Fatos Klosi, ish-shefi i SHISH, në vitet 1997-2000, deklaron se kryeministri i vendit dhe ministri i Mbrojtjes, janë të mirëinformuar për çdo shitje apo blerje
të armëve dhe municioneve që bën Shqipëria. Ai dyshon se largimi i ish-shefit të SHIU-t, Ylli Zyla është bërë me detyrim për të mbuluar dosjen e armëve dhe të municioneve. Gjithashtu Klosi thotë se nuk duhet lejuar një kontroll pa mbikqyrje për deputetët, nëse ata dyshojnë se përgjimet e bisedave mes tyre dhe ish-shefit të SHIU-t, Zyla janë në aparaturat e SHISH, duke sjellë eksperiencën e keqe të vitit 2002, kur ky kontroll u kërkuar nga deputetët e PD-së, atëherë në opozitë.
Zoti Klosi para dy ditësh, ish drejtori i SHIU, Ylli Zyla ka dhënë dorëheqje nga detyra pas publikimeve të fakteve në gazetën "Shqiptarja.com" për konflikt interesi në shitjen e armëve. Kush është komenti juaj?
Me thënë të drejtën më vjen mirë, që një nëpunës ka kurajon të japë dorëheqjen. Mund të jetë se e ndjen veten fajtor, por edhe mund t'a kenë detyruar, për shkak të implikimit në një konflikt interesi. Për mua tregtia e armëve, nuk nuk mund të jetë një aktivitet familjar, ajo absolutisht është monopol i shtetit, që nuk duhet të kalojë në duart e privatëve. Them se faj kanë edhe superiorët e tij, që sigurisht e dinë ç'ka ndodhte. Ajo është një ndërmarrje që do të fitojë, duke përfituar nga familjari i vet në pushtet, po kjo është e gabuar.
A duhet të ndërhyjë Prokuroria tani?
Po, them që po. Prokuroria të ndërhyjë, se e ka detyrë, nëqoftë se shikon se ka shkelje ligji. Duhet pasur parasysh se tregtimi i armëve është një sektor delikat, dhe qeveria ka përgjegjësi se ku shkojnë këto armë që dalin nga Shqiëpria. Mesa di unë , në këto raste kërkohet një letër nga qeveria që blen, ku tregohet se ku do shkojnë këto armë, pra një vërtetim se ku përfundojnë, përndryshe armët nuk duhet të shiten.
Për shitjet e armëve duhet të njoftohet Kryeministri?
Unë them po! Sado që detyrën e ka ndërmarrja e Ministrisë së Mbrojtjes që t'i shesë, por nuk ma merr mendja se ndërmmarja merr vendime. Vendimet merren nga Ministri dhe Kryeministri, për të gjitha problemet që lidhen me shitjen e armëve, sasinë, llojin, çmimet dhe ku e kanë destinacionin përfundimtar.
Konflikti i interesit e ka cënuar këtë institucion?
Nëqoftë se ti implikon në punën tënde anëtarë të familjes, që përfitojnë nga pozicioni i punës që ke ti, sigurisht që kjo është konflikt interesi. Nëse ndërmjetëse nuk do ishte gruaja e një funksionari të brëndshëm, gjërat do të shkonin më mirë, madje edhe produktet mund do të shiteshin më shtrenjtë, etj, kështu shfaqet konflikti i interesit.
SHIU dhe SHISH bashkëpunojnë?
Sigurisht që duhet të kenë bashkëpunim. Janë të dyja shërbime inteligjence të të njëjtit shtet.
Në këtë rast që jemi, a duhet që SHISH-i të çojë bashkëpunëtor në SHIU për marrje informacioni?
Mos harrojmë që SHISH-i informon presidentin dhe kryeministrin, për të gjitha ato dukuri që cënojnë sigurinë kombëtare. Edhe problemi me shitjen e armëve lidhet me sigurinë kombëtare, dhe prandaj përbën interes për Shërbimin. Ministri i Mbrojtjes është një nga bashkëpuntorët më të afërt të Kryeministrit prandaj problemi bëhet më delikat. Nëse vjen një informacion që po ndodh diçka jo normale, sigurisht që do të kërkohet që informacioni të verifikohet dhe pastaj informohet Kryeministri dhe Ministri. Pastaj ecuria e mëtejshme e punës varet nga prioritet që vendosen nga Kryeministri. Nëqoftëse vinë informacione që ka shkelje të ligjit, mund të njoftohen dhe institucionet përkatëse..
Nëse bën, njofton Prokurorinë?
Njoftimi i Kryeministrit apo dhe e titullarit të institucionit bëhet për të marrë masat përkatëse, por nëse ka shkelje të rënda të ligjit bashkëpunohet me Prokurorinë për ndjekjen e mëtejshme.
Komisioni i sigurisë ka marrë nismën parlamentare për të "hetuar" institucionet në zbatimin e ligjit. Nëse SHIU dhe Ministria e Mbrojtjes nuk japin informacion, a mundet SHIK të "hapë dyert"?
Deputetët mund të kërkojnë informacion, por ka një siklet për marrjen e informacioni si tek SHIU edhe tek SHIK. Nuk është mirë që të merret informacioni bruto, meqenëse në të flitet për metodat e punës dhe emrat e bashkëpunëtorëve dhe këta elementë nuk është mirë të bëhen publikë. Nëse ju kujtohet komisioni parlamentar për SHIK-un në vitin 2002, komisioni dhe ekspertët e tij, u futën dhe e panë materiale operativë,të cilat i nxorrën pastaj dhe në deklarata publike, gjë që nuk është pozitive për institucionin. Duhet të marrin informacion të përpunuar, komisionit nuk i hyjnë në punë bashkëpuntorët. Por e para duhet ta japë informacionin Ministria e Mbrojtjes që e ka SHIU-n në vartësi. Ne na ka ndodhur një rast i tillë, kur media na akuzoi se përgjonim telefonat e deputetëve. U ngrit atëherë një komision kontrolli nga Komisioni i Sigurisë Kombëtare, me në krye Neritan Cekën, i cili kontrolloi procedurat dhe zbatimin e tyre dhe u bind se informacioni ishte i pavërtetë.
Edhe sot mendohet se mund të ketë përgjime të paligjshme. Kush ka të drejtë për të përgjuar bisedën me kreun e SHIU-t?
Varet kush ka impiantet sot, unë e di që SHIK e ka mundësinë, edhe Prokuroria, mbase dhe Policia Kriminale. Në kohën time ka patur vetëm SHIK këtë mundësi me një teknologji shumë të vjetër, dhe madje aparatura që funksionon sot filloi ndërtimin në kohën time dhe u përfundua pas largimit tim. Impiantet e tilla nuk janë më të vështira për tu gjendur dhe përdorur. Tani me një tastierë para kompjuterit, mund të kërkosh të regjistrohen bisedat e një numri nga kjo orë në këtë orë, apo të dëgjohen "on line". Por në rastin e deputetëve kjo gjë është e ndaluar me ligj. Por qëllon që ata të përgjohen. Ti nuk përgjon telefonin e deputetit, por të një subjekti se ke marrë vesh një infromacion për këtë, dhe del që me të flet edhe deputeti. Nuk ma merr mendja që SHIU apo SHIK të kenë përgjuar shefin e SHIU, se është e rëndë. Pa marrë leje te Ministri, nuk mundet. Po të isha unë do t'ja kërkoja Ministrit një përgjim të tillë.