Nga Fritz RADOVANI:
Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë...
HAPNI DOSJET !
■Plot 70 vjetë një
porosi: “Në një dorë kazmën, në tjetrën pushkën!”
Byroja Politike e
Komitetit Qendror të PKSh (PPSh), në direktivat e saja që jepte dhe që
dokumentohen në “veprat” e tradhëtarëve anadollakë Enver Hoxha dhe Ramiz Alia,
që drejtonin partinë, shtetin e sigurimin nga 1943 – 1944, bazoheshin në
parullen komuniste që po vazhdon edhe në ditët tona: “Në një dorë kazmen dhe në
tjetrën pushkën!”...
■Dokumentat vertetojnë
se në 1944 në Shqipninë e Jugut “pushteti popullor” filloi me vue atje thëmelet
me kazmen e vet simbas porosive të shovenistëve jugosllavë. Aty ku ndeshte ndër
“gurë” ase kundershtarë “reaksionarë”, ishte në doren tjetër pushka që me
porosi të “shokut” Enver, do të shkrepej vetem në një drejtim edhe ky i
percaktuem prej po atyne, po që “tani ne ishim një...”: “Armiqëve plumbin
ballit!”
■Mendimi i malazezëve
të 1912 per pushtimin e Shkodres, ishte “vjetrue”. Erdhi koha që në 1944 gjithë
Shqipnia u ba pronë e Jugosllavisë komuniste të Titos, i cili u tregue jo vetem
“bolshevik i dashur” me udhëheqësit tanë, po edhe një “mësonjës i përkushtuar”
për perdorimin e pushkës në nënshtrimin e Popullit Shqiptar të Maleve të
Veriut, dhe si një “mik shekullor” i Trojeve Shqiptare, ua vuni kazmën
virtyteve të Tyne, tue i vra dhe dhunue zakonet e Kanunin deri në shperbamjen e
Tyne Atdhetare, kulturore e fetare.
■Piksynimi i parë kje
nënshtrimi me dhunë i Atyne Trojeve, tue vra “Krenët e Maleve dhe kufomat e
tyre, dyke i hedhur në prroska...”, tue i vjedhë dhe plaçkitë gjanë e gjallë,
tue i detyrue me ikë ndër shpella... ndersa, në darkë brigadat e ndjekjes tue
ngranë e tue u ngopë me raki e venë nder sofrat e tyne, të mbetuna pa Burra...
E tue këndue “këngët” e veta partizane: “Gegëve me u ...nënën...!” Plotsisht e
besueshme pa kenë nevoja me hapë asnjë Dosje, përderisa sot malësori i
bastardhuem i Atyne Trojeve, flet “toskërisht”.
Janë pikrisht “ata
dijetarë”, që nuk kanë fare nevojë per gjuhën e Nanës së vet!
■Kanë kalue 25 vjetë që
Shkrimtari i Kombit Shqiptar At Gjergj Fishta OFM, Frati i Madh dhe i
Pavdekshem i Gjuhës Shqipe Gegënishte, që i dhuroi Atdheut të Vet gjanë ma të
Shenjtën në Kongresin e Manastirit Alfabetin e Gjuhës sonë, dhe perjetsoi edhe
identitetin tonë kombtar me “Lahutën e Malësisë”, në të gjitha shtetet ma të
zhvillueme të Europës Perëndimore e Lindore, dhe ngriti Flamurin e Gjergj
Kastriotit Skenderbeut, me datën 13 Qershor 1913 në kompanjelin e Kishës së
Fretenëve të Shkodres, tue i ba edhe leksione per Shtetin Shqiptar Europjan, mu
nga podiumi i Lidhjes së Kombëve, pikrisht atyne, që na kishin coptue e
sakatue, po edhe tue i tregue se:
“O
Skënderbe Kastrioti! O rrufe mizore!
Serbjani i mnishëm, po, ke votra pështetë,
Nipave t’ vet u flet në lahutë zatore,
Sa forcë e anmikut mpitë nën shpatë t’ ka
mbetë:
Por nipat tu n’ Shqipni sot ndër mësojtore,
(Ku gjuha shqipe hyn si fëmijë i gjetun...)
As emni, ndoshta, nuk e din si t’ quhet;
Pse tjerë fatosa aty me nxanë u duhet...”
(At Gj. Fishta, Mrizi i Zanave,
28 Nandor 1913, fq. 38)
■E them me keqardhje
po, me bindje të plotë se sot:
“Shkollat Shqiptare pa
Lahutën e Malësisë, janë si mejtepet e kohës së Turqisë!..”
***
■HAPNI DOSJET !
Një person “anonim” më
pyet: Kur do të shkruej per Dosjet e të persekutuemëve politik?
Nuk besoj se e ka
fjalën per Klerikët Katolik të masakruem, mbasi besoj i ka lexue disa nga
thanjet e Tyne kur ishin mbi stomin e gropave ku do të kalbeshin mbas
pushkatimit.
Sikur të hapeshin
Dosjet e Deputetëve dhe Pushtetarëve të para 1944, të dënuem në vitin 1946,
atëherë Shqiptarët, do të banin krahasimin e Atyne që i sherbyen “fashizmit” me
ata të komunizmit, dhe nuk dij sesi do ti bahej sot halli Historisë së
Shqipnisë dhe historianëve tanë, që me siguri as nuk i ka shkue mendja se u
vjen kjo ditë ndonjëherë!
■Në se vazhdoni me
gënjeshtra si në të gjitha premtimet tua z. deputet, e nuk ju pelqen me hapë
Dosjet e kriminelave, mbasi bijtë e tyne sot po qeverisin Shqipninë, atëherë
hapni Dosjet e intelektualëve të edukuem dhe të formuem në Universitetet e
Europës Perëndimore, para 1944... Filloni me ke të dishroni Ju, po deshët, edhe
me njerëzit tanë.
■Jam i sigurtë se ata
Dosje, ia nxjerrin ngjyren pushtetarëve të sotem të korruptuem pa kenë nevoja
me ba komente. Merrni po deshët Dosjen e Prof. Filip Fishtës, i arrestuem në
vitin 1945, dhe i veshun me të gjitha akuzat e kohës, tue fillue nga etiketa
“fashist”!
■Prof. Filip Fishta: “Kriminel
lufte dhe armik i popullit shqiptar”. Prof. Filipi ka lé në Shkodër në vitin
1904. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të naltat i përfundoi në
Beograd për gjuhësi. Ka kenë doktor i shkencave filologjike dhe prof. në
Universitetin e Sorbonne-s në Francë. Qysh i ri bashkëpunon me Ndue Palucën,
edhe ky figurë e “harrueme”. Në vitin 1933 emnohet në Elbasan, ndërsa në vitin
1934-35 vjen në Shkodër dhe në 1938 asht në Tiranë, në Institutin “Nana
Mbretneshë”, ku vazhdon me punue deri në mars të vitit 1944. Në mars, emnohët
në bibliotekën e Institutit të Studimeve Shqiptare, deri në fillim të vitit
1945, ku la disa punime shkencore që nuk i dihet fati!
■Me datën 19 janar 1945
arrestohët nga komunistët, i akuzuem si kriminel lufte dhe armik i popullit
shqiptar. Deri këtu asgja e jashtëzakonshme. Fillon hetimet para një komisioni
hetimor të përbamë nga Frederik Nosi, Mynir Tirana dhe Andrea Jakobini.
Cilësohet prej tyne si “njeri që ka kontribue për ardhjen e fashizmit italian
dhe se, me artikujt e tij ka shpërnda idetë fashiste anë e kand vendit.”
Relacioni asht i shkurtë, me përmbajtje që i rrezikon kokën e profesorit. (Shif
Dosjen 7842, Arkivi Min. Mbrend. 1998)
■Rreshti i fundit i
deklaratës ishte i mjaftueshëm me provue lidhjet e ngushta të Filipit me
fashizmin. Dëshira e italianëve me botue një revistë “Jeta Shqiptare” në
Firencë, nën kujdesin e Prof. Filip Fishtës, që nuk u hap atje por në Tiranë,
ku kanë shkrue prof. Kol Prela, Rebi Alikaj, Injac Ndoja etj. e rreshton Prof.
Filip Fishtën, para Trupit Gjykues me datën 11 qershor 1945, për dënim si
“kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar”.
■Trupi Gjykues i
përbamë nga: Kryetar, nën/kol. Bilbil Klosi, antarë Argjir Lipivani dhe
Gjylhani Shehu (oficera), prokuror Ismail
Çaushi dhe sekretar Mustafa Zaja, i jep Filipit dënimin e “merituar”, 30
vjet burg me heqje lirie dhe konfiskim “pasurie”.
■Cila ishte “pasuria”
e Profesorit?
“Një raft me
libra, një shtrat, një dyshek dhe dy batania. Një lagen, një tavolinë me dy
karriga. Një sahat xhepi dhe një stilograf” (simbas
proçes-verbalit të ruejtun ne arkiv). Komisioni i shtetizimit të “pasurisë”
shkoi tek shtëpia ku banonte me qera profesori me një kamion të madh, por
nuk pat me shka me u mbushë, përveç policëve që solli me vete dhe i këthej prap
në Sigurimin e shtetit të Tiranës...
■Ku bazohej akuza? – Prof.
Filip Fishta ka shkrue tek: “Tomori i vogël”, “Hylli i Dritës”, “Shkëndija”,
“Shkolla Kombëtare”, “Balli i Rinisë”, “Drini” ...
■Unë mora një shembull
ku vlera e hapjes së Dosjes mbështetet tek mbrojtja e Avokatit:
Avokati i nderuem në mbrojtjen e tij me datën 13 qershor 1945, per
këte intelektual thotë: ■“Filip Fishta është
një person me kulturë të lartë, gjë që e bën të besueshme se nuk mund të bëhet
vegël e okupatorit në vendin e tij... Edukoi
rininë shqiptare dhe këtë qëllim të tij, me krenari duhet të pohojmë se e ka
arritur, sëpse, sa e sa breza që i drejtoi, e kujtojnë me mirënjohje e dashuri
të sinqertë.
...
Por, nuk mund të akuzohen nëpunësit e asaj kohe, si vegla të okupatorit, sëpse
ata nuk kanë pasë një qëllim të tillë, dhe nuk kanë bërë ndonjë veprim kundër
popullit shqiptar, ashtu si edhe Filip Fishta, ka kryer vepra kundër
shqiptarëve, duke pranuar një revistë kulturore dhe për më tepër
shqiptare....Po të ishte me të vërtetë një vegël, sigurisht, do të ngarkohej me
ofice politike ose të paktën administrative të larta, mbasi ishte me kulturë
dhe me zotësi të rrallë, pra, mospërfitimi nga italianët në kohën e pushtimit
të tyre është prova më e gjallë se ky nuk ka qenë vegël e tyre.
...
Profesori nuk ka propaganduar për fashizmin, por ka vënë në dispozicion të
idealeve të Kombit tonë të gjitha fuqitë e veta, kur rraca e jonë shqiptare
shuhësh nga shkrimtarë të paskrupull, si artikulli në “Rivista d’Albania”,
kundër Cordignanos me 1941.
Artikulli
titullohet “Shqipnia jonë”...
Ka
mbrojtë në programe mositalianizimin e shkollës sonë kombëtare.
Filip
Fishta ka pasuruar kulturën shqiptare me shkrimet e tija të cilat janë aq të
vlefëshme dhe të çmueshme, sa është e madhe vobegsia e jonë letrare.
Nga
ana tjetër, si mund të bëhët vegël informator një shkenctar, që gjithë jetën e
tij e ka dedikuar në librat e kulturës, në mbrojtje të idealeve kombëtare?
Kërkoj
që të merrën si shkaqe lehtësuese veprimet kombëtare.”
■Avokat Kol Dhimitri d.v. Tiranë...1945.
***
■Mbrojtjet e këtyne
Burrave nuk i pranonte “drejtësia komuniste”, prandej, ka vra dhe burgosë Dr.
Avokatët e Nderuem: Muzafer Pipa, Paulin Pali, Ndrekë Kakarriqi, Zef e Baltasar
Bennussi, Karlo Çoba etj., derisa nxori jashta ligjit mbrojtjen e avokatit.
■E sot, një grumbull
pasuesish të vepres së vet 70 vjeçare si
“dr...prof...akademikë e juristë”, me dekorata e tituj të tjerë, vazhdojnë nen masken
“rilindja demokratike”:
“Historia harrohet –
kultura shkatrrohet – identiteti dhunohet..!”, fatkeqsisht, po ecin në gjurmët
e “realizmit socialist” edhe mbas 25 vjetësh të deshtimit të plotë të
përpjekjeve 70 vjeçare të parullës së tyne komuniste “Në një dorë kazmen dhe në
tjetren pushken”...
■Qellimi i tyne mbetet
ai i para 70 vjetëve: “Antiatdhetarizmi dhe antikultura Europjane Perëndimore
Përparimtare!”, “parime antishqiptare” me të cilat, klasa politike dhe ajo e
vetquejtun “intelektuale”, po vazhdojnë shkatrrimin, kalbëzimin dhe
degjenerimin e Virtyteve të Atdhetarizmit të Shqiptarëve, deri në masen e
paimagjinueshme të “vlerave pozitive të realizmit socialist” rrenues, edhe nga
një pjesë e të përsekutuemëve politik...
■HAPJA E DOSJEVE
kthjelltëson qellimin antikombtar e antikulturor 70 vjeçarë!
Melbourne, Prill 2015.