https://www.youtube.com/watch?v=2dZ4lKnUU_o
Fatos Klosi, ish-shefi i SHIK-ut drejton Agjencine Bërthamore
Nga një informacion mediatik i freskët mësohet se Fatos Klosi punon prej nëntorit të shkuar si kryetar i Agjencisë Kombëtare të Energjisë Bërthamore. Sipas vetë fjalëve të Klosit, ky institucion, i “krijuar disa vite më parë, ka qenë një nga çmenduritë e kryeministrit të atëhershëm Berisha”. Tani Klosi është kryetar i çmendurisë dhe duket entuzjast! I vetmi shqiptar ndoshta që thith qumështin e administratës publike dhe mallkon thithën ku pi. Njeri i ndershëm, – do të thoshim. Tamam komunist. Do të meritonte medalje nderi për këto, por vetëm se nuk duket i shëruar nga veset mikroborgjeze, pasi shohim se është njëkohësisht edhe lektor në Universitetin e Tiranës. Pra, merr dy rroga në sektorin publik, njëra prej të cilave është në cilësinë e drejtuesit të një institucioni të mirëfilltë teknik.E pra, tek Buletini i Prokurimit Publik, publikuar në shtator të 2013, thuhet: “sipas vendimit nr. 42 datë 16.01.2008 përcaktohet se nuk lejohet dypunësimi i drejtuesve teknikë”. Mbetet që Klosi ose ta bindë taksapaguesin se nuk është teknik, por i infiltruar në këto ujëra për të sabotuar projektin atomik të Iranit me synim paqen në botë, ose punon falas, si Tony Blair – i cili thuhet se merr 13 milion dollarë në vit vetëm nga buzëqeshjet me autokratin e Kazakistanit, Nazarbayev (nëse nuk gabohemi, autokrat do të thotë në shqip Berishë, kështu të paktën e përkthen punëdhënësi i Klosit para 23 qershorit).
Po ku e gjen kohën vallë? Edhe i gatshëm me studentët, edhe vijues në punën kërkimore në fushën fizike, edhe ekspert i tartufit radikal, edhe teknik-kryetar i Agjencisë, edhe analist politik, edhe sociolog feje… Sikur të shëronte edhe kapsllëkun do të sfidonte Medobil-in.
Gazeta informon se Klosi e ka marrë seriozisht drejtimin e çmendurive të Berishës. Madje është optimist për reformimin e Agjencisë “për nevojat e vendit”. Shtatë ekspertë ka Agjencia e Klosit. Se ç’mund të prodhojë për të mirën tonë një institucion me 7 persona, i cilësuar si çmenduri, jemi në pritje ta shohim. Ndërkohë, nën drejtimin e tij, Agjencia paska zhvilluar “një aktivitet të rëndësishëm më 28 janar të këtij viti në lidhje me energjinë bërthamore, aktivitet që ka kaluar pa u vënë re nga mediat”, aq më tepër, përfundon gazeta, “pa u vënë re se kush është në krye të Agjencisë Kombëtare Bërthamore”. Me sa kuptohet, reformimi i pretenduar nga Klosi na qenka organizimi i aktiviteteve fantazmë, me lekët e taksapaguesit, natyrisht. Bota pret shumë nga aktivitetet tona atomike, sidomos tani që kemi Gërdecin në CV e që jemi familjarizuar me tritolin.
Së fundi, Klosi ka edhe një detyrë të rëndësishme “kombëtare” në këtë vend: rimendimin e qendrimit kritik ndaj diktaturës, duke u përpjekur të kërkojë e ekspozojë ndonjë copëz mollë të paprishur në shportën e kalbur të regjimit. Disa kohë më parë ai pati rastin të na iluminojë , bashkë me 200 petritë intelektualë nga Mallakastra, se Mehmet Shehu, paskësh qenë “burrë shteti”, e se për demokracinë e brishtë shqiptare, ka shumë rëndësi rivlerësimi i këtij soji shtetarësh, në krijimin e koordinatave të duhura për të ardhmen. Madje, në një debat televiziv, kjo përpjekje për të korrigjuar historinë e shkruar keq nën “regjimin e Sali Berishës”, nuk mungoi edhe kritika e ashpër ndaj këtij të fundit si dhe atij të diktatorit Ahmed Zog. Mbetet të shihet në të ardhmen nëse, barazimi relativist midis të treve synon zbutjen e gjykimit për Enver Hoxhen dhe regjimin e tij, apo ashpërsimin e gjykimit për Zogun dhe Berishën.
Sidoqoftë, me Klosin rehabilitohet një pjesë e mirë e sistemit të kaluar, jo thjesht me portrete të valëvitura në ceremonira shtetërore varrezash me dëshmorë ideologjikë, por edhe pjesë të rëdësishme të ideologjisë së trashëguar, si dhe të një armate besnikësh e bashkëpunëtorësh të cilët trashëgojnë veç të tjerash, me zell të jashtëzakonshëm ndërgjegjen klasore e historike. Njëkohësisht me të rehabilitohet gjithashtu edhe mekanizmi i 1200 lekshave, të cilët kanë nevojë të shpërblehen për besnikërinë e treguar gjatë sistemit që e kalbën dhe i kalbi, si dhe gjatë këtij të riut që po i nxjerr në selamet e po i bën të jetojnë si borgjezë të vërtetë.(E.Veseli)