Mustafa përmes një postimi në Facebook ka thënë se Kosova nuk do të çlirohej kurrën e kurrës po të varej nga shërbimet informative, siç ishte edhe SHIK-u shqiptar.
Reagimi i Mustafës vjen pas deklaratës së ish-shefit të SHIK-ut, Fatos Klosi, se Kosova kurrë s’do të çlirohej – po të varej nga Ibrahim Rugova dhe se politika e Ibrahim Rugovës ishte pa krye, kurse Kosova u çlirua falë kontributit të djemve të UÇK-së dhe faktorit ndërkombëtar.
Lexojeni të plotë postimin e Isa Mustafës në Facebook:
“Kosova u çlirua, sepse pati në krye një burrështetas të urtë e të mençur, të respektuar brenda e jashtë vendit, Presidentin Ibrahim Rugova. Kosova nuk do të çlirohej kurrën e kurrës po të varej nga shërbimet informative, siç ishte edhe SHIK-u shqiptar, sepse shërbime të tilla me sjelljen e tyre më shumë u kanë shërbyer regjimeve dhe Serbisë, vëllavrasjes e hasmërive të brendshme, sesa pavarësisë së Kosovës dhe interesave kombëtare. Pa infiltrim dhe përzierje të SHIK-ut, UÇK do të ishte më unike dhe lufta do të ishte më e organizuar.
Sot na vjen keq kur shohim se nga një gojë e keqe e një kryespiuni, spërkatet figura e Ibrahim Rugovës. Një fjalë popullore thotë: arni për thesin. Spiunët arnohen me të tyret, por nuk arnohen me figurën e Ibrahim Rugovës”, (sic), ka shkruar Mustafa.