Fajtorë dhe të pafajshëm

Prof.dr. Eshref Ymeri:“Enciklopedia” e urrejtjes greke"



Mes librave të parapëlqyer që mora me vete para se të nisesha më 03 tetor 2009 për një vizitë te fëmijët në SHBA, ishte edhe libri i zotit Nuri Dragoj me titull “Grekët dhe shqiptarët. Realitete historike” (Shtëpia Botuese “Weso”, Tiranë 2009). Ky libër doli nga shtypi aty nga fundi i muajit korrik dhe autori ma bëri dhuratë më 09 gusht. Është një libër kaq befasues, saqë të lë “pa frymë” kur e lexon. E mora me vete sepse, sapo e përfundova së lexuari në Tiranë, më lindi ideja për të shkruar diçka për të gjatë kohës që do të qëndroja në SHBA, meqenëse autori i nderuar, në këtë vepër, ka bërë “skanerin” e urrejtjes greke kundër kombit shqiptar. Prandaj e rilexova “me laps në dorë”. Libri hapet me një parathënie të akademikut Beqir Meta dhe një ndërhyrje “në vend të hyrjes” të autorit. Ai është i ndarë në tetë pjesë: Pjesa e parë - Epiri, shqiptarët dhe grekët. Pjesa e dytë - E vërteta mes prangash. Pjesa e tretë - Ballkani lakuriq. Pjesa e katërt - Prapaskenat e teatrit ballkanik. Pjesa e pestë - Çamëria është gjallë. Pjesa e gjashtë - Idealistët dhe provokatorët. Pjesa e shtatë - Himara dhe ndërrimi i kombësisë. Pjesa e tetë - Popujt dhe qeveritë. Libri mbyllet me shtojcën Fajtorë dhe të pafajshëm.

Historiografia jonë dhe, para së gjithash, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, është fajtorja kryesore që nuk ka zbardhur me kohë të vërtetat e qëndrimit të shtetit shovinist grek dhe të kishës shoviniste greke ndaj kombit shqiptar. Deri më sot ne nuk kemi nëpër duar botime seriale shkencore, zyrtare, me të vërtetë autoritare, të përkthyera edhe në gjuhë të huaja, me siglën e kësaj akademie, për tragjeditë e rënda që i ka shkaktuar popullit tonë ky shovinizëm i urryer, që asokohe kur Greqia u bë shtet i pavarur, e sidomos pas shpalljes së Megaliidesë në vitin 1844, e deri në ditët tona. Vetëm autorë të veçantë, pa përkrahjen e Akademisë dhe të shtetit shqiptarë, janë munduar, me sakrifica shumë të mëdha, të nxjerrin në dritën e diellit natyrën agresive, tejet armiqësore, që Athina zyrtare ka manifestuar në qëndrimin ndaj vendit tonë. Një autor i tillë është akademiku Beqir Meta, profesor-doktor, drejtor i Institutit të Historisë, i cili, me dy libra shkencorë që ka botuar (“Tensioni greko-shqiptar. 1939-1949”. Shtëpia Botuese “GEER”. Tiranë, 2002. “Shqipëria dhe Greqia. 1949-1990. Paqja e vështirë”. Shtëpia Botuese “Koçi”. Tiranë, 2004), që zënë një vëllim prej 1000 faqesh (të përkthyer edhe në gjuhën angleze), ka zbuluar lakuriq, me argumente shkencore, thelbin e politikës zyrtare greke, një politikë kjo fund e krye armiqësore ndaj kombit shqiptar. Në vazhdën e këtij botimi është edhe libri i zotit Nuri Dragoj, i cili sot përfaqëson një penë mjaft të njohur në lëmin e letrave shqipe, si gazetar, publicist dhe shkrimtar. Por ajo që bie më shumë në sy në krijimtarinë publicistike të zotit Dragoj, është formimi i tij nacionalist.

Për përgatitjen e kësaj vepre, zotit Dragoj i është dashur të përballojë një punë hulumtuese të jashtëzakonshme. Vetëm njerëz, të pajisur me një pasion prej arkivisti, mund të jenë në gjendje të konsultohen me një literaturë kaq të gjerë shkencore dhe publicistike, të grumbullojnë një mori aq të pafund faktesh, për t’i ballafaquar ato me detin e trillimeve mitologjike, mbi të cilat është mbështetur dhe vazhdon të mbështetet psikologjia obskurantiste e shovinizmit grekomadh dhe e kishës shoviniste greke në pretendimet e veta për Epirin e Veriut.

Çështjen e Epirit të Veriut, si një trevë e pastër shqiptare, zoti Dragoj e ka trajtuar në dritën e të dhënave shkencore të vetë autorëve grekë të lashtësisë, të cilat janë mbështetur edhe nga mjaft dijetarë të huaj, deri edhe të shek. XX. Në mjetet e informimit masiv, apo edhe në publicistikën tonë, kur është fjala për qëndrime antishqiptare nga ana e shovinizmit grekomadh, jo rrallë përsëritet shprehja stereotipe “këto janë qëndrime të ca qarqeve të caktuara greke”. Por zoti Dragoj, përmes fakteve të pastra që ka qëmtuar me aq kujdes, e ka zhvlerësuar tërësisht këtë shprehje tashmë bajate dhe përmes “skanerit” të një publicisti objektiv, ka argumentuar në një mënyrë tepër bindëse se planet antishqiptare që thuren në Athinë, janë vepër jo e “ca qarqeve të caktuara greke”, por e politikës zyrtare greke, të përfaqësuar nga krerët më të lart të saj. Ishte pikërisht Georges Papandreu, ish-kryeministër grek, i cili më 12 qershor 1960, deklaronte në Parlamentin grek: “Pretendimet tona për Epirin e Veriu janë të shenjta dhe të patundura” (f. 40). Këto pretendime të shovinizmit grekomadh kanë vazhduar të shfaqen po me të njëjtin intensitet deri në fund të shekullit që kaloi. Le të kujtojmë për një çast deklaratën e ish-Kryeministrit Micotaqis, i cili më 14 korrik 1993 deklaroi se atë që kërkon Shqipëria për Kosovën, do të kërkojmë edhe ne për Vorio-Epirin. Me ardhjen në Shqipëri të kreut të shovinizmit grekomadh, Anastas Janullatosit, synimet e Athinës për aneksimin e Shqipërisë së Jugut kanë ardhur duke marrë trajtat e një agresioni “më të butë”, duke u shfaqur në formën e greqizimit të saj hap pas hapi, të konkretizuar me ngritje varrezash për ushtarë agresorë grekë, me ngritje memorialesh dhe manastiresh, me ndërtime kishash me simbolikë tërësisht greke dhe me kërkesa për vendosjen e greqishtes si gjuhë të dytë zyrtare në Shqipëri dhe si gjuhë të parë zyrtare në zonën e minoritetit.

Një problem tjetër që shtron në ketë vepër zoti Dragoj është ai i lashtësisë së gjuhës shqipe, për të cilën e kanë thënë fjalën e vet mjaft shkencëtarë të huaj, si Hobhauz, Mayer, Catapano, Bue, Han, Pelegrini, Valois, Borgia e shumë të tjerë. Pikërisht gjuhën shqipe, këtë simbol të kombit shqiptar, kisha shoviniste greke e ka vlerësuar si armikun kryesor të saj. Prandaj ajo dërgonte në trojet shqiptare një emisar të vetin me emrin Kozma, të veshur me petkun e “shenjtorit”, i cili mes shqiptarëve kërkonte të bënte predikime paradoksale, si ai që citon zoti Dragoj: “…Perëndia e quante veten të fyer kur dëgjonte lutje me lavde në gjuhën shqipe” (f.64).

Urrejtja e shovinizmit grekomadh kundër gjuhës shqipe ka qenë e thekshme edhe pas shpalljes së pavarësisë së vendit tonë. Në një shkrim me titull “Përpara me kryqin në njërën dorë dhe në tjetrën thikën”, marrë nga “Revista-Kombi@yahoo.com (31 dhjetor 2009), zoti Abedin Rakipi thekson: “Në të përkohshmen “Pàrnasos” të shkurtit 1916 shkruhej: “Më të shumtët e ushtarëve tanë ndërmjet tyre flasin shqip me një mënyrë që e bëjnë dëgjuesin të kujtojë se gjendet në ushtrinë e mbretit të Shqipërisë, princ Vidit, e jo në ushtrinë e mbretit të Greqisë, Kostandinit. . ..Ky është një zakon i keq...që duhet çrrënjosur me tërë masat e rrepta të duhura””.

Dr. Margarit Gjoka, në studimin e vet me titull “Teoria pellazgjike dhe indoevropiane e gjuhës shqipe”, shkruan se shqiptarocentristët pohojnë se “shqipja është nëna e gjuhës greke, ndonëse alfabeti i saj i takon shekullit të 20-të, se Homeri është pellazgu paraardhës i shqiptarëve të sotëm, ndonse shkrimet e para shqipe janë të shek 16…” (citohet nga faqja e internetit).

Por, në burime, të cituara prej zotit Dragoj, thuhet se autorë të huaj “japin argumente bindëse për mënyrën se si janë shkatërruar të gjitha arkivat e primatisë ilire dhe të gjitha pjesët përkatëse të marrëdhënieve kanonike, të cilat ilirët i kishin pasur, deri në atë kohë, me Romën. Sipas tyre, ka pasur dokumente të çmuara edhe në Manastirin e Shën Naumit, të ndërtuar në shekullin XII, të cilat u shkatërruan me urdhër të patrikut grek në vitin 1850 ose 1851. Në këtë rast, ata citojnë murgun Serafim, autor i këtij akti vandalizmi, i cili, më 1856, i thoshte peshkopit Popov dhe tre shokëve të tij (një dhjaku dhe dy priftërinjve francezë): “…Sa më ka kushtuar për t’i shkatërruar të gjitha këto! Por patriku më ka urdhëruar tri herë radhazi. Më së fundi, ai më shkroi: “Është hera e fundit që ne të urdhërojmë. Nëse në këtë kohë nuk janë djegur të gjitha arkivat, ti do të zëvendësohesh dhe atë që nuk do ta bësh ti, do ta bëjnë të tjerët’. Vetëm atëherë arrita në përfundimin që të bëja një pirg me to para manastirit dhe t’i vija flakën. Por sa keq më vinte”” (f. 49).

Dr. Musa Ahmeti shkruan: “Ne, duke ndjekur gjurmët e studiuesve të mëhershëm, kishim fatin e mirë, që në Arkivin Sekret të Vatikanit, të zbulonim një dorëshkrim nga viti 1210, me autor Teodor Shkodranin. Dorëshkrimi përbëhet nga 208 fletë. Është i shkruar në pergamen dhe i tëri është në gjuhën shqipe. Ndahet në tri tërësi: atë teologjike, filozofike dhe historike. I gjithë teksti është autograf”. (“Gazeta Shqiptare”, 23 shtator 2002). Por fill pas këtij njoftimi, kundër dr. Ahmetit u sulën të gjithë “antishqiptarocentristët”, duke u shprehur me nota të ashpra në adresë të tij, madje duke e etiketuar edhe me epitete që janë të huaja për etikën intelektuale. Çuditërisht, asnjëri prej tyre, duke filluar që nga profesori Kristo Frashëri e deri te studiues të rangjeve të tjera, nuk u ndal e të gjykonte me gjakftohtësi, nëse në këtë mes kishim të bënim me të vërtetë me një zbulim arkivor befasues ose jo, duke kërkuar që të komunikonin më nga afër edhe me autorin e këtij njoftimi, dr. Ahmetin. Por, një tjetër shkencëtar, profesori hungarez Imre Toth, në një libër të vetin që ua ka kushtuar Kirilit dhe Metodit, dy krijuesve të alfabetit të sllavianishtes së vjetër, të botuar në Sofje, në gjuhën bullgare, në vitin 1981, thekson se, gjatë punës për krijimin e atij alfabeti, ata u mbështetën në shtatë burime. Mes këtyre burimeve, burimi i tretë (f. 60 e librit në fjalë) ishte staro allbansko pismo (shkrimi i vjetër shqip). Dihet që Kirili dhe Metodi e krijuan alfabetin e sllavianishtes së vjetër në shek. IX (viti 860). Ta quash shkrimin shqip të vjetër në shek. IX, do të thotë që “mosha” e tij duhet të jetë mijëravjeçare dhe nuk besoj se profesori Toth duhet të dyshohet për “shqiptarocentrizëm”, as filologu Catapano që thotë se ilirishtja është folur mëse 12000 vjet më parë, siç e citon zoti Dragoj në faqen 60 të librit të vet. Por, dokumente të shkruara të periudhës së Ilirisë, fatkeqësisht, nuk gjenden se “kamillafi” grek i ka kërkuar pilë më pilë me pishë në dorë, për t’i zhdukur nga faqja e dheut. Të mos harrojmë këtu edhe rrënimin e kulturës mijëravjeçare iliro-epirote nga ana e gjeneralit romak Paul Emile, i cili, në vitin 168 p.e.r. rrafshoi 70 qytete dhe shiti si skllevër 150 mijë banorë vendës.

Një pjesë të konsiderueshme të librit të zotit Dragoj e zënë përshkrimet mjaft të hollësishme të krimeve të rënda që shovinizmi grekomadh dhe kisha shoviniste greke ka kryer kundër popullit shqiptar në Epirin e Jugut (Çamëri) dhe në Epirin e Veriut (Shqipëri e Jugut), Duhet të kesh, një durim prej hulumtuesi “të kuturisur”, duke sakrifikuar madje edhe shëndetin tënd, që të arrish të grumbullosh aq shumë fakte rrëqethëse për ato krime shtazarake dhe t’i shpalosësh aq mjeshtërisht në faqet e një libri, të cilat përbëjnë një “enciklopedi” më vete, por, fatkeqësisht, “enciklopedinë” e një urrejtjeje të pashembullt që shovinizmi grekomadh dhe kisha shoviniste greke ka ushqyer dhe vazhdon të ushqejë kundër kombit shqiptar. Ndërkohë, dhuna dhe terrori i tyre nuk kanë qenë të pakta edhe kundër identitetit kombëtar të arvanitasve. Përkundër këtij qëndrimi, karakteristik për periudhën e inkuizicionit, që shovinizmi grekomadh dhe kisha shoviniste greke ka mbajtur edhe ndaj minoritetit arvanitas, dr. Margarit Gjoka, në studimin e lartpërmendur, shkruan: “Arvanitasit përbëjnë një minoritet kulturor, por etnikisht të padallueshëm. Por origjina e tyre ka ngelur deri ditët e sotme në ndërgjegjen e tyre dhe Pangalos, ish-ministri i punëve të jashtme me orgjinë arvanitase, do të deklaronte në ditët e pasndeshjes Shqipëri - Greqi (është fjala për ndeshjen e 04 shtatorit 2004, në të cilën përfaqësuesja greke u mposht nga ajo shqiptare me rezultatin 2:1, në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” - E.Y.) se “shqiptarët dhe grekët janë si dy vëllezër që zihen midis tyre””. Por zoti Nuri Dragoj na ka dhënë një fakt shumë interesant në faqet e librit të vet, fakt ky që vërteton se sa “etnikisht i padallueshëm” na qenka ai minoriteti “kulturor” arvanitas në Greqi, duke na zbuluar kësisoj një tjetër realitet që është krejtësisht i përkundërt me atë që paraqet dr. Gjoka: “Kolë Boçari, profesor historie në Universitetin e Kuislandit në Australi, në vitin 1996 bëri një replikë me ministrin grek për çështjet evropiane, në gazetën britanike “The Europeans”, në të cilën u shpreh: “Mësova për deklaratën tuaj, z. Ministër, në të cilën ju pohuat se në Greqinë e sotme nuk ka minoritet. Ju ose e keni humbur lidhjen me realitetin, ose ju ka verbuar fare nacionalizmi… Në Greqi jo vetëm që ka minoritet, por atje ekziston një minoritet i madh, mbi 2 milionë banorë, që kanë pushtuar Peloponezin, Athinën, Thrakën, Livadhianë.., gjë të cilën Greqia e ka mohuar gjithmonë… Unë dhe familja ime jemi një nga viktimat e këtij represioni shekullor… Ju na ndaluat me forcë, që ne, arvanitasit, ta ushtronim meshën në gjuhën shqipe, të flisnim publikisht në gjuhën e nënës, madje na përgjonit që të mos flisnim lirisht edhe në shtëpi… Për këtë shkak, kemi ikur nga fshati i lindjes në Peloponez, për të gjetur lirinë këtu, në Australi…” (f.326). Kjo deklaratë e profesor Boçarit, si ish-qytetar grek me kombësi shqiptare, ua nxjerr bojën keq jo vetëm shovinizmit grekomadh dhe kishës shoviniste greke, por edhe gjithë atyre që, në Shqipëri, u bëjnë fresk nga dëshira ose nga zori. Sa për deklaratën e Pangalosit, se grekët dhe shqiptarët na qenkan, demek, si dy vëllëzër që zihen midis tyre, unë mund t’i shtroj atij pyetjen: “po si na qenka e mundur që shqiptarët dhe grekët t’u ngjakan dy vëllezërve, njëri nga të cilët vazhdon të mbetet kriminel shekullor, kurse tjetri vazhdon të mbetet përherë në rolin e viktimës shekullore? Do të ishte mirë që këtë përrallë, si ato të natës së shënëndreut, zoti Pangalos t’ua shiste atyre të azilit të madh të të çmendurve, siç e karakterizonte Greqinë ish-presidenti Karamanlis në vitin 1981 (Robert D. Kaplan. Greqia: Dashnorja e Perëndimit, Gruaja e Lindjes, f. 40).

Problemin e Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë zoti Dragoj e ka trajtuar me mjaft profesionalizëm. Duke e lidhur ngushtë veprimtarinë e ketij institucioni fetar me çështjen kombëtare shqiptare, ai i ka nisur hulumtimet e veta që nga përpjekjet e para të Fan Nolit për përkthimin e teksteve liturgjike, mbajtja e meshës së parë në gjuhën shqipe në Kishën e Bostonit, Kongresi i Parë Kishtar i Beratit (11 shtator 1922), krijimi i Sinodit të Shenjtë (18 shkurt 1929), Kongresi i Dytë Panortodoks (Korçë, 19 qershor 1929) që aprovoi Statutin e Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, deri te njohja kanonike e autoqefalisë së saj prej Patrikanës së Stambollit më 17 prill 1937. Ajo që vlen të theksohet në tërë këtë punë kërkimore të zotit Dragoj, është fakti që ai ka nxjerrë në pah me shumë të drejtë tërë përpjekjet e pareshtura të qeverisë së Zogut për konsolidimin e pavarësisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, veprimtaria e së cilës, po të kemi parasysh qëndrimin armiqësor të shovinizmit grekomadh dhe të kishës shoviniste greke ndaj pavarësimit të saj, merrte një rëndësi të jashtëzakonshme në kuadrin e mbrojtjes së çështjes kombëtare shqiptare. Prandaj jo më kot zoti Dragoj, gati një të pestën e librit të vet ia ka kushtuar pikërisht trajtimit të çështjes së Kishës Ortodokse Shqiptare, duke arritur deri te analiza e hollësishme e veprimtarisë së uzurpatorit Janullatos.

Lidhut me shfaqjen “e beftë” të Janullatosit në kryeskenën e Kishës Ortodokse Shqiptare (nuk po përmend fjalën “autoqefale”, meqenëse që kur shkeli këmba e Janullatosit në derën e saj, ajo e tillë nuk mund të quhet më), zoti Dragoj citon fjalët e zotit Sabri Godo: “Fillimisht, pëlqimin për nisjen e veprimtarisë së Janullatosit në Shqipëri e ka dhënë ish-Presidenti i asaj kohe, Ramiz Alia… Por mbetet e paqartë se në çfarë rruge është bërë emërimi i tij. Kjo është kaluar në heshtje nga Ramiz Alia” (f. 410).

Po kush është ky Ramiz Alia, i cili, një ditë të bukur, duke shkelur Statutin e Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, pranoi të vihet në krye të saj një grek, një armik i betuar i autoqefalisë së saj? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë te karakterizimi i shkëlqyer që zoti Xhelil Gjoni i ka bërë figurës së këtij njeriu pa identitet. “Ramiz Alia, - thotë ai, - është një figurë e dyzuar. Natyrisht, është një figurë e rritur nën hije. Njësoj si bima nën hije. E zbehtë, pa kurajë për të vendosur dhe me një marifet për t’i thënë gjërat me dy kuptime... Në një kuptim, kur ia do puna që ta ketë thënë në ndonjë formë deklaratën, thotë e kam thënë kështu, por edhe ndryshe. Pra, i lë fjalët me disa kuptime për të qenë i mbrojtur. Kjo është një nga cilësitë e tij, për mendimin tim, cilësi e keqe. Ai nuk kishte kurajë për t’i thënë gjërat, por edhe për t’i zbatuar. Në rast se nuk i realizon, ato mbeten në kuadrin e fjalëve dhe s’ke bërë asgjë, vetëm nëse ke folur, dhe aq më keq me disa kuptime… Ramizi ishte një njeri që ishte rritur si bima nën hije dhe e zënë nga bryma. Ai ishte rritur si figurë nën hijen e Enverit, nën hijen e Mehmetit dhe nën hijen e Hysni Kapos”. (Intervistë, dhënë gazetares Luljeta Progni. “Gazeta Shqiptare”, 21 janar 2009). Pra, pikërisht ky Ramiz Alia, ky njeri pa “klorofil” politik, është shkaktari kryesor i pushtimit të Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë prej Anastas Janullatosit.

Nga faqja e internetit “Peshku pa ujë” (04-05 nëntor 2009) mësojmë ca gjëra interesante. Aty njihemi me faktin se Janullatosi paska ardhur në Shqipëri më 16 korrik 1991, pas një kompromisi të bërë në Korfuz, më 2 korrik 1991, midis ministrit të punëve të jashtme të Shqipërisë, zotit Muhamet Kapllani, dhe ministrit të punëve të jashtme të Greqisë, zotit Antonios Samaras. Sigurisht që zoti Kapllani atë kompromis nuk e bëri me kokën e vet, e bëri me urdhër të Ramiz Alisë. Disa javë para ardhjes, më 3 qershor 1991, Janullatosi i paska dërguar Ramiz Alisë këtë letër: “Shkëlqesia juaj! Do të doja t’ju paraqisja juve, shkëlqesi, çështjen e Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare dhe të zhvillimit të saj në kontekstin e ndryshimeve institucionale.…Dihet mirë se Kisha Ortodokse e Shqipërisë është një institucion në shkallë botërore me traditën dhe rregullat e saj të pranuara universalisht dhe asnjë kishë ortodokse nuk mund të ekzistojë dhe më tepër të organizohet, pa një peshkop që të ketë pasues apostolik. Përderisa në të gjithë botën sot nuk ka një peshkop ortodoks për të marrë përgjegjësinë e riorganizimit të kishës në Shqipëri, Patrikana Ekumenike e Kostandinopojës, që është froni i parë i njohur zyrtarisht nga të gjitha kishat ortodokse që i përkasin institucionit në shkallë botërore të ortodoksisë (ruse, serbe, rumune, bullgare, greke, shqiptare), mori iniciativën e emërimit tim për të ardhur në vendin tuaj si një patriark eksark.

1.Të komunikoj me autoritetet e duhura të qeverisë shqiptare dhe me pëlqimin e tyre dhe ku të jetë nevoja, me bashkëpunimin e tyre, të hyj në kontakt me priftërinjtë ordodoksë atje, pavarësisht nga origjina dhe gjuha amtare.

2. Të merrem me punë organizative kishtare në nivelin primar, mbas zhvillimeve të fundit dhe vendimit për t’i dhënë liri fetare Shqipërisë.

3. Të merrem me krijimin e kushteve, në një kohë sa më të shpejtë, që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë të vetëdrejtohet, me bindjen se riorganizimi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë duhet të përfundohet në bashkëpunim me ortodoksët e interesuar. Unë tashmë kam kontaktuar me Lartësinë e tij Metropolitanin Theudosiun, Primati i Kishës Ortodokse në Amerikë, dhe me rev. Artur Liolin, kancelar i Kryedioqezës Shqiptare në Amerikë, dhe ne ramë dakord plotësisht të bashkëpunojmë, në kuadrin e objektivave të lartpërmendura, për të mirën e ortodoksisë në Shqipëri dhe të të gjithë qytetarëve të saj.

Si një peshkop ortodoks, dua t’ju siguroj ju, shkëlqesi, në mënyrën më të dukshme, se misioni i patriarkut eksark në Shqipëri kërkon ekskluzivisht t’i shërbesh me sinqeritet popullit të dashur shqiptar në këtë kohë kritike dhe të ndihmohet për të çuar përpara çështjen e paqes dhe të mirëkuptimit vëllazëror në Evropë dhe në botë”.

Në çfarë përfundimesh mund të vijë lexuesi kur njihet me përmbajtjen e letrës së sapocituar të Janullatosit?

Së pari, që në fillim të kësaj letre, Janullatosi shfaqet jo fort i çiltër kur deklaron se, demek, në të gjithë botën nuk u gjendkej dot një peshkop ortodoks që të merrte përsipër riorganizimin e Kishës Ortodokse në Shqipëri. Nga ç’burime na qenkësh informuar Janullatosi se një peshkop i tillë na paskësh qenë e pamundur të gjendej? Ne nuk dime gjë, që Shqipëria ta kishte autorizuar paraprakisht Janullatosin që ta bridhte botën cep më cep për të gjetur një peshkop eksark për kishën tonë ortodokse? Veç kësaj, presidentit Alia duhej t’i drejtohej fillimisht Patrikana Ekumenike e Stambollit me kërkesën për emërimin e një peshkopi eksark në Kishën Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, pa përmendur paraprakisht ndonjë emër konkret. Por, “çuditërisht”, Janullatosi, para se t’i drejtohej presidentit Alia me letrën e mësipërme, zanafilltas na qenka vënë në dijeni prej Patrikanës Ekumenike të Stambollit se prej saj na qenkësh marrë nisma për emërimin e tij si peshkop eksark në Kishën Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë! Së këtejmi, vetvetiu, vjen përfundimi se, së pari, letra e Janullatosit për presidentin Alia përbën një formalitet të kulluar, për të mos thënë tallje ditën për diell, dhe, së dyti, në praktikën e punës së Patrikanës Ekumenike të Stambollit, bishti na qenka më i rëndë se sqepari: një peshkop eksark na dalka mbi autoritetin më të lartë të ortodoksisë botërore, duke iu drejtuar presidentit të një vendi të huaj me një letër të tillë, para se ajo t’i drejtohej vetë presidentit në fjalë.

Së dyti, Janullatosi e prezanton veten si një njeri i pabesë, kur deklaron se Patrikana Ekumenike e emëruakej atë patriark eksark (demek, këshilltar) në Kishën Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë. Por sa mbushi një vit, si gjoja këshilltar i kishës sonë, në kundërshtim me premtimin që kishte bërë në letrën e mësipërme dhe me Rregulloren e KAOSH-it, ai kërkoi të vetëshpallet kryepeshkop. Por meqenëse këtë qëllim prej të pabesi s’arriti ta realizonte dot në mjediset e Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, për shkak të protestave të fuqishme që shpërthyen atje kundër tij, u vetemërua kryepeshkop në mjediset e Tirana International Hotel, i shoqëruar nga një skotë sahanlëpirësish të tij, paçka se deri asokohe shqiptarët s’dinin gjë që në adresë të ish-Presidentit Berisha të kishte ardhur ndonjë kërkesë me shkrim nga Patrikana Ekumenike e Stambollit për emërimin e Janullatosit në këtë post.

Ky qëndrim prej të pabesi që mbajti Janullatosi ndaj kishës sonë, vërteton pa as më të voglin dyshim se ata që planifikuan dhe realizuan dërgimin e tij në Shqipëri ishin shovinizmi grekomadh dhe kisha shoviniste greke, të cilët, me vendosjen e pluralizmit në Shqipëri, krijuan bindjen e plotë se, derisa me luftë gjatë një shekulli të tërë nuk patën arritur dot gjë, tani u paskej ardhur dita për të shtënë në dorë dhe për të greqizuar në mënyrë “të butë” Shqipërinë e Jugut.

Nuk çuditemi pse Ramiz Alia, në cilësinë e Presidentit të vendit, pranoi ardhjen e Janullatosit si këshilltar i kishës sonë. Si pjesëtar i klikës komuniste, që ushtroi shtypjen më të egër në Evropë kundër popullit shqiptar të Shqipërisë Londineze, ai ia kishte shitur shpirtin ortodoksisë shoviniste serbogreke dhe s’e pati për gjë që të lejonte pushtimin e kishës sonë nga një armik i betuar i kombit shqiptar, të cilit kisha shoviniste greke i kishte ngarkuar si detyrë rolin e pararojës së shovinizmit grekomadh në Tiranë. Po të mos kishte qenë roli prej lakeu i asaj klike në shërbim të kishës shoviniste serbogreke, pas spastrimit etnik të Çamërisë, në jug të Shqipërisë nuk do të vdisnin nga uria dhe sëmundjet 2755 çamë (Prof.dr. Beqir Meta. “Tensioni greko-shqiptar. 1939-1949”, f. 185), ndërkohë që nga radhët e partizanëve të frontit komunist grekë që strehoheshin në vendin tonë gjatë luftës civile në Greqi, nuk u shënua asnjë i vdekur nga sëmundjet ose nga uria.

Po ish-presidenti Berisha pse pranoi të dekretonte emërimin e Janullatosit si kryepeshkop të kishës sonë? Nga interneti mësojmë se kur zotin Berisha e paskan pyetur se pse e bëri një gjë të tillë, ai qenka përgjigjur: “Po ku i dija unë rregulat e KAOSH-it”. Sa e çuditshme, aq edhe e pabesueshme. Zoti Berisha, një njeri i pajisur me një kulturë të gjerë, nuk paska pasur dijeni për përmbajtjen e Statutit të Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë! Po për luftën e egër që kisha shoviniste greke ka zhvilluar kundër vendit tone zoti Berisha nuk paska pasur dijeni? Por për atdhetarët e shquar të kombit tonë, të vrarë dhe të masakruar egërsisht nga kisha shoviniste greke, si Papa Kristo Negovani, Naum Veqilharxhi, Koto Hoxhi, Petro Nini Luarasi, atë Stath Melani etj., zoti Berisha nuk paska pasur dijeni? Nuk e paska ditur ai se çfarë vlerësimesh të shkëlqyera na ka lënë Fan Noli për priftërinjtë grekë, për kishën shoviniste greke dhe për kryqin e saj, i cili, sipas tij, meriton të varet në qafën e gomarit? (Vepra, vëll. 2, f. 95). Vallë të mos i kujtohen thua zotit Berisha fjalët e mikeshës së shquar të popullit shqiptar Edit Durham, e cila në veprën e vet me titull “Brenga e Ballkanit”, shkruante se tek udhëtonte nëpër Shqipërinë e Jugut, gjithandej dëgjonte thirrjen “…na shpëtoni nga prifti grek!” (citohet sipas librit në fjalë të zotit Nuri Dragoj, f. 215).

Së treti, Janullatosi i deklaron Ramiz Alisë se ai do t’u merrkej “me krijimin e kushteve, në një kohë sa më të shpejtë, që Kisha Autoqefale Ortodokse e Shqipërisë të vetëdrejtohet…”. Faktikisht po mbushen gati 20 vjet që nga koha e ardhjes së Janullatosit në Tiranë, por zvarritja e krijimit të kushteve janullatiste, në një kohë sa më të shpejtë për vetëdrejtimin e kishës sonë, nuk paska të mbaruar! Për 20 vjet njeriu mund të përfundojë katër ose pesë universitete, kurse Janullatosit kaq vite iu dukkan të pamjaftueshme! Sigurisht që Janullatosit nuk i mjaftojnë 20 vjet për zhdukjen e fesë myslimane nga Shqipëria dhe greqizimin e Shqipërisë së Jugut. Prandaj zvarritjen e “krijimit” të këtyre kushteve ai e ka shndërruar në “perin e Penellopës”.

Së katërti, Janullatosi, në letrën drejtuar Ramiz Alisë, deklaron se “misioni i patriarkut eksark në Shqipëri kërkon t’i shërbesh ekskluzivisht me sinqeritet popullit të dashur shqiptar”. Por, si njeri i pabesë që është, ai s’e ka për gjë që këtë deklaratë ta shkelë me të dyja këmbët në një intervistë që i ka dhënë gazetarit të mirënjohur amerikan Fred Reed. Në atë intervistë Janullatosi e prezanton veten si një hipokrit i sinqertë në qëndrimin ndaj popullit “të dashur” shqiptar. Kështu, në emisionin e datës 4 dhjetor 2004 të zonjës Rudina Xhunga në “Top channel”, zoti Petrit Bidoshi, Kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e Autoqefalisë, deklaroi: “Dua t’ju citoj një frazë nga libri i një historiani të njohur grek, Nikolas Stavros, me titull: “Grekët dhe ballkanasit e rinj”. Në këtë libër ai shprehet: “Futja në dorë e kishës shqiptare është fitorja më e madhe e jona në Shqipëri në shek. XX”. Pra, vetë deklarata e historianit grek zbulon fytyrën e vërtetë të shovinizmit grekomadh dhe të kishës shoviniste greke në raport me Shqipërinë, duke e zhveshur lakuriq në sytë e opinionit publik shqiptar edhe pararojën e tyre në Shqipëri, Anastas Janullatosin. Dhe më poshtë zoti Bidoshi vazhdoi: “Dua t’ju rrëfej një tjetër bisedë që një gazetar amerikan, Fred Reed, ka pasur me Janullatosin dhe që padashur këtij i nxjerr sytë. Ai ka shkruar një libër [është fjala për librin "Salonica Terminus" (Talonbooks, 1996 - E.Y.)], ku në faqen 118 tregon se gjatë një vizite në Tiranë kishte takuar Janullatosin dhe ky i fundit i ishte afruar duke thënë: “Zoti Reed, ju jeni një gazetar i shquar dhe fjala juaj peshon. Ndaj, ju lutem shumë, sensibilizoni se këtu duan të krijojnë një shtet fundamentalist islamik dhe kanë si qëllim të shtypin ortodoksinë”. Këta dy shembuj janë domethënës se pse Janullatosi është dërguar qëllimisht. Le të vinte një bullgar, një rumun, por kurrë një grek” (Gazeta “Shqip”, 6 dhjetor 2004, f. 6). Për më tepër, në vitin 1999, gjatë kohës që Serbia po bombardohej nga aviacioni i NATO-s, qëlloi që ky Janullatosi të ndodhej për një vizitë në Moskë. Gjatë asaj vizite, ai i deklaroi agjencisë ruse Itar-Tass se, demek, po u derdhkej gjak “i pafajshëm” serb. Harronte qëllimisht ky shovinist i përbetuar që populli shqiptar i Kosovës po notonte në një det të vërtetë gjaku nga krimet që po kryente atje shovinizmi serbomadh dhe kisha shoviniste serbe.

Por fytyrën e vërtetë të Janullatosit, si kreu politik i shovinizmit grekomadh dhe i kishës shoviniste greke në Shqipëri, zoti Dragoj na e zbulon deri në imtësi në faqet e librit të tij (396-397). Le të flasim më konkretisht.

Së pari, Janullatosi takohet me ministra grekë dhe bisedon me ta për problemet e minoritetit, ndërkohë që në Shqipëri është një parti politike që merret me problemet e minoritetit në fjalë, çka dëshmon se ai është dërguar në Shqipëri jo për rimëkëmbjen e Kishës Ortodokse Shqiptare, por për të tjera qëllime që nuk kanë lidhje me fenë.

Së dyti, Janullatosi, në gazetën “Katerinimis” paska deklaruar: “Nuk e kuptoj idenë e shqiptarëve që feja e shqiptarit është shqiptaria. Këtë tezë, - thotë ai, - do ta luftojmë, duke dalë hapur kundër Rilindjes Kombëtare Shqiptare”.

Së treti, siç u përmend edhe më lart, ai është shprehur kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, rrjedhimisht, ka marrë anën e serbëve për masakrimin e popullit shqiptar të Kosovës.

Së katërti, ka kërkuar që Bashkimi Evropian të jetë një bashkim politik i krishterë, ku, sigurisht, të mos marrë pjesë Shqipëria që shumicën e popullsisë e ka të fesë islame.

Së pesti, në intervistën që i ka dhënë gazetarit Fred Reed thotë: “Njerëzit në Perëndim duhet ta kuptojnë se islamizmi është, në thelb, një fe politike, duke anashkaluar në një mënyrë cinike faktin që feja në Greqi drejton shtetin.

Së gjashti, po në intervistën e sipërpërmendur të vitit 1996, kur president i vendit ishte zoti Berisha, Janullatosi ka deklaruar: “Agjenci të rëndësishme të qeverisë shqiptare janë në duar të fundamentalistëve myslimanë. Forca të fuqishme antiortodokse duan të krijojnë republikën e parë islamike në Evropë, pikërisht këtu, një Shqipëri të Madhe që do të përfshijë Kosovën dhe një pjesë të Maqedonisë”. Ky armik i betuar i kombit shqiptar që ndihet i shqetësuar, siç thotë zoti Dragoj, për humbjen nga Greqia të bregdetit lindor të Egjeut dhe të Qipros Veriore, ngrihet kundër aspiratës për bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar.

Nga këto fakte që zoti Dragoj ka renditur në librin e vet, rezulton se misioni i Janullatosit në Shqipëri, siç u theksua edhe më sipër, nuk është aspak fetar, ai është një mision i pastër politik që atij ia ka ngarkuar shovinizmi grekomadh dhe kisha shoviniste greke, në dëm të interesave jetike të kombit shqiptar. Prandaj ne nuk mund të mos e besojmë shqiptaro-amerikanin e shquar, zotin Gary Kokalari, i cili ka deklaruar se Janullatosi është kolonel i shërbimit sekret grek (Gazeta “Shekulli”, 06 qershor 2006).

Ja kjo është fytyra e vërtetë e Janullatosit, e këtij armiku të urryer të popullit shqiptar, të cilin, nga njëra anë e quan “popull të dashur”, kurse në të vërtetë, para një gazetari amerikan, e akuzon për popull fundamentalist që kërkuaka të shtypë ortodoksinë. Harron ky armik i urryer që harmonia fetare ka qenë, është dhe do të mbetet në themel të unitetit të popullit dhe të mbarë kombit shqiptar, që feja ortodokse, siç thekson me shumë të drejtë Fan Noli, është pasuri shpirtërore jo vetëm e ortodoksve, por e mbarë popullit shqiptar. Me deklaratën e mësipërme, Janullatosi vetëdemaskohet si kreu i shovinizmit grekomadh dhe i kishës shoviniste greke në Shqipëri, të cilët kanë pasur, kanë dhe do të vazhdojnë të kenë për mision të përhershëm përçarjen fetare në vendin tonë, zhdukjen e fesë myslimane dhe greqizimin e jugut të Shqipërisë. Faktet e sipërcituara dëshmojnë fare shkoqur se Janullatosi në krye të kishës shqiptare, sipas fjalëve të arta të atë Nikolla Markut, përfaqëson në vetvete një simbiozë të përsosur të Jagos me Tartufin.

Po përmes faqes së sipërpërmendur të internetit, njihemi edhe me përshëndetjen e presidentit Bamir Topi me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Janullatosit:

“Fortlumturia Juaj Anastas,

Është një kënaqësi e veçantë që në këtë 80-vjetor të ditëlindjes suaj të përfitoj nga rasti për t’ju uruar jetë të gjatë, shëndet të mbarë, forcë dhe energji në kryerjen e misionit tuaj të shenjtë në drejtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Duke pasur parasysh veprimtarinë tuaj të gjatë e të vyer në shërbim të Zotit dhe të mësimeve të shenjta për ruajtjen dhe pasurimin e mëtejshëm të vlerave dhe virtyteve shpirtërore, do të dëshiroja që në këtë ditë të veçantë për ju, të shpreh dhe një herë vlerësimin tim të lartë për kontributin dhe veprimtarinë tuaj në drejtim të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, në ringjalljen e besimit fetar dhe shpresës njerëzore për një jetë të ardhme sa më të begatë dhe në konsolidimin e mëtejshëm të harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri. Edhe një herë, Fortlumturia juaj, edhe njëqind dhe Zoti ju bekoftë, ju dhëntë një jetë të gjatë e të frytshme në të mirë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”.

Personalisht ndiej keqardhje të thellë që presidenti i vendit tim shpreh gjithë ato konsiderata të larta për një uzurpator të Kishës sonë fanoliane, veprimtarinë e të cilit në Shqipëri zoti Nuri Dragoj e ka pasqyruar me një vërtetësi befasuese. Presidenti i vendit nuk mund të mos jetë në dijeni të amanetit të Nolit, i cili na ka porositur që “t’i spastrojmë me mashë dhespotlerët grekë pa vonim dhe të kërkojmë dhespotlerë shqiptarë” (Vepra, vëll. 2, f.152).

Pas gjithë atyre deklaratave të mësipërme antishqiptare të Janullatosit, që zoti Dragoj i përmend në librin e vet, për të cilat presidenti i nderuar i vendit tonë nuk mund të mos jetë në dijeni, është vështirë ta përfytyrosh se si qenka e mundur që ai të shprehet me aq entuziazëm për figurën e Janullatosit në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare! Presidenti ynë nuk mund të mos e dijë që zhvarrimet e Kosinës janë vepër e Janullatosit, që ndërtimi i kishave greke në jugun e Shqipërisë është vepër e Janullatosit, që ndërtimi i kadetrales gjigante në qendër të Tiranës, një sfidë e hapur kjo ndaj komunitetit mysliman, a thua se Shqipëria na qenka një vend ortodoks, është vepër e Janullatosit.

Besoj se presidenti ynë i nderuar duhet ta ketë lexuar veprën në fjalë të zotit Dragoj, në të cilën argumentohet me fakte se cili ka qenë roli i kishës shoviniste greke dhe i priftërinjve grekë në mbajtjen ndezur edhe sot e gjithë ditën të histerisë antishqiptare.

Por pjesën jo më pak tronditëse të librit të vet zoti Dragoj ia kushton analizës së lëshimeve që klasa politike shqiptare i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë shovinizmit grekomadh dhe kishës shoviniste greke, në dëm të interesave kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Me formimin e vet të admirueshëm, si një intelektual nacionalist, ai ngre me forcë zërin e protestës kundër këtyre lëshimeve të klasës politike të Tiranës, të cilat nuk mund të vlerësohen ndryshe, përveçse si tradhti kombëtare. Prandaj ai shkruan: “Gjunjëzimi dhe heshtja nuk kontribuojnë në marrëdhëniet mes dy shteteve, madje i keqësojnë këto marrëdhënie, duke intensifikuar e përhapur zemërimin e emigrantëve, zemërimin e opinionit publik shqiptar. Në të kundërt, këto marrëdhënie diku do të ngecin” (f492). Këto janë fjalë të arta të zotit Dragoj, të cilat i bëjnë jehonë paralajmërimit që zoti Baleta i ka bërë klasës politike të Tiranës që në mesin e viteve ’90 se sulmi grek një ditë do të përballohet me një kosto shumë të lartë. Me lëshimet e veta që i bën shovinizmit grekomadh dhe kishës shoviniste greke, klasa politike e Tiranës mund ta çojë vendin drejt një konflikti ndërfetar apo edhe më tej. Prandaj jo më kot zoti Dragoj shpreh shqetësimin e vet për faktin se pushtimi nga ana e Janullatosit i Shtëpisë së Kulturës “Naim Frashëri” në Përmet, ka bërë që Komuniteti Musliman atje t’u drejtohet me një letër institucioneve shtetërore për t’i vënë në dijeni se po nuk u lirua Shtëpia e Kulturës, ata do të pushtojnë Pallatin e Sportit dhe gjimnazin e qytetit që janë ngritur mbi pronën e këtij komuniteti. Ndërtimi i kishave me simbolikë greke, madje edhe në ato zona ku nuk ka besimtarë ortodoksë, është një tjetër karshillëk që i bëhet komunitetit mysliman nga ana e Janullatosit, pas lëshimeve që i ka bërë këtij klasa politike e Tiranës. Paskëtaj kjo klasë politike a mund të japë dot garanci se nesër-pasnesër mund të mos shpërthejë ndonjë revoltë në radhët e besimtarëve myslimanë për fyerje të ndjenjave të tyre fetare nga ana e Janullatosit me ndërtime kishash greke në mjedise të pastra myslimane dhe që këto kisha mund të mos pësojnë fatin e ca kishave serbe në Kosovë, si më 17-18 mars 2004? Si rezultat i këtyre lëshimeve të ulëta të klasës politike shqiptare dhe të “blerjes” së Selim Muçës nga ana e Janullatosit, sot besimtarët myslimanë të Tiranës mblidhen pranë xhamisë së Et-hem Beut dhe falen në trotuarin e Bashkisë, se nuk i lejon kush ta ndërtojnë faltoren e tyre të bollshme.

Lëshimet që klasa politike e Tiranës po i bën shovinizmit grekomadh lidhur me çështjen e Himarës, mund të shoqërohen me pasoja shumë të rrezikshme, për shmangien e të cilave djemtë dhe burrat e Vlorës dhe të Labërisë do të detyroheshin të zbrisnin vetë atje për t’i bërë “terbiet” bollanistët dhe janullatistët që sillen si në një vend pa zot dhe për t’u treguar se Himara është djep i Labërisë. Këto janë përfundime që lexuesi i vëmendshëm i nxjerr vetvetiu pas analizave që zoti Dragoj i bën frymës së lëshimeve të Tiranës zyrtare në marrëdhëniet e saj me shtetin dhe kishën greke, analiza këto që shërbejnë si paralajmërim për klasën tonë politike që kjo t’i thërrasë mendjes dhe të heq dorë nga servilizmi i shpëlarë që manifeston ndaj Greqisë.

Unë e kuptoj që klasës Politike të Tiranës, shovinizmi grekomadh ia ka zënë kokën me derë: emigrantët shqiptarë i ka shdërruar në një lak që asaj ia ka hedhur në qafë. Dhe sa herë që kërkon t’i bëhen lëshime nga Tirana zyrtare, ai fillon e ia shtrëngon lakun ca nga ca: i përmend operacionet “fshesa”. Veç asaj, ky shovinizmën i urryer hodhi të tjera leqe në qafën e saj: nëshkrimin e MSA-së dhe pranimin në NATO. Duke i shfrytëzuar këto dy momente të rëndësishme për Shqipërinë, Athina zyrtare, para autoriteteve shqiptare, shtroi me forcë kërkesën për ngritjen e varrezave të ushtarëve agresorë grekë, si edhe të memorialeve dhe të manastireve në territorin e Shqipërisë së Jugut. Me këtë rast, zoti Dragoj përmend me shumë të drejtë vizitën e beftë në Tiranë të ish-ministres greke të punëve të jashtme, Dora Bakojanis, fill pas tragjedisë së Gërdecit. Këtë vizitë ministrja në fjalë e ndërmori jo vetëm fill pas tragjedisë së Gërdecit, por edhe dy javë para diskutimit më 04 prill 2008 në Bukuresht të kërkesës së Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO. Me këtë vizitë ajo u linte të kuptonte autoriteteve shqiptare se Shqipëria ende nuk ishte një vend i sigurt për t’u pranuar në NATO, prandaj, që Athina të jepte miratimin e vet për kërkesën zyrtare të Tiranës, kjo duhej t’i bënte lëshime për ngritjen e atyre varrezave, memorialeve dhe manastireve greke. Kur njihet me fakte të tilla, çdo qytetar të thjeshtë fillon ta brejë njëfarë dyshimi: ai shpërthimi i Gërdecit ka shumë gjasa që të ketë qenë vepër e shërbimit sekret grek, pikërisht në prag të diskutimit të kërkesës së Shqipërisë për t’u pranuar në NATO, në mënyrë që Greqia ta shfrytëzonte për të kërkuar të tjera lëshime, si ato që u përmendën më lart. Dhe klasa politike shqiptare, për turpin e saj, filloi të tërhiqej zvarrë para Bakojanisit, në vend që të ruante cipën e vet dhe të mos pranonte ngritjen e varrezave, të memorialeve dhe të manastireve greke në territorin shqiptar. Kjo klasë politike, e zhveshur nga dinjiteti kombëtar, si do ta shpjegojë faktin që, siç vë në dukje me ironi zoti Dragoj, “në Grykën e Këlcyrës është ngritur një mauzole për ushtarët grekë të vrarë në luftime, por varret e tij janë bosh dhe vetë projekti gjigant qëndron si një parodi e luftës, ku muzika bie vazhdimisht, por teksti i fjalëve mungon”? (f. 11). Po kur të vijë koha për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kjo klasë politike çfarë lëshimesh të tjera do t’i bëjë shovinizmit grekomadh? Me siguri që kemi për të qenë dëshmitarë të një tjetër “teatri komik”, siç thotë zoti Dragoj. Dyshoj se kjo klasë politike, në marrëdhëniet e veta me Greqinë, ka për ta mbyllur misionin e vet antikombëtar me ndërrimin e identitetit të shqiptarëve, përmes regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, paçka se, sipas kushtetutës, ne jemi një shtet laik. Kam bindjen e plotë se brezave që do të vijnë do t’u duhet të përballojnë sakrifica shumë të mëdha për të pastruar ferrat e shovinizmit grekomadh dhe të kishës shoviniste greke që do t’i kenë nëpër këmbë, si trashëgim nga klasa e sotme politike në Shqipëri.

Çdo shqiptar i thjeshtë, me vetëdije dhe dinjitet kombëtar, e ndien veten të fyer që klasa politike e Tiranës e ka lidhur vendin tonë pas qerres së Greqisë. Kjo për faktin se Greqia sot është “bishti i fshatit” në Bashkimin Evropian. Greqia është i vetmi vend terrorist në Evropë. U bënë disa dhjetëvjeçarë që atje veprojnë organizata terroriste, por ato nuk zbulohen asnjëherë. Rrjedhimisht, ato nuk mund të zbulohen dot se gëzojnë “licensën” e vet shtetit grek. Veç kësaj, Greqia sot është një vend që udhëhiqet nga një psikologji mesjetare, prej së cilës shtetet perëndimore u çliruan që kur kisha katolike u shkëput nga shteti. Greqia vazhdon të jetë nën pushtetin e “kamillafit” dhe mbarë shoqëria greke e ndien veten komode nën këtë pushtet. Për ta ilustruar këtë realitet paradoksal, po mjaftohem vetëm me tre shembuj mjaft domethënës.

Së pari, gazetari Ardit Bido shkruante para do kohësh: “Të thuash në Greqi se Marko Boçari ishte shqiptar, përbën një herezi, që mund të të kushtojë edhe vendin e punës dhe një sulm masiv nga politika e vendit fqinj. Më së miri këtë e provoi prezantuesi grek Ilias Mamalaqis, që, pas dokumentarit të tij për "shqiptarin krenar", siç e cilësonte Lord Bajroni, u gjend në mes të një polemike politike dhe shoqërore” (Gazeta “Standard”, 04 gusht 2009). Pas transmetimit të këtij dokumentari në kanalin televiziv shtetëror ET3, zoti Ilias Mamalaqis u pushua nga puna.

Së dyti, “Në shumë raste, autoritetet shtetërore greke, nuk ngurrojnë të tregojnë herezi ndaj veprimeve proshqiptare që ndodhin aty, qoftë edhe kur këto janë thjesht e vërteta. Përpara disa muajsh, një drejtore shkolle u arrestua vetëm pse kishte lejuar që nxënësit shqiptarë të shkollës së saj të mësonin gjuhën shqipe gjatë orëve kur shkolla ishte e lirë.., duke u akuzuar për "abuzim me detyrën", vetëm pse lejoi që shqiptarët të mësonin shqip” (po aty).

Së treti, mësojmë se zoti Aleksandër Marku, përmes internetit, njoftonte nga Greqia më 25 nëntor 2009: “Sipas Kryetares së Këshillit të Qendrës së Hulumtimeve për Çështjet e Barazisë, zonjës Elena Zenaku,.. shoqëria greke është patriarkale, e cila, për fat të keq, zbaton ligjet e saj të paligjshme akoma, edhe në fillim të shek. XXI”.

Këta tre shembuj të thjeshtë vërtetojnë fare qartë se Greqia ka qenë, është dhe do të jetë për një kohë shumë të gjatë shteti më paradoksal i Evropës. Dy shembujt e parw tregojnë se urrejtjen ndaj çdo gjëje shqiptare, shovinizmi grekomadh dhe kisha shoviniste greke, e kanë injektuar në poret e çdo qytetari grek dhe vazhdojnë ta mbajnë të ndezur orë e çast.

Nga faqja e lartpërmendur e internetit (“Peshku pa ujë”), në vazhdën e lëshimeve të klasës politike të Tiranës, njihemi me një tjetër fakt skandaloz: “Gjatë vizitës së tij në Korçë, Patriarku i Aleksandrisë dhe i gjithë Afrikës, Teodori i Dytë, ka inaguruar emërtimin e një prej rrugëve të qytetit me emrin e Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Në ceremoninë e rastit morën pjesë autoritetet lokale dhe të tjerë personalitete. Kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare e quajti të një rëndësie të veçantë praninë e patriarkut të Aleksandrisë në Shqipëri. Për nder të tij në qytetin e Korçës u organizuan disa aktivitete”.

Ja dhe komenti në internet: “Një prif i Afrikës i vë emrin e një greku një rruge në një qytet shqiptar dhe greku e falënderon këtë për gjestin. Të vetmit që s’pyeten janë shqiptarët, qytetarët e qytetit nëse do të ishin dakord me emrin e rrugës, por edhe qytetarët e Shqipërisë në përgjithësi nëse janë dakord të kenë akoma një grek në krye të tyre”. Nga të 117 komentet që lexova në internet, shumica dërrmuese e tyre, emërtimin e asaj rruge e quanin fyerje për komunitetin korçar, ndërkohë që Korça ka shumë e shumë personalitete të shquara nga të gjitha fushat e dijes, emrin e njërit prej të cilave mund ta merrte pikërisht ajo rruga në fjalë, por kurrsesi emrin e Janullatosit. Kur korçarët, si edhe gjithë shqiptarët e tjerë, i fyen klasa politike që kanë në krye, ai Teodori i Dytë nga Afrika, e bashkë me të edhe Janullatosi, s’e kanë për gjë t’i fyejnë edhe ditën për diell. Në Shqipëri, vetëm udhëheqësit e lartë komunistë e përjetësonin emrin e vet përmes emërtimeve të uzinave apo institucioneve të ndryshme. Këtë huq komunistësh Janullatosi e paska fort për zemër.

Janullatosi, ky “Shën” Kozma i fundit të shek. XX dhe i fillimit të shek. XXI, kërkon ta “balsamos” veten për së gjalli në Shqipëri. Kjo vërtetohet nga një e dhënë shumë interesante që zoti Dragoj e sjell në faqet e librit të vet: “Në një artikull të saj, të botuar në “Ngjallja”, zonja Donika Omari “deponon” qartë: “Tregojnë, në Shënavlash, se besimtarët, me zë jo fort të lartë, thonë: Janullatosi ka dashur që kishës së Shën Harallambit (një nga dy kishat e Shënavlashit) t’i ndërrojnë emrin, nga Kisha e Shënavlashit, në Kisha e Shën Anastasit, gjë që nuk është pranuar prej tyre. Por Janullatosi ka lënë amanet që, kur të vdesë, të varroset në Shënavlash. E kështu, në vend të Manastirit të Shënavlashit do të kemi manastirin grek të Shën Anastasit”” (f. 403).

E meriton zonja Omari të falënderohet posaçërisht për këtë informacion të çmuar, por edhe zoti Dragoj për këtë të dhënë që e ka qëmtuar me kujdes . Janullatosi një ditë do të vdesë, si të gjithë njerëzit e tjerë që janë kalimtarë në këtë botë. Por kur ai, që në gjallje të vet, na kërkuaka që të varroset në Shënavlash, kjo do të thotë që shovinizmi grekomadh dhe kisha shoviniste greke, e paskan harruar Shkumbinin, si “kufirin” verior të Epirit të Veriut. Ata kërkuakan që ky “kufi” të shtyhet më në veri të Durrësit, atje ku kërkuaka të varroset Janullatosi. Kësisoj Janullatosi i bërtet së bijës ta dëgjojë e reja (domethënë Tirana zyrtare). Prandaj jo më kot sahanlëpirësi i shovinizmit grekomadh, me emrin Vasil Bollano, para do kohësh deklaroi se Durrësi ka qenë tokë greke që në lashtësi. Ja se si vjen e del në pah rrjeta e merimangës që shovinizmi grekomadh dhe kisha shoviniste greke ka endur dhe vazhdon ta endë nëpër Shqipëri. Është urdhri i shovinizmit grekomadh dhe i kishës shoviniste greke që Janullatosi, pas vdekjes, të varroset në Shqipëri, duke u shpallur edhe “shenjtor”. Por ata që do të lejojnë varrosjen e tij në tokën shqiptare, në ballin e vet dhe të brezave të tyre do të mbajnë vulën e pashlyeshme të tradhtisë kombëtare dhe emrat e tyre do të renditen pranë emrave të tradhtarëve me damkë, si Esat Toptani, Mihal P. Harito, Marko Lipe, Spiro Milo etj., të cilët zoti Dragoj i stigmatizon si njerëz të urryer për kombin shqiptar.

Nga faqet e librit tw zotit Dragoj mësojmë se ish-Presidenti i vendit, zoti Sali Berisha, në vitin 1994, para teleshikuesve, i paska thënë Janullatosit: “Ti je Kryepeshkop provizor i KOASH-it” (f. 402). Por deri tani kanë kaluar 16 vjet dhe Janullatosi këtë post vazhdon ta mbajë ende!!!

Libri i zotit Dragoj mbyllet me pyetjen: “A do të bëhet “Shqipëria?” Dhe ai, si një intelektual, i lidhur fort me tokëm amtare, shpreh bindjen e vet të patundur se Shqipëria do të bëhet. Por, në analizën e vet, për të gjetur përgjigjen e kësaj pyetjeje, duke marrë parasysh edhe pikëpamjet e disa personaliteteve botërore, si ish-ministri i jashtëm anglez Robin Kuk që ka deklaruar se “po zhbëjmë padrejtësitë që bëmë në shekullin e kaluar” (f. 542), apo gjenerali Uesli Klark, i cili gjatë një vizite në Tiranë në vitin 2007 u shpreh se “ka ardhur momenti të ndreqim një padrejtësi të madhe historike” (f. 539), zoti Dragoj e shikon “bërjen” e Shqipërisë përmes bashkimit të mbarë trojeve etnike në një shtet kombëtar. Fjalët e këtyre dy personaliteteve të huaja - njëri nga fusha e diplomacisë, kurse tjetri nga fusha e artit ushtarak - lexuesin e librit të zotit Dragoj e futin në mendime të thella: po si është e mundur vallë që asnjë përfaqësues i klasës politike të Tiranës nuk ka guxuar të shprehet haptas para opinionit publik evropian se ka ardhur koha që të ndreqen padrejtësitë që iu bënë kombit shqiptar dhe trojet e tij etnike të shkrihen në një shtet të unifikuar kombëtar? Si është e mundur që një personalitet i shquar i letërsisë shqiptare dhe evropiane, si zoti Kadare, aq më tepër kur fjala e tij zë vend në qarqet e politikës evropiane, nuk e ka ngritur zërin as edhe një herë të vetme për domosdoshmërinë e bashkimit të trojeve tona etnike në një shtet të përbashkët kombëtar, sepse vetëm kështu Ballkani do ta gjejë qetësinë e vet një herë e mirë? Çuditërisht, në një artikull të kohëve të fundit, të botuar në Kosovë, zoti Kadare shkruan: “Shqiptarët, ashtu si shumica e ballkanasve, duke përfshirë edhe serbët, i kanë të gjitha arsyet të besojnë në të ardhmen evropiane. Njëra prej rrugëve që çojnë drejt saj, më e detyrueshmja, është krijimi i një "ndërballkanizmi" të ri: si ide, si ndjesi dhe si vullnet i përbashkët për paqtim” (“Zemër Shqiptare”, 06 janar 2010). Por, për “ndërballkanizëm” nuk flasin as grekët, as serbët, madje as malaziasit. Këta madje duhet të flasin më shumë se janë “majmur” me territore etnikisht shqiptare. Përkundrazi, për “ndërballkanizëm” flet një intelektual i shquar shqiptar, kombi i të cilit vazhdon të mbetet i copëtuar në pesë shtete! Dy personalitetet e huaja që përmend zoti Dragoj, kërkojnë ndreqjen e padrejtësive që janë bërë në kurriz të kombit shqiptar, por, për fat të keq, fjalët e tyre zotit Kadare nuk i ngjallkan kurrfarë emocioni dhe ai na shpik një term të ri - “ndërballkanizëm”, një term ky që mund t’i vijë në osh dikujt tjetër, por kurrsesi shqiptarëve në mbarë trojet e veta etnike. Jam i bindur që kombi shqiptar do ta pranojë “ndërballkanizmin” që propozon zoti Kadare, por vetëm kur në Ballkan gjithsekush të ndodhet në “shtëpinë” e vet. Mirë është që Zoti Kadare të mësojë nga filozofia e zotit Pandi Konomi, një fshatar i thjeshtë ky devollit, 87-vjeçar, nga fshati Ziçisht, i cili, gjatë një dialogu me zotin Dragoj, të botuar në gazetën “Republika” më 11 janar 2009, ka deklaruar: “Ju nuk arrini ta kuptoni atë që duhet. Ju ka rrëmbyer globalizmi dhe mendoni se do të shkoni në Evropë pa identitet, pa kufij, pa kurrfarë gjëje. E keni gabim. Në Evropë nuk keni për të shkuar pa identitet. Ose do të shkojmë si shqiptarë, ose nuk do të ketë më shqiptarë” (citohet sipas librit të zotit Dragoj, f. 470-471). Ideja e zotit Konomi është fare e qartë: në Evropë shqiptarët duhet të shkojmë me identitetin e tyre, të bashkuar në një shtet kombëtar, jo të hallakatur nëpër pesë shtete.

Është për të vënë duart në kokë që një takëmi shqiptarësh kozmopolitë, të huajt u japin leksione për nacionalizmin shqiptar. Është mirë që zoti Kadare të mos i harrojë fjalët e një personaliteti politik francez, si Justin Godard, të cilin zoti Dragoj e citon në faqet e librit të vet: “E çliruar nga sundimi i Turqisë me gjakun dhe armët e veta, Shqipëria është bërë pre për Fuqitë e Mëdha. Në vend të betejave të ndershme, ballë për ballë, asaj i është dashur të përballojë një luftë diplomatike tinëzare. Ajo ka qenë lojë tratativash sekrete, allishverishesh të ulëta… Epiri dhe Shqipëria, gjatë tërë kohëve janë marrë si sinonime nga shumica e autorëve. Nuk ka dyshim se etnikisht dhe historikisht, tërë Epiri është shqiptar… Ne shikojmë se një pjesë e Epirit i është rrëmbyer kombit shqiptar… Greqia përpiqet, e sidomos në krahinën e Çamërisë, që ta fshijë, me të gjitha mjetet, karakterin shqiptar të vendit. Është Shqipëria ajo që duhet të akuzojë e t’u thotë kombeve të mëdha: ju më keni shtypur; ju më keni rrënuar; ju më keni copëtuar; jeni ndeshur midis jush për copëzat e truallit tim dhe ju paskeni guxim edhe të më paditni?! Për Shqipërinë kombet e mëdha kanë për detyrë të kryejnë një vepër të ndershme rregullimi. Ato janë, moralisht, borxhli të saj” (f. 39-40). Këtë “leksion” të shkëlqyer të kësaj figure politike franceze për nacionalizmin shqiptar, duhet ta lexojë me shumë kujdes tërë taborri i intelektualëve kozmopolitë shqiptarë që janë të zhveshur nga dinjiteti kombëtar.

Personalitete të shquara në traditën e publicistikës shqiptare në mbrojtje të nacionalizmit shqiptar, përballë egërsisë së shovinizmit grekomadh dhe të kishës shoviniste greke, mbeten Faik Konica, Fan Noli, Gjergj Bubani etj. Ndërsa në publicistikën bashkëkohore zoti Abdi Baleta zë kryet e vendit. Kjo vepër e zotit Nuri Dragoj përbën një kontribut të jashtëzakonshëm në lëmin e këtij zhanri të krijimtarisë. Prandaj ajo mund të radhitet denjësisht pranë publicistikës së tyre. Ata që ndihmuan për botimin e kësaj vepre në gjuhën shqipe, i kanë bërë një shërbim shumë të madh kombit shqiptar, por kontributi i tyre do të ishte edhe më i çmuar për çështjen tonë kombëtare nëse do të përpiqen, bashkë edhe me dashamirës të tjerë, të sigurojnë mjetet e duhura financiare edhe për përkthimin dhe botimin e saj në gjuhën angleze.

Mendoj se për stilin e bukur dhe sintaksën e përkryer të shqipes në këtë libër, duhet falënderuar jo vetëm autori, por edhe redaktorja letrare e talentuar , zonja Anila Salla.


18 janar 2010

**************
Eshref Ymeri

Prof.dr. Eshref Ymeri, është i biri i patriotit të mirënjohur shqiptar Hasan Ymerit, veteranit të Luftës së Vlorës të vitit 1920, të cilin Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, me dekret nr. 4040, datë 14 korrik 1965, e ka dekoruar me medaljen “Për veprimtari patriotike”, me këtë motivacion: “Për trimërinë, guximin dhe vetëmohimin që tregoi në luftë kundër pushtuesve imperialistë italianë më 1920 për çlirimin e Vlorës”.

Eshref Ymeri lindi në Smokthinë, në fshatin Mesaplik, më 25 dhjetor 1940. Shkollën fillore e kreu në vendlindje në vitin 1952.

Kurse shkollën 7-vjeçare e mbaroi me rezultate të shkëlqyera në fshatin Ramicë në vitin 1955.

Në vitin 1959 përfundoi gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë. Për rezultate të larta në mësime, atë vitë iu dha e drejta për të vazhduar studimet universitare në Bashkimin Sovjetik, në njërin nga universitetet e Shën Peterburgut (ish-Leningrad).

Pas prishjes së marrëdhënieve dhe ndërprerjen e të gjitha marrëveshjeve që udhëheqja sovjetike bëri me Shqipërinë, në qershor të vitit 1961 u kthye në atdhe dhe filloi studimet në Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi ruse.

Për arritje të larta që pati gjatë studimeve në universitet, në mbarim të tyre, në qershor të vitit 1966, Universiteti i Tiranës e emëroi pedagog në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Ruse të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë.

Meqenëse ishte një njohës shumë i mirë i gjuhës ruse dhe specialist i përgatitur i përkthimit, Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qëndror të Partisë së Punës të Shqipërisë, në maj të vitit 1975, e dërgoi me shërbim në Republikën Popullore të Kinës për të ndjekur nga afër botimin në gjuhën ruse të vëllimit të dytë të veprave të zgjedhura të Enver Hoxhës.

Puna për botimin e këtij vëllimi vazhdoi për gjashtë muaj. Pas botimit me suskes të këtij vëllimi, në tetor ai u kthye në atdhe. Në fakultet punën e vazhdoi deri më 31 gusht të vitit 1977.

Për shkak të disa mosmarrëveshjeve që pati me organizatën e partisë të fakultetit, kjo e fundit vendosi ta qarkullojë nga universiteti, duke ia nisur dosjen për në Kukës, me pretekstin se nuk kishte qenë në bazë, por ishte emëruar pedagog drejtpërsëdrejti nga bankat e universitetit.

Këtë lloj qarkullimi ai e vlerësoi si të padrejtë, sepse qe organizuar në shenjë hakmarrjeje kundër tij. Megjithatë ai shkoi e mori takim me nënkryetarin e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Kukësit që mbulonte sektorin e arsimit dhe e vuri në dijeni se nuk do të paraqitej në punë, derisa padrejtësinë që i ishte bërë ta zgjidhte në strukturat e larta të partisë.

Ndërkohë, Shtëpia Botuese “8 nëntori” filloi ta zinte me punë si përkthyes të jashtëm, meqenëse në vjeshtën e vitit 1977 kishte filluar të shtohej intensiteti i punës për përkthimin dhe botimin në gjuhë të huaja të veprave të zgjedhura të Enver Hoxhës.

Më në fund, pas një viti e gjysmë përpjekjesh për sqarimin e së vërtetës, dikush nga strukturat e larta të partisë dha porosi për tërheqjen e dosjes së tij nga Kukësi për në Tiranë dhe përcjelljen e saj për në Shtëpinë Botuese “8 nëntori”, duke marrë paraprakisht miratimin edhe nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, meqenëse ishte fjala për ta emëruar përkthyes të veprave të Enver Hoxhës në gjuhën ruse.

Aty filloi punën në mars të viti 1979. Nuk kishte kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga puna e tij si përkthyes, kur instituti i lartpërmendur dha porosi për emërimin e tij si shef të Redaksisë së Botimeve në Gjuhë të Huaja në atë shtëpi botuese (redaksi kjo që kishte në organikë 42 veta, bashkë me personelin ndihmës), detyrë që e filloi më 1 gusht të vitit 1981 dhe e la në fund të tetorit të vitit 1990.

Gjatë atyre viteve redaksinë (që disa vepra të Enver Hoxhës i përkthente dhe i botonte në 7 gjuhë të huaja) e drejtoi me shumë sukses, përballoi edhe vetë një volum të madh pune (bashkë me përkthyesit e tjerë të sektorit të gjuhës ruse), duke marrë përsipër drejtpërsëdrejti edhe punën e përkthyesit të veprave të Enver Hoxhës, të botuara në gjuhën ruse.

Për kontributin e rëndësishëm që dha në drejtimin e redaksisë dhe në përkthimin e veprave të Enver Hoxhës, Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë e dekoroi me medaljen “Naim Frashëri” të klasës së dytë.

Në fund të vitit 1991 largohet me dëshirën e vet nga Shtëpia Botuese “8 nëntori” dhe më 1 janar 1992 rifillon punën si pedagog në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Ruse të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës.

Këtu punën e vazhdoi deri më 31 gusht 2003. Më 01 shtator 2003 largohet për në pension.

I. Aktiviteti pedagogjiko-shkencor 

1. Tekste mësimore 1968

Tekst mësimor për zhvillimin e gjuhës së folur të studentëve të kursit të parë të gjuhës ruse (botim i Shtëpisë Botuese të Librit Universitar).

1972

Tekst mësimor për zhvillimin e gjuhës së folur të studentëve të kursit të dytë të gjuhës ruse (botim i Shtëpisë Botuese të Librit Universitar).

1974

Tekst mësimor për gramatikën e gjuhës ruse për të katër kurset e studentëve të gjuhës ruse, me grup autorësh (botim i Shtëpisë Botuese të Librit Universitar).

1981.

Tekst mësimor (me analiza teksti) për studentët e kursit të parë dhe të dytë të degës së gjuhës ruse, me bashkautor (botim i Shtëpisë Botuese të Librit Universitar).

1982

Tekst me tema bisedimi në ndihmë të specializimit të mësuesve të gjuhës ruse për zhvillimin e gjuhës së folur ruse (botim i Institutit të Studimeve Pedagogjike).

1984.

Formula bisedore. Tekst në ndihmë të specializimit të mësuesve të gjuhës ruse për shkathtësimin e shprehive të folurit në gjuhën ruse (botim i Institutit të Studimeve Pedagogjike).

2002

Gjuha e folur ruse. Tekst mësimor për studentët e të katër kurseve të degës së gjuhës ruse (botim i Shtëpisë Botuese të Librit Universitar).

2. Lëndë mësimore praktike që ka dhënë në universitet. Gjatë kohës që ka punuar si pedagog në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë dhe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ka dhënë: Lëndën e gjuhës së folur ruse në të katër kurset. Lëndën e gramatikës praktike të gjuhës ruse në kursin e parë dhe të dytë. Lëndën e analizës së tekstit në të katër kurset.

3. Kurse leksionesh që ka dhënë në universitet Leksionet e stilistikës së gjuhës ruse (bashkë me seminaret). Leksionet e gjuhësisë së përgjithshme. Leksionet e letërsisë ruse (bashkë me seminaret). Leksionet e përkthimit (bashkë me ushtrimet e përkthimit).

4. Artikuj metodiko-shkencorë dhe shkencorë Artikuj të tillë janë botuar në gazetën “Mësuesi”, në revistën “Studime filologjike” dhe “Gjuha jonë” gjatë viteve ’70-80 të shekullit të kaluar.

II. Përkthime socialpolitike Në Shtëpinë Botuese “8 nëntori”, gjatë viteve 1977-1991, ka përkthyer 3200 faqe për veprat e zgjedhura të Enver Hoxhës që u botuan në gjuhën ruse në 6 vëllime (me rreth 1000 faqe çdo vëllim).

III. Përkthime artistike Gjatë viteve 1998 e në vazhdim, ka përkthyer e botuar vepra të shkrimtarëve: Aleksej Prijma: “Edgar Kejsi” (Shtëpia Botuese OMSCA, Tiranë 1999).

F.M. Dostojevski:

1. “Një zemër e dobët” (Shtëpia Botuese OMSCA, Tiranë 1998 dhe Shtëpia Botuese ABC, Tiranë 2008).

2. “Sozia” (Shtëpia Botuese OMSCA, Tiranë 2000).

3. “Pollzunkovi” (një roman me nëntë letra) (Shtëpia Botuese OMSCA, Tiranë 2000).

4. “E zonja e Shtëpisë” (Shtëpia Botuese OMSCA, Tiranë 2001).

5. Një grua bote dhe një burrë poshtë shtratit” (Shtëpia Botuese OMSCA, Tiranë 2002).

Italo Kalvino: “Përralla italiane” (Shtëpia Botuese DeaS, Tiranë 2000).

Ky është profeti Muhamed, i dërguari i Zotit për mbarë njerëzimin (përgatiti për botim dhe botoi Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam. Përkthyer në gjuhën ruse, Tiranë 2008).

Nikollaj Kolada: “Nishani” (dramë; vënë në skenë në Teatrin Kombëtar në vitin 2006).

Ludmilla Razumovskaja: “E dashur Elena Sergejevna” (dramë; vënë në skenë në Teatrin Kombëtar në vitin 2007).

Vath Koreshi: Skenar i filmit “Porta Eva” (përkthyer në gjuhën ruse; prodhim shqiptaro-rus.

Regjisor: Albert Minga. Producent Aleksandër Mihajllov. U xhirua në Shqipëri në vitin 2000 dhe doli në ekran në vitin 2001).

Zheni Kostandinova: “Vanga” (Shtëpia Botuese OMSCA, Tiranë 1999).

Zhorzh Amadu: “Zonja Flora dhe dy burrat e saj” (Shtëpia Botuese OMSCA, Tiranë 2001).

Kobo Abe: “Një grua e burgosur në rërë”. (Dorëzuar për botim në Shtëpinë Botuese “Bota Shqiptare” në vitin 2009).

Leonid Grossman: “Pushkini”. (Dorëzuar për botim në Shtëpinë Botuese EDFA në vitin 2009).

IV. Fjalorë Fjalor i termave të mbrojtjes kundërajrore (me bashkautorë) (Botim i Akademisë Ushtarake, Tiranë1990).

Fjalor frazeologjik italisht-shqip (me bashkautor) (Shtëpia Botuese AFЁRDITA, Tiranë 1997).

Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe (me bashkautorë) (Shtëpia Botuese TOENA, Tiranë 2002).

Fjalor i madh frazeologjik italisht-shqip (me bashkautorë) (Shtëpia Botuese EDFA, Tiranë 2007).

Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe (i pasuruar dhe i ripunuar) (me bashkautorë) (Shtëpia Botuese EDFA, Tiranë 2007).

V. Redaktime fjalorësh Fjalor rusisht-shqip (grup autoresh) (Shtëpia Botuese EDFA, Tiranë 2005).

Fjalor shqip-rusisht (autore prof. as. Mukades Mançe) (Shtëpia Botuese EDFA, Tiranë 2007).

VI. Publicistikë

Prej vitit 1991 dhe deri tani ka botuar 217 artikuj publicistikë për probleme që shqetësojnë vendin tonë dhe mbarë kombin shqiptar, përfshirë këtu edhe artikuj me tema shoqërore dhe artikuj polemikë.

VII. Botime të tjera Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse (me bashkautor) (Shtëpia Botuese TOENA, Tiranë 2006).

Tradita e politikës ruse ndaj kombit shqiptar (me bashkautor) (ndodhet në proces recensionimi).

VIII. Kualifikimi shkencor

Me datën 16. 12. 1989----merr gradën shkencore “Kandidat i Shkencave” (me vendim nr. 208 të Komisionit të Lartë të Atestimit).

Me datën 14. 12. 1994----Grada “Kandidat i Shkencave”, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 351, datë 30.06. 1993, konvertohet në gradën shkencore “Doktor”.

Me datën 13. 12. 1994----merr titullin “Asistent Profesor” (me vendim nr. 11 të Komisionit të Kualifikimit Shkencor).

Me datën 11. 05. 2001----merr titullin “Profesor” (me vendim nr. 53 të Komisionit të Kualifikimit Shkencor).

Fakulteti i gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, në kuadrin e programit TEMPUS, më 2 dhjetor 2001, e përfshiu në një grup pedagogësh të përkthimit nga gjuhë të ndryshme (si anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja dhe italishtja) dhe e dërgoi në Britaninë e Madhe, pranë Universitetit të Uestminsterit, ku qëndroi një javë për shkëmbim përvoje nga fusha e përkthimtarisë.

Përveç aktivitetit të tij të gjatë si pedagog universiteti, përkthyes, gjuhëtar, leksikograf dhe publicist, është i mirënjohur edhe si interpret (përkthyes gojor) i gjuhës ruse.

Kështu, si interpret nga rusishtja në shqip dhe nga shqipja nërusishte, ai ka marrë pjesë:

a) në të gjitha konferencat e PABSEK-ut dhe BSEK-ut të zhvilluara në Tiranë që prej themelimit tëtyre deri para do kohësh;

b) nëdisa aktivitete tëBankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar të zhvilluara nëTiranë; c) nëdisa aktivitete tëUNICEF-it dhe tëIOM-it tëzhvilluara në Tiranë.

Po ashtu, si interpret nga rusishtja në shqip dhe nga shqipja në rusishte, ka shoqëruar:

1. Delegacionin e Parlamentit Shqiptar, të kryesuar nga Kryetari i tij, zoti Pjetër Arbnori, gjatë vizitës së tij:

a. në Shën-Peterburg, ku ishte i ftuar nga Universiteti i atij qyteti për të marrë pjesë në një sesion shkencor në përkujtim të 5-vjetorit të vdekjes së albanologes së shquar ruse Desnjickaja (01 qershor 1995);

b. në Moskë, ku u zhvillua Konferenca e radhës e PABSEK-ut (04-07 qershor 1995).

2. Delegacionin e Parlamentit Rus, të kryesuar nga zëvendëskryetari i tij, zoti Sergej Baburin, i cili zhvilloi një vizitë në vendin tonë nga data 17 deri më 19 mars 1999.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, kryetari i delegacionit rus zhvilloi bisedime me:

a. Presidentin e Republikës, prof.dr. Rexhep Meidani;

b. Kryetarin e Parlamentit, prof.dr. Skënder Gjinushi;

c. Kryetarin e Këshillit të Ministrave, zotin Pandeli Majko;

ç. Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Shqiptar, zotin Sabri Godo, bashkë me anëtarët e atij komisioni; d. Kryetarin e opozitës, prof.dr. Sali Berisha.

3. Delegacionin e Parlamentit të Armenisë, të kryesuar nga Kryetari i tij, gjatë vizitës që bëri në vendin tonë më 28 qershor 2000, kur filloi punimet edhe Konferenca e radhës e PABSEK-ut.

4. Delegacionin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit gjatë vizitave që bëri në Armeni:

a. në tetor 1998;

b. në shkurt 1999.

5. Delegacionin e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga ministri Safet Zhulali gjatë një vizite që ky bëri në Ukrainë prej 24 deri më 27 shkurt 1997, me ftesë të Ministrit të Mbrojtjes së Ukrainës, gjeneral Kuzmuk.

Tani ka nëpër duar dhe është duke e përfunduar Fjalorin e Madh Frazeologjik Rusisht shqip.

Në të njëjtën kohë, është duke punuar paralelisht edhe për përgatitjen për botim të një Fjalori të Madh Frazeologjik Anglisht-Shqip. Nuk është i angazhuar në asnjërën prej partive politike.

Prof.dr.Eshref Ymeri është i martuar. Bashkëshortja e tij, zonja e ndëruar Hava Ymeri (Cani), ka mbaruar Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi ruse në vitin 1972.

Ka punuar si mësuese e rusishtes dhe e anglishtes dhe në prill të vitit 2007 ka dalë në pension. Pedagogët e mirënjohur shqiptar Eshref Ymeri dhe Hava Cani-Ymeri ,kanë dy fëmijë - Plarent-in dhe Kesiana Ymeri. Që të dy kanë përfunduar studimet universitare dhe pasuniversitare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Plarenti tani punon në një kompani të njohur amerikane për prodhimin e aparaturave mjekësore dhe farmaceutike, në qytetin Santa Barbara të shtetit të Kalifornisë, kurse Kesiana punon pedagoge e vjolës dhe e violinës në një akademi harqesh në qytetin Cincinnati të shtetit Ohajo (Ohio).

Falenderim publikë

Redaksitë në fjalë si dhe miliona lexues të Floart-Press-it dhe Stërkalës -Falenderojmë publikisht prof.dr.Eshref Ymerin ,për kontributin e gjerëtanishëm pedagogjikë, shkencor , letraro-publicistikë dhe atë kombëtar në afirmimin e çështjës shqiptare në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.

Përgatiti pë Floart-Press dhe "Sterkala" Flori Bruqi.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)