Elvin Luku: Izraelitët dhe fisnikët - Intervistë me gazetarin e njohur, Arshin Xhezo


IZRAELITËT DHE FISNIKËT

-“Shqipëria dhe shqiptarët sakrifikuan dhe u shpëtuan jetën të gjithë hebrenjve që ishin apo erdhën në vendin tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore, në një kohë, kur të gjitha shtetet e Ballkanit dhe të Europës, sidomos pas urdhërit-doktrinës së Hitlerit “FINAL SOLUTION” (“Shfarosja përfundimtare”), me iluzionin “për të shpëtuar kokën e vet”, ose ua nxorën hebrenjtë para syve nazistëve, ose i vranë edhe vetë, duke u bërë kështu, bashkëpunëtorë në krimin më të madh të shekullit, Holokaustin ndaj hebrenjve, vdekjen e gjashtë milionëve prej tyre, kryesisht, fëmijë, gra e pleq”.
-Intervistë me gazetarin e njohur, Arshin Xhezo-


NGA ELVIN LUKU
Në këtë intervistë, zotit Arshin Xhezo nuk i kërkuam të fliste për probleme të gazetarisë dhe përvojës së tij të gjatë si gazetar.
Kemi lexuar, se edhe familja e tij në qytetin e Beratit, ku ka kaluar  fëmijërinë, ka strehuar dhe shpëtuar jetën e dy familjeve hebrenje gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu, kemi mësuar se po punon për një libër rreth kontributit të qytetarëve të Beratit dhe të Shqipërisë për strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve.
Ndërkaq, kemi lexuar, që Arshin Xhezo, ka qenë i pari, i cili, qysh në vitet ’80, pra, në vitet e diktaturës,-atëherë kryeredaktor i të përditshmes “Zëri i Popullit”, ka guxuar të botojë një shkrim për këtë problem, atëherë “tabu”, sepse, sipas politikës absurde të asaj kohe, “Izraeli është kobure në duart e Amerikës”...
-Zoti Arshin, do të donim të na tregonit për kontributin e familjes tuaj, e cila, gjatë pushtimit nazist ka strehuar dhe shpëtuar nga vdekja dy familje hebrenje. Dhe, meqë, siç jemi të informuar, po përgatitni edhe një libër rreth këtij argumenti, a mund të na flisni diçka më gjerë për gjestin e bukur, por dhe sakrificën e shqiptarëve që nuk lejuan të binte asnjë hebre në duart e nazistëve? Ndërkaq, vetëm pas pak ditësh, më 27 janar, gjithë bota do të përkujtojë Ditën e Holokaustit(Shoah).
-Faleminderit! Siç e thatë edhe ju, ky akt i madh human nuk është vepër e një apo pesë familjeve. Gjithashtu, nuk duhet harruar se është vepër e etërve, e prindërve tanë, dhe jo e ne bijve. Pra, është “pronë e patrashëgueshme” dhe “tapia” ka emrin e tyre. Ne, që vijmë pas (dhe që unë nuk jam i sigurt, nëse mund ta bënim atë që bënë ata), na takon tanimë të bëjmë diçka “tonën”. Dhe, meqë më pyetët, edhe libri që po përpiqem të shkruaj është, thjesht, një homazh për prindërit, bashkëqytetarët e mi kurajozë e fisnikë, por dhe për gjithë shqiptarët.
Eshtë një e vërtetë historike, tanimë, se Shqipëria dhe shqiptarët sakrifikuan veten dhe familjet e tyre për të shpëtuar jetën e të gjithë hebrenjve që ishin rezidentë ose erdhën në Shqipëri në vitet e Luftës sëDytë Botërore. Për këtë flasin të gjithë: shqiptarë e të huaj, ish-partizanë e ish-kuislingë, por edhe politikanë, kryeministra e presidentë, brenda e jashtë Shqipërisë. Por, po theksoj, ajo që nuk kuptohet dhe nuk evidentohet mirë, është se ky akt unikal kurajoje qytetare, sakrifice, humanizmi e fisnikërie, ndodhte, në të njëjtën kohë, kur me ndonjë përjashtim të rrallë, të gjitha shtetet e Ballkanit dhe Europës, bënë të kundërtën.
Sidomos, pas urdhrit të Hitlerit “FINAL SOLUTION” (“Shfarosja përfundimtare”), këto shtete të Ballkanit dhe të Europës, edhe me iluzionin “për të shpëtuar kokën”, i dëbuan hebrenjtë “e tyre”, dhe, ose ua nxorën nazistëve “prenë” në rrugë, para syve, ose i vranë edhe vetë. Në të dyja rastet u bënë bashkëpunëtorë të hitlerianëve në krimin më të madh të shekullit “Holokaustin”, ku gjetën vdekjen gjashtë milionë hebrenj: fëmijë, pleq, gra e burra.
Heshtja nuk është pendesë. Por, gjithsesi, ka një logjikë se, “në shtëpinë e të varurit, nuk përmendet litari”.
Puna bëhet lëmsh, kur vrasësi dhe tradhtari shpallet shpëtimtar dhe hero...
-Të gjitha shtetet e Ballkanit janë të implikuara në këtë krim?
-Të Ballkanit dhe të Europës, me ndonjë përjashtim krejt të veçantë, dhe kjo e bën më të dallueshëm “fenomenin shqiptar”. Pra, nëse ka ndonjë rast, ku Shqipëria mund të ndihet vërtet mirë, madje, krenare dhe model në raport me Europën dhe botën, ky është gjesti i shpëtimit të hebrenjve nga Holokausti nazist, që përkujtohet në çdo 27 janar, apo bashkëjetesa fetare, dhe jo “modelet ekonomike” apo “modelet patriotike”, dhe të tjera përralla...
Po të përfytyrojmë një “hartë memece”, siç e thërrasin fëmijët e shkollës, dhe të plotësojmë në të me ngjyrë të zezë “hartën e Holokaustit”, qoftë edhe vetëm të Ballkanit, do të shohim në të njollat e turpit. Le ta fillojmë nga Greqia plotësimin me ngjyrë të zezë të “Hartës së Holokaustit”.
Në Greqi u shfarosën 65 mijë hebrenj. Vetëm nga Selaniku u vranë 54.050 vetë; 1700 nga Rodosi dhe 260 nga Kreta.
“Kur gjermanët pushtuan Selanikun, në prill të vitit 1941, hebrenjtë përbënin komunitetin e dytë, më të madh, pas grekëve... U deshën 15 trena të mbushur plot e përplot, për 5 muaj me rradhë par ta boshatisur Selanikun nga hebrenjtë e tij. I gjithë qyteti u dërgua në kampet e përqendrimit. U shkatërruan të 500 mijë varret e varrezave, ndoshta, më e madhja varrezë hebrenje në botë... Sikur të mos kishte qenë nxitja e agjentëve vendës, gjermanëve as që do t’u kishte shkuar ndonjëherë në mend ideja sakrilegj e shkatërrimit të nekropolit të lashtë hebre të Selanikut” (Robert Kapllan: “Greqia, gruaja e Lindjes, dashnorja e Perëndimit”, SH.B. “Dituria”, fq.25-26; Tiranë, 2002).
Por, tanimë dihet, se grekët e kanë traditë “fshesën”. “Njëqind vjet më parë, një numër i madh hebrenjsh në Korfuz dhe në krahina të tjera, u masakruan prej grekëve në revolucionin e vitit 1821, edhe pse nuk luajtën ndonjë rol nën sundimin turk. Madje, edhe pse nuk ishin palë, dhe as që donin të përziheshin në konfliktin midis myslimanëve e të krishterëve. Masakrat që ata përjetuan në atë kohë nga grekët ngjanin me ato të Holokaustit të shekullit XX: 5000 të vrarë në More, qindra të tjerë në Vllahi, 1200 në Tripolza. Hebrenjtë që jetonin në ishullin e Spartës, Patras, Korinthos, Mistras dhe Argos u fshinë nga faqja e dheut. Të njëjtin fat patën edhe ata të Tebës, Vrachonit, Atikës dhe Epirit” (Harvey Sarner: “Shpëtimi në Shqipëri”. 1998).
Në Jugosllavi. Numri i hebrenjve të zhdukur është 60 mijë, në Maqedoni: 7.142; në Itali: 8000.
Bosnje-Hercegovina. “Më 16 prill, një ditë pasi gjermanët hynë në Sarajevë, me ta u bashkuan bandat vendëse, të cilat ngrinin dorën e djathtë dhe tregonin katër gishtërinjtë, bashkë me të madhin, për të thënë se ishin të “Kolonës së Pestë”. Objektivat e para ishin sinagogat hebrenje. Ushtarët e Werhmahtit hynin brenda në këta tempuj, duke qëlluar e rrëzuar me automatikë shandanët e duke hedhur granata në altarë. Oficerët gjermanë u gajasën, kur panë se si bandat vendëse i plaçkitën dhe i shkatërruan dy ditë me rradhë, duke rrëmbyer qilimat, shandanët, fronat, bankat, dritaret, dyert. Ata, madje, shqyen edhe fletët prej bakri të sinagogës dhe linoleumin nga dyshemetë. Biblioteka hebrenje u shkatërrua plotësisht; shkrimet e shenjta u dogjën rrugëve të Sarajevës”. (Po aty. Fq.498)
Kroacia. “Nga të 40.000 hebrenjtë që jetonin në Kroaci, Slloveni, Strem (Kroacia Lindore), Bosnjë dhe Hercegovinë, 20.000-31.000 u vranë. Kampi më famëkeq ishte ai i Jasenovacit. Rreth 1500 gra hebrenje u mbajtën në Labograd, në Veriperëndim të Zagrebit, ku komandantët dhe personeli i kampit u morën rregullisht me përdhunime (Misha Glen:”Histori e Ballkanit”.IDK, Tiranë, 2007, Fq.500-501).
Serbia: “Bashkësitë më të mëdhaja hebrenje janë në BeogradBanat dhe Shabac... Brenda pak kohësh, gjenerali Bahme zuri të pushkatojë edhe hebrenjtë e Beogradit e të Banatit... Autoritetet ushtarake ishin pranë të vërtetës, kur i raportuan me krenari Berlinit, se Serbia tani ishte “Juden frei” (“Pa asnjë hebre”).
“Në mëngjesin e bartjes së parë, një kampion i rëndë dhe një makinë e madhe ngjyrë hiri hynë në kamp. Personeli i makinës i ngarkoi plaçkat në kamion; pastaj ndihmoi njëqind gra e fëmijë të hipnin në një kamion të dytë. Dhjetë minuta më vonë, pasi makina kishte kaluar nga Zemuni në drejtim të Beogradit, makinat ndaluan vetëm për një çast. Njeri nga dy shoferët zbriti poshtë kamionit dhe e mbylli tubin e shkarkimit të makinës, në mënyrë që gazrat të shkonin në pjesën e mbushur me fëmijët, të cilët përtypnin ëmbëlsirat, që ata vetë ua kishin “dhuruar” pak çaste më parë...” (Misha Glen: “Histori e Ballkanit”, fq.505).
Sidomos, për jo pak të huaj, duket e çuditshme dhe “mrekulli hyjnore”, që ngjyra e zezë e vdekjes nuk e vizatoi dot edhe Shqipërinë në “Hartën e Holokaustit”.
“Pjesa e bardhë” e “hartës së Ballkanit” nuk e pranoi vdekjen e njeriut.
Sipas etnologut dhe historianit Shaban Sinani,  gjatë dhe në fund të Luftës së Dytë Botërore, numri i hebrenjve në Shqipëri u dyfishua. Pra, u shpëtuan jo vetëm hebrenjtë rezidentë, por edhe ata që mundën të hyjnë në vendin tonë në prag dhe gjatë Luftës, nga Gjermania, Franca, Austria, Hungaria, Polonia, Jugosllavia etj.
Vetëm qyteti i Beratit, nga viti 1941 e në vijim, në vitin 1942 dhe më vonë, priti rreth 600 hebrenj të ardhur nga Kosova; 94 familje dhe 87 individë. Berati shpëtoi, jo vetëm hebrenjtë “e vet” pra, rezidentë, por, edhe ata të ardhur nga Europa Qendrore, Ballkani e, sidomos, Kosova.
-Nderim për bashkatdhetarët tanë që ruajtën dinjitetin dhe jetën njerëzore!
Nderim për Beratin, i cili, si ndër qytetet më të vjetër e më të bukur të Europës Juglindore, u bë edhe kryeqytet i humanizmit!
Gjithsesi, ndryshe, për shembull, nga vitet 1990-1991, tanimë, pas 20 vitesh, kemi një bibliografi relativisht të gjerë për lidhjet mes shqiptarëve dhe hebrenjve, dhe posaçërisht në periudhën e Luftës së Dytë Botërore.
Pa përmendur autorët e huaj, po kujtoj vetëm disa nga autorët tanë, si Ferit Duka, Pëllumb Xhufi, Artan Puto, Edmond Malaj, Monika Stafa, Simon Vrusho, duke veçuar prof. dr. Shaban Sinanin dhe librin e tij “Hebrenjtë në Shqipëri. Prania dhe shpëtimi” për të cilin, me të drejtë është thënë se, me kërkimet dhe zbulimet për fatin e hebrenjve në Ballkan e Shqipëri “e ka ngritur argumentin e “Holokaustit” nga dëshmitë, tregimet, folklori apo deklaratat propagandistike, në nivelin e kërkimit shkencor, shoqëruar me fakte, dokumente, ekspertizë dhe analizë, si askush tjetër”.
Në datat 26-28 janar të vitit 2000, në Stokholm të Suedisë u zhvillua Konferenca Ndërkombëtare për “Holokaustin”, me pjesëmarrjen e personaliteteve më të larta nga 40 kombe të botës, mbi bazën e së cilës, katër vjet më vonë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do ta shpallte 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Ato ditë, gazetari i njohur Naim Zoto, i pranishëm në Konferencë edhe si anëtar i delegacionit shqiptar që kryesohej nga zëvendëskryeministre Makbule Çeço, raportonte: “Nga të gjithë delegacionet e ftuara në Konferencë, delegacioni shqiptar përcolli mesazhin më të veçantë dhe që meritoi përgëzimet e gjithë pjesëmarrësve dhe medias. Nga lista e vendeve dhe popujve ku hebrenjtë pësuan fatin më të keq, duke nisur me Gjermaninë dhe Italinë ku lindi fashizmi, për të vazhduar me Poloninë ku u vranë mbi 3 milionë hebrenj, Shqipëria renditej e fundit: asnjë (0 me shifra) hebre i vrarë apo i dorëzuar tek autoritetet pushtuese naziste, ndërkohë që Shqipëria rezultonte, edhe si vendi i vetëm në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, ku komuniteti hebre ishte shumëfishuar në numër, në krahasim me paraluftën”.
Pastaj, gazetari jep edhe shifrat e hebrenjve të zhdukur nga nazistët në dhjetëra vende të Europës dhe botës: “Gjermania -160.000; Holanda-106.000; Çekosllovakia-217.000; Polonia-3.000.000; Hungaria-200.000; Jugosllavia-60.000; Greqia-65.000; Franca-83.000; Maqedonia-7.122; Belgjika-24.387;...Shqipëria-0”.
Nëse, tanimë, do të merrnim një “hartë memece”, edhe të Europës dhe botës, dhe mbi të, bashkë me shifrat përkatëse të çdo shteti, do të hidhnim edhe ngjyrën e zezë, mund të përfytyrohet lehtë si do të shfaqej para syve “Harta e Holokaustit të botës”, “Njolla e Botës”, harta “Turpi i Botës”.
Ndërkaq, atje, në një kënd të Ballkanit, do të evidentohej, e bardhë, me shifrën 0 (zero) “Harta e Dinjitetit të Njeriut”, harta e Shqipërisë.
Me sakrificën e tyre, shkruan gazetari, “shqiptarët treguan, se si mund të mos bëhej holokausti”. Por, “ngjarjet në ish-Jugosllavi, urrejtja ndëretnike, vrasjet masive të civilëve myslimanë në Bosnjë, spastrimi etnik në Kosovë, bënë që Konferenca e Stokholmit ta kthejë Holokaustin, nga një problem i së shkuarës, në një problem të kohës”.
- Me sa dimë, Serbia ishte i vetmi vend evropian e ballkanik që nuk ishte ftuar në atë Konferencë...
Ç’mund të thoshte një përfaqësues serb, veç pendesës?
Mbi serbët dhe ndërgjegjen serbe rëndon jo vetëm zhdukja e dhjetra mijra hebrenjve, por edhe vrasjet masive në Bosnjë, e gjenocidi në Kosovë, që nuk është vetëm ai i viteve nëntëdhjetë. Janë rreth 800.000 fëmijë, gra e burra të Kosovës që janë vrarë, torturuar, përdhunuar e dëbuar nga vatrat e tyre prej Serbisë.
Jo vetëm nga ngjashmëria e mënyrat primitive të torturave e vdekjeve, por edhe për nga numri i njerëzve, në raport me popullsinë e Shqipërisë, holokausti ndaj hebrenjve, nuk është më i madh se gjenocidi dhe holokausti i serbëve ndaj shqiptarëve. Eshtë fjala për një holokaust “kronik”, tradicional dhe me projekte konkrete genocidale, që nga “Naçertania” i vitit 1844  e Ilia Garashaninit, në atë të Çubrilloviçit të vitit 1937, tek projekti “SANU” i Akademisë serbe të shkencave në vitin 1986. Për fat të keq, sidoqë me emërtimin “Momerandum i ri”, ishte në thelb po “SANU” i vitit 1986, ai që u kërkua këtë vit nga kryetari i Serbisë.
Por, edhe fqinjët grekë nuk qëndrojnë më pas. Mjaft të kujtojmë vetëm 27 qershorin e vitit 1944, që në Çamëri njihet si “Nata e Shën Bartolomeut”. Brenda 24 orëve, bandat e Zervës vranë dhe masakruan 600 shqiptarë, më së shumti, fëmijë, gra e pleq.
-A mund të na tregoni, si ju lindi ideja dhe thyet një tabu, duke botuar në gazetën “Zëri i Popullit” një shkrim për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri? Si reaguat, kur, siç kemi lexuar, zonja Nexhmije Hoxha, ju akuzoi se me këtë shkrim ju kishit bërë politikën amerikane, dhe kundër Enver Hoxhës, i cili thoshte se, “Izraeli është kobure në duart e imperializmit amerikan”?
-Ju kërkoj ndjesë, paraprakisht, dhe dua të mos më keqkuptoni, ngaqë kjo pyetje, më bën të qesh. Kjo, sepse më kujton intervistat dhe shkrimet e jo pak trimave pas beteje, aq shumë në modë në ditët tona.
Me një paturpësi shembullore, ata, të dalluar në atë kohë, vetëm për servilizëm e lajka, sot e gjithë dita nuk pushojnë të mbushin faqet e gazetave, ekranet e TV-ve, por  të botojnë edhe libra, ku tregojnë si “ia përplasën në fytyrë Enverit”, si ua “thyen dhëmbët Mehmetit e Ramizit”, dhe plot broçkulla e përralla të kësaj natyre.
Mendoni vetëm për një çast, si mund të ndihen e fyhen, duke dëgjuar këta “trima” ata, që vërtetë iu kundërvunë atij sistemi dhe e shkuan jetën burgjeve. “More, po ç’po bëhet kështu?!-mund të thonë: Si nuk i paskan varur për gjuhe për gjithë këto trimëri që paskan bërë, por që nuk i ka marrë vesh njeri në atë kohë? Po burgun, ku e kanë bërë? Në majë të Tomorit?! Se, në Spaç e në Burrel, ku kemi qenë ne, nja 15 a 20 vjet, nuk na i kanë zënë sytë?!”...
Në thelb, ngjarja që përmendët ju, është e vërtetë dhe shkrimi u botua në prill të vitit 1988. Eshtë, gjithashtu, e vërtetë një akuzë politike që u bë. Por, nuk është aspak e vërtetë se mua më shkoi ndonjë çast nëpër mend të bëja ndonjë “akt të guximshëm” kundër sistemit. Kjo, edhe për faktin se ajo që u vërsul e nervozuar nuk ishte “Zonja Makbeth”, as “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”, si e thërrasin sot, por “shoqja Nexhmije Hoxha”, domethënë, gruaja e Enver Hoxhës...
Sidoqë, sigurisht, isha i nervozuar nga absurditeti që dëgjova, i thashë, se shkrimi nuk është për hebrenjtë por për shqiptarët, për sakrificën dhe humanizmin e tyre krejt unikal në botë,- asnjë hebre në duart e nazistëve, -pra, një humanizëm i ngjashëm me atë  ndaj 20 mijë ushtarëve italianë pas kapitullimit të Italisë fashiste, të cilët, edhe pse i kishin vrarë e djegur shqiptarët, nuk provuan kurrëfarë hakmarrjeje, përkundrazi, shqiptarët i morën në shtëpitë e tyre, u dhanë bukë e strehë, dhe në mbarim të Luftës, i përcollën shëndoshë e mirë në Itali.
Ajo që nuk i thashë, por që e mendova më pas, kur u qetësova dhe zura të qeshja me vete për absurditetin, ishte një frazë njerëzore: “Vërtet nuk iu duket një gjë kaq e mrekullueshme”?!
Në të vërtetë, ishte edhe një gjë tjetër që mendova më pas. Para se ta firmosja atë shkrim për botim kisha një ndjesi të turbullt dhe pa logjikë, siç janë gjithnjë parandjenjat. E kam thënë, edhe një herë. I bëra atij shkrimi një redaktim të lehtë. I vura vizë vetëm emrit të një qytetari që kishte strehuar e shpëtuar në shtëpinë e tij dy familje hebrenje. Ky ishte emri i tim ati...Ngjarjen në shtëpi e lashë të plotë, sa ishte, por viza e hequr mbi emrin e tim ati, m’u duk, jo mbi letër, por mbi pllakën e varrit të tij, dhe, - e vërteta – u trondita. Unë nuk kisha asnjë të drejtë t’ia mohoja këtë nderim të merituar tim ati, aq më pak, pas vdekjes. Ky peng do të më ndjekë gjithë jetën...
-Atëherë, a mund të na tregoni motivet e vërteta që ju shtynë të botoni këtë shkrim?
-Motivet? Vetëm me politikën, më saktë, me politikën normale, nuk kanë lidhje motivi dhe ideja e botimit të atij shkrimi. Eshtë një gjë krejt e ndryshme nga politika, aq më pak, nga politika e ditës. Ishte, thjesht, ngjarja e bukur dhe krejt e veçantë që më tërhiqte. Pra, një temë, një ide “ndryshe”, e patrajtuar asnjëherë më parë në shtyp,- tundimi dhe dëshira e përhershme e çdo gazetari e botuesi.
Më vonë,- ndoshta, edhe reagimi absurd i politikës bëri punën e vet,-fillova të mendoja, se vërtetë, nga ç’rrugë e burime kishte hyrë kjo ide në subkoshiencën time?
Thuhet, se njeriu është fëminia e tij, dhe unë e besoj këtë, siç besoj, edhe faktin, se ngjarjet dhe imazhet që regjistrohen të parat në kujtesën dhe retinën e syrit të fëmijës lënë gjurmë për tërë jetën.
Keni menduar ndonjëherë, se cila është ngjarja e parë, që mbani mend, dhe në cilën moshë keni filluar të mbani mend?
Këto fenomene, sigurisht, studiohen dhe, kurioz pas një ideje të tillë, kam lexuar, se, për ne, njerëzit e zakonshëm është mosha pesë apo gjashtë vjeçare e më vonë, ndryshe, nga,- dhe duket e habitshme,-që, Tolstoi, për shembull, ka filluar të mbajë mend që në moshën dy-vjeçare, si “rrinte ulur në govatën e lëmuar, të errët, dhe “shihte fytyrën dhe llërët e përveshura të dados”. (Cvajg)
Tri-katër ngjarjet që janë rregjistruar të parat në kujtesën time, sigurisht, rreth moshës 5-6 vjeçare, lidhen, padyshim, me familjen dhe shtëpinë e fëmijërisë sime në qytetin e Beratit, në lagjen “Murat Çelebia”; një shtëpi e madhe, 150 vjeçare, me një bahçe të madhe, të bukur, që vazhdon të jetë e tillë, edhe sot e kësaj dite.
Ndër këto tri-katër ngjarje, njëra (hajde gjeje, e para apo e katërta) është ajo lidhur me hebrenjtë.
Asgjë për t’u çuditur për një qytet apo lagje, ku hebrenjtë kanë jetuar prej qindra vjetësh, dhe ku, gjatë Luftës së Dytë Botërore, qyteti u bë simbol i shpëtimit të hebrenjve nga nazistët, sikurse lagjia jonë-simbol i qytetit për nga numri i familjeve që sakrifikuan, dhe hebrenjve të shpëtuar.
E çuditshmja, apo “paradoksi” i ngjarjes së ngulitur në kujtesën time, nuk ishte e natyrshmja, pra, që në fillim të dëgjoja histori për hebrenjtë e ndonjë familjeje në lagje, qytet, sidomos për ata që kishin banuar në shtëpinë tonë. Përkundrazi, është historia e një shqiptari të mbijetuar në një kamp përqendrimi nazist në Gjermani.
Ky ishte Halit Totua, daja i sime mëje, nga Plashniku,-një fshat malor i Beratit, që herë pas here, zbriste në qytet, e vinte në shtëpinë tonë, për të pirë një kafe a thjesht “për muhabet”.
“Unë nuk e di si është xhehnemi, se nuk është kthyer të na tregojë ndonjë nga ata që kanë vdekur, por kampi i përqendrimit është xhehnem e kaluar xhehnemit, them unë. Natë-ditë, i thua shpirtit “Dil!” nga puna e rëndë. Punën, bjere këtu, po ishte edhe druri. Kot fare, se kështu i shkrepej gjermanit.
Po, ç’u ka punuar hebrenjve, thuaj! Ne ishim lule, para torturave që u bënin atyre. Si nuk ka plasur syri nga ato që ka parë! Mori gjermani një ditë nga kapanoni, babë e bir, hebrenj. Ishin hebrenj të Polonisë. Mirë që i griu me kamxhik të dy, po poshtërsia erdhi më pas, kur i çoi të dy tek trekëmbëshi, dhe katili, vari të birin para të atit, që ta shihte me sy. Nuk u ngop me kaq, por edhe pasi djali dha shpirt, gjermani zuri ta tundte e ta shkundte në litar. Plaku u përplas në tokë nga vilania (të fikët). Kafshë,- o; kafshë, thuaj!
Ç’u kanë punuar hebrenjve të shkretë, një Zot e di! I fortë qenka njeriu!
Po, edhe ne të tjerëve, nuk po them, s’na mbajtën me kimet, jo.
Ishim nja 30 a 40 vetë në kampet e përqendrimit, ne, nga Berati. Të tjerët, nuk e mbaj mend, ku e si i zunë gjermanët, po ne na rrethuan në pyll. Morën rradhë ç’kapën aty, jo vetëm ne, disa partizanë. Na hipën në makinat e tyre, dhe, drejt e në Selanik. Në Selanik, ku kishin mbledhur edhe qindra të tjerë, nga Greqia, Jugosllavia e ku di unë, na futën në vagonat e trenave të mallrave, dhe, drejt e në Gjermani, në kamp të përqendrimit.
Një fjalë goje, “drejt e në kamp”, se tortura e rrugës, e vagonit ishte më e keqe se ajo e kampit. Në vagonat ku na plasën kishin vënë nga një a dy fuçi të mëdhaja, të mbushura me benzinë a ujë ,-kush e mori vesh. Puna është se një javë a dhjetë ditë, sa sosëm në Gjermani, natë-ditë ne luftonim të ruheshim nga fuçitë. Treni ikte, ato rrotulloheshin e përplaseshin nëpër faqet e vagonit, dhe ne, me vrap nga një cep në tjetrin, se, po të zinte fuçia, të bluante. Merre me mend vetë tashti si ishim bërë ne, dhjetë ditë rresht, me atë torturë, pa gjumë e pa bukë, të dërmuar fare, kur na plasën në kamp të përqendrimit. Në kamp,- punë, natë e ditë, sa të merrej fryma. Bukë, na jepnin, sa një kalamani. Bënin karshillëk gjermanët, por, po hëngre sa një fëmijë, takatin e fëmijës do të kesh”. Kur na prunë në Tiranë, më 1945-ën, as 30 kile njeri nuk ishim. Na mbajti tre muaj në Tiranë, Komandanti, sa morëm hije njeriu dhe na shpërndau nëpër shtëpitë tona.
As hasmin mos e pafsh në kampin e përqendrimit!”
Unë, nuk mundja t’i dëgjoja të gjitha “historitë” e pafund, që tregonte daja, se nuk ndodhesha sa herë vinte ai. Aq më tepër, u largova herët nga familja, dhe nga qyteti. Dhe, më vinte keq që nuk mund ta takoja dot shpesh. Më pëlqente: njeri i sinqertë, dhe burrë “me hije” e dinjitoz. Por, një gjë tjetër, që, gjithashtu, më është ngulitur në kujtesë. Në fund të tregimit a të historisë së tij, për kampin e përqendrimit dhe për torturat e veçanta për hebrenjtë, im atë dhe ime më, nuk harronin asnjëherë, dhe gati me një zë, të thoshin “Me një paqe, o Zot! Amin!”
Dukej krejt e çuditshme, kjo lloj lutjeje apo urimi, i cili, megjithëse lufta kishte gati dhjetë vjet që kishte përfunduar dhe ishte paqe, vazhdonte të mbetej si ritual, jo vetëm kur tregoheshin ngjarje të tilla, por, edhe gjatë vizitave tek fqinjët a kushërinjtë. Para, apo pasi pinin kafen, vinte menjëherë lutja dhe urimi: “Me një paqe, o Zot! Amin!”
“Me një paqe”, në paqe?! Pse?
Ndoshta, tmerri i vdekjeve dhe shkatërrimit nuk ishte larguar ende nga sytë e tyre. Por, ndoshta imazhin e luftës, e mbanin akoma “të ngrohtë” e të afërt dhe varret e freskët, ndërtesat ende të parindërtuara dhe, sidomos, më dukej mua, numri jo i paktë i “sakatëve”, i të gjymtuarve nga bombat që plasnin vazhdimisht, kur, padashur shkeleshin nga kalimtarët, të cilat nazistët dukej se i kishin lënë qëllimisht e si për të thënë, se do të vazhdonin të vrisnin shqiptarë, edhe pas ikjes, edhe pas humbjes. (Siç bënë edhe serbët, pas ikjes në malet e Kukësit e Tropojës, zona kufitare me Kosovën).
Në të vërtetë, kjo lloj lufte pas përfundimit të luftës, e gjermanëve nazistë nuk dukej hiç burrërore, përkundrazi, e pabesë dhe tinëzare, sidomos, po të kishe parasysh ato që thoshin disa nga të rriturit, se vërtetë armiku armik, por, sidoqoftë, ndryshe nga italianët, gjermanët ishin “seriozë e të ndershëm në luftë; të vrisnin, por vetëm ballë për ballë”. Profka!
Kjo “luftë në paqe” që vazhdonte edhe vite të tëra më pas, nuk kursente asnjeri, të mëdhenjtë, por sidomos të vegjlit e qytetit që luanin ku të mundnin; në faqet e Kalasë, tek “Gropa e Zhurrit”, lart mbi kodrën tjetër, tek “Lëmi i Shamatasë”, nga Bifta, deri edhe në Bilçë etj, që kishin qenë edhe zonat më të forta të luftimeve me gjermanët.
Më vonë, kuptova, se “lufta pas luftës”, “në paqe”, nuk ishte dokudo. Ashtu, si gjarpëri kur largohet, lë pas vezët e veta, lufta linte pas gjymtimet, hakmarrjen dhe urrejtjen.
Nga ky “infeksion” nuk prekeshin vetëm të mundurit, por edhe fitimtarët. Madje, më dukej, se fitimtarët prekeshin më shumë pas përmbysjes së të mundurve.
Edhe daja ynë, trim, për shembull, e quajti të pamjaftueshme “luftën në luftë” kundër fashizmit. Vite më pas, pengu i një sherri të mbetur (të pambyllur) nga lufta, bashkë me ndonjë fyerje a diçka të tillë, bëri që t’ia zbrazë pushkën në mes të fshatit një bashkëfshatari që në luftë e kishte patur në anën e kundërt, dhe, pas luftës, “të prekur” e në anën e “të mundurve”:
-“Edepzës! Mirë që dje u bëre me “Ballin”, po me gjermanin ç’deshe që u përzjeve? Nuk të vrava dot dje, të vrasë sot...”
“Atë të “Ballit” e shpëtoi fati dhe nuk e zuri plumbi, kurse dajën, Partia. E përjashtuan nga Partia, por edhe, nga ligji. Gjemb në këmbë nuk i hyri.
Ishte “i yni”, i “Luftës”, “i kampit të përqendrimit”. (Por, e vërteta është, vetëm për këtë rast, sepse jetoi e vdiq në fshat, si gjithë të tjerët).
Pak a shumë, siç vazhdon sot. Kur, pas “luftës”, domethënë zgjedhjeve elektorale, je me fitimtarët e PD-së apo PS-së, je “i yni”, domethënë, ke edhe punë, edhe karrige të madhe, dhe “benefice” të tjera në formë tenderash, etj., etj. Madje, edhe nga burgu shpëton sot “i imi”, apo “i yti”, kur je në pushtet, sikurse daja ynë “i kampit të përqendrimit”...

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)