Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi tha për “Panorama” se kisha ortodokse shqiptare duhet të tregojë se është autoqefale dhe e pavarur nga kisha dhe shteti grek.
Duke iu përgjigjur reagimit të Sinodit të Shenjtë, Klosi përforcon deklaratën e tij për investime të mëdha nga kisha greke duke sjellë shembullin e ndërtimit të një kishe në një fshat ku nuk ka asnjë besimtar ortodoks.
Zoti Klosi, Kisha Ortodokse reagoi ndaj deklaratave tuaja, ku së pari shprehet se është e pavarur nga Kisha greke. Jeni i kënaqur me këtë përgjigje?
Vërtet më erdhi mirë që Kisha Ortodokse u detyrua të japë disa shpjegime dhe unë këtë e quaj arritje. Jo pse unë kisha ndonjë qëllim konkret, unë iu përgjigja pyetjeve të gazetarit në një bisedë të lirë dhe nuk dua të impenjohem në këtë marrëdhënie. Por e vërteta është se ka nevojë për shpjegime, qoftë edhe për faktin se është krijuar një opinionin i përgjithshëm në Shqipëri se Kisha Ortodokse shqiptare nuk është autoqefale, pra e pavarur nga Kisha greke. Natyrisht në fazat e para të ringritjes së kishave, në fillim të viteve ’90, ata bënë mirë që ndihmuan se situata e tillë ishte, por duket se në ngjarjet e ndryshme që kanë ndodhur në Shqipëri, për mua kisha nuk ka mbajtur atë qëndrim që duhet të mbajë një institucion i pavarur nga politika, nga çështjet nacionale. Janë disa raste dhe unë marr si shembull rastin e Shtëpisë së Kulturës në Përmet, ku kisha me dhunë kërkoi që ta marrë atë godinë, meqenëse në territorin ku ishte ndërtuar Shtëpia e Kulturës, një pjesë e saj ka qenë e Kishës. Ka vende të lira plot, pse duhej prishur Shtëpia e Kulturës, sepse ishte simbolike edhe për vetë emrin që mbante. Këmbëngulja e priftërinjve, që për mua nuk flasin as shqip, me mesha dhe liturgjira, më duket se ka ardhur koha dhe për të mirën e tyre që të demonstrojnë se janë të pavarur. Deri tani, unë këtë nuk e kam parë. Investime të mëdha janë bërë në Shqipëri nga kisha. Në sqarimin e tyre jepej shpjegime se ato vinin nga ky apo ai burim, nga shumë dhurata lart e poshtë.
Në çështjen e financimeve shpjegimi i Kishës ju cilësonte dhe naiv… Ajo intervistë ishte spontane. Unë kam thënë se Greqia ka para dhe janë paratë e Europës që financojnë Greqinë, por nuk kisha parasysh se Europa ia ka dhënë Greqisë për kishat. Ky nënkuptim mbase është konsideruar si naivitet. Kur dikush të jep para për të zgjidhur hallet e tua, paratë që të teprojnë i përdor si të duash dhe besoj se kështu janë përdorur. Unë shoh që brenda një kohe shumë të shkurtër janë bërë investime të mëdha në kishat ortodokse, edhe pse Greqia deklaron se kalon krizën më të rëndë dhe pret këstet e ndihmës nga BE. Unë jam nga Mallakastra, nga një fshat i quajtur Greshicë. Atje është ngritur një kishë ortodokse dhe atje s’ka edhe një ortodoks të vetëm. Është një vend i dukshëm nga rruga e vjetër që të çon në jug dhe të gjithë tallen me atë kishë, sepse s’ka asnjë besimtar ortodoks në fshat dhe kisha, që ditën që është ndërtuar, rri e mbyllur.
Është ky një ekspansion i Kishës greke dhe në bashkëpunim me shtetin shqiptar, që ju e cilësoni si tolerues?
Kjo më kujton historitë e vjetra të Shqipërisë. Kështu hyri islamizimi në Shqipëri, në fillim me dervishët që lëviznin nëpër Shqipëri e më pas me institucionet fetare dhe pastaj u bë fakt dhe pushtimi ushtarak. Sigurisht nuk jam aq naiv që të vendos paralelizma kaq të afërt, por ka një të vërtetë në këtë gjë: përmes ndihmës dhe në fushën e institucioneve të besimit ortodoks kanë sjellë influencën dhe interesat e tyre.
Mos është bërë Shqipëria vendi i përplasjes së feve të ndryshme se kush do ketë dominimin më të madh? Çfarë informacionesh kishte SHISH?
Nuk e besoj, është një temë shumë e diskutueshme, por nuk e besoj. Të paktën ata e dinë edhe më mirë se unë se shqiptarët nuk janë aq besimtarë. Për ta, besimi është më shumë çështje ritesh, festohen festat fetare, sebepi për të bërë një festë, shkojnë të tërë, myslimanët në kishë, e shohin si një spektakël të gjithë. Po t’i pyesësh dhe të kërkosh sqarime se çfarë është kjo që po ndodh, nuk të thonë gjë, nuk dinë gjë, sepse feja nuk është kultivuar që në fëmijëri. Nga njëra anë kjo është pozitive, sepse ndihmon në harmoninë fetare dhe kombëtare. Ne kemi qenë gjithmonë në kufijtë e perandorive, këtu ndahej kufiri mes Lindjes dhe Perëndimit, këtu ndahej Bizanti me Romën, pak më tutje kufiri i Perandorisë Turke, d.m.th. janë fakte historike që kanë ndodhur.
Kur ju ishit në krye të SHISH, keni pasur informacione për burimet e financimeve të Kishës ortodokse?
Jo, në shërbimin tonë nuk e kishim si detyrë dhe nuk besoj se edhe sot nuk merren me këtë punë. Investimet janë gjëra të hapura, që duken. Po të dojë shteti shqiptar që të bëjë një bilanc se sa para janë futur për investime, llogaria bëhej shumë shpejt.
Ju e survejonit Kishën greke, në ç’aspekt, personat që shkonin e vinin, lidhjet me ambientin shqiptar, çfarë lloj survejimi ka qenë? Shiko, një shërbim informativ ka për detyrë të vëzhgojë edhe pjesën e padukshme të dukurive që ndodhin në territorin e vet. Nga kjo pikëpamje, ne nuk kemi qenë të painteresuar për të gjitha investimet e huaja në Shqipëri në fushën e fesë. Natyrisht kanë bërë islamikët shumë investime, natyrisht ata nuk kanë qenë të përqendruar në një dorë, siç kanë qenë investimet greke, kanë qenë të shpërndarë në lloj-lloj shtetesh dhe lloj-lloj shoqatash bamirëse. Nga ky vëzhgim, ne arritëm në konkluzionin se këto organizata bamirëse fshihnin në gjirin e tyre njerëz që e konsideronin Shqipërinë një vend komod për t’u fshehur për ca kohë. Nuk është se ka qenë jashtë interesit, por nuk e kemi pasur problem asnjëherë.
Kur ju bëni paralelizma rrezikshmërie mes qarqeve islamike dhe Kishës ortodokse, ku qëndronte kjo çështje?
Nuk e quaj se ka një paralelizëm të mirëfilltë. Nëse do të thosha ndonjë gjë më tepër për të justifikuar këtë rrezikshmëri, është për faktin se Greqinë e kemi fqinjin tonë kufitar, nuk them se diçka po ndodh me shtetin grek, por politika e rretheve të caktuara, ku aty fus dhe kishën, që kërkojnë një influencë më të madhe greke në Shqipëri, apo duke kushtëzuar që rruga e Shqipërisë për në BE të kalojë nga Athina, të tilla, që nuk janë me kufij shumë të qartë, është më e rrezikshme sesa ai islamik. Me islamikët nuk na lidhin interesa kaq të afërt, ata janë larg nesh, ata bëjnë punën e tyre, për të bërë për vete disa besimtarë, por kemi konstatuar se nga burimi i financimeve ishin nisur shuma të mëdha parash, dhe këtu mbërrinin shumë pak. Pra, këto financime islamike janë parë dhe si pastrime parash.
Ndërsa me Greqinë, edhe për faktin se shteti grek me Kishën nuk ka një ndarje të përcaktuar qartë, dora e Kishës bëhet më e fortë në marrëdhëniet mes dy vendeve?
Kjo është e sigurt. Ne shohim se shteti grek është shumë i lidhur, pa kishën nuk bëhet as qeveria, e cila merr bekimin e kryepeshkopit, që merr pak nuanca humori për një qeveri të shekullit ‘21. Por është, me sa duket, një lidhje simbioze, kur kisha ka nevojë për shtetin dhe shteti ka nevojë për kishën, u përputhen interesat.
Në kohën e Presidencës “Berisha” me Greqinë pati një lloj konfliktualiteti, ndërsa me qeveritë e majta dhe më pas qeverinë “Berisha”, ka pasur një tolerim të madh ndaj Greqisë. Si i keni parë këto edhe nga pozitat e SHISH?
Në përgjithësi, ne grekëve u kemi toleruar dhe unë kam idenë se kjo është bërë për arsye praktike. Dimë qëndrimin e grekëve ndaj emigrantëve shqiptarë. Sa herë që ndodhte një qëndrim më i fortë i qeverisë sonë, fillonte operacioni “fshesa” në Greqi. Një tjetër motiv ka qenë dhe fakti që Greqia është anëtar i NATO-s dhe BE-së dhe na duhej vota dhe mbështetja e saj. Kjo është e vërteta që ka pasur vërtet një servilizëm të qeverive shqiptare ndaj qeverisë greke. Grekët e kanë ndier veten këtu të sigurt se, çfarëdo që kërkonin, u jepej. Më bëri përshtypje marrëveshja për detin dhe vetëm fakti që ajo u mbajt e fshehtë për shumë kohë, tregonte se aty kishte një hile. Nuk ka nevojë të dish detaje. Një marrëveshje mes dy vendeve, që bëhet me qëllimin e mirë për të zgjidhur probleme të mbetura pezull prej shumë e shumë kohësh, duhet publikuar sa më fort, deri në detaje, që të merret vesh se ka lidhje me të mirën publike. Unë shoh dhe këmbënguljen e grekëve dhe pse kufiri që ndan Greqinë me Shqipërinë është asgjë krahasuar me kufirin që ata kanë me Turqinë, p.sh. dhe ata vazhdojnë të ngulin këmbë për këtë.
Edhe tani po negociohet dhe ka këmbëngulje nga ana e Greqisë pa ndonjë transparencë…
Le të negociohet, s’ka asgjë të keqe, por të mos mbahet e fshehur, sepse mbajtja e fshehur hedh dyshime. Dhe tani, nëse do të ndiqet e njëjta taktikë, për mua do të jetë e gabuar dhe përsëri do krijojë probleme.
Ju thoni që shteti shqiptar dhe të gjitha qeveritë e pas ’90-s janë treguar të përulura ndaj faktit se ende në krye të Kishës Ortodokse është një klerik grek. Përse ka ndodhur kjo?
Nuk i njoh detajet e organizimit të Kishës Ortodokse dhe do ishte gabim që unë të prononcohesha, sepse është një problem i brendshëm, por si shqiptar do të doja që në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare të ishte një prift shqiptar. Kanë kaluar shumë kohë dhe, nëse nuk e kanë përgatitur një njeri të zotë që të drejtojë Kishën, do të thotë se s’paskan bërë gjë ose nuk paskan dashur të bëjnë, ose nuk dinë ta bëjnë. Ka ardhur koha që Kisha Ortodokse të demonstrojë se është e pavarur nga kisha dhe shteti grek, është autoqefale. Fakti që vazhdojnë akoma dhe madje më bëri përshtypje edhe fakti se në sqarim thuhej se të gjitha vendimet janë të marra në Patrikanën e Stambollit… Unë kaq e di që Stambolli, për shkaqe historike ka mbetur atje, por ajo është Kisha greke. Nga kjo pikëpamje mendoj se ka ardhur koha që të diskutohet ky problem, të dimë edhe sa kohë duhet që të zgjidhet një kryepeshkop shqiptar.
Një klerik i fuqishëm mes Athinës dhe Tiranës…
Po sigurisht, unë e di se si i hapen dyert kryepeshkopit të Kishës Ortodokse shqiptare në Athinë. Takon njerëzit më të rëndësishëm të shtetit grek. Nuk mundet të na bindin me pretendimin se “e kemi sjellë këtë njeri, sepse ju nuk keni ende klerikë të përgatitur”. Madje, nuk hyj dot në debat, se kjo gjë është bërë kështu dhe nuk më takon mua të gjykoj, por ky është fakt.