Konferenca shkencore për “Të mohuarit nga regjimi” u zhvillua në Muzeun Historik Kombëtar. Alma Liço rrëfen për “Shekullin” se si një ministër ndërhyri për ta hequr nga puna. Studiuesi Afrim Krasniqi vuri në dukje mungesën e një databaze për viktimat
Anila Dedaj
Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar janë dedikuar tri ditë kujtese për “Të mohuarit nga regjimi”. E hëna në mbrëmje ngriti siparin e diskutimeve të konferencës ndërkombëtare që ka në fokus burgjet, sistemin e internim-dëbimeve dhe punën e detyruar në Shqipërinë e viteve 1945-1990. Gjatë ditës së djeshme studiues të huaj dhe shqiptarë u përpoqën të hedhin dritë, jo vetëm mbi jetën e shqiptarëve nën regjimin e diktaturës, por të sillnin në vëmendje vende që patën një sistem të ngjashëm. Kumtesat historike u pasuan edhe me debate. Disa nga të pranishmit kontestuan fjalën e pedagogut dhe studiuesit Klejd Këlliçi përsa i përket regjimit të kampeve të punës, pasi sipas tyre “zbuste” apo justifikonte realitetin e asokohe. Sigurisht që diskutime dhe studime të tilla “i bëjnë mirë” kujtesës, dhe në një formë apo tjetrën nxjerrin në pah të vërteta historike dhe politike të asaj kohe, duke bërë që edhe brezi i ri të njihet me të kaluarën e vendit. Rruga është ende e gjatë, dhe mangësitë nuk mungojnë. Studiuesi Afrim Krasniqi vuri në dukje gjatë ditës së djeshme nëpërmjet kumtesës së tij, mungesën e një databaze për viktimat e atij sistemi. Historia ende ka nevojë për zëra që rrëfejnë, për historianë që studiojnë atë që ndodhur, për njerëz që duan të dëgjojnë, sepse dëshmitë si ajo e Alma Liços mund të jenë rrëngjethëse…
Zonja Liço, ju e keni përjetuar vetë kalvarin e vuajtjeve të sistemit totalitar. Si i shikoni zhvillimet e konferencave të tilla?
Unë i shikoj me sy shumë pozitiv punimet e kësaj konference, pasi po flitet për të kaluarën komuniste. Kumtesat e studiuesve deri më tani përpos të tjerave kanë vënë në dukje raportin e sistemit totalitar në Shqipëri me vendet e tjera të lindjes, që për hir të vërtetës ishte një pjesë e panjohur për mua. Unë di atë që kam vuajtur në kurriz, unë, familja ime dhe shumë nga të afërmit e mi…
Jeni ftuar në këtë konferencë, si një nga “Të mohuarit nga regjimi”. Cila është historia juaj?
Unë jam mbesa e Muhamer Liços. Ai ka qenë një avokat i diplomuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka zhvilluar aktivitetin e tij të avokatisë. Si nacionalist ishte i organizuar ose i përfshirë dhe në Lëvizjen e Ballit Kombëtar, në pjesën logjistike të saj. Është dënuar në vitin ’45 si kriminel lufte. Me aq sa kam pasur mundësi të kërkoj unë, në legjislacionin e asaj kohe nuk përcaktohet se çfarë do të thotë ky term dhe kjo mbetet enigmë dhe sot e kësaj dite. Edhe këto diskutime tentuan të zbulojnë se çfarë do të thotë “kriminel lufte”, mirëpo ende nuk është e qartë. Ashtu si mbetet i paqartë motivi pse gjyshi im u dënua me ekzekutim. Mirëpo ky do të ishte vetëm fillimi i kalvarit të vuajtjeve tona. Ekzekutimi i tij pasoi me represion shumë të madh ndaj familjes. Në familjen e tim eti ishin katër fëmijë që mbetën jetim, sepse më parë i kishte vdekur edhe e ëma. Pra katër fëmijë u hodhën në rrugë të madhe. U sekuestruan çdo gjë që kishin, si pasojë e vendimit të ekzekutimit të gjyshit nga Gjykata e Lartë Ushtarake e asaj kohe dhe katër fëmijë mbetën në rrugë të madhe. Tre prej tyre ishin të mitur dhe u desh të sorollateshin rrugëve për një kohë të gjatë, derisa u strehuan në Tiranë tek një i afërm, duke u përpjekur të rindërtonin jetën. Im atë e rindërtoi në një farë mënyre, u martua me nënën time dhe lindëm ne tre fëmijë, që mesa duket do të vazhdonim të përjetonim dorën e pamëshirshme të regjimit. Gjatë vitit ’68 po ndodhte një represion shumë i madh për shkak të prishjes së aleancave pas Traktatit të Varshavës. Ishte një valë e tmerrshme internimesh, ku u përfshi edhe familja jonë. Lufta ndaj familjes sonë faktikisht kishte filluar dy vite më para, pasi në vitin ’66 im atë u shantazhua të bashkëpunonte me Sigurimin e Shtetit. Ai refuzoi në mënyrë heroike! E theksoj “heroike”, pasi e bëri një akt të tillë duke pasur parasysh se çdo të thoshte të refuzosh bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit dhe gjithë pasojat që vinin nga kjo. Ishte një vuajtje e mësuar nga të afërmit e tij, që e kishin përjetuar këtë histori. Pasojat erdhën, prindërit e mi u hoqën nga puna, ata ishin arsimtarë në fshatrat e Tiranës. Represioni që pati rrënjët në vitin ’66, u finalizua në vitin ’68 me internimin familjar. Unë atë ditë kisha datëlindjen mbushja 10 vjeç. Kam emocione kur flas për atë periudhë (i dridhet zëri)… Të flas për tmerrin e internimit , përjetimet e mia në moshë 10-vjeçare është shumë e vështirë.
Çfarë përjeton një 10-vjeçare që përballet me një situatë të tillë. Çfarë kujtoni rreth atij momenti?
Impakti i parë ishte, që ne po iknim. “Duhet të banojmë diku tjetër”, kështu na u tha nga prindërit, mirëpo fytyrat tyre të prishura, lotët që rridhnin, të linin të kuptoje se po ndodhte diçka shumë e keqe. Të sqaroje politikisht një fëmijë 10 vjeç, ndërkohë që vëllai im ishte 8 vjeç dhe motra 3, ishte diçka shumë e vështirë… Ne morëm me vete disa orendi, ato që mundëm dhe na degdisën në një fshat të largët të zonës së Dumresë. Rruga ishte pashtruar dhe shumë e vështirë, udhëtimi që i gjatë, më dukej i pafund. Kujtoj që u bëmë shumë keq, mandej kur rrugëtimi përfundoi na përplasën në një fshat. Aty ishin disa kasolle që jemi mësuar t’i shikojmë në fiset indiane, të mbuluara me kashtë. Ne duhet të jetonim aty. Na përplasën rrobat, ato pak orendi që kishim dhe ne u përballëm me vendin ku duhet të banonim. U futëm brenda, aty ishte një deriçkë e vogël që asnjë nga orenditë e shtëpisë nuk mund të futej. Pastaj mamaja, duke qarë hapi nja dy dengje dhe ne u shtrimë për të fjetur. Unë vura re se prindërit nuk fjetën tërë natën, por vetëm pinin duhan. E ndieja se diçka e tmerrshme po na ndodhte. Ndërkohë që rrinim në atë kasolle, na binin insekte sipër trupit, na pickonin… Situata ishte shumë dramatike dhe ndaj të nesërmen unë e pyeta tim atë: “Babi çfarë po ndodh?”. Dhe ai më foli siç mund t’i flitet një të rrituri, më tregoi se çfarë po ndodhte. Mund të them se unë u rrita atë ditë, fëmijëria ndali aty… E kuptova shumë mirë se çfarë po ndodhte dhe e dija se më priste një fëmijëri shumë e vështirë, shumë e zgjatur në kohë. U ndërgjegjësova brenda një ore kohë bisede me tim atë për gjithçka dhe pastaj u futëm në kalvarin e vuajtjeve. Prindërit i detyruan të punonin punët më të rënda që ekzistonin, më të keqpaguarat. Si pasojë edhe për ne fëmijët gjithashtu ishte shumë e vështirë. Po jetonim në kushte të vështira, me dyqane të zbrazura, higjiena skandaloze. Nuk kishte as ujë, as dritë… Qëndrimi i fshatarëve ishte shumë armiqësor, sepse politika e partisë po sillte “armiq” në atë vend. Dhe sot, kur mendoj sjelljen e atyre fshatarëve nuk i ngarkoj me faj… I tillë ishte indoktrinimi dhe neve ashtu na prezantuan. Me kalimin e viteve, situata u bë e tillë, që ata fshatarë të vuanin gati njëlloj si ne. Edhe ata bënin të njëjtat punë, ndoshta ne pak më të vështira.