2015-04-30

Elbasani shpall “Qytetare Nderi” bijën e tij

Migena Arllati laureohet në vendlindje me titullin e nderit


Në një organizim madhështor, mes zyrtarëve, familjarëve dhe miqve të shumtë nga bota e letrave, shoqërisë civile dhe e kulturës, në skenën e Teatrit Skampa të Elbasanit, Bashkia e këtij qyteti shpalli me titullin e lartë “Qytetare Nderi” shkrimtaren dhe publicisten Migena Arllati.


Kryebashkiaku Qazim Sejdini, shprehu konsideratat më të larta ndaj kontributit të zonjës Arllati, duke i dorëzuar asaj titullin e nderit me motivacionin: “Për kontributin e shquar të saj si gazetare, shkrimtare, hulumtuese ndaj gjuhësisë dhe albanologjisë dhe një personalitet i shoqërisë civile në vend dhe në diasporë”.

 Sejdini vuri në dukje se se Elbasanit i bëjnë nder shumë qytetarë të tij të cilët jetojnë brenda dhe jashtë vendit, mes të cilëve Migena Arllati ka një vend të veçantë për sa i përket rolit të saj në disa sfera të jetës.

Vendimi për akordimin e titullit “Qytetar Nderi” ishte marrë në datën 20 mars në Këshillin Bashkiak, në sajë të propozimit të Fondacionit Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”. Dasantila Tahiraj, kryetare e Këshillit Bashkiak, duke përshëndetur të pranishmit e shumtë në ceremoni,u shpreh se emri i Elbasanit është ndërtuar dhe vazhdon të rritet në sajë të njerëzve të punës, të cilët lartësojnë qytetin me anë të personalitetit të tyre.

 Mes emocioneve të shumta, protagonistja kryesore e kësaj ceremonie Migena Arllati, duke pranuar titullin, falenderoi drejtuesit shtetërorë të Bashkisë së Elbasanit, përfaqësueset e Fondacionit “Nermin Vlora” të ardhura nga të katër anët e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi e më gjerë, familjen dhe të gjithë miqtë e kolegët e pranishëm.

 “Sado të madhohet njeriu, nga vendlindja nuk mund të shkëputet kurrë. Nuk ka vendlindje të madhe a të vogël. Ajo është veç një, por aq e fuqishme tek secili prej nesh, sa na mban dhe ushqen njëjtë si rrënja bimën, apo si rrënja pemën e cila në pamje të parë duket e bukur, e rritur, e fuqishme sepse është e zhvilluar me degë e lule, me gjethe e fruta por fuqia e saj vjen nga rrënjët. Ato, rrënjët, e furnizojnë dhe e bëjnë të jetë ajo që është.

Rrënjët e mia janë vendlindja ime, kjo Shqipëri dhe ky Elbasan ku u linda dhe u rrita, ku u shkollova dhe arsimova”, tha ajo në fjalën përshëndetëse gjatë ceremonisë së laureimit. Meqë prej njëzet vitesh jeton në Gjakovë, ajo vuri në dukje se sot Kosova dhe Shqipëria nuk janë larg sepse janë ndërtuar me qindra mënyra komunikimi, autostrada, mediat, marrëdhëniet e ndërsjellta.

 Por, shtoi se në vitet e vështira të saj në Kosovë, kishte vetëm një mënyrë komunikimi, dhe kjo ishte lidhja shpirtërore. “Faleminderit Elbasani im, do të të dua sa vetë jetën time! Njerëzit me vlera si ju, dijnë t’i vlerësojnë të vlefshmit.

Mirënjohje pa fund për Fondacionin “Nermin V. Falaschi” dhe për Bashkinë e Elbasanit që duke promovuar vlerat intelektuale dhe mbipersonale, lartësojnë shoqërinë dhe kombin shqiptar. Është puna e vetmja vlerë lartësuese e cila na bën të thjeshtë dhe të nderuar ndaj uroj t’i ruani gjithnmonë këto tradita kombëtarë dhe civilizuese!”, shtoi Arllati mes duartrokitjesh të shumta.

 Presidentja e Fondacionit, Zenepe Luka, duke vënë në spikamë kontributin e znj. Arllati brenda Fondacionit, u shpreh se kjo organizatë e ka për nder që propozoi njërën nga aktivistet më të vyera të saj për këtë titull të lartë nderimi.

 “Migena shkëlqen në gjithë kompleksitetin e saj, në çdo segment të jetës personale dhe profesionale. Shkallët e ngjitura një nga një, me kujdes dhe përkushtim në familje dhe në karrierë, e bëjnë atë një shembull për të gjithë botën femërore.



 Ne si Fondacion kemi mes nesh femra të vyera dhe shumë punëtore, ku Migena Arllati qëndron me krenari si njëra ndër emrat me të cilën mburremi”, vuri në dukje Zenepe Luka, në emër të Fondacionit që drejton.

 Mes miqve të shumtë të ardhur nga qytete në ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës, fjalën e mori edhe Xhelal Luca nga Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve dhe Artistëve “Pegasi Albania”.

Përveç vlerave humane, si shkrimtare e publiciste të znj. Arllati, ai u përqëndrua edhe në aktivitetin e saj kombëtar.

“Migena e ka bërë bashkimin kombëtar shumë e shumë dekada më parë se politika. Pa pyetur për politikën, ajo që para luftës së Kosovës u martua me djalin nga Gjakova, duke ndërtuar një familje të shëndoshë e me fëmijë të edukuar, dhe duke dhënë shembullin e vërtetë se si mund të bashkohen shqiptarët të cilët politika i ndau në shtete dhe në kufinj.

 Kjo vajzë e jona është modeli i një femre të fortë, që bën sakrificën dhe jep kontributin pa pritur shpërblim për asgjë”, tha i entuziazmuar shkrimtari Xhelal Luca.

Fjalëve të rastit iu shtuan edhe ato të intelektualeve dhe artisteve të mëdha shqiptare si: Margarita Xhepa, Vitore Stefa, Irini Qiriako, Tefta Radi, Vllasova Musta, Ajtene Krasniqi, Zylfije Duraku, Kozeta Zavalani, Shpresa Gashi, Vjosa Abazi, Beatriçe Balliçi, Flutura Maçi etj.

Pas pjesës ceremoniale, familja Arllati i ftoi të gjithë të pranishmit në ambientet e Kalasë së lashtë dy mijë vjeçare të Elbasanit, ku mes trokitje gotash e shijime gatimesh vendase të mrekullueshme, u këmbyen urime të shumta.

Në këtë ditë të lumtur të jetës së saj, Migena Arllati shtoi për median tonë se ndjehet tejet e mallëngjyer, e drithëruar, e stolisur dhe lavdëruar.

“Nuk mund të jesh asnjëherë krenar për atë që je, nëse harron vendin ku ke lé. Kjo ditë më shpërfaq emocione të shumta, me krenarinë dhe mallin të shkrirë në një.

 I përulem në gjunjë vendlindjes, prindërve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të mi që më bëjnë të jem kjo që jam”.



Migena Arllati lindi në Elbasan /Shqipëri në 06.09.1974 në një familje me tradita qytetare dhe arsimdashëse. Jeton në qytetin e Gjakovës në Kosovë që prej 20 vjetësh me bashkëshortin dhe tre fëmijët.

Angazhimi në gazetari:

Aktiviteti i saj paraprihet nga dhjetë vjet angazhimi në gazetarinë radiofonike, të printuar dhe televizive ku ka marrë disa herë çmime.

Në vitin 2002, organizata amerikane IREX e nderoi Migena Arllatin me çmimin e dytë për projektin e saj radiofonik kushtuar gruas së pasluftës në Kosovë.

Në vitin 2006, Qendra mediale “Dukagjini” i ndau çmimin e vendit të parë për shkrimet e saj në gazetën “Lajm Exclusive”, lidhur me promovimin e punës dhe sfidat e femrës shqiptare.

Angazhimi në arsim:

Ligjëruese në Universitetin Publik “F. Agani”. Po ashtu punon si Prof. e gjuhës shqipe dhe letërsisë në shkollën e mesme “H. Dushi” dhe në Kolegjin privat “M. Akif” në Gjakovë.
Angazhimi në studimet gjuhësore:

Ka marrë pjesë në dhjetëra trajnime e konferenca, në shumë prej të cilave është paraqitur me punime shkencore. Prej kohësh ka konfirmuar vullnetin ndaj angazhimeve hulumtuese shkencore ndaj gjuhësisë dhe albanologjisë.

Ajo ka marrë pjesë në Konferenca të ndryshme shkencore të organizuara nga Universiteti i Tiranës, Prishtinës, Tetovës, Shkodrës, Elbasanit, Durrësit, Vlorës, duke prezantuar punime kryesisht nga fusha e linguistikës.

 Puna në botime: Autorja deri tani ka botuar tre libra: “Mendime në kornizë”(poezi), “Lindur për t’u bërë mjek”(monografi) dhe “Vështrim rreth shprehjeve frazeologjike në të folmen e Gjakovës” (studim gjuhësor).

Krijimet poetike të saj janë prezantuar në disa Antologji të botuara në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Rumani. Po ashtu, është redaktore dhe recensente e dhjetëra botimeve të shkrimtarëve të ndryshëm.

Çmime në letërsi: Në Mitingun e Poezisë mbajtur në Gjakovë në Maj 2013, u shpall si poetja më e mirë e Mitingut, duke u nderuar me çmimin ‘Yllka Domi”.

“FiloLet 2013” në Zvicër e nderoi me çmimin e dytë në konkursin vjetor ndërkombëtar. Pegasi Albania në vitin 2012 punimin e saj shkencor e laureoi “Studimi shkencor i vitit” ndërsa në vitin 2013 e laureoi me titullin “Studiuesja e vitit”.

Në Festivalin Kombëtar të letërsisë për të rinj, mbajtur në Podujevë në gusht 2014, zuri vendin e dytë në gjininë letrare të tregimit me krijimin me titull “Piano”.

Aktiviteti në shoqërinë civile: Është Kryetare e degës së Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi” në Gjakovë; Kryetare e Lidhjes së Poetëve, Shkimtarëve dhe Artistëve
“Pegasi” në Kosovë;

Anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës; Anëtare e Institutit Alb-Shkenca me seli në Tiranë, Prishtinë e Shkup; Anëtare e Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë.




No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...