Dekani i Fakultetit të Arteve të Bukura, Ardian Isufi rrëfen Ekspozitën Ndërkombëtare “Onufri” si një aktivitet të lënë “jetim”. Ai flet për gjendjen kritike në të cilën gjendet Galeria e Arteve dhe arti pamor
Anila Dedaj
Ç’po ndodh me Ekspozitën Ndërkombëtare “Onufri” në këtë edicion të 24-të?! Sipas drejtuesit të Galerisë Kombëtare, Erzen Shkololli, për të marrë përgjigje rreth kësaj çështje duhet të presim ende momentin e duhur, që sigurisht në këtë kontekst ky moment nuk definohet nga mediet, artistët apo aq më pak nga publiku. Dekani i Fakultetit të Arteve të Bukura, Ardian Isufi analizon në këtë intervistë situatën në të cilën gjendet ky konkurs, duke u ndalur edhe tek menaxhimi i Galerisë Kombëtare nga ana e drejtuesit aktual, por edhe e Ministrisë së Kulturës. Sipas artistit, “Onufri” ka ngelur si një aktivitet “jetim”, për shkak të tentativave të drejtuesve për ta personalizuar këtë aktivitet. Informimi dhe përzgjedhja e kuratorit në momentin e fundit sipas tij, me praninë në bord të një personazhi apo anëtari të huaj, që realisht mund të mos jetë një njohës i mirë i situatës aktuale të artistëve dhe historisë së artit shqiptar e nxjerr këtë aktivitet nga “shinat” profesionale. Në rrethana të tilla kaotike, ku sipas Isufit liderët e institucioneve përqendrohen tek interesat personale dhe krijojnë një situatë malinje ndaj artit pamor, jo vetëm artistëve, por të gjitha palëve të interesit nuk u ngelet gjë tjetër veçse të revoltohen. “Për ne e gjitha përkthehet në një fatkeqësi… Mendoj se duhet një revolucion në art dhe në kulturë!”, shprehet dekani.
Zoti Isufi, jemi në prag të nëntorit dhe përsa i përket Ekspozitës Ndërkombëtare “Onufri”ende nuk është bërë me dije asnjë informacion. Se e shikoni fatin e këtij konkursi në një situatë të tillë?
Ajo që të lë më shumë pa fjalë është humbja e “Onufrit” si event kulturor. U bë vite që çështja e këtij konkursi ndërkombëtar ka ngelë si një aktivitet “jetim”, sepse nga viti në vit për arsye shumë personale, drejtuesit e institucionit të Ministrisë së Kulturës dhe të Galerisë Kombëtare i kanë dhënë më shumë peshë faktit se kush do ta ketë këtë si aktivitet, gjë që ka qenë e përcaktuar qartazi në status, sesa me aspektin cilësor të tij. Fatkeqësisht është degraduar me dashje. Për mua nuk është degraduar nga paaftësia, por nga situata malinje që po kalon në përgjithësi arti pamor. Ka një malinjitet të jashtëzakonshëm edhe përsa i përket promovimit ë mënyrë dinjitoze të artit pamor të artistëve shqiptar në Shqipëri. Ka një malinjitet që lidhet me mungesën e dëshirës për të prezantuar realisht në publik vlerat e rëndësishme të artit pamor, sidomos përsa i përket artistëve shqiptar. Dhe është gjetur një format, i cili lidhet me aktivitetet ndërkombëtare , që menaxhohet nga ministria nëpërmjet lidhjeve të vogla që bëhen brenda këtij institucioni, duke mos pasur një transparencë reale dhe duke bërë që aktivitetet të menaxhohen në mënyra dhe në forma shumë personale.
Si mendoni për këtë “mbyllje” të drejtuesit të Galerisë përsa i përket transparencës që duhet të ketë me publikun?
Drejtori i Galerisë Kombëtare është në drejtim të paditur me këtë institucion, si dhe me çështjet reale që ka arti dhe kultura shqiptare. Po menaxhon disa aktivitete që janë thellësisht personale. Po përdoret institucioni për vizione thellësisht personale, i shkon shumë për shtat dhe Ministrisë së Kulturës që ky lidershipi i ri i Galerisë Kombëtare të ketë një mbyllje totale ndaj fenomeneve dhe problematikës reale në art dhe në kulturë, në çështjet që lidhen me artin pamor. Kemi një situatë akute për hir të vërtetës përsa i përket marrëdhënies dhe komunikimit që duhet të ketë ky institucion me publikun, me komunitetet artistike, me organizatat partnere, ku kemi një zbehtësi dhe një mpirje, e cila po e asfikson edhe atë pak oksigjen ose frymë që ka Galeria Kombëtare. Mendoj se ajo çfarë ka ngelur, është fakti që realisht artistët duhet të jenë të revoltuar. Në një situatë si kjo, palët e interesit duhet të jenë të revoltuara. Unë mendoj se duhet një revolucion në art dhe në kulturë. Një revolucion jashtë politikës dhe jashtë sistemit politik, që shpesh herë i ka përdorur artistët. Flas në këtë rast si një person publik , që ka edhe një peshë politike edhe mendoj që të gjitha këto grupime duhet të shkëputen edhe të kërkojnë të drejtën e tyre, përsa i përket marrëdhënies që ky institucion duhet të ketë më publikun dhe më gjerë. Marrëdhënia është e kushtëzuar, e cunguar, aktivitetet janë kaq të pakta saqë jo vetëm që po dëmtojnë shumë prurjet e vërteta që kanë në fokus artin bashkëkohor, por dhe historinë e artit shqiptar. Një situatë si kjo po kushtëzon edhe agjendat e çdo artisti dhe çdo qytetari, madje po të heqim një paralele të thjeshtë, do të kuptojmë se ajo që ndodh sot në muzetë e Evropës ka një pikëpamje komplet tjetër, përsa i përket trajtimit që i bëhet artit dhe kulturës, por edhe transparencës. Nuk kemi informim, nuk kemi një agjendë të shpallur qartazi të projektit afatmesëm dhe afatgjatë në Galerinë Kombëtare. Kemi një status “të ri”, status që e kthen në një muze, i cili po ecën me hapa kaq të ngadaltë, saqë mund të konsiderohet thjesht një ngecje në kohë.
Mungesa e informimit bën, siç ndodhi edhe në edicionin e 23-të “Onufrit”, që selektimi i veprave dhe veçanërisht përzgjedhja e kuratorit të konsiderohet si e dyshimtë, përsa i përket aftësisë dhe koherencës reale të tij me artin shqiptar…
Është e vërtetë, shpesh drejtuesit e Galerisë e kanë lënë informacionin për Onufrin në momentin e fundit, duke na sjellë pastaj me telefonatë një kurator të radhës, që promovohej sikur ishte më i rëndësishmi në botë, ose në planet. E gjithë kjo situatë lidhet, jo vetëm me marrëdhënien e ministrisë, por edhe me faktin se nga viti në vit shumë prej drejtuesve të këtij institucioni gati e kanë personalizuar këtë aktivitet. Tashmë Onufri, përsa i përket etapave dhe fazave duhet të ishte i thjeshtë dhe shumë profesional. Një kurator duhet të përzgjidhet jo thjesht nga një bord i bërë ditët e fundit, po duhet të përzgjidhej nga një bord elitë, dhe ky kurator duhet të kishte një hapësirë kohore të paktën 6 deri në 8 muaj ( dhe kjo duhet të merrej përsipër nga ministria e Kulturës) që të bënte një analizë më të gjatë, qoftë edhe fizike duke ndenjur më gjatë në Tiranë edhe në Shqipëri. Kjo analizë do të krijonte një pamje më të qartë të kuratorit për temën e radhës dhe për artistët që do të ftonte. Të gjitha këto janë bërë më përpara, por në mënyrë skematike, duke e dëmtuar shumë aktivitetin. Për të kuptuar më saktë se çfarë ndodh realisht me skemën e artit shqiptar, që pas fazës së parë kuratori duhet të krijonte një kontakt të fortë me atë çfarë prezanton sot Shqipëria, duke pasur parasysh edhe marrëdhënien me artin ndërkombëtar, me botën. Vetëm pas kësaj, do të mund të kalonim në fazën e dytë, ku artistët do të duhet të afroheshin në këtë konkurs. Nëse kjo do të ndodhte, atëherë do të krijohej një marrëdhënie e re me hapësirën e Galerisë Kombëtare. Sepse sot ka shumë qëndrime kuratoriale, që vendosin veprën e artit në shërbim dhe në marrëdhënie me hapësirën. Pra, të gjithë këto elementë, jo vetëm që kanë munguar, por ekspozita, ose çmimi “Onufri”, shpeshherë i ka ngjarë një eventi kulturor të ndonjë qyteti periferik të Shqipërisë. Nga ana tjetër, ne gjithmonë e kemi lyer me një koracë të argjendtë ose të artë, thjesht për faktin se kuratori ka qenë i huaj, apo se në bord ka pasur anëtar apo personazhe të huaj. E gjitha kjo e ka degraduar çështjen, duke mos e futur në shina profesionale, por duke e futur gjithmonë në atë marrëdhënien, ose gjendjen e momentit që ka pasur lidershipi i Galerisë Kombëtare në bashkëpunim me lidershipin e Ministrisë së Kulturës.