Nga Beqir Elshani
Si e humba bastin në garë me një mik, nëse Ramiz Kelmendi, Adem Demaçi dhe Rexhep Hoxha janë, apo nuk janë anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Unë me këmbëngulje thashë se nuk ka asnjë dyshim që Ramiz Kelmendi, Adem Demaçi dhe Rexhep Hoxha janë anëtarë të AShAK, kurse miku im tha që nuk janë.
Prandaj, për ta vërtetuar zgjidhjen se cili prej nesh kishim të drejtë, shkuam në bibliotekë dhe aty shfletuam librin e Rexhep Qosjes “Shqipëria dhe Kosova”, sakaq në faqe 234 me titullin “Akademi që s’duron talent”, shkruan se Adem Demaçi, Ramiz Kelmendi dhe Rexhep Hoxha nuk janë anëtarë në AShAK. Padyshim që unë e humba bastin. Mospranimi i tre kandidatëve aktivë të letërsisë e të shkencës të kujton kohën e shkrimtarëve të realizmit rus – Maksim Gorki, i cili (më 1902 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave), mirëpo me ndërhyrjen e Carit Nikolla II zgjedhja u anulua. Kundra këtij akti kishin protestuar shkrimtarët Anton Çehov dhe Korelenko, të cilët në shenjë proteste hoqën dorë nga anëtarësia e nderit e Akademisë. Për fat të mjerë kjo e fundit nuk ngjau në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kur burokracia në institucionin e lartë shkencor të vendit pengon anëtarësimin e tre akademikëve të frytshëm shqiptarë.
Është për t’u habitur se si intelektuali kombëtar, Ramiz Kelmendi, nuk është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, që ka përvojë shumë të madhe shkencore e pedagogjike si mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës, dhe atë në institucione të ndryshme kombëtare: në Shtëpinë botuese “Rilindja”, në Albanistikën e ShLP-së, në Artin Dramatik të Akademisë së Arteve, ka qenë drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë, themelues i Fakultetit të Gazetarisë, pastaj ka punuar publicist, redaktor e gazetar në revistat letrare, si shkrimtar dhe si kritikë letrar, por edhe si shqiptar, sepse për nga puna dhe aktiviteti letrar, gjithashtu edhe veprimtaria kombëtare është më shqiptar, ose më i madh se Rexhep Ismaili, se Nexhat Daci dhe Hivzi Islami me kompaninë e tyre, të cilët janë nxënës para Rexhep Hoxhës, studentë para Ramiz Kelmendit, por pasivë para Adem Demaçit. Ngjarja të kujton revistën ”Alternativa” të Lubjanës, kur në vitet '80-ta, në kohën kur po niste shkatërrimi i Jugosllavisë, në rubrikën ”Sulltani dhe kabineti” shkruante për hiqakademikët si Hasan Kaleshi, Sureja Popovci e Hajredin Hoxha, që vepronin në shërbim të Serbisë kolonizatore për heqjen e autonomisë së Kosovës në Federatën Jugosllave.
Megjithatë, unë mendoj se “fajtor” është Ramiz Kelmendi, sepse nuk ka dorëzuar ndonjë kërkesë për pranim në AShA të Kosovës. Gjithashtu AShAK ka pasur frikë edhe prej Rexhep Hoxhës, i cili ç’prej se e ka kundërshtuar shpërblimin me emrin e poetit titist “Fahredin Gunga”, tani “akademistët” kanë frikë se Rexhep Hoxha, përndryshe poet i poetëve shqiptarë, dhe atë prej djepit deri në universitet. Ju lutem, më gjeni ndonjë shqiptar që nuk ka lexuar dhe që nuk është rritur me poezi, tregime, romane, apo kritika të tre krijuesve kombëtarë: Rexhep Hoxhës, Ramiz Kelmendit dhe Adem Demaçit, pa përmendur aktivitetin revolucionar të Demaçit, që me romanin e tij “Gjarpijt e gjakut” e tronditi Jugosllavinë Fashiste? Ndryshe me Azem Shkrelin, Fahredin Gungën me kompaninë e tyre titiste, që janë betuar për vazhdimin e rrugës së Tito shovinistit, përkundrazi Rexhep Hoxha, Ramiz Kelmendi dhe Adem Demaçi mbarë rininë shqiptare e këshilluan të mësojnë dhe të luftojnë për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serbosllav dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare me shtetin amë - Shqipërinë. Këta tre trima shqiptarë kurrë nuk i thanë rinisë shqiptare shkoni pas titistëve, por shkoni pas gjurmëve të luftës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në mënyrë që me armë e dituri të vazhdojmë rrugën e tyre për emancipimin e popullit shqiptar dhe bashkimin e vendit tonë.