“Vdekja e balozit” dhe “Dhembja e harresës”
“Që nga klasa e parë kam filluar të botoj poezi. Poezia ime e parë ka qenë e botuar në atë kohë në revistën “Pionieri” me titull “Mësuesja ime”. Akoma e recitoj në heshtje dhe me shumë dashuri atë poezi”.
(Intervistë: Leonora Bruçaj)
Shkruani poezi dhe prozë. Dy përmbledhjet e juaja, që janë të botuara deri tani, i përkasin kohës së viteve të ‘90-ta. Pse nuk keni botuar më?
Po, shkruaj poezi dhe prozë. Por, veten e gjej më shumë në poezi. Me poezinë jam rritur. Që nga klasa e parë kam filluar të botoj poezi. Poezia ime e parë ka qenë e botuar në atë kohë në revistën “Pionieri” me titull “Mësuesja ime”. Akoma e recitoj në heshtje dhe me shumë dashuri atë poezi. Kam botuar në vitet e ‘90-ta, periudhë që isha tërë kohën e pranishme në Kosovë. Në vitet ‘98/’99, hordhitë kriminele serbe, si gjithkund në Kosovë, dogjën edhe shtëpinë tonë në komunën e Burimit (Istogut), në të cilin zjarr u dogjën dhe shumica e shkrimeve të mia. Edhe pse nuk kam botuar, kam shume shkrime. Nga letërsia nuk jam ndarë asnjëherë, por nuk kam botuar një kohë për shkak të disa objektivave, të cilat nuk është e nevojshme të ceken.
Përmbledhjet tuaja “Vdekja e balozit” dhe “Dhembja e harresës”, janë botuar nga shtëpia botuese prestigjioze e asaj kohe “Rilindja”, që fatkeqësisht është mbyllur,! A është vlerë më vete dhe kjo për ty?
Ajo është vlerë më vete. Është njëra ndër vlerat më brilante që i konsideroj gjatë jetës time. Ka qenë shumë e rëndësishme dhe shumë domethënëse në atë kohë të jesh shkrimtare (poete) e asaj Shtëpie Botuese gjigante. Në atë shtëpi botuese, të të shkruhej emri yt, vërtet, është dashur të punosh. Si fëmijë kam pasur shumë dashuri për poezinë, në të vërtetë për letërsinë. Jam rritur në një teatër të tillë ku jam frymëzuar shumë për t’i shprehur me anë të lapsit ato përjetime. Frymëzimin më të madh e kam marrë nga babai im i ndjerë, i cili më ka përkrahur dhe më ka mbështetur. Ai, vërtet, më ka motivuar për të ecur rrugës së vështirësive dhe me besimin në veten time, duke e luftuar çdo sfidë, që të dalë fitimtare.
Në këto dy libra tuaj, shohim emra të shquar të letërsisë shqipe, nëpër duart e të cilëve kanë kaluar poezitë tuaja, si p.sh. redaktor poeti ynë kombëtar, tashmë i ndjerë, Ali Podrimja, pastaj recensentë Anton Pashku e Rrahman Dedaj, etj. Na rrëfe më shumë lidhur më njohjen tuaj me këto personalitete në atë kohë?
Oh, më kthyet prapa në kohën më të dashur për mua, në kohën e artë, e quaj unë gjithmonë. Të takohesh me ato figura të shquara, siç ishin Podrimja, Pashku, Shkreli, Dedaj…, ishte dhe një rinjohje e vetvetes. Unë njihesha shumë mirë me veprimtarinë e tyre krijuese dhe, ata, sigurisht, më njohën nëpërmjet vlerave të mia poetike. Zakonisht botoja poezi nëpër revista të ndryshme. Një ditë bashkë me vëllanë pinim kafe në restaurantin “Koha”. Ndërkohë, erdhi shkrimtari Anton Pashku. Shkëmbyem disa biseda, disa mendime rreth poezive dhe unë e kisha atë ditë në dorë një poezi, e cila ishte e botuar në “Bota e re”. E lexoi dhe e pëlqeu shumë. Pas disa ditësh e kishin diskutuar me vëllanë tim çështjen e poezive të mia. Një ditë, derisa udhëtonim nga Prishtina në Burim (Istog), vëllai më tha se është ide e mirë që disa poezi të miat t’ua dërgoja Anton Pashkut dhe Ali Podrimjes. Ua dërgova dhe ata i kishin pëlqyer shumë. Pas disa ditëve u takuam. Isha, vërtet, e lumtur nga përkrahja e tyre. Ka qenë kohë tjetër. Çdo arritje, çdo sukses ka qenë më i vështirë. Të depërtosh në rrugët e suksesshme ka qenë pak e mundimshme. Është dashur të punosh shumë dhe, ç’ishte më e mira, puna dhe talenti çmoheshin shumë atëherë.
Tematika i ka ngjarë kohës. Ka qenë kohë tjetër. Frymëzimin e kam gjetur në rrjedhat e jetës. Poetët frymëzimin e gjejnë që nga mëngjesi deri në mëngjesin tjetër. Unë zgjohesha në atë frymë, frymoja me atë frymë dhe rritesha në atë frymë. Nuk kam përshkrim të asaj kohe. Poezinë e kisha shoqen më të mirë. Kishte ndonjë moment që kisha shumë nostalgji për prindërit e mi, më mungonin shumë, ngase nuk jetonim bashkë. Mungesën e tyre e vizatoja me lapsin tim, e përshkruaja me penën time. Ishim nganjëherë larg, në kohën kur unë studioja.
E keni në dorëshkrim dhe një libër tjetër. Për çfarë libri është fjala, konkretisht?
– Po, tani e kam në dorëshkrim një libër. Poezitë tani frymojnë ndryshe. Kanë ndërruar edhe gjuhën. Të gjithë e dimë që, vërtet, jetojmë në një kohë të pakohë. Në teatrin, ku jetojmë (unë kështu e quaj), po na trazojnë shumë turbulenca. Poetët gjithmonë e gjejnë frymëzimin diku. Kohëve të fundit kam vendosur të qëndroj më gjatë në Kosovë dhe t’i përkushtohem letërsisë. Ka ardhur koha. Është kohë e duhur për mua. Poezinë e kam miken më të besueshme dhe të pandarë. Atëherë lirshëm dhe jo diktueshëm i shprehi gjërat. Po besoj dhe shpresoj që do të jenë të mira për lexuesin dhe do të jenë të pëlqyera.
Jeni profesore në shkollën e gjuhëve të huaja “Cambridge School” dhe, njëkohësisht, edhe ligjëruese në Ambasadën Amerikane, në KFOR. Sa ju ndihmon kjo punë, që e bëni, për frymëzim?
Po, jam profesoreshë në shkollën e gjuhëve të huaja “Cambridge School”. Përmes kësaj shkolle, ligjëroj në Ambasadën Amerikane, në KFOR, në UNMIK dhe në disa institucione me rëndësi. Kjo punë, që bëj, më frymëzon shumë. E quaj shkolla ime, ngase jam shkolluar në atë shkollë dhe tani jam ligjëruese aty. Përmes kësaj shkolle kam takuar njerëz dhe kultura të ndryshme. Jam shumë mirënjohëse për mundësitë që m’i kanë dhënë. Puna në ekipe të frymëzon gjithsesi. Kam pasur fatin të jem staf i kësaj shkolle dhe të ndërtohem ashtu siç kam ëndërruar.
Tani jeni në studime të doktoratës. Cili është synimi juaj? Keni vendosur për temën ende?
Po, jam në studimet e doktoratës në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ka kohë që punoj për veprën dhe jetën e Ibrahim Rugovës. Duke u nisur nga realiteti, që ai shquhet si ikona e kritikës letrare, unë vendosa të merrem me veprën e tij. Jam duke e punuar me shumë përkushtim.
Si po arrin t’ia dalësh gjithë këtyre ngarkesave profesionale dhe pasioneve?
Po ja dal disi. Që ta fitosh luftën, duhet të armatosesh së pari. Arma më e fortë është besimi në vete. Duhet ta provosh veten sa mundesh. Tani kam ardhur në stadin që e kam pritur qe sa kohë. Të merrem me letërsinë, me ushqimin tim të pazëvendësueshëm dhe, të arrij aty ku kam pasur gjithmonë pikësynimin tim.
Diçka për fund të kësaj bisede?
Vërtetë ishte bisedë e këndshme. Më riktheve në kohën e lumturisë. Gjërat e mira është mirë për t’u kujtuar shpesh. Shpresoj që lexuesit e poezive të mia do të ndahen të kënaqur dhe iu premtoj që, vërtet, do të punoj dhe do ju sjell gjëra të mira. Gjëja që dua ta cek për fund është; që iu jam shumë mirënjohëse që më dhatë mundësinë të shkëmbejmë fjalë për letërsinë, për poezinë në veçanti dhe për shumë gjëra të tjera.
LEO!
Leo, sot e 5 vjet më parë erdhe në jetë,
e mua më dhurove ndjesinë më të bukur!
Atë ditë qe erdhe ti në këtë botë, unë jam njeri tjetër...
Leo , je ti ai që vargun ma pikturon,
këngën ma poetizon.
Leo, ngjyra e zërit tënd është melodia më e veçantë,
që shpirtin tim e përkund me plotë dashuri,
zëri yt e ka ngjyrën me unike që kënaq veshin tim.
LEO... Sa herë shkruaj për ty, më humbin fjalët,
ngase dashuria ime për ty kalon çdo limit.
Ti je pika ime e dobët dhe arma ime më e fortë.
Ti je ankthi im kur udhëtoj dhe s'jemi duke ecur se bashku...
Kënga me e bukur e jetës time je ti!
Leo, ti je arkitekti i shpirtit tim,
veç ti din të projektosh lumturinë e familjes sonë
E gjithë dashuria ime e mban emrin tënd - LEO!
Je dielli që ngrohë dhe ndriçon zemrën time,
Gëzuar ditëlindjen!
VERA
E dua Verën,
Si pijen më të mirë
E dua Verën,
Si stinën më të mirë
E dua Verën,
Si miken më të mirë
Kur Verën e pi,
Nuk dehem, por kënaqem
Kur vjen Vera,
Malli poetik vrullshëm lulëzon
Kur e takoj Verën,
E kuptoj që ka nuhatje të thella mediatike
Prapë Verën e kërkoj,
Se netëve të gjata
Vera më shoqëron bashkë me antisonetin tim
Prapë e kërkoj Verën ,
Se dimri na ngriu shpirtin e acartë
Prapë e kërkoj Verën ,
Të flasim për poezinë dhe vargun e thyer
Vera u ndal!
Në këtë muaj të shenjtë, nuk dua ta provoj
Vera u ndal!
Të jetoj me mua deri në shtator
Vera u ndal!
Të më tregojë për ” Heloizën e re të Zhan Zhak Rusos”
Vera po pret !
Mbi tavolinën time duke me shoqëruar netët e gjata pa gjumë
Vera po pret !
T’jetojë bashkë me të dhe në të, me lulet që puhia i përkund butësisht
Vera po pret!
T’më rrefejë per diskursin e Podrimjes së ikur dikur
Vera iku ,
Gabimisht e theva shishen mbi tavolinë dhe mbeta pa të
Vera iku,
Tani vjeshta i lag poezitë e mia sikur shiu i ngrohtë
Vera iku ,
Po asnjëherë nuk iku pa miken e saj “mua”,
Verë!
Ti je e mirë për t’u dehur, andaj të ruaj
Verë!
Ti je stinë e mirë, n’ty dua t’jetoj dhjetë muaj
Verë!
Ti je mike e mirë
Të mbaj afër motrës madhe
Vera,
Vera,
Vera,
E shijshme
E ngrohtë
E dashur…
MALLI PËR JU
Dhe malli për ju
m’është zbehur si vdekja
Vetëm në ëndërrime
Udhëtoj me ju
po ec me nënën e babanë
matanë hijeve
as në lindje
as në veri
jo në jug
jo në perëndim
po ik po ik
t’ju takoj vetëm
kur sonte shkruaj
NË SYRIN E DITËS
Shumë herë vrave ëndrra
Vajzërie
Dhe ngurove
Padiktueshëm
Vetveten prore e ndeze
të gjallërosh
Dhe në syrin e ditës
Vizatove dasmën
Kënga kur t’i rrënojë muret
Mua do të më varrosin a thua
Lulet e ngushëllimit
kush do t’i sjell nesër
NE
U fishkëm për dalje nga kjo botë
njëherë të shkojmë
në atë impiant lashtësor
si pjellë e mendjes sonë
e ne kurrën e kurrës
s’e kemi kërkuar veten aty
aty ku mund ta gjejmë
po këmbacinkthi kemi kaluar
deri në imagjinatën e rrejshme....,
NË DOSJE TË RE
Telikosem kur fjalës
ia gjej përfundimin
dhe komedisë s’ia kuptoj domethënien
E nëna s’mund të harrojë emrin
përtej kohës së kaluar
PËSHPËRITJE
Kur më vrisje
më lidhje me vdekje
a ka vdekje më të madhe sikur të mbes unë pa ty
Në vrragë kohe
mbeta e etur për dhimbje
për dhimbje që m'i solle ti
koha dëshmitare
e plagëve tona
tani as dhimbja as fryma
s'kanë më fuqi
në vete ruaj gjithëherë
kujtimin e hidhur
Sot
Sot shkëputa yllin nga qielli
Shuajta zjarrin e kasollës së fikur
Emrin e ndërrova sytë ia fala jetës
Gërrshetat preva buzëqeshjet ndeza
Botën e shikuam me një sy
Unë me ty
Me ty
Mbarim nuk kam për këngët
Ngulfatje jo për jetën
Mallkim për kohën humba
Deri në zgjimin tonë të ri
Me ty
Prapë fillova ta lexoj
Librin e papërfunduar
Për ty
Dhe fletët grisa librin e leckosa
Me ty
Letër
Të shkrova me vargun e thyer
Të shkrova në gjuhën e pakuptuar
Të shkrova me penën pa ngjyrë
Të shkrova me dorën e lënduar
Të shkrova një letër pa shkronja
Ti për ta lexuar
Ti letrën e lexove
Me zërin e pa dëgjuar
PIKTURA ME KORNIZË TË RRËMBYER
Syngjyrosur del n'oborr princeshash
një varg antisoneti
e ngërthen me rimën
Në epruvetë derdh një pikë uji
peshën tënde
s'mund ta bart ashensori
n'katin e lartë
E ti lutesh e lutesh
prapë mbete në ashensor
ke gabuar hyrjen
kjo është pronë shteti
banesat e bardha
Çka mbeti njollë e pashlyer
N'pikturën me kornizë të rrëmbyer
RRUGË PA SHTEG
Vështirë...
Kthim mbrapa nuk ka
Njerëzit presin
Megamoloni shkatërruat
Mund të shkatërroni cdo gjë
Ju jeni një
Mos ju frikësoni kohës por...
Në përgjunime ulet nata
dhe terri vreros rrugën e të humburit
mos te lutem gabon nuk je i humbur
je anije në rrugën e Zotit
edhe pse nuk ka dalje kjo është rrugë e drejtë
këtu do të ndihmojnë shpëtimtarët e kohës
Por mos harro
Jeni dëshmitar i venitjes
Në dhembje kohore...
Kjo nuk quhet rrugë pa shteg
Kjo është e kryqëzuar...
Në udhëkryq
vetmitarët i ndërrojmë
Nostalgji
Pse bredh tani
në atë botë të larme
vazhdimi i kokëqarjes
se me duket dielli
paska perënduar me lindje
Hëna gjurmët ç'm'i plandosi
në gjithësinë
e pashpirtshne për lutje
Në trotuar mbeta
me sy kah dielli
e autobusi bartte
njerëzit në pafundësi
Përgatiti :Flori Bruqi