2018-10-22

“Antropologjia etnike e shqiptarëve”, libri i jetës i Aleksandër Dhimës

Studimi është multidisiplinor, një hulumtim krejtësisht i veçantë i parealizuar më parë nga shkencëtarë vendës dhe të huaj, që mundohet të hedhë dritë mbi pyetje thelbësore, si: kush janë shqiptarët nga pikëpamja antropologjike, lidhjet me ilirët e lashtë, tiparet dalluese nga popullsitë e tjera në Europë, shtrirja demografike etj.


Ishte viti 1974 kur Aleksandër Dhima nisi ekspeditat e tij në terren me një ekip antropologësh në kërkim të varreve prehistorike dhe të dhënave të tjera që do të hidhnin dritë mbi tiparet antropologjike të shqiptarëve.

Kjo ekspeditë u pasua nga 37 ekspedita të tjera me studiues të huaj në një hark kohor prej 43 vitesh, punë në laborator, analizim i të dhënave etj., për të mbërritur te libri “Antropologjia etnike e shqiptarëve”.

Prof. dr. Aleksandër Dhima, studiues shkencor dhe pedagog në Universitetin Europian të Tiranës ka përmbyllur kështu atë që kolegët e tij e cilësojnë si “librin e jetës” së tij. Ai e vetë e cilëson si “shtratin studimor për të ecur më tej antropologët e rinj”.

Studimi është multidisiplinor, një hulumtim krejtësisht i veçantë i parealizuar më parë nga shkencëtarë vendës dhe të huaj që mundohet të hedhë dritë mbi pyetje thelbësore, si: kush janë shqiptarët nga pikëpamja antropologjike, lidhjet me ilirët e lashtë, tiparet dalluese nga popullsitë e tjera në Europë, shtrirja demografike etj.

Autori thotë se “dokumentacioni historiko-arkivor, burimet e literaturës dhe narracioni i vjelë gjatë kërkimeve në terren ka qenë mjaftueshmërisht i plotë, çka më ka lehtësuar punën drejt orientimit tematik të kërkimit antropologjik të mirëfilltë dhe më ka shtyrë t’i studioj më thellë disa prej dukurive të karakterit biologjik, historik, demografik e social-kulturor nëpërmjet një hulumtimi të dokumentuar rreth shkaqeve, pasojave dhe mundësive të krijuara në rrjedhën e shekujve për ecurinë e fenotipeve të dallueshëm në trevat e Shqipërisë, çka përbën objektivin kryesor të këtij punimi”.

Sipas prof. dr. Romeo Gurakuqi, i cili ka shkruar dhe parathënien e librit, “monografia e prof. Dhimës është një punë që analizon gjendjen disashekullore të popullsisë shqiptare, bazuar në gjetjet antropologjike të përftuara prej ekspeditave në terren, burimeve dhe të dhënave dokumentare historike, në një hark kohor që fillon nga ngjizja e popullit shqiptar në Ballkanin Perëndimor dhe vjen deri në shekullin XX”.

Sipas tij autori e ka shtrirë studimin në të gjitha trevat e banuara me shqiptarë.

“Autori ka qenë i kujdesshëm që ta shtrijë studimin e tij nga Alpet Shqiptare në Veri, në Rrafshin e Dukagjinit në Verilindje, Korçë në Juglindje dhe deri në Çamëri ose Thesproti në cepin më jugor ku shqiptarët banojnë ose banonin deri në mesin e shekullit XX, duke krijuar mundësinë e një vlerësimi përafërsisht të plotë të strukturës etnike të popullsisë, raportet mes vedit dhe lëvizjet në territor të popullit shqiptar.

Në mënyrë të posaçme, studimi është përqendruar në disa krahina që përmbyllin sondazhin dhe kërkimin në harkun gjeografik dhe demografik ku banon populli shqiptar, duke respektuar jo vetëm gjetjet, por edhe krahinat tradicionale të Shqipërisë natyrale: Malësi e Madhe, Dukagjin, Malësi e Vogël, Mirditë, Myzeqe, Labëri, Toskëri, Çamëri etj.”, theksoi Gurakuqi. Një studim i munguar dhe një kontribut shkencor i jashtëzakonshëm për shkencën e Antropologjisë, e cila është një disiplinë e legjitimuar me vështirësi dhe pak e investuar deri më sot, e cilësoi administratori i UET-it, Henri Çili.

“Universiteti Europian i Tiranës ka kënaqësinë që prej disa vitesh ka një degë të sociologjisë dhe antropologjisë dhe me sa duket është e vetmja disiplinë shkencore në universitet shqiptare. Një rol publik që kanë për të luajtur universitetet private dhe që e luajnë me shumë botime në fushën historike antropologjike të këtyre shkencave të cilat për zakon janë një detyrë shtetërore.

Kjo tregon se sa alarmante është nevoja për ta reformuar sistemin tonë të kërkimit shkencor dhe për ta jetësuar reformën në arsimin e lartë sepse vërtet haku duhet të shkojë tek i zoti. Sipas parimit paratë publike për shkencën dhe arsimin e lartë nuk mund të përdoren në administratë për zyra apo për rroga, por duhet të ndërtohen mbi produktin, mbi grantin kërkimor dhe mbi avancimin dhe rezultatet e dukshme të shkencës”, -tha Çili.

Tiparet antropologjike të shqiptarëve të vjetër

Prof. dr. Aleksandër Dhima me anë të analizës së të dhënave nga ekspeditat dhe studimet 40-vjeçare, ka arritur t’i japë përgjigje një nga pyetjeve më të vjetra: “a kanë shqiptarët një fizionomi të caktuar që mund t’i dallojë nga popullsitë e tjera?”. “Kam arritur të jap dhe një sinopsis të tipareve antropologjike të popullatave të vjetra të Shqipërisë dhe t’i japë një përgjigje pyetjet: A kanë shqiptarët një fizionomi të caktuar që mund t’i dallojë nga popullsitë e tjera? Unë them që nuk mund të pretendojmë për një “sui generis” të popullit shqiptar brenda dhe jashtë kufijve sepse tiparet adriatike gjenden në të gjithë pellgun Adriatik.



Në materialet skeletike unë e kam ndjekur procesin e “adriatizimit” dhe natyrisht ka problematika të ndryshme dhe nuk mund të pretendojmë për një vazhdimësi të thjeshtë iliro-shqiptare. Ky është një term që ka kaluar kohën dhe këtu në libër ka dokumente të rëndësishme që dëshmojnë se sa i komplikuar është problemi i etnogjenezës shqiptare dhe në mënyrë të veçantë i fazave të hershme evolutive për të kaluar nga një tip i hershëm mesdhetar aziatik tek ilirët e mirëfilltë, dhe për të përfunduar deri tek arbrit mesjetarë dhe shqiptarët e kohëve të reja, deri në mesjetën e vonë”.

Studimi i profesor Dhimës u konsiderua nga kolegët e tij shkencëtarë si hallka e munguar në studimet gjithëpërfshirëse për Shqipërinë dhe shqiptarët, ku krahas historisë dhe disiplinave të tjera, tashmë kemi në dorë dhe një studim mirëfilli antropologjik që ndërton një profil të paraardhësve tanë nga mijëvjeçari gjashtë para erës tonë e deri në mesjetën e vonë.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...