Meqenëse çështjet e demografisë kërkonin praninë e një korpusi të dhënash më serioze dhe informatash të besueshme, shkrimet mediatike rreth kësaj teme shpesh vinin nga emra të mirënjohur, siç ishte për shembull Jovan Cvijiq, teksti mjaft i gjatë i të cilit është botuar te “Srpski književni glasnik” (“Lufta Ballkanike dhe Serbia”, XXVIII, 9, nr. 283, 1 nëntor 1912).Profili i revistës (Vitošević, 1990) dhe dalja e saj çdo dy javë mjaftojnë për t’u bindur për faktin se teksti i drejtohej një publiku të arsimuar, të cilit i duhej shpjeguar situata në territoret që deri në tetor të vitit 1912 gjendeshin nën pushtetin turk.
Cvijiqi paraqet me detaje gjendjen brengosëse të komunitetit serb, i cili vazhdimisht përballej me masat e dhunshme të pushtetit dhe ekspeditat plaçkitëse të grupeve shqiptare. Duke u nisur nga dukuria e të ashtuquajturve kripto-serbë – çka nënkupton pranimin e islamit, kthimin në arbanasë, zotërimin e shqipes, por njohje të rrjedhshme edhe të serbishtes – Cvijiqi përpiqet të interpretojë shifrat demografike, duke konkluduar se serbë të shqiptarizuar janë rreth 150-200 mijë, ndërsa të ashtuquajtur kolonistë të dhunshëm janë rreth 300 deri në 400 mijë shqiptarë, që kishin shfrytëzuar rrethanat historike fatkeqe për serbët dhe ishin vendosur atje.
Teksti i Cvijiqit tregon se edhe tekstet shkencore kanë përkuar me qëllimet e politikës zyrtare serbe. Pa e vënë në kundërshtim kontributin shkencor të Cvijiqit, nuk mund ta shpërfillim të dhënën se edhe ai ka konsideruar se “Serbia e meriton një territor më të madh...” (sipas Popović-Obradović, 2008, 249), ndërsa “me rastin e hyrjes së ushtrisë serbe në territorin e Shqipërisë me qëllim të daljes së Serbisë në det” e ka mbështetur idenë mbi aneksimin si një “domosdoshmëri antietnografike” (251). Kur është fjala për tekstin te “Srpski književni glasnik”, paraqitja e gjendjes faktike bëhet interesante, por edhe e kontestueshme kur nga regjistri shkencor ai “rrëshqet” në një retorikë lirike-patetike, duke iu referuar përgjithësimeve të folklorit serb. Pasi shqyrton tezat mbi prejardhjen e popullsisë shqiptare, që në vitin 1912 gjendej në Kosovë, Cvijiqi shpreh mbështetje për interesat serbe në Luftën e Parë Ballkanike, duke kaluar në një moment nga të dhënat empirike (shteti i parë serb, monumentet e kulturës) tek e kaluara e mitologjizuar nëpërmjet parafrazimit të vargjeve nga këngët epike: “Në kufirin jugor të Serbisë së Vjetër është qyteti antik Prilip, qyteti i të birit të mbretit serb Vukashinit, Princ Markos, i cili nuk ka vdekur, nuk mund të vdesë, por fle diku në Malin Sharr, dhe kur të zgjohet do të shpaguhet Kosova dhe do të kthehet perandoria serbe.” (659).
No comments:
Post a Comment