2018-10-22

Monografia e Holta Heba: “Shqipërimi si art”, rrugëtimi i La Fontenit nga Çajupi te Kokona



“Shqipërimi si art”, rrugëtimi i La Fontenit nga Çajupi te Kokona, botimet UETPress; Mmonografia që i paraqitet sot lexuesit të specializuar shqiptar është sa origjinale aq edhe e dobishme. Këtu vlen të përmendet, në radhë të parë, ndihmesa e vyer e autores në kërkime të kësaj natyre, të ndërlikuara dhe me përgjegjësi shkencore për prognozën socialkulturore të përkthimit; aq më tepër që këtu bëhet fjalë, nga njëra anë, për vepra të shkrimtarëve të shquar, si La Fonteni, dhe, nga ana tjetër për ndihmesën e dy përkthyesve shqiptarë të shekullit XX, si Andon Zako Çajupi e Vedat Kokona…

Image result for Prof. Dr. Aleksandër Dhima

Nga Prof. Dr. Aleksandër Dhima




Kam nderin dhe përgjegjësinë për vlerësimin e monografisë së Dr. Holta Hebës “Shqipërimi si art. Rrugëtimi i La Fontenit në shqip”. Ky punim, me tharm të mirëfilltë shkencor, përbën një arritje të rëndësishme në shkencat tona të komunikimit dhe na vjen si fryt i një pune të vazhdueshme kërkimore të autores mbi një objekt të formuluar qartë: mbi kuptimin e shkëmbimit të mesazheve midis “gjuhës burim” dhe “gjuhës shenjë”, që është vërtet tërësisht në dorën e përkthyesit, por që shërben njëkohësisht si “filtër” i një bashkëbisedimi të arrirë midis entiteteve etnike me gjuhë dhe kulturë të ndryshme. Autorja e ka konceptuar veprën e saj jo thjesht dhe vetëm me syrin e teknikave të përdorura për ta kuptuar veprën e La Fontenit në shqip, por ajo e vendos atë në kornizat e një analize më të gjerë sociale, duke iu referuar përmbajtjes dhe rëndësisë së fabulave si një përgjithësim i problematikës së shoqërisë franceze të shekullit XVII dhe, po ashtu, mënyrës se si i kanë “folur” ato me gjuhën e mendimtarit të madh realitetit dhe audiencave shqiptare në kohë të ndryshme kur vepra e tij u botua në shqip.

Objekti në fjalë përligjet përmes një analize të detajuar të shembujve që nxirren nga krahasimi tekstual i origjinalit me përkitjet në gjuhën amtare të përkthyesit. Idetë kryesore që përshkojnë fund e krye veprën lidhen me shkallën e “besnikërisë” së përkthimit ndaj tekstit origjinal, me shmangien e “papërkthyeshmërisë” në komunikimin ndërkulturor, me instrumentet e përdorura që mundësojnë përkthimin “me kuptim” në raste konkrete dhe me mënyrën se si arrin të përcillet mesazhi nga një identitet kulturor te tjetri. Këto ide marrin përgjigje konkrete në tekst dhe i ndihmojnë lexuesit të specializuar për të krijuar një opinion të pavarur mbi një çështje që na intereson të gjithëve: deri në ç’masë ndikojnë mendësitë kulturore vendase dhe formimi gjuhësor i njëmendët në përcjelljen adekuate të mesazhit prej veprës së përkthyer në gjuhën amtare.

Në tërësi, analiza dhe argumentimi në punim janë të qëndrueshme dhe të mbështetura si teorikisht ashtu edhe nga studimi empirik i të dhënave konkrete. Jam i mendimit se baza teorike e përdorur është e gjetur, meqenëse aty ndërthuren natyrshëm teoritë e përkthimit me teoritë e komunikimit, pa të cilin binom do të ishte e vështirë analiza krahasuese e identiteteve të ndryshme në komunikimin ndërkulturor, si në rastin konkret të përkthimit në shqip të veprave madhore të letërsisë klasike frënge, në një hark kohor prej dy-treqindvjeçarësh. Natyrshëm lind pyetja: Cili model teorik do të ishte më i përshtatshëm për t’u përdorur në realitetin kulturor shqiptar, duke u ndalur natyrisht në specifikat e secilit përkthim, ku “prerja” kulturore duhet të ketë imponuar zgjidhje tekstuale relativisht të ndryshme që i janë paraqitur lexuesit shqiptar. Autorja është përpjekur t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje, ndonëse jo në mënyrë të plotë. Megjithatë, ajo çka unë vlerësoj në punim është fakti se znj. Heba ka marrë guximin ta shtrojë këtë pyetje për një diskutim publik më të gjerë. Një përparësi tjetër e veprës lidhet me metodologjinë shkencore të përdorur, në krahasimin e teksteve në përkthimet e fabulave të La Fontenit nga gjuha frënge në gjuhën shqipe, në këndvështrimin e transformimeve diakronike në rrafshet gjuhësore (morfologjike, sintaksore e leksikore) dhe kulturore (përdorimi i orientalizmave, formave dialektore, shprehjeve frazeologjike dhe etiketimeve proverbiale, zhargoneve dhe fjalëve të huaja në raport me koinè-në dhe me normën letrare të shqipes, si instrument kulturor) etj.

Ndarja formale në këto dy rrafshe dëshmon njëherazi saktësinë e instrumenteve të kërkimit. Nga ana tjetër, autorja, si njohëse e mirë e metodave interpretuese sasiore dhe cilësore, ka mundur që, nëpërmjet mbledhjes dhe seleksionimit të një materiali të pasur narrativ nga produktet tekstologjike-përkthyese të autorëve që janë marrë me përkthimin e veprës së La Fontenit, si dhe të punës këmbëngulëse në kabinet, ta pasurojë ndjeshëm aparatin ilustrues dhe t’i japë kësisoj një besueshmëri të lartë veprës së saj.

Monografia që i paraqitet sot lexuesit të specializuar shqiptar është sa origjinale aq edhe e dobishme. Këtu vlen të përmendet, në radhë të parë, ndihmesa e vyer e autores në kërkime të kësaj natyre, të ndërlikuara dhe me përgjegjësi shkencore për prognozën socialkulturore të përkthimit; aq më tepër që këtu bëhet fjalë, nga njëra anë, për vepra të shkrimtarëve të shquar, si La Fonteni, dhe, nga ana tjetër për ndihmesën e dy përkthyesve shqiptarë të shekullit XX, si Andon Zako Çajupi e Vedat Kokona, të cilëve u është dashur ta përshtatin tekstin origjinal me kërkesat semantike të gjuhës shqipe në evolucion të pandërprerë. Megjithëse për tema të kësaj natyre janë kryer tashmë disa studime, këndvështrimi i autores shkon përtej tyre, duke i siguruar origjinalitet punimit. Fakti që studimi shtrihet në disa anë thelbësore të problematikës së përkthimit në shqip të veprave të shquara të autorëve botërorë, e rendit atë me dinjitet në “zinxhirin” e punimeve të autorëve të tjerë shqiptarë që janë marrë me studime të natyrës kulturore dhe në fushën e komunikimit. Së fundi duhet të përshëndesim zbatimin në këtë vepër të nocioneve të reja në fushën e analizës tekstore, si kultura e gjuhës së interpretimit dhe përgjegjësia e saj në përkthim, si dhe atributet strukturore të përkthimit si krijim dhe si “urë lidhëse” midis kulturave. Risi të tilla spikasin si domosdoshmëri e kohës, në kushtet kur në Shqipëri ka një varg përkthimesh letrare, filozofike, politike etj., por jo vëzhgime të thelluara, qasje teorike dhe analiza përkthimesh, si në rrafshin gjuhësor, ashtu edhe në atë të komunikimit ndërkulturor. Besoj se ky punim monografik do të pritet me interes të veçantë nga përkthyesit, studentët e gjuhëve të huaja, që studiojnë në fushën e përkthim/interpretimit, si dhe nga një rreth i gjerë studiuesish të shkencave të komunikimit dhe të antropologjisë social-kulturore.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...