TË HUMBA TE MUZGU
Tëhumbatemuzgu
E te muzgu
Përsëri të gjeta,
Në oborr ishin tharë aq herë trëndafilat
Dhe lejlekët kishin ikur aq herë nëpër vjeshta.
NUK DI
Nëse ndërroheshin
A nuk ndërroheshin stinët.
Si ndodhi
Që në pyjet e zhveshura,
Gjelbërimi aq shumë u vonua?
Sonte kur të prita te pragu i muzgut,
Ishin dhe lejlekët me mua…
VETMIA
Mirëmbetshi kafene
Dhe ju sheshe gjysmë të çmendur !
Sa shumë kohë
Për të arritur deri te vetmia!
Mirëmbetshi dhe ju salla ku çirrën mediokrit
E ku ndahën tituj e çmime, me mijëra!
S’e kisha ditur
Që vetmia
Mund të merrte formën e një vjeshte,
Dhe unë të dashurohesha me këtë vjeshtë
Larg atyre që mburren pa bërë asgjë,
Mirëmbetshi !
Aty, te ”lavdia“ po ju lë.
Dhe atdheu
Sigurisht ju mban,
Siç ka mbajtur në shekuj çdo brengë,
Ashtu si lisat që mbajnë bilbila,
Por mbajnë edhe zogj pa këngë…
DHIMBJA E FUNDIT
– Për 26 të vrarët në Gërdec –
Nuk kam ku ta fshehë dhimbjen
Nën këtë qiell,
Ku hëna pret të bëhet e plotë
Duke numëruar netët,
Ku erërat vijnë çdo mbrëmje tek drurët
Dhe i lenë psherëtimat te fletët .
Zëri im bëhet elegji
Po prapë s’e arrin pikëllimin.
Ai bie mbi qiell të kraterit
Dhe kthehet në gërmadhë,
Nuk di nëse tulipanët i rrëzoi shpërthimi i asaj dite
Apo u rrëzuan vetë, siç rrëzohet një mall!
Gjithsesi qielli i natës është aty
Dhe Afërdita digjet
Si një kasolle mbi zjarrin e shuar.
Horizontet s’e hedhin dot erën e shkrumbit,
Ne e kishim plot oazin e dhimbjes,
Por erdhët dhe ju, dhimbja e fundit.
*****
Shkrimtarët e një kombi, pavarësisht nga veçoritë dhe stilet e larmishme që përfaqësojnë, të kundruar nga pikëpamja e prurjeve ligjërimore që i sjellin me shkrimtarinë e tyre, përbëjnë gurra të pasqyrimit dhe të shtimit të begatisë shprehëse, fjalësore dhe ligjërimore të gjuhës së përbashkët kombëtare. Një prej atyre gurrave është edhe Nikolla Spathari, shkrimtaria e të cilit ka si pikënisje Malësinë e Madhe, ku lindi më 5 dhjetor 1940, po edhe qytetin e Shkodrës, ku ai u formua si nxënës në Shkollën e Mesme Pedagogjike, pastaj edhe si student, si arsimtar e veprimtar i dalluar i atij qyteti, duke dhënë aty, ndihmesa e prodhimtari letrare interesante. Nikolla Spathari viteve të fundit, është shpërngulur në Durrës, qytet bregdetar që, siç po duket, jo vetëm i ka pëlqyer, po edhe e ka përtërirë, madje, mbas një vargu librash në prozë e publicistikë letrare, i është kthyer vjershërisë, duke botuar edhe vëllime poetike si “Të shtyhet mëngjesi” që, me siguri, meritojnë vëmendjen e kritikëve e studiuesve.
* * *
I lindur në mjedisin malësor ku Eposi i Kreshnikëve dhe këngët e buta shfaqen me bukuri përrallore, sigurisht, edhe në gjenet e veta do të ketë pasur atë tërheqje e anësim të natyrshëm drejt letërsisë, së cilës ai, me kohë,ndonëse ishte diplomuar për matematikë e fizikë, do t’i përkushtohej krejtësisht. Me vendosjen e pluralizmit në Shqipëri, Nikolla Spathari u rreshtua me intelektualët që iu përkushtuan çështjes kombëtare shqiptare. Ka qenë themelues dhe kryeredaktor i gazetës “Besa” dhe ka bërë aty shërbime të vyera për çështjen kombëtare shqiptare dhe për shtypin e lirë. Me librat që ka shkruar, sidomos me monografinë e tij shumë të rëndësishme “Malësia e Madhe siç e njoha unë” (Shkodër, 2001), po edhe me publicistikën e tij letrare të shtrirë në qindra artikuj të botuar në shtyp dhe në disa libra, prej të cilëve veçojmë “Drejt Europës me gomar të Nastradinit” (Shkodër, 2000) dhe “Kur isha ministër” (1998), pastaj edhe me poezinë e tij, ku arrin kulme të letrave shqipe me një yllësi poezish nga më të pëlqyeshmet e me të qëlluarat në vëllimin “Të shtyhet mëngjesi”, Nikolla Spathari nden prozë shkencore, publicistikë letrare dhe poezi shumë të bukura e që do të meritonte të shkruhej më shumë për të, ka lëndë e prurje të atilla që mund ta pasurojnë çdo antologji që mëton t’u japë nxënësve dhe studentëve njohuri dhe formim të shëndoshë letrar. Pra, me një parafrazim të titullit të bukur të librit të tij më të fundit, “Le të shtyhet mëngjesi”, do të thosha edhe unë me gojën plot: le të agojë ajo ditë kur, edhe në shkrimet kritike e në historinë e letërsisë shqiptare do të thyhet “protokolli” tashmë i stërvjetëruar i vlerësimeve, i përfaqësimeve në antologji, duke u bërë vendin që meritojnë edhe figurave të tilla si shkrimtari, publicisti dhe poeti Nikolla Spathari dhe të tjerë që kanë ardhur prej Malësisë së Madhe.
* * *
Njohës dhe adhurues i virtyteve të moçme shqiptare, Nikolla Spathari shkruan për Malësinë e Madhe, duke e vlerësuar atë jo vetëm si bir i asaj treve, por, së pari, si studiues dhe boton monografinë e tij të gjerë prej 358 faqesh “Malësia e Madhe ashtu siç e njoha unë”, Shkodër, 2001. Për atë vepër ai punoi më shumë se dyzet vjet , qëkur ishte “një maturant i hajthëm me flokë të verdhë, derisa u bë një xhahxha i thinjur, që kreshtave me borë të Malësisë u kam marrë gjënë më karakteristike bardhësinë”, por unë do të thosha se ai ka marrë së andejmi edhe shumë gjëra të vyera dhe ka meritën se i ka paraqitur, përshkruar dhe argumentuar mjaft gjerë si në planin mirëfilli historik, ashtu edhe në aspektin etnografik e përgjithësisht folklorik e zakonor, duke u pykëzuar sidomos te vlerësimet për kanunin dhe doket e Malësisë. Me monografinë e tij kushtuar Malësisë, N.Spathari, shkon paralelisht me sa kishte bërë në mënyrë të madhërishme Gjergj Fishta në vargjet e “Lahutës”, i cili ia njohu, ia pohoi bujshëm dhe ia lëvdoi Malësisë pikërisht burrat e shquar, virtytet e trimërinë e bujarinë e pashoqe, duke gdhendur e pavdekësuar ashtu sikundër e meritonte një vis aq genuin e ruajtës të cilësive më të vyera të kombit shqiptar. Bashkohem me mendimin e Nikollës që thotë se trajtimi i Malësisë si subjekt në poemën madhështore të Fishtës ka qenë “fatlumësi” për Malësinë dhe shtoj me kënaqësi se, edhe vetë Nikolla, në prozë e me shqyrtime të mbështetura sa në dëshmitë gojore të qëmtuara me shumë kujdes, aq edhe me shfrytëzimin e njohjen deri në imtësi të gjithçkje që ishte shkruar mirë, ose edhe jo mirë, nga historianë, etnologë, folklorisë e gjuhëtarë, shtjellon gati të gjitha pikat themelore të lidhura me vlerat e Malësisë, duke sjellë aty edhe mendime e trajtime që, pa tjetër, duhen pasur në konsideratë nga cilido që ia hyn të shkruajë për Malësinë dhe bëmat e pësimet e saj. Si askush tjetër (dhe këtë do ta bënte vetëm një bir i saj) N. Spathari me librin e tij shpjegoi se emërtimi i përbërë “Malësia e Madhe” është një emërtim simbol, është emërtim që jep portretin e virtyteve të mëdha që ka Malësia. Por, më mirë, le ta japim me fjalët e vetë atij:
“Atje përmasat e tokës janë tepër të vogla në krahasim me përmasat e trimërisë. Dimensionet e maleve as që mund të maten me dimensioned e besës. Madhësia e bjeshkëve nuk mund t’i afrohet madhësisë së bujarisë.Hapësira e pyjeve të larta është tepër e ngushtë para hapësirës së fjalës së dhënë. Thellësia e luginave dhe shpellave është mjaft e cektë para thellësisësë burrërisë malësore. Lendinat me bar e lule nuk janë kurrë krah hapur në shpatet e maleve, sa ç‘është mikpritja në pragun e kullës së malësorit”.
* * *
Monografia argumentime, shqyrtime kritike, ritrajtime e saktësime, ka mbështetje në kushtet e caktuara historiko-shoqërore të aspekteve madhore si p.sh. organizimi fisnor dhe doket e kanuni në Malësi, që kanë pasur vlerë e rendësi të padiskutueshme për atë kohë, porse ato nuk mund të mbeten me të tilla në kohën tonë. Kreu me titull “Normat “juridike” të “gjakmarrjes” remenishencë me librat e shenjtë” (f.326-340) meriton vëmendje të posaçme, sepse aty jepen argumentime të sakta, shqyrtohet kanuni në mënyrë objektive, me vlerat e tij për një epokë të caktuar e në kushte e caktuara historiko-shoqrore, për të ardhur te argumentimi e te konkuzuioni shumë i plotë dhe i padyshimtë me të cilin përmbyllet: “Kanuni e ka vendin në muze. Atje e nderon Shqipërinë si një ligj i lashtë. Nostalgjikët e zbatimit të tij janë tepër jashtë kohe. Ata janë mesjetarët e shekullit njëzet e një”.(f.340) Shpreh bindjen time se “Malësia e Madhe siç e njoha unë” është një nga librat me vlerë kushtuar Malësisë së Madhe, një “enciklopedi” e virtyteve, bëmave, pësimeve, ruajtjes së elementeve që shfaqin lashtësinë dhe “palcën “ e traditave kombëtare të pavdira, siç janë besa, bujaria dhe atdhedashuria. Por, ajo për autorin tonë nuk është gjithçka. Ai më thotë: “Po të dërgoj çka kam mundur të bëj unë për Malësinë tonë të përbashkët, që na lindi dhe na pajisi me vetitë më të mira të shqiptarit, por ky nuk është fundi i punës sime për Malësinë, besoj që një libër tjetër do ta ndjekë këtë”.
Jam i bindur se ai, me dijet, përkushtimin dhe zellin që e ka ende të fortë si djalosh, do të na sjellë edhe shumëçka tjetër dhe se, në pritje të asaj vepre e të tjerave, mund të them me bindje të plotë se Malësia jonë duhet të krenohet edhe me bijtë e tillë që ka nxjerrë, siç është edhe Nikolla Spathari.(Prof.dr.Gjovalin Shkurtaj