan çdo ngjarje që i ka ndodhur në jetën e saj, gjë që e kanë bërë atë qysh nga fëmijëria dhe më pas të ndihet e pavlefshme, e pasigurt dhe e paaftë.

Jotoleranca dhe Paragjykimet e Ngjashme

Jotoleranca: Universiteti Penn State (The Penn State University) në rregulloren e tij deklaron se jotoleranca është “një qëndrim, ndjenjë ose besim përmes së cilit një individ tregon përbuzje për indivdët ose grupin tjetër, duke u bazuar në karakteristika siç janë, raca, ngjyra origjina kombëtare, gjinia, orinetimi seksual ose besimet politike dhe fetare”.



Paragjykimi: Definicioni klasik i paragjykimit, është ai të cilin e ka dhënë i famshmi psikolog, Gordon Allport, i cili thekson se “paragjykimi është një antipati e bazuar në përgjithësime të gabuara dhe jofleksibile; mund të ndihet dhe shprehet; mund të drejtohet ndaj një grupi ose ndaj një individi të atij grupi.”



Të dy këto shprehje mund të jenë shumë lehtë motivim për çfarëdo veprimtarie diskriminuese. Thënë në përgjithësi, jotoleranca dhe paragjykimi shpesh shihen si baza dhe pika fillestare të sjelljeve të tjera “specifike”, siç janë racizmi dhe ksenofobia.



Nocioni i paragjykimit etnik është zhvilluar vonë, duke përshkruar antipatinë e bazuar në pretendimin e supremacisë kulturore të një grupi ndaj grupit tjetër. Për shembull, në kontekstin evropian, kjo është e shprehur në paragjykimet antiturke, antipolake ose antiruse. Meqenëse zakonisht sulmohen tiparet kulturore/fetare (qoftë të vërteta ose të imagjinuara) të një grupi, mund të shihen disa ngjashmëri me të kuptuarit e vonshëm të racizmit si “racizëm kulturor”. Zakonisht këto dy fenomene, paragjykimi dhe jotoleranca janë më të vështirat për t’u trajtuar dhe luftuar.

Në njërën anë ato përshkruajnë karakteristikat personale, të cilat përbëjnë një qenie njerëzore dhe në këtë mënyrë depërtojnë thellë në sferën private. Edhe nëse opinionet personale janë të ndryshueshme (përmes arsimimit, ngritjes së vetëdijes dhe dialogut), njeriu duhet të jetë i kujdesshmë që ta kuptojë se ku përfundon edukimi dhe kur fillon indoktrinimi.

Në anën tjetër është me rëndësi të dihet se ku duhet të “tërhiqet kufiri” mes tolerancës dhe jotolerancës, duke menduar se kur dhe për çka jemi të “lejuar” me qenë jotolerant ose sa larg duhet shkuar me tolerancë? Nuk duhen harruar vështirësitë me shprehjen “tolerancë”, pasi që ajo tregon ndjenjën e gabueshme të superioritetit në tolerimin e ekzistimit të tjerëve, por në të vërtetë nuk tregon mirëseardhjen ose respektimin e tyre.

* Kush mund të vendosë për këtë?

* A është krijuar ende ndonjë normë ose standard, i cili bën dallimin mes tolerancës dhe jotolerancës dhe nëse jo, a është e mundur të krijohet?

* A ekzistojnë dallime rajonale ose kulturore në pikëpamjen e këtyre normave?



Kufizimet dhe standardet e zhvilluara në kuadër të së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut mund të përbëjnë një minimum të tillë, nën të cilin minimum ndodhen shoqëritë dhe pjesëtarët e tyre që i nënshtrohen jotolerancës dhe shkeljeve të të drejtave të tyre. Ekziston një pajtim i përgjithshëm lidhur me atë se racistët nuk lindin si të tillë, por zhvillohen, prandaj shkaku kryesor i racizmit është injorimi. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, më 21 mars 1999, në rastin e festimit të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Diskriminimit Racor, tha: “injoranca dhe paragjykimi janë krijuesit e propagandës . . . Prandaj, misioni ynë është që të konfrontojmë injorancën me dije, ngurtësinë me tolerancë dhe izolimin duke zgjatur dorën e zemërgjerësisë. Racizmi mund, duhet dhe do të shpartallohet.”

Standardet ndërkombëtare

Leksionet e mësuara nga skllavëria, kolonizimi dhe posaçërisht nga Lufta e Dytë Botërore, çuan drejt inkorporimit të parimeve të mosdiskriminimit në shumë kushtetuta kombëtare dhe konventa ndërkombëtare. Konventa më e rëndësishme ndërkombëtare për diskriminimin racor është “Konventa Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor”, që është ratifikuar në vitin 1965. Kjo konventë është e bazuar në parimin e dinjitetit dhe barazisë dhe dënon çdo formë të diskriminimit racor, si dhe udhëzon shtetet të implementojnë gjitha masat e nevojshme për eliminimin e diskriminimit racor.



Shkallë të ndryshme të obligimeve lidhur me zbatimin e parimit të mosdiskriminimit aplikohen si ndaj shteteve, sektorëve privat, ashtu edhe ndaj individëve.

· Obligimi për të respektuar: Në këtë kontekst, shteteve u ndalohet të veprojnë në kundërshtim me të drejtat dhe liritë e pranuara fundamentale. Me fjalë të tjera, përderisa nuk ekziston ndonjë rezervë eksplicite ligjore, kjo ka të bëjë me obligimet shtetërore për “të mos vepruar”.

· Obligimi për të mbrojtur: Ky element kërkon nga shtetet të mbrojnë individët nga shkelja e të drejtave të tyre. Kur flitet për diskriminimin, kjo gjithashtu i referohet racizmit ndërmjet personave privatë, kështu që shteti brenda shoqërisë duhet të “luftojë” në mënyrë aktive edhe diskriminimin racor mes individëve. Sidoqoftë, ky obligim është shumë kontravers, pasi që prek sferën private të individëve dhe ende nuk është arritur ndonjë koncensus për atë se sa larg shtrihet ky detyrim.

· Obligimi për të përmbushur: Ky obligim kërkon që shteti të ofrojë realizimin efektiv të të drejtave të garantuara përmes masave adekuate ligjore, administrative, gjyqësore dhe faktike. Neni 5 i Konventës Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor (CERD) kërkon nga shtetet-palë të ndërmarrin masa për ndalimin dhe eliminimin e diskriminimit racor dhe për t’ua garantuar të gjithëve të drejtat e njeriut.



Detyrimet e sektorit privat (OJQ-të, mediat, etj.): Përveç qeverisë, një rol madhor për lufitmin e diskriminimit dhe racizmit ka edhe sektori privat. Pjestarët e saj përbëjnë pjesën më të madhe të shoqërisë dhe zakonisht diskriminimi dhe qëndrimi racist më së miri mund të konfrontohet brenda shoqërisë përmes qasjes së njohur si “nga fundi e lart”. Praktikat e mira



Programet arsimuese dhe mësimi: Racizmi, ksenofobia dhe qëndrimet e ngjashme, shpesh paraqiten në forma të lehta dhe tinzake, të cilat shpesh është vërtetuar se janë të vështira për t’u trajtuar dhe identifikuar, por që megjithatë ndikojnë që individët dhe komunitetet të ndihen të viktimizuar. Kjo mund të çojë te një vështrim i gabuar, se racizmi kryhet vetëm nga të tjerët, prandaj edhe është përgjegjësi e të tjerëve. Me qëllim që mendimet dhe besimet e tilla të konforontohet në mënyrë të suksesshme, racizmi duhet parë si sfidë e cila duhet të trajtohet përmes forcimit të kulturës së të drejtave të njeriut në të gjitha shtresat e shoqërisë. Kjo përfshin inkuadrimin sistematik të vlerave ndërkulturore, respektit, kuptimit të dallimeve racore, etnike dhe kulturore në kuadër të arsimimit të rinisë.

Gjatë procesit përgatitor të Konferencës Botërore Kundër Racizmit, janë raportuar edhe shumë shembuj të tjerë dhe ide interesante. Për shembull, në një numër të shteteve afrikane tani janë duke u bërë përpjekje për luftimin e paragjykimeve racore përmes librave shkollore dhe planprogrameve, ose në kuadër të iniciativës evropiane të propozuar, ku rrjetet shkollore përmes hartimit të kodeve të sjelljes, në objektivat e tyre edukuese kanë inkorporuar parime të qarta të mosdiskriminimit. Në shumë shtete ekzistojnë programet e shkëmbimeve shkollore, të cilat përkrahin studentët nga shtetet e ndryshme që të shkëmbejnë kulturat e tyre dhe të mësojnë gjuhët e njëri-tjetrit. Shumë qeveri dhe OJQ kanë përfshirë programe për mësimin e dallimeve kulturore, ku përmes materialeve shkollore për të drejtat e njeriut, përkrahet kuptimi i kontributit të secilës kulturë dhe të secilit komb.



Roli vendimtar i mediave: Fatëkeqësisht shumë radio dhe programe televizive në gjithë botën propagojnë diskriminimin dhe urrejtjen racore e etnike. Duke mos e haruar rolin e rëndësishëm të internetit, i cili është mjet i lehtësimit të shpërndarjes së informatave dhe opinioneve, fuqia e mediave mund të shihet p.sh. në rastin e “Radio Mille Collines” në Ruandë, e cila ka nxitur hututë të masakrojnë tutsit gjatë luftës civile të vitit 1994.

Moduli për Trendet dhe Lirinë e Shprehjes.



3. PERSPEKTIVAT NDËRKULTURORE DHE ÇËSHTJET KONTRAVERSE

Racizmi dhe diskriminimi racor janë probleme globale që manifestohen në mënyra të ndryshme. Edhe pse fjala racizëm spontanisht kuptohet si diskriminim i të bardhëve ndaj jo të bardhëve, nuk ekziston ndonjë shoqëri e cila mund të deklarojë se është plotësisht e lirë nga çdo formë e racizmit. Antisemitizmi, diskriminimi racor ose superioriteti i keqkuptuar janë më tepër të manifestuara në hemisferën perëndimore, por kjo nuk përjashton ekzistimin e racizmit në Azi, Afrikë dhe në Amerikën Latine.



Për shembull, në Japoni, koreanët për shkak të prejardhjes së tyre koreane nuk kanë të drejtë të mbajnë pozita publike. Deri vonë, minoriteti kinez në Indonezi nuk ka mundur ta festojë në mënyrë të hapur Vitin e Ri Kinez, dhe sistemi kastor në Indi, i cili, edhe pse shpesh përshkruhet si “unik gjatë historisë”, duke organizuar dhunime masive dhe masakra nga kastat më të larta, diskrimininon në mënyrë të rëndë të paprekurit. Po ashtu, janë mirë të njohura pikëpamjet e shumicës së kinezëve Han për minoritetet tibetane ose mongole si “barbarë, të ndotur, primitivë dhe të mbrapshtë”.



Shtetet afrikane nuk janë më të mira në këtë drejtim; mijëra aziatikë janë ndjekur nga Afrika lindore dhe qendrore përmes politikave të ashpra raciste. Për shembull, “Akti i Licensimit Afarist të Kenisë, Ugandës dhe Zambisë”, rezervon aktivitetet e caktuara biznesore vetëm për qyterarët e tyre dhe i lejonte aziatikët të vepronin vetëm në bazë të liensimit, i cili duhej ripërtërirë për çdo vit. Përfundimisht, nuk duhet harruar diskriminimi që ekziston mes fiseve, ku anëtarët e fiseve minoritare që nuk u takojnë fiseve shumicë të cilat sundojnë, gjatë jetës së tyre të përditshme përballen me sulme racore, diskriminim dhe disavantazhe kërcënuese.



Në Evropë, diskriminimi i romëve (sipas llogarive të përafërta afër tetë milionë jetojnë në gjithë kontinentin evropian), i cili është lënë anash, paraqet një ndër problemet më serioze dhe më të fshehta të të drejtave të njeriut në Evropë. Duke qenë se gjatë pjesës më të madhe të historisë së tyre kanë qenë nomadë, romët në disa shtete zakonisht janë detyruar të asimilohen, në disa vende është ndaluar përdorimi i gjuhës së tyre dhe prindërve u janë marrë fëmijët nga përkujdesi. Sot, bashkësitë e romëve ende përjetojnë diskriminim në shumë sfera të jetës, përfshirë, punësimin, strehimin, arsimimin, qasjen në drejtësi ose në shërbimet shëndetësore.



Një tjetër aspekt interesant dhe i rëndësishëm, i cili ka dalë gjatë Konferencës së tretë Botërore Kundër Racizmit në Duran, në vitin 2001, ka të bëjë me kuptimin e fjalës “racizëm” në Afrikë në njërën anë dhe Evropë/Amerikë Veriore në anën tjetër. Përpjekja e shteteve evropiane për ta larguar fjalën “racë” nga protokoli, pasi që një gjë e tillë është vërtetuar shkencërisht si jo e saktë, është kritikuar fuqishëm nga delegacionet afrikane dhe karaibike, të cilat argumentuan se kjo provë e okupimit kolonial tentohet të çrrënjoset vetëm tani kur shtetet perëndimore nuk shohin më asnjë përparësi nga këto ‘kategori superiore’.

Një moment tjetër shumë emocional gjatë Konferencës Botërore ka qenë mospajtimi mes grupeve të ndryshme se varësisht nga definimi i komunitetit të hebrenjve si grup etnik ose religjioz, antisemitizmi a të definohet si formë e racizmit apo jo. Kjo dilemë (përverveç të tjerash) ka mbetur e pazgjidhur dhe ende është një çështje shumë e debatuar gjatë takimeve të ndryshme ndërkombëtare.



Antisemitizmi ka qenë shumë i përhapur në historinë bashkëkohore evropiane, deri në ditët e sotme. Kjo urrejtje, dhe ndonjëherë formë e dhunshme e armiqësisë së shfaqur ndaj hebrenjve, të cilët shihen si një grup i ndryshëm religjioz ose minoritar, sot është më e gjallë se kurdoherë ndoshta vetëm pse është e fshehur më mirë dhe shprehet në formë të mbuluar. Në fillim të shekullit XX, me paraqitjen e fashizmit, antisemitizmi u bë pjesë e ideologjisë së tij. Gjatë Holokaustit të kryer nga regjimi nazist, afër 6 milion hebrenj janë vrarë në mënyrë sistematike vetëm pse ishin hebrenj. Fatëkeqësisht, edhe sot sulmet kundër bashkësive dhe trashëgimisë hebreje nuk janë të rralla dhe një numër i grupeve neonaziste në mënyrë të hapur shfaq pikëpamjet e tyre antisemitike. Për më tepër, rritja e numrit të faqeve në internet dhe materialit të përhapur për glorifikimin e propagandës naziste, po u kontribuojnë këtyre zhvillimeve brengosëse për mbarë botën.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)