2018-10-20

Pyetje për seksin? Përgjigjet që jep andrologu i njohur Dr. Evi Dani



Mjeku i njohur androlog Dr. Evi Dani i përgjigjet qytetarëve shqiptarë lidhur me pyetje që ata kanë për çështje të ndryshme seksuale. Jo vetëm mjekësi për seksin, por shumë këshilla për çështjet seksuale.



1- E kam ereksionin shumë të shkurtër. Si ta zgjas në kohë sepse kjo gjë më bën të ndihem shumë keq psikologjikisht?

– Nëse e mbani mendjen gjithë kohën se si ta zgjasni ereksionin, do të ndjeni presion në vetvete dhe nuk do të arrini kurrë ta bëni një gjë të tillë. Më parë duhet të qetësoheni dhe t’i gëzoheni çdo momenti që kaloni në intimitet me partneren tuaj, pa qenë nevoja për një ereksion shumë të gjatë. Edhe zgjatja e ereksionit më shumë se normalja, është shumë i dëmshëm. Nëse partnerja juaj është e kënaqur, duhet të jeni edhe ju. Lojërat paraprake, siç është preludi i dashurisë, janë një akt shumë i mirë për të zgjatur intimitetin.

2- A ka mundësi që t’i ulet mashkullit niveli i testosteronit? E bëj këtë pyetje, sepse im shoq, kohët e fundit, s’ka oreks fare për seks dhe më thotë që ka probleme me testosteronet…

– Sigurisht që është e mundur ulja e nivelit të testosteronit te një mashkull. Përderisa jua konfirmon këtë gjë vetë bashkëshorti juaj, do të thotë që është vizituar dhe e ka me baza këtë që thotë. Nëse thjesht ka një dyshim për këtë gjë, atëherë duhet të jeni ju që t’i sugjeroni të shkojë te mjeku, të bëjë disa analiza e të marrë një mjekim për rregullimin e nivelit të testosteronit.

3- Kam një djalë 5 vjeç, që e kam kapur disa herë mat duke prekur organin e tij gjenital dhe kjo gjë më ka trembur. A është normale kjo gjë dhe a duhet t’i tregoj unë atij në lidhje me krijimin e fëmijës, sepse më pyet shpesh?

– Është normale që një fëmijë i asaj moshe ose edhe më i vogël, të prekë organin e tij, sepse është kurioz dhe do të njohë trupin e tij. Ajo çfarë duhet të bëni ju si prindër, është të bisedoni hapur me fëmijën tuaj dhe t’i shpjegoni që ai një ditë do të rritet dhe do t’i kuptojë më mirë ato çfarë do t’i shpjegoni ju rreth organeve dhe krijimit të fëmijës. Veç kësaj, duhet t’i tregoni se duhet të jetë i kujdesshëm, plus që nuk duhet të lejojë njeri t’ia prekë pjesët intime të trupit të tij, përveçse me lejen e tij, kur të rritet. Më mirë ta marrë informacionin nga ju, në lidhje me çdo pyetje që ju bën, sesa ta mësojë nëpërmjet internetit apo televizorit, sepse në këtë mënyrë, mund të marrë drejtimin e gabuar, mund ta kuptojë jo si duhet. Kur u flet prindi, ata e kanë më të lehtë t’i kuptojnë.

4- Partnerja ime nuk pranon të bëjë seks. Edhe pse më thotë që më dashuron, më thotë “prit, se nuk ndihem gati”, por sa më shumë më refuzon, aq më shumë më josh. Si mendoni ju, ta pres apo të ndahem nga ajo se ndoshta nuk e tërheq?

– E kuptoj gjendjen tuaj, sepse është si ajo “molla e ndaluar” e cila të josh më tepër, por duhet të tregoheni i duruar përderisa jua ka kërkuar këtë gjë. Nëse vërtet e dashuroni, duhet të dini të prisni, që çdo gjë të vijë natyrshëm e pa sforcime. Përderisa rri me ju, ajo sigurisht që ju do, por nuk ndihet gati, për shkak të frikës, ndonjë tabuje, ose ka nevojë për më shumë siguri nga ana juaj. Nuk më duket zgjidhje nga ana juaj ndarja për shkak të refuzimit të saj; vetëm nëse ju nuk e dashuroni vërtet.

5- Jam një vajzë që, nën efektin e pijes a nuk e di se çfarë, kam kaluar një natë jo të zakonshme, natë pasioni, me një djalë që kisha vetëm dy herë që e takoja. Problemi është se nuk mund ta harroj, edhe pse ishim të ndërgjegjshëm që të dy që ishte vetëm një natë dhe kaq.

– Mendoj se pyetja juaj i shkon më shumë për shtat një psikologu, përderisa ka të bëjë më shumë me anën shpirtërore. Në lidhje me natën pasionante, mendoj se do ta harroni shpejt, sepse ju jeni akoma nën efektin e saj dhe, me sa kuptoj, është hera e parë që bëni një veprim të tillë. Me kalimin e kohës, do të kuptoni se ajo natë nuk ka qenë gjë tjetër veçse një pasion seksual i çastit. Nëse vazhdoni të ndjeni për të, mendoj se duhet ta rivlerësoni situatën, ose të krijoni një mundësi tjetër takimi me këtë djalë. Nëse shikoni që tërheqja është e dyanshme, pse jo, mund të lindë diçka përtej pasionit dhe një ndjenjë dashurie që e bën më të plotë dhe më të bukur natën tuaj të pasionit.

6- A mund të merret sëmundja e SIDA-s vetëm me një akt seksual? Jam bërë merak sepse kam bërë seks me një femër e cila më pas dëgjova që ishte shumë e pisët dhe mund të kishte edhe sëmundje.

– Ka pasur edhe raste të tilla që vetëm me një akt seksual e kanë marrë virusin HIV. Ju uroni që ajo të mos ketë qenë e infektuar me këtë virus. Pastaj, diçka më habit me ju, si mund të bëni seks pa u mbrojtur, aq më tepër me një femër me të cilën nuk keni marrëdhënie të rregullta dhe thjesht keni kaluar disa orë me të? Bëni shumë gabim! Megjithatë, jeni ende në kohë të bëni një vizitë për të hequr merakun.

7- Jam i sëmurë me diabet dhe më është ulur shumë dëshira seksuale sepse nuk kam potencën që kam pasur. A mund të marr viagra për të rritur potencën, apo duhet të këshillohem me mjekun.

– Nuk e di moshën tuaj, por është e vërtetë që shpesh, diabeti ndikon në uljen e potencës seksuale. Ka edhe preparate të tjera përveç viagres që merren për rritjen e potencës seksuale, siç është Levitra dhe Cialis. Një metodë tjetër është dhe injeksioni intrakavernoz, i cili ka një efekt shumë të mirë. Megjithatë, unë do t’ju rekomandoja të flisnit më parë me mjekun tuaj, si dhe të këshilloheni edhe me mjekun androlog më pas, për të parë se cili preparat bën më shumë për rastin tuaj. 8- Djali im është me shyta dhe kam frikë se mos më bëhet steril. Në cilat raste rrezikon të bëhet i tillë? - Po të trajtohen siç duhet shytat dhe të mos kalojnë në infeksion, nuk rrezikon të bëhet steril. Shytat janë një sëmundje virale që shkakton imunitet të përhershëm. Çdo dëmtim i organeve të riprodhimit nga orkidet apo infektimi i tyre, bëhet premisë për dëmtimin e tubave seminite, përgjegjëse për prodhimin e spermatozoidëve. Kështu, duhet patur kujdes, ato duhet të trajtohen siç duhet që të mos kalojnë në infeksion.
Pyetje për seksin? Përgjigjet që jep andrologu i njohur Dr. Evi Dani


9- Çfarë shenjash shfaq infeksioni balanopastitis? Kam disa çrregullime që më shqetësojnë dhe doja të dija nëse jam prekur nga ky infeksion.

– Balanopastitisi është një patologji që haset shpesh te meshkujt. Shenjat e tij janë: Skuqje dhe kruarje e lafshës së kokës së penisit dhe shtim i një sekrecioni me erë të rëndë që, po të avancojë, ndikon në pamundësinë e kryerjes së aktit seksual. Duke qenë se dyshoni, një vizitë tek andrologu do t’ju qetësonte.

10- Jemi një çift që nuk bëjmë dot fëmijë, spermatozoidët na dolën me dy bishta. Çfarë do të thotë kjo? Ne, marrëdhënien seksuale e kemi shumë të mirë.

- Një nga parametrat e një spermograme është studimi morfologjik i spermatozoidëve. Spermatozoidi ka shtatë patologji të kokës, dy patologji të pjesës së mesme dhe katër patologji të bishtit. Prania e spermatozoidëve me dy bishta është një nga patologjitë, por nuk është shkaktare kryesore e pamundësisë për të bërë fëmijë. Sidoqoftë, shoh që informacioni juaj është i turbullt, ndaj ju këshilloj një konsultë, për sqarime të mëtejshme.

Floripress & Intervista 

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...