2015-04-07

INTERVISTË ME GORAN VASENIUS, AUTOR I LIBRIT ‘SËMUNDJA MISTIKE’(MANIPULIMI I SERBISË ME HELMIMET E SHQIPTARËVE)


“Bota e pranoi versionin serb të histerisë masive dhe ishte skeptike në versionin shqiptar, sepse Serbia kishte mjete shumë më të mëdha që ta paraqesë versionin e saj. Serbia mund ta pengonte në çdo mënyrë që shqiptarët të kontaktojnë me botën”, thotë Vasenius


Histeria masive është një histeri kolektive, ku anëtarët e një grupi paraqesin shenja të njëjta, gjë për të cilën nuk ka shpjegim organik. Shfaqet nga stresi apo nga ankthi. Në histerinë masive grupet nuk janë më të mëdha se 30 veta. Në Kosovë ishin më shumë se 8 000! Mandej serbët filluan ta sqarojnë karshi botës si ishte një komplot politik. Të sëmurët aktronin dhe simulonin. Ky ishte një aksion i përfitimeve politike. Nga fërkimi i fytyrës u paskan pas ardhur të sëmurëve njollat e kuqe! Nxënësit shqiptarë, sipas serbëve, nën urdhër të caktuar, i kanë fërkuar e kruar faqet dhe mandej kanë vrapuar nëpër spitale! Ky ishte një absurditet që mjekët serbë vazhdimisht, madje edhe sot e kësaj dite qëndrojnë parapa histerisë masive. Bile edhe OBSH-ja thoshte se nuk kishte helmime.
Zoti Vasenius, na prezantohuni, ju lutem? Goran Vasenius: Unë jam një profesor i historisë në pension, dhe jetoj në një qytet të vogël të Suedisë. Isha në një simpozium mbi shpartallimin e Jugosllavisë, ishte viti 1993 dhe aty për herë të parë dëgjova mbi helmimet, të cilat ma tërhoqën vëmendjen. Pas vizitave të kampeve të refugjatëve në Suedi, ku e dija që janë shqiptarët dhe e shënoja çdo thënie të tyre, fillova të ndërlidhem me problemet e tyre, duke u ndihmuar edhe për marrjen e statusit të azilantit. Punoja për një organizatë të quajtur Komiteti Përkrahës i Kosovës. Pas pensionimit tim fillova të merrem me Kosovën, më 1990.

Pse u morët aq gjatë me helmimet? Ishte dëshira e juaj për të vërtetën, apo diçka tjetër? Goran Vasenius: Në fillim ishte kureshtja. Por, kur më ra të lexoj një raport të të ashtuquajturit Komisioni i Kosovës të vitit 2000, i cili i mbështeste shpjegimet serbe mbi helmimet në Kosovë si histeri masive, kjo më pezmatoi shumë. I pezmatuar, sepse e dija që aty kishte viktima të helmimit të sëmura shumë keq. Dhe, kjo shpifje shtetërore se kishte vetëm histeri në Kosovën e 1990, nuk më linte vend.

Mjekët shqiptarë menjëherë e zbuluan që ishte fjala për helmime masive dhe në të njëjtën kohë mjekët serbë kundërshtonin t’u ndihmonin të helmuarve. Si e shpjegoni këtë? Goran Vasenius: Është e vërtetë që mjekët serbë refuzonin t’i trajtonin të sëmurët, edhe pse këtu kishte disa përjashtime. Por, mjekët serbë, duke i ndihmuar shqiptarët e sëmurë kishin mundur të dënohen. Ndoshta ky ishte ndonjë urdhër. Një fakt interesant: më 22 mars 1990, doktorët në Serbi protestonin kundër doktorëve shqiptarë se po i ndihmojnë të helmuarit, të cilët, sipas doktorëve serbë, simulonin (e aktronin të sëmurin). Edhe ky mund të ishte një urdhër.

Si arritët që të vini deri te faktet e vërteta? Goran Vasenius: Për mua, shënimet prej dëshmitarëve ishin më të rëndë- sishme. Unë i kam intervistuar edhe të sëmurët, por edhe dëshmitarët, por edhe kam gjetur evidenca në arkivat në Prishtinë dhe Gjenevë, të mbajtura nga i ashtuquajturi Komisioni i Gjenevës. Edhe ky raport i këtij komisioni është i rëndësishëm. Desha të theksoj edhe statistikat e simptomave të mbledhura dhe të evidentuara në ditën e parë të helmimeve, në marsin e vitit 1990. Z. Halim Hyseni i ka në librin e tij shënimet statistikore mbi helmimet, të cilat unë i kisha marrë. Serbët nuk mbanin statistika. Por, të theksoj përsëri: për mua më të rëndësishme janë dëshmitë dhe dëshmitarët. Rreth vitit 2005 fillova të kisha probleme që të shkoj më tutje. Nuk dija se si të veproja. Një dëshmitar e pati përshkruar se si shoqet e tij të klasës filluan të shkumonin nga goja dhe pastaj se si kishin shtrëngime të tmerrshme dhe se si e humbnin vetëdijen. Ai më dha një shtyrje dhe unë munda të shkoj më tutje.

Si ia paraqiti Serbia situatën botës dhe çfarë bën ajo sot? Goran Vasenius: Në fillim, Serbia këmbëngulte që shqiptarët po e simulojnë të helmuarin dhe se nuk kishte kurrfarë helmimi. Kjo informatë, si e tillë, i qe dhënë edhe OBSH (Organizatës Botërore të Shëndetësisë). Në prillin e vitit 1990, Komisioni Federativ (i ish-Federatës jugosllave) doli me një raport që Kosova u trondit nga një motivim i quajtur “Histeria e Masës”. Serbia ia servonte botës këtë version. Gjithashtu, edhe Instituti Ushtarak i Suedisë e pati marr të njëjtin, të cilët kur i kam kontaktuar më 1993, ma kanë konfirmuar



Sot unë besoj që Serbia dëshiron të heshtë. Por, unë e njoh një përjashtim. Kur unë e botova librin tim në Suedi “Sëmundja Mistike”, lexuesit kryesisht ishin shqiptarët e Suedisë. Një ditë më erdhi një reagim nga Ambasada e Serbisë në Stokholm, gjoja se libri im e paska fyer popullin serb dhe Serbinë. Gjatë kohës pas kësaj mendoja që do të më paditin në gjyq, por nuk e bënë.

Konstatimi skandaloz i histerisë masive

Pse e quani skandaloze çështjen e mjekëve britanikë, Alastair Hay-it dhe John Foran-it? Goran Vasenius: Johna Foran-i i patë marrë shembujt e gjakut në mars 1990, të cilët u analizuan nga Alastair Hay. Ata e shkruan një raport të shkurtër në revistën mjekë- sore “The Lancet”. Raporti i tyre se si filloi epidemia, p.sh. në Podujevë nuk ishte as e përafërt me të vërtetën. Ata nuk paskan pas gjetur helm në gjakun e pacientëve. Ata shkruanin që do t’ua dërgojnë raportin shqiptarëve nëpërmjet një organizate franceze, Federata Ndërkombëtare e Ligës së të Drejtave të Njeriu (FIDH), por asnjë raportnuk arriti në Kosovë. I shkrova Dr. Hay-it që të ma japë një kopje, por kurrë nuk mora asgjë. Kështu, Dr. Hay-i e dinte që raporti nuk kishte arritur në Kosovë, por nuk brengosej. Ai nuk donte t’i merrte përgjegjësitë për vetë hulumtimin e tij. Edhe FIDH – kurrë nuk i ka dërguar raportet në Kosovë, me gjithë kontaktet e mia dhe letrat e Avni Dervishit. Është shumë e rëndësishme t’i kemi raportet në mënyrë që ta dimë se ku Dr. Forna-i i ka marrë shembujt e gjakut? Pa këto informata është e pamundur që të vijmë në ndonjë përfundim dhe vlerësim të punës së Hay – Foran-it. Se çka ndodhi skandaloze në revistën “The Lancet”, qëndronte konstatimi i histerisë masive.

Po doktorët francezë? Goran Vasenius: Të vetmin doktor francez që unë e njoh për këtë çështje është Dr. Bernard Benedeti. Unë mund ta përshkruaj atë si një agjent sekret i ndonjë filmi, ashtu i shpjegonte gjërat: Se si ai fshehtas futej në spitale, i mori 150 shembuj të gjakut, dhe thoshte se si e ka “alarmuar botën”, se ishte fjala për një helmim të madh të rrezikshëm. Mandej, pasoi heshtja e tij. Pas dhjetë vjetësh është deklaruar se ishte obliguar nga një ministër që ta vazhdojë publikimin e raportit laboratorik, sepse marrëdhëniet ndërmjet Francës dhe Serbisë nuk guxojnë të luhaten. Nga kjo shihet se ai ishte lojal ndaj ministrit dhe jo ndaj të sëmurëve.

Pra, Dr. Benedeti i mori 150 shembuj gjaku që ta gjejë helmin. Gjithashtu, edhe biokimisti kroat Franjo Plavshiq e gjeti helmin (organofosfate). Hulumtimi i tij u prezantuan në Simpoziumin e Zagrebit. Çfarë mendoni? Goran Vasenius: Rezultatet e Dr. Plavshiqit tregojnë më shumë kimikate në gjak se sa Benedeti (simptomat e njëjta). Plavshiqi iku nga simpoziumi kur u desh t’i paraqesë rezultatet. Por, situatën e shpëtoi Dr. Besnik Bardhi (nga Gjakova), i cili e kryesoi këtë simpozium. Tani kanë kaluar 22 vjet dhe Jugosllavia nuk ekziston më. Pse Benedeti, Plavshiqi dhe Anton Dolenci (kryetar i Komisionit Federativ) nuk na e thonë të vërtetën e vitit 1990?

Roli negativ i Radovanoviqit

Kush ishte profesor Zoran Radovanoviqi, i cili ia shpjegonte botës histerinë masive? Goran Vasenius: Njeriu më i rëndë- sishëm për pranimin dhe përhapjen e versionit të histerisë masive. Ai ishte profesor në Beograd, kurse nëvitin 1990 ishte kundër të vërtetës së helmimeve. Pastaj, ai u emërua profesor në Kuvajt. Në vitin 1994, ai shkroi në “British Medical Journal, në të cilin artikull i kritikonte doktorët britanikë që e krijonin përshtypjen e një helmimi në vitin 1990. Ai gjithashtu e mbronte represionin e Milosheviqit në Kosovë, për të cilin edhe mësuesit u larguan nga shkollat. Në vitin 1996, në revistën “European Journal of Epidemiology”, ai e botoi një artikull të gjatë, në të cilin me bindje thoshte që në Kosovë kishte histeri masive. Për lexuesit që pak i njohin rrethanat e Kosovës, kjo ishte shumë bindëse. Gjatë shpjegimit në shkrimin e artikullit, Dr. Radovanoviqi bëri shumë gabime.

Në Zagreb, në atë kohë, pra në vitin 1990, kur mbahej simpozium mbi helmimet, profesori serb Lubomir Eriq u shokua kur dëgjoi që edhe fëmijët e vegjël ishin viktima. Një prej tyre ishte edhe një fëmijë serb, 3-vjeçar. Mendimi juaj për këtë? Goran Vasenius: Fëmijët aq të vegjël nuk mund të jenë pjesëtar të një aktrimi, apo një histerie masive. Shkuma nga goja në gjuhën e mjekësisë quhet hipersalivim. Helmi futet në lëkurë dhe shpërndahet nëpër trup. Era e ndier ishte po ashtu e organofosfateve.

Si arritën serbët, që t’i helmojnë vetëm gratë dhe vajzat? Goran Vasenius: Po supozoj që dëshironi të shpjegoj për dominimin femëror në mesin e të helmuarve. Edhe kjo është një pyetje e rëndësishme. Ky dominim femëror është tipik për histerinë masive, dhe për Radovanoviqin kjo ishte një provë që në Kosovë kishte histeri masive, e jo helmim. Unë e pata dëgjuar një vrojtim të një doktori shqiptar, që të sëmurët paraqiteshin shumë simptome serioze. Trupi i femrës e ka një aftësi më të madhe për zbulimin dhe reagimin ndaj helmeve të ndryshme.

Në kohën që po flasim, isha drejtor i një fabrike të tekstilit në Gjakovë, e cila i kishte mbi 1 800 punëtorë e punëtore. Ne çdo ditë i kishim nga 20-30 të helmuar, femra krejtësisht. Kur një herë rastësisht në mesin e të helmuarave u gjet edhe një serbe, e patëm “shansin” të lirohemi nga helmimi i mëtutjeshëm. Si e shpjegoni këtë? Goran Vasenius: Kjo është shumë interesante. Ky është një sinjal që serbët nuk mund të kontrollonin çdo gjë gjatë helmimit. Ta krahasojmë vrojtimin tuaj me atë të shkollave, ku kishte segregacion të nxënësve, dhe në ditët e helmimit nuk kishte nxënës serbë.


Fahri Xharra

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...