2018-10-22

VOA : Jeta në observatorin Barrow të Alaskës.

Një observator në Barrow të Alaskës, pjesë e Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike dhe stacioni më i skajshëm verior atmosferik në Shtetet e Bashkuara, është kthyer në një instrument kyç shkencor për studimin e ndryshimeve klimatike.
Jeta në observatorin më të skajshëm verior të Amerikës
I ngritur në vitin 1973, observatori ka dy studiues që ndjekin, masin dhe regjistrojnë ndryshimet në cilësinë e ajrit dhe motin, ndërkohë që njihen edhe me traditat vendase.

Natasha Mozgovaya shkoi në Barrow të Alaskës që tani quhet zyrtarisht Utkiavik, emri origjinal eskimez, për të parë se si është jeta në një nga vendet më të ftohta dhe me më shumë dëborë në botë.

Bryan Thomas është shefi i Stacionit në stacionin më verior të Shteteve të Bashkuara, Observatori Barrow. Që nga viti 2015, ai së bashku me një koleg i tij, kanë përshkuar akull dhe dëborë për të bërë matje për gazet që shkaktojnë efektin serrë, për të llogaritur ndryshimet në klimën e tokës.

Izolimi i qytetit, me një erë që nuk kalon nga qytetet e mëdha, u jep atyre mundësinë që të mbledhin kampione me cilësi të ajrit.

“Këtu ne po mbajmë në vëzhgim gaze që dëmtojnë ozonin. Ato janë të ndaluara nga Protokolli i Montrealit që është nënshkruar në fillim të viteve 90. Dhe të gjitha palët e protokollit kanë rënë dakord të mos t’i përdorin më këto substanca”, thotë Thomas.

Së fundmi, ai filloi të monitoronte sasinë e metanit në tokë, që çlirohet nga terreni, ndërsa temperaturat në rritje shkrijnë shtresën e përhershme të ngricës në Alaskë.

“Metani është gaz që shkakton efektin serrë, kështu që ekziston shqetësimi se mund të kontribuojë në ngrohjen e tokës”, thotë shkencëtari.

Puna e Thomasit nuk ndikohet nga politikat për klimën në Shtëpinë e Bardhë, megjithëse rezultatet mund të interpretohen më ndryshe.


“Puna ime është që të bëj matje, ashtu siç kemi bërë për 40 vjet. Matjet tregojnë se dioksidi i karbonit për shembull po rritet në atmosferë. Ne e dimë se çdo të thotë kjo për atmosferën…Dhe masat që merren, nga kush dhe kur, është një vendim politik dhe unë nuk kam ndikim të drejtpërdrejtë anë atë lloj vendimi”, thotë ai.

Thomasi shkoi në Barrow në vitin 2007 nga qyteti i tij, Sacramento i Kalifornisë. Por djali i tij katërvjeçar, Ellis konsideron qytetin e tij pikërisht Barrown, pasi ai ka lindur atje dhe shkon në një program shkollor, ku meson gjuhën e grupit eskimez vendas, Inupiaq.

“Jam i lumtur që ka interes ta mësojë. Edhe vajzat e mia që janë më të mëdha janë të interesuara në kulturën vendase”.


Klima e ftohtë, mund të mos ta bëjë të lehtë që të takosh njerëz, por zoti Thomas thotë se kjo nuk është bërë pengesë për krijimin e miqësive për familjen e tij.

Ai shqetësohet më shumë për arinjtë polarë miqësorë.

“Një ditë, kur po dilnim dhe ne gjithmonë kontrollojmë përreth para se të dalim …pamë një si lëmsh të bardhë nën platformën e antenës satelitore. Erdhi agjenti për kafshët e egra...Ai ndaloi me makinën e tij SUV dhe tha ‘Pashë një ari që erdhi këtu!’ Dhe ariu po vinte nga laguna, nga oqeani dhe ndoshta kishte qenë në tokë për disa orë dhe donte të pushonte pak”.

Thjesht një episod në jetën e atyre që jetojnë dhe punojnë në komunitetin më verior të Shteteve të Bashkuara, në skajin më të largët të Oqeanit Arktik.



Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...