2018-10-22

“Antropologjia etnike e shqiptarëve”, sfida multidisiplinore e Aleksandër Dhimës

Image


 Në Tiranë është botuar  studimi “Antropologjia etnike e shqiptarëve” nga prof. dr. Aleksandër Dhima, botim i UET Press. Libri vjen si rezultat i punës kërkimore 40-vjeçare në këtë fushë të profesor Dhimës dhe trajton disa prej aspekteve më të rëndësishme të ‘prerjes’ etnokulturore të shqiptarëve dhe nxjerr në pah bashkëlidhjen e tipareve të natyrave të ndryshme në sintezën antropologjike të shqiptarëve.

“Antropologjia etnike e shqiptarëve”, sfida multidisiplinore e Aleksandër Dhimës

“Kjo ndërmarrje nuk ka qenë e lehtë, sepse më është dashur të shkel në një terren pak të njohur të shkencave albanologjike. Megjithatë, dokumentacioni historiko-arkivor, burimet e literaturës dhe narracioni i vjelë gjatë kërkimeve në terren ka qenë mjaftueshmërisht i plotë, çka më ka lehtësuar punën drejt orientimit tematik të kërkimit antropologjik të mirëfilltë dhe më ka shtyrë t’i studioj më thellë disa prej dukurive të karakterit biologjik, historik, demografik e social-kulturor nëpërmjet një hulumtimi të dokumentuar rreth shkaqeve, pasojave dhe mundësive të krijuara në rrjedhën e shekujve për ecurinë e fenotipave të dallueshëm në trevat e Shqipërisë, çka përbën objektivin kryesor të këtij punimi”, shkruan autori në hyrje të këtij studimi.

Monografia “Antropologjia etnike e shqiptarëve” e prof. dr. Aleksandër Dhimës është një studim i mirëfilltë shkencor ndërdisiplinor, hulumtim krejtësisht i veçantë dhe i parealizuar deri më sot për shqiptarët, nga shkencëtarë vendës dhe të huaj. Kjo, sepse realizimi i këtij studimi, që në fakt është një analizë komplekse e një pune kërkimore-shkencore e disa dhjetëvjeçarëve, është bërë i mundur prej një shkencëtari të aftësuar në drejtime formuese të ndryshme si mjekësi, antropologji humane, arkeologji, histori, demografi etj., me përvojë të pandërprerë në këto relacione shkencore me një përvojë të gjithanshme.

Shqipëria e vogël dhe e pashquar në kualitete të tilla studiuesish në kohën e sotme, ka patur fatin që në institucionet e Akademisë së Shkencave, gjegjësisht në ish-Qendrën e Kërkimeve Arkeologjike (tashmë: Instituti Arkeologjik), ka pasur në gjirin e vet një antropolog që ka shoqëruar ekspeditat e baballarëve të arkeologjisë shqiptare: Hasan Ceka, Selim Islami, Skënder Anamali, Frano Prendi, Bep Jubani etj., një shkencëtar që, krahas arkeologjisë, ka arritur të depërtojë dhe bashkëpunojë me ikonat e etnografisë shqiptare: Rrok Zojzin, Abaz Dojakën etj., dhe të përdorë për krahasim arritjet e tyre lapidare, në bashkëlidhje me analizat e tij antropologjike. Më tej, prof. Dhima ka arritur të impostohet historikisht në Mesjetën shqiptare, të lexojë me syrin e antropologut dhe demografit, regjistrat kadastralë venedikas dhe osmanë, nën udhëzimet dhe shkëmbimet e vlefshme të mendimeve me prof. Selami Pulahën e studiues të tjerë.

Monografia e prof. Dhimës është një punë që analizon gjendjen disashekullore të popullsisë shqiptare, bazuar në gjetjet antropologjike të përftuara prej ekspeditave në terren, burimeve dhe të dhënave dokumentare historike, në një hark kohor që fillon nga ngjizja e popullit shqiptar në Ballkanin Perëndimor dhe vjen deri në shekullin XX. Ndërkohë, autori ka qenë i kujdesshëm që ta shtrijë studimin e tij nga Alpet Shqiptare në Veri, në Rrafshin e Dukagjinit në Verilindje, Korçë në Juglindje dhe deri në Çamëri ose Thesproti në cepin më jugor ku shqiptarët banojnë, ose banonin deri në mesin e shekullit XX, duke krijuar mundësinë e një vlerësimi përafërsisht të plotë të strukturës etnike të popullsisë, raportet mes vedit dhe lëvizjet në territor të popullit shqiptar. Në mënyrë të posaçme, studimi është përqendruar në disa krahina që përmbyllin sondazhin dhe kërkimin në harkun gjeografik dhe demografik ku banon populli shqiptar, duke respektuar jo vetëm gjetjet, por edhe krahinat tradicionale të Shqipërisë natyrale: Malësi e Madhe, Dukagjin, Malësi e Vogël, Mirditë, Myzeqe, Labëri, Toskëri, Çamëri etj.

Studimi është impostuar krejtësisht qartë nga pikëpamja metodologjike dhe epistemologjike. Duke e konceptuar antropologjinë si një shkencë sa biologjike aq edhe shoqërore, autori ka arritur të integrojë në studim tiparet dhe veçantitë humane me faktet dhe të dhënat historike, demografike dhe me matjet e realizuara nga ai dhe të tjerë më parë, në një territor të gjerë. Autori ka përdorur metodat që kombinojnë hulumtimin vertikal, varësisht këndit të studimit, për të arritur në marrjen e rezultateve që mund të krahasohen horizontalisht dhe të shpien drejt përfundimeve të bazueshme shkencore. Profesori ka përdorur metodën antropologjike-biologjike për të kryer matjet morfologjike; metodën mjekësore-antropologjike për studimin e patologjive masive, që kanë prekur popullsinë e përcaktuar si kampion studimor; metodën e investigimit familjar dhe demografik për sqarimin e evolucionit të popullsisë në territorin e banuar nga shqiptarët, për të dëshmuar strukturën trashëgimore, ciklin e lidhjeve martesore etj. Ndërkohë, për aspektet e investigimit etnologjik dhe historik, ai ka përdorur kërkimin gjegjës dhe përmes tyre ka arritur të analizojë institucionin e fisit, si grupim shoqëror që rrjedh nga një stërgjysh i përbashkët, duke u përqendruar kryesisht në ato pjesë të Shqipërisë, ku kjo ndërlidhje njerëzore vazhdon të jetë ende e fortë (kam parasysh fiset e Malësisë së Madhe, Hotin posaçërisht, që edhe pse i ndarë dhe i shpërndarë prej 100 vitesh gjeo-politikisht, ka ruajtur fuqishëm ndjenjën e përkatësisë në fis) si dhe institucionin e bajrakut, si një element i organizimit shoqëror dhe politik tradicional. Një burim shumë i veçantë për bazën e të dhënave të përdorura, posaçërisht në Shqipërinë veriperëndimore, kanë qenë regjistrat famullitare të Kishës Katolike, përmes të cilave studiuesi ka bërë vlerësimin e lidhjeve martesore mes komuniteteve, lindjeve sipas gjinive, vdekjeve dhe shkaqeve të tyre etj.

Lexuesi do të kuptojë se kemi të bëjmë me një studiues krejtësisht të qartë në atë çfarë kërkon dhe plotësisht të kthjellët në ndërtim dhe njohje të problemeve antropologjike, demografike e etnologjike të botës shqiptare dhe ndërtimin e paradigmave për subjektet e shqyrtuara. Profesor Dhima na ka paraqitur në punim një model të metodës së kërkimit dhe, ndër sfidat kryesore që ai ka përballuar me sukses, ka qenë përputhja e hulumtimeve të terrenit me vërtetimin e tyre në kabinet, që nuk lidhet vetëm me përshkrimin e indikatorëve antropologjikë në rrafsh të kampioneve të popullsisë së nënshtruar ekzaminimit, por në radhë të parë, me kuptimin dhe interpretimin e tipareve biologjikë të ndërthurur me tiparet shoqërore dhe kulturore.

Kemi të bëjmë, pra, me një sfidë multidisiplinore, e cila është realizuar me sukses falë një autori kërkues të drejtpërdrejtë në terren për një periudhë të gjatë kohore dhe të mundësisë që analizat e punës së tij në fushën e antropologjisë humane t’i realizojë në laboratorët më të mira të mundshme të Europës dhe në konsultim me profesorë të rëndësishëm të fushës.

Personalisht e pranova të bëj këtë parathënie, për shkak të respektit dhe nderimit personal dhe të hershëm për profesor Dhimën, të cilin e kam njohur mbi 30 vjet më parë përmes punimeve të tij shkencore në revistën e arkeologjisë shqiptare “Iliria” dhe gjithmonë kam menduar se ai ka në dorë materiale të së shkuarës iliro-shqiptare, që pak studiues i kanë në zotërim, për të realizuar vlerësime të krahasueshme me shkencat ekzakte. Por gjithsesi, kur merr në dorë këtë punim, menjëherë befasohesh me nivelin shumë të gjerë të ndërhyrjes dhe hulumtimit në objektin e studimit që i ka vënë vetes si qëllim autori, nivelit të sistemimit të një problematike të gjerë, që rrok aq shumë fusha të kërkimit shkencor, të koherencës dhe thukëtisë së ndërtimit të përfundimeve. Leximi, studimi serioz i kësaj monografie mbush një hapësirë të lënë pa studime rezultative deri më tani dhe besoj që do të duhet të kalojnë edhe shumë e shumë dekada që Shqipëria të ketë një studim të tillë dhe një studiues të ngjashëm, që bashkon në mënyrë organike disa fusha të ekspertizës në realizimin e një studimi kaq madhor, që në botë e bëjnë zakonisht ekipe studimore.

Botimi i kësaj monografie është një nder i posaçëm që autori i bën institucionit ku ai punon, Universitetit Europian të Tiranës dhe posaçërisht Fakultetit të Shkencave Sociale dhe të Edukimit. Si koleg, unë dua ta falënderoj atë, që na dha këtë mundësi për të qenë pjesë e ekipit redaksional të finalizimit të një projekti jetësor të tij.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...