2018-05-30

KUR JETA S'TË PYET SI E KE EMRIN


Gëzim Llojdia


Në të vërtetë brenda atyre telajove arti shkrihej e gufonte,lëvizte plot nur bukurie,ngjyra e kolorit. Pyeta dhe më thanë se ka qenë dizinjator dhe ka mësuar nga artistët e këtij qyteti, sepse Vlora ky qytet në vitet 70 përjetoi faktorët në historinë e saj. Luftën e çmendur të klasave që asgjëkund si këtu nuk bëhej, por edhe disa shkolla, që morën jetë si shkollën e pikturës vlonjate, të këngës vlonjate dhe të futbollit, ose më qartësisht të sportit vlonjate. Mirëpo një pasdite vere me zagushi ne po rrufisnim kafe me akull në lokalin qendrës tregtare "Riviera", atje në Skelë, ishte një ditë që po mbyllej dhe në tavolinë gjeta poetin e këtij lëmi shtruar Emiliano Stefa, gazetarin Vangjel Sako dhe Luan Toto.
Mendova se ky i fundit për nga rastësia gjendej në një tavolinë me krijues, sepse në tru më ishte ngulitur ideja, dikush kishte shpifur në kohë të qepës se ai ishte një amator.


Artist


E pyeta a hapte më ekspozita dhe më buzëqeshi. Në të vërtetë Totot, unë i kam pas ditur se janë nga krahina ime më saktë nga Kurveleshi i sipërm, Progonati, Totat me emër dhe me dije, dhe Luani ishte nga ajo derë por e largët e famshme dhe bukurish e bukur nga ajo zonë malore, ku guri është mbizotëruesi me njerëz të leshtë siç i themi ne këtej nga qyteti ynë jugor. Luani ndërkaq shkoi diku dhe më solli një libër me plot 400 fletë me një titull impresionant, që dikur edhe unë e kisha përdorur një thënie të bektashinjve shqiptarë:" Dielli lind atje ku e perëndon", mirëpo Luani e kishte zgjedhur disi të veçantë titullin e romanit të vetë historik njëfarë soji kështu:"Dielli perëndoi në lindje" dhe nuk kishte të bënte fare me historinë e bektashinjëve por me historinë dhe ngjarjet tragjike të viteve të para të çlirimit që jetuan ato vite në këtë qytet, ku tërmeti i luftës së klasave ishte ndoshta më i pamëshirshmi sepse këtu këta ishin më fanatik se Papa, pra më komuniste se Marksi më komunistë se vetë e Stalini pa le Enveri.
Pa shqyrtuar librin do të them disa imtësira për autorin,piktorin dhe shkrimtarin dramaturg Luan Toto. Luani thamë se vjen nga dera e Totve. Mirëpo në kujtimet e tij Irfan Bregu, poet dhe gazetar e pedagog shprehet se që kur ishte nxënës në gjimnazin "Ali Demi", ai dallohej në të gjithë djemtë e talentuar në fushën arteve. Pra Luani thotë gazetari i mirënjohur Bregu ishte në krye,madje edhe në artet pamore. Një shqyrtim të këtillë unë e shikoj si një dritare të vlefshme dhe për ti dhënë një përgjigje atij, që e përshkroi si një amator,atij që hodhi një grusht hi dhe krisi e iku si zuzar nëpër natën e tij,në botën e tij të mjegullnajave që jo pak herë kanë mbuluar kohërat dhe njerëzinë. Ndërkohë po u prezantoi shpejt vlerat e tij. Aktor në Teatrin profesionist të qytetit. Ka interpretuar role në dramën shqipe dhe të huaj. Ka shkruar drama si "Sezaiu","Arbeni" ,"Krismat e para".Mirëpo ndërsa krijimtaria e tij po gjente një rreze shprese, drama :"Dritë në qiell" ngeci në vend. I keni parë mullinjtë me një rrotë të ngrënë, repartet aktive në artë kishin shtrënguar ingranazhin, Akuza dramaturgu Luan Tota që kishte qenë student në Poloni ishte në ndjekje si agjent polak, ndërsa i ndërpriten studimet, për të njohur realitetin e egër të burgjeve shqiptare. Unë kam pyetur ish kryetarin e degës së kulturës të asaj kohe H. Bani i cili më ka thënë se Luani është dënuar fare kot, ndoshta edhe për ti zënë vendin e punës. Luan Tota aktualisht është një krijues punëtor. Ka hapur tre ekspozita në pikturë, ka botuar libra dhe një roman historik.


KRIJIMTARIA E LUAN TOTOS
Lëmi, që ai gatuan më mirë është ndoshta piktura. Realizmi dhe qyteti i tij jugor me det shfaqen çuditërisht bukur. Peizazhet i godet mirë. Ka një dorë të vëmendshme që shket me aq kujdes përmbi telajo. Nuk ngopesh për nga bukuria dhe lirizmi kur shikon Ujin e ftohtë. Të kësaj pjese gjen dhjetëra krijime të hedhura duke treguar se arti i tij më parë se të zbres atje është gatuar në shpirt. Në të vërtetë, brenda ndjen poezinë, si ai qelqi që thuhet uji, që zbret, dallgët që shkumëzojnë, shkëmbinjtë dhe plazhet e detit të jugut, gjithë jetë. Mua jo se më pëlqen realizmi por kam nostalgji për këto vende piktoreske,që sa i shikon aq më të magjepse shfaqen, keni parë detin dëshmitarë, dallgët, diellin, perëndimin, bluja e theksuar tek piktorët e Vlorës si vetë ngjyrimi i detit. Unë morra një kalendar të tij dhe pash vjeshtën e thjeshtë pa rivale të vetë,ashtu siç e kishte bërë nëna. Përroskat e pathara ujëshumë, kopshtije të harlisura, ujëvarë, bimësi, banesa, stinë dhe cikle që shumëzohen nën shi, mirëpo tuneli mbetet pjesë e zemrës për vlonjatet. Ai është zgjedhur këtë herë ndryshe, në hyrje por dhe në dalje të tij, për të thënë se bukuria e tij nuk është vetëm në fillesë, dhe ajo që të impresionon janë pemët shkurrnajë me ngjyra befasuese. Ka diçka të veçantë ky piktorë. Diçka që u përngjanë piktorëve të huaj që jo se bënë shumë, por më tepër lirinë e kishin me pashë, ajo që shumë krijuesve pikërisht në këtë vend, ju mungoi.
ROMANI
Kur autori Luan Toto, më dhuroi romanin nuk besova se brenda atyre fletëve do të gjeje një stil të rrallë dhe një krijim mëse të arrirë. Ky roman mund të konkurrojë denjësisht me çdo libër të çdo mjeshtëri shqiptar. Mirëpo libri i L.Totos ka për të fituar. Një arsye mbetet për të shqyrtuar se nëse doni të mësoni jetën e një qyteti siç ka ndodhur në fillesën e viteve të para të çlirimit,në fletët e tij. Një vlonjate siç mund ta themi pa mburrje ka të shkruar atje historinë e tij një dëshmi e gjallë që nga ngjarjet e vërteta,personazhet, gjuhën e përdorur dhe gjithçka që i duhet .Unë do të thosha se ku autor ka rrëzuar në gjunjë qindra krijues nga ata, që nuk lënë rast për tu shfaqur nëpër TV, por L.Toto është i pazhurmë. Për këtë roman kanë dhen vlerësime shumë krijues të mirëfilltë të letrave shqipe që gjithsesi fjalën befasi e kanë në epiqendër të fjalëve të tyre për romanin. Nëse sot janë të mërzitshëm romanet, që servilen nga dhjetëra shtëpi botuese, ky roman është sinqerisht një shoqërues i mirë për lexues të pasionuar. Është fakt i njohur se krijuesit shqiptarë shumë prej tyre me dell, i fshehu koha. Njëri prej tyre Luan Toto
nuk e zbeu koha jonë. Ai gjendet sa në pikturë me penel në dorë, e shikon në qendrën tregtare ku ka ekspozitë dhe nëpër muzgje duke ecur në rrugë me një cigare gjysmë të ndezur, të përhumbur në mendime krijuesi. Kush është ky Luan Toto, njeriu që u etiketua si agjenti polak, jo për gjë, por për ti ndryshuar rrjedhën e fatit të nisur për ta vithisur, mirë po ai mposhtet Luani dhe shpirti i tij ngadhënjimtar? Absolutisht që jo!

Kur vdiq poeti Ali Asllani dhe tre poezi të panjohura, të vitit 1966

Image result for gezim llojdia

Gëzim Llojdia





Me gjuhën e poetit do të shprehem: Ravijëzim në portret. Fytyra e tij regëtinte. Trupi flinte, mendja dremiste. Deshifrimi: Ekzistenca juaj,është burim i pashtershëm poetësh. Frymëmarrja e dimrit tek fytyra e zbehtë e poetit lirik ruante kërcënimin e një dihatjeje të vështirë. Trupi nuk ndjente më sëmbimet e zemrës. Por ajo nuk ndjente më, as klithmën e dalë nga fundi i shpirtit. Frymën e fundit, që kërcënonte dhe e kurthonte me terrin e zi, përgjithmonë e dha në 21 dhjetor. Pak përpara rënies së acarit së parë të shekullit. Pak përpara ardhjes së dimrit të ftohtë. Ne nuk e dimë si vdiq poeti. Ishte në Tiranë. Dimë, se vdiq në vitin 1966. Dhe asokohe bënte 86 vjeç. Kemi mjaft përshkrime të disa autorëve që kanë jetuar aso kohe dhe e kanë njohur se si poeti përshkonte udhën kur shkonte te Lidhja e Shkrimtarëve në godinën te rruga e Kavajës. Në rrugë ecte një fisnik me një bastun. Ishte poeti lirik, diplomat, politikan, ish-kryetar i bashkisë të qytetit të Flamurit. Një përshkrim më të saktë bën shkrimtari Agim Shehu diku në një skicë të tijën. Nga kërkimi nëpër arkiv kemi gjetur një gazetë të zhubrosur, rreth 65-vjeçare, ndërkaq ai i përkiste elitës së shkrimtareve shqiptarë të kohës. Nuk është e vështirë të imagjinohet se regjimi i vendosur pas çlirimit të vendit kishte 22 vjet. Ali Asllani ishte poeti i shumë këngëve të njohura: Kënga e Luftës së Vlorës” dhe më tej poema: “Hakërrim” krijimi, që lindi nga korrupsioni dhe kontrabanda në administratë, fenomene të rrezikshme që ishin njohur më parë edhe në vende të ndryshme të botës. Këtë rrezik që i kanosej vendit nga këto fenomene negative dhe që ishin reale gjatë Luftës së II Botërore,i ka pasur mirë parasysh Ali Asllani,kur shkroi poemën Në atë poemë, ai u bënte luftë shumë të ashpër atyre elementëve të pandershëm e të molepsur, që për hir të pasurimit të tyre, brenda një kohe të shkurtër ishin të gatshëm dhe bënë çdo gjë, në dëm të atdheut, kombit shqiptar. Prandaj ai do të shkruante:

“Hani pini e rrëmbeni,mbushni xhepe-mbushni arka…

Të pabrekë-ju gjeti dreka, milioner ju gjeti darka…

Hani -pini e rrëmbeni,është koha e çakenjëve,

Hani-pini e rrëmbeni, është bota e maskarenjëve…

Dallavera nëpër zyra, dallavera në Pazar,

Dallavera me të huaj, dallavera me shqiptarë…

Dhe për një kërkoni-pesë..por më mirë njëzetë e pesë

Le të rrojë batakçiu, dhe i miri le të vdesë…

Edhe pse ishte nëpunës i regjimit ai i dënonte ato akte që shkonin kundër moralit të tij. Të flasësh për Ali Asllanin, për këtë personaliet të shquar dhe veprën e tij të ndritur, për kontributin që ai ka dhënë në favor të popullit të Vlorës dhe mbarë Shqipërisë, e themi me bindje se nuk është shumë e lehtë. Por vepra, që ai ka lënë pas, aq e qartë e kuptueshme dhe shumë e dashur për të gjithë, për të folur diçka nga ajo veprimtari e madhe dhe shumëllojshme, e asaj jete të gjatë, plot brenga, por gjithmonë krenare. Veprimtaria e Ali Asllanit në vendin tonë, ishte shumë e gjerë dhe në shumë fusha të jetës politike e shoqërore. Ai dha një kontribut të shquar dhe të pa zëvendësueshëm, si intelektual dhe patriot, si pushtetar dhe diplomat,e në të gjitha këto fusha ku punoi, la gjurmët dhe shkëlqimin e tij, si drejtues me nivel të lartë e me ndërgjegje të pastër.

Kur vdiq poeti Ali Asllani
Ja njoftimi, që jep, në 25 dhjetor 1966, gazeta e shkrimtarëve të realizmit socialist, “Drita” kur shkruan: “Më 21-XII-1966 vdiq në Tiranë, në moshën 86 vjeç, poeti Ali Asllani, anëtar i Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve. I shprehim ngushëllimet tona familjes.” Më poshtë, redaksia e kësaj gazete ka vendosur edhe një vjershë si dhe një shënim, ku thotë: “Këtë vjershë Ali Asllani e pat dërguar në redaksinë tonë për botim disa javë para se të vdiste”. Gazeta: “Drita”, 25 dhjetor 1966. Një pyetje e vogël ngrihet. Poezia ishte shkruar në shtator të vitit 1966. Nëse ishte dërguar para disa javëve, përse nuk ishte botuar, mirëpo dihet edhe fakti, që poetin e politikanin ish- kryetarin e bashkisë së Vlorës e ndiqte nga pas hija e mos botimit. Poezia titullohej: “Le të jemi krenarë”. Po e japim të plotë poezinë, shkruar në stilin e tij, por që i kushtohej kohës.

Le të jemi krenarë

Shqipëria jon’ tashi

di të bëjë diell e shi,

di të bëjë shi e diell,

sepse kokën e mban lart,

sepse rrënjët i ka thellë!

Le te jemi, pra krenarë!

Që nga len te perëndon,

e kush është si vendi jonë?

Si në tok’ edhe në det

kemi pjesën më të bukur,

në të bukurin planet!

Le të jemi pra krenarë,

dy milionë thua shqiptarë,

fis fisnik në radh’ të parë,

titan ishim, titan jemi

dhe përhera gjithë titan,

rreptësonet shum’ shqiponja.

kurse matet me tufan!

Shtator 1966.

Dy poezitë e tjera kushtuar sistemit
Të botuara në këtë gazetë në vitin e ikjes së poetit lirik

Në gazetën: “Drita” të vitit 1966 gjejmë edhe dy poezi të tjera, të cilat nuk kanë atë shkëlqimin e dikurshëm të lirikut poet, që ashtu si kishte mbiemrin kishte edhe vargun poetik, asllan. Sigurisht, që në kontekstin e kohës, Asllani ashtu vetëm mund të gjente dyert hapur për autorin e këngës së Vlorës, pra një dritare të vogël botimi. Poeti ishte gjallë, mirëpo poezia e natyrës së tij, mund të thuhet, në këto vite kishte lindur e vdekur. Kur vdiq poeti, këto poezi të kësaj kohe janë anashkaluar me të drejtë, mirëpo për hir të së vërtetës, po i risjellim, 65 vjet më pas. Poeti A. Asllani mbahet mend për lirikat e bukura aq poetike e shpirtërore, saqë një poet i tillë mundi t’i thurte e t’i latonte mjeshtërisht e bukur. Shiko si e thur ai poezinë e lirë, atë që nga shpirti i buron vetë. Ali Asllani, për fshatin, Vajzë:

“Në krye të fshatit ka një deli krua,

Uj’ i tija akull derdhet në përrua

dhe në krahun tjetër varet nga një mal,

një përrua i rreptë me uturim’ e valë

Mu në mes të tyre bregu Allatoj

dhe shtëpitë e fshatit si fole fajkoi

fshati babagjyshi,t fshati më i mirë

nga ata,që thuhen Labëri e lirë!

Aty ndën shkallë blegërin shelegu,

aty përmbi shkallë po gjëmon dybeku,

rreth e rrotull lëmit djemtë heqin valle,

nën rrap, në hije pleqtë qajnë halle.

Lahure qëndisur bedenë-bedenë

seç i paska hije asaj protone,

asaj protoene me një furk në sqetull,

që e ther e që e gris me sy e me vetull,

andej disa koce shkojnë në krua,

këtej bagëtia varet në përrua,

me kërrabë në dorë një djalosh,

përmbi sy kësulën,vërshëllim përposh…



Ja dy poezitë e tij botuar në gazetën: “Drita”, viti 1966.

E vërteta dërmon hekur

Kur ia bënte pushka vu,

A e dini këto nëna,

luftë me hasmin hundë-hu,

sa kanë vuajtur ato hëna?

Që të sillnin bukë për çeta

shkel e shkuan mbi bajoneta;

Nëpër gjurma të një mushku,

Pinin ujë me fleta dushku!

Herë i thyente poshtë përpjeta,

Herë i thyente tatëpjeta,

E çfarë buke?një kothere!

Me dy grushte manaferre.

Në fshat foshnjat me pahir,

mbaheshin me hirrë dybeku,

dhe si kecër, kec i shtirë

zor ua mbante kokën zverku!

Ja pse njeriu i ri

mbetet hasmi i çakallit.

Lavdi nënës Shqipëri,

gjithë këta fidan flori

sot i ruan si sytë e ballit!

Mijëra shqerra, mijëra ftuja

veshur ngjeshur me tërtër, (fije ari)

u zhvesh pasha me tre tuja,

po u vesh një fis i tërë.

U çel nëna tungjatjeta!

U çel nena djegur pjekur;

Shif!e drejta e vërteta

se si vjen dërmon hekur.

Kënga e një plaku



Them të shkruaj një poemë

Qoft’ lirike, qoft’ epike,

do ma vargjet me derhem,

të mos dalin shtatanike.

Rrëmoj gjurmët titanike,

Dëgjoj këngët heroike,

Dëgjoj këngët, ato këngë,

Këngë e gunave pa mëngë.

A e njihni Arbërinë,

mos ja prekni krenarinë,

tanim na erdhi radha,

e udhëhequr nga një dritë,

Shqipëria monolitë,

merr e jep me re të bardha.

Po ju flas sepse këtu,

treqind muaj edhe t’hu,

e vërteta ja bën, mu.

Vendi ynë tani po thuaj,

di ta ndez dhe di ta shuaj,

le të jetë lumi turbull,

ne do hidhemi përtej,

kjo shqiponjë që di e ngrihet,

e di mirë se ku do vej’.

Pra, poemë e një poeti,

S’do rënkojë paskëtaj

kjo muzikë eterniteti,

do vazhdojë në tel të saj.

Vendi ynë përher’ nerënzë

kurdoherë sumbulloret,

kënga jonë përhera këngë,

sevdallesh e këtij vendi,

veshur petka prej argjendi,

mot e jet do rrotullonet.

Unë me të vërtetë besoj se poezia është forma më e lartë e shkrimit, por poezitë e mësipërme janë thjeshtë një pasqyrë e kohës dhe atij realiteti, gati skematike. Po të shikosh në tërësi krijimtarinë e Ali Asllanit të mrekullon në atë radhitje fjalësh, figurash e strofash që vazhdon magjepsjen me rininë e përhershme të vargut,me finesën estetike e sensualitetin e thellë. Intuita e tij poetike i kapërcen kufijtë e një përpunimi të zakonshëm të ligjërimit artistik,ku shfaqet shfaqet një harmonizim i rrallë për tingëllimin kuptimor,i ngritur mbi themelet e atij leksikor e fonetik. Ai hyri në thellësinë e labirinteve të gjuhës,duke nxjerr në dritë muzikalitetin e ëmbëlsinë e vargut. Me një dorë prej artist endi në tezgjahun e Labërisë duke thurur e bashkuar harmoninë e tingujve,ekspresivitetin e fjalës e vargut,të strofave,e të krejt poezive të veta. Ali Asllani lindi dhe jetoi me poezinë,atë poezi plotë dritë e hije,plot kontraste e antiteza. Kontrastet dhe krahasimet zbulojnë kulmet ideore, që lexuesi të shikojë përmes dritares së mendjes atë forcë që:
sikur një gur stërrall

në gji zjarrin e ka ngjall

qoftë në lum e qoft në det

zjarr i tija nuk humbet!

Ky është vargu i tij, me rrezatim drithërues që, sa të bën për vete, aq edhe të degdis tutje, atje ku përqafohet me jetën, puthet me pëllumbeshën, shullëhet me guguftunë…nusëron me stil të vjetër, po të ndjek me zjarr të ri”, duke u stacionuar në gjirin e poezisë popullore të ngritur mbi themelet e vendlindjes. Këtu mori nektarin e poezisë, përthithi e beri të vetin mençurinë e vargëzimit, ndjeshmërinë e mendimit poetik, psikologjinë, si dhe reflekset e botës shpirtërore, të shfaqura në një sintezë të thellë të urtësisë dhe filozofisë popullore, e kështu duke krijuar atë që Ali Asllani e quan: Poezi e një poeti,-jo, jo këng ‘eterniteti… Mirëpo duke zgjedhur të qëndronte nën një regjim, që nuk e shikonte më sy të mirë, poeti s’kishte rrugë tjetër. N, Jorgaqi ka shkruar rreth kësaj çështjeje Nëse Lasgushi u mbyll nën vetvete, madje edhe ne shkollarët e dinim të vdekur dhe u habitën kur shtypi dha njoftimin për ikjen e tij në parajsë, poeti lirik lab provoi më kot të vazhdonte atë rrugë me poezinë e bukur të tij, poezinë e lirë, të pastër dhe të sinqertë, që e kishte shkruar vite më parë dhe nën një regjim tjetër. Shumë nga miqtë e tij, i propozuan Ali Asllanit, në përfundim të luftës, që të largohej nga Shqipëria, por ai një gjë të tillë nuk e pranoi. Ja vlerësimi i Ago Agaj nga Smokthina në librin Lufta e Vlorës,1920, faqe 149: “Qofsh i mallkuar-o Ali Asllani, në të dyja jetët -që s’u arratise “bashkë me ne dhe t’i kishe kënduar lirisht, dhe denjësisht këngët e kësaj epopeje…!”.Autori shkruan me respekt për Ali Asllanin, kur përmend atje poemën “Vlora-Vlora” dhe me të vërtetë, në ato vende të lira që Ali Asllani i njihte shumë mirë, patjetër që do të këndonte më shumë e më bukur, asaj ngjarjeje, sepse kushtet andej ishin më të mira e të favorshme për të. Por ai, si patriot, atdhetar i madh që ishte, nuk u largua nga vendi i tij, duke mbetur kështu, një shembull i shkëlqyer.

“GJUHA SHQIPE ËSHTË TABANI I TABANËVE TË KOMBIT”




Kush e “vrau” Prof. Eqrem Çabejin?

Njoftimi i drejtores për hapjen e dokumenteve të periudhës së diktaturës komuniste, se këtë vit vëmendja kryesore do t’i kushtohej “Akademikëve në regjimin komunist” është mirëpritur. Kjo shpjegohet, se akademikët kanë qenë elita e intelektualëve, prandaj edhe u godit e para dhe ashpër. Madje ky ballafaqim, me të shkuarën komuniste për akademikët, do të fillojë me Prof. Eqrem Çabejin. Profesor Eqrem Çabej është mali i lartë i shkencës së gjuhësisë shqiptare, por brezi i ri, madje edhe lexuesi i gjerë nuk ka përgatitjen dhe përvojën shkollore për të ditur veprën shkencore të profesorit. Në një vështrim tërësor mund të thuhet se meritat, prurjet shkencore dhe ndikimi i tyre në fushën e gjuhës dhe të kulturës shqiptare është e pamasë. Ndofta dy nga vlerat do të ishin ndër më të rëndësishmet në veprën e tij shkencore: Ajo në fushën e historisë së gjuhës shqipe dhe e dyta, marrëdhëniet e shqipes me gjuhët ballkanike dhe evropiane. Vepra e tij “Studime etimologjike në fushën e shqipes”, prej shtatë vëllimesh, është një sintezë madhore e gjithë krijimtarisë së tij shkencore. Shto këtu edhe mbi 200 tituj veprash, artikujsh e leksionesh mësimore, për të kuptuar madhështinë e këtij dijetari të shkallës evropiane.

Eqrem Çabej lindi ne qytetin e gurtë të Gjirokastrës ku kaloi fëmijërinë dhe mbaroi shkollën qytetëse me përfundime të shkëlqyera. Studimet universitare i mbaroi në Vjenë (Austri). Aty Çabej mbrojti doktoraturën me temën “Studimet italo-shqiptare”. Këtij të riu të talentuar, që pati profesorët më të shquar të kohës, si P. Kreçmer, albanologun e shquar Norbert Jokli, arkeologun dhe historianin Karl Paç etj., i propozuan që të qëndronte në universitetin e Vjenës si asistent i profesor Joklit. Profesor Shaban Demiri na thotë: “Balta e mëmëdheut për të sapodiplomuarin shqiptar ishte më e ëmbël dhe më joshëse se bulevardet e kryeqytetit të ish-Perandorisë Austro-hungareze. Ajo e ftonte atë të kthehej në gjirin e popullit të tij për t’i shërbyer atij deri në fund të jetës.” (Shaban Demiri: “Eqrem Çabej – Një jetë kushtuar shkencës”, Tiranë, 1990, f. 18.) I diplomuari i universitetit të Vjenës, Eqrem Çabej, u kthye në Tiranë dhe u caktua nëndrejtor i konviktit: “Malet tona”, pranë gjimnazit të Shkodrës me të drejtë për të dhënë mësim në atë shkollë. Më vonë e transferuan në Shkollën Normale të Elbasanit, pastaj në gjimnazin e Gjirokastrës, në gjimnazin e Tiranës etj. Kudo që jepte mësim shquhej për nivelin e lartë shkencor dhe për sjelljen fisnike, siç kujtohet nga shumë ish-nxënës. Tipari më i lartë publik-shoqëror i Çabejit ishte atdhetarizmi, në kuptimin më solemn të fjalës, ku përfshihet në radhë të parë: Përkushtimi shkencor, intelektual gjatë gjithë jetës për mbrojtjen, zhvillimin dhe lartësimin e gjuhës shqipe që, siç thoshte ai vetë “Gjuha shqipe është tabani i tabaneve të kombit”. Në këtë hulli është edhe ligjërata që mbajti më 25 korrik të vitit 1930, në ceremoninë e varrimit të atdhetarit të njohur të Rilindjes, Bajo Topullit. Ai tha, midis të tjerash: “Bajo, prehu. Dergje trupin tënd te balta jote. Për Atdhenë, që e bëre dhe na e le trashëgim, mos ki frikë! Ne djalëria betohemi… se do ta ruajmë, qoftë edhe me gjakun tonë. Flas për lirinë e kombit”. (Vep. cit., f. 30.) Vitet ’30-40 të shekullit të kaluar ishin vitet e një krize botërore. Fashizmi dhe nazizmi kishin ardhur në fuqi në Itali dhe Gjermani. Bota ishte në prag të Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria, me politikën kapitulluese dhe marrëveshjet e ndryshme ushtarake, ekonomike etj., të mbretit Zog, ishte në prag të humbjes së lirisë. Ajo u bë viktima e parë e pushtimit fashist italian, më 7 prill 1939. Pushuesit fashistë u përpoqën ta joshnin Çabejin me ofiqe dhe poste administrative. Autoritetet italiane më 1942 dhe gjermanët më 1943 i propozuan që të bëhej Ministër i Arsimit në qeverinë kuislinge të Tiranës, por ai nuk pranoi:

“Kam hedhur poshtë çdo propozim për bashkëpunim me të huajt – shkruan Çabej në autobiografinë e vet – çdo gjë që nuk pajtohej me nderin tim si shqiptar dhe me të mirën e vendit e të popullit.” (Po aty, f. 23.) Një akt madhor i atdhetarizmit të Prof. Eqrem Çabejit është refuzimi i hapur për anëtarësimin në institute shkencore të krijuara nga fashizmi. Dje edhe sot shumëkush do të lëpihej, do të zvarritej si zvarranik, do të paguante, që të anëtarësohej në institute të larta shkencore, ndërsa Çabej i madh i tha: Jo dhe jo! Ja dhe letra e datës 27.9. 1942, drejtuar kryetarit të Institutit Mbretnuer të Studimeve Shqiptare, ku ndër të tjera shkruante: “Ju lutem, në mënyrë miqësore, të keni mirësinë e të më shlyeni nga lista e anëtarëve të Institutit të Studimeve Shqiptare. Arsyeja e kësaj kërkese është se, si mis i këtij Instituti figuron Atë Fulvio Cordignano, të cilin unë nuk e njoh personalisht, veçse njihet botërisht si armik i rreptë i racës shqiptare.” (Vep. cit., f. 23.) Pas çlirimit të vendit nga pushtuesit e huaj nazifashistë filloi punën si mësimdhënës në Institutin pedagogjik dy-vjeçar dhe, me krijimin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, më 1957 bëhet punonjës shkencor në sektorin e gjuhësisë, që drejtohej nga Aleksandër Xhuvani. Kam pasur fatin e rrallë, që në vitet kur isha sekretar shkencor i Institutit dhe të Fakultetit të Filologjisë ta njoh nga afër dhe të punoj me dijetarin e shquar, Eqrem Çabejin. Zyra ime si sekretar shkencor ishte përballë dhomës së punës së Aleksandër Xhuvanit, Eqrem Çabejit dhe Mahir Domit, që ishte në katin e parë, djathtas, kur hyn në ndërtesën e Fakulteti të Filologjisë. Çabeji ishte i thjeshtë, fjalëpakë, si dhe gjithmonë i vëmendshëm ndaj çdo njeriu, pavarësisht nga statusi qytetar. Pyeste dhe interesohej për çdo material gjuhësor, folklorik, etnografik, që sillnin punonjësit e rinj nga ekspeditat kërkimore në terren. Nuk harronte kurrë që, edhe për informacionin më të thjeshtë që i komunikoje, të shënonte në referencat: “Kumtuar me gojë nga… ” Çabej gëzonte nderimin e gjerë të punonjësve shkencorë dhe shquhet për studime cilësore. Por ndaj tij ushtrohej një presion i vazhdueshme dhe me paramendim. Shkrimet e tij shiheshin me syrin e luftës së klasave. Kështu, kur studimet e tij u botuan në dy vëllime, vëllimi i dytë doli para të parit, që u hoq nga qarkullimi, sepse në hyrjen e vëllimit të parë prof. Çabej vlerësonte me të drejtë edhe prurjet e shënuara të klerit katolik. Një rast tjetër stresues për të ishte edhe mbrojtja e titullit kandidat i shkencave. Prof. Çabej, që titullin e lartë shkencor “doktor” e kishte marrë në Vjenë, tani i kërkohej të mbronte diçka të një shkalle më të ulët, Oponente e disertacionit të Çabejit ishte profesoresha e njohur e studimeve indo-europiane, sovjetikja Desniskaja. Ishte prekëse kur ajo, gjatë referimit, i drejtohej kandidatit me fjalën nderuese “uvazhaja profesor Çabej” [i nderuar profesor] vazhdimisht. Ajo grua e mençur nderonte kolegun e vet, që pushteti popullor e kishte vënë në pozitat e nxënësit. Prof. Eqrem Çabejin e kishin ndaluar të dilte jashtë shtetit, edhe pse të shumta ishin ftesat për pjesëmarrje në forume, konferenca e kongrese ndërkombëtare për problem të gjuhësisë. Pas vitit ’60 të shekullit të kaluar qëndrimi ndaj tij u zbut pak. Hoxha, në një takim me intelektualët e Tiranës, pas prishjes dramatike të marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, kishte thënë se Çabej nuk mori në këpucë baltën e mëmëdheut dhe të largohej, si bëri Namik Resuli e ndonjë tjetër, por punon bashkë me gjuhëtarët e rinj për shkencën shqiptare. Dalja e parë jashtë shtetit e prof. Çabejit për të marrë pjesë në një konferencë shkencore në Munih, kujton prof. Jorgji Gjinari, e kishte ndryshuar profesorin, e kishte rinuar. Ligjërata e tij në atë forum elitar të studiuesve gjermanë ishte mallëngjyese për ne. Atë e duartrokitën duke u ngritur në këmbë, për disa minuta me radhë. Profesor Shaban Demiri dhe ne të tjerët (delegacioni përbëhej nga 7 anëtarë) u përlotëm. Profesori u kthye në Tiranë i ndryshuar, i energjizuar, iu shtua buzëqeshja. Por pas pak ditësh Çabejin e kishte thirrur shefi i partisë së Institutit Gjuhësi dhe Letërsi, komunisti bollshevik Koço Bihiku dhe e kishte paralajmëruar me fjalë të ashpëra se nuk duhej t’u puthte dorën zonjave të huaja, se kjo donte të thoshte përulje ndaj borgjezisë reaksionare. Profesori kishte ngrirë në vend dhe i ishte përgjigjur: “Ju lutem, mos më dërgoni më jashtë shtetit, se unë kështu jam mësuar”. Aty nga vitet shtatëdhjetë të shekulli të kaluar shpërtheu lëvizja e fletë-rrufeve, që ishte një imitim i tacibaove kineze. Nëpër qendra pune, institucione, shkolla etj., u dukën fletë-rrufetë e para, që kritikonin hapur e publikisht njerëz, forume etj. Një ndër fletë-rrufetë e para, që u duk në muret e Institutit Gjuhë-Letërsi ishte ajo për profesorin e njohur Eqrem Çabej. Disa punonjës të sektorit të arkeologjisë në atë fletë-rrufe, i kërkonin profesorit të shpjegonte arsyet pse nuk kishte folur për arritjet e arkeologjisë në fushën e kulturës ilire. Kaq u desh dhe profesori sa herë jepte përgjigje, të nesërmen vihej fletë-rrufeja tjetër, “Thellohu profesor… Thellohu!” Profesori, i hutuar dhe i tronditur, shihej tek kopjonte fletë-rrufetë e varura që të përgjigjej. Dhe kjo vazhdoi për disa muaj. Ndofta, shtysat e arkeologëve për fletë-rrufenë ishin profesionale, por ishte shefi i partisë së Institutit ai që i nxiste, duke u thënë që asnjë lëshim të mos bëhej ndaj pikëpamjeve borgjezo-revizioniste. Pas kësaj fushate keqdashëse me prapavijë politike prof. Çabej u duk se u mpak dhe u plak. Ecte i vetëm anës rrugës dhe shpesh kthente kokën pas, se si duket i tingëllonte në tru thirrja “Thellohu profesor, thellohu!”. Ka mijëra e mijëra raste se si në këtë botë vdesin njerëzit, duke përfshirë edhe me plumb, ose me gaz helmues, si ajo përdorur nga KGB-ja ruse kundër agjentit të dyfishtë Aleksi Sergej në Londër. Por ka edhe mënyra më “të buta”, më të sofistikuara, si ajo e stresit publik (kupto: poshtërimit publik). Pas atyre fletë-rrufeve të mallkuara profesor Çabej nuk e mori më veten, shpejt iu shfaq sëmundja vdekjeprurëse dhe në gusht 1980 u nda nga jeta. Ai la pas të pambaruar veprën e tij të madhe. Hapja e dosjes së Eqrem Çabejit pritet të zbulojë fakte dhe njerëz të përfshirë kundër tij. Por nuk kam besim se ndonjëri do të kërkojë të falur publikisht, sepse autorët e fletë-rrufeve dje ishin “shoku” dhe zgjidheshin në forumet e partisë nëpër rajone ose edhe në Komitetin Qendror të PPSH, sot janë “zoti”, pra demokratë të thekur, të cilët kanë qenë dhe janë në krye të forumeve shkencore. Gjer tani hapja e dosjeve ka filluar dhe mbaruar me zbulimin e dokumenteve dhe me ndonjë shkrim ose program televiziv dhe asgjë më tepër. Shoqëria shqiptare, e veçanërisht shoqëria civile, e cila organizon demonstrata edhe për vendin e lojërave të fëmijëve në parkun Qendror ose për plehrat e të tjera, do të duhej të ishte në krye të kësaj dukurie shoqërore, që të kërkonte që në ato institucione, ndërmarrje etj., ku është bërë gjykimi i njërit ose tjetrit disident, të cilët për hir të së vërtetës patën ideale liberale dhe demokratike dhe meritojnë t’iu behej edhe kërkesa për ndjesë publike. Kështu, do të ishte e mira të ndodhte që në sallat e kinemave të qyteteve tona ku gjatë diktaturës kërkohej dënimi kapital për intelektualët e nderuar, elitën e fushave të shkencës shqiptare me thirrjet histerike “Krimineli në litar!”, po në ato salla të kërkohej publikisht falje madje edhe në forumet e shkrimtarëve të kërkohet falje publike. Para disa muajve botova një shkrim me titullin “Mirë historiani i shquar – po gjuhëtari madh?”, ku kërkoja që pranë bustit të Aleks Budës të vihej edhe ai i Eqrem Çabejit. E para, ky veprim mënjanimi ishte i padrejtë dhe njëanshëm. Profesor Eqrem Çabej, ky gjeni i gjuhës dhe kulturës së lashtë dhe burimore shqiptare, meriton një përmendore para ndërtesës së Akademisë së Shkencave si përfaqësues, si simbol i gjithë shkencave shqiptare. Çdo shtet nderon në mënyrë solemne përfaqësuesit më tipikë të shkencës dhe kulturës së vet kombëtare. Para Qendrës së Bashkuar të Akademive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës qëndron Albert Ainshtaini. Në Kinë para ndërtesës së Akademisë së Shkencave rri Konfuci… Është një gjë paradoksale që tek ne personalitetet më të larta të historisë, kulturës, artit dhe shkencës nderohem jo me monumente, por vetëm me buste. Shih bustet e vëllezërve Frashëri, ikonat e kombit shqiptar, që meritojnë përmendore; ndërsa për mbretin Ahmet Zogu kemi shtatore mbi 2 metra. Ndërsa për ikonat e kombi, për simbolin e shkencave shqiptare, Eqrem Çabejin, pritet të vënë vetëm një bust. Në Central park në Nju Jork sheh plot përmendore për personalitete, gjeneralë të shquar etj., dhe nuk kam parë asnjë bust. Kudo që shkonte, në tubime shkencore evropiane, ose për të mbajtur leksione në Universitetin e Prishtinës, Çabej, me mendimin e thellë shkencor dhe sjelljet fisnike, linte përshtypje të rralla. Në Prishtinë, sa herë shkonte për leksione, studentët, intelektualët e shumtë, kolegët e prisnin me nderime të veçanta. Në auditorët ku profesori mbante leksionet ishte varur parulla: “Atë që Skënderbeu bëri me shpatë, Prof. Eqrem Çabej e bëri me penë”.


*****

Image result for agron fico

Akademik Prof.Dr. Agron Fico, është fitues i çmimit të Republikës, studiues i mirënjohur në fushën e krijimtarisë popullore, krijues i katedrës së gjuhës shqipe në Pekin dhe Detroitsi dhe nënkryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve -Shqiptaro-Amerikane Nju Jork. Veç të tjerash profesor Fico është autor i disa librave publicistikë, si “Profesor në tri kontinente”, “Diaspora e rilindur”, “Rilindja e Shqipërisë etnike”, si dhe artikuj publicistikë.

Enver Hoxhës i shtypa diplomën e Luftës dhe Sali Berishës atë të shkollës




Rrëfimi i 89-vjeçarit Guri Lubonja, dhënë për “Telegraf”, më janar 2009 / Në moshën 12-vjeçare mësova makinën e shkrimit. Si shtypa materialet e Luftës të Enver Hoxhës dhe disertacionin e Sali Berishës





Duart nuk më kanë lënë akoma. Ulem mbi makinën e shkrimit që e kam mësuar në moshën 12-vjeçare dhe hedh herë pas here mendime dhe shkrime. Më mundon pak shikimi. Deri tani janë me mijëra fletët e shkruara nga dora e Guri Lubonjës. Mbetet një nga të fundit liceist që ka pasur profesor Enver Hoxhën. Këtë fakt ai e shpreh me krenari. Jo vetëm që e kisha profesor, por pata rastin që në vitet e Luftës të radhis materialet e shkruara nga dora e tij. Materialet që kishin të bënin me punën e partisë nënshkruheshin: “Tarasi”, ndërsa ato që kishin të bënin me Luftën dhe shtypin nënshkruheshin: “Shpati.”
-Si mësuat të shkruanit me makinë shkrimi?

-Unë kam lindur në vitin 1920 në qytetin e Korçës. Në moshën 12-vjeçare unë mësova të shkruaj me makinë shkrimi. Unë rridhja nga një familje punëtorësh. Babai ishte murator. Por ai nuk ma preu hovin për të marrë njohuri e dije të kohës. Unë mbarova Liceun Francez, në vitin 1938. Por mundësia për të punuar me makinë shkrimi m’u dha më përpara.
-Si u krijua kjo mundësi?

-Dhori Kotin që kishte shtypshkronjë nëna ime e kishte xhaxha. Ai më mori në shtypshkronjë në kohën e pushimeve dhe më mësoi zanatin. Unë shkoja merrja libra tek ai dhe më pëlqente makina e shkrimit. Unë ndoqa Liceun Francez dhe në pushime vija e punoja në shtypshkronjë.. Kjo më ndihmoi që unë të isha mes atyre punonjësve që përdorën teknikën e kohës në dobi të Luftës duke shtypur trakte, komunikata, buletine të ndryshëm, materiale të udhëheqjes.
-Kur e kini njohur Enver Hoxhën?

-Unë e pata profesor. Në mendje më mbeti qartësia e të shkruarit prej dorës së tij. Unë që në vitin 1938 kam qenë me Grupin Komunist të Korçës. Pasi mbarova Liceun unë nisa punë në shtypshkronjën e Dhori Kotit. Punova në këtë shtypshkronjë deri në vitin 1942. Gjatë kësaj kohe unë shtypja komunikata, trakte. Pastaj u hodha në ilegalitet se më vunë në shënjestër armiqtë. Në tetor të vitit 1942 kam shkuar në Moçan të Gorës ku kishte një teknikë të shkrimeve. Aty takova Enver Hoxhën dhe unë u lidha me Shtabin e Përgjithshëm. Më urdhëroi që të shkoja të punoja me teknikën e shtypit që ishte vendosur tek Guri i Muzhaqit.
-Sa kohë qëndruat në atë shpellë ?

-Aty mbushëm 14 muaj. Ishim tre veta në radhitje të materialeve, një në pedalinë dhe një korrier. Ishim partizanë që luftonim me tjetër armë. Ishim pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së dalë nga populli. Me mua ishin edhe dy vëllezërit Andon Deçka që shërbente si kuzhinier i shtypshkronjës më të rrallë në ato muaj që ishte ngritur në një shpellë dhe Qiriako Deçka që përdorte pedalinën, një makineri që shërbente për të shtypur materiale. Pastaj na diktuan dhe ne u shpërngulëm për në Shpat të Çermenikës, ku aty gjeta Dhimitër Shuteriqin së bashku me Myneverin, që u njohën aty dhe u martuan më vonë.

-E njihnit kur ishte në Korçë?

-E mbaja pak mend, se ishte më i madh nga unë. Por, kur u bashkuam me teknikën e shtypit të partisë u njohëm më mirë dhe e mbajtëm miqësinë në Tiranë.

-Në ato muaj Lufte çfarë shtypnit tjetër?

-Veç materialeve që na dërgonte Enver Hoxha shtypnim dhe historinë e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik që e përkthente Sejfulla Malëshova. Buletine shtypnim. Misto Treska na dërgonte materiale. Luftën nuk e bëmë vetëm me pushkë e me trima kokëkrisur.

–Shkrimet e Enverit kush i sillte?

-Korrieri. Unë e dalloja shkrimin se kishte një shkrim të qartë. Por edhe nga nënshkrimi në fund. Unë kur e takova në tetor të vitit 1942 në Moçan të Gorës e i thashë, pasi ai më ngarkoi që unë të merresha me teknikën dhe shtypin e Shtabit të Përgjithshëm, si urdhëron shoku Enver, ai ma ktheu që nuk jam Enveri, por jam Tarasi.

-Sa herë e takuat Enverin gjatë Luftës.

-Dy herë jam takuar gjatë Luftës. Pastaj dy herë i kam shkuar në shtëpi në vitet 1950 dhe 1952.

-Si mbaroi Lufta ku u “emëruat”?

-Pas mbarimit të Luftës unë qëndrova tre vjet në Elbasn. Pastaj më morën redaktor të politikës së jashtme te “Zëri i Popullit” ku punova 10 vjet. Në shkrimet e mia kam kritikuar Amerikën, NATO-n. Si u largova nga kjo gazetë nisa në drejtorinë e botimeve universitare si redaktor deri në vitin 1965.

-Po më vonë?

-Më vonë shkova në Fakultetin e Mjekësisë ku u mora me botimet si redaktor dhe me përkthime shkencore nga frëngjishtja, që u shërbenin si studentëve, ashtu edhe pedagogëve të mjekësisë. Edhe Sali Bersishës i kam përkthyer nga frëngjishtja. Madje Dizertacionin e Sali Berishës “Infarkti i Miokardit” e kam radhitur unë në makinën e shkrimit dhe e kam redaktuar. Më kujtohet që ka qenë nja 200 faqe, kur u botua si libër.

-Ju keni njohur edhe Enverin edhe Sali Berishën?

-Për Enverin nuk kam ç’të heq asnjë presje. Për Sali Berishën të them të drejtën që studionte, por tani pas kthesës sikur po e harron “luftën”. Ishte energjik. Unë jam kundër hyrjes në NATO. Ajo luftë ka mbjellë. Mua më tremb fakti se historia e Luftës së Dytë Botërore po varroset. Një popull që nuk respekton historinë e vet, mbetet pa histori. Kushdo individ ka historinë e tij dhe tërësia e individëve përbën historinë e çdo kombi. Ne bëmë luftë të drejtë. Nuk bëmë luftë pushtuesish. Dokumentet e Luftës duhet të kenë pavion më vete e të ruhen në muze si i ka bota dhe shtetet që dolën fitimtarë, por edhe ata që humbën kanë të shkruar e të pacenuar historinë e tyre.. Kur ne nuk e bëjmë dot historinë me të shkruar vetë, të tjerët do të na i bëjnë sipas oreksit të tyre.

-Si e gjykoni sot Luftën e fundit botërore?

-Një nga luftërat më shkatërrimtare. Evropa e ndezi dhe ajo pësoi dëmet më të shumta prej saj. Viktima, qytete të shkatërruara. Pati fitues dhe humbës. Mbetet pjesë e historisë së marshimit njerëzor. Mesa më kujtohet mua u shënuan 50 milionë viktima. Ku 20 milionë i la Rusia dhe 6 milionë Gjermania.

-A ka pasur teprime apo redaktime kjo Luftë?

-Ne bëmë luftë të drejtë. Nuk e gjykojmë veten për teprime apo për redaktime të kësaj Lufte.



Pëllumb Çuni

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç: : Fuqitë e mëdha e kanë vendosur, pavarësinë e Kosovës nuk e ndryshojmë dot

yhbn
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka nisur ta pranojë se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme. Këtë e la të kuptohet në një intervistë për të përditshmen serbe ‘Novosti’, ku shprehet pesimist se nga dialogu me Prishtinën mund të dilet në një zgjidhje tjetër veç pavarësisë, të cilën sipas tij e ka përcaktuar Perëndimi.

“Është e vështirë të dalim me një propozim të ri, sepse fuqitë e mëdha perëndimore kanë vendosur si bazë faktin që çështja territoriale e Kosovës është zgjidhur, duke i dhënë pavarësinë. Dhe prej kësaj ata nuk heqin dorë.”

Vuçiç pranon se zgjidhja përfundimtare do të jetë e dhimbshme për serbët dhe se për këtë duhet një konsensus i gjerë shoqëror në Serbi.

“Duhet të përpiqemi të shohim se çfarë mund të përfitojmë, jo vetëm për serbët në Kosovë, por edhe për ata në Serbi. Një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme duhet të ketë konsensus të gjerë në shoqërinë tonë.”

Megjithatë presidenti serb vlerëson se zgjidhja e çështjes së Kosovës është mbi të gjitha në interes të Serbisë dhe nuk pranon që me të bëhet Pazar në këmbim të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Dritare kohe, në mençurinë kuksiane” libër interesant i autorit HYSË HASA

Image result for murat gecaj

Nga: Prof.Murat Gecaj



1.Nuk është hera e parë, që autori Hysë Xhemali Hasa vjen në Atdhe “duarplot”, nga vendbanimi i tij i tanishëm, pra Filadelfia e Amerikës. Kur kemi biseduar lirshëm, në ndonjë lokal të kryeqytetit, ai na ka thënë, me sinqeritet e dashamirësi, se është rikthyer “me pushime”, në vendlindje, në Tiranë a diku tjetër. Ndërsa, në fakt, nuk është plotësisht i saktë ky pohim. Pra, këtë mik tonin të përbashkët e shohim çdo ditë, sa në Tiranën tonë, ku takon e pi kafe dhe çmallet me të afërm, kolegë, miq e dashamirë të shumtë, por dhe në vendlindjen e tij, pra në Vilaë a Kukës, si dhe deri në Vlorë. Me suiguri, ndër të tjera, ai ka qëmtuar për dëshmi e të dhëna tjera, të cilat nesër do t’i shërbejnë, në shkrimet e botimet e reja. Vite më parë, Hysë Hasa ka shkruar, në Filadelfia dhe i ka përuruar pikërisht në mjediset e Muzeut tonë Historik Kombëtar, katër libra:“Vila, pjesë e krenarisë lumjane”(2008), “Mes emigrantëve shqiptarë, në Amerikë”(2009), “Nga Filadelfia, në Tiranë” (2011) dhe “Mes shokësh, në shërbim të Atdheut”(2011).
Shumëkush e di që ky autor ka shërbyer ushtarak (veç ka studiuar dhe për letërsi). Por kjo gjë nuk e ka “penguar”, bile e ka ndihmuar, që të shkruajë dhe publikojë libra me vlera të veçanta. Sigurisht, ndonjëri edhe ka tematikë të tillë, nga vitet e shërbimit në Ushtrinë tonë. Përsëri sot ai erdhi duarplot, në sallën e tejmbushur “Unesco”, të Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit. Aty u bë tubimi përurues i 2 librave të tij, të cilët ishin si “simite të ngrohtë”, që sapo kanë dalë nga shtypshkronja. Ja, pra, për këta librat të tij u fol dhe u diskutua sot, me respekt e dashamirësi.
Që në pamjen e parë, librat e rinj të Hysë Hasës të tërheqin, si për tëmatikën, përmbajtjen e pajisjen me mjaft fotografi, por dhe me sasinë e faqeve. I pari, e ka titullin “Dritare kohe, në mençurinë kuksiane”, me 545 faqe. Ndërsa i dyti, me 483 faqe, mban titullin “Kontribute atdhetarie-I” (Portrete ushtarakësh kuksianë). Pra, nënkuptojmë që libri i dytë do të ketë dhe pjesë të tjera, në të ardhmen. Para syve tanë, në këta dy libra, sikur “parakalojnë” ngjarje e dukuri, atdhetarë e burra të shumtë e të mençur kuksianë, por dhe sa e sa miq e të njohur të tij, me të cilët ka qenë, në vite pune e shërbimi, për mbrojtjen e Atdheut. Në librin e parë, “Dritare kohe, në mençurinë kuksiane”, shpalosen të dhëna me interes për figura të mendimit intrelektual fetar dhe në atë të fushës së arsimit, po dhe për të tjerë, që dhanë ndihmesën e tyre për zhvillimin ekonomik e kulturor, për ata lumjanë që iu përkushtuan kërkimeve e studimeve shkencore dhe, së fundi, për autorët e veprave të ndyshme me tematikë historike, artistike e kulturoree, në Lumën e Kukësit.
Në librin e dytë, “Kontribute atdhetarie-I: Portrete ushtarakëshkuksianë”, në gjashtë pjesë të librit të tij, autori shpalosë para lexuesit vlerat e shumanshme të ushtarakëve të vendlindjes, që nga vitet e luftës për çlirim dhe, në vazhdimësi, në armë të ndryshme të Ushtrisë sonë.
2.
Përurimin e çeli moderatori dhe publicisti Izet Duraku. Ai u ndal shkurtimisht në punën e përkushtuar, krijuese e botuese, të Hysë Hasës, birit të përkushtuar të Vilës, në rrethin e Kukësit. Në vazhdimësi, për vlerat atdhetare e kulturore të dy librave të rinj të këtij autori, folën: Prof. Murat Gecaj; gjenerali (në pension) Kudusi Lame; dr.Fajzulla Gjabri; general-leitnant (në pension) Rrahman Parllaku-“Hero i Popullit” e “Nderi i Kombit”; veprimtari i arsimit Beqir Shehu; autori i disa librave, Fatos Daci; prof.Dritan Spahiu-kryetar i Shoqatës “Luma”; krijuesi e publicisti Rexhep Shahu dhe prof.Shefqet Hoxha-“Mësues i Popullit”. U duartrokit ngrohtësisht përshëndetja e dërguar për pjesëmarrësit në këtë tubim përurues dhe autorin Hysë Hasa, nga Shoqata emërmirë “Bijtë e Shqipes”, e cila vepron në Filadelfia të Amerikës. Ajo ishte nënshkruar nga kryetari Tajar Domi, por brenda saj kishte dhe dashamirësinë e shprehur nga kolegë e miq të tij, si Llazar Vero, Vlashi Fili, Sadik Elsahani etj. Ndërsa prof.Hektor Veshi i dhuroi H.Hasës librin e tij të ri, kushtuar dukurisë së gjakmarrjes në Shqipëri, e cila duhet të ndërpritet sa më parëqë të jetë e mundur. Tematika e këtij libri sikur i bënte jehonë mësazhit, që ka shkruar Hysë Hasa, në mbyllje të njërit nga librat e tij: “Dashuri, dashuri e respekt për prindërit, për familjen, për fëmijët tuaj, për vëllezër e motra, për njërëzit e gjakut, për mikun e shokun, për bashatdhetarin, për vendlindjen, Atdheun, gjuhën e Flamurin Shqiptar, për simbolet e shqiptarizmës, për Kombin Shqiptar!”


****

Prof. Murat Gecaj, studiues e publicist shqiptar. Ka lindur në fshatin Bujan, të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), më 29 mars 1940, në një familje me tradita atdhetare. Pasi kreu studimet e larta me vlerësimin “shumë mirë”, për gjuhë-letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, në vitet 1963-1965 punoi redaktor në gazetën javore të fëmijëve “Pionieri”. Ka studiuar e botuar dhe vazhdon punimet e tij për historinë e arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar, veçanërisht nga Kosova. Në vitin 1992, mbrojti disertacionin në këtë fushë dhe mori gradën “Doktor i shkencave pedagogjike”. Në vijim të punës së bërë, në vitin 1996 iu dha titulli shkencor “Profesor i asociuar”. Në 2011, është përfshirë në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë, me detyrën përgjegjës i sektorit të shtypit e i marrëdhënjeve me publikun.

Për një periudhë afër 55-vjeçare, është autor i mjaft shkrimeve e studimeve, në gazeta e revista shqiptare. Ka mbajtur një kumtesë në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 1972). Eshtë autor i disa zërave për arsimin e shtypin, në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (Tiranë, 1985) dhe ribotimi (Tiranë, 2010); bashkautor i veprës “Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar” (Tiranë, 2002), si dhe bashkautor në botime të tjera: arsimore, historike, folklorike etj.

Një vit pas luftës në Kosovë, e vizitoi këtë për herë të parë. Përshtypjet e tij i botoi në librin “Si e pashë unë Kosovën” (Tiranë, 2000), i cili mori vlerësimin “Mirënjohje e Kombit”. Në vazhdim, publikoi librat: “Nëpër udhët e shkollës shqipe”(Tiranë, 2001; ribotuar më 2008), “Pishtarë të parë të Normales së Shkupit”(Kumanovë, 2002) e “Filologë që nuk harrohen”(Tiranë, 2002) dhe “Salih Myftar Kolgeci-monografi” (Tiranë, 2006; librin jetëshkrimor ”Ëndrrat ’e grisura’ të jetës sime”(Tiranë, 2010),”Bedri Dedja: Në kujtesën tonë”-përmbledhje kujtimesh(Tiranë, 2010) dhe ”Rrahin zemrat arbërore” (Tiranë, 2011).

CIKËL POETIK NGA NIKOLLA SPATHARI

Image result for NIKOLLA SPATHARI


TË HUMBA TE MUZGU

Tëhumbatemuzgu
E te muzgu 
Përsëri të gjeta,
Në oborr ishin tharë aq herë trëndafilat 
Dhe lejlekët kishin ikur aq herë nëpër vjeshta.

NUK DI 

Nëse ndërroheshin 
A nuk ndërroheshin stinët.
Si ndodhi 
Që në pyjet e zhveshura,
Gjelbërimi aq shumë u vonua?
Sonte kur të prita te pragu i muzgut,
Ishin dhe lejlekët me mua…

VETMIA 

Mirëmbetshi kafene 
Dhe ju sheshe gjysmë të çmendur !
Sa shumë kohë
Për të arritur deri te vetmia!
Mirëmbetshi dhe ju salla ku çirrën mediokrit 
E ku ndahën tituj e çmime, me mijëra!
S’e kisha ditur 
Që vetmia
Mund të merrte formën e një vjeshte,
Dhe unë të dashurohesha me këtë vjeshtë
Larg atyre që mburren pa bërë asgjë,
Mirëmbetshi !
Aty, te ”lavdia“ po ju lë.
Dhe atdheu 
Sigurisht ju mban,
Siç ka mbajtur në shekuj çdo brengë,
Ashtu si lisat që mbajnë bilbila,
Por mbajnë edhe zogj pa këngë…

DHIMBJA E FUNDIT

– Për 26 të vrarët në Gërdec –

Nuk kam ku ta fshehë dhimbjen
Nën këtë qiell, 
Ku hëna pret të bëhet e plotë
Duke numëruar netët,
Ku erërat vijnë çdo mbrëmje tek drurët 
Dhe i lenë psherëtimat te fletët .
Zëri im bëhet elegji 
Po prapë s’e arrin pikëllimin.
Ai bie mbi qiell të kraterit 
Dhe kthehet në gërmadhë,
Nuk di nëse tulipanët i rrëzoi shpërthimi i asaj dite
Apo u rrëzuan vetë, siç rrëzohet një mall!
Gjithsesi qielli i natës është aty
Dhe Afërdita digjet 
Si një kasolle mbi zjarrin e shuar.
Horizontet s’e hedhin dot erën e shkrumbit,
Ne e kishim plot oazin e dhimbjes,
Por erdhët dhe ju, dhimbja e fundit.

Nikolla Spathari e filloi veprimtarinë botuese në fillim të viteve ’70 me librat “ Në shtyllë elektrike”(poemë), “Një ditë e largët dimri”, (tregime), por pas vitit 1972, kur edhe u pranua si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, ai do të shquhet si një prej emrave më të thekshëm të publicistikës shqiptare në shkallë vendi. Në vitin 1998 ai botoi vëllimin me tregime humoristike “Kur isha ministër”, ndërsa në vitin 2000 librin tjetër me publicistikë letrare “Drejt Europës me gomar të Nastradinit”. Libri i tij kryesor kushtuar vendlindjes sonë të përbashkët, Malësisë, është monografia e gjerë historike dhe etnografike e kulturore me titull “Malësia e Madhe siç e njoha unë”, Shkodër 2001. Në vijim ai ka botuar edhe romanin “Djemtë e dikurshëm” Tiranë, 2004 dhe vëllimet poetike “Përkohësisht e bukur” Tiranë, 2006) dhe “Të shtyhet mëngjesi”, Tiranë, 2007).


*****
“Nikolla Spathari si Gjergj Fishta për Malësinë”


Shkrimtarët e një kombi, pavarësisht nga veçoritë dhe stilet e larmishme që përfaqësojnë, të kundruar nga pikëpamja e prurjeve ligjërimore që i sjellin me shkrimtarinë e tyre, përbëjnë gurra të pasqyrimit dhe të shtimit të begatisë shprehëse, fjalësore dhe ligjërimore të gjuhës së përbashkët kombëtare. Një prej atyre gurrave është edhe Nikolla Spathari, shkrimtaria e të cilit ka si pikënisje Malësinë e Madhe, ku lindi më 5 dhjetor 1940, po edhe qytetin e Shkodrës, ku ai u formua si nxënës në Shkollën e Mesme Pedagogjike, pastaj edhe si student, si arsimtar e veprimtar i dalluar i atij qyteti, duke dhënë aty, ndihmesa e prodhimtari letrare interesante. Nikolla Spathari viteve të fundit, është shpërngulur në Durrës, qytet bregdetar që, siç po duket, jo vetëm i ka pëlqyer, po edhe e ka përtërirë, madje, mbas një vargu librash në prozë e publicistikë letrare, i është kthyer vjershërisë, duke botuar edhe vëllime poetike si “Të shtyhet mëngjesi” që, me siguri, meritojnë vëmendjen e kritikëve e studiuesve.

* * *
I lindur në mjedisin malësor ku Eposi i Kreshnikëve dhe këngët e buta shfaqen me bukuri përrallore, sigurisht, edhe në gjenet e veta do të ketë pasur atë tërheqje e anësim të natyrshëm drejt letërsisë, së cilës ai, me kohë,ndonëse ishte diplomuar për matematikë e fizikë, do t’i përkushtohej krejtësisht. Me vendosjen e pluralizmit në Shqipëri, Nikolla Spathari u rreshtua me intelektualët që iu përkushtuan çështjes kombëtare shqiptare. Ka qenë themelues dhe kryeredaktor i gazetës “Besa” dhe ka bërë aty shërbime të vyera për çështjen kombëtare shqiptare dhe për shtypin e lirë. Me librat që ka shkruar, sidomos me monografinë e tij shumë të rëndësishme “Malësia e Madhe siç e njoha unë” (Shkodër, 2001), po edhe me publicistikën e tij letrare të shtrirë në qindra artikuj të botuar në shtyp dhe në disa libra, prej të cilëve veçojmë “Drejt Europës me gomar të Nastradinit” (Shkodër, 2000) dhe “Kur isha ministër” (1998), pastaj edhe me poezinë e tij, ku arrin kulme të letrave shqipe me një yllësi poezish nga më të pëlqyeshmet e me të qëlluarat në vëllimin “Të shtyhet mëngjesi”, Nikolla Spathari nden prozë shkencore, publicistikë letrare dhe poezi shumë të bukura e që do të meritonte të shkruhej më shumë për të, ka lëndë e prurje të atilla që mund ta pasurojnë çdo antologji që mëton t’u japë nxënësve dhe studentëve njohuri dhe formim të shëndoshë letrar. Pra, me një parafrazim të titullit të bukur të librit të tij më të fundit, “Le të shtyhet mëngjesi”, do të thosha edhe unë me gojën plot: le të agojë ajo ditë kur, edhe në shkrimet kritike e në historinë e letërsisë shqiptare do të thyhet “protokolli” tashmë i stërvjetëruar i vlerësimeve, i përfaqësimeve në antologji, duke u bërë vendin që meritojnë edhe figurave të tilla si shkrimtari, publicisti dhe poeti Nikolla Spathari dhe të tjerë që kanë ardhur prej Malësisë së Madhe.

* * *
Njohës dhe adhurues i virtyteve të moçme shqiptare, Nikolla Spathari shkruan për Malësinë e Madhe, duke e vlerësuar atë jo vetëm si bir i asaj treve, por, së pari, si studiues dhe boton monografinë e tij të gjerë prej 358 faqesh “Malësia e Madhe ashtu siç e njoha unë”, Shkodër, 2001. Për atë vepër ai punoi më shumë se dyzet vjet , qëkur ishte “një maturant i hajthëm me flokë të verdhë, derisa u bë një xhahxha i thinjur, që kreshtave me borë të Malësisë u kam marrë gjënë më karakteristike bardhësinë”, por unë do të thosha se ai ka marrë së andejmi edhe shumë gjëra të vyera dhe ka meritën se i ka paraqitur, përshkruar dhe argumentuar mjaft gjerë si në planin mirëfilli historik, ashtu edhe në aspektin etnografik e përgjithësisht folklorik e zakonor, duke u pykëzuar sidomos te vlerësimet për kanunin dhe doket e Malësisë. Me monografinë e tij kushtuar Malësisë, N.Spathari, shkon paralelisht me sa kishte bërë në mënyrë të madhërishme Gjergj Fishta në vargjet e “Lahutës”, i cili ia njohu, ia pohoi bujshëm dhe ia lëvdoi Malësisë pikërisht burrat e shquar, virtytet e trimërinë e bujarinë e pashoqe, duke gdhendur e pavdekësuar ashtu sikundër e meritonte një vis aq genuin e ruajtës të cilësive më të vyera të kombit shqiptar. Bashkohem me mendimin e Nikollës që thotë se trajtimi i Malësisë si subjekt në poemën madhështore të Fishtës ka qenë “fatlumësi” për Malësinë dhe shtoj me kënaqësi se, edhe vetë Nikolla, në prozë e me shqyrtime të mbështetura sa në dëshmitë gojore të qëmtuara me shumë kujdes, aq edhe me shfrytëzimin e njohjen deri në imtësi të gjithçkje që ishte shkruar mirë, ose edhe jo mirë, nga historianë, etnologë, folklorisë e gjuhëtarë, shtjellon gati të gjitha pikat themelore të lidhura me vlerat e Malësisë, duke sjellë aty edhe mendime e trajtime që, pa tjetër, duhen pasur në konsideratë nga cilido që ia hyn të shkruajë për Malësinë dhe bëmat e pësimet e saj. Si askush tjetër (dhe këtë do ta bënte vetëm një bir i saj) N. Spathari me librin e tij shpjegoi se emërtimi i përbërë “Malësia e Madhe” është një emërtim simbol, është emërtim që jep portretin e virtyteve të mëdha që ka Malësia. Por, më mirë, le ta japim me fjalët e vetë atij:
“Atje përmasat e tokës janë tepër të vogla në krahasim me përmasat e trimërisë. Dimensionet e maleve as që mund të maten me dimensioned e besës. Madhësia e bjeshkëve nuk mund t’i afrohet madhësisë së bujarisë.Hapësira e pyjeve të larta është tepër e ngushtë para hapësirës së fjalës së dhënë. Thellësia e luginave dhe shpellave është mjaft e cektë para thellësisësë burrërisë malësore. Lendinat me bar e lule nuk janë kurrë krah hapur në shpatet e maleve, sa ç‘është mikpritja në pragun e kullës së malësorit”.

* * *
Monografia argumentime, shqyrtime kritike, ritrajtime e saktësime, ka mbështetje në kushtet e caktuara historiko-shoqërore të aspekteve madhore si p.sh. organizimi fisnor dhe doket e kanuni në Malësi, që kanë pasur vlerë e rendësi të padiskutueshme për atë kohë, porse ato nuk mund të mbeten me të tilla në kohën tonë. Kreu me titull “Normat “juridike” të “gjakmarrjes” remenishencë me librat e shenjtë” (f.326-340) meriton vëmendje të posaçme, sepse aty jepen argumentime të sakta, shqyrtohet kanuni në mënyrë objektive, me vlerat e tij për një epokë të caktuar e në kushte e caktuara historiko-shoqrore, për të ardhur te argumentimi e te konkuzuioni shumë i plotë dhe i padyshimtë me të cilin përmbyllet: “Kanuni e ka vendin në muze. Atje e nderon Shqipërinë si një ligj i lashtë. Nostalgjikët e zbatimit të tij janë tepër jashtë kohe. Ata janë mesjetarët e shekullit njëzet e një”.(f.340) Shpreh bindjen time se “Malësia e Madhe siç e njoha unë” është një nga librat me vlerë kushtuar Malësisë së Madhe, një “enciklopedi” e virtyteve, bëmave, pësimeve, ruajtjes së elementeve që shfaqin lashtësinë dhe “palcën “ e traditave kombëtare të pavdira, siç janë besa, bujaria dhe atdhedashuria. Por, ajo për autorin tonë nuk është gjithçka. Ai më thotë: “Po të dërgoj çka kam mundur të bëj unë për Malësinë tonë të përbashkët, që na lindi dhe na pajisi me vetitë më të mira të shqiptarit, por ky nuk është fundi i punës sime për Malësinë, besoj që një libër tjetër do ta ndjekë këtë”.
Jam i bindur se ai, me dijet, përkushtimin dhe zellin që e ka ende të fortë si djalosh, do të na sjellë edhe shumëçka tjetër dhe se, në pritje të asaj vepre e të tjerave, mund të them me bindje të plotë se Malësia jonë duhet të krenohet edhe me bijtë e tillë që ka nxjerrë, siç është edhe Nikolla Spathari.(Prof.dr.Gjovalin Shkurtaj

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...