Edicioni i radhës i Festivalit “Mirëdita, Dobar dan!” do të organizohet në Beograd nga data 30 maj deri më 2 qershor 2018, bëjnë të ditur organizatorët e tij përmes një njoftimi për media, duke e konsideruar si një mundësi unike për të prezantuar skenën artistike dhe kulturore të Kosovës për audiencën e Beogradit.
Festivali “Mirëdita, Dobar dan!” 2018 do të hapet zyrtarisht me 30 maj, me shfaqjen e filmit “Martesa” me regji të Blerta Zeqirit, fitues i çmimeve ‘Critics and Special Jury prizes në Tallinn Black Nights Film Festival. Në të njëjtën ditë në Qendrën për Dekontaminim Kulturor do të prezantohet ekspozita e karikaturistëve nga Kosova dhe Serbia: Murat Ahmeti dhe Mentor Llapashtica dhe Predrag Koraksic Corax, e realizuar në kuadër të projektit “Ura - Dialogu Civil Prishtinë-Beograd”. Gjatë ditëve të tjera të festivalit, vizitorët do të kenë mundësi të jenë pjesë e kulturës kosovare përmes muzikës, nën performancën e pesë artisteve të talentuara të Ansamblit “Zánat”, instalacionin me fotografi të Eliza Hoxhës të titulluar “Midis ëndrrës dhe realitetit“, e cila do të prezantohet për adhuruesit e artit pamor dhe kontemporan.
Shfaqja teatrore “Copë – Copë” me regji të Zana Hoxha Krasniqit, do të ilustrojë një vështrim më të thellë të procesit të kujtimeve dhe transformimit të dhimbjes. Këtë vit, siç thuhet në njoftim, debati do të fokusohet në ekspolorimin e marrëdhënieve në mes Serbisë dhe Kosovës, me temën “Kosova – Serbia: Kush jemi ne për njëri tjetrin?”
Festivali organizohet nga Integra (Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe Iniciativat Qytetare (Serbi).