Nga: Prof.Murat Gecaj
1.Nuk është hera e parë, që autori Hysë Xhemali Hasa vjen në Atdhe “duarplot”, nga vendbanimi i tij i tanishëm, pra Filadelfia e Amerikës. Kur kemi biseduar lirshëm, në ndonjë lokal të kryeqytetit, ai na ka thënë, me sinqeritet e dashamirësi, se është rikthyer “me pushime”, në vendlindje, në Tiranë a diku tjetër. Ndërsa, në fakt, nuk është plotësisht i saktë ky pohim. Pra, këtë mik tonin të përbashkët e shohim çdo ditë, sa në Tiranën tonë, ku takon e pi kafe dhe çmallet me të afërm, kolegë, miq e dashamirë të shumtë, por dhe në vendlindjen e tij, pra në Vilaë a Kukës, si dhe deri në Vlorë. Me suiguri, ndër të tjera, ai ka qëmtuar për dëshmi e të dhëna tjera, të cilat nesër do t’i shërbejnë, në shkrimet e botimet e reja. Vite më parë, Hysë Hasa ka shkruar, në Filadelfia dhe i ka përuruar pikërisht në mjediset e Muzeut tonë Historik Kombëtar, katër libra:“Vila, pjesë e krenarisë lumjane”(2008), “Mes emigrantëve shqiptarë, në Amerikë”(2009), “Nga Filadelfia, në Tiranë” (2011) dhe “Mes shokësh, në shërbim të Atdheut”(2011).
Shumëkush e di që ky autor ka shërbyer ushtarak (veç ka studiuar dhe për letërsi). Por kjo gjë nuk e ka “penguar”, bile e ka ndihmuar, që të shkruajë dhe publikojë libra me vlera të veçanta. Sigurisht, ndonjëri edhe ka tematikë të tillë, nga vitet e shërbimit në Ushtrinë tonë. Përsëri sot ai erdhi duarplot, në sallën e tejmbushur “Unesco”, të Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit. Aty u bë tubimi përurues i 2 librave të tij, të cilët ishin si “simite të ngrohtë”, që sapo kanë dalë nga shtypshkronja. Ja, pra, për këta librat të tij u fol dhe u diskutua sot, me respekt e dashamirësi.
Që në pamjen e parë, librat e rinj të Hysë Hasës të tërheqin, si për tëmatikën, përmbajtjen e pajisjen me mjaft fotografi, por dhe me sasinë e faqeve. I pari, e ka titullin “Dritare kohe, në mençurinë kuksiane”, me 545 faqe. Ndërsa i dyti, me 483 faqe, mban titullin “Kontribute atdhetarie-I” (Portrete ushtarakësh kuksianë). Pra, nënkuptojmë që libri i dytë do të ketë dhe pjesë të tjera, në të ardhmen. Para syve tanë, në këta dy libra, sikur “parakalojnë” ngjarje e dukuri, atdhetarë e burra të shumtë e të mençur kuksianë, por dhe sa e sa miq e të njohur të tij, me të cilët ka qenë, në vite pune e shërbimi, për mbrojtjen e Atdheut. Në librin e parë, “Dritare kohe, në mençurinë kuksiane”, shpalosen të dhëna me interes për figura të mendimit intrelektual fetar dhe në atë të fushës së arsimit, po dhe për të tjerë, që dhanë ndihmesën e tyre për zhvillimin ekonomik e kulturor, për ata lumjanë që iu përkushtuan kërkimeve e studimeve shkencore dhe, së fundi, për autorët e veprave të ndyshme me tematikë historike, artistike e kulturoree, në Lumën e Kukësit.
Në librin e dytë, “Kontribute atdhetarie-I: Portrete ushtarakëshkuksianë”, në gjashtë pjesë të librit të tij, autori shpalosë para lexuesit vlerat e shumanshme të ushtarakëve të vendlindjes, që nga vitet e luftës për çlirim dhe, në vazhdimësi, në armë të ndryshme të Ushtrisë sonë.
2.
Përurimin e çeli moderatori dhe publicisti Izet Duraku. Ai u ndal shkurtimisht në punën e përkushtuar, krijuese e botuese, të Hysë Hasës, birit të përkushtuar të Vilës, në rrethin e Kukësit. Në vazhdimësi, për vlerat atdhetare e kulturore të dy librave të rinj të këtij autori, folën: Prof. Murat Gecaj; gjenerali (në pension) Kudusi Lame; dr.Fajzulla Gjabri; general-leitnant (në pension) Rrahman Parllaku-“Hero i Popullit” e “Nderi i Kombit”; veprimtari i arsimit Beqir Shehu; autori i disa librave, Fatos Daci; prof.Dritan Spahiu-kryetar i Shoqatës “Luma”; krijuesi e publicisti Rexhep Shahu dhe prof.Shefqet Hoxha-“Mësues i Popullit”. U duartrokit ngrohtësisht përshëndetja e dërguar për pjesëmarrësit në këtë tubim përurues dhe autorin Hysë Hasa, nga Shoqata emërmirë “Bijtë e Shqipes”, e cila vepron në Filadelfia të Amerikës. Ajo ishte nënshkruar nga kryetari Tajar Domi, por brenda saj kishte dhe dashamirësinë e shprehur nga kolegë e miq të tij, si Llazar Vero, Vlashi Fili, Sadik Elsahani etj. Ndërsa prof.Hektor Veshi i dhuroi H.Hasës librin e tij të ri, kushtuar dukurisë së gjakmarrjes në Shqipëri, e cila duhet të ndërpritet sa më parëqë të jetë e mundur. Tematika e këtij libri sikur i bënte jehonë mësazhit, që ka shkruar Hysë Hasa, në mbyllje të njërit nga librat e tij: “Dashuri, dashuri e respekt për prindërit, për familjen, për fëmijët tuaj, për vëllezër e motra, për njërëzit e gjakut, për mikun e shokun, për bashatdhetarin, për vendlindjen, Atdheun, gjuhën e Flamurin Shqiptar, për simbolet e shqiptarizmës, për Kombin Shqiptar!”
****
Prof. Murat Gecaj, studiues e publicist shqiptar. Ka lindur në fshatin Bujan, të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), më 29 mars 1940, në një familje me tradita atdhetare. Pasi kreu studimet e larta me vlerësimin “shumë mirë”, për gjuhë-letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, në vitet 1963-1965 punoi redaktor në gazetën javore të fëmijëve “Pionieri”. Ka studiuar e botuar dhe vazhdon punimet e tij për historinë e arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar, veçanërisht nga Kosova. Në vitin 1992, mbrojti disertacionin në këtë fushë dhe mori gradën “Doktor i shkencave pedagogjike”. Në vijim të punës së bërë, në vitin 1996 iu dha titulli shkencor “Profesor i asociuar”. Në 2011, është përfshirë në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë, me detyrën përgjegjës i sektorit të shtypit e i marrëdhënjeve me publikun.
Për një periudhë afër 55-vjeçare, është autor i mjaft shkrimeve e studimeve, në gazeta e revista shqiptare. Ka mbajtur një kumtesë në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 1972). Eshtë autor i disa zërave për arsimin e shtypin, në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (Tiranë, 1985) dhe ribotimi (Tiranë, 2010); bashkautor i veprës “Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar” (Tiranë, 2002), si dhe bashkautor në botime të tjera: arsimore, historike, folklorike etj.
Një vit pas luftës në Kosovë, e vizitoi këtë për herë të parë. Përshtypjet e tij i botoi në librin “Si e pashë unë Kosovën” (Tiranë, 2000), i cili mori vlerësimin “Mirënjohje e Kombit”. Në vazhdim, publikoi librat: “Nëpër udhët e shkollës shqipe”(Tiranë, 2001; ribotuar më 2008), “Pishtarë të parë të Normales së Shkupit”(Kumanovë, 2002) e “Filologë që nuk harrohen”(Tiranë, 2002) dhe “Salih Myftar Kolgeci-monografi” (Tiranë, 2006; librin jetëshkrimor ”Ëndrrat ’e grisura’ të jetës sime”(Tiranë, 2010),”Bedri Dedja: Në kujtesën tonë”-përmbledhje kujtimesh(Tiranë, 2010) dhe ”Rrahin zemrat arbërore” (Tiranë, 2011).