2017/01/03

Kjo është jeta ime bashkëshortore


Gruaja e Lulit të UÇK-së: Kjo është jeta ime bashkëshortore
Çdo herë janë parë së bashku. Madje nuk hezitojnë që rrugës të ecin edhe dorë për dore, gjë që nuk e bëjnë të gjithë liderët e partive politike në Kosovë.


Por kryetari i PDK-së Kadri Veseli çdo herë e ka në krah bashkëshorten e tij Violetën.

Përveç se është vlerësuar si tërheqëse dhe që vishet bukur, shumë pak dihet se kush është bashkëshortja e Kadri Veselit.

Çka bën, çfarë profesioni ka, kur është martuar dhe detaje tjera. Të gjitha këto gruaja e të parit të Kuvendit i ka treguar në një intervistë ekskluzive për KosovaPress.

Që nga martesa e deri te dhurata e fundit që ia ka dhuruar i shoqi.


Vajza nga Llapi që u bë nuse Mitrovice tregon edhe për takimin e parë me burrin e saj të ardhshëm që në atë kohë e njihte vetëm me nofkën “Luli”.

Pas lidhjes , Kadri dhe Violeta Veseli janë martuar në vitin 2002 me një dasmë tradicionale me miq të shumtë, të cilët kryesisht ishin shokë të luftës të dhëndrit të ri.

Veseli: Martesa mbetet një ditë e veçantë e imja

“Kemi pasur miq të përbashkët, përmes të cilëve edhe jemi njohur edhe qysh në fillim u kriju një lidhje e fortë. Jemi martuar në vitin 2002 kemi bërë një dasëm tradicionale gjatë ditës, ndërsa në mbrëmje sigurisht me familjarët kemi pasur të ftuar miq të Kadriut që kryesisht kanë qenë edhe shokë të luftës, familje të dëshmorëve ka pasur shumë. Sigurisht kjo mbetet një ditë e veçantë e imja”, tha Veseli.

Nëna e tre djemve dhe një vajze jep gjermanisht në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë. Arsyeja pse ka studiuar gjermanishten Violeta thotë se ia ka përmbushur ëndrrën e babait të saj


Veseli: Ky profesion më përmbush

“Ky është profesioni mund të them i zemrës sime që më përmbush. Punoj qe gjashtë vite, viti i katërt është në gjimnaz ndërsa dy vite tjera kam punuar në një shkollë private”, tha Veseli.

Ndonëse Kadri Veseli ka qenë njëri ndër njerëzit e parë të UÇK-së dhe një kohë të gjatë ka qenë shef i shërbimit Informativ të Kosovës ai nuk është komandant në shtëpi.

Sipas Violetës në shtëpinë e tyre secili e ka rolin e vet ndërsa thotë se ai që është më toleranti është Kadriu.

Veseli: Është më toleranti në familje


“Nëse mund ta quaj mangësi është më toleranti në familje sidomos me fëmijët. Është njeri që e shpreh dashurinë në mënyrën e tij, që mua më pëlqen, nuk dhuron shpesh lule por tregon në vazhdimësi mbështetjen, respektin dhe përkrahjen e tij”, tha Violeta.

Sa i përket kuzhinës Violeta zbulon se burri i saj nuk është aq i zoti në gatim por ato që din t’i bëjë i bën mirë.

“Nuk është që shquhet për gatimin por nuk është prej tipave që nuk e hap frigoriferin edhe s’gatuan, s’përgatit diçka të shpejtë. Për shembull vezët, ndonjë sandëiç, pastat nganjëherë”, thotë ajo ndërsa tregon se nuk e konsumojnë kafenë fare.

“Jo asnjëherë sepse s’jemi konsumues të kafesë, por çajin po, zakonisht çaj mali”, tha Veseli.

Dhurata e fundit që ka marrë nga bashkëshorti është një stilolaps ndërsa thotë se dhurata më e mirë për të janë katër fëmijët.


“Dhurata e tij e fundit është një stilograf që ma ka dhuruar me një dozë shakaje duke më thënë t’i mbyll notat me të. Por dhurata ime më e mirë, sot dhe përgjithmonë është jeta jonë e përbashkët me fëmijët tanë, ky është bekimi im më i madh”, tha Veseli.

Ajo tregon edhe se sa vështirë është që të jesh gruaja e një politikani por edhe është një krenari sidomos kur vlerësohet për punën që bën.

Veseli: Vlerësimi i përkushtimit të tij mburrja ime më e madhe

“Është një ndjenjë e përzier, nuk është e lehtë mungesa për shkak të angazhimeve të tij orareve të gjata në punë, pastaj nuk është e lehtë as ballafaqimi me opinionin publik kur shoqërohet edhe me fyerje. Të humb jeta private. Por që mbase ky është çmimi. Në anën tjetër është lehtësuese kur të tjerët e vlerësojnë përkushtimin e tij për vendin, ajo është mburrja ime më e madhe”, tha Veseli.

Violeta, tregoi që është një përpjekje e vazhdueshme nga ajo dhe Kadriu që të shmangin bisedat rreth politikës në shtëpi, megjithatë ajo tha se e ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështes për aq sa mundet edhe pse karrierat i kanë të ndryshme.


Veseli: Politikë në shtëpi, pothuajse asnjëherë

“Jetën e tij politike mundohemi sa më shumë me mbajt larg jetës private, mundohemi që brenda mureve të shtëpisë t’i shmangim bisedat rreth jetës së tij institucionale. Politikë pothuajse asnjëherë. E mbështes, e kam mbështetur në fakt edhe e mbështes për aq sa mundem dhe di, karrierat i kemi zhvilluar në mënyra të ndryshme, por që mundohemi ta ndihmojmë njëri tjetrin në vazhdimësi”, tha Veseli.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli dhe bashkëshortja e tij Violeta Veseli kanë tre djemtë Klestorin, Lirin dhe Yllorin, dhe vajzën Rritën.

Atllasi që ngriti në këmbë Serbinë, ku Kosova figuron si shtet i pavarur

Atllasi që ngriti në këmbë Serbinë, ku Kosova figuron si shtet i pavarur (Foto)

Në librin për fëmijë të titulluar “Atllasi im i parë me fotografi ngjitëse” i shtëpisë botuese “Laguna”, Kosova figuron si shtet i pavarur dhe plotësisht i ndarë nga Serbia. 

Në hartën e botuar të botës, kufijtë e Kosovës janë të shënjuar njësoj si çdo shtet tjetër, dhe ky fakt ka nervozuar tej mase opinionin në Serbi.

Një libër tjetër për fëmijë sërish ka shokuar opinionin në Serbi, por kësaj radhe sipas mediave serbe kjo ka ndodhur për shkaqe politike.



Në librin për nxënësit parashkollor “Atllasi im i parë”, brenda kufijve të Serbisë nuk figuron Kosova. Në të Kosova është shënjuar si çdo vend tjetër i rajonit.

Ndërkaq në shtëpinë botuese “Laguna” janë munduar të arsyetohen, duke thënë se nuk bëhet fjalë për ndonjë atllas politik, dhe se Kosova nuk përmendet askund si shtet.



“Nuk është e vërtetë që në atllasin për fëmijë Kosova figuron e ndarë nga Serbia.

 Çdo shtet në mënyrë të qartë është prezantuar me emrin e plotë të shtetit dhe të kryeqytetit të. Aty shkruan Serbia dhe Beogradi, askund nuk shkruan Kosova.

Ju siguroj se “Atllasi im i parë i botës”, nuk është një atllas politik”, ka deklaruar Tanja Vuçkoviq nga shtëpia botuese “Laguna”.

Mjekët përpiqen të hedhin në treg vaksinën e re të gripit


Zyrtarët e shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara kanë dy muaj afat për të përcaktuar në se vaksinat e gripit H1N1, prodhim i dy firmave të ndryshme farmaceutike, janë të sigurta dhe të efektshme për përdorim publik. Qëllimi i provave është të sigurohet një vaksinë për përdorim publik përpara muajit tetor, që është fillimi i sezonit të gripit.


Nga Azia e deri në Evropë apo në Amerikën Veriore, gripi i derrave është përhapur kudo në botë me një shpejtësi alarmuese.

"Ajo që vëmë re është se ky grip po përhapet shumë shpejt. Ai është përhapur në të gjithë botën brenda pak javëve."

Dr. Wilbur Chen në Universitetin e Merilendit po punon me zyrtarë të tjerë amerikanë të shëndetit në një garë për të nxjerrë për përdorim publik vaksinën deri në muajin tetor, përpara se gripi i derrave të godasë me forcën e tij të plotë.

"Kemi disa javë që po planifikojmë," thotë Dr. Chen, i cili i referohet provave të para tek njerëzit me vaksinën e gripit H1N1 në Shtetet e Bashkuara.


Jennifer Fisher është një prej vullnetareve të para.

"Ky grip mund të prekë komshiun ose gjyshen tënde, mund të prekë njerëz që hyjnë e dalin në jetën tënde."

Zonja Fisher thotë se pjesëmarrja në provat me vaksinën ndihmon atë vetë por edhe të afërmit e saj sepse puna e saj në spital mund ta ekspozojë ndaj virusit.

"Ka shumë mundësi që unë ta marr gripin prandaj vaksina është një zgjidhje logjike."

Si zonja Fisher ka edhe vullnetarë të tjerë nga tetë pika të Shteteve të Bashkuara që marrin pjesë në këto prova të financuara nga Instituti Kombëtar i Alergjive dhe i Sëmundjeve Infektive. Vullnetarët do të bëjnë nga dy vaksina në distancë kohore prej dy javësh.


Mjekët po testojnë sigurinë, efektet anësore dhe efikasitetin e vaksinës. Ata do ta testojnë vaksinën te vullnetarë të moshave të ndryshme për të përcaktuar se cila dozë vepron më mirë te secila grupmoshë.

"Me këtë studim do të jemi në gjendje të përcaktojmë dozat kështu që, nëse mund t’i ulim dozat, sasitë e vaksinës, që janë të kufizuara, mund të përdoren tek më shumë njerëz."

Përveç sasive të kufizuara të vaksinës, mjekët shqetësohen se virusi mund të marrë forma më vdekjeprurëse para se vaksina të shpërndahet në publik.

Gripi i derrave: Shenjat dhe parandalimi

Gripi i derrave: Shenjat dhe parandalimi

Si njerëzit, edhe derrat preken nga gripi (influenca virusi), por ky lloj virusi nuk është i njëjtë me ata të njerëzve, dhe shumë më rrallë na prek neve për shkak të kontaktit të rrallë me derrat.


Por, shpërthimi i fundit i këtij virusi është më ndryshe, pasi ai ka pësuar disa ndryshime dhe është aftësuar të kalojë prej njeriut tek njeriu, dhe jo vetëm nga derri te njeriu.

Derisa virusi gjithnjë na afrohet edhe neve, më poshtë po japim disa këshilla se cilat janë shenjat e para të prekjes nga ai.

Simptomat e gripit të derrave

Simptomat e gripit të derrave janë të njëjta me simptomat e gripit të zakonshëm, dhe përfshijnë ethe e temperaturë, kollitje, dhimbje fyti, rrjedhje të hundëve, plogështi, kokëdhimbje.


Shumica e njerëzve me grip të derrave kanë diarre dhe vjellje. Po thuajse secili me këtë grip i ka së paku dy nga këto simptoma.

Por kjo nuk do të thotë se jeni prekur nga ky grip, pasi shumë sëmundje shkaktojnë këto shenja. I takon analizave laboratorike të vërtetojnë nëse ky është gripi i derrave, grip i zakonshëm apo ndonjë sëmundje tjetër.

Si mund ta parandaloni infektimin me grip të derrave?

– Pastroni duart rregullisht me sapun dhe ujë, veçanërisht pas kollitjeve dhe teshtitjeve. Ose përdorni faculeta me alkool.
– Shmangni kontaktim me njerëz të sëmurë.
– Shmangni prekjen e gojës, hundës ose syve. Kjo nuk është lehtë për t’u bërë, andaj kujdesuni që duart tuaja të jenë vazhdimisht të pastra.
– Nëse ndjeheni i sëmurë, qëndroni në shtëpi.

Çfarë është gripi i derrave?


Çfarë është gripi i derrave?
Është një sëmundje akute e rrugëve të frymëmarrjes tek derrat, e shkaktuar nga viruse gripale të tipit A, që shkaktojnë epidemi gripale tek kjo kafshë. Edhe pse prek në masë derrat, ngordhshmëria e tyre nga kjo sëmundje mbetet e ulët. Ky virus është zbuluar për herë të parë në vitet ‘30 të shekullit të shkuar.


Xheladin Ujkani, “Kisskoms”

Ky tekst botohet pas konsultimit të Organizatës “Kiscoms” me zyrën e OBSH-s në Prishtinë dhe me Prof. Dr. Isme Humolli- Drejtoreshë e Institutit të Epidemiologjisë në IKSHPK

Ç’është gripi i derrave?

Është sëmundje e organeve të frymëmarrjes të derrave e shkaktuar nga virusi i tipit A. Njerëzit, zakonisht nuk sëmurën nga gripi i derrave, por infeksioni ndër njerëz mund të ndodhë. Aktualisht tek njerëzit është raportuar infeksioni me virusin e gripit të derrave, tipi H1N1.




A sëmurën njerëzit nga gripi i derrave?

Normalisht, njerëzit nuk sëmurën nga gripi i derrave, por infeksioni ndër njerëz mund të ndodhë. Është raportuar se virusi i gripit të derrave përhapet nga njeriu në njeri, por nuk dihet saktësisht si ndodh përhapja e virusit.

Cilat janë shenjat e sëmundjes së gripit të derrave ndër njerëz?

Simptomat e gripit të derrave janë të njëjta me ato të gripit të zakonshëm: temperaturë, kollë, dhembje fyti, dhembje trupi, dhembje koke dhe plogështi. Në disa raste mund të paraqitet edhe vjellja dhe diarreja. Komplikim më i shpeshtë i sëmundjes është pneumonia.


Si përhapet gripi i derrave ndër njerëz?

Virusi i gripit të derrave përhapet në të njëjtën mënyrë si gripi i zakonshëm (sezonal). Virusi përhapet nëpërmjet ajrit nga një person në tjetrin gjatë kollitjes dhe teshtitjes së personave të sëmurë me grip.
Virusi përhapet edhe duke prekur gojën, hundën dhe sytë me duar të papastra apo gjësendet që përmbajnë virusin e gripit.
Personi i infektuar me virusin e gripit të derrave përhap sëmundjen tek personat e tjerë një ditë para se të shfaqen shenjat e sëmundjes dhe shtatë ditë pasi të jenë shfaqur shenjat e sëmundjes.



Njerëzit mund të infektohen duke ngrënë mishin e derrit?

Jo, virusi i gripit te derrit nuk transmetohet në ushqim; nuk mund të infektohesh nga gripi i derrit duke ngrënë mishin ose produktet që kemi prej tij. Mishi mund të hahet i gatuar në mënyrë të kujdesshme, duke gatuar në temperature 70-80 gradë. Viruset e gripit të derrit ashtu si dhe bakteret e viruset e gjallesave të tjera nuk u rezistojnë dot temperaturave të larta.


Si parandalohet gripi i derrave?

Nuk ka vaksinë e cila mbron kundër gripit të derrave, por sëmundja mund të parandalohet nëse respektohen këto parime:

* Mbuloje hundën dhe gojën me shami gjatë kollitjes dhe teshtitjes.
* Hedhe në vend të sigurt facoletën pas përdorimit.
* Pastroji rregullisht duart me sapun dhe ujë të nxehtë, veçanërisht pas kollës, teshtitjes dhe prekjes së gjësendeve.
* Mos i prek sytë, hundën dhe gojën me duar të papastra.
* Evitoni kontaktet me personat e sëmurë nga gripi.
* Nëse sëmurësh me grip mos shko në punë, shkollë, hapësira publike, qëndro në shtëpi për të parandaluar përhapjen e infeksionit.

Këshilla për të sëmurët?
* Pini më shumë lëngje,
* Pushoni,
* Merrni ushqim cilësor me vitamina.

Ekziston terapia antivirusale, e cila duhet të përdoret pas përshkrimit nga ana e mjekut. Terapia në fjalë është e suksesshme nëse merret sa më shpejt pas paraqitjes së shenjave të sëmundjes.


Vërejtje:

Autoritet shëndetësore kosovare kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e përhapjes së mundshme të gripit të derrave dhe për këtë arsye nuk ka vend për panik
Autoritet shëndetësore kosovare kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e përhapjes së mundshme të gripit të derrave dhe për këtë arsye nuk ka vend për panik.

Çfarë është gripi i derrave dhe cilat janë shenjat e tij?



Gripi, i ashtuquajtur, i derrave (Swine Flu), është një sëmundje akute e rrugëve të frymëmarrjes, i shkaktuar nga viruse gripale të tipit A, që origjinën e kanë nga derrat.


Prof. Dr. Hamdi Ramadani,infektolog

Pandemia e Gripit A H1N1, i ashtuquajtur si gripi i derrave, është një sëmundje që në mënyrë mjaft të rrufeshme dhe shumë të shpejtë u bë problematika numër një në mbarë shëndetësinë botërore që në një mënyrë na intrigoi të gjithëve me pyetjet se çfarë në të vërtet është e tërë kjo situate? A është rreziku potencial për pandemi? A është e tëra kjo sa për t’u shitur vaksinat?

Ka filluar me lajmërimin e rastit të parë më 4 prill 2009 në Meksikë dhe deri më tani ka përfshirë pothuajse çdo vend në rruzullin tokësor, ku pa u futur në statistikat për vendet tjera nga të dhënat e fundit të ISHP-së, në vendin tonë kemi mbi 213 raste të lajmëruara si infeksion me virusin A(H1N1) dhe 10 raste që kanë përfunduar me vdekje.

Edhepse kemi të dhëna të mjaftueshme për këtë virus, me gjithë gjakftohtësinë e ekspertëve për të mos përhapur panik, deklaratat e OBSH-së për shkallën e alarmimit dhe poashtu mediat, kanë krijuar një konfuzion në lidhje me tërë këtë gjendje. Por duke parë situatën se si është zhvilluar në vendet e tjera (Meksikë) dhe në vendet e rajonit, si dhe nga shkalla e mortalitetit, mund të themi se gjendja është nën kontroll, edhepse rreziku është aktual pasi që askush nuk është i paprekshëm nga ky virus, qoftë i vaksinuar apo jo. Gripi i derrit po përsëritet, me mbi 110 raste në lëtë vit me konfirmim etiologjik dhe me të vdekur.


Gripi, i ashtuquajtur, i derrit (Swine Flu), është një sëmundje që atakon sistemin respirator dhe e shkakton virusi i tipit A (H1N1) që origjinën e ka nga derrat. Ky virus bën pjesë në klasën e ARN viruseve dhe i takon familjes së Orthomyxoviridae, që ka një madhësi ose diametër prej 80-200 nm.



Janë tre tipe ose lloje të këtyre viruseve që shkaktojnë gripin: A, B dhe C, ku zakonisht më i zakonshmi që është shkaktari më i shpeshtë i gripit ose influencës është tipi A, kjo është si pasoj e aftësisë unike që ka ky virus për të qëndruar jashtë radarit të imunitetit tek njerëzit nga ndërrimet e vazhdueshme apo kontinuale të strukturës së proteinave antigjenike (mutacioneve). Në vet llojin e virusit A ekzistojnë edhe subkategoritë e tipit A, ku ato dallohen në bazë të llojeve të antigjeneve në sipërfaqen membranore që janë: H – haemagglutinina dhe N – neuraminidaza.

Disa subkategori të virusit të tipit A janë: virus A(H1N1), virusi A(H3N2), Avian flu virus A (H5N1), Canin flu virus A(H3N8), Equine flu virus A(H7N7) ku këta dy të fundit manifestohen vetëm tek nikoqirët përkatës.

Si shfaqet?


Gripi i derrit është sëmundje që prek sistemin respirator të derrave shkaktuar nga virusi A(H1N1) që zakonisht i atakon derrat.

Edhepse thuhet në literaturë se infeksioni me virusin e gripit të derrit nuk ndodh, megjithatë infeksioni me këtë virus është i mundur dhe shpërhapja e këtij virusi pastaj nga njeriu i prekur me virus në njerëzit e tjerë është fakt që po dokumentohet dhe po ndodh realisht. Kësaj i ndihmon siç e dimë nga njohuritë paraprake se, virusi i gripit e ndërron formën ose strukturën antigjenike, kështu që, praktikisht jemi të pambrojtur sikurse që jemi edhe për gripin e zakonshëm sezonal (si pasojë e kësaj edhe vaksinimi nuk na krijon një mbrojtje të sigurt).

Shfaqja e gripit të derrit është menduar se bëhet (shpërhapet) në të njëjtën mënyrë sikurse edhe gripi sezonal me rrugë aerogjene (aerosole) nga kollitja dhe teshtitja e personave të sëmurë me virusin e gripit përmes ajrit. Te ky grip infeksioni mund të ndodh edhe me prekjen e objekteve të infektuara më këtë virus.

Simptomat te gripi i derrit janë pothuajse të njëjta ose shumë të ngjashme me ato të gripit të zakonshëm (sezonal). Sëmundja fillon një apo dy ditë që nga infeksioni me këtë virus d.m.th koha e inkubacionit është zakonisht dy ditë, por mund të shkojnë edhe deri në pesë ditë; simptomat mund të shfaqen përnjëherë dhe me tërë ekspresivitetin e tyre apo varësisht nga rastet te personat me një imunitet të ruajtur mund të jenë ose shfaqen me intensitet më të lehtë.




Simptomat e gripit të derrit janë:
* Temperatura, e cila pothuajse është çdo herë prezente me vlera mbi 39.4°C në 12 orët e para
* Ftohje (acarim)
* Dhimbje të kokës
* Dhimbje të muskujve
* Humbje të apetitit
* Molisje (lodhje ekstreme)
* Skuqje dhe djegie e syve
* Zënie dhe shkuarje hundësh
* Kollë e thatë
* Dhembje gryke (fyti)
* Te disa raste po lajmërohen edhe marramendja, vjellje dhe diarreja.

Simptomat akute të gripit janë shqetësuese për të sëmurin e atakuar nga virusi edhe në rastin më të lehtë, gjë që shpesh i shtyn të prekurit nga gripi që të lajmërohen te mjeku. Zakonisht të sëmurët përjetojnë një acarim të përnjëhershëm të sëmundjes me temperature të lartë (gjendje febrile, molisje, plogështi, kolla paroksizmike (konvulzive), dhimbje koke dhe dhembje të muskujve apo të tërë trupit që fillojnë 12-72 orët e para. Për shkak se virusi i gripit prek (infekton) mukozat ose epitelin respirator të hundës dhe sinusëve paranazal dhe tërë rrugët e frymëmarrjes deri në alveola do të na shfaqen simptomat dhe shenjat e rinitit, faringitit, laringitit, tracheobronkiti ose edhe pneumonia virale. Pacientët janë të lodhur, të molisur, me sy të përndezur dhe të njomë, me rrjedhje të kthjellët nga hunda, mund të ketë edhe dhimbje në vesh, dhimbje të grykës, humbje të zërit (shterim), dhimbje gjatë kollitjes së sforcuar. Dhembja e muskujve mund të jetë e gjeneralizuar dhe e ashpër që përshkruhet si “më janë këputur këmbët ..apo i tërë trupi”, dhimbja e kokës mund të jetë poashtu shumë e fortë dhe e shoqëruar me lëvizje retrobulbare të syve e shoqëruar me fotofobi, dhe në disa raste kemi edhe prezencën e marramendjes, të vjella dhe diarre. Me ekzaminim fizik vërejmë se kemi temperaturë të lartë që kalon edhe mbi 39°C gjatë ditës së parë ,veçanërisht te fëmijët. Fytyra zakonisht është e skuqur e përndezur (hiperemeke) me lëkurë të nxehtë dhe e njomë (e lagësht). Konjunktivat, membrana timpanike dhe flegrat e hundës po ashtu janë të inflamuara. Tek fëmijët mund të kemi prezent edhe Lymphadenitis.

Në rastet kur kemi vështirësi në frymëmarrje, poashtu gulçitje dhe kërcitje gjatë frymëmarrjes, tachikardi, tachipne dhe hypoxemi, na bën të kuptojmë se kemi komplikime me infeksione sekondare (komplikacione) që janë shkaqet e përfundimit me vdekje të këtyre rasteve.

Diagnostikimi

Hapi i parë në diagnostikimin e sëmundjes është anamneza, ku nga të dhënat që ne i marrim, na dërgojnë deri te një diagnostikim i shpejtë, kjo bëhet me qëllim që të përfitojmë në kohë. Mirëpo, duhet të jemi të vëmendshëm sepse simptomat e lartpërmendura janë të ngjashme edhe me sëmundjet, si, pneumonia, kështu që përveç anamnezës dhe ekzaminimit fizik bëhen :
* Teste virusologjike (strishoja nazofaringeale)
* grafia e mushkërive
* testet laboratorike




Deri te diagnoza virologjike arrihet me: mbjelljen e kulturave virale, detektimin e antigjeneve, detektimine ARN me anë të PCR (Real Time PCR) dhe analizave serologjike

Testet e shpejta për diagnostikimin e gripit të derrit janë:
* Imunofluoreshenca me ç’ngjyroje të antitrupave DFA
* Metoda e RETCIFtm testit që na mundëson detektimin e virusit A H1N1 apo ndonjë tjetër virus në kohë që nuk kalon më shumë se tri orë. Testi është i thjeshtë, si material përdoret strishoja nga pacienti. Ekspertët që zbuluan këtë metodë thonë që testi është pothuajse 100 % i sigurt në kapjen, detektimin e viruseve të gjallë, në këtë rast virusit A H1N1.
Në rastet kur dyshojmë apo kemi komplikime, bëhen edhe analizat, si analizat biokimike, hemogrami dhe radiografia e mushkërive.

VIRUSI I GRIPIT (ORTHOMYXOVIRUS)

Dr. Margaret Hunt

Professor Emerita
University of South Carolina School of Medicine

Përkthyes

Dr. Lul Raka ,spec.i Mikrobiologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës dhe Mikrobiolog në Departamentin e Mikrobiologjisë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës,Prishtinë

Dr.Adelina Tmava,përkthyese,ish studente.

(Më gjerësisht lexoni : http://www.microbiologybook.org/Albanian/Albanian-virol13.htm)

Gripi (influenca) është sëmundje akute ngjitëse që shkaktohet nga viruset e familjes Orthomyxoviridae (figura 1): virusi i gripit A (figura 2), virusi i gripit B dhe virusi i gripit C (figura 3).Termi “grip” shpesh përdoret për çfarëdo sëmundje febrile të traktit respirator që përcillet me simptoma sistemike, të shkaktuara jo vetëm nga virusët e gripit por edhe nga agjentet e ndryshëm bakteror dhe virusët e tjerë.


Shpërthimet e gripit zakonisht ndodhin gjatë dimrit në vendet me klimë të butë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sezoni i gripit zakonisht fillon në tetor apo nëntor për ta mbërritur kulmin prej dhjetorit deri në mars (figurat 4-6).
Potenciali i sëmundjes

Shpërthimet më të mëdha epidemike të gripit lidhen me tipet e gripit A ose B. Infeksioni me tipin B zakonisht është më i butë sesa ai me tipin A të virusit të gripit. Ndërkaq, tipi C lidhet me pasqyrë më të lehtë klinike.

Proteinat

Antigjenët e brendshëm (proteinat M1 dhe NP – figura 1) janë proteina tip specifike (antigjenë specifike) të cilat përcaktojnë tipin e virusit A, B apo C. Proteinat M1 të çdo anëtari të secilit tip kryqëzohen mes veti. Edhe proteinat NP të anëtarëve të secilit tip gjithashtu tregojnë reaktivitet kryqëzues.

Antigjenët e jashtëm (HA dhe NA) kanë më tepër variacione dhe janë specifikë për nëntipet dhe antigjenet. Ato e përcaktojnë nënllojin e gripit A, i cili është përgjegjës për shpërthimin epidemik të sëmundjes.PATOGJENEZA DHE SËMUNDJA

Përhapja

Virusi përhapet nga një person në tjetrin përmes aerosoleve me diametër më të vogël se 10 μm, të cilat futen në traktin respirator. Ai gjithashtu mund të përhapet përmes fomiteve, pasiqë ka aftësi të mbijetojë shkurtazi në mukoza dhe përhapet nëse bie në kontakt me mukozën nazale para se të humb infektivitetin. Koha e inkubacionit është e shkurtër (rreth 18-72 orë).

Koncentrimi i virusit në sekretet e hundës dhe trakesë mbetet i lartë 24-48 orë pasi të shfaqen simptomat dhe mund të zgjasë më tepër tek fëmijët. Titri i virusit është zakonisht i lartë, kështu që në grimcat e vogla ka mjaft virione infektive për të filluar një infeksion të ri.

Vendi i infeksionit

Virusi i gripit infekton qelizat epiteliale të traktit respirator. Këto qeliza vdesin pjesërisht nga efekti direkt i virusit në to, e pjesërisht nga efekti i interferonit. Në stadin e mëvonshëm të infeksionit, vdekja e qelizave mund të rezultojë nga veprimi i limfociteve-T citotoksike. Si rrjedhojë e këtyre veprimeve, pakësohet efekti pastrues i cilieve duke çuar në pamundësinë e largimit të agjentëve infektiv nga trakti respirator. Dëmtimet e epitelit mbrojtës ia lehtësojnë qasjen patogjenëve të tjerë në qelizat e tjera. Megjithatë, viremia është shumë e rrallë.

Shërimi

Interferoni luan një rol me rëndësi në shërim, duke e ulur nivelin e shumëzimit viral. Shumica e simptomave të gripit të pandërlikuar (dhimbjet muskulare, rraskapitja, temperatura) ndërlidhen me induksionin efikas të interferonit. Përgjigjja e imunitetit qelizor është e rëndësishme në shkatërrimin e virusit. Përgjigjja e antitrupave shpesh nuk është sinjifikante derisa të largohet virusi. Riparimi i epitelit respirator fillon menjëherë, por mund të nevojitet ca kohë për t’u kompletuar plotësisht.

Mbrojtja
Përgjegjja humorale është burimi kryesor i mbrojtjes ndaj virusit. IgG dhe IgA janë të rëndësishme kundër riinfeksionit. Antitrupat kundër proteinës HA janë më të rëndësishmit, pasi që neutralizojnë virusin dhe parandalojnë inicimin e infeksionit viral. Efekti i neutralizimit qëndron në bllokimin e ngjitjes së virusit për qelizën epiteliale, por gjithashtu mund të ndikojë edhe në stadet e tjera të hyrjes dhe zhveshjes së virusit. Antitrupat ndaj proteinës NA kanë efekt mbrojtës, pasiqë e ngadalësojnë përhapjen e virusit. IgG qëndrojnë më gjatë sesa IgA, prandaj ato luajnë një rol më të rëndësishëm në imunitetin afatgjatë.

Kuadri klinik

Sëmundja më tepër prek fëmijët e vegjël të moshës nën 5 vjeç dhe të moshuarit. Fëmijëve të vegjël shpesh ju mungojnë antitrupat e virusit të gripit, sepse nuk kanë qenë të ekspozuar asnjëherë ndaj tij. Pastaj, diametri i vogël i komponentave të sistemit respirator tek fëmijët e vegjël e predispozon bllokimin e sistemit respirator, sistemit sinusal apo gypit të Eustahut si rezultat i inflamacionit. Edhepse fëmijët me faktorë rreziku për ndërlikime të gripit tregojnë një nivel më të lartë të vdekshmërisë, shumica e vdekjeve pediatrike ndodhin tek fëmijët që nuk kanë faktorë të lartë rreziku. Tek të moshuarit, gripi është më i rëndë për shkak të rënies së efektit të sistemit imunitar dhe/ose sëmundjeve obstruktive kronike të mushkërive apo sëmundjeve kronike të zemrës.

Hulumtimet e CDC tregojnë se për çdo vit rreth 114,000 njerëz në SHBA hospitalizohen dhe rreth 36,000 vdesin për shkak të gripit. Gripi dhe pneumonia së bashku janë shkaktari numër 6 i vdekjeve në SHBA. Rastet më të shpeshta fatale të gripit i përkasin moshës > 65 vjeç. Hospitalizimi i fëmijëve nën 2 vjeç dhe i të personave mbi 65 vjeç ndodh kryesisht për shkak të gripit. Më 1918 shpërthimi i befasishëm i gripit spanjoll shkaktoi vdekjen e mbi 500,000 njerëzve në SHBA dhe më se 20 milion njerëzve në tërë botën. Shpërthimi i ”Gripit të Hong-Kongut” në vitet 1968-69 la të vdekur më tepër se 34,000 njerëz në SHBA.

Simptomat dhe ndërlikimet

1.Gripi pa ndërlikime

Temperaturë (38 - 40 °C)

Mialgji, dhembje koke

Simptomat okulare - fotofobi, rrjedhje lotësh, dhimbje

Kollë i thatë, rrjedhje hundësh

2. Ndërlikimet pulmonare

Krupi (laringotrakeobronkiti akut)- tek fëmijët e vegjël, simptomat përfshijnë kollën(sikur lehje), dispnenë dhe stridorin (gugatje gjatë inspirimit)

Pneumonia primare nga virusi i gripit

Infeksionet dytësore bakterore. Shpesh përfshihen Streptococcus pneumoniae, Staphylococcus aureus dhe Haemophilus influenzae.

Rritja e niveli të lëngjeve dhe mungesa e pastrimit mukociliar në traktin respirator krijon terren të favorshëm për rritjen e baktereve.

Ndërlikimet shfaqen shpesh tek pacientët me sëmundje kronike obstruktive të mushkërive ose me sëmundje të zemrës. Problemet e lartëcekura mund të kenë qenë të pavërejtura deri para infeksionit me grip.

3. Ndërlikimet jopulmonare të gripit:

Mioziti – Është i rrallë dhe më shpesh vërehet tek fëmijët pas infeksionit me gripin e tipit B.

Ndërlikimet kardiake

Encefalopatia - Rritja e mbikëqyrjes tek pacientët më të rinj se 21 vjeç të hospitalizuar në Miçigen të SHBA gjatë sezonës së gripit të vitit 2002-2003, konstatoi praninë e 8 rasteve të encefalopatisë së shoqëruar me grip (figura 6A). Dy prej këtyre pacientëve( të moshave 2 dhe 5 vjeç) vdiqën. Ndërlikime të ngjashme të gripit janë raportuar edhe në Japoni. Encefalopatia, edhe në rastet kur nuk është fatale, mund të ketë pasoja serioze dhe kjo thekson edhe më shumë rëndësinë e vaksinimit. Asnjëri nga rastet fatale të Miçigenit nuk kanë qenë të vaksinuar.


Sindromi i Rejit – Efektet e infeksionit me virusin e gripit në mëlçi dhe tru janë veçanërisht serioze. Në mëlçi kemi depozitim të yndyrnave, kurse në tru shfaqet edema. Sindromi i Rejit përfshin vjelljen, përgjumjen dhe mund të rezultoj me komë. Mesatarisht 40% e rasteve përfundojnë me vdekje. Origjina e sindromit të Rejit nuk është sqaruar plotësisht, por siç duket përcjell disa infeksione virale, si gripi apo variçella (varicella zoster/herpes zoster),veçanërisht nëse vërehen tek të rinjët që janë trajtuar me aspirinë. Aspirina kundërindikohet për trajtimin e etheve gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës për shkak rë rritjes së rrezikut për sindromin e Rejit. Acetaminofeni dhe ibuprofeni nuk shoqërohen me sindromin Rej.

Sindromi Guillain Barr (polineuriti akut idiopatik) - Shkaktari i këtij sindromi në SNQ mbetet ende misterioz. Ky sindrom përbën një sëmundje autoimune që shoqëron një infeksion viral apo bakteror. Vaksinat e tashme kundër gripit nuk duket se rrisin rrezikun e shfaqjes së sindromit Guillain-Barr.Shumica e vdekjeve të shoqëruara me grip shkaktohen nga pneumonia bakterore dhe pamjaftueshmëria e veshkave. Afër 90% e vdekjeve prekin njerëzit me moshë mbi 65 vjeç.



DIAGNOZA

Diagnoza efikase vehet përmes izolimit të virusit dhe testeve serologjike. Virusi mund të izolohet nga hunda ose gryka. Kjo mostër më pas përdoret për të infektuar qelizat në kulturë (ose vezë). Hemadsorbimi mund të përdoret për të vërejtur qelizat e infektuara. Testet PCR detektojnë ARN-në virale. Kohëve të fundit, janë aprovuar teste të shumta që mund të përdoren nëpër laboratore mjekësore. Diagnoza shpesh mund të caktohet klinikisht bazuar në të dhënat për një shpërthim aktual të gripit, kombinuar me simptomat gjegjëse klinike (temperaturë,kollë,rrjedhje hundësh,konfuzion).

EPIDEMIOLOGJIA

Proteina HA (Hemaglutinina)

Proteina HA përfshihet në përngjitjen dhe fuzionin membranor në endosomin e qelizës së infektuar. Vendi i përngjitjes për receptorët qelizor ndodhet në një xhep (figura 7), që nuk i ekspozohet sistemit imunitar. Domenet antigjenike gjenden në sipërfaqe. Këto mund të ndryshojnë dhe kështu virusi i shmanget përgjigjes humorale pa humbur aftësinë e tij të përngjitjes për receptorët qelizor.

Proteina NA (Neuraminidaza)

Neuraminidaza e zbërthen acidin sialik (acidin neuraminik), i cili ndodhet në sipërfaqen e shumicës së qelizave. Pasi që acidi sialik është pjesë e receptorëve viral, në momentin kur virusi përngjitet për qelize, ai do t’i nënshtrohet endocitozës. Në stadin e vonshëm të infeksionit, acidi sialik do të largohet nga qeliza e infektuar falë neuraminidazës virale duke ju lehtësuar virioneve progjene daljen jashtë qelizës. Neuraminidaza gjithashtu përfshihet në penetrimin e shtresës mukotike të traktit respirator.

Ndryshimet e lehta antigjenike-drifti(rrjedhja)

Këto ndryshime antigjenike ndodhin për shkak të mutacioneve. Antitrupat kundër proteinës HA janë më të rëndësishmit në mbrojtje, edhepse edhe antitrupat kundër NA gjithashtu zenë një vend me rëndësi. Të dy proteinat iu nënshtrohen rrjedhjeve antigjenike (mutacione të akumuluara) duke rezultuar me ndryshime, me ç’rast personi që është imun ndaj formës origjinale nuk ka imunitet edhe ndaj tipit që ka pësuar rrjedhje antigjenike virale. Rrjedhjet antigjenike rezultojnë me shpërthime sporadike të epidemive dhe me epidemi me përhapje të kufizuar.

Ndryshimet e mëdha antigjenike-shiftet(ndryshimet)

Këto ndryshime antigjenike janë rezultat i riasortimit. Në rastin e gripit A, ndryshimet antigjenike ndodhin në trajtë periodike. Në shtamet virale qarkulluese gjinden edhe HA dhe NA të “reja”. Imuniteti është shumë pak i shprehur (sidomos nëse ndryshojnë të dy proteinat, apo shfaqet një HA e re) duke i hapur rrugë paraqitjes së epidemisë/pandemisë.
Prej nga erdhi një HA dhe NA “e re”? Të gjithë 16 tipet e HA dhe 9 tipe të NA qarkullojnë tek rosat, kurse disa tipa të tjerë gjithashtu gjenden edhe tek shtazët e tjera. Duket se disa kafshë (ka mundësi edhe derri), infektohen edhe me viruset humane edhe me ato animale. Njëra nga rikombinimet gjenetike përmban gjene që kodojnë strukturat e komponentave virusale humane por një segment të ri të HA dhe/ose NA nga virusi animal. Nëse ky virusi i modifikuar infekton njerëzit, do t’i ketë komponentat e brendshme të njejta sikurse virusi i rëndomtë human, por komponentat e reja të mbështjellësit do të rezultojnë në imunitet të dobët në popullatë. Prandaj, nëntipet e gripit A janë klasifikuar në bazë të tipeve të proteinave HA dhe NA. Ka mundësi që modifikimet madhore antigjenike nuk i vërejmë te gripi B, sepse për këtë virus nuk ka rezervoar shtazor.
Klasifikimi i tipeve të gripit:
  •  Tipi A, B ose C / vendi i izolimit / numri i izolatit / viti i izolimit
  • Në rastin e gripit A gjithashtu kemi: subtipin HA(H) dhe subtipin NA(N)
 P.sh., tri shtamet për vaksinën e vitit 2009/2010 janë:
  • A/Brisbane/59/2007 (H1N1)
  • A/Brisbane/10/2007 (H3N2)
  • B/Brisbane/60/2006
Shtami H1N1 2009 që është përdorur për vaksinim kundër gripit pandemik të ri H1N1 2009 është:
A/California/ 07/ 2009(H1N1)
Tani ekziston një brengë e konsiderueshme lidhur me shpërthimet e fundit epidemike të gripit të shpendëve të shkaktuar nga shtami H5N1 i virusit të gripit A (figura 10B). Duket se ky virus i shpendëve është në gjendje të infektojë njeriun pa pasur nevojë t’i nënshtrohet një rekombinimi të domosdoshëm në ndonjë kafshë tjetër. Përqindja e vdekshmërisë te njerëzit është e lartë (afër 60%). Fatmirësisht, virusi ende nuk përhapet rregullisht nga zogjët tek njerëzit ose nga njeriu tek njeriu tjetër. Megjithatë, mbretëron frika se ky virus mund të pësojë mutacion ose t’i nënshtrohet një ristrukturimi bashkë me virusin e gripit human dhe të fitojë aftësinë e përhapjes së shpejtë nga një njeri tek tjetri derisa të jetë ende virulent.
Ka mundësi që modifikimet madhore antigjenike nuk i vërejmë te gripi B, sepse për këtë virus nuk ka rezervoar shtazor.






MBIKËQYRJA

Vlerësimi i ashpërsisë së gripit në ndonjë vit më së miri përcaktohet me numrin e vdekjeve të shkaktuara nga pneumonia ose gripi, të cilat krahasohen me normën e përshtatjes stinore (figura 9).

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) siguron një mbikëqyrje të vazhdueshme të shpërthimeve të gripit në gjithë botën dhe zotëron një seri të tërë të laboratoreve “rojtare” për të shikuar se çka po ndodh me popullatën ku qarkullon virusi. CDC vepron njësoj në SHBA dhe bashkëpunon me OBSH-në.

Zakonisht ,virusi më i rëndësishëm i gripit është ai i gripit A, por në disa stinë, tipi B është shkaktari më i shpeshtë i gripit. Kohëve të fundit H1N1 dhe H3N2 shpesh kanë bashkëqarkulluar (figura 10A); proporcioni i secilit virus mund të ndryshojë në mënyrë dramatike nga viti në vit.

PARANDALIMI
Vaksinat

Ekzistojnë dy tipe të vaksinave:

VAKSINA TREVALENTE E INAKTIVUAR (VTI)
Vaksina trevalente e inaktivuar(VTI) është një preparat i inaktivuar i virusit të rritur në vezë (kultivimi) dhe jepet me injeksion. Vetëm disa forma të vaksinës janë çertifikuar nga FDA për fëmijët e vegjël-rekomandimet vjetore të ACIP(shih më poshtë) japin detajet e përdorimit. Mbrojtja bëhet përmes antitrupave të tipit IgG.

VAKSINA E GJALLË E VIRUSIT TË DOBËSUAR TË GRIPIT (LAIV)
Virusi i gjallë i dobësuar i gripit (LAIV- në treg si FluMist) (shiko Mësimet nga Gjenetika) përgatitet prej virusit të rritur në vezë. Jepet tek njerëzit e shëndoshë (ata që nuk rrezikohen për komplikime nga infeksionet e gripit), femrat nga 2-49 vjeç (jo shtatzënat); por nuk duhet të jepet tek fëmijët më të vegjël se 5 vjeç që janë të prekur nga ndonjë sëmundje reaktive e organeve të frymëmarrjes (p.sh. fëmija që ka kaluar gulçimë rekurente). Jepet me rrugë nazale dhe duhet të nxisë imunitetin mukotik, humoral e qelizor. Kundërindikohet tek fëmijët dhe adoleshentët që përdorin çfarëdo terapie, e cila përmban aspirinë(për shkak të rrezikut potencial të sindromit të Rejit, pasiqë virusi është i gjallë).

Të dy vaksinat e gripit formulohen çdo vit, duke përdorur tipet dhe shtamet e gripit që parashikohen të jenë problematikë për atë vit (parashikimet bazohen në monitorimet e vazhdueshme të gripit në tërë botën). Vaksinat janë multivalente, të tashmet janë trivalente dhe përmbajnë dy shtame të gripit A bashkë me një shtam të gripit B. Vaksinën duhet dhënë për çdo vit, sepse shtamet më efikase për vaksinë do të ndryshojnë si rrjedhojë e ndërrimeve gjenetike të virusit. Vaksinat zakonisht jepen në vjeshtë (figura 11),pasi të përcaktohen shtamet stinore për vaksinim në fillim të vitit. Duke dhënë vaksinën në vjeshtë mbrojtja do të jetë maksimale në kulmin e sezonës së gripit. Pasi të dy vaksinat rriten në vezë, ato janë të kundërindikuara tek personat alergjik ndaj vezëve.

(shikoni gjithashtu seksionin e vaksinave)

Rekomandimet e CDC: ”Mjekët duhet të japin vaksinën tek personat që dëshirojnë të reduktojnë mundësinë e prekjes nga gripi (vaksina mund të jepet edhe të fëmijët më të vegjël se 6 muajsh). Personat që punojnë në shërbimet vitale publike këshillohen për vaksinim në mënyrë që të zvogëlojnë në minimum pasojat e efekteve të disfavorshme gjatë përhapjes së gripit. Studentët apo personat tjerë që gjenden nëpër institucione të mëdha ( p.sh. ata që jetojnë nëpër konvikte) duhet të inkurajohen për marrjen e vaksinës për të zvogëluar pengesat në veprimtarinë e tyre gjatë epidemive”.

KIMIOTERAPIA

Zanamiviri (Relenza) dhe Oseltamiviri (Tamiflu)

Dy inhibitorë të neuraminidazës janë aprovuar nga FDA: Zanamivir (Relenza) dhe Oseltamivir(Tamiflu). Ata janë aktivë kundër gripit A dhe B duke reduktuar kohëzgjatjen e gripit të pandërlikuar (përafërsisht rreth 1 ditë në 70-90% të të rriturve) nëse jepen në dy ditët e para të fillimit të sëmundjes.

Deri sot ka pak studime mbi efikasitetin e këtyre barnave në reduktimin e ndërlikimeve serioze tek grupet e rrezikuara kur janë përdorur për trajtim të gripit në krahasim me përdorimin e tyre për profilaksë. Disa të dhëna të limituara tregojnë se këto barna mund të jenë të dobishme. Sidoqoftë, të dyja rekomandohen edhe për profilaksë edhe për trajtim.

Rimantadina dhe Amantadina

Rimantadina dhe amantadina bllokojnë hyrjen e virusit në endozom dhe gjithashtu interferojnë me lirimin e virusit (shiko seksionin e kimioterapisë antivirale). Ato mund të jepen si agjent parandalues gjatë shpërthimeve të gripit, sidomos tek personat e rrezikuar dhe personeli kyç.

Këto barëra janë përdorur me të madhe. Mirëpo, në stinën e gripit të vitit 2005-2006, rreth 92% e shtamit të ekzaminuar H3N2 pësoi mutacion, duke dhënë rezistencë në këto barna, sikurse edhe 25% e shtameve të testuara të H1N1. Probleme të ngjashme janë vërejtur për disa stinë me rradhë, prandaj këto barna nuk rekomandohen më për përdorim derisa të bie rezistenca e shumicës së mutantëve qarkullues. Në mungesë të mutacioneve rezistente ato ishin agjensë të mirë profilaktikë për gripin A (por jo për gripin B), edhepse ka disa probleme për marrjen e tyre afatgjate. Ato mund të jepen si profilaksë gjatë epidemive- sidomos tek personat e rrezikuar dhe tek personeli kyç. Ato, po ashtu, mund të jepen gjatë kohës së vaksinimit për disa javë-derisa përgjigja humorale të ketë pak kohë për t’u zhvilluar. Ka dëshmi se rimantadina dhe amantadina mund ta redukojnë kohëzgjatjen e gripit A jorezistent nëse jepen herët gjatë infeksionit.

Ju duhet t’i lexoni Rekomandimet dhe Raportin e CDC-MMWR për grip që përmban informacione rreth dozimit, efekteve anësore dhe të dhënave më të reja të rekomandimeve vjetore.


TRAJTIMET TJERA

Trajtimet më të mira janë pushimi, lëngjet ,përdorimi i agjentëve kundër temperaturës (jo aspirina tek të rinjtë dhe adoleshentët qëkur sindromi i Rejit është bërë një problem potencial). Keni kujdes për ndërlikimet e sëmundjes dhe trajtoni ato menjëherë.

 
 
 KRAHASIM MES GRIPIT A,B DHE C

TIPI A
 TIPI B
TIPI C
Përmasat e sëmundjes
++++
++
+
Rezervari shtazor
po
jo
jo
Pandemitë tek njerëzit
po
jo
jo
Epidemitë tek njerëzit
po
po
jo (sporadike)
Ndryshimet antigjenike
madhore, minore
minore
minore
Gjenomi i segmentuar
po
po
po
Amantadina,rimantidina
të ndjeshme
pa efekt
pa efekt
Zanamivir (Relenza)
të ndjeshme
të ndjeshme

Glikoproteinat sipërfaqësore
 2
2
(1)

KRAHASIMI NDËRMJET GRIPIT STINOR DHE ATIJ PANDEMIK
STINORPANDEMIK
  • Epidemitë përcjellin profile të njohura stinore; shfaqen çdo vit zakonisht në dimër, në vende me klimë të butë
  • Zakonisht ka një nivel të dobët të imunitetit të krijuar nga ekspozimi gjatë viteve paraprake
  • Të rriturit e shëndoshë nuk janë të rrezikuar nga ndërlikimet; fëmijët, pleqtë dhe ata me sëmundje shoqëruese janë në rrezik për shfaqjen e ndërlikimeve 
  • Sistemet shëndetësore i përmbushin kërkesat e publikut dhe pacientëve 
  • Ka vaksina, të cilat janë krijuar duke u bazuar në shtamet e njohura të gripit 
  • Zakonisht ka furnizim të kënaqshëm me barna antivirale 
  • Mesatarja e rasteve të vdekjes në SHBA është 36,000/vit
  • Simptomat: ethe, kollë, rrjedhje hundësh, dhembje muskujsh. Vdekjet shkaktohen nga ndërlikimet (p.sh.pneumonia).
  • Përgjithësisht shkakton ndikim modest në shoqëri (p.sh. mbyllja e disa shkollave, të sëmurët inkurajohen që të rrijnë në shtëpi) 
  • Ndikim të menaxhueshëm në ekonominë vendore e botërore
  • Shfaqet rrallë (disa herë në shekull)
  • Nuk ka ekspozim paraprak; pak ose nuk ka fare imunitet
  • Njerëzit e shëndoshë mund të jenë të rrezikuar nga ndërlikimet serioze
  • Sistemet shëndetësore mund të jenë të tronditura
  • Në stadet e hershme të pandemisë nuk do të ketë mundësi për vaksinim
  • Dispozicioni i antiviralëve efikas mund të jetë i kufizuar
  • Numri i vdekjeve mund të jetë i madh (p.sh. në vitin 1918 në SHBA kishte afër 675,000 të vdekur)
  • Simptomat mund të jenë më të rënda dhe ndërlikimet më të shpeshta
  •          Mund të kenë ndikim të konsiderueshëm në shoqëri (p.sh. kufizime në udhëtim, mbyllje e shkollave dhe bizneseve, anulim i tubimeve të mëdha publike)
  • Ka potential për ndikim të dukshëm në ekonominë vendore dhe botërore



‘Takimi i gjeneralit Fatmir Limaj- Kryeministrit Albin Kurti?’- Heshtje totale nga dy kampet politike… Çfarë po ‘zihet’?

Ditën e sotme  më datën 5.4.2025. qarkulluan lajme në media se kryetari i Nisma-s, gjnerali i Ushtrisë çlirimtare të Kosovës , dhe Kr...