Noel Malcolm: Komunistët, jo Otomanët, duhet të fajësohen për Sëmundjet e Ballkanit

Noel Malcolm 9 (W)

Është trashëgimia e 50 viteve të fundit, jo ajo e 500 viteve më parë, që rëndon mbi vendet e Ballkanit teksa ato bëjnë përpjekje për të lënë pas kulturën e korrupsionit dhe klientelizmit, thotë historiani britanik.

Pyetje: Sipas raport-progresit të BE, vendet e Ballkanit kanë vese të përbashkëta: klasa të korruptuara politike, nepotizëm, klane, probleme me krimin e organizuar dhe me mosfunksionimin e ligjit. A janë përcaktuar këto sjellje nga e shkuara jonë? Për shembull, tendenca e Italisë jugore drejt klientelizmit dhe krimit të organizuar përshkruhet disi si trashëgimi e sundimit Norman dhe Bourbon.

Përgjigje: Si një historian, jam i befasuar të dëgjoj se mafia akuzohet për sundimin Norman! Kjo shkon pas në Mesjetë. Historia lë gjurmët e veta në shoqëri ndonjëherë në mënyra të dukshme, ndonjëherë në mënyra të padukshme dhe të nënvetëdijshme. Jam tepër skeptik për këtë arsyetim në tërësi që na duhet të kthehemi pas një shekull apo dy, për të gjetur arsyen përse ka korrupsion, ryshfet apo krim të organizuar. Mund të shohim përreth dhe t’i gjejmë arsyet përpara nesh; nuk na duhen librat e historisë. Korrupsioni ndodh në kushte të caktuara socio-ekonomike dhe në kushte të caktuara politike, kur fuqia politike është e dobët, drejtësia është e dobët, dhe kur vlerat e shtetit nuk kanë arritur plotësisht të prekin shoqërinë, krijohet një ndjesi se njerëzit duhet të kujdesen vetë për veten… dhe se pagimi i taksave është diçka e kotë që njerëzit bëjnë. Në rastin e Ballkanit, do të thosha se 50 vitet e komunizmit si pjesë e këtij sfondi janë më të rëndësishme sesa 500 vitet nën sundimin otoman.

Pyetje: Duke parë hartën e Europës sot, a është Ballkani ende “sheshi i lojës ku fuqitë e mëdha akoma hakmerren”?

Përgjigjet Noel Malcolm: Jo siç ndodhte në shekullin e 19, në Kongresin e Berlinit [në 1878] për shembull. Jo sipas mënyrës së vitit 1914, kur një vrasje në Sarajevë e futi sistemin e fuqisë në luftën botërore.

Pyetje: Në çfarë mënyre atëherë?

Përgjigje: Në një mënyrë më të kufizuar. Nëse sheh veçanërisht në politikën ruse kundrejt Kosovës, është e vështirë të dallosh ndonjë arsye të brendshme prej Kosovës ose ndonjë situatë të brendshme për të cilën Rusia të ketë pikëpamje aq të patundura dhe dëshirë aq të madhe për të bllokuar politikën Perëndimore. Kjo është një lojë që luhet si në tabelën e shahut për qëllime të tjera. Është pjesë e dëshirës më të madhe të [Vladimir] Putin për të shkaktuar telashe për politikën Perëndimore dhe për të treguar se Rusia ende ka fuqi t’i bllokojë gjërat dhe të kërkojë kompensim në disa pika të tjera që ndoshta ata vërtetë i kanë të rëndësishme, por që janë plotësisht jashtë Ballkanit.

Rusia po e trajton ende Ballkanin sipas kësaj mënyrë instrumentale. Po ashtu po e trajton edhe Serbinë. Njerëzit në Beograd që imagjinojnë se kanë një lloj gjaku vëllazërie dhe një lloj simpatie të thellë sllave që u vjen nga Moska, e kanë disi gabim. Edhe ata po përdoren. E kemi parë me manovrat e Rusisë në tubacionet e naftës dhe në çmimet qesharake me të cilat blen industrinë e naftës serbe. Rusia po loz edhe me ata. Pra, Rusia është rasti i vetëm ku ekziston politika e fuqisë së madhe. Në rastin e fuqive europiane, ata kanë interes direkt. Ata duan që në kufijtë e tyre të zhvillohet një lloj situate koherente dhe progresive. Dhe SHBA-ja, mendoj, është më pranë mentalitetit evropian se atij të Moskës.

Pyetje: Ku po shkon Ballkani? Marrëveshjet që i dhanë fund luftës në vitet 1990 kanë rezistuar, por nuk ishin projektuar për t’i zhvilluar këto vende. Është e ardhmja e Ballkanit në rrezik teksa komuniteti ndërkombëtar përqendrohet në pjesë të tjera të botës?

Përgjigje: Bosnja dhe Kosova janë në fakt në probleme. Me rrezik është veçanërisht rasti i Bosnjës. Nuk mendoj se në rastin e Kosovës ka ndonjë rrezik të madh. I vetmi rrezik atje është stanjacioni dhe mungesa e progresit me shpejtësinë që duhej. Në rastin e Bosnjës paraqitet një rrezik i pastër, rrezik i vërtetë politik. Komenti juaj se vëmendja e fuqive Perëndimore është zhvendosur diku tjetër është i vërtetë. Kjo po ndodh me Amerikën prej shumë vitesh; përfshirja intensive në Irak dhe Afganistan ka thithur fuqitë e Departamentetit të Shtetit, dhe ka të bëjë më tepër me mentalitetin e mbajtjes së situatës nën kontroll tani kur ata i hedhin sytë nga Ballkani. Shumë më shumë përgjegjësi lidhen me fuqitë europiane. Por Europa është në një çast të sikletshëm, duke u përpjekur për herë të parë zyrtarisht të zhvillojë një politikë të jashtme evropiane me përfaqësuesit e vet të politikës së jashtme dhe me pothuajse-Ministrinë e Jashtme të saj. Është një projekt shumë i vështirë sepse politika e jashtme së fundmi në çdo vend evropian është një çështje kombëtare. Këto shtete nuk bien dakord në shumë çështje themelore. E kemi parë këtë te Kosova.

Pyetje: Dhe cilat janë rreziqet nëse nuk bien dakord?

Përgjigje: Nuk mendoj se rreziku në Kosovë është i një natyre serioze. Nuk shoh të zhvillohet ndonjë luftim apo të kalojë ndonjë tank në ndonjë vend në Kosovë.

Pyetje: Jo, por mos-pranimi për të hyrë në BE për shkak se Spanja, Sllovakia dhe Qipro nuk e njohin. Çfarë do ndodhë nëse kjo vazhdon për dekada?

Përgjigje: Këtë e quaj stanjacion serioz. Paraqiten rreziqe për zhvillimin ekonomik; rreziqe për valët e njerëzve që nuk po gjejnë dot punë në Kosovë të cilët po dynden në vendet e tjera europiane. Këto rreziqe, jam i sigurt, kuptohen. Rreziqet për Bosnjën janë më serioze. Është një problem që ka qenë i qartë që prej marrëveshjes Dayton apo si njihet ndryshe Protokolli i Parisit. Nuk ka asgjë të re për të thënë. Marrëveshja Dayton dështoi në zgjidhjen e problemeve themelore. Thjesht la në vend një situatë në të cilën spastrimi etnik kishte ndodhur dhe ku njerëzit përgjegjës për spastrimin etnik ishin ende në fuqi në pjesë të mëdha të Bosnjës. E ngriu atë situatë dhe më pas njerëzit që e hartuan atë [Dayton-in] nuk pranuan të përdornin fuqitë e tyre për të ribashkuar Bosnjën siç duhej.

Pyetje: Është realiste frika që disa fqinj rajonal kanë se Kosova do bashkohet me Shqipërinë?

Përgjigje: Ky është një shembull klasik i çështjeve politike, ku gjithçka varet nga mënyra si e ngre pyetjen. Nëse pyet çdo shqiptar në Shqipëri apo Kosovë, ‘Mendon se një ditë do të jetë i mirë bashkimi i të dyjave?,’ shumica do të thonë, ‘Po, një ditë do të ishte i mirë’. Dhe nëse thua, ‘Mendoni se është bërë një padrejtësi historike në vitin 1913 kur u krijua për herë të parë versioni i këtyre kufijve?’, të gjithë do të thonë, ‘Po’. Por nëse i pyet njerëzit në një referendum të vërtetë: ‘Do të donit të ishit një shtet i bashkuar, në mënyrë që politikat dhe vendimet që ndikojnë jetët tuaja të mund të dominoheshin nga politikanë të një vendi tjetër, jo prej vendit tuaj?’, ata do të thoshin, ‘Jo’. Kam pyetur shumë njerëz përgjatë viteve për mënyrën sesi do të shkonin këto referendume. Dhe shumica më kanë thënë se me pastërti nuk mendojnë se do të arrihej ndonjë shumicë nesër për secilën anë të kufirit. Ndaj, në nivel praktik se kjo nuk do të ndodhë së shpejti. Në nivel teorik mund të ndodhë, por njerëzit nuk marrin vendime tani për atë që mund të ndodhë brenda 50 vitesh.

Pyetje: Çfarë mendoni për argumentin e përdorur nga serbët boshnjakë, se nëse lejohet kjo, përse nuk lejohet edhe bashkimi i tyre me Serbinë?

Përgjigje: Përgjigjja e thjeshtë është se Kosova është një shtet i vërtetë që u krijua nga një status federal i qëndrueshëm në ish-Jugosllavinë, ndërsa Republika Srpska nuk është një shtet dhe është krijuar nga një proces i pastrimit etnik dhe vrasjeve në masë. Ky është themelimi i Republikës Srpska. Tingëllon jo i këndshëm për t’u përkufizuar, por është themeluar nga vrasjet masive. Republika Srpska ekziston në hartë sepse ushtritë pushtuan territore, larguan njerëzit me tytat e armëve dhe me thika, e vranë shumë prej tyre.

Pyetje: Çfarë mund të bëjmë kur kjo mosmarrëveshje po ndalon përparimin e Bosnjës?

Përgjigje: E kam thënë këtë, pothuajse që prej Dayton-it vetë. Mbaj mend ta kem thënë këtë në Uashington, në vitin 1997 dhe ata thanë ‘Ju jeni disi i nxituar dhe kjo nuk është e vërtetë’. Ata thanë se Dayton është një marrëveshje shumë e mirë, Amerika ka investuar shumë prestigj në të dhe do të ishte e gabuar ta ndryshonim tani dhe vazhduan ta thoshin këtë. Por ishte e qartë se po linte pezull një situatë dhe po ngrinte gjëra më të këqija që të arriheshin kushtet e realizueshmërisë së Bosnjës si një shtet. Tani, është akoma më e vështirë përballja me këtë problem. Fuqitë e Përfaqësisë së Lartë ishin të shumta atëherë. Tani, shumica e këtyre fuqive janë zhdukur… [por] qeveritë Perëndimore kanë fuqinë themelore të thonë se nuk mund ta pranojnë Republikën e Srpska-s si një shtet i pavarur. Është në lojë prestigji i tyre. Nëse e lejojnë, do të zhbënte pikat e marrëveshjes së paqes që ata kanë hartuar. Dhe jo vetëm që do ta zhbënte në të shkuarën, por do të hapte çdo precedent të mundur në të ardhmen. Nëse i lejon që territore të cilat janë themeluar nga dhuna etnike të vetëdeklarohen si shtete të pavarura, çfarë ndodhë? Çfarë ndodh nëse ndonjë minoritet etnik në Maqedoni i drejtohet dhunës? Kjo është Kutia e Pandorës dhe Perëndimi e di. Ndaj ata kanë qenë absolutisht të qartë se Republika Srpska nuk do të bëhet një shtet i pavarur.

Pyetje: Duke njohur mënyrën si vepron Europa dhe mentalitetin e saj, mund ta shohim Serbinë të hyjë në BE pa e njohur Kosovën dhe më pas ta bllokojë atë?

Përgjigje: Nëse njerëzit në BE janë shumë budallenj, po. Nuk jam ndonjë admirues i madh i BE-së. Nuk e mendoj si një projekt politik koherent, e mendoj si një politikë të jashtme shumë jo-bashkëkohore. Në fund të fundit, qeveritë kombëtare kanë ide dhe preferenca tërësisht të ndryshme. E kemi parë shumë qartë me… situatën e çuditshme përmes së cilës BE pretendon të jetë përgjegjëse për zhvillimin e Kosovës si një shtet, por dërgon një mision atje [misionin e rregullimit të ligjit, EULEX] që nuk e njeh Kosovën si një shtet. Shqetësohem për politikën europiane. Mendoj vërtetë se kanë ndjekur një politikë shumë të gabuar me Qipron. Po shohim një prej pasojave tani, me linjën e trashë të qeverisë së Qipros kundra njohjes së Kosovës. Nëse më kujtohet qartë, ata kanë thënë se edhe nëse Serbia e njeh Kosovën, Qipro nuk do ta njohë kurrë. Kjo është e çuditshme. Nuk jam optimist rreth politikës së Brukselit. Por Brukseli ka disa persona inteligjent dhe të mirinformuar…. ndaj, shpresoj se do të ndërtojë një politikë inteligjente në këtë pyetje shumë të rëndësishme.

Pyetje: Ballkani ka shumë mite, që kanë bërë që disa të besojnë se rajoni është si askund tjetër, pre e urrejtjes etnike. Në disa vende të Ballkanit ksenofobia, po rritet dhe disa qeveri vazhdojnë të krijojnë mite të reja. Çfarë mund të bëhet që këto mite të mos vazhdojnë ta mbajnë rajonin peng në të ardhmen?

Përgjigje: Miti i urrejtjes etnike të lashtë është krijuar pjesërisht prej të huajve injorantë, nga udhëtarë në fillim të shekullit të 20, të cilët besonin se ishte më e lehtë dhe më entuziaste për lexuesit e tyre nëse thoshin se kjo është një vorbull e pashpjegueshme urrejtje antike. Tingëllonte ekzotike. Në historinë e kohëve të fundit, miti është shitur si i vërtetë nga manipulimi i qëllimshëm dhe ngatërresa e opinionit Perëndimor prej njerëzve që duan ta bëjnë të besojë se luftërat u shkaktuan prej disa politikanëve të caktuar, veçanërisht prej [Slobodan] Miloseviç, dhe jo prej ndonjë politikani modern. Ishte budallallëku nga njëra anë dhe manipulimi i qëllimshëm nga ana tjetër. Në të vërtetë, këto urrejtje antike nuk shkojnë më larg se mesi i shekullit të 19. Dhe janë produkt i zakonshëm i procesit të formimit të shtetit, që zhvilloi nacionalizmin në lloje të ndryshme me mitet kombëtare dhe nxiti konflikte politike sepse këto nacionalizma po konkurronin për territor.

Si mund t’i ndalojmë apo pakësojmë? Është një çështje edukimi në kuptimin më të gjerë. Jo vetëm që shtrihet deri te tekstet shkollore, por edhe në atë që njerëzit thonë në publik, që politikanët shprehin, dhe në atë që media raporton. Nuk e kam fjalë për shpëlarjen e trurit apo për promovimin e ndonjë ideologjie të re, se Ballkani ka qenë gjithnjë parajsa e tolerancës. Jo, thjesht histori e zakontë, kuptim i zakontë.

Pyetje: Për t’u kthyer te Kosova, ka qenë e pavarur për dy vite tashmë, por ka pasur njohje vetëm prej shteteve Perëndimore. Çfarë duhet të ndodhë që të njihet edhe nga vende të tjera?

Përgjigje: Në fillim ishte e qartë se fuqitë Perëndimore do të ndihmonin dhe do të bënin punën kryesore të afrimit me vendet e tjera dhe të rekomandimit të njohjes së pavarësisë. Vendet e lehta e kanë bërë tashmë – ato që e pranojnë këshillën e Britanisë dhe Amerikës. Nuk mund të shkosh në shumë vende të Afrikës si një fuqi e vjetër kolonializuese si Britania dhe t’i thuash se çfarë të bëjnë. Dhe Amerika ka pësuar dëmtim të reputacionin në politikën e jashtme, dukshëm në botën arabe, por edhe në Amerikën Latine. Pra, mendoj se është në dorë të Kosovës… Një faktor është presioni i politikës ruse. Rusia ka qenë shumë aktive, edhe në botën islamike, në presionin e bërë ndaj vendeve që të mos e njohin Kosovën. Në Afrikë ka probleme të tjera. Mendoj se një mënyrë sesi Kosova mund të kërkojë simpatinë e shumë vendeve afrikane dhe të botës së tretë, është se në shumë aspekte Kosova ka qenë në situatën e kolonializmit shtetëror dhe shoqëror. Është diçka që mund ta afrojë me afrikanët.

Pyetje: Ju keni shkruar një histori të gjerë të Kosovës. Sa të fuqishme janë rrënjët dhe themelet e Kosovës si një territor i veçantë?

Përgjigje: Varet se çfarë nënkuptoni me shprehjen “me rrënjë si një territor i veçantë’. Nuk është e nevojshme për një territor të veçantë, që të tregojë ekzistencë të vazhdueshme si një entitet politik që nga Mesjeta në mënyrë që të ketë një status të vlefshëm të pavarësisë sot. Belgjika u bë Belgjikë në vitin 1830. Shumë shtete evropiane u bashkuan më vonë. Shiko Gjermaninë dhe Italinë. Ndaj, nuk mendoj se është e nevojshme të kërkojmë justifikime afatgjata historike për kufij të veçantë shtetëror në hartë. Çfarë ka rëndësi është popullata që jeton atje, historia e ndoshta 100 viteve të fundit. Është absolutisht e qartë se… afërsisht 50 vitet e fundit nën sundimin e Titos, Kosova ishte një njësi politike, që vepronte e pavarur, duke marrë vendimet e veta brenda strukturës federale dhe duke e prezantuar veten drejtpërdrejt në nivelin federal dhe për më tepër, duke pasur të njëjtat të drejta për t’u bërë një shtet pas shpërbërjes së Jugosllavisë si Sllovenia apo Kroacia.

Pyetje: Në lidhje me ndërtimin e një identiteti të ri, Kushtetuta e Kosovës thotë se Kosova është së pari dhe mbi të gjitha një shoqëri e multietnisë. Është ky modeli i saktë, një themel i mirë për shtetin e shekullit të 21?

Përgjigje: Principi themelor se Kosova është një shoqëri multietnike është i nevojshëm të thuhet. Duhet të thuhet për çdo shoqëri në Ballkan. Është kushti thelbësor për jetesë në çdo shtet të Europës.

Jeta Xharra

Noel Malcolm është autori i “Bosnja: Një histori e Shkurtër”, (1994) dhe i “Kosova: Një Histori e Shkurtër” (1998)

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit