Reagim nga Cenë Pushkolli
Në shkrimin e Prof. dr. Eshref Ymeri-t “Ben Blushi në gjurmët e bizantinit Phrantes” lexuesit të nderuar i bëhet me dije se Ben Blushi përveç që nuk po e dashka Shqipërinë e Ribashkuar, ai edhe fundin e saj po e parashike pas 200 vjetësh. Për këto dy çështje shumë të rëndësishme për Kombin Shqiptar do të duhej të reagonte çdo shqiptar i “i pjellës”shqiptare (lexo: çdo shqiptar që ia dëshiron të mirën kombit shqiptar)ashtu siç ka reaguar me të drejt Profesori i nderuar, veprimtari i palodhur i kauzës gjithkombëtare shqiptare, luftëtari i trazuar për Ribashkimin Kombëtar, prof. Eshref Ymeri. Mjerisht në vend se të përkrahet prof. Eshrefi në shkrimin e tij të sipërpërmendur, dikush nga Ballkan Autori(shkrues i pa emër)nis e kritikon prof. e nderuar, pse e paska kritikuar në njeri me dy “sifate” antishqiptare.
Për ta kritikuar me fakte dhe me të drejt Prof. dr. Eshref Ymeri-n duhet pasur minimum gradat shkencore siç ka prof. Eshrefi, përvojën e gjatë në grumbuj të letrave dhe mbi të gjitha edukatën kombëtare shqiptare dhe dashurinë për RIBASHKIMIN E KOMBIT në një Shqipëri Etnike. Nuk është e rastësishme ajo çka thotë Ben Blushi lidhurme Ribashkjimin Kombëtar, ai praqenka kundër Ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë; e dyta: Shqipëria, sipas Ben Blushit, do të zhduket pas 200 vjetësh.” Zaten pse është kjo kështu siç po them unë po bazohem në këtë pjesë të shkrimit të prof. Eshrefit: “Blushi nuk mund të nxjerrë përfundim tjetër se në dejet e tij rrjedh gjak serb, se gjyshi i tij ia ka thënë troç Miladin Popoviçit se cila ishte prejardhja e tij (e gjyshit të Ben Blushit): “nga një familje e Stara Serbisë të Despotatit të Elbasanit”.” Pra sipas asaj që mund të kuptohet Ben Blushi paska prejardhje jo shqiptare, prandaj, nuk është çudi se çfarë paska thënë.
Prof. Eshref Ymeri askënd nuk e merr në thumb pa pasur vërtetë arsye të madhe. E arsyet pse ka reaguar prof. Eshrefi qenkan aq të mëdha saqë një njeri siç është prof. Eshrefi me një edukatë tashmë të njohur atdhedashurie nuk mund të qëndrojë indiferent. Unë më tepër nuk po e zgjas në këtë shkrim timin në përkrahje të prof. Eshrefit,por prof. Eshrefit po i them: të lumtë prof. Eshref ta dhëntë Zoti shëndetin, mendjen e mpreftë që ta pritësh RIBASHKIMIN KOMBËTAR
Cenë Pushkolli, gazetar Prishtinë, Kosova Historike
P.S.
Për të parë lexuesi se pse kam reaguar në vijim -vazhdim janë dy shkrimet-reagimet e prof. Eshref Ymeri-it, lidhur me paraqitjet e Ben Blushi-it.
……………………………………………………………………………………………………………….
Prof.dr. Eshref Ymeri
Pas fjalëve të mjerimit të Balkan Autor-it
Pas botimit në internet të shkrimit tim me titull “Ben Blushi në gjurmët e bizantinit Phrantes”, vjen menjëherë reagimi i Balkan Autor-it, i cili, në rubrikën “Komente” të organit “Fjala e Lirë”, më sulmon si më poshtë. Tekstin e sulmit të tij po e riprodhoj me pikë e me presje:
I “nderuar” Prof.dr. Eshref Ymeri, si mund te shkruash per nje autor dhe letersine e tij pa e lexuar? Si mund te mbeshtetesh mbi pandehme e fakte te paqena me ato grada qe ke krah emrit? Ku ka ne kete bote analiza dhe analiste shterues? Pse duhet paargjykuar Ben Blushi si shkrimtar? Apo se u shpall nga juria e vleresimt si shkrimtar evropian? Po kot flasim se ju kedo qe te qe shpalluar njesoj do te paragjykonit”.
Së pari, Balkan Autor-i, duke qenë i fushës së letrave, duhet të kulturohet nga ana gjuhësore. Shqipja jonë e bekuar ka 36 shkronja, jo 35, siç i pëlqen Balkan Autor-it. Me sa duket, shkronjën ë ky Balkan Autor-i e paska flakur nga alfabeti i shqipes.
Së dyti, si i fushës së letrave që është, Balkan Autor-it nuk i ka hije, për të mos thënë që është e turpshme, t’i shkruaj fjalët me gabime drejtshkrimore trashanike, siç është rasti i fjalës paargjykuar, që duhet shkruar paragjykuar, dhe i fjalës shpalluar që duhet shkruar shpallur. Me sa duket, nga zelli i tepruar për të më sulmuar mua sa më shpejt që të ishte e mundur, Balkan Autor-i, duke mos pasur respekt për publikun, nuk e ka quajtur të nevojshme ta lexonte tekstin para se ta niste për në faqen e internetit.
Së treti, Balkan Autor-i harron që i-ja është nyje e përparme e mbiemrit “i nderuar”, që është, pra, mbiemër i nyjshëm dhe kur i drejtohesh dikujt me dëshirën për ta fyer apo për ta ironizuar, ai duhet futur në thonjëza i tërë. Prandaj Balkan Autor-i, duke m’u drejtuar mua me ironi apo për të më fyer, ka vepruar gabim që i-në e ka lënë jashtë thonjëzave. Kjo dëshmon përsëri se Balkan Autor-i e ka të gjymtë kulturën gjuhësore.
Së katërti, zoti Kastriot Myftaraj analizën e librit të Ben Blushit “Hëna e Shqipërisë” e ka bërë në mënyrë shteruese. Ai ka folur me gjuhën e fakteve, me citime konkrete nga faqet e librit dhe Ben Blushin e ka mbërthyer me shpatulla pas murit. Por deri tani, në faqet e internetit, unë s’kam parë të botuar ndonjë reagim të Ben Blushit kundër zotit Kastriot Myftaraj. Po ashtu, edhe Balkan Autor-i,deri tani, në faqet e internetit s’është bërë i gjallë për të dalë në mbrojtje të Ben Blushit dhe për t’iu kundërvënë zotit Kastriot Myftaraj.
Së pesti, nga analiza mjaft autoritare e zotit Kastriot Myftaraj, dilnin në spikamë dy çështje të mprehta: e para: Ben Blushi është kundër ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë; e dyta: Shqipëria, sipas Ben Blushit, do të zhduket pas 200 vjetësh. Përfundimi i parë i Blushit i vjen shumë në osh Evropës, e cila, në bashkëpunim të ngushtë me shovinizmin rusomadh, për interesat e grekosllavizmit, na copëtoi trojet tona etnike. Me këtë përfundim që nxjerr Blushi, mbron interesat e shovinizmit serbomadh dhe të kishës shoviniste serbe, e cila, me gojën e fashistit me veladon me emrin Irinej, ka deklaruar botërisht se Serbia do të kthehet në Kosovë, qoftë edhe pas 2 mijë vjetësh. Blushi nuk mund të nxjerrë përfundim tjetër se në dejet e tij rrjedh gjak serb, se gjyshi i tij ia ka thënë troç Miladin Popoviçit se cila ishte prejardhja e tij (e gjyshit të Ben Blushit): “nga një familje e Stara Serbisë të Despotatit të Elbasanit”.
Çuditërisht, Balkan Autor-i, në sulmin që ndërmerr kundër meje, e anashkalon këtë përfundim të Ben Blushit që zoti Kastriot Myftaraj e ka analizuar hollësisht dhe që unë u ndala posaçërisht në artikullin tim. Me sa duket, Balkan Autor-i i bën fresk me servilizëm Ben Blushit dhe e radhit veten në përkrahje të të gjithë antishqiptarëve që janë kundër ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Pra, duke zënë një pozicion antikombëtar, Balkan Autor-i çon ujë në mullirin e boshtit shovinist Beograd-Moskë-Athinë që është kundër ribashkimit të trojeve etnike shqiptare.
Gjate verës dhe vjeshtës së vitit 1999 kam qenë katër herë me shërbim në Kosovë, si përkthyes. Tri herë kam shoqëruar grupe gazetarësh ukrainas dhe një herë një grup gazetarësh rusë. Nga takimet e shumta që ata patën me qytetarë të thjeshtë të Kosovës, që nga fshati Çabër i Mitrovicës e deri në fshatin Grejkoc të Prizrenit, nga Kaçaniku e deri në Pejë, rezultoi një tjetër mendim, i përkundërt tani me atë të Ben Blushit. Pyetjes së gazetarëve se si e shikonin ata, si qytetarë të thjeshtë, perspektivën e Kosovës, të gjithë i përgjigjeshin njëlloj: të pavarur dhe të ribashkuar me Shqipërinë. Është tjetër punë nëse Ben Blushi, në kafenetë e Prishtinës, është takuar me njerëz të kallëpit të Nexhmedin Spahiut, të Migjen Kelmendit etj. të cilët kanë bukën e Kosovës, por bëjnë duanë e Serbisë.
Balkan Autor-i anashkalon qëllimisht edhe përfundimin e dytë të Ben Blushit, sipas të cilit Shqipëria do të zhduket pas 200 vjetësh. Rrjedhimisht del vetvetiu edhe përfundimi i nënkuptueshëm se do të zhduket edhe gjuha shqipe. Ben Blushi dhe servili i pështirë i tij Balkan Autor-i kot rreken t’u mbushin mendjen njerëzve se një gjë e tillë ka për të ndodhur me të vërtetë. Mbi etninë shqiptare, që prej antikitetit dhe deri në fundin e shek. XX janë dyndur dallgët e 27 pushtimeve barbare, por ajo ka arritur të mbijetojë. Sepse forca e mbijetesës së saj është e jashtëzakonshme. Etnia shqiptare nuk mund të zhduket kurrën e kurrës se është e pazhdukshme gjuha shqipe që është gjuhë hyjnore, gjuha e ilirëve, të cilët, siç thotë natyralisti i famshëm romak Plini Plaku (23-79), kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e morën prej tyre.
Etnia shqiptare nuk do të zhduket kurrë dhe nuk dëshiron as zhdukjen e etnive fqinje, por me kusht që çdo etni të jetojë në trojet e veta etnike, në kuadrin e një shteti mbarëkombëtar.
Në fund dëshiroj të theksoj se zeja e mercenarit është mjaft fitimprurëse, se mercenar mund të bëhesh kollaj. Kurse zeja e atdhetarit, e njeriut me dinjitet të lartë kombëtar, është shumë e vështirë për t’u ushtruar. Është në dorën e gjithsecilit të vendosë se cilën zeje duhet të zgjedhë. Kjo varet nga edukata që ka marrë gjithsekush në familjen e vet, e cila është kudhra e parë e formimit të personalitetit të njeriut. Një aforizëm i kohëve të kahershme thotë:
“Mercenarët nuk vdesin, ata zbresin në skëterrë për t’u rigrupuar”.
……………………………………………………………………………………………………………………
Prof.dr. Eshref Ymeri
Ben Blushi në gjurmët e bizantinit Phrantes
Nuk kam pasur rastin ta lexoj librin e Ben Blushit me titull “Hëna e Shqipërisë”, por para do kohësh lexova në faqen e Facebook-ut (20 prill 2014) të zotit Kastriot Muftaraj analizën shteruese me titull “Mbi librin e Ben Blushit “Hëna e Shqipërisë””. Në atë analizë, zoti Kastriot Myftaraj e kishte skanerizuar mrekullisht librin e Ben Blushit. Nga ajo analizë, në këndvështrimin tim, dalin në spikamë dy gjëra interesante.
Së pari, Ben Blushi është kundër ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Në këtë aspekt, ai i bashkohet korit të argatëve të kollarisur të Serbisë në Kosovë, të përfaqësuar nga Nexhmedin Spahiu, Migjen Kelmendi, Imer Mushkolaj, Halil Matoshi e ndonjë tjetër, të cilët janë munduar e po mundohen të shpikin një komb kosovar dhe një gjuhë kosovarishte.
Shovinizmi rusomadh, për interesat e shovinizmit serbomadh, nuk dëshiron në asnjë mënyrë që në jugun e Serbisë të krijohet një shtet i fuqishëm shqiptar. Prandaj ka shpikur “kombin kosovar”, pronar të shtetit kosovar, siç i pëlqen të shprehet Nexhmedin Spahiu. Shovinizmit rusoserbomadh i intereson, makar edhe të ekzistojë një shtet i pavarur kosovar, me qëllim që të tallet me të, ashtu siç ka vazhduar të tallet deri tani, në mënyrë që të vijë duke e shkërmoqur ca nga ca përmes argatëve të tij të kollarisur që ka në Kosovë. Prandaj ka shumë të drejtë një analist atdhetar kosovar që thotë se prapa kodrës sebe dhe prapa malit grek qëndron Rusia.
Shteti karagjoz grek, nga ana e vet, po ashtu, nuk e dëshiron në asnjë mënyrë krijimin e një shteti të fuqishëm shqiptar në veriun e vet. Që prej vitit 1913 dhe deri në ditët e sotme, Greqia, kjo kryekështjellë e gënjeshtrës, e hipokrizisë dhe e mashtrimit, s’ka lënë kusur pa bërë që të marrë Epirin e Veriut, duke harruar qëllimisht faktin që trojet etnike shqiptare shtrihen deri në Artë e Prevezë. Arsyen e vërtetë se pse këtij shteti karagjoz i shkon lodra e fëmijës kur e mendon se sipër kufijve të tij veriorë mund të krijohet një shtet i fuqishëm shqiptar, brenda trojeve të veta etnike, na e zbulon gazetarja holandeze Ingeborg Beugel në një intervistë që ka dhënë për Sarajevo-x.com. Ajo ka deklaruar:
“… kam dëgjuar gjatë gjithë kohës argumentet greke mbi rrezikun e një “aksi mysliman” rreth Greqisë, ku, me marifet, Kosova do të bashkohej me Shqipërinë dhe do të bënin një Shqipëri të Madhe, që do ta bënte Greqinë një “sanduiç” me armikun e saj të vjetër, Turqinë. Natyrisht që ishte edhe argumenti i solidaritetit ortodoks dhe urrejtja e vjetër ndaj myslimanëve, aleatëve të Turqisë. Por unë nuk e kam besuar kurrë këtë gjë” (Citohet sipas faqes së internetit: “Greqia, kjo bishë e Ballkanit”. 05 prill 2010. Përgatiti Albert Hitoaliaj. Marrë nga Sarajevo-x.com).
Pra, ja ku fle lepuri: Serbia dhe Greqia, me përkrahjen e Rusisë “prapa kodrës serbe” dhe “prapa malit grek”, nuk dëshirojnë në asnjë mënyrë që të krijohet një shtet i ribashkuar kombëtar shqiptar, brenda trojeve të tij etnike. Prandaj treshja ortodokse ka shpikur një detyrë shumë të vështirë për t’u zgjidhur, siç është sajimi i “kombit kosovar” që nesër-pasnesër mund të shoqërohet edhe me sajimin e “kombit iliridas”, pas një shpërbërjeje të mundshme të Maqedonisë. Dhe këtë detyrë kaq të vështirë, kjo treshe ortodokse ua ka lënë në derë për ta zgjidhur argatëve të lartpërmendur, të cilëve, në vetminë e tyre dëshpëruese, u bashkohet Ben Blushi për t’u dhënë kurajë në misionin e tyre antikombëtar kundër ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
Së dyti, Ben Blushi për Shqipërinë paska bërë një parashikim katastrofik (apokaliptik), sipas të cilit pas dy shekujsh dhe pikërisht në vitin 2214, Shqipëria dashka të zhduket nga faqja e dheut. Me këtë rast, zoti Kastriot Myftaraj, në analizën e vet, shkruan:
“Shqipëria do të zhduket nga mungesa e lindjeve, e kombinuar me largimin e shqiptarëve nga Shqipëria. Blushi qartësisht nuk e duron dot ekzistencën e Shqipërisë. E vetmja brengë për Blushin është se ai nuk do të jetojë që ta shikojë zhdukjen e Shqipërisë”.
Parashikime të tilla apokaliptike për Shqipërinë sigurisht që mund t’i bëjë një njeri që s’është shqiptar. Prandaj ka të drejtë zoti Kastriot Myftaraj kur thotë se “Blushi në fakt nuk e konsideron veten shqiptar”. Ky pozicionim prej jo shqiptari i Ben Blushit më solli menjëherë në kujtesë letrën e Mitrush Kutelit, drejtuar Mustafa Greblleshit më 28 gusht të vitit 1961. Në atë letër, Kuteli, ndër të tjera, shkruan:
“…
Një ditë në Belgrad Shutja (Dh. Shuteriqi – sqarimi ynë) më pat pyetur: Mitrush, ç’do të bënje ti po të kishe gjetur një vepër të pabotuar të një shkrimtari të vdekur? – Ia ktheva: – Do t’i bënja një parathënie dhe do ta botonja. Ay: – Me emrin e kujt? – Të atij që e ka shkruar. Do të kënaqesha t’i jepnja lexonjësit një vepër që mund të zhdukej. – Jo, më tha, vepra e gjetur është imja se unë e gjeta. Pra unë, gjetësi jam ‘autori’ i saj. – Ti s’je autor se nuk e brumose në mëndje e shpirt, nuk vuajte ti në të lindurat, nuk…nuk…- Ay më shikoi tinzar dhe e ktheu fjalën: – Po kur boton një këngë popullore? – Kur botonj një këngë popullore, them se ku e kam mbledhur, kush ma ka treguar. Roli im është ta mbledh, ta botoj, t’i tregoj burimin. -Ay përsëri: – Po ay që ta dha këtë këngë s’është autor i saj, pra…- Unë s’them se filani e ka qitur këtë këngë, them vetëm se ay ma ka treguar…- Shutja e ktheu prapë, të prerë: – Jo, s’jam dakord ! Vepra që kam gjetur është imja…- I thashë : – Kësaj i thonë vjedhje !..- Ay u ngrys…
Këtu u mbyll muhabeti ynë në rrugët e Belgradit në dhjetor 1945. Atëhere Shutja ishte mjaft modest, por brenda tij gurgullonte kazani i madh i shejtanit. Lëvdonte shkrimet e mia, ngrinte në qiell Lame Kodrën. Pastaj nisi të ngrihet gjersa u bë burrë me llullë, me berè e me automobil; më shau e përshau, pështyu, lëpiu, hoqi “i” -në në fund të mbiemërit që të vërtetonte tezën e tij, siç i tha Popoviçit vetë në tryezë: “Emri ynë vjen nga fjala serbe ‘Shute’ që do të thotë ‘shaka’. Rjedhim nga një familje e Stara Serbisë të Despotatit të Elbasanit. Pra, si të thuash, ‘unë’ jam ‘ti’. Ndihmomë të ngrihem lart! Jepmë, të kam vëlla”!
…
Më falni që u zgjata kaq shumë me këtë “Dhimitriadë Shuteriqore”, po këto të gjitha m’i zgjoi karasyfeti i tij arogant që endej rrugëve të Pogradecit…Një grek i moçëm me emrin Phrantjes, historian, paska thënë: “Shqiptarët janë populli më i lig e më i kotë (‘le plus inutile’) në botë” . Përfundimi? Duhet të çduket…Kështu thotë bizantini Phrantes. Domosdo, Phrantes është armik, është ujk dhe ka folur, shkruar e vepruar ndofta si ujk. Por ujku njihet dhe njeriu di se si të mbrohet kundër tij: me sëpatë, me kopaçe. Por si të mbrohet kundër ujkut të veshur me lëkurë dele!? Si të mbrohet kundër atij që i flet si ëngjëll e vepron si shejtan? Të gjitha këto i lexoj, i bluaj me mëndje natën, s’më zë gjumi dhe më vjen të çmëndem… (Citohet sipas: “Letër e Mitrush Kutelit, dërguar Mustafa Greblleshit”. Gazeta “E djathta”. Nr. 53. 03 nëntor 1995).
Dhe Miladin Popoviçi e ndihmoi vëllain e vet. I vuri detyrë argatit të vet Enver Hoxha që Dhimitër Shuteriqin ta ngrinte në detyra të larta shtetërore, deri në Kryetar të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve. Me sa duket, Blushin nuk e lë të qetë thirrja e gjakut. Gjyshi i tij me prejardhje serbe, i thërret që nga bota e përtejme që të ngrihet në mbrojtje të kauzës serbe kundër ribashkimit të trojeve etnike shqiptare. Por, për arsye të miqësisë ortodokse serbogreke, në gjakun e Blushit, me sa duket, lëvrijnë edhe qeliza greke, të cilat, me parashikimin që bën për zhdukjen e Shqipërisë pas dy shekujsh, e binjakëzojnë me historianin shovinist grek të kohës së bizantit, Phrantes.
Por duhet t’i japim hakun Blushit: megjithëse që të dy, edhe Blushi, edhe Phrantes, janë për zhdukjen e Shqipërisë, Blushi parashikon zhdukjen e vetvetishme, zhdukjen paqësore të Shqipërisë, ndërkohë që Phrantes, si grek që është, si armik i betuar i etnisë shqiptare, bën thirrje pë zhdukjen e dhunshme të saj.
Kot brengoset Blushi kur mendon se nuk do të jetojë që ta shikojë zhdukjen e Shqipërisë. Si deputet që është, ai, me paratë e shtetit, mund të niset për një vizitë në Kinë dhe atje, me ndihmën e autoriteteve vendase, të shkojë për piknik në zona të thella dhe të ngjitet deri në Tibet, ku rritet bari (eliksiri) i rinisë dhe i jetëgjatësisë. Atje ai, po me paratë e shtetit, mund të sigurojë dozën e nevojshme që do t’i sigurojë një jetë bukur të gjatë që do ta kapërcejë edhe vitin 2214, kur ai do të soditë i qetë “zhdukjen” e Shqipërisë.