2018-05-24

VRASJA NGA SERBËT E ELEZIT ISUFIT BASHKË ME TË NIPIN, PAS TRADHTISË SË SHQIPTARËVE

Ku ishin kryengritjet, atje ishte Elez Isuf Ndreu. Kështu ndodhi në mars të vitit 1912 kundër serbëve në Malësinë e Dibrës. Kështu ndodhi në nëntor të vitit 1912 po kundër serbëve. Kështu ndodhi në dhjetor 1915 me ushtrinë serbe, e cila arriti deri në Durrës. Kështu ndodhi dhe në gusht të vitit 1920 po kundër ushtrisë serbe që dërgoi Beogradi për ta eliminuar atë dhe mbështetësit e tij. Kështu ndodhi në 1921 kur mercenarë bjellorusë në ushtrinë serbe tentuan ta vrisnin.

Image result for roland qafoku

Roland Qafoku

Në mars 1922 Elez Isufi organzoi kryengritjen e parë me armë ndaj qeverisë shqiptare. Të gjitha betejat i kishte bërë ballë për ballë, deri më 16 dhjetor 1924 në orën 11.00, kur vetë Elez Isufi mbeti i vrarë pas shpine. Qe një plagosje që i shkaktoi vdekjen 14 ditë më vonë. Në orën 01.00 të 30 dhjetorit të atij viti ai ndërroi jetë i dergjur në shtratin e tij në kullë.

SKENA E VRASJES

Edhe pse nuhatja dhe intuita ishte cilësia e tij më e mirë, Elez Isufit nuk i shkoi mendja në jetë se vdekja do t’i kishte ardhur nga një tradhti .

Ndodhej në kazermat e Ali Rizait në Peshkopi, kur kuptoi se ishte tradhtuar në momentin kur një batare pushkësh u drejtuan ndaj tij dhe nipit të vet Suf Xhelilit.

Duke u larguar nga kazerma i pari u qëllua dhe vdiq në vend Suf Xhelili, ndërsa Elez Isufi mori dy plumba në bark dhe u rrëzua në tokë.

Ashtu të plagosur e dërguan në kullën e vet dhe aty pas dy javësh ndërroi jetë.

SI U ORGANIZUA VRASJA?

Momentin e vrasjes së Elez Isufit e ka treguar në kujtimet e tij historike bashkëkohësi Ismail Strazimiri, zëvendësprefekt i Dibrës.

“…Zunë me ra si breshëri plumbat e kundërshtarëve n\oborr të kazermës, atëherë u çue Sul Xhelili dhe duel jashtë kthinës. Atë e ndoq mbasandej edhe Elez Isufi. Suf Xhelili u vra tue zbrit nga nji mur i ulët i oborrit të kazermës, kurse Elez Isufi u plagos n’oborr. … Elez Isufi i plagosun me dy plumba nën kërthizë, ndërroi jetë natën e 29-30 dhjetor 1924”.

Vrasja ishte tradhti e pastër. Këtë e konfirmon përsëri bashkëkohësi i vet, Strazimiri: “Vrasja e tyne s’qe aksidentale apo e rasës. Ishte përgatit nergut dhe u krye prej njerëzve të shenjuem. Ndërkohë u vra Murat Qerrja dhe u plagos Nesim Ahmeti, Osman Musai, Mehmet Elezi të gjithë nga Dardha dhe besnikë t’Elezit”.

Ndonëse me nënkupton, këtë version e jep edhe vetë Elez Isufi pak momente përpara se të vdiste kur ndër fjalët e fundit tha:

“Nëse do t’i shpëtoj vdekjes, nuk do merrem më me njerëzit, por me kafshët”.

Por, ka edhe një version, sipas të cilit vdekja e tij ishte më shumë një vullnet i vetë Elez Isufit.

Kur mësoi se i nipi, Suf Xhelili, ishte vrarë, ai nuk pranoi që mjeku t’i hiqte plumbat që kishte në trup, duke e shoqëruar me fjalët: “Paska qenë e thënë që të iknim bashkë nga kjo botë”!

Vargu i njerëzve që shkuan në varrimin e tij ishte nga më të gjatët që janë parë jo vetëm në atë zonë.

NDERSHMËRIA E ELEZ ISUFIT

Pa shkollë, pa ndonjë kulturë dhe edukim ekstra, Elez Isufi megjithatë kishte disa cilësi natyre që e bënë të hynte në histori. Jo vetëm trimëria e tij është proverbiale, por kësaj cilësie ai i kishte shtuar edhe një tjetër, ndershmërinë.

I pari dëshmitar që flet për ndershmërinë dhe besën e tij është konsulli anglez në Shqipëri, Ayros, gjatë vizitës së marsit 1922, ku Elez Isufi dhe Ahmet Zogu besuan te njëri-tjetri, edhe pse ai ishte 60 vjeç dhe Ahmet Zogu 26 vjeç, vetëm me një shtrëngim duarsh.

Do të çuditej gjithashtu edhe një gjeneral serb që teksa i shkoi në kullë i bëri disa oferta në vlerë monetare vetëm që ai të mos kundërshtonte marrjen e disa tokave brenda kufirit shqiptar.

Elez Isufi shikonte aty pranë disa fëmijë dhe i tha gjeneralit serb: “Shihni, zotni! Edhe me dashtë unë, plaku, me e tradhëtue Shqipninë, nuk më lane këta fëmijë”.

Ky ishte Elez Isufi, një plak që përfaqësonte cilësitë më të mira të shqiptarit patriot e që luftoi me zemër dhe shpirt për Shqipërinë, por që mbeti i vrarë për këtë Shqipëri nga shqiptarët që bashkëpunuan me të huajt.


****

Roland Qafoku.jpg

Roland Qafoku, gazetar shqiptar dhe drejtuesi i emisionit "Debati në Channel One" në "TV Channel One", pedagog në universitetin e Tiranës në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin Histori Filologji. Kandidat për PHD në shkencat e komunikimit.


Roland Qafoku ka lindur më 7 gusht 1968. Ai është drejtues i emisionit politiko shoqëror "Debati në Channel One" në televizionin "Channel One" që nga 17 janari i vitit 2013. Ai është diplomuar në shkollën e lartë ushtarake në Tiranë si dhe për gjuhë dhe letërsi shqipe në universitetin e Tiranës. Pas një karriere në gazetën Koha Jonë nga reporter deri në zëvendëskryeredaktor, Roland Qafoku ka drejtuar gazetën më të madhe në Shqipëri Panorama dhe ka qenë bashkëthemelues dhe drejtues i gazetës Tirana Observer. Roland Qafoku si dhe ka qenë drejtor i Informacionit në televizionin gjeneralist Koha si dhe drejtor informacioni në televizionin informativ Ora Neës. Që nga viti 2011 Roland Qafoku drejton emisionin politik. Është pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit që nga viti 2008.

Karriera në mediat e shkruara

Gazeta Koha Jonë, reporter i kronikës së zezë, redaktor, zëvendëskryeredaktor 1997-2003.
Televizioni Koha, Drejtor i Informacionit, 2001.
Gazeta Panorama, kryeredaktor drejtues 2003-2005.
Gazeta Tirana Observer, kryeredaktor drejtues 2005-2009.
Karriera në median elektronike
Televizioni Ora Neës, Drejtor i Informacioni 2009-2011. Drejtues i emisionit Intervista e edicionit të orës 20.00, drejtues i emisonit Periskop.
Televizioni Planet, drejtues i emisionit Intervista nga Roland Qafoku dhe drejtues i emisionit Arena, 2011-2012.
Televizioni Channel One, drejtues i emisionit Debati në Channel one, 2013 e në vazhdim.
Debati në Channel One
Është një emision politiko-shoqëror, i ideuar, i përgatitur dhe që drejtohet nga gazetari Roland Qafoku. I startuar më 17 janar të vitit 2013 ky emision ruan një pjesë të rëndësishme në tortën e emisioneve politike të këtij lloji në Shqipëri. Ai është emisioni qendror politik dhe më i rëndësishmi në televizionin gjeneralist “Channel One” dhe ruan në mënyrë të qëndrueshme konkurueshmërinë me emisionet analoge. Emisioni në fjalë ka karakter politiko-shoqëror dhe rrek temat e ditës më të rëndësishme dhe më të debatuara në vend por edhe të zhvillimeve në rajon dhe botë. Një emision që gjithnjë ka synuar të krijojë veçanti si në temat e zgjedhura dhe në personazhet e ftuar duke mos pasur pjesë të emisionit persona që shkojnë në ekrane të tjerë. Politikanët më të rëndësishëm në vend kanë qenë dhe do të jenë pjesë e këtij emisioni duke pasur një shikueshmëri gjithnjë në rritje. Specifika e emisionit është së pari debati në studio mes personazheve të ftuar në stilin hard talk dhe insertet e veçanta në rubrikën e përhershme “50 fakte dhe foto”. I ftuari dhe tema kalojnë në insert me të gjitha të dhënat që përbëjnë historinë e tij dhe të temës që trajtohet. Përveç politikanëve dhe analistëve, në emision ftohen edhe historianë, personazhe të historisë si dhe personalitete të rralla që kanë impakt te teleshikuesit.

Botime

1. Libri "Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë, nga Ismail Qemali te Edi Rama", 2015, shtëpia botuese "Onufri", Tiranë 2015.

2. Libri "100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017", shtëpia botuese "West Print", Tiranw 2017.

Vlerësime

16 dhjetor 2014, vlerësuar me çmim special për dokumentarin “Shqiptarët e Luftës së Dytë Botërore” të transmetuar si pjesë e emisionit “DEBATI NË CHANNEL ONE”, dhënë nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë.

15 nëntor 2013, dokumentari “Ismail Qemali që nuk kemi njohur”, me autor Roland Qafoku, nominohet për çmimin “Dokumentari më i mirë në 100 vjetorin e pavarësisë” nga Akademia “Kult”.
nëntor 2012. Në 100 vjetorin e Pavarësisë, vlerësim nga media e shkruar për dokumentarin tim "Ismail Qemali qe nuk kemi njohur".

qershor 2009, (si drejtor i Informacionit ne ORA NEËS) Bordi i Monitorimit te Medias vlereson ORA NEËS TV si nje nga televizionet më të balancuara gjate pasqyrimit te fushates elektorale te partive ne zgjedhjet parlamnetare.

Maj 2011, (Si drejtor i infomacionit ne ORA NEËS). Bordi i Monitorimit te Medias i ngritur nga KQZ, vlereson RTV ORA NEËS si televizionin më të balancuar, i cili i dha partive politike kohën e përcaktuar me ligj.

2007, Vlerësuar me çmim special për essenë më të mirë të botuar në gazetë në konkursin e organizuar për rolin e gruas në shoqërinë shqiptare. Çmimi u dha për essenë me titull “E imja Shota”, të botuar në gazetën “Tirana Observer”.

Paqja në Ballkan në rrezik për shkak të ndikimit rus? Luftë në Kosovë nuk do të ketë ?!

                  Kërko brenda në imazh Shkruan  :Flori Bruqi, PHD Disa  vjet më parë nga Flakon Demaku Kryeministri i Kosovës, Albin Kurt...