Nga Beqir Elshani
Në disa faqe elektronike shqiptare botohen shkrime kundër Shqipërisë Socialiste, të cilët kanë vuajtur nëpër burgje në kohën e pushtetit komunist të Enver Hoxhës, deklarojnë se gjatë netëve të gjata të dimrit paskan dëgjuar fshehurazi Radio Kosovën. Në atë kohë drejtor i Radio Televizionit të Prishtinës ka qenë Fahredin Gunga, përndryshe denoncues i kryetrimit shqiptar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë - Adem Demaçi. Prandaj prej Radio Televizionit të Prishtinës, të cilën e udhëhiqnin titistët psikopatë në vitet e murtajës jugosllave, nuk mund të dëgjoheshin fjalë të mira për Kosovën Republikë, por vetëm sharje e kërcënime ndaj të gjithë kryngritësve shqiptarë, të cilët luftonin për çlirimin e Kosovës nga çizmja serbe dhe bashkimin natyral me shtetin amë - Shqipërinë.
Duket qartë që personazhët e rrëfimit e kanë fjalën për Radio Prishtinën titiste, sepse në trojet tona kurrë nuk ka pasur “Radio Kosovë”; me që e vetmja “Radio Kosova e lirë” autoktone shqiptare për herë të parë është themeluar në Mars të vitit 1999 me jehonën e krismave të pushkës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pushtuesit gjakatar serb.
Ndryshe me inatin primitv të armiqve të Shqipërisë Socialiste, babai im, Qazim Elshani me shokë, gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte rob në kampet e fashizmit në Gjermani, nuk e ka dëgjuar propagandën e Radio Berlinit të gestaposë gjermane, por fshehurazi ka dëgjuar lajmet e Londrës për sulmin e shumëpritur të Koalicionit Kundërfashist të kryesuar nga ShBA, Anglia dhe Bashkimi Sovjetik kundër Gjermanisë Fashiste, dhe për kthimin e tyre në vendlindje.
Prandaj në kohën kur mbarë populli shqiptar në ish-Jugosllavi fshehurazi e dëgjonte Radio Tiranën, sepse ishte radio i zërit të vërtetë të Nënës Shqipëri për ngjarjet në Kosovë, prej nga dilte zëri i ëmbël i gjuhës kombëtare shqipe, muzika popullore me këngët patriotike të Mic Sokolit, Isa Boletinit, Azem e Shote Galicës, Ahmet Delisë, Hasan Prishtinës, Emin Durakut, Rifat Berishës, Meriman Brahës, kushtrimi i Vaso Pashë Shkodranit “O moj Shqypni” dhe shumë të tjerë, por edhe lajmet për gjendjen e vështirë të popullit shqiptar që luftonte për çlirimin e Kosovës nga kolonizimi serb dhe bashkimin me shtetin amë - Shqipërinë.
Duhet pasur parasysh se pikërisht ky radiostacion shqiptar ndikoi në përhapjen e këngëve atdhetare tek gjenerata e solistëve të rinjë dhe në krijimtarinë artistike në Kosovë. Në anën tjetër, nëse ndonjë besimtar fetar në Shqipëri, gjatë netëve të dimrit, i ka dëgjuar fshehurazi lutjet fetare, në kohën kur me ligj ishte e ndaluar, ai nuk e ka dëgjuar Radio Prishtinën, por radiostacionet arabe e italiane. Prandaj ata që në kohën e murtajës jugosllave dëgjonin lajmet e Radio Prishtinës kanë qenë ose armiq të kombit, ose të çmendur.
Për ata që rrinin në shtëpi kur fillonte lufta, shkrimtari gjerman, Bertold Breht, shkruante “Kush nuk bashkëpunon me ne në luftë kundër armikut, do të ndeshet me disfatën”, prandaj nëse shqiptari nuk ka bashkëpunuar me partizanët e LNÇ të Shqipërisë në luftë kundër fashizmit gjerman, duhej të ishte në anën e Musolinit. Nuk ka pasur dy rrugë: ose me Enverin, ose me Musolinin; ose me De Golin, ose me Hitlerin.
Inati i armiqve në shtetin amë të kujton drejtorin e teatrit Weimar, Johan V. Gete, kur ia ndaloi fisnikut të hyj me qenin e tij, ai në mes të teatrit dhe qenit zgjodhi qenin, prandaj armiqtë e komunizmit shqiptar në mes të Radio Tiranës dhe Radio Prishtinës paskan zgjedhur Radio Prishtinën (lexo: qenin). Në ish Jugosllavi shqiptarët e Kosovës që ilegalisht dëgjonin lajmet e Radio Tiranës, që lexonin “Zërin e Popullit” dhe “Zërin e Kosovës” të Lëvizjes Popullore të Kosovës, ku flitej dhe shkruhej për ngjarjet në Kosovë, kanë qenë barot, që duhej dëgjuar dhe lexuar fshehurazi, përndryshe rrezikoheshin të burgoseshin e të vriteshin nga udba jugosllave.
Gjatë shtypjes së egër të popullit shqiptar nën sundimin e fashizmit jugosllav, asnjë radio nuk e ka mbrojtur çështjen kombëtare shqiptare të Kosovës sikur Radio Tirana kreshnike që dëgjohej në mbarë Europën Perëndimore në gjuhët e ndryshme të botës. Në vitet ’60-ta shumica e banorëve të Kosovës kanë blerë radioaparate për nder të Radio Tiranës, me që programi i saj ka qenë më i pasur, më artisitik dhe më kombëtar, ka qenë zëdhënëse e fuqishme për mbrojtjen e Revolucionit të Kosovës, qysh prej Demonstratave të Studentëve për Kosovën Republikë në vitin 1981, dhe vazhdoi deri te themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me komandantin legjendar – Adem Jasharin.
Mbrojtjen diplomatike të Kosovës që ka bërë Radio Tirana në kohën e Enver Hoxhës, nuk do ta bënte kurrrë Sali Berisha, për të cilin edhe koha tregoi se asnjë qeveri e pastajme shqiptare nuk bëri sa duhet edhe pse pas shkatërrimit të Federatës Jugosllave.
Pikërisht shqiptarët në mërgatë e kanë dëgjuar Radio Tiranën e fuqishme, kurrë jo Radio Prishtinën e ligë, meqë Tirana ishte e lirë, kurse Prishtina e robëruar shërbente si satelit i Beogradit dhe atë në dëm të Kosovës dhe popullit shqiptar, gjithashtu në dëm të Shqipërisë, në kohën kur Beqir Hoti, Rexhep Zogaj dhe Rrahman Dedaj kanë qenë varrmihës të gazetës qendrore të Kosovës “Rilindja”. Me të drejtë populli do të thoshte se të tillët që më shumë e kanë dashur njerkën shkinë se nënën shqiptare quhen disfatistë.
Shtypi jugosllav shkruante se me miliona para kishte derdhur Federata Jugosllave për pengimin e valëve të Radiotelevizionit Shqiptar, mirëpo të gjitha përpjekjet dështuan, me që programi i RTSh vazhdonte të bëhej më i fortë dhe më i gjithanshëm, duke arritur deri te çlirimi i Radio Televizionit të Kosovës nga prangat e Serbisë Fashiste.
Prandaj armiqve të sistemit socialist në Shqipëri, siç shprehet populli, u paska hyrë fitili ta dëgjojnë Radio Prishtinën titiste të Ali Shukrisë, Xhavit Nimanit, Fadil Hoxhës, Mahmut Bakallit, Sinan Hasanit, Kolë Shirokës, Azem Vllasit e të Rrahman Morinës për shfrytëzimin e pasurisë së Kosovës, për burgosjen e kryengritësve shqiptarë, për heqjen e Kushtetutës së Kosovës dhe Flamurit Kombëtar, për largimin e punëtorëve shqiptarë prej vendeve të tyre të punës si dhe për mbylljen e Universitetit të Prishtinës, duke i lënë studentët në rrugë. Në vend se pushtetarët, që hanin bukën e Kosovës, të përkrahnin RININË REVOLUCIONARE Shqiptare që demonststronte për të drejta të barabarta të popullit shqiptar, ata vepronin edhe më keq, e quanin kundërrevolucionare dhe irredentiste. Nëse fashizmi gjerman u hoq me anën e luftës, pse atëherë të mos hiqej edhe shovinizmi serb me anën e demonstratave të studentëve. Me anën e shtypjes së popullit shqiptar dhe shfrytëzimit të Kosovës, Serbia kryente dy funksione, derisa me në janë e zhvillonte vendin e vet; në anën tjetër e varfëronte popullin shqiptar.
Dihet që lajmet e Radio Prishtinës ishin brum i Beogradit i përkthyer prej serbishtes shoviniste, prandaj mund ta dëgjonin vëllezërit e tyre tradicionalë rusë, por kurrë jo mbarë populli shqiptarë në Shqipërinë Etnike.
Po të fliste Radio Prishtina për mbrojtjen e flamurit kombëtar dhe për kërkesën e drejtë të Kosovës Republikë me anën e demonstratës, kuptohet që organet policore të Shqipërisë nuk do t’ia ndalonin asnjë armiku të komunizmit të dëgjonte lajmet e Radio Prishtinës.
Veprimtari dhe publicisti, Afrim Morina, ka një shkrim për atdhetarin dhe veprimtarin e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, Shaban Mazrekun, i cili thoshte se po të kishte fituar luftën Balli Kombëtar, natyrisht që do të vrisnin të gjithë komunistët shqiptarë, ashtu siç u vra politikani dhe themeluesi i Partisë Komuniste Italiane, Antonio Gramshi, në Itali. Rasti konkret në Shqiperinë monarko-fashiste të Ahmet Zogut ishte vrasja e Avni Rustemit, Bajram Currit, Luigj Gurakuqit dhe Shote Galicës, të cilët ishin demokratë dhe luftëtarë për bashkimin e kombit shqiptar.