2015-04-07

Duke lexuar vëllimin poetik “Kohë epileptike” të Sabile Keçmezit – Bashës


KRONIKA ARTISTIKE E NJË KOHE



Nga PROF DR. SHYQRI GALICA

shgalica@hotmail.com

Autore e më shumë se pesëmbëdhjetë veprave shkencore e letrare, prof. dr. Sabile Keçmezi - Basha, ka dëshmuar prirjen e saj duke arritur rezultate edhe me krijimet e veta në poezi, prozë dhe në dramë, që janë dëshmi e afinitetit dhe e dashurisë së saj për ta plotësuar artikulimin e një pjese të kërkesave të saj edhe në aspektin letrar-artistik. Krahas kërkimeve shkencore, që në një mënyrë do të kenë shërbyer edhe si provokime për shkrimin letrar-artistik, ajo ka provuar kërkimet e veta edhe në letërsi, madje duke arritur rezultate në të tri gjinitë e artit letrar.

Një vëllim i botuar në një kohë tejet të turbullt, në rrethana simptomatike, me një kurajo dhe qëndrim jo gjithnjë konsekuent, me titull “Kohë epileptike” (1993), Sabile Keçmezi – Basha sfidon tërë atë shqetësim jetësor që po rëndonte mbi këtë popull të shtypur e të torturuar me dekada, kurse atmosferën do ta ndiejë dhe do ta përjetojë krahas mijëra të shtypurve, e cila bagazhin krijues të kësaj poeteshe e bën tejet interesant dhe të qëndrueshëm në konceptimin artistik të jetës.

Gjithsesi si njohëse e rrethanave historike dhe aktuale, këtë realitet do ta përjetojë dhe do ta përjetësojë në mënyrë të veçantë, duke sjellë në botën poetike segmente që e bëjnë këtë mjedis edhe më dramatik, sepse dramat po e shoqëronin në çdo hap, kurse jeta po rëndohej vazhdimisht duke sjellë kështu para sprovash edhe popullin, edhe individin. Si krijuese, Sabilja do të shpërthejë me vargun e saj për ta artikuluar nëpërmjet vargut poetik atmosferën e nderë si një peshë dhe një dilemë ndërmjet pacifizmit dhe luftës, që ndonjëherë do të ngelë ndërmjet dilemash duke kërkuar identitetin e njeriut tonë.

Por duke u përballur dhe me rrethana tepër të vështira nën pushtim, madje duke njohur dhe psikologjinë e pushtuesit, poetesha do të këndojë nëpërmjet vargut poetik për dukuritë, situatat, ngjarjet etj., të cilat “do t’i regjistrojë” figurativisht si një historiane e zellshme, së cilës nga syri nuk i kalon pothuajse asgjë që meriton të trajtohet në një shoqëri që po përjetonte gjithë ato katrahura. Ngjarjet i sheh me peshën që kanë, atmosferën e ndërton në frymën e zhvillimeve aktuale, të cilat do të eskalonin shkallëshkallshëm, siç ishin veprimet e minatorëve:

Mos më lejoni të fle
në këtë shtrat prej guri
se lotët mund të më bartin
maje mali si Sizifi.

Këto vargje të fuqishme janë dëshmi e pezmit, e tensionimit të situatës së nderë, që tashmë po merrte dimensione më të gjera, shtrirje më serioze e më masive. Ky çast prandaj provokon poeteshën të futet në botën e fuqishme të minatorit, e cila do të marrë përmasa në zhvillimet e mëtejshme, madje në forma ndër më të ndryshmet për të arritur dhe te kapja e armëve:

m’i kanë verbuar
mëngjeset e bardha
me ngjyrë errësire
në prehrin tim.

Toni meditativ dhe shqetësimi krijues gërshetohen në filozofinë poetike të kësaj vepre, duke sjellë një imazh që bart realitetin e kohës, me një gjuhë metaforike që përjetohet si një refleks komunikimi, duke bartur natyrisht një mesazh të qartë te receptuesi.

Diskursi poetik shtrin gamën e tij nga çasti deri te dukuria, me një perceptim aktiv dhe një ligjërim komunikues, që të kujton dialogun, i cili nga poezia në poezi sikur thellohet dhe zgjerohet me idetë, pikëpamjet e qëndrimet ndaj realitetit. Këtë realitet, prandaj, do ta kuptojë edhe lexuesi i nesërm nëpërmjet këtij vargu, i cili ka një strukturë që përcjell ngarkesa emocionale, estetike e kuptimore, të cilat gjithsesi kanë të bëjnë dhe me situata të rënda (ora policore, dosjet policore, pushtimi). Mirëpo, del nga ky varg dhe optimizmi për një të nesërme tjetër, e cila do të kërkonte sakrifica dhe mund për të arritur në liri.
Image result for “Kohë epileptike” i Sabile Keçmezit - Bashës
Vëllimi poetik “Kohë epileptike” i Sabile Keçmezit - Bashës është dhe një kronikë e atyre viteve të rënda që përjetoi populli ynë, i cili sjell dhe mesazhin konkret se përpjekjet shekullore kanë bërë që sot të komunikojmë të lirë dhe të lirë të jetojmë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...