... ashtu, si për të treguar respekt.
e vrasim duke gostitur me helm qytetërimin,
derisa te gjithë të kenë vdekur, kësaj lufte transparente
ku koha zbret brënda kohës një forme të re,
plot hije të përjetshme që rendin e rendin,
… malluar vec kohës së djeshme!
Nga Silvana Berki
Eshtë për të ardhur keq gjëndja e krijuar në qeverinë shqiptare, mbas një riorganizimi të furishëm për të riformuar jo vetëm strukturën shtetërore por edhe vizionin optimistik shumëdimensional të së ardhmes, gjë që na ka lënë pa fjal të gjithëve.
Gjithë ajo energji që vlon dhe rrjedh në shtetin dhe popullin shqiptar, nëse do të kalonte jo në media por në punën e gjithsejcilit do të transmetonte diell e jo rërë.
Dhe c`do gjë do të ishte krejt tjetër në një kohë të shkurtër.
Ndaj bëj pyetjen: përse grinden shqiptarët?
Mos vallë është thjesht një shkak për t`iu shmangur punës?
Kjo ishte thjesht një hipotezë nga ana ime sepse unë e di mirë s`a rropaten bashkatdhetarët e mi kudo ndodhen dhe sidomos në emigraion. Kontributi i tyre është i pamatshëm.
Por gjithashtu edhe pozitiviteti i tyre për jetën, gjë që tregon se ky pozitivitet lind prej vlerësimit të punës që ata bëjnë në shoqëritë e huaja.
Pagat e tyre edhe pse mund të mos vlerësohen në mos maksimalisht të paktën aq sa të mos vuajnë për bukën e gojës apo të pushojnë një herë në dy vjet diku me familjene tyre për kënaqësi.
Në Shqipëri, flitet se mungojnë vëndet e punës dhe kjo është pika bazë për rilindjen e emigracionit të kohëve të fundit.
Po i afrohem pak më tepër problemit; ikja në emigracion së pari kërkon një buxhet, gjë që të bën të mendosh, cili grup shoqëror ikën nga Shqipëria?
Nuk ma merr mëndja që një individ i varfër që mezi nxjerr bukën e gojës të ketë një buxhet të tillë sa të ndërrmarri një veprim aventurioz dhe të shtegëtojë drejt të panjohurës me duar në xhepa.
Nuk do të zgjatem në pikën e grupeve të ikjes por po vazhdoj me punësimin si arsyeja kryesore e ikjes së tyre, edhe pse mund të sillja argumente për fenomenet e lindura apo të egzistuara më parë.
A ka punë vërtet Shqipëria?
Sa të papunë arrijnë të punësojnë në ditë, javë apo muaj administratat e punësimit në Shqipëri?
Sipas disa bisedave të krijuara me disa punonjëse sociali të zyrave të punës, ofertat e dhëna për punësim refuzohen nga vet klientët e tyre për arsye të ndryshme.
Klienti i refuzon këto punë si të papërshtatshme për shkaqe shëndeti, kur në fakt nuk paraqet asnjë dokument mjekësor per pa-aftësinë fizike.
I njëjti klient me kioskin e vet privat ( të paligjshëm) një vit më parë, ku punonte nga mëngjesi në mbrëmje me po këtë kondicion fizik të cilin tani e refuzon për punët e afruara nga zyra e punës.
Ke të tjerë që nuk punojnë për shkak egoje, sepse pretendojnë të punësohen vetëm në vënde ku nuk kanë as edukimin përkatës dhe as eksperiencë në profesion.
Ke të tjerë, që kanë bërë para gjatë kohës së tranzicionit dhe kur ky segment i të ardhurave figuron në statistikat e tyre në rënie e shohin atë katastrofale dhe jo normale, që do të thotë se nuk mund të marri më shërbëtore dhe i duhet vet t`i nënshtrohet punës.
Ka aq shumë lloj formash absurde refuzime ndaj punës sa të vjen keq vërtet dhe nuk mund të rrish pafolur.
E hodha cështjen e punësimit sepse baza e ideologjisë së të djathtës, është vetëdija individuale për të prodhuar të ardhura që sigurojnë jetën personale nga vet individi.
Êshtë detyrë e c`do njërit nga ne ta kthejë jetën e vet në atë formë që ai ëndërron, dhe kjo vetëm me punën e t`ij.
Me sa po shoh unë nga mundi që qeveritarët shqiptarë kanë ndërrmarrë deri tani, në kërkim të shtegut të tyre për t`iu përshtatur kulturës shqiptare dhe reformat e fundit që kam ndjekur janë përpjektje për të futur elementë të së majtës, pra ndërtimi i një shteti social ku është shteti ai që mbështet shtetasit e tij me shërbimet publike dhe ndihmat e pensioneve apo të papunëve të përkohshëm, dhe jo privati.
Gjithmonë kemi të bëjmë me pushtetin e këtyre dy ideologjive që edhe janë të ndryshme në dukje po aq janë edhe të pandara nga njër-tjetra.
Padyshim që element të së djathtës janë të nevojshëm sepse shërbimet publike shtetërore nuk mund të prodhojnë gjithcka dhe xhirua ekonomike do të ishte e kufizuar nëse shërbimet private nuk do të egzistonin.
Egzistenca e shërbimeve private ka një element shumë të rëndësishëm, rrit konkurencën, dhe detyrimisht cilësinë e produktit apo shërbimit që afron.
Pra të dyja rrymat në përbërje të kësaj strukture që po krijohet dhe që unë e shoh si një zgjidhje të mirë dhe të përshtatshme për kulturën shqiptare janë baza e asaj që po ndodh dhe këtu nuk arrij të kuptoj këtë kaos politk të krijuar apo deformuar.
Tani përse zihen shqiptarët, në vënd që t`i përvishen punës dhe të presin rezultatet e punës së tyre?
Nuk duhet harruar se asnjë strukturë shtetërore kudo në botë nuk ka qënë ndonjëherë 100% e saktë në parashikimin e saj dhe as që do të jetë ndonjëherë. Të gjitha eksperimentojnë dhe të gjitha gjatës rrugës së tyre hasin vështirësi të tilla që janë të detyruara të kërkojnë shtigje të reja, duke krijuar kështu edhe sisteme të reja.
Si ka thënë Naimi?
punë, punë, natë e ditë
që të shohim pakëz dritë!
...dhe këto vargje duhen kuptuar ashtu sic vërtet Naimi i kohës kapitaliste ka dashur të thotë, ku puna dhe jo dembelllku, është baza e lumturisë.
Me respekt,
Silvana Berki
E-mail :vana-68@hotmail.com
-----------------------------------------------
Silvana Berki : Çdo gjë që më prek shpirtin, dhimbjen e dashurinë, unë e shkruajnë prozë e poezi
Bisedoi: Raimonda MOISIU
Silvana Begotaraj-Berki, është nga shkrimtaret që jeton e punon në mërgim, qysh prej vitit 1990, në Skandinavi, shtetin e Finlandës. Silvana ka kontribuar në shoqërinë finlandeze fillimisht si përkthyese e gjuhëve shqip-finlandisht-anglisht. Ajo ka qenë nismëtarja e parë e formimit të shoqatës shqiptare në qytetin ku banon të Tamperes ku u zgjodh edhe kryetare në vitin 1999 si dhe kontribuese e aktiviteteve kulturore dhe multikulturore në shërbim kundër asimilimit të pakicave shqiptare në vend. Mbas studimeve të larta ka zotëruar edhe profesionin e punës sociale ku falë aftësive të saj, sot ka përfituar një punë të përhershme në departamentin administrativ të zyrave sociale të qytetit. Prej vitit 2011-ë, ajo ka filluar karrierën e krijimtarisë letrare. Deri tani ka botuar tre vëllime poetike, një novele dhe një libër me përmbledhje aforistike. Ka marrë pjesë në katër antologji. Silvana është anëtare e bordit drejtues të lidhjes Ndërkombëtare të Shkrimtarëve GALAKTIKA POETIKE-ATUNIS, anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare DRITA, në Greqi, anëtare e klubit të shkrimtarëve PETRO MARKO, Vlorë, dhe në 2014 është pranuar anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve profesionist “Pirkkalais ammattikirjailiat Ry”, Tampere, Finlandë. Organizatore e tre eventeve poetike ndërkombëtare “Thousand poets for Change”, në qytetin e Tamperes vitet; 2011, 2012 dhe 2013 në mbështetje nga klubi i shkrimtarëve të qytetit të Tamperes ”Tulenkantajat” që në shqip do të thotë: ”Mbartësit e zjarrit”. Është dekoruar me çmimin Pegasi-Albania për krijimtarinë më ideatore të vitit 2011. Dekoruar me çmimin Azem Shkreli në Koblenz të Gjermanisë për 2012 për vëllimin poetik PRELUDE.
Është dekoruar në punën e saj konsult të punonjëses sociale – me çmimin e nderit ”HALL OF FAME”, për punë efikase nga departamenti ku punon për vitin 2013. Është dekoruar me çmimin “MIRËNJOHJE E QYTETIT TË VLORËS” – 2014.
LIBRAT TË BOTUAR:
LUTEM PER TY – POEZI – 2011, BOTIMET – ADA
PRELUDE – POEZI – 2012, BOTIMET – TOENA
ME JEP VETËM PESËMBËDHJET DITË – TREGIME – 2013 – BOTIMET – TOENA
KUR QIEJTË TESHTIJNË – POEZI – 2014 – SANASATO OY-FINLAND
FRYMËMARRJA E MËNÇUR-AFORIZMA – 2014-ADA
ANTOLOGJITË:
KORSE E HAPUR 2 – 2012
NJË SHEKULL DRITË – 2012
POEMS FOR THE HAZARA – 2013
THE SECOND GENESIS-2014
Kam lexuar mbresa dhe mendime, komente të shumta për krijimtarinë tuaj të larmishme e mbresëlënëse rreth librave tuaj të botuar tashmë; Lutem për Ty, Prelud, Më jep vetëm pesëmbëdhjeta ditë, Frymëmarrja e mençur dhe së fundit në gjuhën finlandeze dhe angleze libri i botuar – Kur qielli teshtin. Përpos urimeve, dëshiroj të di, sesi jeni ndjerë rreth këtyre vlerësimeve?
Qëllimi im në ç’do libër ka qenë humanist, të depërtojë sa më lehtë dhe qartë në mendjen e lexuesve ku shpreh mendimet dhe vizionin tim rreth botës. Ndoshta si një vizion dhe koncept ndryshe ka sjellë edhe diçka të re dhe shpresoj kjo ta ketë bërë atë më tërheqëse. Artikujt dhe vlerësimet e shkruara nga kritikë të ndryshëm letrar, si për poezinë dhe prozën më kanë dhënë më tepër dëshirë të vazhdoj të shkruaj dhe ta perfeksionoj atë.
Keni botuar poezi e prozë. Si u gjendet prozatore e poete? Emocionet e para në krijimtarinë tuaj letrare?
Mendoj që talenti ekziston brenda nesh dhe vjen një ditë që ai gjen hapësirë të shpërthejë. Nxitjet mund të jenë të jashtme ose të brendshme. Personalisht unë kam shkruar që e vogël. Tani që jemi ri-takuar me shumë shoqe të fëmijërisë mbas 20 vitesh ato po m`i kujtojnë tregimet e librave që ju tregoja si një film atje ulur tek shkallët e pallatit, apo recitimet e poezive të mia përpara të gjithë shkollës. – Nuk jam habitur që fillove të shkruash-më tha njëra nga shoqet. Megjithatë, eksperienca që pata në botimin e librit të parë ishte e jashtëzakonshme. Unë jetoj larg, në Finlandë dhe duhej një javë ose më shumë të vinte posta për të më sjellë librin. Nga padurimi për ta pare më kujtohet kthehesha pothuaj c`do ditë mbas pune drejt e në postë dhe një pasdite punonjësja e postës sa më pa të hyja brënda qeshi duke më thënë – të erdhi më në fund dhurata. Buzëqeshi dhe më uroi kur pa se me sa padurim e hapa postën dhe pash librin tim të parë. Libri i parë është si një fëmijë i sapolindur dhe unë e lëmoja në dorë sikur flokët e një foshnje.
Cilat kanë qenë përfytyrimet më të hershme se një ditë do të bëheshit shkrimtare? Kush ka qenë dashuria juaj e parë, për ç’ka theksova më lart?
Jo, unë nuk kam pasur ëndërr të bëhesha shkrimtare, por piktore. Që e vogël përveçse shkruaja poezi dhe tregime gjithmonë kam pikturuar dhe babai im ka qënë ai që e vuri re i pari këtë dhunti. Ai më pati blerë penela dhe bojra për të më nxitur të pikturoja. Ishte po babai im, i cili dalloi i pari edhe pasionin tim rreth letërsisë. Unë lexoja shumë libra kur isha e vogël, edhe romane që nuk ishin për moshën time. Mbaj mënd kjo e bëri babain pak merak, sepse kaloja shumë kohë në vetmi dhe vetëm duke lexuar, ndaj edhe ma ndaloi rreptësisht ta kaloja kohën me libra jashtëshkollor. Më vonë më regjistroi në shtëpi të pionierit, në rrethin letrar. Pikturën e vazhdova edhe kur erdha në Finlandë. Njëkohësisht vazhdoja shkruaja ndonjë poezi dhe mbaja ditarin tim personal rregullisht.
Kush ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në krijimtarinë tuaj, – prindërit, artet, letërsia apo njerëzit e thjeshtë, qoftë edhe një person i vetëm që ka luajtur një rol të veçantë në frymëzimin tuaj?
Mendoj që karakteri i çdo njërit formohet në familje me të gjitha cilësitë. Pastaj në jetë ke nxitje të reja nga çdo gjë që të rrethon, partneri, shoqëria, por këto nxitje vijnë kur të gjithë e dallojnë aftësinë që ke brenda teje. Një faktor që duhet folur dhe treguar si ndikues në krijimtarinë time është emigracioni. Shumë nga ne që kemi ikur kemi përjetuar gjendje emocionesh nga më të ndryshmet, gjë që na ka lidhur ne emigrantët me njëri – tjetrin. Dhimbja e të qenit larg vendit ku u rrite, larg shqipfolësve, vështirësitë për të gjetur një vend që të takon në kulturën e re, të gjitha këto më shumë nga çdo kush t`i kupton një emigrant. Kështu që me mirënjohje i përulem emigrantëve shqiptar artistë që e dalluan talentin tim dhe më shtynë të shkruaj së pari në Facebook. Po përmend emrat e dy artistëve; Pëllumb Tare i cili gjendet në Itali dhe Mevlan Shanaj.
Ju jeni poete. Dhjetëra vargje poetike dhe poezi të përmbledhura në librat; Lutem për Ty, Prelud dhe Kur qiejtë teshtijnë. Ç’mund të na thoni për këtë përvojë interesante e përkushtim profesional, nivel e cilësi artistike – letrare?
Në çdo vëllim poetik që kam botuar kam pasur edhe një eksperiencë të veçantë dhe gjithmonë një më shumë. Jam e kënaqur me të dyja shtëpitë botuese në Shqipëri Ada dhe Toena. Por duhet ta dalloj Toenën, sepse përveç shtëpi botuese është edhe institucion letrar dhe mendoj në ditët e sotme është më prestigjiozi. Flas gjithmonë nga eksperienca ime. Përmenda shtëpitë botuese sepse janë ato që rrisin nivelin dhe cilësinë e letërsisë. Janë shtëpitë botuese që duhet të botojnë vetëm vlera të cilat sjellin edhe zhvillimin. Nga eksperienca që pata me botimin e librit poetik në Finlandë ndoqa edhe punën e tyre sesi funksionojnë. Finlanda gjendet sot në nivelin më të lartë të krijimtarisë së saj në rang botëror, fal kërkesave të tyre mbi çdo art të formuar. Mua m`u desh mbi dy vite të isha aktive në publikimet letrare, të recitoja publikut finlandez poezitë e mia të përkthyera, duke tërhequr vëmendjen e disa drejtuesve të shtëpive botuese. Kur më kërkuan poezi për botim u gëzova sigurisht shumë. Por më shumë ja dita vlerën kur të tjerë poetë më thanë;- e di Ti sa material për botim ju shkojnë atyre në dorë? Ndoshta 400 dhe ndër to ata botojnë vetëm 40 copë. Nuk e di a duhet të ndihesha me fat që zgjodhën poezitë e mia për botim, por për një gjë isha e sigurt. Poetikën time e kanë vlerësuar, ndoshta për këndvështrimin e një emigranteje, përndryshe nuk do e botonin. Nuk dua të lë pa përmendur gjithashtu edhe mënyra e organizmit të punës së krijimit të librit. Përveç përkthimeve të mia origjinale në dy gjuhët finlandisht-anglisht, ishte edhe redaktorja e cila i ri-përpunoi duke më pyetur për çdo fjalë dhe kuptimin e tyre. Gjithashtu Dezinjatorja e kopertinës dhe e brendisë së librit duke futur anën artistike të gërmave, madhësinë dhe ndonjë dezinjo brenda librit, të gjitha këto para se t`i niste për botim m`i nisi edhe mua t`i kontrolloja. Dezinjatorja e lexoi të gjithë librin dhe me disa dezinjo të saj iu afrua tekstit dhe titullit të librit. Mendimet e mia i merrnin parasysh gjithashtu. Kur u botua libri e pash anën cilësore që me të vërtet ja vlente të shitej mbi 20€. Një shënim: dezinjoja duhet të ishte origjinale, jo plagjiaturë apo foto e marrë nga interneti dhe e përpunuar. Përsa i përket nivelit artistik letrar poetik mund të them që çdo vëllim i botuar deri tani ka cilësinë e vet letrare. Dy librat e pare, botuar në shqip, shquhen për krijimtari të stilit klasik sidomos të viteve 80 kryesisht të stilit rus. Ndërsa me këtë të fundit në finlandisht-anglisht poetika ime ka pësuar ndryshim. Falë përpjekjeve të mia të integrohesha në poetikën vendase finlandeze, duke shfletuar dhe studiuar poetikën e sotme moderne bëra përpjekje të sillja atë formë që më bënte të ndihesha të kohës. Sur-realizmi është i avancuar në Finlandë dhe poetika ime paksa narrative e një forme të përzier me lirikën e bëri atë të veçantë. Edhe këtu ndër finlandezë u vlerësova me fraza – e talentuar.
Kush apo çfarë ka qenë ndikimi i juaj më i madh si prozatore. Pra sfida që ju përballeni me ndërtimin e prozës duke e krijuar atë me idetë që keni në mendje për ecurinë e personazheve? I paraqisni personazhet nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën apo anasjelltas?
Faktori kryesor i nxitjes në krijimtarinë prozaike janë temat shoqërore. Ato që shikoj si mangësi në atdhe për një shoqëri të shëndoshë i shkruaj në tregimet e shkurtra duke i veshur personazhet edhe me imazhe të një këndvështrimi tjetër edhe fiktiv. Pra temat psikologjiko-shoqërore kanë qenë dhe janë ndikimi kryesor falë edhe profesionit tim si punonjëse sociale. Mirëqenia e njerëzve, arsyet prej nga shkaktohen dhimbjet e tyre dhe gjetja e zgjidhjeve. Por edhe vënia në dukje e një dukurie apo fenomeni që e dëmton njeriun dhe shoqërinë janë gjetje të cilat i kërkoj here pas here brenda ndryshimeve që shoqëria pëson në çdo kohë.
Cilat janë shprehitë tuaja kur shkruani një poezi, tregim apo meditim? Dëgjoni muzikë apo dëshironi qetësi?
Gjetjet poetike i marr nga çdo gjë që më rrethon. Nga çdo stinë, nga çdo ndjenjë, nga çdo mendim dhe i shkruaj kudo të jem, qoftë edhe një cope letër apo telefon, që mos ta harroj. Për ta përpunuar, poetikën time e shkruaj duke dëgjuar muzikë, sidomos melankolike. Ndërsa proza dhe aforizmat kërkojnë tek unë qetësi të plotë sepse aty dua ta dëgjoj vetëm zërin tim të brendshëm.
Çfarë është një “muzë”. Është aftësi gjenetike sipas mendimit tuaj?
Mendoj që është gjenetike. Jo gjithkush mund të vizatojë. Gjithkush mund të mësojë të pikturojë një tabllo, por jo të vizatojë një portret. Të vizatosh një portret duhet të lindësh i tillë, artist. Ashtu është edhe poezia apo proza. Nuk mjafton shkolla të shkruash, të duhet talenti të futesh në fantazi të cilat vetëm një shpirt artisti mund t`i shprehi dhe shikojë.
A do ta keni të vështirë të shkruani një romancë dashurie rreth jetës intime të një gruaje. Dhjetëra e dhjetëra vargje poetike dhe fragmente për femrën e dashurinë…C`farë është dashuria për ju? Kur një grua e ndjen se është e dashuruar? Si arrini ta reflektoni këtë në krijimtarinë tuaj letraro-artistike?
Për atë çfarë unë shikoj si dashuri, e shkruan bukur kritikja letrare finlandeze Karla Löfgren në komentet e saj rreth librit “ Kur Qielli Teshtin”- Feminiteti poetik në vargjet e Silvanës është emocional, por edhe me një ndershmëri të guximshme të pa kompromis. Në lirikën e saj Berki ka hapur zemrën plot pasion aq sa e ndien aromën e trupit dhe vlerën e Tij, ku lumturia e saj dhe dhimbja mund të identifikohen mbi të gjithë kufijtë kulturorë”. Për mua dashuria, është vetëm ajo kur arrin të vendosësh lumturinë e tjetrit mbi lumturinë tënde. Dhurimi i ndjenjave të pastra siguron marrjen mbrapsht të tyre dhe urën e fortë të besimit. Pa këtë pastërti sinqeriteti ndaj ndjenjave romanca ngelet vetëm diçka sipërfaqësore dhe e momentit dhe venitet si rrezet e diellit në perëndim. Nëse do të shkruaja për dashurinë e një gruaje me siguri do të shkruaja për një rast ku do të zgjidhja elementë që e kanë vrarë dashurinë e saj apo e kanë bërë atë të lulëzojë.
Në poezi romantike kam qenë shumë e sinqertë në krijimin e tyre duke shkruar atë që zemra më ka thënë se duhet të qaja apo të qeshja, pra të lakuriqtë. Është e vetmja mënyrë të tregohet forma e dashurisë në kohën tone. Poeti mendoj unë duhet të jetë i lakuriqtë në atë që mendon dhe thotë. Kam takuar shumë poetë romancierë, që i shkruajnë me nostalgji dashurisë, kur në realitet e abuzojnë dashurinë e tyre. Kjo është hipokrizia më e madhe që mund t`i bëhet dashurisë.
Kur shkruani cili është vendi tuaj më i preferuar, në studio, në natyrë apo krejt rastësisht edhe duke pirë kafe diku?
Idenë mund ta kap gjithkund. Mund ta hedh atë diku për ta kujtuar më vonë. Ndërsa për ta shkruar kam nevojë për studion time personale. Ajo dhomë është bota që më njeh dhe e njoh. Bota që më fut në rrjedhën e mendimeve artistike. Diku tjetër do të ndihesha jo vetvetja.
Ju ndjek vazhdimisht në krijimtarinë tuaj, duke qenë kështu një lexuese e rregullt. Në prozën e poezinë tuaj ka mall, protestë, revoltë, dhimbje, dashuri, mesazh tolerance e paqe, ton qytetar e intelektual. A keni ndonjë ndjesi të veçantë që ju jeni përpjekur ta shfaqni nëpërmjet artit të të shkruarit..?
Po, ka pasur disa raste në poetikë. Vdekja e anëtarëve të pallatit mbretëror me ardhjen e tyre në Shqipëri si dhe së fundi vdekja e mbretit Leka. Kjo poezi shpërtheu në formë proteste, rreth kulturës shqiptare, politikës së saj të pa ekuilibër por mbi të gjitha mos respektimi i njeriut në rast vdekje. Tjetër rast ka qenë viti 2012, që prita me aq ankth bashkimin e trojeve shqiptare në 100-vjetorin e ditës së pavarësisë së Tij. Nuk gjykoj pse nuk u bashkuan as politikanët e Kosovës dhe as të Shqipërisë. Me poezinë thjesht tregova dëshirën të isha dëshmitare e kësaj kohe, si dëshmitare e bashkimit të trojeve gjë që ngeli vetëm ëndërr me sa po shihet. Në çdo gjë që më prek shpirtin, unë shkruaj. Ndaj edhe poezia ime ka ndjenjë brenda.
…që do të thotë se ju keni kaluar momente të dhimbshme, të bukura e kritike. Cili ishte kërcënimi që ju shihnit me sytë dhe koshiencën e brishtë të një gruaje, nga ai realitet i jetës?
Oh, ka shumë fenomene të cilat nuk i kam pranuar dhe as nuk i pranoj në të dyja shoqëritë, asaj shqiptare por edhe finlandeze. Keqtrajtimi ndaj seksit femër, shfaqet në të dy shoqëritë por në forma të ndryshme. Në Shqipëri shfaqet në forma shoviniste ndaj femrës, duke ushtruar edhe dhunën fizike apo edhe postin kur këtej nga Finlanda në formë psikike duke marrë vetëm ndjenjën për të përfituar një eksperiencë më shumë dhe duke zhdukur sensin e respektit të ndjenjës femërore. A duhet të pranojmë këtë lloj fenomeni në të dy shoqëritë? JO. Unë JO. Nuk bëj asgjë që nuk më bën të ndihem mirë me principet e mia.
Pse shkruan Silvana…
Sepse mund të shkruaj. Sepse pa shkruar do të ishte shumë, shumë qetësi. Sepse duke shkruar komunikoj me veten dhe të tjerët më mirë. Sepse duke shkruar tregoj ndjenjat e mia ashtu siç janë, pa i zbukuruar ato, pa frikë a do të mi kuptojnë apo jo. Kush do të më njohë nga afër, më gjen në shkrime.
Kush apo çfarë ka qenë ndikimi juaj më i madh si poete dhe prozatore? Cilat janë sfidat më të mëdha për ju në lëvizjen feministe si autore?
Si autore femër, vështirësi kam hasur në mentalitetin shqiptar. Nuk jam feministe në këndvështrimin tim por synoj për të drejtat individuale. Shumë fenomene në Shqipëri koncepton ndryshe nga ku unë jam mësuar tashmë për 24 vite. Sidomos koncepti I LIRISE. Konceptimi ndryshe më ka sjellë shumë vështirësi dhe barriera në komunikim dhe në ecjen përpara. Por si kokë labe që jam, nuk para kam bërë kompromise me vlerat që unë shoh si vlera dhe kam reaguar, si në shkrime ashtu edhe në gjendjet përballë. Për këtë më cilësuan edhe poete rebele në Shqipëri. Mendoj se gjenerata jonë duhet të ketë guxim të rebelojë ndaj fenomeneve që shkatërrojnë kulturën qytetare sidomos intelektualët.
Si jeni ndier përballë botës së frikshme të mediokritetit, klaneve, hipokritëve dhe inferioritetit maskilist? Çfarë kuptoni me shprehjet “vetëgjymmtim dhe vetëvrasje intelektuale”?
Unë kam shkuar rrallë në këto 24 vite të tranzicionit në Shqipëri. Dhe kur bëni pyetje rreth mediokritetit apo hipokrizisë besoj e keni fjalën për shoqërinë shqiptare. Duke shkuar rrallë në Shqipëri ndryshimet atje i kam ndjekur shpesh nëpër shkrime e artikuj. Ndonjëherë mendoja se media shqiptare e sheh çdo gjë me negativitet dhe lodhesha nga material kritike dhe vetëm negative. Por e vërteta është se ai që shkruante për problemet atje “vërtet duhej të bëhej delja e zezë” e kopesë kur përplasej çdo ditë me një dozë aq të madhe negativiteti apo gjeste që e vrasin shoqërinë. Heshtja ndaj fenomeneve si hipokrizia, inferioriteti apo maskilizmi janë vetëm gangrene për shoqëritë e civilizuara me plot gojën mund të quhen edhe VETEVRASJE. Mos folja hapur e asaj prej nga vjen e keqja bën atë që e keqja të zhvillohet edhe më shumë. Vetëm syri kritik dhe i sinqertë ndërgjegjëson moralin dhe ndërgjegjen qytetare.
Kur ktheni kokën pas si e shikoni krijimtarinë tuaj gjatë viteve? Cilat janë drejtimet dhe objektiva interesante për të ardhmen?
Nga një pasionante arti dhe i letërsisë drejt profesionizmit. Këtë shikoj kur kthej kokën mbrapa. Kjo ndoshta edhe prej vendosmërisë time ta perfeksionoj artin tim letrar dhe atë të pikturës. Për të dyja kam qëllime dhe ëndrra të cilat mendoj do të jenë dikur të realizuara në mos komplet deri diku. Krijimtaria letrare mendoj nuk më mjafton, kur mendoj se jetoj në mes dy kulturave. Më duhen më shumë njohuri për poetikën e sotme moderne nordike dhe të asaj botërore. Për këtë po mundohem të futem në shkollën akademike për shkrimtarët këtu në Tampere. Uroj të realizohet. Ndërsa për pikturën, e kam ëndërr të filloj pikturoj përsëri dhe të hap një ekspozitë si në Finlandë ashtu edhe në Shqipëri. Janë ëndrra, por c`do të ishim ne pa ëndërrat tona? A nuk ecim ne përditë mbas tyre?
Autorët tuaj më të preferuar…
Ndër poetët shqiptar do të veçoja Ismail Kadarenë dhe Petrit Rukën (në poezinë klasike). Atë modernen shqiptare Natasha Lakon. Është e veçantë. Pastaj ka poetë shumë të mirë shqiptarë emigrantë që i lexoj me dëshirë. Në poezinë botërore për nga temat shoqërore që rrahin do të përmendja poetin finlandez J.K. Ihalainen dhe Claess Anderssen, poetin turk Nazim Hikmeti, Pablo Neruda.
Si e shihni kritikën letrare sot? A ekziston një e tillë dhe e mirëfilltë?
Jo, as që bëhet fjalë për kritikë letrare të mirëfilltë në një shoqëri ku mbisundon meritokracia. Jo se nuk ka kritikë, por të gjithë janë të varur nga interesi me njëri tjetrin dhe kjo i pengon të jenë të sinqertë edhe me veten. Pastaj ndikon edhe mediokriteti TURME: Lexuesi dhe kritiku nuk lexon atë që është vërtet tërheqëse dhe me vlera por anon andej nga anon turma. Kjo pengon në sjelljen në sipërfaqe të asaj që është e bukur në letërsinë shqiptare. Kritika rreth letërsisë moderne mendoj që mungon fare. Me të drejtë askush nuk mund të vështrojë një krijim artistik modern kur i mungon njohuria rreth tij. Faj për këtë janë vetë disa rryma letrare klanesh konservative të cilat nuk e pranojnë lehtë atë që nuk e njohin.
Çfarë dëshiron të ndash me kolegët dhe audiencën e lexuesve që janë duke e lexuar këtë intervistë?
Sa më real dhe të vërtet për ato që shkruajnë. Sa më tolerantë me shumëllojshmërinë. Sa më të mire me njëri tjetrin sepse vet qëllimi i artit është t`i bëj njerëzit më të mirë.
Mesazhi juaj për talentet e reja, por edhe për shkrimtaret femra në përgjithësi.
Për talentet e reja do të thosha të ndjekin pasionin dhe ta perfeksionojnë atë. Ndërsa për shkrimtaret femra do t`i inkurajoja të shkruajnë për gjithçka që ato shohin të nevojshme. Ato që syri i femrës i shikon në shoqëri nuk i shikon kurrë syri i një mashkulli. Do të inkurajoja sidomos femrat në emigracion që shkruajnë dhe mesazhi im është të shkruajnë sa të munden për gjithçka që zemra jua thotë sepse çdo gjë që ato shkruajnë është e veçantë dhe jo e zakontë. Ato mbajnë me vete dhimbjen e dy kulturave, koncepte të dy kulturave duke pasuruar me to jo vetëm vendin e tyre që e lanë pas por edhe atë ku kontribuojnë duke ju afruar diçka të re nga ish-vendi i tyre. Kjo e bën çdo emigrant të veçantë në kohën e vet.
Zgjuar apo gjume!-Silvana Berki - YouTube
www.youtube.com/watch?v=Uyz6am0y3jM
Mar 6, 2011 - Uploaded by luljaviolet
Zgjuar apo gjume!-Silvana Berki. Käyttäjän luljaviolet kanava. Subscribe
Silvana Berki - Pakëz më shumë tolerancë - YouTube
www.youtube.com/watch?v=Lz4UUlM4V2A
Jun 10, 2013 - Uploaded by Agim Xheka
Silvana Berki - Pakëz më shumë tolerancë. Agim Xheka. SubscribeSubscribed
Amaneti - Silvana Berki - YouTube
www.youtube.com/watch?v=7S4cr56pfcI
Apr 6, 2013 - Uploaded by STUDIO POETIKE ART MAGJI
Poezi nga Silvana Berki Amaneti Interpretoi: Arjana Loçe.
POEZI NGA SILVANA BERKI - YouTube
www.youtube.com/watch?v=B4Ksj89p1z0
Nov 8, 2013 - Uploaded by STUDIO POETIKE ART MAGJI
LIRIKE PATRIOTIKE NGA SILVANA BERKI. ... POEZI NGASILVANA BERKI. STUDIO POETIKE ART ...
XIXËLLONJA-Silvana Berki - YouTube
www.youtube.com/watch?v=opVmmOuaO2A
May 2, 2011 - Uploaded by luljaviolet
XIXËLLONJA-Silvana Berki. Käyttäjän ... Incredibil dar adevarat - Fr Gheorghe Claudiu Berki - 01.avi ...
Mirëmëngjes-Silvana Berki - YouTube
www.youtube.com/watch?v=ijbPehpT3Rs
Mar 3, 2011 - Uploaded by luljaviolet
Mirëmëngjes-Silvana Berki. Käyttäjän luljaviolet kanava. SubscribeSubscribed
Silvana Berki-Poezi pjesa 3 - YouTube
www.youtube.com/watch?v=Kp0T6HiU0GY
Sep 20, 2011 - Silvana Berki-Poezi pjesa 3. ... Silvana Berki-Poezi pjesa 3. Käyttäjän luljaviolet kanava. SubscribeSubscribedUnsubscribe 1 ...
Poezi nga Silvana Berki - Amaneti - YouTube
www.youtube.com/watch?v=V1JitN9YqKo
Feb 15, 2013 - Uploaded by STUDIO POETIKE ART MAGJI
Poezi nga Silvana Berki - Amaneti Interpretoi: Arjana Loçe.
Enigme - Poezi nga Silvana Berki - YouTube
www.youtube.com/watch?v=RU6MNOIy8fQ
Feb 21, 2013 - Uploaded by STUDIO POETIKE ART MAGJI
Enigme - Poezi nga Silvana Berki Interpretoi : Arjana Loçe.
Varka - Poezi nga Silvana Berki - YouTube
www.youtube.com/watch?v=Z8niEOuoHPc
Feb 21, 2013 - Uploaded by STUDIO POETIKE ART MAGJI
Varka - Poezi nga Silvana Berki. ... Varka - Poezi nga Silvana Berki. STUDIO POETIKE ART MAGJI ...
Përgatiti: Agjencioni Floripress / Flori Bruqi