Udhëheqësja franceze e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, është rikthyer me fushatën e saj të ashpër këtë mëngjes, pasi ajo sapo ka deklaruar se partia e saj, National Rally (Tubimi Kombëtar), “nuk do t’i lejonte popullit francez t’i vidheshin zgjedhjet presidenciale” pas vendimit të djeshëm të gjykatës që e ndaloi atë nga gara e vitit 2027.
Në deklaratat e saj, që u raportuan nga mediat franceze, ajo tha në një takim, që ishte i hapur për shtyp këtë mëngjes, se donte të “mbronte popullin francez, i cili ka të drejtë të votojë për kë të dëshirojë”. Marine Le Pen e krahasoi vendimin kundër saj me “një bombë bërthamore” të hedhur mbi të “nga sistemi”, duke argumentuar se “nëse ata përdorin një armë kaq të fuqishme kundër nesh, kjo është sepse ne jemi në prag të fitimit të zgjedhjeve”.
“Ne nuk do ta lejojmë këtë të ndodhë”, shtoi ajo, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Le Pen gjithashtu fajësoi gjykatat për “ndërhyrje” në procesin zgjedhor, duke thënë se kjo minon aftësinë e Francës për të mbrojtur demokracinë globalisht.
Por ajo kritikoi ashpër kërcënimet e raportuara ndaj gjyqtarëve, duke thënë se ato ishin “skandaloze” dhe “të papranueshme”.
Komentet e saj vijnë disa orë pasi presidenti i Rally Kombëtar – dhe një kandidat i mundshëm presidencial i ardhshëm – Jordan Bardella njoftoi një “mobilizim paqësor” për të shprehur mbështetjen për Le Pen, me protesta të planifikuara për këtë fundjavë.
Bardella pohoi se një fushatë në internet, e nisur mbrëmë, kishte mbledhur tashmë “qindra mijëra” nënshkrime në mbështetje, me më shumë fushata që priten gjatë ditëve në vijim.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka reaguar në lidhje me dënimin Marine Le Pen, lideres së ekstremit të djathtë në Francë, duke thënë në një postim në rrjetet sociale se “askush që beson vërtet në demokraci nuk mund të gëzohet për një vendim gjyqësor që godet lideren e një partie të madhe, duke i privuar miliona qytetarë nga përfaqësimi i tyre”.
Ajo ka thënë diçka të ngjashme edhe për gazetën Il Messaggero mbrëmë, duke shtuar se nuk i di detajet e çështjes.
Gjykata e Parisit të hënën e ka shpallur fajtore Marine Le Pen dhe tetë eurodeputetë për përvetësim të fondeve të BE-së.
Ky vendim u dha fund ambicieve të Marine Le Pen për të kandiduar për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.
No comments:
Post a Comment